Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 18 July 2025Main stream

NJU JORK – OKB kritikon Gjermaninë pas deportimit të afganëve

18 July 2025 at 16:57

BERLIN, 18 korrik /ATSH-DPA/- Gjermania dëboi sot 81 afganë në Kabul, një veprim i kritikuar nga organizata e të drejtave të njeriut, OKB.

Ministri i Brendshëm gjerman Alexander Dobrindt tha se afganët kishin dënime penale dhe e përshkroi grupin si “shkelës seriozë”.

Avioni që transportonte afganët ishte vetëm deportimi i dytë i tillë nga Gjermania që kur talebanët rimorën pushtetin në gusht 2021 dhe vetëm disa muaj pas ndryshimit të qeverisë në Berlin.

Avioni i “Qatar Airways” u nis nga qyteti, Leipzig dhe një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Talebanëve konfirmoi më vonë se ai ishte ulur në kryeqytetin, Kabul.

Komisioneri i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk, kritikoi ashpër deportimet.

“Turk thirrje për një ndalim të menjëhershëm të kthimit me forcë të të gjithë refugjatëve dhe azilkërkuesve afganë, veçanërisht atyre që janë në rrezik persekutimi, ndalimi arbitrar ose torture pas kthimit të tyre”, njoftoi sot zyra e tij në Gjenevë.

“Njerëzit nuk duhet të kthehen në Afganistan. Situata në vend është jashtëzakonisht e tmerrshme”, tha zëdhënësja e zyrës së tij, Ravina Shamdasani.

“Shumë prej tyre kërcënohen me tortura dhe ndëshkim çnjerëzor atje”, tha ajo.

Kur u pyet nëse ka ndonjë ndryshim nëse të deportuarit janë azilkërkues të refuzuar ose kriminelë të dënuar, Shamdasani kujtoi “parimin e mosdëbimit”, i cili ndalon dëbimin, ekstradimin ose deportimin e njerëzve nëse ata janë në rrezik torture, trajtimi çnjerëzor ose shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në vendin e destinacionit. //a.i/

The post NJU JORK – OKB kritikon Gjermaninë pas deportimit të afganëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZA- Izraeli ka shkatërruar 88% e Rripit të Gazës

GAZA, 18 korrik /ATSH-AA/ – Zyra për media në Rripin e Gazës ka bërë të ditur se Izraeli ka shkatërruar më shumë se 88 për qind të sipërfaqes totale të enklavës palestineze dhe ka detyruar zhvendosjen e 2 milionë palestinezëve që nga nisja e luftës gjenocidale më 7 tetor të vitit 2023.

Raporti i zyrës për media, që shënon ditën e 650-të të luftës, vlerëson se Izraeli ka hedhur 125 tonë eksplozivë në Gaza dhe ka shkaktuar më shumë se 62 miliardë dollarë humbje.

Lufta brutale gjithashtu ka rezultuar në “evakuimin e detyruar të 2 milionë civilëve” dhe pushtimin e 77 për qind të territorit 360 kilometra katrorësh të enklavës.

Raporti e vlerësoi numrin total të palestinezëve të vrarë ose të zhdukur në të paktën 67.880. Kjo përfshin më shumë se 19 mijë fëmijë dhe 12.500 gra, midis tyre 8.150 nëna dhe 953 foshnje.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e cila përdor metoda të ndryshme që marrin parasysh vetëm trupat e pranuar në spitale, së fundmi tha se numri zyrtar i të vdekurve ka arritur në 58.667.

Sipas zyrtarëve, mospërputhja mes shifrave vjen për shkak të përfshirjes së personave të zhdukur nën rrënoja dhe atyre që ende nuk janë llogaritur në përmbledhjen e zyrës për media.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se rreth 9.500 palestinezë ndodhen ende nën rrënoja, me fatin e tyre të panjohur.

Sipas zyrës për media, forcat izraelite kanë vrarë 1.590 punonjës mjekësorë, 228 gazetarë dhe 777 punonjës të ndihmës humanitare.

