Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 25 August 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

SHBA – Trump: Departamenti i Mbrojtjes mund të riemërtohet “Departamenti i Luftës”

25 August 2025 at 22:55

UASHINGTON, 25 gusht /ATSH-AA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se po mendon që emrin e Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së ta ndryshojë në “Departamenti i Luftës”.

Presidenti Trump iu përgjigj pyetjeve të mediave në lidhje me ngjarjet aktuale gjatë një takimi me presidentin e Koresë së Jugut, Lee Jae Myung në Zyrën Ovale.

“Ne e quajmë Departamenti i Mbrojtjes, por ndoshta do ta ndryshojmë emrin e tij. Do t’ju njoftojmë për këtë së shpejti. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe Luftës së Dytë Botërore quhej Departamenti i Luftës. Mendoj se pikërisht kështu është. Një ndjenjë brenda meje më thotë se do ta ndryshojmë emrin e këtij departamenti”, tha Trump.

Ai vuri në dukje se ka biseduar me personat përkatës për këtë çështje dhe shtoi se brenda disa javësh mund të njoftojë vendimin nëse do të riemërtohet apo jo Departamenti i Mbrojtjes.

Në deklaratat e mëparshme, Trump theksoi se do të preferonte të përdorte termin “Departamenti i Luftës” në vend të “Departamenti i Mbrojtjes”.   /os/

The post SHBA – Trump: Departamenti i Mbrojtjes mund të riemërtohet “Departamenti i Luftës” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

INSTAT: Numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri u rrit me 2,2% gjatë 2024-ës

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri ka arritur në 21.940 në fund të vitit 2024, duke shënuar një rritje prej 2,2% krahasuar me vitin 2023. Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) pasqyrojnë një tendencë në rritje të interesit të të huajve për të jetuar dhe punuar në Shqipëri.

Sipas statistikave, meshkujt përbëjnë shumicën e të huajve me leje qëndrimi me 61,9%, ndërsa femrat zënë 38,1%. Grup-mosha më e përfaqësuar është ajo nga 30 deri në 39 vjeç, që përbën 24,6% të të huajve gjithsej.

Po sipas shifrave të INSTAT, numri i aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri, në vitin 2024 shënoi rritje prej 6,0%, krahasuar me vitin 2023. Shtetasit nga Italia dhe India përbëjnë 28,8% të aplikimeve.

Të huajt me origjinë nga Kosova, Italia dhe Turqia përbëjnë numrin më madh të të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri.

Shumica e të huajve kanë ardhur për qëllime punësimi, duke përbërë 54,3% të lejeve të qëndrimit, ndjekur nga bashkimi familjar me 24,5%, arsye të tjera me 16,3%, studimet me 4%, dhe qëllimet humanitare me 0,9%.

Në 2024 u identifikuan 1540 të huaj të parregullt në territorin e Shqipërisë, duke shënuar një rënie të konsiderueshme, krahasuar me 6630 në vitin 2023.

Të huajt në Shqipëri sipas vendit të origjinës

Në vitin 2024, të huajt me origjinë nga Kosova janë 4592 banorë, duke shënuar një rritje me 23,7%, krahasuar me 2023, ndërsa të huajt me leje qëndrimi në Shqipëri me origjinë nga Italia janë 3763 banorë, duke shënuar një rritje me 11,5%, krahasuar me 2023.

Sipas të dhënave, Evropa zë pjesën më të madhe me 65,5% (14.367 persona me leje qëndrimi), duke shënuar një rënie prej 5,6%, krahasuar me 2023; Azia ka shënuar rritje të ndjeshme me 20,1% (4545 persona); Amerika, Afrika dhe Oqeania rritje me 23,4% (3028 persona).

Të dhëna mbi të huajt me leje qëndrimi në Shqipëri si dhe të huajt e parregullt sigurohen nga Departamenti për Kufirin dhe Migracionin.

/m.q//r.e/

The post INSTAT: Numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri u rrit me 2,2% gjatë 2024-ës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Mbipesha dhe obeziteti përshpejtojnë plakjen e trurit

25 August 2025 at 22:27

PENSILVANI, 25 gusht /ATSH-ANSA/ – Mbipesha dhe obeziteti shoqërohen me plakjen e përshpejtuar të trurit dhe atrofi celebrale veçanërisht tek burrat, sipas në studimi që përfshin mbi 46 000 njerëz në 15 projekte kërkimore.

“Të dhënat tregojnë se pesha e tepërt e trupit shoqërohet me plakjen e përshpejtuar të trurit dhe atrofi më të madhe të trurit, krahasuar me ato të një peshe normale. Këto ndryshime në tru mund të ngjajnë me ato të vërejtura në fazat e hershme të sëmundjes së Alzheimerit”, shpjegon Filippos Anagnostakis, autori i studimit.

“Kjo është veçanërisht e vërtetë për burrat: burrat mbipeshë treguan tru që dukeshin rreth tetë muaj më të vjetër, ndërsa ata me obezitet përjetuan rreth dy vjet më shumë plakje të trurit sesa bashkëmoshatarët e tyre me peshë normale”, shton ai.

Situata është e ndryshme për gratë. Çuditërisht, studimi zbuloi se gratë me peshë normale treguan më shumë shenja të plakjes së trurit dhe atrofisë së ngjashme me Alzheimerin sesa gratë mbipeshë dhe madje edhe sesa burrat me peshë normale.

