Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Rama ndan pamje nga Liqeni i Zi në Radomirë: Freskia malore sfidon vapën e korrikut

TIRANË, 9 korrik/ATSH/- Liqeni i Zi në Radomirë është një prej perlave natyrore të Dibrës, i vendosur në zemër të Alpeve shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot në rrjetet sociale pamje nga ky liqen, një destinacion për të gjithë në këto ditë të nxehta korriku.

“Freskia e Liqenit të Zi në Radomirë, në zemër të Alpeve të Dibrës, ku ajri i pastër dhe qetësia malore sfidojnë vapën e korrikut”, shprehet kryeministri.

Liqeni i Zi ndodhet në një lartësi mbi 1500 metra mbi nivelin e detit dhe është kthyer në një nga destinacionet më të kërkuara për ecje malore dhe turizëm natyror në veriun e Shqipërisë falë natyrës së paprekur dhe peizazheve të rralla.

The post Rama ndan pamje nga Liqeni i Zi në Radomirë: Freskia malore sfidon vapën e korrikut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Malaj dhe Murati: Dogana Morinë-Vërmicë, një nga shembujt më të suksesshëm të bashkëpunimit

TIRANË, 4 korrik/ATSH/- Ministri i Financave, Petrit Malaj zhvilloi një takim me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës, Hekuran Murati.

Ky takim u zhvillua në kuadër të një vizite të përbashkët inspektimi që dy ministrat patën në degën doganore Morinë-Vermicë, një nga pikat më të rëndësishme doganore mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Ministri Malaj vlerësoi se ndër vite bashkëpunimi mes dy vendeve tona ka qenë i qëndrueshëm dhe gjithnjë në rritje, ndërsa rezultate konkrete dhe të prekshme janë shënuar në shumë sektorë.

Falë këtij bashkëpunimi, tha Malaj, rezultate konkrete janë shënuar edhe sa i përket doganave, çka ka sjellë lehtësim të tregtisë mes dy vendeve, standardizim të procedurave mes tyre dhe si rrjedhojë më shumë zhvillim ekonomik.

“Shembulli më i mirë i bashkëpunimit është On Stop Shop, i cili ka lehtësuar procesimin e udhëtarëve dhe të mallrave. Gjithashtu, edhe procedurat e përbashkëta të tranzitit apo deklaratat e thjeshtuara kanë ulur ndjeshëm kohën e zhdoganimit duke përmirësuar klimën e të bërit biznes nga të dy krahët”, u shpreh ministri Malaj.

Nga ana e tij, ministri Hekuran Murati theksoi se lehtësitë sa i përket procedurave dhe ulja e kostove janë ndjerë nga ana e bizneseve dhe tregtarëve, çka ka ndikuar në rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve tona. Murati tha se Shqipëria është ndër partnerët kryesorë tregtarë për Republikën e Kosovës dhe ky bashkëpunim pritet të thellohet edhe më shumë.

“Shqipëria është ndër partnerët kryesorë tregtarë të Republikës së Kosovës dhe qarkullimi i njerëzve veçse ka qenë në nivele të larta, por tani gjithnjë e më tepër ka integrim, ka ndërthurje, ka bashkëpunim më të madh dhe të njerëzve, që besoj se edhe rruga e infrastruktura e ka lehtësuar. Besoj kjo do të thellohet, sidomos edhe me planin që kemi për ndërtimin e hekurudhës së përbashkët Prishtinë-Durrës”, deklaroi ministri Murati.

Gjatë vizitës, Ministrat Malaj dhe Murati shoqëroheshin nga drejtuesit respektivë të doganave të dy vendeve, Gent Gazheli dhe Agron Llugaliu.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Shqipërisë vlerësoi se procedurat e përshpejtuara dhe pika unikale One Stop Shop në Morinë kanë ndikuar në rritjen e volumit tregtar mes dy vendeve dhe të fluksit të pasagjerëve.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Kosovës vlerësoi se falë lehtësimit të procedurave është arritur që të ulen kostot financiare dhe kohët e pritjes, në një kohë që vëmendja duhet të kushtohet drejt zgjerimit të kapaciteteve të procesimit dhe dixhitalizimit.

The post Malaj dhe Murati: Dogana Morinë-Vërmicë, një nga shembujt më të suksesshëm të bashkëpunimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga 45 vatra zjarri të raportuara, vetëm 2 aktive

TIRANË, 28 qershor/ATSH/- Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, prej orës 09.00 deri në orën 22:00, datë 28.06.2025, janë raportuar 47 vatra zjarri. 

Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se nga këto janë shuar 45 vatra zjarri dhe janë aktive 2 vatra zjarri.

Pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave në:

Fshatin Tenë, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë.

Lagjen “Donika Kastrioti, njësia administrative Berat, bashkia Berat.

Fshatin Lazarat, njësia administrative Lazarat, bashkia Gjirokastër

Fshatin Ishull-Lezhë, njësia administrative Shëngjin, bashkia Lezhë.

Fshatin Velmish, njësia administrative Strum, bashkia Roskovec.

Fshatin Tapi, njësia administrative Perondi, bashkia Kuçovë.

Fshatin Petresh, njësia administrative Bradashesh, bashkia Elbasan.

Fshatin Marinëz, njësia administrative Kuman, bashkia Roskovec.

Qytetin Shëngjin, njësia administrative Shëngjin, bashkia Lezhë.

Fshatin Fushë-Gjorm, njësia administrative Mamurras, bashkia Kurbin.

Lagjen Griz, njësia administrative Patos, bashkia Patos.

Lagjen “ish-pazari gjësë së gjallë, bashkia Roskovec.

Fshatin Tale 2 njësia administrative Shënkoll, bashkia Lezhë.

Lagjen 2, njësia administrative Rrogozhinë, bashkia Rrogozhinë.

Fshatin Sukth, njësia administrative Sukth, bashkia Durrës.

Vendin e quajtur “Kodër-Mëzes”, njësia administrative Kashar, bashkia Tiranë.

Fshatin Vreshtas, njësia administrative Cakran, bashkia Fier

Fshatin Zall-Herr, njësia administrative Zall-Herr, bashkia Tiranë.

Fshatin Rreth Tapi, njësia administrative Perondi, bashkia Kuçovë.

Fshatin Memaliaj Fshat, njësia administrative Memaliaj fshat, bashkia Memaliaj.

Fshatin Shtoj i Vjetër, njësia administrative Rrethina, bashkia Shkodër.

Vendin e quajtur “Vilat e Partisë”, qyteti Korçë, bashkia Korçë.

