Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 1 August 2025Main stream

Rama: 237 mijë fëmijë përfituan bonusin e bebes që prej vitit 2019

TIRANË, 1 gusht/ATSH/- Prej mëse 6 vitesh, nëpërmjet programit të bonusit të bebes janë  mbështetur financiarisht mijëra të porsalindurit dhe familjet e tyre pavarësisht statusit social apo ekonomik të tyre.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se më shumë se 237 mijë fëmijë kanë përfituar bonusin e bebes prej fillimit të programit të qeverisë në janar 2019.

Rama shprehet në një postim në rrjetet sociale se familjet e reja janë mbështetur me 40,000 lekë për fëmijën e parë, 80,000 për fëmijën e dytë dhe 120,000 lekë për fëmijën e tretë

Në buxhetin e vitit 2025, për Programin e Bonusit të Bebes është akorduar një fond prej 2.2 miliardë lekësh, duke mbështetur familjet që në hapat e parë të saj.

Programi i qeverisë do vijojë të mbështesë financiarisht familjet të cilat jetojnë dhe kontribuojnë në Shqipëri.

The post Rama: 237 mijë fëmijë përfituan bonusin e bebes që prej vitit 2019 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vendimi i Kushtetueses për Zonat e Mbrojtura, Zhupa: Do t’i drejtohemi Strasburgut

TIRANË, 1 gusht/ATSH/- Deputetja e PD-së, Ina Zhupa ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila la në fuqi ligjin për zonat e mbrojtura, duke rrëzuar kërkesën e opozitës për shpalljen e tij antikushtetues.

Zhupa, e cila ka qenë nismëtarja e ankimimit shprehet në një postim në rrjetet sociale se “dredhitë e Gjykatës Kushtetuese për të larë duart nga shkatërrimi që pret zonat e mbrojtura në Shqipëri nuk na ndalojnë”.

Ajo bën të ditur se do t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut për të gjetur të drejtën e mohuar nga drejtësia shqiptare.

“Ndarja 4 me 4, ku 4 gjyqtarët pranojnë që ka shkelje kushtetuese dhe 4 gjyqtarë mendojnë se nuk ka, çon në rrëzimin e kërkesën dhe pse nuk ndajnë dot nëse është apo jo antikushtetues. Kjo barazi është përdor dhe në raste të tjera si dredhi për të vendosur pa vendosur, për të ruajtur status quo e qeverisë duke bërë sehir. Kjo praktikë dënohet nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ku në çështjen Marini kundër Shqipërisë, 2007 shprehet se “ del në përfundimin se parashikimi për ndarjen e votave në mënyrë të barabartë nuk i shërben sigurisë juridike dhe mund të privojë ankuesin nga e drejta efektive për një vendim përfundimtar për kërkesën e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese”. Nuk mund të fshihen pas ligjit, ku s’ka asnjë arsye juridike dhe morale se përse katërshja që mendon se nuk ka shkelje duhet të prevaloj mbi katërshen që argumenton se ka shkelje?!”, shprehet Zhupa.

Deputetja e PD-së shton se “është fatkeqësi për vendin që lënë në fuqi një ligj antikushtetues dhe dështim për Gjykatën Kushtetuese. Turpi i ngelet gjykatës, ne rrëzohemi pa u rrëzuar me dredhi që nuk respektojnë as standardet europiane”.

“Pavarësisht kësaj dua të falenderoj edhe organizatat mjedisore për pjesëmarrje në çdo pjesë të procesit dhe që kanë pajisur me materiale gjykatën mbi standardet europiane të mbrojtura dhe nga konventat që bën pjesë Shqipëria. Gjithashtu falenderoj për punën e tyre dy avokatët e nderuar Marash Logu dhe Franci Nuri. Zonat e mbrojtura do mbrohen, sepse i mbron kushtetuta dhe se ja kemi detyrim brezave të ardhshëm për ti lënë një Shqipëri më të mirë se sot dhe jo të betonizuar dhe të shkatërruar nga babëzia e klientëve të pushtetit”, përfundon reagimin e saj deputetja Zhupa.

The post Vendimi i Kushtetueses për Zonat e Mbrojtura, Zhupa: Do t’i drejtohemi Strasburgut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 31 July 2025Main stream

Balluku: Sot afati i fundit për subjektet për të liruar sipërfaqet pranë akseve kombëtare

TIRANË, 31 korrik/ATSH/- Sot është afati përfundimtar për të gjitha subjektet tregtare të vendosura pranë akseve kombëtare që të zhvendosen vetë nga hapësira që kanë zaptuar dhe që është kthyer në rrezik për sigurinë rrugore.

Pas këtij afati parashikohen ndëshkime për të gjitha subjektet të cilat kanë refuzuar zbatimin e këtij vendimi për largimin vullnetarisht të çdo lloj materiali që ndodhet më pak se 20 m nga aksi i rrugës.

Zv.kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku thekson se siguria rrugore është prioritet. “Subjektet tregtare të lirojnë sipërfaqet pranë akseve kombëtare të cilat janë kthyer në rrezik për sigurinë rrugore”, apelon ajo.

Sipas saj, kjo është një reformë e thellë përsa i përket ligjshmërisë në territorin e Republikës së Shqipërisë. “Është shtrirë kudo duke nisur nga tendat që ndodhen Brenda zonave të banuara të qyteteve apo nga parkingjet që janë bërë në zonën që i përket gjithë banorëve të një pallati dhe duke shkuar deri në pjesët e akseve kombëtare të shtrira nga veriu në jug”, deklaron zv.kryeministrja duke shtuar se e gjithë kjo reformë do të shkojë deri në përfundim të saj duke liruar çdo centimetër hapësirë.

Ajo shton se Qeveria shqiptare është më e angazhuar se kurrë.

“Të gjitha trupat tanë janë në terren. Ne kërkojmë bashkëpunimin e qytetarëve pasi shumë indicie vijnë nga mesazhet e tyre të cilat në shumicën e rasteve rezultojnë që janë të sakta dhe të drejta. Kështu që , ju nxisim që të vazhdoni dhe të denonconi çdo rast shkelje të hapësirave publike apo edhe të sigurisë rrugore”, nënvizon zv.kryeministrja Balluku.