“Ne e dimë që ndryshimet gjinore ndikojnë në rrezikun e zhvillimit të demencës ndryshe, por rrugët që shkaktojnë këto pabarazi mbeten të paqarta”, komenton Anagnostakis.

Një faktor tjetër kyç është mosha. Ndikimi i peshës trupore në plakjen e trurit u gjet të ishte më i theksuar tek subjektet më të reja, ndërsa tentonte të zvogëlohej me moshën.

“Rezultatet që morëm na ftojnë të rimendojmë ndikimin e obezitetit jo vetëm nga një perspektivë estetike, por edhe në lidhje me shëndetin e trurit”, përfundon studiuesi. /os/

The post FOKUS – Mbipesha dhe obeziteti përshpejtojnë plakjen e trurit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LIMA – Ekuador-SHBA sekuestrojnë 10,3 tonë kokainë

25 August 2025 at 22:11

LIMA, 25 gusht /ATSH-ANSA/ – Marina dhe Policia e Ekuadorit, në koordinim me Rojën Bregdetare të SHBA-së, sekuestruan 10,3 tonë kokainë, me vlerë të vlerësuar mbi 60 milionë dollarë, gjatë një serie operacionesh në det, dhe arrestuan 18 persona.

Ministria e Brendshme specifikoi se, gjatë operacioneve të përbashkëta, përveç drogës, u shkatërruan gjashtë anije të përdorura nga rrjetet kriminale për të transportuar kokainë.

Sipas hetuesve, ”ajo ishte menduar të përdorej nga grupet e armatosura për të kryer akte terroriste në Kolumbi”.

Kolumbia po përjeton krizën e saj më të keqe të dhunshme në një dekadë. Të enjten, dy sulme nga grupet rebele lanë 19 të vdekur dhe mbi 60 të plagosur, përfshirë civilë dhe personel ushtarak. /os/

The post LIMA – Ekuador-SHBA sekuestrojnë 10,3 tonë kokainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani takon presidentin austriak: Austria, një nga aleatët tanë më të fortë

PRISHTINË, 25 gusht /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar sot me presidentin e Austrisë, Alexander Van der Bellen, si dhe Zonjën e Parë, Doris Schmidauer, në Alpbach.

Osmani ka shkruar në Facebook se me presidentin austriak ka diskutuar mbi forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, teksa ka thënë se Austria është një nga aleatët më të fortë të Kosovës.

“Me Presidentin e Austrisë, Alexander Van der Bellen, si dhe Zonjën e Parë, Doris Schmidauer, në Alpbach-un e bukur. Diskutime miqësore mbi forcimin e marrëdhënieve me Austrinë, një nga aleatët më të fortë të popullit tonë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj në Forumin Evropian Alpbach, u takua edhe me gjeneratën e të rinjve shqiptarë në Austri.

Osmani në një postim në Facebook ka shkruar se këta të rinj kanë një të përbashkët: dashurinë për vendin dhe vendosmërinë për ta bërë Kosovën më të mirë. /KosovaPress/

The post Osmani takon presidentin austriak: Austria, një nga aleatët tanë më të fortë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përkujtohet Hasan Ceka, themeluesi i arkeologjisë shqiptare

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Akademia e Shkencave kujtoi sot arkeologun Hasan Ceka, në 125-vjetorin e lindjes. Ai njëkohësisht njihet edhe si njeriu që vuri themelet e arkeologjisë shqiptare.

Hasan Ceka studioi në Vjenë dhe pas kthimit në Shqipëri, në vitin 1930, punoi në Bibliotekën Kombëtare. Ai krijoi një koleksion arkeologjik, të cilin edhe sot e trashëgon Biblioteka e Institutit të Arkeologjisë. Në të njëjtën kohë përfaqësoj Shqipërinë pranë misioneve të huaja në Apoloni e Butrint.

Në vitin 1947 drejtoi ekspeditën e parë arkeologjike në Apoloni si dhe punën për krijimin e Muzeut Arkeologjik Etnografik në Tiranë. Në 1956-të rikthehet në Apoloni dhe do t’i kushtonte qytetit antik tërë veprimtarinë e tij kërkimore e studimore. Prof. Cekës i takon në të njëjtën kohë edhe merita e zbulimit të një kompleksi arkitektonik në afërsi të ndërtesës së Agonoteteve, gjithashu edhen nimfeut të qytetit dhe e shumë monumenteve të tjera.

Krahas gërmimeve në Apoloni prof. H. Ceka tregoi një kujdes të veçantë për grumbullimin dhe ruajtjen e trashëgimisë sonë monetare antike e mesjetare. Ai ishte një specialist i studimit të monedhave antike, dhe këto studime ai i kurorëzoi me botimin e veprës së njohur “Probleme të numizmatikës ilire” të botuar më 1965 si dhe gjithashtu ai përgatiti edhe veprën “Monetat e Dyrrahut dhe Apollonisë”.

Prof. H. Ceka ishte njohës i mirë i greqishtes së vjetër dhe latinishtes duke u bërë kështu një nga bashkautorët kryesorë në përkthimin dhe përgatitjen në shqip të vëllimit “Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë”.

Ai është autor i shumë artikujve, studimeve e kumtesave të botuara në revistat shkencore brenda e jashtë vendit. Këto studime janë përmbledhur e botuar në vëllimin “Në kërkim të historisë ilire”.