Fshatin Gjadër, njësia administrative Dajç, bashkia Lezhë.

Rrugën  “Qemal Ndesini”, njësia administrative 11, bashkia Tiranë.

Afërsi të ndërtesës së Kontrollit të Shërbimit të Automjeteve në bashkinë Vlorë.

Fshatin Arapaj, njësia administrative Rrashbull, bashkia Durrës.

Fshatin Labinot Fushë, njësia administrative Labinot, bashkia Elbasan.

Fshatin Belinë, njësia administrative Zharrës, bashkia Patos.

Fshatin Pocestë, njësia administrative Libonik, bashkia Maliq.

Fshatin Harizaj, njësia administrative Lekaj, bashkia Rrogozhinë(1)

Fshatin Rranza, njësia administrative Bushat, bashkia Vau Dejës.

Fshatin Gosë, njësia administrative Gosë bashkia Rrogozhinë.

Fshatin Brataj, njësia administrative Brataj, bashkia Selenicë.

Fshatin Tufinë, njësia administrative Dajt, bashkia Tiranë.

Fshatrat Vajkan dhe Verri, njësia administrative Mbrostar Ura, bashkia Fier.

Fshatin Hamallaj, njësia administrative Sukth, bashkia Durrës

Fshatin Kallmet, njësia administrative Kallmet, bashkia Lezhë

Fshatin Vanaj, njësia administrative Libofshë, bashkia Fier

Fshatin Harizaj, njësia administrative Lekaj, bashkia Rrogozhinë(2).

Fshatin Vilë-Ballaj, njësia administrative Gosë, bashkia Rrogozhinë.

Fshatin Resulaj, bashkia Selenicë

Fshatin Këcukje, njësia administrative Ndroq, bashkia Tiranë.

Fshatin Mbjeshovë, njësia administrative Sinjë, bashkia Berat.

Fshatin Kodër Bujaras, njësia administrative Gjergjan bashkia Elbasan.

Fshatin Goraj, njësia administrative Perondi, bashkia Kuçovë.

Aktualisht është aktive vatrat në fshatin Fushë-Gjorm, njësia administrative Mamurras, bashkia Kurbin dhe në vendngjarje po punojnë forcat zjarrfikëse dhe ato bashkiake.

Gjithashtu është aktive vatra e zjarrit në kryqëzimi i Dajçit, njësia administrative Dajç, bashkia Lezhë.  Zjarri zhvillohet në një sipërfaqe bujqësore ndërsa tymi i krijuar vështirëson qarkullimin e mjeteve në rrugën nacionale Lezhë-Shkodër.Në vendngjarje po punojnë forcat zjarrfikëse.

 

The post Nga 45 vatra zjarri të raportuara, vetëm 2 aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama reagon ndaj deklaratës së Farage-n për emigrantët shqiptarë në Britani: Të sfidoj për shifrat reale

TIRANË, 28 qershor/ATSH/- Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot lidhur me deklaratën e deputetit britanik, Nigel Farage i cili është shprehur se shqiptarët në Britaninë e Madhe janë aktorë kryesorë në kriminalitet dhe se :1 në 50 shqiptarë në territorin anglez, janë në burg”.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama e quajti këtë pretendim “i pavërtetë dhe absurd”, duke e sfiduar publikisht Farage për një përballje me fakte.

Reagimi i plotë i Kryeministrit Rama në platformen ‘X’:

Upsss… vetë z.Nigel Farage më sfidoi për faktet!

Çfarë nderi — për një “burrë gjigand”, siç më përshkroi ai (duke pasur parasysh, natyrisht, që vij nga një “vend i vogël”) — të tërheq vëmendjen e mjeshtrit të padiskutueshëm të politikës me tituj në Britani.

Ai tha — dhe po e citoj:
‘’Të them diçka, z. Rama: e di që një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg? Prandaj trego pak vullnet të mirë dhe merrini të gjithë mbrapsht nesër, sepse kjo është hipokrizi.”

Epo, z. Farage — më lejoni t’ju përgjigjem me diçka që s’është aq e zakonshme në stilin tuaj: shifra reale.

Pretendimi juaj se “një në 50 shqiptarë në Britani është në burg”Nuk është fakt. Është absurd. Një klasik i manualit post-Brexit: ‘’Nëse tingëllon frikshëm, atëherë duhet të jetë e vërtetë.’’

Por kur shikohen të dhënat reale — është një befasi! Edhe nëse do të supozonim se çdo shqiptar që ndodhet në burg është realisht fajtor (ndonëse shumë janë aty për shkak të një sistemi vizash të padrejtë dhe të vjetëruar), shkalla e kriminalitetit mes shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar nuk do të ishte më e lartë se ajo e popullsisë britanike— madje ka shumë gjasa të jetë më e ulët.

Dhe meqë të dy duket se e vlerësojmë “vullnetin e mirë” dhe nuk e durojmë “hipokrizinë”, kam një propozim të thjeshtë për ju:

T’i sjellim të dyja palët faktet në tavolinë. Nëse pretendimi juaj “1 në 50” del i saktë — angazhohem publikisht t’i marr të gjithë mbrapsht. Jo për show, por zotohem publikishit.

Por nëse del që shifra juaj është thjesht karburant për tabloide, atëherë s’ka nevojë për ndjesë. S’ka nevojë për drama. Madje në vënd të kësaj do të merni një ftesë për të ardhur në Shqipëri — si i ftuar nderi.

Do të merrni diell të vërtetë, mikpritje të vërtetë, dhe fakte edhe më të vërteta — për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dhe gjithçka që do t’ju kërkoj në këmbim është një zotim i vogël, i thjeshtë: që herën tjetër kur dikush të përgojojë shqiptarët, të jeni ju i pari që t’i thoni, të ndalet.

Si thoni atëherë? Një verifikim faktesh për një deportim total — ose për një palë pushime, në mesin e njerëzve më të ngrohtë që do të njihni ndonjëherë.

Hajde, Nigel. Edhe nëse humb në kontrollin e fakteve, fiton një komb të tërë miqsh për gjithë jetën.

Pres me padurim përgjigjen tuaj.

https://x.com/ediramaal/status/1938739319168024656?s=48&t=0bOqiSwhVUnwV6dbw2g7jA

https://www.gbnews.com/politics/nigel-farage-albania-brexit-pm-dig-britain

 

The post Rama reagon ndaj deklaratës së Farage-n për emigrantët shqiptarë në Britani: Të sfidoj për shifrat reale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Armëpushimi midis Izraelit dhe Iranit ka hyrë në fuqi

UASHINGTON, 24 qershor/ATSH-AA/ Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se një armëpushim midis Iranit dhe Izraelit ka hyrë në fuqi, duke i nxitur palët ta pranojnë atë.

