SHQIPËRI- Opozitë e tkurrur me oreks si në pushtet. Partia Demokratike me kërkesat e aleateve kërkon të shfrytëzojë të gjitha mundësitë brenda parlamentit, në kohë dhe para.
Ashtu si në vitin 2021, selia blu po mendon të copëzohet në disa grupe parlamentare. Diskutimet e para informale pas pushimeve të gushtit janë 2-3 grupe. Për të formuar një grup në parlament duhen të paktën 7 anëtarë deputetë.
Një grup parlamentar e kërkon Partia e Lirisë. Me porosi nga qelia e Ilir Metës, Tedi Blushi i ka çuar fjalët ne seline blu Flamur Nokës.
Momentalisht, Partia e Lirisë ka 4 deputetë, Tedi Blushi, Edmond Haxhinasto, Brunilda Haxhiu dhe Erisa Xhixho. I duhen dhe 3 deputetë. Në vitin 2021, Lulzim Basha ndëshkoi Monika Kryemadhin pas humbjes dhe e la pa grup parlamentar. Por tani kohët kanë ndryshuar, tani janë Berisha me Metën, njëri në liri, tjetri në qeli, por i lidh halli.
Ky grup parlamentar mund të plotësohej me aleatët e vegjël deputet. Por oreksi i tyre është më i madh. Mediu, Dule, Mesila Doda dhe Artan Luku i PAA kërkojnë gjithashtu grup parlamentar, dhe i duhen gjithashtu 3 deputetë.
Në vitin 2021, aleatët e vegjël i morën Bashës dy grupe parlamentare, duke trafikuar deputetë nga sigla e PD. Por kësaj radhe, Berisha duket e ka më të lehtë. Kjo për shkak të skemës që përdori në listat e PD. Doktori gostiti partitë joparlamentare me deputetë të sigurt. Tani do u kërkojë borxhin mbrapsht.
Kreu i Forumit Rinor, Besar Xhaferri rezulton deputet i Ballit Kombëtar, Denisa Vata e Legalitetit, Gerta Bardeli e Kristian Demokratëve.
Kjo skemë kap edhe djalin e Fahri Balliut, që figuron deputet i partisë së Sali Shehut. Përveçse ka punuar ish-këshilltar i Metës, në vitin 2021 u përfol edhe për një kandidim nga LSI.
Nuk përjashtohet, që doktori të sakrifikojë edhe deputetë demokratë anonimë të dalë nga zgjedhjet e 11 majit.
Me kete skenar, grupi parlamentar natyral i PD do te mbetej me 36 deputetë, trafikimi i tyre tashmë është bërë trend në PD. Edhe pse doktori do të mbledhë forumet për të vendosur, vendimet nuk u bëjnë më përshtypje as kupolës e as demokratëve.
Përjashtim bën vetëm bashkimi me deputetët e opozitarëve të rinj. Qëllimi është gjithashtu lënia pa grup parlamentar të Agron Shehajt dhe deputetëve të Lapajt e Qorrit. Kjo do të reduktonte fondet dhe kohën në parlament të opozitës së re.
Doktori kështu me një gur vret dy zogj, nga njëra anë merr paratë, nga ana tjetër merr dhe kohën parlamentare si opozitë.
Por gjithë kjo histori ka një problem: farsën. Jo te zgjedhjeve, por te Sali Berishës, i cili njerëzve u bën thirrje për revolucion, ndërkohe qe në Kuvend jo vetëm do hyje, por do hyje me mendje te keqe; me mendjen te paratë./abcnews.al