Prof. Hasan Ceka u nda nga jeta më 2 nëntor 1998.

Hasan Ceka themeluesi i arkeologjise shqiptare
1 nga 2

The post Përkujtohet Hasan Ceka, themeluesi i arkeologjisë shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Kalorësi i Babunjës”, numër rekord vizitorësh në Vjenë

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Në përfundim të ekspozimit në Muzeun e Historisë Natyrore në Vjenë, objekti muzeor arkeologjik “Kalorësi i Babunjës” ka arritur të shihet nga 219.397 vizitorë gjatë tre muajve.

Lajmin për numrin e vizitorëve e ka deklaruar drejtoresha e këtij muzeu, prof. Katrin Vohland.

Kalorësi i Babunjës, vepër arti me vlera unike, është pjesë e fondeve arkeologjike të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Ekspozimi u mundësua nga marrëveshja e nënëshkruar mes Institutit të Arkeologjisë, pjesë e ASHSH, dhe Muzeut të Historisë Natyrore të Vjenës. Krahas ekspozimit të Kalorësit të Babunjës, u organizua edhe një konferencë shkencore e përbashkët me palën austriake me fokus këtë zbulim unik 2600-vjeçar të arkeologjisë, ku morën pjesë mbi 120 studiues nga mbarë bota. Shqipëria u përfaqësua nga akad. Adem Bunguri, prof. Neritan Ceka, prof. Bashkim Lahi dhe prof. asoc. Eduard Shehi.

Objekti qëndroi i ekspozuar në “Sallën e Artë” të Muzeut të Historisë Natyrore në Vjenë nga data 13 maj deri më 31 korrik 2025.

Pas suksesit të ekspozitës, “Kalorësi i Babunjës” është rikthyer në Tiranë më 4 gusht 2025 dhe do të vendoset për ekspozim të përhershëm në Muzeun Arkeologjik, pjesë e Institutit të Arkeologjisë pranë ASHSH.

Kaloresi i Babunjes ne ekspoziten e Vjenes
1 nga 8

The post “Kalorësi i Babunjës”, numër rekord vizitorësh në Vjenë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Kina të na japë lëndën e magnetit, përndryshe tarifa 200%

25 August 2025 at 21:11

UASHINGTON, 25 gusht /ATSH-ANSA/ – Kina duhet t’i furnizojë Shtetet e Bashkuara me magnet (lëndë e parë që përdoret në industri), përndryshe do të na duhet të vendosim tarifa prej 200% ose diçka të tillë, deklaroi presidenti amerikan Donald Trump.

Deklarat e Trump u bë ndërsa priti në Zyrën Ovale presidentin e Koresë së Jugut, Lee Jae Myung.

“Miliarda dollarë, kryesisht nga vendet që kanë përfituar me padurim nga Shtetet e Bashkuara, do të fillojnë të rrjedhin në SHBA”, deklaroi Trump në Truth Social.

Këto tarifa zëvendësojnë, për ekonomitë e prekura, tarifat prej 10% të aplikuara që nga prilli praktikisht në të gjitha produktet që hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Sipas presidentit amerikan, qëllimi është të ribalancohet tregtia midis SHBA-së dhe partnerëve të saj, të cilët, thotë ai, “përfitojnë” nga fuqia kryesore ekonomike në botë. /os/

The post SHBA – Trump: Kina të na japë lëndën e magnetit, përndryshe tarifa 200% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje të rrugës panoramike Shëngjin-Velipojë

25 August 2025 at 20:28

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Rruga Shëngjin-Velipojë është kthyer tashmë një nga akset më panoramike të vendit, me potencial për zhvillimin e turizmit.

Përmes rubrikës “Beautiful Albania”, Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje panoramike me perëndimin e diellit nga rruga e re, e cila lidh dy zonat bregdetare, Shëngjinin dhe Velipojën.

Nga porti i Shëngjinit rruga i ngjitet shpatit me një lartësi 100-120 metra mbi nivelin e detit dhe ruan të paprekur plazhin e Shëngjinit, Ranën e Hedhun dhe plazhet e tjera të zonës. Më pas lidhet me infrastrukturën e Velipojës. Kjo rrugë lidh dy qendrat kryesore turistike bregdetare.

Përmirësimi i infrastrukturës rrugore ekzistuese si dhe ndërtimi i rrugëve të reja, që lidhin më shpejt qytetet me zonat turistike bregdetare, janë prioritete të punës së qeverisë.

/e.i//r.e/

The post Rama ndan pamje të rrugës panoramike Shëngjin-Velipojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MM: 6 vatra zjarri të shuara dhe 4 të tjera aktive

25 August 2025 at 20:16

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informoi mbrëmjen e sotme për situatën e zjarreve në vend.

Sipas Qendrës Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile (QKOEC) në AKMC, prej orës 09:00, deri në orën 16:30, datë 25.08.2025, janë raportuar 10 vatra zjarri nga të cilat 6 janë shuar dhe 4 të tjera janë aktive.

Në Pishë-Poro të Vlorës, zjarri i rënë në një terren ranor në fshatin Delisuf të njësisë administrative Novoselë është favorizuar nga era dhe ka marrë një shtrirje të madhe në drejtim të fshatit Pishë-Poro.