“Armëpushimi tani është në fuqi. Ju lutem mos e shkelni!”, tha Trump në platformën e tij të mediave sociale Truth Social.

Trump njoftoi se Izraeli dhe Irani kishin rënë dakord për një armëpushim “të plotë dhe total” mes konfliktit në rritje në Lindjen e Mesme.

Irani nisi një breshëri raketash në Bazën Ajrore Al Udeid të ushtrisë amerikane në Katar të hënën, duke shënuar një përshkallëzim dramatik të tensioneve pas shënjestrimit të SHBA-së ndaj tre lokacioneve bërthamore iraniane të dielën.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se forcat amerikane, së bashku me Katarin, “u mbrojtën me sukses” kundër sulmit, duke konfirmuar se nuk pati viktima midis personelit amerikan ose të Katarit.

Tensioni rajonal u përshkallëzua ndjeshëm të dielën pasi SHBA-ja bombardoi objektet bërthamore të Iranit, Fordo, Natanz dhe Isfahan.

Sulmet amerikane ishin përshkallëzimi më i fundit në një sulm ushtarak izraelit të mbështetur nga SHBA-ja ndaj Iranit që nga 13 qershori, duke e shtyrë Teheranin të nisë sulme hakmarrëse ndaj Izraelit.

Autoritetet izraelite thanë se të paktën 25 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur që atëherë në sulmet me raketa iraniane.

The post SHBA – Trump: Armëpushimi midis Izraelit dhe Iranit ka hyrë në fuqi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ministeriali i Evropës Juglindore sot në Tiranë, agjenda e eventit dhe rrugët që bllokohen

TIRANË, 16 qershor/ATSH/- Ministeriali i Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), do të mbahet ditën e sotme në kryeqytetin tonë, e hënë, 16 qershor 2025.

Ministria e Evropës dhe e Punëve të Jashtme, përmes një njoftimi nga dita e djeshme, bën me dije se si është planifikuar paraprakisht agjenda e SEECP.

Eventi nis në orën 11:30 me fjalën e hapjes nga ministri për Evropën dhe Punëve të Jashtme, Igli Hasani.

Nga ora 11:40 deri më 13:00, do të mbahet turneu i tavolinës sipas radhës së folësve. Tema e diskutimit do të jetë “Rritja e Konkurrueshmërisë së Rajonit dhe Rritjes Gjithëpërfshirëse si Rrugë drejt Integrimit në BE për Pjesëmarrësit Aspirantë të SEECP-së”.

Më pas, nga ora 13:00 deri më 13:10, parashikohet të mbahet deklarata e këtij samiti.

Për rreth 20 minuta, deri në orën 13:30, do bëhet dorëzimi i kryesisë së SEECP-së. Pas gjithë këtyre, do të mbahet dhe një foto familjare mes liderve prezentë.

Kryetarët e shteteve dhe delegacionet e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) do të priten nga Presidenti Bajram Begaj.

“Nxitja e Stabilitetit dhe Prosperitetit përmes Bashkëpunimit Rajonal dhe Integrimit në BE” është tema e këtij sesioni plenar që do të hapet nga Presidenti Begaj në cilësinë e Kryetarit në detyrë të Samitit të SEECP.

Presidenti Begaj në mbyllje të samitit do t’i kalojë homologut të tij bullgar, Presidentit Radev Kryesinë e radhës të SEECP-së.

Veç mikpritjes së samitit, Presidenti Begaj pritet të zhvillojë takime të veçanta me homologë e liderë pjesëmarrës të procesit të SEECP-së për të thelluar më tej bashkëpunimin e Shqipërisë me këto vende.

Policia e Tiranës ka njoftuar për bllokime dhe kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore, përkatësisht në itineraret e ardhjes dhe largimit të delegacioneve.

Në rrugën e ardhjes, kufizimet do të prekin akset nga Aeroporti i Rinasit, përmes Mbikalimit të Kasharit, Autostradës “Durrës–Tiranë”, Unazës së Re, Rrethrrotullimit të Saukut, Rrugës së Elbasanit, deri në Rrugën “George W. Bush”, Rrugën “Urani Pano” dhe Rrugën “Dervish Hima”.

Ndërsa rruga e largimit të delegacioneve do të shtrihet nga Rruga “George W. Bush”, Rruga e Elbasanit, Rrethrrotullimi i Saukut, Unaza e Re, Sheshi “Shqiponja”, Autostrada “Tiranë–Durrës”, Mbikalimi i Kasharit dhe përfundon në Aeroportin e Rinasit.

Gjithashtu, gjatë zhvillimit të aktivitetit më 16 qershor, do të ketë ndalim të përkohshëm të qarkullimit, parkimit të automjeteve dhe lëvizjes së këmbësorëve në rrugën “Ludovik Shllaku” dhe Rrugën e Dibrës.

Orari i kufizimeve do të përcaktohet në varësi të mbërritjes së delegacioneve në aeroportin e Rinasit.

SEECP përbëhet nga 13 vende pjesëmarrëse, të cilat janë edhe anëtare të Bordit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), si: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Kosova dhe Turqia.

Procesi i Bashkëpunimit në Evropën Juglindore është një forum i rëndësishëm politik që synon dialogun dhe bashkëpunimin në Evropën Juglindore, i cili përmbyll një vit të suksesshëm të Presidencës Shqiptare nën moton “Formësojmë të ardhmen tonë evropiane”.

Tirana mori Kryesimin e SEECP-së për periudhën Korrik 2024 – Qershor 2025, pas Kryesimit të mbajtur më parë nga Shkupi, dhe do t’i pasohet në vijim Sofjes.

Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore u iniciua në vitin 1996 gjatë takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse në Sofje, ndërsa Samiti i parë i SEECP-së u zhvillua në Kretë në vitin 1997.

The post Ministeriali i Evropës Juglindore sot në Tiranë, agjenda e eventit dhe rrugët që bllokohen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama publikon pamje nga maja e Vajushës, një nga perlat e Alpeve Shqiptare

TIRANË, 16 qershor/ATSH/- Maja e Vajushës në Lëpushë të Malësisë së Madhe, është një nga perlat natyrore të Alpeve Shqiptare, me një lartësi prej rreth 2,100 metrash mbi nivelin e detit.