The post Balluku: Sot afati i fundit për subjektet për të liruar sipërfaqet pranë akseve kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Botërore e Rojave Mjedisore, Rama: Natyra bëhet edhe më e bukur kur pjesë e përkujdesjes për të janë gratë

TIRANË, 31 korrik/ATSH/- Në Ditën Botërore të Rojave Mjedisore vlerësohet përkushtimi dhe angazhimi i të gjithë rojeve mjedisore, pjesë e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, të cilët çdo ditë ia dedikojnë natyrës dhe mbrojtjes së saj.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale mesazhet e Genta Blini, rojë mjedisore në Parkun Kombëtar Alpet e Shqipërisë si dhe Irma Sterkaj, rojë mjedisore në rezervatin natyror të menaxhuar “Liqeni i Shkodrës”.

“Mesazhet kuptimplota të Gentës dhe Irmës nga zonat tona të mbrojtura, si simbol se natyra bëhet edhe më e bukur kur pjesë e përkujdesjes për të janë gratë, pa dyshim me kontributin e secilit prej nesh për ta ruajtur këtë pasuri të përbashkët”, shprehet Rama.

Genta Blini një zë i natyrës ne zemër të Thethit shprehet se të jesh rojë mjedisore “është një përgjegjësi e madhe një privilegj i rrallë”.

“Gjatë punës time të përditshme informoj turistët për shtigjet dhe monumentet natyrore. E veçanta e kësaj është që ata më tregojnë për eksperiencat e tyre nga këto shtigje dhe nga majat e Ballkanit. Ku natyra flet ne dëgjojmë dhe si roja të saj veprojmë për ta mbrojtur”, shprehet Genta si dhe i fton të gjitha vajzat dhe gratë të bëhen pjesë e stafit të Zonave të Mbrojtura.

Irma Sterkaj shprehet se kjo është një punë që e bën me shumë përkushtim duke kujtuar se “gjatë monitorimit të zonës shpesh kthehem në kujtimet e fëmijërisë ku vinim xhiro me biçikleta dhe prisnim perëndimin e diellit”.

Ajo uron të gjithë koleget e saj për këtë punë fisnike në mbrojtje dhe promovimit të pasurive natyrore të vendit tonë.

/r.e/

The post Dita Botërore e Rojave Mjedisore, Rama: Natyra bëhet edhe më e bukur kur pjesë e përkujdesjes për të janë gratë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ZRRE thirrje bizneseve në Kosovë: Gjeni furnizues ose nga sot do t’iu ndërpritet energjia elektrike

PRISHTINË, 31 korrik/ATSH/- Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) rithekson se procesi i hapjes së tregut të energjisë elektrike është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, në mënyrë transparente dhe të paanshme, duke respektuar të gjitha standardet procedurale dhe materiale.

ZRRE ka deklaruar se nga dita e sotme pasojnë ndërprerjet pasi furnizimi i garantuar përmes FMF nuk do të jetë më i vlefshëm ligjërisht.

Sipas një njoftimi të ZRRE-së, ligjshmëria e këtij procesi po konfirmohet çdo ditë nga gjykatat kompetente, përmes aktvendimeve që mbështesin veprimet e ZRRE-së, duke vërtetuar se të gjithë hapat janë ndërmarrë në përputhje me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës.

“Të gjithë konsumatorët komercialë që i kanë përmbushur kriteret për kalim në tregun e hapur, janë të obliguar të furnizohen nga një furnizues i licencuar”, thuhet në deklaratë duke shtuar se furnizimi i përkohshëm përmes Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF) ka përfunduar më 30 korrik 2025, dhe periudha tranzitore e garantuar për furnizim prej 60 ditësh është e përcaktuar në ligj dhe nuk mund të zgjatet me vendime administrative.

Po ashtu, ZRRE u bën thirrje të gjithë  konsumatorëve komercialë që duhet të jenë në treg të lirë dhe që ende nuk kanë lidhur kontratë komerciale të furnizimit, të veprojnë pa vonesë dhe të zgjedhin një nga furnizuesit e licencuar, të publikuar në faqen zyrtare të institucionit, sepse nga data e nesërme pasojnë ndërprerjet pasi furnizimi i garantuar përmes FMF nuk do të jetë më i vlefshëm ligjërisht.

“ZRRE mbetet e përkushtuar për të garantuar një treg te energjisë elektrike të drejtë, funksional dhe konkurrues, në shërbim të konsumatorëve dhe në përputhje me legjislacionin vendor dhe standardet evropiane”, thuhet në fund të njoftimit.

Një ditë më parë bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës kanë paralajmëruar veprime të ashpra nëse ZRRE nuk tërhiqet nga vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë.

Bizneset vendore kanë shprehur shqetësim të thellë për çështjen e liberalizimit të tregut energjetik, i cili sipas tyre rrezikon rëndë stabilitetin e tyre financiar dhe vetë ekzistencën e shumë kompanive në vend, transmeton KosovaPress.

The post ZRRE thirrje bizneseve në Kosovë: Gjeni furnizues ose nga sot do t’iu ndërpritet energjia elektrike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kanadaja u bashkohet Francës dhe Britanisë për njohje të shtetit palestinez

KANADA, 31 korrik/ATSH/-Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, ka thënë se shteti që udhëheq do ta njohë shtetin palestinez në shtator, duke u bërë vendi i tretë i grupit të shtatë shteteve më të industrializuara (G7) që bën një njoftim të tillë në ditët e fundit.

Carney ka thënë se marrja e këtij vendimi do të varet nga reformat që do të kryhen, përfshirë zotimin e Autoritetit Palestinez që t’i mbajë zgjedhjet e reja vitin e ardhshëm, pa pjesëmarrje të Hamasit.

Hamasi është grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera.

Deklaratat e tij vijnë një ditë pasi Mbretëria e Bashkuar ka thënë se do ta njohë shtetin palestinez në shtator, përveç nëse Izraeli pajtohet për armëpushim dhe kushte tjera.