Terreni ranor nuk mundëson operimin me mjete zjarrfikëse edhe pse 3 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë, 4 forca AdZM dhe 10 forca bashkiake ndodhen në zonë.

Në mbështetje të forcave në terren kanë fluturuar nga Baza e Kuçovës katër helikopterë, dy të Forcës Ajrore shqiptare dhe dy të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Vatrat e tjera aktive janë ato në Parkun Natyror Gërmenj, njësia administrative Leskovik të bashkisë Kolonjë, ku zjarri është riaktivizuar ditën e sotme në afërsi të piramidës 15. Në terren janë të angazhuar forcat zjarrfikëse nga MZSH Kolonjë.

Në fshatin Pezë-Helmës, njësia administrative Pezë, bashkia Tiranë, vazhdon të jetë aktiv zjarri në disa vatra në një terren pa rrugëkalime dhe me bimësi të dendur që nuk mundëson ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Në terren ndodhen në gatishmëri të pandërprerë 24 orë zjarrfikësit lokalë, kryesisht pranë disa banesave që ndodhen më afër zonës, por larg vetë vatrës së zjarrit.

Në fshatin Bogovë, njësia administrative Bogovë, bashkia Skrapar, është aktivizuar një vatër zjarri në një hangar ku më pas është shpërndarë në një sipërfaqe pyjore me pishë. Në vendngjarje po operojnë 3 grupe shërbimi nga MZSH Skrapar. Situata raportohet nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për banesat.

Vatrat e izoluara plotësisht raportohen: Në fshatin Krenze, njësia administrative Shtiqën, bashkia Kukës; Në fshatin Reç, njësia administrative Shkrel, bashkia Malësi e Madhe; Në fshatin Bisht-Kamëz, njësia administrative Katund i Ri, bashkia Durrës; Në fshatin Ishull-Shëngjin, njësia administrative Shëngjin, bashkia Lezhë; Në Lagjen 18, Rajoni Nr. 1, bashkia Korçë; Në zonën e Shkozës, njësia administrative Nr. 1, bashkia Tiranë.

/e.i//r.e/

The post MM: 6 vatra zjarri të shuara dhe 4 të tjera aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Stadiumi i ri “Flamurtari” në Vlorë, Vengu: Arenë moderne në funksion të qytetit

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Stadiumi “Flamurtari” pritet të kthehet në një arenë moderne sportive dhe një pikë referimi për jetën sportive, sociale dhe ekonomike të qytetit të Vlorës, si pjesë e një masterplani të gjerë zhvillimi.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu nëpërmjet një postimi sot në rrjetet sociale, nënvizoi se stadiumi do të jetë në funksion të qytetit, ndërsa theksoi rëndësinë e këtij projekti.

Sipas tij, veç stadiumit, plani përfshin ndërtimin e një pishine publike moderne dhe një pallati të ri të sportit për qytetin e Vlorës.

“Projekti i transformimit të Stadiumit ‘Flamurtari’ në një arenë tërësisht të re dhe moderne në funksion të qytetit, është pjesë e një masterplani i cili planifikon zhvillimin e një zone edhe më të gjerë se ajo e pronës publike dhe përveç stadiumit parashikon edhe një pishinë të re publike dhe pallatin e ri të sportit të qytetit të Vlorës”, nënvizoi Vengu.

Vengu shtoi se projekti sjell një harmoni të gjetur mes arkitekturës moderne dhe trashëgimisë historike.

“Projekti fitues i konkursit ndërkombëtar, në pronën publike, përfshin ndërtesa bashkëkohore që do ti japin një gjallëri të re jetës sociale e ekonomike të Vlorës, përmes konceptimit të bukur ariktektonik të XDGA | Consulting and Management Albania ltd | Jeshile Landscape | Bollinger + Grohmann Sarl | Ledia Kostandini, në një harmoni tejet të gjetur me trashëgiminë aq të pasur historike të këtij qyteti kaq të dashur nga të gjithë shqiptarët dhe bota mbarë”, shkruan Vengu.

 

/m.q//r.e/

The post Stadiumi i ri “Flamurtari” në Vlorë, Vengu: Arenë moderne në funksion të qytetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjermania mbështet Kosovën në tranzicionin e saj energjetik

PRISHTINË, 25 gusht /ATSH/ Sekretari Shtetëror Parlamentar i Gjermanisë për Bashkëpunim, Johann Saathoff i jep një mbështetje të fortë projektit madhor Solar4Kosovo – 100 MW në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Saathoff gjatë një vizite në KEK, tha se ky projekt është një dëshmi konkrete e partneritetit të fortë ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës.

Ai nënvizoi se investimi në energjinë diellore nuk është vetëm investim në infrastrukturë, por edhe në të ardhmen e gjelbër të Kosovës. Sipas tij, qeveria gjermane mbetet e përkushtuar për të mbështetur Kosovën në tranzicionin e saj energjetik në përputhje me standardet evropiane, objektivat ndërkombëtare për klimën dhe partneritetin klimatik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

Sipas njoftimit të KEK në Facebook, vizita Saathoff të shtunën u fokusua në projektet strategjike të KEK-ut, me theks të veçantë tek projekti madhor Solar4Kosovo – 100 MW, i financuar nga qeveria gjermane/BMZ përmes KfW. Ky projekt është një nga investimet më të mëdha të qeverisë gjermane në Kosovë dhe përfaqëson një gur themeli në tranzicionin energjetik të vendit drejt burimeve të ripërtëritshme.