Vitet e fundit, Maja e Vajushës është kthyer në një destinacion për turistë të huaj ashtu edhe vendas që janë të apasionuar pas natyrës dhe aktiviteteve sportive malore.

Shtegu drejt majës është i shënuar dhe ofron mundësi për pushime të shkurtra, me burime uji dhe pamje mahnitëse gjatë gjithë rrugës.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga Maja e Vajushës, një destinacion i shkëlqyer për ata që kërkojnë të eksplorojnë bukuritë natyrore të Shqipërisë, të shijojnë ajrin e pastër dhe të përjetojnë një eksperiencë të paharrueshme në Alpet Shqiptare.

Për të arritur në majë, vizitorët duhet të ecin për rreth 2 orë e gjysmë përmes maleve, duke kaluar përmes pyjeve të dendura dhe hapësirave të gjelbra, duke shijuar ajrin e pastër dhe burimet e shumta të ujit të ftohtë.

Për ata që janë të interesuar në aktivitete më sfiduese, Maja e Vajushës është gjithashtu pjesë e garës “Bear Trail”, një ngjarje e njohur e trail running në Shqipëri.

Kjo garë 10 km përfshin një ngritje prej 640 metrash dhe është pjesë e “N’Altitude Festival”, një ngjarje që promovon turizmin aktiv dhe natyrën e paprekur të zonës.

The post Rama publikon pamje nga maja e Vajushës, një nga perlat e Alpeve Shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BE në udhëkryq: Korporatat e mëdha për të ardhmen e klimës?

BERLIN, 16 qershor/ATSH/- Një numër kompanish të mëdha evropiane po kërkojnë më shumë qartësi nga BE-ja mbi mbrojtjen e klimës dhe zbatim më të shpejtë të objektivave ekonomike.

Në një letër të hapur në fund të majit, rreth 150 kompani kërkuan uljen e emetimeve të gazrave serrë në Bashkimin Evropian me të paktën 90 për qind deri në vitin 2040.

Nënshkruesit argumentuan se një objektiv i fortë klimatik dhe dekarbonizimi i ekonomisë do të përmirësonin qëndrueshmërinë, sigurinë energjetike dhe konkurrueshmërinë.

Nënshkruesit janë anëtarë të Grupeve të Liderëve të Korporatave, të mbledhura nga Instituti për Lidership të Qëndrueshëm i Universitetit të Kembrixhit.

Letra iu drejtua Komisionit Evropian, përfaqësuesve të Parlamentit Evropiandhe krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së. Midis nënshkruesve janë korporata të mëdha, duke përfshirë SAP, Grupin Otto dhe Allianz.

Deri më sot, BE ka vendosur një objektiv për uljen e emetimeve të CO2me 55 për qind deri në vitin 2030 krahasuar me nivelet e vitit 1990 dhe arritjen e neutralitetit klimatik deri në vitin 2050. Një objektiv i përkohshëm detyrues për vitin 2040 ende nuk ekziston.

Gara në tregtinë globale dhe hezitimi i BE-së

Objektivat e qarta të përkohshëm mund t’u ofrojnë kompanive më shumë qartësi. Kjo sinjalizon edhe nëse Evropa vazhdon në rrugën e saj klimatike. Tani ka dyshime për këtë. Komisioni Evropian kohët e fundit ka rihapur disa drejtime për diskutim. Proceset duhet të thjeshtohen.

“Nëse kjo do të mbetet kështu apo nëse rregulloret e dakorduara më parë do të zbuten është aktualisht “e paparashikueshme”, thotë Manon Dufour. Kjo do t’i bënte investitorët të hezitonin, thotë drejtori i përgjithshëm i zyrës së një organizate ndërkombëtare në Bruksel EG3, e specializuar për diplomacinë ndërkombëtare të klimës.

Për Dufour, është e qartë: Pas thirrjes për ambicie më të mëdha klimatike qëndron shpresa se kjo do të rezultojë në një avantazh konkurrues për kompanitë nga BE-ja. Duke pasur parasysh investimet masive të gjelbra në Kinë, “tranzicioni teknologjik në Evropë nuk është më një projekt ekskluzivisht evropian”, por kjo duhet parë në kontekstin e konkurrencës globale.

“Në disa sektorë, Evropa mund ta ketë më të vështirë të ruajë avantazhin e saj konkurrues. Megjithatë, në të tjera, Evropa është shumë mirë e pozicionuar”, thotë Dufour.

Evropa është lidere në të gjitha fushat që lidhen me teknologjitë e rrjetit ose kabllove, si dhe në disa fusha të teknologjisë CCS, e cila blen dhe ruan CO2 nga impiantet industriale. “Evropa mund të përfitojë ende këtu”, beson Dufour.

Politika funksionon: më shumë kompani me objektiva klimatike

Nuk është rastësi që gjithnjë e më shumë kompani po i bëjnë thirrje BE-së të veprojë më me vendosmëri. Që kur BE miratoi Marrëveshjen e Gjelbër në vitin 2019, qindra miliarda euro janë investuar në teknologjinë dhe industrinë e gjelbër. Janë miratuar edhe rregullore të shumta për qëndrueshmëri në biznes. Që atëherë, ka pasur një ndryshim të thellë në qëndrimin e kompanive ndaj politikës klimatike në të gjithë Evropën.

Analiza nga organizata jofitimprurëse InfluenceMap me bazë në Mbretërinë e Bashkuar arrin në përfundimin: kjo politikë po tregon rezultate.

Sot, 23 për qind e kompanive në BE zbatojnë strategji që, sipas analizës, ndihmojnë në arritjen e qëllimeve klimatike. Në vitin 2019, kjo shifër ishte 3 për qind. Në të njëjtën kohë, pjesa e kompanive të klasifikuara si “të papranueshme nga klima” ra nga 34 për qind në 14 për qind.

Politika klimatike është në interesin e kompanive

Qëllimi i uljes së emetimeve me 90 për qind deri në vitin 2040, i kërkuar nga nënshkruesit e letrës së hapur, “do të na jepte një rrugë të qartë për të zgjeruar veprimet dhe investimet tona në kalimin në modele biznesi më të qëndrueshme dhe uljen e shpejtë të emetimeve tona”. Në fund të fundit, nënshkruesit pohojnë se rreziku klimatik është një rrezik ekonomik dhe financiar.

Sipas Raportit të Qëndrueshmërisë të firmës konsulente Deloitte, pothuajse të gjithë menaxherët e anketuar në Gjermani (97 për qind e tyre) deklaruan që në vitin 2022 se kompania e tyre është prekur negativisht nga ndryshimet klimatike. 50 për qind thanë se biznesi i tyre është i lidhur drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike.

