Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 18 July 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËRORI 2026 – FIFA shton një simbol të ri për fituesit e Kupës së Botës

17 July 2026 at 22:52

NJU JORK, 17 korrik /ATSH/ – Për herë të parë në historinë e Kupës së Botës, skuadra që do të fitojë finalen e së dielës mes Spanjës dhe Argjentinës do të shpërblehet jo vetëm me trofeun dhe medaljet e arta, por edhe me unazën e kampionit, sipas Reuters.

FIFA njoftoi se kjo risi synon të krijojë një traditë të re në turneun më prestigjioz të futbollit.

Sipas FIFA-s, 30 unaza të personalizuara do t’i ndahen ekipit fitues.

Menjëherë pas finales, kapiteni dhe trajneri do të marrin versione të përkohshme të unazave, ndërsa modelet përfundimtare do të personalizohen me identitetin e skuadrës kampione dhe do t’u dorëzohen më vonë.

Në njërën anë të unazës do të jetë i gdhendur trofeu i Kupës së Botës, ndërsa ana tjetër do të përmbajë elemente që lidhen me ekipin fitues.

Unazat e lojtarëve do të jenë pjesë e një serie të kufizuar prej 2 026 copësh të numeruara.

Nga kjo seri, 1 996 unazat e mbetura do të dalin në shitje për tifozët në mbarë botën si produkte zyrtare të licencuara nga FIFA.

Unazat e kampionëve janë një traditë e njohur në sportet profesionale të Amerikës së Veriut, si NFL, NBA, Major League Baseball dhe NHL, por deri më tani nuk janë përdorur në asnjë kompeticion të organizuar nga FIFA.

Kjo risi është pjesë e disa ndryshimeve që kanë shoqëruar Kupën e Botës të këtij viti.

Finalja do të përfshijë edhe një spektakël artistik gjatë pushimit mes pjesëve, i ngjashëm me atë të Super Bowl-it, duke sjellë një format më të afërt me sportin amerikan.

Po ashtu, gjatë gjithë turneut janë zbatuar pushime të detyrueshme për hidratim, të cilat FIFA i ka justifikuar me temperaturat e larta dhe lagështinë në Amerikën e Veriut. Megjithatë, kjo praktikë ka ngjallur kritika nga lojtarë, trajnerë dhe tifozë, të cilët argumentojnë se ndërprerjet ndikojnë në ritmin e lojës dhe u japin skuadrave mundësi shtesë për riorganizim taktik./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post BOTËRORI 2026 – FIFA shton një simbol të ri për fituesit e Kupës së Botës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MUZIKË – “Rolling Stones” barazojnë rekordin e “Beatles” në listat britanike

17 July 2026 at 22:33

LONDËR, 17 korrik /ATSH-DPA/ – Grupi legjendar britanik “Rolling Stones” ka barazuar rekordin e “Beatles” për numrin më të madh të albumeve që kanë arritur vendin e parë në klasifikimin zyrtar britanik.

Albumi i tyre i ri, “Foreign Tongues”, është bërë albumi i 15-të i grupit që ngjitet në krye të listës së albumeve në Britaninë e Madhe.

Albumi me 14 këngë vjen pas suksesit të “Hackney Diamonds” të vitit 2023 dhe është vlerësuar gjerësisht nga kritika si një nga projektet më të mira të grupit në vitet e fundit.

Me këtë sukses, Mick Jagger, Keith Richards dhe Ronnie Wood barazojnë një rekord historik të vendosur nga “The Beatles”.

Në vendin e dytë të klasifikimit renditet “My chemical romance” me versionin e ripërpunuar të albumit “Danger days: The true lives of the fabulous Killjoys”, ndërsa Olivia Rodrigo mban vendin e tretë me albumin e saj “You seem pretty sad for a girl so in love”.

Në vendin e katërt renditet përmbledhja “The Essential” e Michael Jackson.

Ndërkohë, grupi irlandez “December 10” i krijuar në vitin 2025 nga Simon Cowell, debutoi në vendin e pestë me albumin “On your side”, duke regjistruar hyrjen më të mirë në klasifikim për një grup djemsh në gjashtë vitet e fundit.

Në klasifikimin e këngëve më të dëgjuara në Britaninë e Madhe Sam Fender dhe Olivia Dean vazhdojnë të kryesojnë me hitin “Rein me in”, që ka qëndruar 17 javë jo radhazi në vendin e parë.

Kënga ka kaluar rekordin e Bryan Adams dhe është vetëm një javë larg barazimit të rekordit historik të Frankie Laine për numrin më të madh të javëve në krye të klasifikimit. /Ad.Ab./  a.jor.

The post MUZIKË – “Rolling Stones” barazojnë rekordin e “Beatles” në listat britanike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

HAPËSIRË – Atmosfera e një planeti të largët rrit shpresat për botë të banueshme

17 July 2026 at 22:02

NJU JORK, 17 korrik /ATSH/ – Astronomët kanë zbuluar për herë të parë prova të forta se një planet shkëmbor në zonën e banueshme të një ylli tjetër ka ruajtur atmosferën e tij për miliarda vjet. Bëhet fjalë për “LHS 1140 b”, një ekzoplanet që ndodhet rreth 48 vite-dritë larg Tokës, sipas “New York Times”.

Zbulimi, i publikuar në revistën shkencore “Science”, konsiderohet një hap i madh në kërkimin për botë që mund të kenë kushte të përshtatshme për jetën.

“LHS 1140 b” rrotullohet rreth një ylli xhuxh të kuq dhe ndodhet në zonën e banueshme, ku temperaturat mund të lejojnë ekzistencën e ujit të lëngshëm. Edhe pse janë zbuluar mijëra ekzoplanetë, deri më tani nuk kishte prova të qarta se një planet shkëmbor në këtë zonë kishte mundur të ruante atmosferën e tij për një kohë kaq të gjatë.

Shkencëtarët arritën të zbulojnë praninë e heliumit që po largohej gradualisht nga shtresat e sipërme të atmosferës së planetit. Vëzhgimet u kryen me spektrografin WINERED në observatorin “Magelan” në Kili, gjatë një kalimi të rrallë të planetit përpara yllit të tij.