Një javë më parë, edhe Franca e ka prezantuar një plan të ngjashëm.

Ministria e Jashtme e Izraelit e ka kundërshtuar njoftimin e Kanadasë, duke e quajtur “shpërblim për Hamasin”.

Prej 193 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, shtetin palestinez e njohin zyrtarisht 147 sosh.

Carney ka thënë se Kanadaja do ta njohë zyrtarisht shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ai e ka përmendur zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor, përkeqësimin e situatës së sigurisë në Gazë, dhe sulmin e 7 tetorit të vitit 2023 të Hamasit kundër Izraelit, si arsye pas ndryshimit dramatik të politikës së jashtme të Kanadasë.

“Niveli i vuajtjeve njerëzore në Gazë është i patolerueshëm dhe është duke u përkeqësuar me shpejtësi”, ka thënë Carney para gazetarëve.

Ai ka thënë se njohja e shtetësisë palestineze do të bëhet bashkë me përkushtimet e palës tjetër që të reformohet dhe të çmilitarizojë territorin.

Carney ka thënë në konferencë për media se ka biseduar me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, lidhur me vendimin e marrë.

Autoriteti palestinez kontrollon pjesë të Bregut Perëndimor përmes partisë Fatah, të udhëhequr nga Abbasi, derisa Gazën e ka udhëhequr Hamasi.

Asnjëri prej këtyre territoreve nuk ka mbajtur zgjedhje prej vitit 2006.

Izraeli e ka nisur fushatën ushtarake në Gazë në përgjigje të sulmit të kryer nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, si pasojë e të cilit janë vrarë 1.200 njerëz dhe janë marrë peng rreth 240 të tjerë.

Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, mbi 59.000 palestinezë janë vrarë në Gazë prej atëherë.

Pjesa më e madhe e Gazës tani është shndërruar në gërmadhë.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë Palestinezë (UNRWA) ka thënë se një në pesë fëmijë në qytetin e Gazës tani është i kequshqyer dhe që numri i rasteve po rritet çdo ditë.

Mbi 100 organizata ndërkombëtare të ndihmës dhe grupe për të drejta të njeriut kanë paralajmëruar për uri masive në Rripin e Gazës, duke iu bërë presion qeverive në botë që të veprojnë.

Izraeli, i cili kontrollon hyrjen e të gjitha furnizimeve në Gazë, përsërit se nuk ka rrethim dhe e fajëson Hamasin për çdo rast të kequshqyerjes. /REL/

The post Kanadaja u bashkohet Francës dhe Britanisë për njohje të shtetit palestinez appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Lirohen plazhet publike në Velipojë, Rama: Sezon turistik sa më i sigurt në çdo cep të bregdetit

TIRANË, 29 korrik/ATSH/- Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë Bashkiake Shkodër ka vijuar aksionin për lirimin e hapësirave publike për pushuesit në plazhin e Velipojës.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga aksioni i ndërmarrë nga efektivët e policisë në vijën bregdetare të Velipojës pasi u konstatua një tjetër rast i zënies së hapësirës publike.

Policia ka ndërhyrë duke liruar hapësirën në dispozicion për pushuesit dhe ka sekuestruar shezlongët e vendosur pa lejen e miratuar nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit.

Rama thekson se në Velipojë “është përditë e lartë gatishmëria për të garantuar hapësirat publike e një sezon turistik sa më të sigurt e të rregullt në çdo cep të bregdetit tonë”.

The post Lirohen plazhet publike në Velipojë, Rama: Sezon turistik sa më i sigurt në çdo cep të bregdetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasada amerikane: Liderët e Kosovës të gjejnë zgjidhje kushtetuese në javët e ardhshme

PRISHTINË, 29 korrik/ATSH/- Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka deklaruar se udhëheqësit politikë duhet t’i shfrytëzojnë javët në vijim për të gjetur një zgjidhje që siguron udhëheqje të qëndrueshme dhe në përputhje me Kushtetutën.

Në një përgjigje për Klankosova.tv, një zëdhënës Ambasadës shtoi se, përveç tjerash, ngërçi politik që ka përfshirë vendin po vonon progresin drejt aspiratave të Kosovës dhe po rrezikon integritetin e institucioneve të saj.

“Ky bllokim i vazhdueshëm po vonon progresin në aspiratat e ardhshme të Kosovës dhe po rrezikon integritetin e institucioneve për të cilat populli i Kosovës luftoi aq fortë për t’i krijuar. Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve politikë t’i marrin seriozisht përgjegjësitë e tyre dhe të punojnë së bashku për të arritur një marrëveshje për konstituim të Kuvendit, që nënkupton zgjedhjen e një kryetari dhe zëvendëskryetarëve. Ata duhet t’i përdorin javët e ardhshme për të gjetur një rrugë përpara që siguron një udhëheqje të qëndrueshme në përputhje me Kushtetutën. Udhëheqësit politikë nuk duhet të mbështeten te Gjykata Kushtetuese për ta rregulluar një bllokim politik që vetëm ata mund ta zgjidhin. Populli i Kosovës pret nga udhëheqësit e tyre ta përmbushin angazhimin e tyre për të punuar në interesin më të mirë të vendit”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës për Klankosova.tv.

Ndërkohë, as pas 55 seancave nuk është arritur formimi i legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.

Pas përfundimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh, Gjykata Kushtetuese ka ndaluar çdo veprim të deputetëve, për shkak të moszgjedhjes së kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit./Klankosova.tv

The post Ambasada amerikane: Liderët e Kosovës të gjejnë zgjidhje kushtetuese në javët e ardhshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapen aplikimet online në UAlbania për përzgjedhjen e 10 programeve në universitete

TIRANË, 29 korrik/ATSH/- Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu deklaron se sot hapen aplikimet online në UAlbania për përzgjedhjen e programeve të studimit në universitete.

Manastirliu sqaron se “sistemi do të jetë i hapur deri më 3 gusht, për t’iu dhënë mundësi të gjithë maturantëve për përzgjedhjen deri në 10 programe studimi në universitetet shqiptare”.