Industria e rëndë

Pavarësisht kësaj, Agjencia Federale Gjermane e Mjedisit zbuloi në një studim të vitit 2021 se vetëm gjysma e kompanive gjermane DAX raportojnë mbi rreziqet ekonomike të krizës klimatike.

Sondazhi i fundit i Deloitte për vitin 2024 tregon se shumica e mbi 2.000 drejtuesve të anketuar nga 27 vende të botës i japin përparësi projekteve të qëndrueshmërisë në vendimmarrjen e tyre. 85 për qind e të anketuarve thanë se po rrisin investimet e tyre në këtë fushë, krahasuar me 75 për qind vitin e kaluar.

Megjithatë edhe ata që bëjnë thirrje për mbrojtje më pak ambicioze të klimës deri në vitin 2040 janë të zëshëm në Bruksel. Kjo përfshin, në veçanti, kompanitë në industrinë e rëndë evropiane, industrinë kimike gjermane, Konfederatën e Industrisë Gjermane, industrinë evropiane të çimentos dhe shqetësimet e naftës dhe gazit.

Transformimi i vonuar i ekonomisë jo vetëm që do të ndikojë në biznese, por do t’u kushtojë taksapaguesve shuma të mëdha parash në dëmet e shkaktuara nga kriza klimatike.

Një studim nga shkencëtarët në Institutin e Potsdamit për Kërkimin e Ndikimit të Klimës (PIK) tregon se edhe nëse emetimet e gazrave serrë do të reduktoheshin në mënyrë drastike që tani e tutje, të ardhurat globale për frymë do të binin me 19 përqind deri në vitin 2050.

Kjo është e barabartë me rreth 38 trilionë dollarë në vit, që është rreth gjashtë herë kostoja e vlerësuar e veprimit klimatik.

Shkëputja e rritjes ekonomike nga emetimet e CO2

Ndërkohë, rritja ekonomike po shkëputet nga emetimet e CO2 në të gjithë botën. Nga viti 2015 deri në vitin 2022, produkti i brendshëm bruto (PBB) global u rrit me 22 për qind, ndërsa emetimet u rritën vetëm me shtatë për qind.

Më shumë se 40 vende kanë rritur PBB-në e tyre duke ulur njëkohësisht emetimet, sipas një studimi të vitit 2025 nga OECD dhe Kombet e Bashkuara. Ky trend ka fituar vrull që nga vitet 1990.

Investimet në energji të pastër dhe të qëndrueshme tani janë dyfish më të larta se ato në lëndët djegëse fosile, duke ofruar zgjidhje të përballueshme për klimën, inovacion, vende pune dhe rritje ekonomike, thonë nënshkruesit e letrës.

Tregjet e energjisë së pastër janë rritur me shpejtësi, të nxitura fillimisht nga politikat dhe më pas nga kërkesa e tregut. Sot, siç thuhet në letër, 87 për qind e ekonomisë globale ka objektiva zero kur bëhet fjalë për emetimet e CO2.

Në të njëjtën kohë, qeveritë, rajonet, qytetet dhe kompanitë kanë marrë masa për të kufizuar emetimet e gazrave serrë.

Vrulli kur bëhet fjalë për mbrojtjen e klimës aktualisht po dobësohet. “Politikat e paqarta rrezikojnë të vonojnë investimet private dhe të ulin PBB-në me 0.75 për qind që në vitin 2030”, deklarojnë autorët.

Vitin e kaluar, Komisioni Evropian rekomandoi uljen e emetimeve të gazrave serrë me të paktën 90 për qind krahasuar me nivelet e vitit 1990. Propozimi përkatës legjislativ pritet të publikohet para pushimeve verore. Megjithatë, ai ende duhet të negociohet nga shtetet anëtare të BE-së dhe Parlamenti Evropian. Disa anëtarë të Parlamentit Evropian shprehën shqetësim se objektivi i propozuar mund të jetë shumë ambicioz. Një numër gjithnjë e në rritje i përfaqësuesve të ekonomisë padyshim i shohin gjërat ndryshe. /DW/

The post BE në udhëkryq: Korporatat e mëdha për të ardhmen e klimës? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Parashikimi i motit për ditën e hënë, qytetet me temperaturat më të larta

TIRANË, 16 qershor/ATSH/- Shërbimi Meteirologjik Ushtarak bën të ditur se ditën e hënë vendi ynë do të ndikohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike. 

Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin, përjashtuar vranësirat e pakta deri mesatare kalimtare në orët e mesditës deri ato të pasdites vonë. 

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim – jugperëndim me shpejtësi mesatare deri 7 m/s, ndërsa në lugina dhe bregdet hera-herës pritet të fitojë shpejtësi 8-12 m/s,  shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 1-2 ballë.

 

 

The post Parashikimi i motit për ditën e hënë, qytetet me temperaturat më të larta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Më 26 qershor hapet afati për dorëzimin e listave me kandidatë, KQZ: Do të verifikohen të gjithë

PRISHTINË, 15 qershor/ATSH/- Komision Qendror i Zgjedhjeve më 26 qershor, do të hapë afatin për aplikim të subjekteve politike që do të kërkojnë certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.

Përveç dorëzimit të aplikimit dhe plotësimit të kushteve tjera, sipas KQZ-së, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listën me emrat e kandidatëve në garën për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale.

Mijëra kandidatë pritet t’i nënshtrohen procesit të verifikimit para se të certifikohen për të kërkuar votën e qytetarëve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një deklarim për KosovaPress, ka thënë se për të gjitha këto, KQZ planifikuar afat prej 49 ditësh për subjektet politike. Sipas tij, është në vullnetin e subjekteve politike të vendosin se në cilat komuna do të garojnë.

“Duke filluar nga 26 qershor dhe deri më 13 gusht 2025, partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur mund të paraqesin në KQZ, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, kërkesën e tyre për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025. Për dallim nga koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme partia politike e regjistruar është automatikisht e certifikuar. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listat e tyre me emrat të kandidatëve për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale. Është krejtësisht në vullnetin e subjekteve politike që të përcaktohen se në cilat komuna do të garojnë dhe të dorëzojnë listën me emrat e kandidatëve për komunat përkatëse”, tha Elezi.