Një planet tjetër në të njëjtin sistem nuk tregoi shenja atmosfere, duke e bërë zbulimin për “LHS 1140 b” edhe më bindës.

Sipas autorit kryesor të studimit, Collin Cherubim nga Universiteti i Harvardit, atmosfera është një element thelbësor për të mbështetur jetën siç e njohim.

Ai theksoi se kjo është hera e parë që konfirmohet prania e një atmosfere në një planet shkëmbor brenda zonës së banueshme të një ylli tjetër.

Megjithatë, zbulimi nuk do të thotë se planeti strehon jetë.

Prania e heliumit vetëm konfirmon se ai ka ruajtur atmosferën për miliarda vjet. Tani astronomët synojnë të përcaktojnë përbërjen e plotë të atmosferës dhe të kërkojnë shenja të gazrave të tjerë, si avulli i ujit apo dioksidi i karbonit.

Shkencëtarët e konsiderojnë “LHS 1140 b” një nga objektivat më premtues për studimet e ardhshme mbi ekzoplanetët.

Zbulimi pritet të ndihmojë në identifikimin e botëve të tjera shkëmbore që mund të kenë kushte të ngjashme me Tokën dhe të rrisë shanset për të gjetur, në të ardhmen, një planet potencialisht të banueshëm./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post HAPËSIRË – Atmosfera e një planeti të largët rrit shpresat për botë të banueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 17 July 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

FRANCË – Macron: Mos u besoni sondazheve për zgjedhjet presidenciale

17 July 2026 at 21:23

PARIS, 17 korrik /ATSH-AFP/ – Presidenti francez Emmanuel Macron u bëri sot thirrje qytetarëve dhe analistëve të tregohen të kujdesshëm ndaj sondazheve që parashikojnë një fitore të kandidates së ”Tubimit Kombëtar” (”Rassemblement National”), Marine Le Pen, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman, Friedrich Merz në Bruhl, pranë Këlnit, Macron tha se sondazhet nuk janë gjithmonë një tregues i saktë i rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

“Duhen parë me kujdes sondazhet. Njoh shumë njerëz që në korrik të vitit 2016 konsideroheshin fitues të sigurt, por në maj të vitit 2017 rezultati ishte krejt tjetër”, tha ai, duke iu referuar zgjedhjes së tij si president i Francës.

Presidenti Macron u bëri thirrje francezëve të mos bien pre e parashikimeve pesimiste dhe të besojnë te vendimmarrja demokratike e qytetarëve.

“Besojini popullit francez. Mos parashikoni gjithmonë më të keqen. Lëreni të zgjedhë më të mirën”, deklaroi presidenti francez.

Komentet e Macron vijnë në një kohë kur disa sondazhe të fundit tregojnë se Marine Le Pen dhe forca e saj politike gëzojnë mbështetje të lartë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, megjithëse fushata ende nuk ka nisur zyrtarisht.

Macron nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë radhazi sipas Kushtetutës franceze, ndaj gara e vitit 2027 pritet të jetë një nga më të rëndësishmet në politikën franceze të viteve të fundit. /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post FRANCË – Macron: Mos u besoni sondazheve për zgjedhjet presidenciale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Tymi nga zjarret në Kanada mbulon verilindjen e SHBA-së para finales së Botërorit

17 July 2026 at 20:51

UASHINGTON, 17 korrik /ATSH–AFP/ –  Re të dendura tymi nga zjarret masive pyjore në Kanada kanë përfshirë sërish pjesë të mëdha të Shteteve të Bashkuara, të Amerikës, duke shkaktuar alarm për cilësinë e ajrit vetëm dy ditë para finales së Kupës së Botës, që do të zhvillohet të dielë në Nju Xhersi.

Qytetet Detroit dhe Çikago regjistruan nivele të cilësisë së ajrit në kategorinë “të rrezikshme”, ndërsa Uashingtoni u rendit në nivelin “shumë të pashëndetshëm”.

Në zonën metropolitane të Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, ku do të luhet finalja në një stadium të hapur, cilësia e ajrit u klasifikua si “e pashëndetshme”, me smogun që kufizoi ndjeshëm dukshmërinë.

Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi se mund të shtohet dendësia e tymit sërish gjatë natës dhe në mëngjesin e së shtunës, megjithëse meteorologët presin që kushtet të përmirësohen deri të dielën.

Sipas tyre, pritet të ketë mjegull tymi në atmosferë, por jo në të njëjtin nivel si gjatë ditëve të fundit.

Në shumë qytete të Miduest-it dhe verilindjes së SHBA-së, banorët u panë me maska mbrojtëse në ambiente të hapura, ndërsa biblioteka dhe stacione trenash në Nju Jork shpërndanë maska falas.

Paralajmërimet për cilësinë e ajrit mbetën në fuqi edhe për Çikagon, ku autoritetet thanë se tymi mund të rikthehet gjatë fundjavës.

Shkencëtarët theksojnë se episodet e përsëritura të tymit lidhen me ndryshimet klimatike, të cilat po zgjasin sezonin e zjarreve dhe po krijojnë kushte më të favorshme për përhapjen e tyre.

Temperaturat më të larta dhe thatësira bëjnë që zjarret të digjen për javë të tëra.

Ndërkohë, në Kanada vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit mbi 200 zjarre pyjore, kryesisht në provincën e Ontarios.

Që nga fillimi i vitit janë djegur rreth 2,8 milionë hektarë, pothuajse dyfish më shumë se një javë më parë.

Deri tani nuk janë raportuar viktima në Ontario, por disa komunitete të largëta janë evakuar./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post FOKUS – Tymi nga zjarret në Kanada mbulon verilindjen e SHBA-së para finales së Botërorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – SHBA shkatërron një kullë vëzhgimi në bregdetin iranian

17 July 2026 at 19:50

UASHINGTON, 17 korrik /ATSH-DPA/ -Ushtria amerikane njoftoi sot se ka shkatërruar një kullë vëzhgimi detar në bregdetin jugor të Iranit, e cila, sipas saj, përdorej për mbikëqyrjen e trafikut detar në Gjirin e Omanit.

Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), kulla ishte pjesë e një rrjeti të mbikëqyrjes detare përgjatë bregdetit iranian dhe kontrollohej nga Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC). Po ashtu, edhe mediat iraniane raportuan për një sulm ndaj një kulle vëzhgimi në zonë.

CENTCOM deklaroi se IRGC-ja e kishte përdorur këtë kullë për dekada me radhë për të gjurmuar dhe identifikuar anijet tregtare që kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme për transportin e naftës në botë.

Sipas ushtrisë amerikane, shkatërrimi i kullës dobëson aftësinë e Gardës Revolucionare për të koordinuar sulme ndaj ekuipazheve civile dhe ndihmon në mbrojtjen e lirisë së lundrimit në rajon.

SHBA – ja shtoi se operacioni i zhvilluar dje synon të garantojë kalimin e sigurt të anijeve, me përjashtim të atyre që përpiqen të thyejnë bllokadën detare amerikane ndaj porteve iraniane.

Nga ana tjetër, autoritetet iraniane raportuan se sulmet amerikane gjatë natës shkaktuan viktima dhe dëme në infrastrukturë në disa rajone të jugut të vendit. Deri tani nuk janë bërë publike të dhëna të pavarura që të konfirmojnë në mënyrë të plotë pretendimet e secilës palë.

Ngjarja shënon një tjetër përshkallëzim të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara të Bashkuara dhe Iranit, në një periudhë kur situata e sigurisë në Gji dhe në Ngushticën e Hormuzit mbetet veçanërisht e brishtë./ /Ad.Ab./  a.jor.

The post UASHINGTON – SHBA shkatërron një kullë vëzhgimi në bregdetin iranian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPANJË – Zjarret shkatërrojnë 12 000 ha tokë dhe detyrojnë evakuimin e 1 100 banorëve

17 July 2026 at 19:09

MADRID, 17 korrik /ATSH-DPA/  Zjarri masiv në Aragon të Spanjës ka shkatërruar rreth 12 mijë hektarë tokë, ndërsa mbi 1 100 banorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre.

Flakët shpërthyen të mërkurën në rajonin verilindor të Aragonit dhe, sipas autoriteteve rajonale, ky është zjarri më i madh i këtij viti në Spanjë.

Kryeministri i Aragonit, Jorge Azcon, deklaroi sot se zjarri mbetet ende jashtë kontrollit.

Evakuimet kanë përfshirë pesë fshatra në provincën e Zaragozë, Ore, Asín, Luesia, Malpica de Arba dhe Uncastillo, të cilat ndodhen rreth 100 kilometra në veri të qytetit të Zaragozës.

Gjithashtu, banorët e Petilla de Aragón, në rajonin fqinj të Navarrës, janë larguar si masë paraprake.

Autoritetet thanë se, për momentin, nuk parashikohen evakuime të tjera, por situata mbetet shumë e rrezikshme.

Rreziku i përhapjes së mëtejshme të flakëve vazhdon të jetë jashtëzakonisht i lartë për shkak të erërave të forta dhe të paqëndrueshme, temperaturave të larta dhe lagështisë shumë të ulët, të cilat favorizojnë përhapjen e zjarrit.

Në operacionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar më shumë se 400 efektivë të shërbimeve të emergjencës, të mbështetur nga helikopterë, avionë zjarrfikës dhe Njësia Ushtarake e Emergjencave (UME), e cila po ndihmon në përballimin e situatës. /Ad.Ab./ a.jor.

The post SPANJË – Zjarret shkatërrojnë 12 000 ha tokë dhe detyrojnë evakuimin e 1 100 banorëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINË – Vazhdojnë protestat pas shkarkimit të ministrit të Mbrojtjes

17 July 2026 at 18:28

KIEV, 17 korrik /ATSH-DPA/ – Protestat kundër vendimit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky për shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, vazhduan sot për të tretën ditë radhazi në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Ukrinform, shumë protestues po kërkojnë gjithashtu largimin e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë, Oleksandr Syrsky, i cili konsiderohet pjesë e një brezi më të vjetër të drejtuesve ushtarakë dhe shihet si pengesë për reformat.

Në kuadër të një riorganizimi të gjerë qeveritar, presidenti Zelensky largoi nga kabineti kryeministren Julia Svyrydenko dhe ministrin e Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, i cili kishte mbajtur detyrën vetëm për gjashtë muaj.

Fedorov, 35 vjeç, konsiderohet një reformator që modernizoi sistemin e prokurimeve të ushtrisë dhe u angazhua fuqishëm për dixhitalizimin dhe modernizimin e forcave të armatosura ukrainase.

Megjithatë, ai kishte pranuar publikisht se ishte përfshirë në një konflikt të vazhdueshëm me komandantin Syrsky.

Në fund, Zelensky vendosi të mbështesë Syrskyn dhe synon të emërojë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes Yevchen Khmara, drejtuesin në detyrë të shërbimit të inteligjencës SBU.

Ky është ndryshimi i katërt në postin e ministrit të Mbrojtjes që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në shkurt të vitit 2022.

Ndërkohë, ish-ministri i Brendshëm Ihor Klymenko, i cili ishte përfolur si kandidat për të drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes, do të emërohet sekretar i ri i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Këtë detyrë e mbante deri tani ish-ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov, i cili për një periudhë të gjatë udhëhoqi negociatat me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë për përfundimin e luftës.

Në ndryshimet e tjera qeveritare, Zelensky i ofroi Taras Kachka, ish-zëvendëskryeministër për integrimin evropian, postin e drejtuesit të misionit të Ukrainës pranë Bashkimit Evropian në Bruksel.

Parlamenti ukrainas konfirmoi dje Sergii Koretskyi si kryeministër të ri të vendit.

