Edhe pse do të mbahet mend si një nga liderët më me ndikim në botën e teknologjisë, Steve Jobs do të kujtohet edhe si “fanatiku” që në një moment vendimtar zgjodhi intuitën para arsyes
Sipërmarrësi amerikan dhe një nga figurat më me ndikim të shekullit 20 dhe 21, Steve Jobs, ndryshoi mënyrën si komunikojmë, punojmë dhe jetojmë me teknologjinë. Ndikimi i tij në industrinë teknologjike ndihet edhe sot, ndërsa Apple – fryt i bashkimit mes kreativitetit, teknologjisë dhe biznesit, është kthyer në sinonim të inovacionit, elegancës dhe cilësisë.
Fëmijëria
Steve Jobs lindi më 24 shkurt 1955 në San Francisko. Nëna e tij, Joanne Simpson, e lindi ndërsa ishte ende studente, ndërsa babai, Abdulfattah John Jandali, një mysliman sirian, kishte lënë vendin e lindjes në moshën 18-vjeçare.
Menjëherë pas lindjes, prindërit biologjikë e dhanë për birësim. Familjen e vërtetë ai e gjeti te Clara dhe Paul Jobs në Silicon Valley. Clara ishte kontabiliste, ndërsa Paul punonte si mekanik në një kompani laserësh.

Motra ishte shoqja më e ngushtë
Si çdo fëmijë, Jobs kishte dëshirë të njihte prindërit biologjikë. Gjatë përpjekjeve për t’u afruar me ta, ai zbuloi motrën, Mona Simpson (lindur Jandali), e cila u bë shoqja e tij më e ngushtë deri në fund të jetës.
“Ne jemi familje. Ajo është shoqja ime më e mirë. E thërras çdo disa ditë dhe i tregoj gjithçka”, – pati rrëfyer Jobs në një intervistë, duke treguar se që në takimin e parë u lidhën shumë ngushtë.
Mona u bë shkrimtare e njohur. Ndër veprat e saj më të famshme është Anywhere But Here (Jeta është diku tjetër), e cila u adaptua në film ku rolet kryesore i luajtën Natalie Portman dhe Susan Sarandon, transmeton Telegrafi.

Nuk e mbaroi kurrë fakultetin
Që i vogël, Jobs tregoi interes të madh për teknologjinë. Orë të tëra i kalonte në garazhin e babait duke punuar në projekte elektronike. Pas shkollës së mesme në Cupertino të Kalifornisë, më 1972 u regjistrua në Reed College, por e la pas semestrit të parë për shkak të vështirësive financiare të familjes.
Megjithatë, ai vazhdoi të ndiqte disa ligjërata sipas dëshirës, si kaligrafia, e cila më vonë pati ndikim të madh në estetikën e produkteve Apple.

“Nuk ishte romantike. Nuk kisha dhomë në konvikt, flija në dyshemetë e shokëve. Ktheja shishet e Koka-Kola-s për depozitën 5 cent dhe blija ushqim. Çdo javë ecja 11 kilometra nëpër qytet që të haja një vakt normal në tempullin Hare Krishna”, – tregoi Jobs në fjalimin e tij të famshëm në Universitetin Stanford më 2005.

Fillimet e karrierës
Më 1976, bashkë me mikun Steve Wozniak, një tjetër gjeni, Jobs themeloi Apple. Produkti i parë ishte kompjuteri personal Apple I, të cilin e montuan dhe e shitën nga garazhi i shtëpisë së Jobs. Edhe emri “Apple” thuhet se lindi pikërisht në atë garazh të mbushur me arka me mollë.
Më 1977, Jobs dhe Wozniak lançuan Apple II, kompjuteri që solli suksesin masiv dhe vendosi themelet për kompaninë që sot është një gjigant i teknologjisë. Pas 7 vitesh inovacion, erdhi revolucioni tjetër: Macintosh (Mac), kompjuteri i parë personal me ndërfaqe grafike (GUI), miun dhe ikonat që e bënë kompjuterin të qasshëm për të gjithë.
Në 1985, Jobs u përplas me CEO-n e atëhershëm të Apple, John Sculley dhe u largua nga kompania. Themeloi firmën NeXT, e cila prodhoi kompjuterë të avancuar, por pa sukses të madh komercial. Megjithatë, sistemi operativ i NeXT u bë baza e macOS që përdoret edhe sot.
Po atë periudhë, Jobs bleu nga Lucasfilm një studio animacioni, të cilën e shndërroi në Pixar, duke revolucionarizuar botën e animacionit. Më 1995, Pixar lansoi “Toy Story”, filmi i parë i animuar plotësisht me kompjuter, duke fituar miliarda. Pixar më vonë u ble nga Disney, por Jobs u bë aksionari më i madh individual i Disney-t.

Në vitet 1990, Apple u përball me krizë të thellë financiare. Në 1997, kompania e thirri Jobs që të kthehej. Ai rifilloi udhëheqjen dhe me lansimin e iMac më 1998 e shpëtoi Apple nga falimentimi, duke e kthyer në gjigantin që njohim sot.
Pastaj erdhën produktet që ndryshuan botën:
iPod (2001) – Pajisja që revolucionarizoi dëgjimin e muzikës.
iPhone (2007) – Smartphone-i i parë me ekran me prekje, që transformoi industrinë.
iPad (2010) – Tableti që ridefinoi përdorimin e kompjuterëve dhe medias.
Perfeksionist deri në detaj, Jobs lidhi teknologjinë me dizajnin elegant. Prezantimet e tij u kthyen në spektakle, ndërsa personaliteti i tij karizmatik hipnotizonte publikun dhe tregun. Megjithatë, për shkak të kërkesave të larta, shpesh hynte në konflikte me punonjësit – por rezultatet gjithmonë e mbanin lart figurën e tij.