Ndërsa, kryeshefi Ekzekutiv, Gramos Hashani, shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e Qeverisë Gjermane, duke theksuar se ky projekt shënon një hap vendimtar në diversifikimin e burimeve energjetike të Kosovës dhe forcimin e rolit të KEK-ut si shtyllë kyçe e sistemit energjetik dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Krahas operimit të termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”, KEK po ecën përpara me një qasje të qartë drejt tranzicionit energjetik, me orientim të fuqishëm kah energjia e pastër.

Drejtori Ekzekutiv i Divizionit për Energji të Ripërtëritshme, Erdoan Zasella, informoi delegacionin se projekti është aktualisht në proces të marrjes së lejeve ndërtimore. Paralelisht, po përgatitet dosja e tenderit për fazën e parakualifikimit, e cila pritet të shpallet brenda dy muajve të ardhshëm. Ndërtimi planifikohet të nisë në vitin 2026, ndërsa pritet që energjia e parë nga parku solar të lidhet në rrjet në vitin 2028.

“Projekti Solar4Kosovo – FOTOVOLTAIK parasheh ndërtimin e një parku solar me kapacitet prej 100 MW në lokacionin e ish-deponisë së hirit të Termocentralit “Kosova A”, që shtrihet në një sipërfaqe prej 153 hektarësh. Projekti po implementohet me mbështetjen e Qeverisë Gjermane përmes KfW, Bankës Evropiane për Investime dhe Bashkimit Evropian përmes ËBIF. Ky investim konsiderohet një hap madhor drejt uljes së ndotjes dhe krijimit të një të ardhmeje më të qëndrueshme energjetike për Kosovën”, njofton KEK.

Në fund thuhet se KEK Sh.A. shpreh mirënjohje të sinqertë për qeverinë gjermane dhe institucionet partnere për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe kontributin konkret në realizimin e projekteve të mëdha zhvillimore për Kosovën.

/KosovaPress/

The post Gjermania mbështet Kosovën në tranzicionin e saj energjetik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drejtori i QSUNT-së, Spaho takon nga afër pacientët në spitalin ditor, njësia që trajton mbi 100 persona në ditë

25 August 2025 at 19:54

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Florenc Spaho zhvilloi sot një vizitë në ambientet e spitalit ditor.

Spaho u takua dhe bashkëbisedoi me qytetarët duke u njohur me problematikat e tyre si dhe shërbimet që marrin pranë spitalit ditor.

Në vijim të vizitave pranë çdo shërbimi në QSUNT që pas marrjes së detyrës, Spaho i ka kërkuar stafit shëndetësor trajtimin me dinjitet të pacientëve dhe mos krijimi i radhëve në shërbim.

Njësia e trajtimit ditor në QSUNT ka ulur fluksin e qytetarëve të cilët më herët qëndronin në pritje me kartela shtrimi në spital.

Te kjo njësi marrin trajtim mbi 100 persona në ditë, duke përfshirë shërbime si dermatologji, hematologji, dializë, alergologji, toksikologji etj.

Me një sipërfaqe prej 3500 metrash katrorë, me  kapacitet prej 60 shtretërish dhe mbi 50 mjekë, spitali ditor ofron shërbim për rreth 65.000 pacientë, që kanë nevojë për shërbime si dializë, toksikologji, alergologji, dermatologji, reumatologji dhe hematologji.

Ambientet e reja të njësive të trajtimit ditor janë të pajisura me teknologjinë më bashkëkohore, infrastrukturë lehtësuese dhe komode me mjedise pritjeje të ridimensionuara, që lehtësojnë qarkullimin e pacientëve, si dhe të familjarëve që i shoqërojnë ata gjatë marrjes së shërbimeve mjekësore, duke shmangur fluksin në spitalin qendror.

Drejtori i përgjithshëm i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Florenc Spaho në ambi...
1 nga 3

/e.i//r.e/

The post Drejtori i QSUNT-së, Spaho takon nga afër pacientët në spitalin ditor, njësia që trajton mbi 100 persona në ditë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Pse bllokimi i sanksioneve ndaj Izraelit tronditi qeverinë holandeze?

25 August 2025 at 19:53

AMSTERDAM, 25 /ATSH-AA/ – Dorëheqja e ministrit të Jashtëm, Caspar Veldkamp, ​​partnerët e koalicionit të të cilit bllokuan kërkesën e Holandës për të rritur sanksionet kundër Izraelit, dhe dorëheqja pasuese e ministrave të tjerë të Kontratës së Re Sociale (NSC) kanë nxjerrë në pah përçarjet e thella në peizazhin politik të vendit në lidhje me Gazën.

Kriza qeveritare, e cila shpërtheu pasi dy partnerët e tjerë të koalicionit në qeverinë e përkohshme, Partia Popullore për Liri dhe Demokraci (VVD) dhe Partia e Lëvizjes së Qytetarëve Fermerë (BBB), bllokuan masat e ashpra kundër Izraelit, po përshpejton procesin e përçarjes në politikën holandeze në lidhje me çështjen palestineze.

Pas dorëheqjes së ministrave të NSC-së, qeveria e përkohshme tani mban vetëm një shumicë prej 21 për qind në Parlament. Ekspertët thonë se Holanda po hyn në një periudhë përçarjeje si në qëndrimin e saj ndaj çështjes palestineze ashtu edhe në ekuilibrin e saj të përgjithshëm politik.