Ish-drejtuesi i kompanisë shtetërore të energjisë “Naftogaz” mori 289 vota, duke tejkaluar ndjeshëm shumicën e nevojshme prej 226 votash./ /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post UKRAINË – Vazhdojnë protestat pas shkarkimit të ministrit të Mbrojtjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FRANCË – Dy të vdekur nga moti i keq, me breshër sa një top tenisi

17 July 2026 at 16:54

PARIS, 17 korrik /ATSH-DPA/ – Dy persona humbën jetën gjatë stuhive të fuqishme që goditën Francën gjatë natës, ndërsa moti ekstrem shkaktoi dëme të mëdha materiale, ndërprerje të energjisë elektrike dhe probleme serioze në transportin hekurudhor.

Sipas transmetuesit publik ”France Info”, në fshatin Saint-Victurnien, në pjesën qendrore të vendit, një grua humbi jetën pasi u godit nga një pemë e rrëzuar nga erërat e forta.

Ndërkohë, në rajonin juglindor të Isère, një rrufe goditi një punishte metalesh duke shkaktuar zjarr ku humbi jetën pronari i saj.

Autoritetet franceze kishin shpallur nivelin e dytë më të lartë të alarmit për stuhi në 30 departamente, pas një periudhe të zgjatur me temperatura shumë të larta.

Si pasojë e motit të keq, rreth 53 mijë persona mbetën përkohësisht pa energji elektrike, pasi erërat rrëzuan shtylla të rrjetit të transmetimit.

Në rajonin Ardèche, në juglindje të Francës, ranë breshër me përmasa të pazakonta, disa prej tyre sa një top tenisi.

Breshëri dëmtoi qindra automjete, çati banesash dhe vreshta, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme materiale.

Stuhitë ndikuan gjithashtu në transportin hekurudhor.

Qarkullimi i trenave mes Tuluzës dhe Parisit u ndërpre përkohësisht, ndërsa disa trena të shpejtësisë së lartë që udhëtonin gjatë natës u vonuan deri në gjashtë orë. Shkak u bënë pemët e rrëzuara mbi shina, ndërsa në një rast u dëmtua edhe sistemi elektrik i një lokomotive.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, pasi në disa zona moti i paqëndrueshëm pritet të vazhdojë edhe gjatë orëve në vijim. /Ad.Ab./ a.jor.

The post FRANCË – Dy të vdekur nga moti i keq, me breshër sa një top tenisi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayAgjencia Telegrafike Shqiptare

SHBA – Shtëpia e Bardhë: Irani i interesuar për marrëveshje me Uashingtonin

16 July 2026 at 22:56

UASHINGTON, 16 korrik /ATSH-DPA/ – Irani vazhdon të jetë i interesuar për arritjen e një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deklaroi sot zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, gjatë daljes së saj të parë publike pas lindjes së fëmijës së saj të dytë në muajin maj.

Sipas Leavitt, zyrtarët iranianë kanë bërë të ditur se dëshirojnë të vazhdojnë bisedimet me Uashingtonin.

“Irani vazhdon të komunikojë me Shtetet e Bashkuara dhe ka shprehur se dëshiron të arrijë një marrëveshje me ne”, tha ajo.

Ajo argumentoi se Teherani po kërkon dialog sepse, sipas saj, po përballet me “goditje shkatërruese” nga operacionet ushtarake amerikane.

Leavitt shtoi se SHBA-ja ka ndërmarrë sulme ndaj objektivave iraniane ditët e fundit, duke akuzuar udhëheqjen iraniane për shkeljen e memorandumit të mirëkuptimit të arritur muajin e kaluar.

Sipas Uashingtonit, Irani ka sulmuar anije tregtare që kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit, në kundërshtim me marrëveshjen.

Zëdhënësja theksoi se, pavarësisht përshkallëzimit të luftimeve, administrata amerikane beson se kanalet diplomatike mbeten të hapura dhe se Teherani ende kërkon një zgjidhje të negociuar.

Ndërkohë, ushtria amerikane kreu dje një valë të re sulmesh ndaj objektivave në Iran.

Si kundërpërgjigje, Irani goditi objektiva në rajon, ndërsa Kuvajti, Bahrejni dhe Jordania raportuan sulme ose zjarr të ri të ardhur nga territori iranian.

Situata mbetet shumë e tensionuar, megjithëse deklaratat e fundit të Shtëpisë së Bardhë sugjerojnë se të dyja palët nuk e kanë mbyllur ende mundësinë për rikthimin në tryezën e negociatave./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post SHBA – Shtëpia e Bardhë: Irani i interesuar për marrëveshje me Uashingtonin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – SHBA kufizon qëndrimin e studentëve dhe gazetarëve të huaj

16 July 2026 at 22:33

UASHINGTON, 16 korrik /ATSH-AFP/ – Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka miratuar rregulla të reja që vendosin kufizime më të rrepta për kohëzgjatjen e qëndrimit të studentëve dhe gazetarëve të huaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të politikave për shtrëngimin e emigracionit ligjor.

Sipas rregullave të reja, që mund të hyjnë në fuqi që në muajin shtator, studentët e huaj do të lejohen të qëndrojnë në SHBA për kohëzgjatjen e programit të tyre akademik, por jo më shumë se katër vjet.

Ndërkohë, gazetarët e huaj do të kenë të drejtë të qëndrojnë vetëm 240 ditë (rreth tetë muaj), me mundësi zgjatjeje për periudha të tjera prej 240 ditësh.

Për gazetarët kinezë kufiri do të jetë vetëm 90 ditë.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare argumentoi se ndryshimet synojnë të parandalojnë rastet kur studentët zgjasin vazhdimisht studimet për të qëndruar për një kohë të pacaktuar në SHBA.

Sipas autoriteteve, sistemi i deritanishëm, i cili ishte në fuqi që nga fundi i viteve 1970, e bënte më të vështirë monitorimin e mbajtësve të vizave.

Rregullorja e re u finalizua pothuajse pa ndryshime, pavarësisht afro 22 mijë komenteve publike të marra gjatë procesit të konsultimit.