Jeta private
Që në adoleshencë, Jobs u magjeps nga zen budizmi dhe shpesh udhëtoi në Indi. Ky ndikim e formësoi si në jetën personale, ashtu edhe në filozofinë e dizajnit.
Në moshën 23-vjeçare, nga lidhja me të dashurën e shkollës së mesme, Chrisann Brennan, pati vajzën Lisa Brennan-Jobs, e lindur në prag të suksesit të Apple më 1978. Megjithëse nuk u martua kurrë me Chrisann, Jobs kishte edhe tre fëmijë të tjerë dhe i pagoi Lisas studimet në Harvard, ku ajo diplomoi më 2000 dhe u bë gazetare.
Në vitin 1991, Jobs u martua me Laurene Powell sipas traditës budiste. Që nga ajo kohë, jetën private e mbajti larg syve të publikut. Laurene punoi në Universitetin e Pensilvanisë dhe më vonë doktoroi në Stanford, aty ku u njohën.
“Isha në parking, mendova: ‘Po të ishte dita ime e fundit, do ta kaloja në një takim pune apo me këtë grua?’ Vrapova pas saj dhe i kërkova të dilnim për darkë. Ajo pranoi dhe që atëherë nuk jemi ndarë kurrë”, rrëfente Jobs.
Sipas biografisë The Second Coming of Steve Jobs të Alan Deutschman, Jobs pati lidhje edhe me këngëtaren Joan Baez, ish e dashura e Bob Dylan. Edhe biografia iCon: Steve Jobs përmend një martesë sekrete me Baez, megjithëse nuk pati fëmijë, pasi ajo ishte 41 vjeçe.
Jobs adhuronte Beatles dhe muzikën klasike, dhe ishte pescatarian, nuk hante mish, vetëm peshk. Veshja e tij karakteristike – golf i zi dhe xhinse, ishte simbol i thjeshtësisë: “S’dua të harxhoj kohë duke menduar çfarë të vesh”, thoshte ai.

Fëmijët nuk i lejoi të përdornin teknologjinë
Edhe pse e gjithë jeta e tij ishte ndërtuar mbi teknologjinë, Jobs nuk ua lejonte fëmijëve pajisjet Apple në shtëpi.
“Ata pothuajse nuk i përdorin. Më shumë preferojmë të ulemi në tryezë dhe të flasim për histori apo librat që kemi lexuar”, – i kishte treguar Jobs gazetarit të The New York Times, Nick Bilton.
Lufta me kancerin e pankreasit
Më 2003, gjatë një vizite tek mjeku për një gur në veshkë, iu zbulua një “hije” në pankreas. Analizat treguan një tumor neuroendokrin të rrallë, një formë e kancerit të pankreasit që mund të shërohet nëse operohet në kohë. Por Jobs e refuzoi operacionin, pavarësisht lutjeve të mjekëve.
“S’doja që të ma hapnin trupin. Nuk doja ta shihja veten të ‘prerë’ në atë mënyrë”, – pranoi Jobs. Nëntë muajt e parë pas diagnozës, ai provoi vegjetarianizmin, akupunkturën, ilaçet bimore, pastrimin e zorrëve dhe metoda të tjera alternative. Thuhet se madje kërkoi edhe ndihmën e një fallxhori.
Asgjë nuk ndihmoi. Kanceri u përhap shpejt dhe Jobs më në fund pranoi të operohej. Më 2004 ai u shkroi të gjithë punonjësve të Apple një email ku tregonte diagnozën.
“Kam një formë shumë të rrallë kanceri pankreatik, një tumor neuroendokrin, që përbën rreth 1% të rasteve dhe mund të shërohet me operacion nëse kapet herët, si në rastin tim”, – shkroi Jobs.
Në vitin 2009, pas humbjes drastike në peshë, u bë e qartë se sëmundja kishte avancuar. Ai iu nënshtrua një transplanti të mëlçisë dhe u tërhoq nga drejtimi i Apple.
“Ai kishte të vetmin lloj kanceri pankreatik që mund të kurohej. Në thelb, ai kreu vetëvrasje”, – thanë më pas disa ekspertë, duke theksuar se mjekimi në kohë do ta shpëtonte.
Por Jobs gjithmonë besoi më shumë te instinkti sesa te mjekët dhe, për fat të keq, as miliona dollarët nuk ia blenë jetën.

Ditët e fundit
Në javët e fundit të jetës, Jobs u përpoq të linte një trashëgimi shpirtërore për fëmijët. Në bashkëpunim me biografin Walter Isaacson, krijoi biografinë për të shpjeguar vendimet e tij.
Steve Jobs ndërroi jetë më 5 tetor 2011, në shtëpinë e tij në Palo Alto të Kalifornisë, i rrethuar nga familja. Shkaku zyrtar i vdekjes ishte ndalimi respirator si pasojë e tumorit të pankreasit. /Telegrafi/
The post Një ‘jo’ që i kushtoi jetën: Pse vdiq vërtet Steve Jobs dhe si mund të shpëtonte appeared first on Telegrafi.