Nassreddin Taibi, një shkencëtar politik dhe autor i librit “Europe Elects”, i cili hulumton zgjedhjet evropiane, i tha një gazetari të Anadolus se këto dorëheqje tregojnë se presioni publik po rritet gradualisht mbi klasën politike.

“Sondazhet, madje edhe ato para 7 tetorit (2023), tregojnë se shumica e publikut holandez dëshiron masa dhe sanksione më të ashpra kundër Izraelit, por shumica politike në parlament mbetet fuqimisht pro-Izraelit”.

– CDA dhe NSC ndryshojnë qëndrim, VVD-BBB kundërshtojnë

Taibi theksoi se në muajt e fundit, Partia Krishtere Demokratike (CDA) është zhvendosur nga mbështetja e pakushtëzuar për Izraelin në mbështetjen e sanksioneve kundër Izraelit dhe njohjes së Palestinës. Ai shtoi: “Këtë javë, pamë NSC të lëvizë në të njëjtin drejtim si CDA, por VVD dhe BBB mbeten me vendosmëri pro-Izrael dhe po bllokojnë një qëndrim më të ashpër kundër Izraelit dhe sanksioneve”.

Ai tha se justifikimet për mbështetjen e vazhdueshme të këtyre dy partive për Izraelin kanë ndryshuar, duke theksuar: “Ata nuk po përpiqen më të justifikojnë mosveprimin e tyre kundër Izraelit me përrallat e zakonshme dhe të frikshme rreth të drejtës së Izraelit për vetëmbrojtje, por duke thënë: ‘Holanda mund të bëjë shumë pak, ne nuk kemi ndikim'”.

– Lobi Izraelit, ndikimi i CIDI-t

Lidhur me ndikimin e Izraelit në vendimmarrjen politike në Holandë, Taibi vuri në dukje se VVD, BBB, dhe më parë NSC, CDA, dhe madje edhe Partia Laburiste (PvdA) mbajnë marrëdhënie të mira me Qendrën e Informacionit dhe Dokumentacionit të Izraelit (CIDI), lobin më të shquar pro-Izrael të vendit.

Taibi komentoi: “Ndonjëherë partitë kapen duke cituar dokumente të CIDI-t fjalë për fjalë në fjalimet e tyre parlamentare, gjë që tregon ndikimin e CIDI-t në politikën dhe partitë holandeze”.

Taibi theksoi se pas protestave të tifozëve në Amsterdam, u zbulua se BBB përdori një raport nga Ministria izraelite e Diasporës që pretendonte në mënyrë të rreme se Hamasi ishte i përfshirë. Ai theksoi se rrënja e paragjykimeve pro-Izraelit të shumë partive qëndron në “varësinë e politikës së jashtme holandeze nga SHBA-ja”.

– Qeveria është bërë jofunksionale

Taibi përmendi se refuzimi i VVD-së dhe BBB-së për të mbështetur sanksione më të ashpra kundër Izraelit rezultoi në largimin e NSC-së nga qeveria. “Pasi Partia e Lirisë (PVV) e ekstremit të djathtë u largua nga qeveria në qershor, qeveria e përkohshme tani mban vetëm 21 për qind të vendeve në Parlament”, tha ai.

Ai deklaroi se situata do të përkeqësohet pas zgjedhjeve të tetorit 2025, duke thënë: “VVD po humbet me shpejtësi mbështetjen në sondazhe, ndërsa dy partitë e mbetura të koalicionit, VVD dhe BBB, duket se po marrin më pak se 15 për qind të votave. Sinqerisht, është e pamundur që këto parti të qeverisin vendin në mënyrë kuptimplote.”

– Mundësia e një qeverie pro-palestineze

Taibi deklaroi se ky kaos mund t’u sjellë dobi partive si CDA, E Majta e Gjelbër (GL) dhe Partia e Punës (PvdA), të cilat hynë në zgjedhjet e mëparshme në aleancë, përpara zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme që do të mbahen më 29 tetor 2025.

Lidhur me mundësinë e një qeverie pa VVD-në, Taibi tha: “Një koalicion i përbërë nga GL/PvdA, CDA, D66 dhe një parti e vogël me prirje të majtë po i afrohet ngadalë shumicës në sondazhe. Nëse një koalicion i tillë fiton shumicën, kjo mund të çojë në ndryshime themelore në shumë fusha të politikave, duke përfshirë një politikë të jashtme pro-palestineze”.

Taibi vuri në dukje se Holanda, një nga aleatët më të mëdhenj evropianë të Izraelit, mund të bëhet një nga kritikët e tij më të zëshëm dhe se ky ndryshim pro-palestinez do të ishte veçanërisht i theksuar nëse GL/PvdA udhëheq qeverinë e ardhshme.

Pas mosmarrëveshjeve mbi dështimin për të rritur sanksionet kundër Izraelit, Këshilli i Sigurisë Kombëtare (NSC) u tërhoq gjithashtu nga qeveria më 22 gusht, dhe VVD dhe BBB vazhdojnë të ruajnë koalicionin.   /os/

The post KOMENT – Pse bllokimi i sanksioneve ndaj Izraelit tronditi qeverinë holandeze? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

U rrezikuan gjatë lundrimit në det, policia iu shkon në ndihmë pushuesve në Sarandë e Palasë

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Policia Kufitare e Vlorës iu shkoi sot në ndihmë disa pushuesve që u rrezikuan gjatë lundrimit me mjetet e tyre lundruese, në Sarandë dhe në Palasë.