I pyetur se a mund të kandidojnë personat e dënuar për vepra penale, Elezi tha se kjo çështje është e rregulluar në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës është njëri prej institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve. Në nenin 30 të ligjit për zgjedhje të përgjithshme, theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse “është dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”. Prandaj, me qëllim të zbatimit të këtij përcaktimi ligjor, do të kërkojmë nga KGjK-ja që të verifikojë listën e kandidatëve nëse ndonjëri prej tyre nuk është në përputhje me këtë kufizim ligjor”, tha Elezi.

Ndryshe, sipas Nenit 30 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, një person nuk mund të certifikohet si kandidat për deputet i cili ka funksion të veçantë në bazë të Ligjit në fuqi për Zyrtarët Publikë; anëtar i shërbimit të jashtëm dhe përfaqësues diplomatik; kryesues apo anëtar i KQZ-së dhe Komisionit Komunal të Zgjedhjeve; zyrtar i PZAP-it; me anë të vendimit të gjykatës, duke përfshirë edhe vendimin e PZAP-it, i është hequr e drejta për të qenë kandidat; është dënuar në tre vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv; ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i, ose KQZ-ja; ose ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhri të PZAP-it.

/Kosovapress/

The post Më 26 qershor hapet afati për dorëzimin e listave me kandidatë, KQZ: Do të verifikohen të gjithë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

17 vjet nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës

PRISHTINË, 15 qershor/ATSH/- Vetëm katër muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 15 qershor të vitit 2008, ka hyrë në fuqi kushtetuta e saj e cila e përcakton Kosovën si shtet të pavarur, sovran , demokratik, unik dhe të pandashëm.

Republika e Kosovës është shtet laik, shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitete tjera, thuhet në tekstin e Kushtetutës me hyrjen në fuqi të së cilës fillon zbatimi i planit të ish krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari.

Kushtetuta hyn në fuqi 120 ditë pas shpalljes së pavarësisë. Institucionet e Kosovës, kanë arritur që për një periudhë të shkurtër kohore, të përgatisin dhe miratojnë 40 ligje që dalin si propozim nga Pakoja e Ahtisaarit.

Hyrja në fuqi e Kushtetutës kundërshtohet nga përfaqësuesit e serbëve të cilët nuk janë pajtuar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, e cila deri tani është njohur nga 118 vende të botës.

/Kosovapress/

The post 17 vjet nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dështon seanca e 31 për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

PRISHTINË, 13 qershor/ATSH/- Për të tridhjetenjëtën herë ka dështuar konstituimi i legjislaturës së nëntë.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari edhe këtë seancë e nisi me kërkesën për kromimin e komisionit për votimin ne fshehtë, por Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë refuzuar të japin emrat, me arsyetimin se ka shkelje të rregullores, pasi seanca ka nis me votim të hapur dhe po tentohet të vazhdohet me votim të fshehtë.

Dehari hedhin ë votim formimin e këtij komisioni, pa emrat e partive, por nuk mori votat e mjaftueshme.

“Për kanë votuar 47 deputetë, kundër dhe apstenim nuk ka. Nuk ka kuorum për mbajtjen e seancës, ndërpritet seanca dhe shihemi me 15 qershor, në orën 11:00“, tha ai.

Tridhjetë episodet e deritanishme të telenovelës që do të mbahet mend gjatë, kanë dështuar në mungesë të votave të Lëvizjes Vetëvendosje, Guxo e Alternativa për kryetar të ri të Kuvendit, raporton KosovaPress.

Albulena Haxhiu gjashtë herë ‘ka rënë nga provimi’ direkt me vota të hapura dhe më shumë se njëzet herë ka dështuar formimi i komisionit për mbikëqyrjen e procesit të fshehtë të votimit, të cilin po e kundërshtojnë Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA.

Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka dorëzuar për interpretim në Kushtetuese mënyrën e fshehtë të votimit për kryetar nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa.

Vazhdimi i seancës konstituive duhet të mbahet çdo dyzetetetë orë derisa të konfirmohet përbërja e re e Kuvendit.

/Kosovapress/

The post Dështon seanca e 31 për konstituimin e Kuvendit të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndahet nga jeta ish-kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi

PRISHTINË, 10 qershor/ATSH/- Ish-kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi është ndarë nga jeta në moshën 78 vjeçare pasi po përballej me një sëmundje të rëndë shëndetësore.

Bujar Bukoshi, i cili ka lindur më 1947 në Suharekë, u diplomua në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Beogradit. Më pas, ai punoi si mjek në Suharekë.

Bukoshi ishte një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Më 1989 themeloi Këshillin e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ).

Bujar Bukoshi ishte kryeministër i Qeverisë së përkohshme të Kosovës ne ekzil, nga viti 1991 deri në vitin 2000.

Gjithashtu, ishte zëvendëskryeministër i Kosovës në qeverinë Thaçi nga viti 2011 deri në vitin 2014.

/Kosovapress/

The post Ndahet nga jeta ish-kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndreu publikon hapësirat publike në plazhe: Kushdo që ka paqartësi, të pyes para se të vjell vrerë

TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu ka reaguar lidhur me hapësirat publike në plazhe.

Reagimi i Ndreut vjen pas akuzave nga përfaqësues të opozitës për mungesë të hapësirave publike në plazhe për qytetarët.

“Meqë ka fillu helmi me kova nga këto “madhështoret e PD” sidomos, po ju bëj me dije gjendjen e në qendër të plazhit Shëngjin, te Rana e Hedhun, Kunë dhe Tale. Hapësirën publike në shpi, ose te dera e pallatit nuk e sjellim dot”, deklaron Ndreu duke publikuar në rrjetet sociale foto nga hapësirat boshe në plazhe.

Kreu i Bashkisë Lezhë ka publikuar edhe numrat e kontakteve për këdo “që ka paqartësi, pamundësi, apo përtesë të gjejë hapësirën publike bosh, , kushdo qe ka paqartesi,, të pyes duke telefonuar në numrat e telefonit”.

Pjerin Ndreu   +355 69 404 5011 – Kryetari Bashkisë

Fatjon Zefi      +355 69 559 1150 – Zv Kryetari Bashkisë

Brahim Demi   +355 69 333 4446 – Administratori Shëngjin

Leonard Palaj  +355 68 313 1061 – Kryenspektori Policisë Bashkiake

Besmir Frroku +355 69 393 0434 – Administratori “Lezha Invest”

Renaldo Xhanej +355 69 626 7623 – Drejtori Turizmit

The post Ndreu publikon hapësirat publike në plazhe: Kushdo që ka paqartësi, të pyes para se të vjell vrerë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sopranoja Ermonela Jaho rikthehet pas 12 vitesh me një koncert në Kosovë

PRISHTINË, 9 qershor/ATSH/- Sopranoja me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho është rikthyer pas 12 vitesh në Kosovë me një koncert gala mbajtur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Nën dirigjimin e Jacopo Sipari di Pescasseroli, shoqëruar nga Opera dhe Filharmonia e Kosovës, kjo mbrëmje e jashtëzakonshme arti, ishte dëshmi edhe e potencialit dhe seriozitetit me të cilin po zhvillohet Opera e Kosovës.