Ministrja ka publikuar në rrjetet sociale edhe linkun përkatës https://ualbania.al/ ku të gjithë maturantët mund të aplikojnë për të përzgjedhur programet e studimit.

Portali UALBANIA është vitrina kryesore e Universiteteve për të prezantuar ofertën e tyre akademike.

Që nga viti 2016, UALBANIA numëron 38 universitete publike dhe private, dhe informacione të detajuara për 561 programe studimi të ciklit të parë të studimeve në Shqipëri.

Portali UALBANIA është ura lidhëse mes maturantëve dhe botës akademike. Nëpërmjet portalit, maturantët njihen me kriteret, programet, aplikimin universitar dhe regjistrimin në programin ku janë shpallur fitues.

The post Hapen aplikimet online në UAlbania për përzgjedhjen e 10 programeve në universitete appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kamberi: Çështja e shqiptarëve të Luginës të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi

PRISHTINË, 29 korrik/ATSH/- Deputeti shqiptar, Shaip Kamberi ka dorëzuar në procedurë parlamentare rezolutën e cila ka për qëllim që Kuvendi i Serbisë të njohë dhe pranojë pozitën diskriminuese me kërkesën për shprehjen e përkushtimit institucional për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në përputhje me obligimet ndërkombëtare dhe obligimet që sjell procesi i integrimit në BE dhe legjislacionin e brendshëm.

Kamberi ka theksuar se përpjekjet e deritanishme nuk kanë dhënë rezultatet e premtuara, andaj propozohet që çështja e pozitës së shqiptarëve në Luginë të përfshihet në dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Miratimi i kësaj rezolute do të shërbente si shenjë e vullnetit politik për të adresuar sfidat e kahershme dhe për të siguruar barazi për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike – që është parakusht për zhvillim demokratik dhe përparim drejt integrimit evropian”, thekson Kamberi në një postim në facebook.

Deputeti Kamberi kujton se nevoja për këtë rezolutë lind nga një gjendje e gjatë e mospërfilljes së kërkesave dhe të drejtave të shqiptarëve në këtë rajon, gjë që ka sjellë pasoja të rënda në jetën shoqërore dhe politike të komunitetit.

Ndër problemet më të theksuara në rezolutë janë praktika e pasivizimit të adresave arbitrar, mosnjohja e diplomave të Kosovës, mungesa e përfaqësimit të drejtë e proporcional në institucionet shtetërore, pengesat në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare dhe mos zhvillimi ekonomik i rajonit.

Përmes kësaj rezolute, bëhet thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara më 2001, 2009 dhe 2013, ndërprerja e praktikave administrative të pasivizimit arbitrar që çojnë në humbjen e të drejtave qytetare, zbatimi i plotë i dispozitave ligjore që garantojnë të drejtat gjuhësore dhe arsimore, përfaqësimi institucional e proporcional të shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe publike, organet shtetërore të nisin procedura të dënimit të të gjithë atyre që ndaj shqiptarëve përdorin gjuhën e urrejtjes dhe krijimi i fondeve zhvillimore me mbështetje shtetërore dhe ndërkombëtare.

Me rezolutë kërkohet krijimi i një trupi parlamentar, me pjesëmarrjen e OSBE-së, sektorit civil dhe përfaqësuesve shqiptarë që do të ketë detyrë të hulumtojë gjitha rastet e pasivizimeve, kësaj mase që po ndryshon strukturën etnike të këtyre komunave./KosovaPress/

The post Kamberi: Çështja e shqiptarëve të Luginës të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Sipërmarrja më e madhe gjermane SchwarzGroup, interes për të investuar në Shqipëri

TIRANË, 16 korrik/ATSH/- Sipërmarrja më e madhe gjermane, SchwarzGroup ka shprehur interesin për të investuar në disa fusha në Shqipëri.

Kjo u theksua gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në këtë sipërmarrje i cili shoqërohej edhe nga ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, Delina Ibrahimaj, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj.

Rama ka publikuar në rrjetet sociale fotoalbumin e vizitës brenda kompanisë gjermane duke e cilësuar një ditë mbresëlënëse.

“Në brendësinë e sipërmarrjes më të madhe gjermane, SchwarzGroup, ku na u prezantua aktiviteti shumëplanësh i këtij grupi me 600 mijë punonjës si edhe interesi për të investuar në disa fusha në Shqipëri që sipas vetë mikpritësve tanë po kthehet në kyç rajonal”, nënvizoi Kreu i Ekzekutivit.

Kryeministri Rama ishte i ftuar i nderit nga qeveria e Bavarisë, për të mbajtur fjalën e rastit në ceremoninë e hapjes së “Herrenchiemsee Festspiele”, ku çdo vit një i ftuar adreson temën e Europës.

The post Rama: Sipërmarrja më e madhe gjermane SchwarzGroup, interes për të investuar në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sot pritet vendimi për mocionin e mbrojtjes së Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

PRISHTINË, 16 korrik/ATSH/- Në Gjykatën Speciale në Hagë sot pritet të bëhet publik vendimi lidhur me mocionin e ekipeve mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së për të rrëzuar pjesë të caktuara të aktakuzës për krime të pretenduara të luftës.

Dymbëdhjetë qershori ka qenë afati i fundit kur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi kanë mundur të dorëzojnë mocionin për rrëzimin e akuzave. Ndërkaq, Zyra e Prokurorit të Specializuar pati kohë të përgjigjet deri më 7 korrik.

Vendimi për mocionin pritet ta përcaktojë edhe rrjedhën e vazhdimit të këtij procesi gjyqësor.

Mbrojtja e ish-eprorëve të UÇK-së e ka konsideruar rastin e prokurorisë të dobët si dhe ka deklaruar se presin rezultat pozitiv në fund të këtij procesi gjyqësor.

Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon Thaçin dhe të tjerët me akuza për krime të pretenduara të luftës. Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Specialja është kritikuar në vazhdimësi për redaktime të shumta dhe mbyllje për publikun.