Universitetet dhe organizatat e arsimit të lartë kanë kritikuar vendimin, duke paralajmëruar se ai mund ta bëjë SHBA-në më pak tërheqëse për studentët e talentuar ndërkombëtarë.

Edhe organizatat mediatike dhe disa partnerë ndërkombëtarë kërkuan periudha më të gjata qëndrimi për korrespondentët e huaj, por propozimet e tyre u refuzuan.

Rregullorja pritet të shqyrtohet nga Kongresi amerikan, ku republikanët kanë shumicën. /Ad.Ab./  a.jor.

The post FOKUS – SHBA kufizon qëndrimin e studentëve dhe gazetarëve të huaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – BM 400 trupa shtesë në Estoni për të forcuar mbrojtjen e NATO-s

16 July 2026 at 22:15

LONDËR, 16 korrik /ATSH-DPA/ – Britania e Madhe do të dislokojë 400 ushtarë të tjerë në Estoni duke filluar nga viti i ardhshëm, në kuadër të një marrëveshjeje të re mbrojtjeje me shtetin baltik.

Ky hap synon të forcojë krahun lindor të NATO-s dhe të rrisë aftësinë e aleancës për të penguar çdo agresion të mundshëm rus.

Me këtë vendim, numri i trupave britanike të dislokuara në Estoni do të rritet nga 800 në 1 200 duke filluar nga muaji prill.

Marrëveshja u nënshkrua në Talin nga ministri britanik i Mbrojtjes, Dan Jarvis, dhe homologu i tij estonez, Hanno Pevkur.

Jarvis deklaroi se Britania e Madhe po forcon praninë e saj ushtarake në Estoni për të mbrojtur territorin e NATO-s dhe për të frenuar agresionin rus.

Sipas tij, marrëveshja pasqyron realitetin e luftës moderne dhe tregon përpjekjet për modernizimin e forcave të armatosura.

Në bazë të marrëveshjes, forcat britanike në Estoni do të kalojnë nga një grup i blinduar luftarak në një forcë më të lëvizshme kundër mjeteve të blinduara.

Njësia e re do të pajiset me automjete më të manovrueshme, armë të avancuara dhe dronë modernë të përshtatur për kushtet operative në Estoni.

Për më tepër, Britania e Madhe ka nisur tashmë të vendosë paraprakisht pajisje dhe municione në territorin estonez, gjë që do të mundësojë një reagim shumë më të shpejtë në rast krize.

Ministri estonez i Mbrojtjes, Hanno Pevkur, theksoi se vendosja paraprake e furnizimeve do t’u lejojë trupave britanike të përgjigjen në mënyrë dukshëm më të shpejtë ndaj çdo kërcënimi.

Dy vendet ranë dakord gjithashtu të bashkëpunojnë më ngushtë në zhvillimin dhe përdorimin e teknologjive të reja ushtarake.

Trupat britanike janë të pranishme në Estoni që nga viti 2016 në kuadër të operacionit “Cabrit” pjesë e angazhimit britanik për mbrojtjen kolektive të NATO-s në krahun lindor të aleancës./   /Ad.Ab./  a.jor.

The post LONDËR – BM 400 trupa shtesë në Estoni për të forcuar mbrojtjen e NATO-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Von der Leyen: Pres bashkëpunim të shkëlqyer me kryeministrin e ri të Ukrainës

16 July 2026 at 21:57

BRUKSEL, 16 korrik /ATSH-AFP/ -Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u shpreh sot se pret një “bashkëpunim të shkëlqyer” me kryeministrin e ri të Ukrainës, Sergii Koretsky.

Në një mesazh të publikuar në rrjetin social X, ajo theksoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë ta mbështesë plotësisht Ukrainën në zbatimin e programit të saj ambicioz të reformave, në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE.

“Ju mund të mbështeteni në përkrahjen tonë të plotë ndërsa avanconi me programin tuaj ambicioz të reformave”, shkroi Von der Leyen.

Ajo nuk bëri asnjë koment lidhur me emërimin e ministrit të ri të Mbrojtjes, një vendim që ka ngjallur kritika nga një pjesë e opinionit publik në Ukrainë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky propozoi dje në mbrëmje drejtorin e kompanisë shtetërore të energjisë “Naftogaz”, Sergii Koretskyi, për postin e kryeministrit të ri të vendit.

Kryetari i Parlamentit ukrainas, Ruslan Stefanchuk njoftoi në Facebook se kandidatura e Koretskyi është depozituar në parlament.

Stefanchuk nuk bëri të ditur se kur do të zhvillohet votimi në Verkhovna Rada (Parlamenti i Ukrainës), por ai pritet të mbahet që sot.

Zelensky deklaroi të dielën se po planifikonte një riorganizim të qeverisë, për të forcuar marrëdhëniet e Ukrainës me partnerët kryesorë ndërkombëtarë. /Ad.Ab./  a.jor.

The post BRUKSEL – Von der Leyen: Pres bashkëpunim të shkëlqyer me kryeministrin e ri të Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Fibrat ushqyesi thelbësor që mbron trurin dhe zgjon shëndetin

16 July 2026 at 21:47

LONDËR, 16 korrik /ATSH/ – Fibrat janë një ushqyes thelbësor që mund të përmirësojnë shëndetin, të zgjasin jetëgjatësinë dhe të mbrojnë funksionet e trurit, sipas BBC.

Dietat e pasura me drithëra të plota, fruta, perime, bishtajore, arra dhe fara, të gjithë të pasura me fibra, kanë përfitime të mëdha për trupin dhe trurin.

Megjithatë, shumë njerëz ende nuk konsumojnë sasinë e mjaftueshme të fibrave, me rreth 90-97% të të rriturve që nuk arrijnë sasinë e rekomanduar ditore.

Fibrat janë karbohidrate që nuk tretën lehtësisht nga enzimat e tretjes dhe kalojnë kryesisht të paprekura në zorrë.

Ato japin ndjesinë e ngopjes për më gjatë dhe ndihmojnë në rritjen graduale të nivelit të sheqerit në gjak.