Sopranoja Jaho ka çelur edhe festimet për 26-vjetorin e çlirimit të Kosovës duke sjell emocione për qytetarët dhe artëdashësit në Kosovës.

Kryeministri në detyrë i Koosvës, Albin Kurti shprehet se “sopranoja Ermonela Jaho nga Sheshi “Skënderbeu” na çoi drejt Italisë së Puccinit e Verdit, pa lëvizur asnjë hap – vetëm me zërin e saj të bukur. Me një mjeshtëri të rrallë, ajo solli dramën dhe emocionin e një opere botërore, duke ruajtur qetësinë dhe kontrollin me përplot hir e që lind vetëm nga përvoja dhe pjekuria artistike”.

“Emri i saj, që për ne tingëllon si “dëshirë”, u bë realitet i paharrueshëm për mijëra zemra që e dëgjuan. Në një bashkëpunim të rrallë mes Orkestrës së Operës së Kosovës dhe Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasserolli, mbrëmja solli një përzgjedhje nga veprat e mëdha të Puccinit dhe Verdit, duke shndërruar sheshin e kryeqytetit në skenë operistike. Kjo është fuqia e artit të vërtetë – të të çojë diku tjetër pa u larguar nga vendi yt. Dhe ky është niveli që ne si qeveri mbështesim me përkushtim, duke besuar se përmes këtyre përvojave e përjetimeve estetike kolektive të ndërtojmë institucionet kulturore që e meritojnë një vend të denjë në hartën artistike ndërkombëtare”, theksoi Kurti.

Para mbajtjes së koncertit, sopranoja Ermonela Jaho mbajti një konferencë për mediet, ku ndër të tjera theksoi se ndërtimi i shtëpisë së Operës në Kosovës është një domosdoshmëri për të kanalizuar kapacitetin e artistëve të rinj të Kosovës si dhe për të pasuruar shpirtin e popullit.

Artistja Jaho u shpreh se në Kosovë ka ardhur me një detyrim shpirtëror, moral dhe patriotik për t’i dhënë një shtysë ndërtimi të kësaj shtëpie operistike, e cila konsiderohet jetike për artistët dhe brezat e rinj.

 

The post Sopranoja Ermonela Jaho rikthehet pas 12 vitesh me një koncert në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nawrocki-Kurtit: I përkushtuar për forcimin e lidhjeve Poloni-Kosovë

PRISHTINË, 7 qershor/ATSH/ Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, ka falënderuar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për mesazhin e urimit me rastin e fitores në zgjedhjet presidenciale në Poloni.

Përmes një postimi në platformën “X”, presidenti polak është shprehur për përkushtimin e tij në forcimin e marrëdhënieve ekonomike, kulturore dhe të turizmit mes Polonisë dhe Kosovës.

“Jam shumë mirënjohës për mesazhin tuaj, kryeministër Albin Kurti. Edhe unë jam i përkushtuar për të forcuar lidhjet tona ekonomike, shkëmbimin kulturor dhe turizmin, për të afruar edhe më shumë Poloninë dhe Kosovën”, ka deklaruar presidenti polak.

 

The post Nawrocki-Kurtit: I përkushtuar për forcimin e lidhjeve Poloni-Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FSHF publikon rregullat para ndeshjes Shqipëri-Serbi, atmosferë kuq e zi në rrugët e kryeqytetit

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar disa rregulla që tifozët duhet të kenë parasysh gjatë ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026

Sipas njoftimit, çdo person që hyn në stadium duhet të jetë i pajisur me një mjet identifikimi, ndërsa të gjithë do t’i nënshtrohen kontrolleve fizike nga stjuardët. Ndalohet rreptësisht kalimi i barrierave dhe çdo tentativë për të shmangur pikat e kontrollit.

Gjithashtu, FSHF rikujton se mbajtja e armëve të zjarrit apo të ftohta, parrullat me përmbajtje urrejtjeje, biletat false, si dhe futja në fushë, konsiderohen vepra penale dhe do të ndiqen penalisht.

Një tjetër pikë e rëndësishme është se gjatë gjithë kohës, tifozët do të jenë nën vëzhgim nga kamerat e sigurisë, çka do të thotë se çdo veprim i papërshtatshëm do të identifikohet menjëherë.

FSHF u bën thirrje të gjithë tifozëve që të respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë për një atmosferë të qetë dhe sportive.

Ndërkaq edhe kryeqyteti shqiptar është ‘veshur’ nga atmosfera e kësaj përballjeje sportive ku në rrugët dhe ambientet e lokaleve janë vendosur flamujt kuq e zi.

The post FSHF publikon rregullat para ndeshjes Shqipëri-Serbi, atmosferë kuq e zi në rrugët e kryeqytetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hill: Bashkëpunim i vazhdueshmëm ndërkombëtar për ruajtjen e paqes në rajon

PRISHTINË, 7 qershor/ATSH/ I ngarkuari me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Ralan Hill, mori pjesë të premten në ceremoninë e transferimit të autoritetit të Task Forcës së Aviacionit të KFOR-it, e mbajtur në kuadër të rotacionit të rregullt të njësive ushtarake.

Gjatë ceremonisë, Hill falënderoi komandantin në largim, nënkolonel Reid, dhe njësinë Task Force Sawtooth për kontributin e tyre të çmuar në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes partnerëve ndërkombëtarë dhe institucioneve vendore për ruajtjen e paqes në rajon.

Ambasada e SHBA-së mirëpriti gjithashtu komandantin e ri, nënkolonel Snook, dhe njësinë Task Force Griffin, të cilët do të marrin përgjegjësinë për mbështetjen e operacioneve ajrore të KFOR-it në Kosovë dhe më gjerë.

Kjo ceremoni simbolizon vazhdimësinë e përkushtimit të NATO-s dhe të Shteteve të Bashkuara për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon. /KosovaPress/

The post Hill: Bashkëpunim i vazhdueshmëm ndërkombëtar për ruajtjen e paqes në rajon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BE mbështet Gjykatën Ndërkombëtare Penale pas sanksioneve të SHBA-së

PRISHTINË, 7 qershor/ATSH/ Bashkimi Evropian ka ofruar mbështetje për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, pasi Uashingtoni ka sanksionuar katër gjyqtarë të këtij institucioni.