Edhe Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj ka shprehur shqetësime rreth punës së Gjykatës Speciale. Qelaj ka ngritur dyshimet e tij nëse në Speciale po respektohen parimet e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm./KosovaPres/

The post Sot pritet vendimi për mocionin e mbrojtjes së Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së në Hagë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

30 vjet mp3: Si formati audio nga Erlangeni pushtoi botën

BERLIN, 16 korrik/ATSH/- Tridhjetë vjet më parë, një metodë komprimimi audio revolucionarizoi botën e muzikës. Instituti Fraunhofer në Erlangen e quajti këtë format të ri mp3. Një shpikje që ende formëson jetën tonë teknologjike sot.

Bernhard Grill nuk është i lehtë për t’u gjetur këto ditë. Drejtori i Institutit Fraunhofer për Qarqet e Integruara (IIS) në Erlangen është vazhdimisht në lëvizje nga një konferencë shtypi në tjetrën. 30 vjet mp3: shumë media duan të flasin me një nga bashkëthemeluesit e asaj kohe.

Grill ishte një nga ata zhvilluesi që për vite me radhë në Erlangen kishin punuar për të zvogëluar madhësinë e skedarëve muzikorë praktikisht pa humbje të cilësisë. Në vitin 1995, ata më në fund ia dolën mbanë. Metoda e re e kompresimit audio ishte gati për treg dhe u quajt mp3.

Sipas Grillit, epoka e kompjuterëve ishte ende në fazat e saj të hershme. Emri i shpikjes së re bazohej në zgjatjet e skedarëve. Pra, kishte tre shkronja në dispozicion. Në një votim të brendshëm, mp3 u zgjodh në mënyrë demokratike.

Më pak është më shumë: parimi i reduktimit

Formati i ri audio revolucionarizoi botën e muzikës. Në fund të fundit, me matematikë të aplikuar dhe një sasi të madhe njohurish për veshin e njeriut, përmbledh Grill. Procesi mp3 thjesht heq pjesët e tepërta të muzikës pa e perceptuar nga veshi i njeriut. Për më tepër, eliminohen pikërisht tingujt dhe zhurmat që nuk i dëgjojmë domosdoshmërisht.

Ruhet vetëm ajo që është e rëndësishme për veshin e njeriut. Në këtë mënyrë, një skedar muzikor mund të reduktohet në rreth një të dhjetën e madhësisë së tij origjinale, pa ndryshuar ndjeshëm sinjalin aktual.

Konvertimi i CD-ve bëhet sport popullor

MP3 ndryshon zakonet e konsumit të muzikës në të gjithë botën. Disqet vinil, kasetat dhe CD-të lihen në plan të dytë. Në internet shfaqen platforma të reja, fillimisht të paligjshme, për shpërndarje. Konvertimi i CD-ve të tëra në skedarë mp3 bëhet një sport popullor.

Në fillim, lexuesit e projektuar posaçërisht për këtë format mund të ruanin vetëm disa këngë. Megjithatë, kapaciteti i ruajtjes u rrit me shpejtësi, kështu që në një lexues MP3 së shpejti mund të ruheshin qindra këngë . “Ndoshta nuk e kuptuam menjëherë se po ndryshonim botën, por sigurisht që e kishim atë ambicie,” vëren Grill me një buzëqeshje. Përqendrimi në internet ishte padyshim vendimi i duhur në atë kohë.

The post 30 vjet mp3: Si formati audio nga Erlangeni pushtoi botën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga Liqeni i Zi në Radomirë: Freskia malore sfidon vapën e korrikut

TIRANË, 9 korrik/ATSH/- Liqeni i Zi në Radomirë është një prej perlave natyrore të Dibrës, i vendosur në zemër të Alpeve shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot në rrjetet sociale pamje nga ky liqen, një destinacion për të gjithë në këto ditë të nxehta korriku.

“Freskia e Liqenit të Zi në Radomirë, në zemër të Alpeve të Dibrës, ku ajri i pastër dhe qetësia malore sfidojnë vapën e korrikut”, shprehet kryeministri.

Liqeni i Zi ndodhet në një lartësi mbi 1500 metra mbi nivelin e detit dhe është kthyer në një nga destinacionet më të kërkuara për ecje malore dhe turizëm natyror në veriun e Shqipërisë falë natyrës së paprekur dhe peizazheve të rralla.

The post Rama ndan pamje nga Liqeni i Zi në Radomirë: Freskia malore sfidon vapën e korrikut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Malaj dhe Murati: Dogana Morinë-Vërmicë, një nga shembujt më të suksesshëm të bashkëpunimit

TIRANË, 4 korrik/ATSH/- Ministri i Financave, Petrit Malaj zhvilloi një takim me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës, Hekuran Murati.

Ky takim u zhvillua në kuadër të një vizite të përbashkët inspektimi që dy ministrat patën në degën doganore Morinë-Vermicë, një nga pikat më të rëndësishme doganore mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Ministri Malaj vlerësoi se ndër vite bashkëpunimi mes dy vendeve tona ka qenë i qëndrueshëm dhe gjithnjë në rritje, ndërsa rezultate konkrete dhe të prekshme janë shënuar në shumë sektorë.

Falë këtij bashkëpunimi, tha Malaj, rezultate konkrete janë shënuar edhe sa i përket doganave, çka ka sjellë lehtësim të tregtisë mes dy vendeve, standardizim të procedurave mes tyre dhe si rrjedhojë më shumë zhvillim ekonomik.

“Shembulli më i mirë i bashkëpunimit është On Stop Shop, i cili ka lehtësuar procesimin e udhëtarëve dhe të mallrave. Gjithashtu, edhe procedurat e përbashkëta të tranzitit apo deklaratat e thjeshtuara kanë ulur ndjeshëm kohën e zhdoganimit duke përmirësuar klimën e të bërit biznes nga të dy krahët”, u shpreh ministri Malaj.

Nga ana e tij, ministri Hekuran Murati theksoi se lehtësitë sa i përket procedurave dhe ulja e kostove janë ndjerë nga ana e bizneseve dhe tregtarëve, çka ka ndikuar në rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve tona. Murati tha se Shqipëria është ndër partnerët kryesorë tregtarë për Republikën e Kosovës dhe ky bashkëpunim pritet të thellohet edhe më shumë.