Policia e Shtetit njoftoi se “shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë me mjetet e tyre lundruese dhe bënë të mundur ndihmën dhe shoqërimin e sigurt të turistëve dhe mjeteve lundruese drejt bregut”.

“Pas marrjes së njoftimit se, rreth një milje larg Gjirit të Sarandës, kapiteni i një jahti me flamur maltez kërkonte ndihmë pasi mjeti i tij lundrues kishte pësuar defekt dhe kishte marrë ujë, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë dhe bënë të mundur shoqërimin e kapitenit në mënyrë të sigurt në breg dhe rimorkimin e jahtit në Portin e Limionit”, njoftoi policia.

Më tej, forcat blu njoftuan se “në zonën e Shën Andreut, disa turistë që ndodheshin në bordin e një mjeti lundrues po rrezikoheshin për shkak të kushteve të vështira të detit, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë dhe bënë të mundur shoqërimin e turistëve në mënyrë të sigurt në breg dhe ankorimin e mjetit të tyre lundrues në molin e Palasës”.

/m.q//r.e/

The post U rrezikuan gjatë lundrimit në det, policia iu shkon në ndihmë pushuesve në Sarandë e Palasë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZA – Rritet në 300 numri i të vdekurve nga uria, 117 janë fëmijë

25 August 2025 at 19:03

GAZA, 25 gusht /ATSH-AA/ – Në 24 orët e fundit në Rripin e Gazës, ku është goditur nga uria, sulmet dhe bllokadat izraelite, 11 persona të tjerë, përfshirë 2 fëmijë, kanë vdekur nga uria.

Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza, Munir al-Bursh, në një deklaratë me shkrim dha informacionet më të fundit mbi ata që kanë vdekur nga uria.

Duke theksuar se uria vazhdon të marrë jetë në Rripin e Gazës, i cili është nën sulme dhe bllokadë intensive izraelite, Bursh deklaroi se 11 palestinezë të tjerë, përfshirë 2 fëmijë, kanë vdekur nga uria dhe kequshqyerja në 24 orët e fundit.

Bursh theksoi se numri i njerëzve që kanë vdekur nga uria në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, është rritur në 300, 117 prej të cilëve janë fëmijë.

Raporti i fundit i publikuar nga Klasifikimi i Fazës së Sigurisë Ushqimore të Integruar (IPC) i mbështetur nga Kombet e Bashkuara (OKB) deklaroi se “provat konfirmojnë se uria në Qytetin e Gazës është në nivelin 5, i njohur si katastrofik, që nga 15 gushti 2025”.

Raporti i IPC-së theksoi se “pas 22 muajsh konflikti brutal, më shumë se gjysmë milioni njerëz në Rripin e Gazës përballen me kushte katastrofike të karakterizuara nga uria, varfëria dhe vdekja”.   /os/

The post GAZA – Rritet në 300 numri i të vdekurve nga uria, 117 janë fëmijë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarr në Akërni, katër helikopterë në aksion për shuarjen e flakëve

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Një zjarr përfshiu pasditen e sotme pyllin me pisha në zonën e hidrovorit, në fshatin Akërni, Novoselë, pranë lagunës së Nartës.

Mediet raportojnë se për shkak të terrenit të vështirë dhe rërës që pengon lëvizjen e automjeteve zjarrfikëse, në pyllin e pishave pranë hidrovorit kanë shkuar edhe 4 helikopterë për shuarjen e flakëve, prej të cilëve, dy nga Emiratet e Bashkuara dhe dy të Forcave të Armatosura.

Po ashtu në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse të Vlorës me 7 punonjës, të cilët po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve.

Era ka bërë zjarri të përhapet në një sipërfaqe më të madhe, ndërsa pjesa më e madhe e pyllit është përfshirë nga zjarri.

Në një intervistë për mediet, kryetari i bashkisë së Vlorës Ermal Dredha tha se zjarri në Pishë-Poro të Vlorës vijon dhe është në një gjatësi 2-3 kilometra.

Dredha u shpreh se dyshohet që është zjarrëvënie e qëllimshme dhe tha se autori duhet që të dalë para drejtësisë.

“Zjarri ka nisur në Delisuf dhe nga atje ka ardhur deri këtu në hidrovor, është 2 deri në 3 km gjatësi zjarri. Terreni nuk është se është shumë i vështirë po ka shumë sipërfaqe pylli me pisha dhe është e vështirë që të operohet. Janë sjellë dy helikopterë nga Forcat e Armatosura dhe dy nga Emiratet Arabe dhe do të vijohet sërish nesër.

Jemi në terren, por dua që t’i bëj thirrje banorëve nëse kanë informacione, sepse ka dyshime që mund të jetë zjarrëvënie e qëllimshme, pse jo, përgjegjësit të vendosen para përgjegjësisë, sepse është rast i përsëritur dhe rrezikohen jetë njerëzish dhe natyra. Nesër në orën 5 në mëngjes do të jetë një grup i organizuar me 40 forca mbështetëse nga Ministria e Mbrojtjes dhe mund të marrim ndihmë edhe nga bashki të tjera”, tha Dredha.