Dietat me fibra lidhen me indeks më të ulët të masës trupore dhe më pak yndyrë në zonën e barkut.

Konsumi i rreth 25-30 gram fibrash në ditë është treguar të ulë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit tip 2 dhe kancerit të zorrës së trashë.

Fibrat kanë ndikim të madh tek mikrobioma e zorrëve.

Ndërsa bakteret e zorrës tretin fibrat, prodhohen acide yndyrore me zinxhir të shkurtër, si butirati, që ofrojnë energji për qelizat dhe ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të zorrëve.

Këto produkte metabolike lidhen me përmirësimin e funksionit njohës dhe ngadalësimin e rënies kognitive tek të moshuarit.

Studime të fundit tregojnë se dieta e pasur me fibra lidhet me rrezik më të ulët të demencës dhe përmirësim të funksionit njohës.

Në një provë të kontrolluar të rastësishme me binjakë, shtesat me fibra prebiotike treguan përmirësim në testet kognitive brenda tre muajve, duke konfirmuar lidhjen shkakësore mes fibrave dhe shëndetit të trurit.

Fibrat gjithashtu ndikojnë pozitivisht në humor, cilësinë e gjumit dhe mirëqenien mendore, duke reduktuar inflamacionin dhe rritjen e baktereve përfitues në zorrë. Tek pacientët me Alzheimer është vërejtur një nivel më i ulët i butiratit dhe baktereve që e prodhojnë atë, duke sugjeruar një lidhje të drejtpërdrejtë mes shëndetit të zorrëve dhe trurit.

Për të rritur konsumin e fibrave, mund të përfshini fruta dhe perime në çdo vakt, të përdorni bishtajore si bizele dhe thjerrëza, të hani arra dhe fara dhe të përdorni shtesa të fibrave për ata që kanë vështirësi në gëlltitje. Dieta e pasur dhe e larmishme me fibra është një nga ndryshimet më të fuqishme që mund të bëni për shëndetin e përgjithshëm dhe për ruajtjen e shëndetit kognitiv./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post FOKUS – Fibrat ushqyesi thelbësor që mbron trurin dhe zgjon shëndetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – SHBA dhe Irani shkëmbejnë sulme të reja

16 July 2026 at 20:57

UASHINGTON/TEHERAN, 16 korrik /ATSH-AFP/ – Shtetet e Bashkuara  të Amerikës dhe Irani shkëmbyen sot sulme të reja ushtarake, duke përshkallëzuar konfliktin në Lindjen e Mesme, pavarësisht thirrjeve të Pakistanit për rikthim në negociata.

Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (CENTCOM) njoftoi se goditi objektiva ushtarake iraniane në disa zona, përfshirë Bandar Abbas dhe ishullin Greater Tunb, me synimin për të dobësuar aftësinë e Iranit për të kërcënuar lundrimin në Ngushticën e Hormuzit.

Nga ana tjetër, Garda Revolucionare iraniane deklaroi se goditi me raketa balistike një bazë ajrore amerikane në Jordani, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikane pranë një spitali për fëmijë në qytetin Ahvaz.

Autoritetet iraniane thanë se spitali u evakua dhe pacientët u transferuan në qendra të tjera mjekësore.

Irani paralajmëroi se do të sulmojë infrastrukturën në të gjithë rajonin nëse presidenti amerikan Donald Trump zbaton kërcënimin për të goditur termocentralet dhe urat iraniane.

Presidenti Trump deklaroi se, nëse Teherani nuk rikthehet në tryezën e bisedimeve, situata “javën e ardhshme do të bëhet shumë e rëndë” për Iranin.

Ndërkohë, Kuvajti njoftoi se rrëzoi dronë iranianë, ndërsa Bahrejni aktivizoi sirenat e alarmit ajror.

Në Irak, forcat kurde thanë se koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja rrëzoi tetë dronë me eksploziv pranë Erbilit.

Ngushtica e Hormuzit mbetet në qendër të tensioneve. Irani e ka mbyllur sërish këtë rrugë strategjike detare, pasi kishte rihapur përkohësisht qarkullimin pas marrëveshjes paraprake të arritur në qershor. Teherani deklaron se bllokada do të vazhdojë derisa SHBA-ja të ndalojë sulmet. /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post FOKUS – SHBA dhe Irani shkëmbejnë sulme të reja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PARIS – Macron paralajmëron një verë të vështirë, pas zjarreve në Francë, Spanjë dhe BM

16 July 2026 at 19:49

PARIS, 16 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron paralajmëroi sot se Francën e pret një verë e vështirë, ndërsa vendi po përballet me zjarret pyjore më të mëdha që nga Lufta e Dytë Botërore.

Paralajmërimi u bë gjatë një vizite te zjarrfikësit që po luftojnë me flakët në pyllin e njohur të Fontainebleaut, në jug të Parisit.

Sipas presidentit Macron, rekordet janë thyer që përpara kulmit të sezonit të zjarreve, duke e bërë situatën veçanërisht shqetësuese.

Autoritetet franceze kanë nisur një hetim ndaj një kompanie dhe dy punonjësve të saj, të cilët dyshohet se shkaktuan zjarrin nga shkëndijat e një sharre elektrike gjatë punimeve në një autostradë.

Gjithashtu, një zjarrfikës vullnetar është arrestuar pasi pranoi se kishte ndezur një zjarr me çakmak dhe benzinë, ndërsa një person tjetër dyshohet se e shkaktoi aksidentalisht zjarrin duke hedhur një bisht cigareje.

Në Spanjë, një zjarr i madh në rajonin e Aragonës ka shkrumbuar rreth 4 500 hektarë pyje, shkurre dhe toka bujqësore.

Flakët pranë fshatit Orés mbeten jashtë kontrollit, disa fshatra janë evakuuar dhe rreth 500 banorë janë prekur nga situata.

Autoritetet vlerësojnë se do të duhen disa ditë për ta vënë zjarrin nën kontroll.