“Shqipëria është ndër partnerët kryesorë tregtarë të Republikës së Kosovës dhe qarkullimi i njerëzve veçse ka qenë në nivele të larta, por tani gjithnjë e më tepër ka integrim, ka ndërthurje, ka bashkëpunim më të madh dhe të njerëzve, që besoj se edhe rruga e infrastruktura e ka lehtësuar. Besoj kjo do të thellohet, sidomos edhe me planin që kemi për ndërtimin e hekurudhës së përbashkët Prishtinë-Durrës”, deklaroi ministri Murati.

Gjatë vizitës, Ministrat Malaj dhe Murati shoqëroheshin nga drejtuesit respektivë të doganave të dy vendeve, Gent Gazheli dhe Agron Llugaliu.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Shqipërisë vlerësoi se procedurat e përshpejtuara dhe pika unikale One Stop Shop në Morinë kanë ndikuar në rritjen e volumit tregtar mes dy vendeve dhe të fluksit të pasagjerëve.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Kosovës vlerësoi se falë lehtësimit të procedurave është arritur që të ulen kostot financiare dhe kohët e pritjes, në një kohë që vëmendja duhet të kushtohet drejt zgjerimit të kapaciteteve të procesimit dhe dixhitalizimit.

The post Malaj dhe Murati: Dogana Morinë-Vërmicë, një nga shembujt më të suksesshëm të bashkëpunimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga 45 vatra zjarri të raportuara, vetëm 2 aktive

TIRANË, 28 qershor/ATSH/- Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, prej orës 09.00 deri në orën 22:00, datë 28.06.2025, janë raportuar 47 vatra zjarri. 

Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se nga këto janë shuar 45 vatra zjarri dhe janë aktive 2 vatra zjarri.

Pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave në:

Fshatin Tenë, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë.

Lagjen “Donika Kastrioti, njësia administrative Berat, bashkia Berat.

Fshatin Lazarat, njësia administrative Lazarat, bashkia Gjirokastër

Fshatin Ishull-Lezhë, njësia administrative Shëngjin, bashkia Lezhë.

Fshatin Velmish, njësia administrative Strum, bashkia Roskovec.

Fshatin Tapi, njësia administrative Perondi, bashkia Kuçovë.

Fshatin Petresh, njësia administrative Bradashesh, bashkia Elbasan.

Fshatin Marinëz, njësia administrative Kuman, bashkia Roskovec.

Qytetin Shëngjin, njësia administrative Shëngjin, bashkia Lezhë.

Fshatin Fushë-Gjorm, njësia administrative Mamurras, bashkia Kurbin.

Lagjen Griz, njësia administrative Patos, bashkia Patos.

Lagjen “ish-pazari gjësë së gjallë, bashkia Roskovec.

Fshatin Tale 2 njësia administrative Shënkoll, bashkia Lezhë.

Lagjen 2, njësia administrative Rrogozhinë, bashkia Rrogozhinë.

Fshatin Sukth, njësia administrative Sukth, bashkia Durrës.

Vendin e quajtur “Kodër-Mëzes”, njësia administrative Kashar, bashkia Tiranë.

Fshatin Vreshtas, njësia administrative Cakran, bashkia Fier

Fshatin Zall-Herr, njësia administrative Zall-Herr, bashkia Tiranë.

Fshatin Rreth Tapi, njësia administrative Perondi, bashkia Kuçovë.

Fshatin Memaliaj Fshat, njësia administrative Memaliaj fshat, bashkia Memaliaj.

Fshatin Shtoj i Vjetër, njësia administrative Rrethina, bashkia Shkodër.

Vendin e quajtur “Vilat e Partisë”, qyteti Korçë, bashkia Korçë.

Fshatin Gjadër, njësia administrative Dajç, bashkia Lezhë.

Rrugën  “Qemal Ndesini”, njësia administrative 11, bashkia Tiranë.

Afërsi të ndërtesës së Kontrollit të Shërbimit të Automjeteve në bashkinë Vlorë.

Fshatin Arapaj, njësia administrative Rrashbull, bashkia Durrës.

Fshatin Labinot Fushë, njësia administrative Labinot, bashkia Elbasan.

Fshatin Belinë, njësia administrative Zharrës, bashkia Patos.

Fshatin Pocestë, njësia administrative Libonik, bashkia Maliq.

Fshatin Harizaj, njësia administrative Lekaj, bashkia Rrogozhinë(1)

Fshatin Rranza, njësia administrative Bushat, bashkia Vau Dejës.

Fshatin Gosë, njësia administrative Gosë bashkia Rrogozhinë.

Fshatin Brataj, njësia administrative Brataj, bashkia Selenicë.

Fshatin Tufinë, njësia administrative Dajt, bashkia Tiranë.

Fshatrat Vajkan dhe Verri, njësia administrative Mbrostar Ura, bashkia Fier.

Fshatin Hamallaj, njësia administrative Sukth, bashkia Durrës

Fshatin Kallmet, njësia administrative Kallmet, bashkia Lezhë

Fshatin Vanaj, njësia administrative Libofshë, bashkia Fier

Fshatin Harizaj, njësia administrative Lekaj, bashkia Rrogozhinë(2).

Fshatin Vilë-Ballaj, njësia administrative Gosë, bashkia Rrogozhinë.

Fshatin Resulaj, bashkia Selenicë

Fshatin Këcukje, njësia administrative Ndroq, bashkia Tiranë.

Fshatin Mbjeshovë, njësia administrative Sinjë, bashkia Berat.

Fshatin Kodër Bujaras, njësia administrative Gjergjan bashkia Elbasan.

Fshatin Goraj, njësia administrative Perondi, bashkia Kuçovë.

Aktualisht është aktive vatrat në fshatin Fushë-Gjorm, njësia administrative Mamurras, bashkia Kurbin dhe në vendngjarje po punojnë forcat zjarrfikëse dhe ato bashkiake.