Sllovenia ka thënë se do t’i bëjë thirrje Brukselit që të shfrytëzojë fuqinë e vet për të garantuar që sanksionet amerikane nuk do të zbatohen në Evropë.

“Gjykata Ndërkombëtare Penale i mban përgjegjës kryesit e krimeve më të rënda në botë, dhe u jep zë viktimave. Duhet të jetë e lirë dhe pa asnjë presion”, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen përmes një postimi në X.

Antonio Costa, president i Këshillit Evropian, i cili përfaqëson qeveritë kombëtare të 27 vendeve anëtare, e ka quajtur gjykatën “themel i drejtësisë ndërkombëtare” dhe ka thënë se duhet të mbrohet pavarësia dhe integriteti i saj.

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka vendosur sanksione ndaj katër gjyqtarëve të kësaj gjykate, si shenjë hakmarrjeje lidhur me lëshimin e fletarrestimeve për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahun dhe për shkak të një vendimi paraprak për të hapur rast pas dyshimeve për kryerje të krimeve të luftës nga ushtarët amerikanë në Afganistan.

Me vendim amerikan janë sanksionuar gjyqtarët: Solomy Balungi Bossa nga Uganda, Luz del Carmen Ibanez Carranza nga Peruja, Reine Adelaide Sophie Alapini Gansou nga Benini dhe Beti Hohler nga Sllovenia.

Sanksionet amerikane nënkuptojnë se gjyqtarët janë në listë të individëve të sanksionuar, do t’iu ngrihet çdo aset që mund të kenë në SHBA, dhe gjithashtu janë futur në listën që u pamundëson hapjen e llogarive bankare jo vetëm në SHBA, por në shumë vende të botës.

Në vendimin fillestar të Trumpit për sanksione ndaj gjykatës, është thënë se shtetasit amerikanë që ofrojnë shërbime në të mirë të individëve të sanksionuar, do të përballen gjithashtu me gjoba.

Gjykata, e cila përfaqëson 125 vende anëtare, ka dënuar të premten vendimin e Qeverisë amerikane./REL/

The post BE mbështet Gjykatën Ndërkombëtare Penale pas sanksioneve të SHBA-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Diaspora shqiptare dhe çështja e Kosovës 1912–2008”, temë diskutimi mes akademikëve të Tiranës dhe Prishtinës

TIRANË, 7 qershor/ATSH/  “Diaspora shqiptare dhe çështja e Kosovës 1912–2008” ishte tema e konferencës shkencore mbajtur në Prishtinë dhe organizua nga Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, në bashkëpunim me Institutin e Historisë, Tiranë, pjesë e Akademinë së Shkencave të Shqipërisë, dhe Instituti për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Shkup.
Nga Instituti i Historisë, Tiranë (ASHSH), morën pjesë drejtori i këtij instituti prof. dr. Hamit Kaba, akad. Marenglen Verli; akad. Beqir Meta; prof. dr. Romeo Gurakuqi, prof. Ledia Dushku, prof. asoc. Gjon Boriçi, dr. Eduart Caka, prof. asoc. Sali Kadria, dr. Eralba Çiraku, dr. Jorina Verli.
Konferencën e hapi drejtoresha e Institutit të Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, Teuta Shala-Peli. Ajo e vuri theksin në rolin jetik të diasporës si zë i çështjes kombëtare në botë dhe në fund të fjalës së saj e vlerësoi veprimtarinë për rëndësinë që ka në ndriçimin e çështjeve kombëtare.
Drejtori i Institutit të Historisë, Tiranë, prof. dr. Hamit Kaba, në fjalën përshëndetëse nënvizoi se diaspora ka qenë katalizator për ruajtjen e identitetit dhe interesave kombëtare. Ai theksoi ndër të tjera nevojën e studimeve të plota gjatë gjithë historisë shqiptare si faktorë urëlidhës i shqiptarëve me shtetin amë.
Fjalë përshëndetëse mbajti edhe prof. dr. Skënder Hasani, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (Shkup). Ai vlerësoi rolin e diasporës si bartëse e kujtesës kolektive, si dhe për ndikimin në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare.
Prof. dr. Hamit Kaba mbajti kumtesën me temën “Emigracioni shqiptar në SHBA gjatë Luftës së Ftohtë, raportet me vendin e lindjes dhe origjinën.
Akademiku Marenglen Verli mbajti kumtesën me temën “Konferenca e paqes e Parisit dhe qëndrimet e diasporës dhe komiteti MKK për çështjet e Kosovës. Akademiku Beqir Metaj mbajti kumtesën me temën “Qëndrimi i federatës panshqiptare “Vatra” ndaj zhvillimeve në Shqipëri në Shqipëri në vitin 1921.
Prof. dr. Romeo Gurakuqi mbajti kumtesën me temën “Delegacionet e qeverisë së Durrësit dhe qeverisë së Tiranës në Bisedimet e Paqes në Paris 1919-1921.  Prof. asoc. Gjon Boriçi referoi studimin për problematikat e diasporës dhe emigracionit politik shqiptar në periudhën e luftës së ftiohtë 1945-1959.
Prof. Ledia Dushku mbajti kumtesën me temën “Atdheu jashtë kufijve, diplomacia e diasporës dhe strategjitë e mobilizimit kombëtar 2012-2020”.
Gjithashtu, paraqitën kumtesa: dr. Eduart Caka për mërgatën e shqiptarëve të Egjiptit dhe diasporën shqiptare të Amerikës; prof. asoc. Sali Kadria për kolonitë shqiptare të Egjiptit dhe pikëpamjet përfaqësuese të tyre për çështjet kombëtare; dr. Eralba Çiraku paraqiti kumtesën “Dokumente diplomatike për dëbimin dhe masakrat serbo-malazeze ndaj popullsisë shqiptare në vitet 1912-1913; dr. Jorina Verli paraqiti kumtesën me temën “Emigracioni politik dhe diaspora për çështjen Kosovës midis dy luftërave botërore-rasti Bedri Pojani”.
Gjatë katër seancave të kësaj konference, rreth 50 studiues trajtuan rolin dhe kontributin e diasporës shqiptare në raport me çështjen kombëtare dhe zhvillimet e Kosovës gjatë periudhës 1912–2008.

The post “Diaspora shqiptare dhe çështja e Kosovës 1912–2008”, temë diskutimi mes akademikëve të Tiranës dhe Prishtinës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