Ndërkohë, në Britaninë e Madhe, një zjarr pyjor në Parkun Kombëtar ”Cairngorms”, në malësitë e Skocisë, detyroi evakuimin e banesave, kampeve dhe objekteve të tjera.

Zjarri përfshiu rreth 3,5 kilometra sipërfaqe me bimësi, por sipas autoriteteve britanike, deri pasditen e sotme zjarri ishte vënë nën kontroll./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post PARIS – Macron paralajmëron një verë të vështirë, pas zjarreve në Francë, Spanjë dhe BM appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOTËRORI 2026 – Pse Spanja arriti në finale?

16 July 2026 at 19:28

ARLINGTON, 16 korrik /ATSH-DPA/ – Spanja do të përballet me Argjentinën në finalen e Kupës së Botës të dielën, me synimin për të fituar titullin e dytë botëror, 16 vjet pas triumfit të parë.

Ja pse kampionët e Evropës kanë arritur deri në finale:

  • Skuadra është ylli i vërtetë

Asnjë spanjoll nuk merr aq shumë vëmendje nga tifozët dhe media sa Lamine Yamal. 19-vjeçari, i cili festoi ditëlindjen një ditë para fitores 2-0 në gjysmëfinale ndaj Francës dhe më pas e shpërbleu veten me udhëtimin e shpresuar për në finalen në New Jersey, është ylli më i madh në ekipin e tij.

Por, ai nuk është aspak aq dominues sa Lionel Messi për Argjentinën, Harry Kane dhe Jude Bellingham për Anglinë, Erling Haaland për Norvegjinë, ose Kylian Mbappé, Michael Olise dhe Ousmane Dembélé për Francën.

“Ne luajtëm kundër njërës prej ekipeve më të mira kombëtare, por atyre iu desh të përballeshin me ekipin më të mirë. Ne jemi një ekip”, tha trajneri Luis de la Fuente pas ndeshjes gjysmëfinale të Spanjës.

Spanja është në finale edhe pse Yamal ka arritur vetëm një gol dhe një asist.

Figura kyçe në rrugën drejt finales përfshinin Mikel Oyarzabal, penalltia e të cilit e shënuar me sukses kundër Francës ishte goli i tij i pestë në këtë Kupë Bote. Megjithatë, sulmuesi i Real Sociedad ndoshta nuk do të hynte në dhjetëshen më të mirë në asnjë listë të sulmuesve më të njohur në botë. As Mikel Merino, superzëvendësuesi që shënoi golat e fitores në minutën e fundit kundër Portugalisë dhe Belgjikës.

“Ne të gjithë punojmë drejt të njëjtit qëllim, jo ​​vetëm atij të një individi. Nuk kam përjetuar kurrë një grup kaq shembullor, si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Në 47 ditë së bashku, nuk patëm asnjë problem të vetëm”, ​​tha De la Fuente.

  • Sulmi fiton ndeshje, mbrojtja fiton tituj

Finalja e Kupës së Botës është ndeshja e tetë e Spanjës në Kupën e Botës në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë, dhe deri më tani ata kanë pësuar vetëm një gol.

Ndërsa barazimi hapës 0–0 kundër Kepit të Gjelbër fillimisht u prit me tallje, bota e ka pranuar prej kohësh se kampionët evropianë po zhvillojnë një turne mbrojtës të jashtëzakonshëm.

Vetëm Belgjika, në çerekfinale, arriti t’i vërë mbrojtësit e Spanjës nën presion në disa raste dhe u bë e vetmja ekip që shënoi kundër tyre. Siç thotë shprehja: sulmi fiton ndeshje, mbrojtja fiton tituj.

Portieri Unai Simón vendosi një rekord në Kupën e Botës me 649 minuta pa pësuar gol, duke tejkaluar lehtësisht rekordin 36-vjeçar të Walter Zengës.

Portieri i Athletic Bilbaos, i cili është përballur shpesh me kritika, iu desh të bënte pritje kundër Francës vetëm në fazat e fundit, sepse lojtarët para tij, të udhëhequr nga Rodri dhe 19-vjeçari Pau Cubarsí, mezi lejonin asnjë shans.

  • Një trajner i pamposhtur

Që nga marrja e drejtimit në janar 2023, Luis de la Fuente ka luajtur 48 ndeshje ndërkombëtare. Ai ka humbur vetëm tre dhe asnjë në ngjarje të mëdha.

Që nga një humbje 2-0 ndaj Skocisë në kualifikueset e Kampionatit Evropian në mars 2023, Spanja ka humbur vetëm finalen e Ligës së Kombeve kundër Portugalisë verën e kaluar – në një gjuajtje penalltish.

Në lojë të hapur, kampionët evropianë kanë mbetur të pamposhtur për më shumë se tre vjet me De la Fuenten në stol.

“Vazhdoj të jem i mahnitur nga ajo që është i aftë të bëjë ky ekip. Ne vazhdojmë të përmirësohemi, nga një ndeshje në tjetrën, nga një garë në tjetrën,” tha de la Fuente. “Nuk është vetëm fat; është përkushtim, talent, sakrificë dhe dëshira për t’u bërë një version edhe më i mirë i vetes.”

De la Fuente është përgjegjës për nxitjen e këtij mentaliteti. Ai ka punuar për Federatën Spanjolle të Futbollit për 13 vjet dhe më parë ka trajnuar shumë nga lojtarët aktualë të ekipit kombëtar në nivelin e të rinjve. Ai nguliti vlerat e tij tek ata që kur ishin ende adoleshentë.

Me Rodrin dhe Merinon, për shembull, ai fitoi Kampionatin Evropian U-19 në vitin 2015. Katër vjet më vonë, Oyarzabal dhe Dani Olmo ishin në formacionin titullar kur ekipi i Spanjës U-21 fitoi titullin evropian./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post BOTËRORI 2026 – Pse Spanja arriti në finale? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFJE – Bullgaria dërgon kontingjentin e ri ushtarak në misionin e NATO-s në Kosovë

16 July 2026 at 17:44

SOFJE, 16 korrik /ATSH-BTA/ – Bullgaria dërgoi sot një kontingjent të ri prej 97 ushtarakësh në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR).