Gjithashtu është aktive vatra e zjarrit në kryqëzimi i Dajçit, njësia administrative Dajç, bashkia Lezhë.  Zjarri zhvillohet në një sipërfaqe bujqësore ndërsa tymi i krijuar vështirëson qarkullimin e mjeteve në rrugën nacionale Lezhë-Shkodër.Në vendngjarje po punojnë forcat zjarrfikëse.

 

The post Nga 45 vatra zjarri të raportuara, vetëm 2 aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama reagon ndaj deklaratës së Farage-n për emigrantët shqiptarë në Britani: Të sfidoj për shifrat reale

TIRANË, 28 qershor/ATSH/- Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot lidhur me deklaratën e deputetit britanik, Nigel Farage i cili është shprehur se shqiptarët në Britaninë e Madhe janë aktorë kryesorë në kriminalitet dhe se :1 në 50 shqiptarë në territorin anglez, janë në burg”.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama e quajti këtë pretendim “i pavërtetë dhe absurd”, duke e sfiduar publikisht Farage për një përballje me fakte.

Reagimi i plotë i Kryeministrit Rama në platformen ‘X’:

Upsss… vetë z.Nigel Farage më sfidoi për faktet!

Çfarë nderi — për një “burrë gjigand”, siç më përshkroi ai (duke pasur parasysh, natyrisht, që vij nga një “vend i vogël”) — të tërheq vëmendjen e mjeshtrit të padiskutueshëm të politikës me tituj në Britani.

Ai tha — dhe po e citoj:
‘’Të them diçka, z. Rama: e di që një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg? Prandaj trego pak vullnet të mirë dhe merrini të gjithë mbrapsht nesër, sepse kjo është hipokrizi.”

Epo, z. Farage — më lejoni t’ju përgjigjem me diçka që s’është aq e zakonshme në stilin tuaj: shifra reale.

Pretendimi juaj se “një në 50 shqiptarë në Britani është në burg”Nuk është fakt. Është absurd. Një klasik i manualit post-Brexit: ‘’Nëse tingëllon frikshëm, atëherë duhet të jetë e vërtetë.’’

Por kur shikohen të dhënat reale — është një befasi! Edhe nëse do të supozonim se çdo shqiptar që ndodhet në burg është realisht fajtor (ndonëse shumë janë aty për shkak të një sistemi vizash të padrejtë dhe të vjetëruar), shkalla e kriminalitetit mes shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar nuk do të ishte më e lartë se ajo e popullsisë britanike— madje ka shumë gjasa të jetë më e ulët.

Dhe meqë të dy duket se e vlerësojmë “vullnetin e mirë” dhe nuk e durojmë “hipokrizinë”, kam një propozim të thjeshtë për ju:

T’i sjellim të dyja palët faktet në tavolinë. Nëse pretendimi juaj “1 në 50” del i saktë — angazhohem publikisht t’i marr të gjithë mbrapsht. Jo për show, por zotohem publikishit.

Por nëse del që shifra juaj është thjesht karburant për tabloide, atëherë s’ka nevojë për ndjesë. S’ka nevojë për drama. Madje në vënd të kësaj do të merni një ftesë për të ardhur në Shqipëri — si i ftuar nderi.

Do të merrni diell të vërtetë, mikpritje të vërtetë, dhe fakte edhe më të vërteta — për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dhe gjithçka që do t’ju kërkoj në këmbim është një zotim i vogël, i thjeshtë: që herën tjetër kur dikush të përgojojë shqiptarët, të jeni ju i pari që t’i thoni, të ndalet.

Si thoni atëherë? Një verifikim faktesh për një deportim total — ose për një palë pushime, në mesin e njerëzve më të ngrohtë që do të njihni ndonjëherë.

Hajde, Nigel. Edhe nëse humb në kontrollin e fakteve, fiton një komb të tërë miqsh për gjithë jetën.

Pres me padurim përgjigjen tuaj.

https://x.com/ediramaal/status/1938739319168024656?s=48&t=0bOqiSwhVUnwV6dbw2g7jA

https://www.gbnews.com/politics/nigel-farage-albania-brexit-pm-dig-britain

 

The post Rama reagon ndaj deklaratës së Farage-n për emigrantët shqiptarë në Britani: Të sfidoj për shifrat reale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Armëpushimi midis Izraelit dhe Iranit ka hyrë në fuqi

UASHINGTON, 24 qershor/ATSH-AA/ Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se një armëpushim midis Iranit dhe Izraelit ka hyrë në fuqi, duke i nxitur palët ta pranojnë atë.

“Armëpushimi tani është në fuqi. Ju lutem mos e shkelni!”, tha Trump në platformën e tij të mediave sociale Truth Social.

Trump njoftoi se Izraeli dhe Irani kishin rënë dakord për një armëpushim “të plotë dhe total” mes konfliktit në rritje në Lindjen e Mesme.

Irani nisi një breshëri raketash në Bazën Ajrore Al Udeid të ushtrisë amerikane në Katar të hënën, duke shënuar një përshkallëzim dramatik të tensioneve pas shënjestrimit të SHBA-së ndaj tre lokacioneve bërthamore iraniane të dielën.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se forcat amerikane, së bashku me Katarin, “u mbrojtën me sukses” kundër sulmit, duke konfirmuar se nuk pati viktima midis personelit amerikan ose të Katarit.

Tensioni rajonal u përshkallëzua ndjeshëm të dielën pasi SHBA-ja bombardoi objektet bërthamore të Iranit, Fordo, Natanz dhe Isfahan.

Sulmet amerikane ishin përshkallëzimi më i fundit në një sulm ushtarak izraelit të mbështetur nga SHBA-ja ndaj Iranit që nga 13 qershori, duke e shtyrë Teheranin të nisë sulme hakmarrëse ndaj Izraelit.

Autoritetet izraelite thanë se të paktën 25 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur që atëherë në sulmet me raketa iraniane.

The post SHBA – Trump: Armëpushimi midis Izraelit dhe Iranit ka hyrë në fuqi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ministeriali i Evropës Juglindore sot në Tiranë, agjenda e eventit dhe rrugët që bllokohen

TIRANË, 16 qershor/ATSH/- Ministeriali i Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), do të mbahet ditën e sotme në kryeqytetin tonë, e hënë, 16 qershor 2025.