/m.q//r.e/

The post Zjarr në Akërni, katër helikopterë në aksion për shuarjen e flakëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Mirëmbajtja e hapësirave të përbashkëta, detyrim qytetar dhe mënyrë jetese

25 August 2025 at 18:45

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Prej datës 15 qershor ka nisur operacioni “Plazhe të pastra”, përmes të cilit Agjencia Kombëtare e Bregdetit mbështet tetë bashki bregdetare në pastrimin e plazheve.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh sot në një postim në rrjetet sociale, se “pastrimi i plazheve është sfida e përditshme dhe e përnatshme e ekipeve të bashkive, operatorëve të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit”.

Ministrja Kumbaro tha se falë angazhimit vullnetar të qytetarëve dhe turistëve model po jepet shembulli se si duhen trajtuar hapësirat publike.

Kumbaro u ndal edhe tek ata “që bërtasin “për të pasur plazhe publike”, të cilat këtë vit ishin më shumë se asnjëherë, por sërish plot biznese dhe qytetarë-pushues nuk e kuptojnë që të mirëmbash hapësirat e përbashkëta nuk është zgjedhje personale, por detyrim qytetar dhe mënyrë jetese”.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit u ka shprehur mirënjohjen ekipeve të pastrimit të cilët sipas Kumbaros, “ditë-natë, prej nisjes së Operacionit “Plazhe të Pastra” për të katërtin vit radhazi, kanë qenë në krye të detyrës, për të pastruar dhe mirëmbajtur hapësirat”.

Dyfishimi i hapësirave publike ka shtuar përgjegjësitë e institucioneve vendore për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Po ashtu, bashkitë e qyteteve bregdetare i kanë pajisur të gjitha këto hapësira me sinjalistikën e duhur në terren.

Nga aksioni “Plazhe të pastra”, i projektuar në tetë bashki të vendit
1 nga 8

/e.i//r.e/

The post Kumbaro: Mirëmbajtja e hapësirave të përbashkëta, detyrim qytetar dhe mënyrë jetese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qendra shëndetësore verore në kalanë e Beratit, Koçiu: 800 vizita mjekësore për banorët dhe vizitorët

25 August 2025 at 18:11

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Për herë të parë në Shqipëri, hartës së qendrave shëndetësore verore të hapura nga veriu në jug të vendit u shtohen edhe tri qendra shëndetësore të pozicionuara në zonat turistike me interes të lartë fetar dhe kulturor, si kisha e Shna Ndout në Laç, kalaja e Gjirokastrës dhe kalaja e Beratit.

Në kalanë e Beratit, qendra shëndetësore verore është pozicionuar në zemër të trashëgimisë kulturore, duke ofruar shërbim dhe kujdes mjekësor jo vetëm për banorët e zonës, por edhe për turistët e shumtë që vizitojnë kalanë gjatë verës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se “që prej nisjes së sezonit, kjo qendër ka ofruar kujdes të pandërprerë për banorët dhe vizitorët, me mbi 800 vizita mjekësore të kryera deri më sot”.

“Në çdo qendër shëndetësore verore në vend, po garantohet shërbim i shpejtë, cilësor, pranë pushuesve vendas e të huaj që kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacionin e tyre veror”, u shpreh Koçiu.

MSHMS edhe këtë vit ka marrë masa për të garantuar një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm për pushuesit dhe turistët e huaj të cilët kanë zgjedhur për të kaluar pushimet në vendin tonë.

Gjatë sezonit turistik veror janë në funksion të plotë 36 qendra shëndetësore në të gjithë vendin, nga veriu në jug. Ato garantojnë shërbim mjekësor 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, për të gjithë pushuesit, vendas apo të huaj.

/e.i//r.e/

The post Qendra shëndetësore verore në kalanë e Beratit, Koçiu: 800 vizita mjekësore për banorët dhe vizitorët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Zbulohet rasti i parë njerëzor i “mizës krimb-vidhë të Botës së Re”

25 August 2025 at 18:07

NJU JORK, 25 gusht /ATSH-AA/ – Zbulohet rasti i parë njerëzor i mizës krimb-vidhë të Botës së Re, një mizë parazitare që ha indet e gjalla duke depozituar larva në plagë të hapura, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Andrew Nixon, zëdhënës i Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore të SHBA-së (HHS), bëri një deklaratë për Axios mbi çështjen në fjalë.

“Ky është rasti i parë i mizës krimb-vidhë të Botës së Re me burim udhëtimin në SHBA të identifikuar si me origjinë nga një vend i prekur nga epidemia”, tha Nixon.

Nixon, duke treguar se sëmundja u zbulua te një person që u kthye në Maryland nga El Salvadori, deklaroi gjithashtu se rreziku për shëndetin publik që rrjedh nga ky rast ishte “shumë i ulët”.

Miza krimb-vidhë e Botës së Re është një specie mize parazitare me origjinë nga kontinenti i Amerikë që ha indet e gjalla duke depozituar larva në plagë të hapura.

SHBA-të zhdukën popullatën e mizave krimb-vidhë në vitet 1960 dhe një shpërthim i vogël në bagëti u përmbajt me sukses në Florida në vitin 2017.   /os/

The post SHBA – Zbulohet rasti i parë njerëzor i “mizës krimb-vidhë të Botës së Re” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