Ceremonia e përcjelljes u zhvillua në qytetin Stara Zagora.

Kontingjenti përbëhet kryesisht nga pjesëtarë të Brigadës së Dytë të Mekanizuar “Tundzha”, si dhe personel nga Komanda e Forcave të Përbashkëta, Policia Ushtarake, njësitë e komunikimit dhe Akademia Mjekësore Ushtarake.

Ushtarakët do të vendosen në kampin “Villaggio Italia”, ku deri në fund të vitit 2026 do të kryejnë patrullime, misione vëzhgimi dhe operacione për mbështetjen e sigurisë në zonën e përgjegjësisë së Komandës Rajonale Perëndim.

Në emër të Ministrisë bullgare të Mbrojtjes, Vladko Vladov vlerësoi kontributin e vazhdueshëm të Bullgarisë në NATO dhe në ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Komandanti i Forcave Tokësore të Bullgarisë, gjeneralmajor Deyan Deshkov, theksoi se ushtarakët bullgarë kanë shërbyer në KFOR për 26 vjet, duke fituar reputacion për profesionalizëm dhe disiplinë. Ai u kujtoi pjesëtarëve të kontingjentit se misioni i tyre është të mbështesin paqen dhe stabilitetin, jo të imponojnë autoritet.

Gjatë ceremonisë, autoritetet lokale u dhuruan ushtarakëve flamurin e qytetit të Stara Zagorës dhe ikonën e Shën Gjergjit, ndërsa përfaqësues të kishës ortodokse u dhanë bekimin për një mision të sigurt dhe të suksesshëm. /Ad.Ab./ a.jor.

The post SOFJE – Bullgaria dërgon kontingjentin e ri ushtarak në misionin e NATO-s në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPANJË – Flakët përfshijnë mijëra hektarë pranë Zaragozës

16 July 2026 at 17:06

MADRID, 16 korrik /ATSH-AFP/ – Një zjarr i madh pranë qytetit të Zaragozës, në verilindje të Spanjës, ka djegur tashmë rreth 4 500 hektarë dhe do të duhen ditë për ta vënë nën kontroll, paralajmëruan autoritetet e rajonit të Aragonës.

Sipas Roberto Bermudez de Castro, përfaqësues i qeverisë rajonale të Aragonës, bëhet fjalë për një zjarr shumë kompleks, ndërsa stabilizimi i situatës dhe sigurimi i gjithë perimetrit do të kërkojë kohë. Për arsye sigurie janë evakuuar disa fshatra dhe janë mbyllur disa rrugë.

Deri tani nuk raportohet për viktima.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez tha se po ndjek nga afër zhvillimet dhe u bëri thirrje banorëve të tregojnë kujdes dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve.

Vetëm pak ditë më parë, më 9 korrik, Spanja përjetoi një nga zjarret më vdekjeprurëse të viteve të fundit, ku humbën jetën 13 persona dhe u dogjën rreth 7 000 hektarë pyje në Andaluzi.

Vitet e fundit vendi është goditur nga valë të gjata të të nxehtit, me temperatura që shpesh kalojnë 40 gradë duke krijuar kushte ideale për përhapjen e zjarreve.

Sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret Pyjore (EFFIS), gjatë vitit 2025 flakët shkrumbuan mbi 393 000 hektarë në Spanjë, niveli më i lartë i regjistruar në historinë e afërt të vendit./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post SPANJË – Flakët përfshijnë mijëra hektarë pranë Zaragozës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOTËRORI 2026 – Finalja me pushimin më të gjatë për spektaklin pas pjesës së parë

16 July 2026 at 07:37

DYSELDORF, 16 korrik /ATSH-DPA/ – Pushimi mes pjesëve gjatë finales së Kupës së Botës të dielën do të zgjasë më shumë se 15 minutat e zakonshme, për shkak të organizimit të spektaklit të parë në histori gjatë pjesës së parë, njoftojnë mediat.

Sipas njoftimeve, FIFA ka bërë të ditur se shfaqja në “MetLife Stadium” në Nju Xhersi do të zgjasë rreth 11 minuta, ndërsa pushimi mes pjesëve pritet të tejkalojë kufirin standard prej 15 minutash.

Mes artistëve të shpallur disa javë më parë janë Madonna, Shakira, Justin Bieber, Coldplay dhe grupi koreano-jugor BTS.

Rregullat e Bordit Ndërkombëtar të Shoqatës së Futbollit (IFAB) parashikojnë që lojtarët kanë të drejtë për një pushim mes pjesëve që nuk duhet të kalojë 15 minuta.

Çdo zgjatje e këtij pushimi mund të bëhet vetëm me miratimin e arbitrit.

Michael Gietzen, drejtor ekzekutiv i kompanisë globale të eventeve “Identity”, tha  se vendimi i FIFA-s është i drejtë.

Sipas tij, finalja e Kupës së Botës nuk është një ndeshje e zakonshme, por një ngjarje që zhvillohet vetëm një herë në katër vjet dhe ndiqet nga audienca më e madhe e çdo eventi sportiv në botë.

Ai theksoi se një spektakël i mirë në pushimin mes pjesëve nuk e zbeh futbollin, por bëhet pjesë e kujtimeve të tifozëve, ndërsa disa minuta shtesë nuk janë kompromis, por një mënyrë për të vlerësuar rëndësinë kulturore të finales, krahas asaj sportive.

Përpara finales do të zhvillohet edhe ceremonia përmbyllëse me performanca nga Laura Pausini, Nicole Scherzinger dhe Robbie Williams, si edhe nga ylli i YouTube IShowSpeed.

Në ceremoni do të shfaqet edhe aktori Tom Cruise. FIFA ka bërë të ditur se spektakli në stadiumin  “MetLife” do të rikujtojë rrugëtimin e Kupës së Botës me 48 skuadra, e cila nisi më 11 qershor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post BOTËRORI 2026 – Finalja me pushimin më të gjatë për spektaklin pas pjesës së parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