Ministria e Evropës dhe e Punëve të Jashtme, përmes një njoftimi nga dita e djeshme, bën me dije se si është planifikuar paraprakisht agjenda e SEECP.

Eventi nis në orën 11:30 me fjalën e hapjes nga ministri për Evropën dhe Punëve të Jashtme, Igli Hasani.

Nga ora 11:40 deri më 13:00, do të mbahet turneu i tavolinës sipas radhës së folësve. Tema e diskutimit do të jetë “Rritja e Konkurrueshmërisë së Rajonit dhe Rritjes Gjithëpërfshirëse si Rrugë drejt Integrimit në BE për Pjesëmarrësit Aspirantë të SEECP-së”.

Më pas, nga ora 13:00 deri më 13:10, parashikohet të mbahet deklarata e këtij samiti.

Për rreth 20 minuta, deri në orën 13:30, do bëhet dorëzimi i kryesisë së SEECP-së. Pas gjithë këtyre, do të mbahet dhe një foto familjare mes liderve prezentë.

Kryetarët e shteteve dhe delegacionet e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) do të priten nga Presidenti Bajram Begaj.

“Nxitja e Stabilitetit dhe Prosperitetit përmes Bashkëpunimit Rajonal dhe Integrimit në BE” është tema e këtij sesioni plenar që do të hapet nga Presidenti Begaj në cilësinë e Kryetarit në detyrë të Samitit të SEECP.

Presidenti Begaj në mbyllje të samitit do t’i kalojë homologut të tij bullgar, Presidentit Radev Kryesinë e radhës të SEECP-së.

Veç mikpritjes së samitit, Presidenti Begaj pritet të zhvillojë takime të veçanta me homologë e liderë pjesëmarrës të procesit të SEECP-së për të thelluar më tej bashkëpunimin e Shqipërisë me këto vende.

Policia e Tiranës ka njoftuar për bllokime dhe kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore, përkatësisht në itineraret e ardhjes dhe largimit të delegacioneve.

Në rrugën e ardhjes, kufizimet do të prekin akset nga Aeroporti i Rinasit, përmes Mbikalimit të Kasharit, Autostradës “Durrës–Tiranë”, Unazës së Re, Rrethrrotullimit të Saukut, Rrugës së Elbasanit, deri në Rrugën “George W. Bush”, Rrugën “Urani Pano” dhe Rrugën “Dervish Hima”.

Ndërsa rruga e largimit të delegacioneve do të shtrihet nga Rruga “George W. Bush”, Rruga e Elbasanit, Rrethrrotullimi i Saukut, Unaza e Re, Sheshi “Shqiponja”, Autostrada “Tiranë–Durrës”, Mbikalimi i Kasharit dhe përfundon në Aeroportin e Rinasit.

Gjithashtu, gjatë zhvillimit të aktivitetit më 16 qershor, do të ketë ndalim të përkohshëm të qarkullimit, parkimit të automjeteve dhe lëvizjes së këmbësorëve në rrugën “Ludovik Shllaku” dhe Rrugën e Dibrës.

Orari i kufizimeve do të përcaktohet në varësi të mbërritjes së delegacioneve në aeroportin e Rinasit.

SEECP përbëhet nga 13 vende pjesëmarrëse, të cilat janë edhe anëtare të Bordit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), si: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Kosova dhe Turqia.

Procesi i Bashkëpunimit në Evropën Juglindore është një forum i rëndësishëm politik që synon dialogun dhe bashkëpunimin në Evropën Juglindore, i cili përmbyll një vit të suksesshëm të Presidencës Shqiptare nën moton “Formësojmë të ardhmen tonë evropiane”.

Tirana mori Kryesimin e SEECP-së për periudhën Korrik 2024 – Qershor 2025, pas Kryesimit të mbajtur më parë nga Shkupi, dhe do t’i pasohet në vijim Sofjes.

Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore u iniciua në vitin 1996 gjatë takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse në Sofje, ndërsa Samiti i parë i SEECP-së u zhvillua në Kretë në vitin 1997.

The post Ministeriali i Evropës Juglindore sot në Tiranë, agjenda e eventit dhe rrugët që bllokohen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama publikon pamje nga maja e Vajushës, një nga perlat e Alpeve Shqiptare

TIRANË, 16 qershor/ATSH/- Maja e Vajushës në Lëpushë të Malësisë së Madhe, është një nga perlat natyrore të Alpeve Shqiptare, me një lartësi prej rreth 2,100 metrash mbi nivelin e detit.

Vitet e fundit, Maja e Vajushës është kthyer në një destinacion për turistë të huaj ashtu edhe vendas që janë të apasionuar pas natyrës dhe aktiviteteve sportive malore.

Shtegu drejt majës është i shënuar dhe ofron mundësi për pushime të shkurtra, me burime uji dhe pamje mahnitëse gjatë gjithë rrugës.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga Maja e Vajushës, një destinacion i shkëlqyer për ata që kërkojnë të eksplorojnë bukuritë natyrore të Shqipërisë, të shijojnë ajrin e pastër dhe të përjetojnë një eksperiencë të paharrueshme në Alpet Shqiptare.

Për të arritur në majë, vizitorët duhet të ecin për rreth 2 orë e gjysmë përmes maleve, duke kaluar përmes pyjeve të dendura dhe hapësirave të gjelbra, duke shijuar ajrin e pastër dhe burimet e shumta të ujit të ftohtë.

Për ata që janë të interesuar në aktivitete më sfiduese, Maja e Vajushës është gjithashtu pjesë e garës “Bear Trail”, një ngjarje e njohur e trail running në Shqipëri.

Kjo garë 10 km përfshin një ngritje prej 640 metrash dhe është pjesë e “N’Altitude Festival”, një ngjarje që promovon turizmin aktiv dhe natyrën e paprekur të zonës.

The post Rama publikon pamje nga maja e Vajushës, një nga perlat e Alpeve Shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