Interesim i madh për t’u bërë polic, trajnimi në akademi pritet të kthehet në 6 muaj
Për 350 vende në Policinë e Kosovës kanë aplikuar afro 6900 qytetarë në konkursin e fundit, i cili u mbyll së fundmi. Sipas njohësve të kësaj fushe, kjo po bëhet më shumë për të hyrë në punë të shtetit shkaku i stabilitetit më të madh, ndërkaq trajnimi i tyre do të zgjatet në 6 muaj, siç kishte qenë më herët.
Shumë shpejt pritet që Kosovës t’i shtohen edhe 350 policë të rinj.
Kjo pasi që sapo është mbyllur konkursi i hapur nga Policia e Kosovës.
Megjithatë, për këto pozita do të zhvillohet një garë e ashpër, meqenëse numri i aplikimeve është goxha i madh
“Në konkursin për zyrtarë policorë, që ka qenë i hapur nga data 17 qershor deri më 7 korrik, kanë aplikuar gjithsej 6818 veta, prej tyre 5569 meshkuj dhe 1249 femra.”
Por, si shpjegohet një interesim kaq i madh për një numër të kufizuar të të pranuarve?
“Qytetarët e Kosovës e kanë një përshtypje që domosdo duhet të jenë të punësuar në një punë të shtetit, e cila është një qasje e gabuar e djemve dhe vajzave të reja, sepse një punë e shtetit nuk sjell edhe një punë të sigurt, një punë e shtetit nuk të sjell të ardhura të mjaftueshme dhe të sigurta për të jetuar”, tha Visar Rrecaj, ish-zyrtar i Policisë së Kosovës
E pas rastit të fundit në Lipjan, ku një qytetar ndërroi jetë, e dyshimet janë që kanë kaluar kompetencat e tyre zyrtarët policorë, si pasojë e mos profesionalizmit të tyre dhe mos përgatitjes së tyre të mjaftueshme në Akademinë e Policisë, e cila momentalisht zgjatë afro 3 muaj, nga 6 sa ka qenë, sipas Rrecajt, ka qenë një gabim.
“Trajnimet kryhen, por koha gjatë së cilës ata i kryejnë këto trajnime, nuk mjafton që këto trajnime të kthehen në shprehi, sepse trajnimet fizike e psikike duhet të përsëriten shumë gjatë, deri të kthehen në shprehi”, tha Visar Rrecaj, ish-zyrtar i Policisë së Kosovës
Televizioni Dukagjini ka pyetur Policinë nëse trajnimi në Akademinë Policore do të kthehet në 6 muaj prej gjeneratës së re e tutje, nga 3 muaj sa është aktualisht, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.
Megjithatë, prej burimeve të saj televizioni mëson se një gjë e tillë do të ndodhë.
Pritshmëri të tilla ka edhe ish-nënkoloneli Refki Morina.
“Trajnimi që ka qenë 3 muaj, shumë shpejt do të kthehet në 6 muaj. Në bazë të informacioneve që kemi, do të kenë trajnime të mjaftueshme si për armë dhe të tjerat, dhe duhet t’i kushtohet rëndësi shumë edhe trajnimeve që do të kryhen pas Akademisë, sidomos në punën e tyre fushore 19-javore”, tha Refki Morina, Ish-nënkolonel në Policinë e Kosovës .
Ani pse zyrtarisht nuk është thënë, si arsye për shkurtimin e trajnimit është përmendur në opinionin publik nevoja që policët e rinj të dalin në terren meqë, sipas diskutimeve, ka pasur mungesë të tyre./RTV Dukagjini/
The post Interesim i madh për t’u bërë polic, trajnimi në akademi pritet të kthehet në 6 muaj appeared first on Telegrafi.