Po ashtu, 2.613 familje palestineze janë fshirë plotësisht nga regjistri civil. Theksohet se të paktën 68 fëmijë kanë vdekur nga kequshqyerja dhe 17 të tjerë nga të ftohtit në kampet e zhvendosjes.

Lufta ka shkaktuar 139 mijë të plagosur, përfshirë më shumë se 4.700 raste amputimi.

Raporti thekson se 44.500 fëmijë kanë humbur të paktën një prind dhe më shumë se dy milionë njerëz kanë vuajtur nga sëmundje infektive në zonat e zhvendosjes, përfshirë 71 mijë raste me hepatit.

Zyrë për media akuzon forcat izraelite për vjedhjen e 2.420 trupave nga varrezat dhe për krijimin e shtatë varrezave masive brenda spitaleve gjatë ofensivës në vazhdim.

Gjithashtu thuhet se 6.633 civilë janë arrestuar nga Gaza, përfshirë 362 punonjës mjekësorë, 48 gazetarë dhe 26 pjesëtarë të mbrojtjes civile.

Izraeli ka shkatërruar 38 spitale dhe 96 qendra të kujdesit parësor, ka shënjestruar 144 autoambulanca, si dhe ka dëmtuar rëndë ose shkatërruar plotësisht 156 shkolla, ndërsa 382 të tjera pjesërisht.

Sipas raportit, 833 xhami, tre kisha dhe 40 varreza gjithashtu janë shënjestruar.

Në total, 288 mijë familje kanë mbetur të pastreha, si pasojë e shkatërrimit të 223 mijë njësive të banimit dhe kthimit në të pabanueshme të 130 mijë të tjerave. Zyra për media tha se 261 qendra strehimi gjithashtu janë sulmuar.

Si pjesë e një fushate sistematike urie, raporti thotë se forcat izraelite kanë vrarë 877 civilë dhe kanë plagosur 5.666 të tjerë gjatë sulmeve ndaj pikave të shpërndarjes së ndihmave.

Gjithashtu thuhet se Izraeli ka bllokuar hyrjen e dhjetëra mijëra kamionëve me ndihma për më shumë se 139 ditë rresht.

Sektori bujqësor i Gazës ka pësuar humbje prej 2.2 miliardë dollarësh për shkak të shkatërrimit të 92 për qind të tokës së punueshme në enklavë. Ndërkohë, infrastruktura thelbësore si uji, energjia, kanalizimet dhe vendet arkeologjike gjerësisht është shkatërruar.

Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka vazhduar me ofensivën brutale në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 59 mijë palestinezë, shumica gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë shkaktuar mungesë ushqimi dhe përhapje sëmundjesh.   /os/

The post GAZA- Izraeli ka shkatërruar 88% e Rripit të Gazës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përfundon restaurimi i Kalasë së Bashtovës me mbështetjen e BE

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë njoftoi sot përfundimin e punimeve për konservimin dhe restaurimin e Kalasë së Bashtovës, një prej monumenteve historike më të rëndësishme të Shqipërisë.

E ndërtuar fillimisht në shekullin e 15-të nga venedikasit për të kontrolluar bregdetin dhe tregtinë e grurit, Kalaja e Bashtovës është ruajtur dhe restauruar përmes ndërhyrjeve të thella që kanë pasur për qëllim mbrojtjen e strukturës, nxjerrjen në pah të elementeve historike dhe përgatitjen e saj për përdorim të qëndrueshëm në të ardhmen.

Punimet përfshinë restaurimin e mureve dhe kullave të kalasë, përmirësimin e aksesit dhe elementëve të sigurisë, kërkime të detajuara arkeologjike, zhvillimin e një sistemi interpretimi interaktiv multimedial si dhe ndërtimin e një qendre për vizitorët.

Ky projekt u realizua në kuadër të programit EU4Culture, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatuar nga UNOPS, në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Zyra e BE-së fton qytetarët dhe vizitorët të ndjekin informacione të mëtejshme mbi këtë sit kulturor të rëndësishëm.

Kalaja e Bashtovës
1 nga 5

/a.f//r.e/

The post Përfundon restaurimi i Kalasë së Bashtovës me mbështetjen e BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Merz: Njohja diplomatike e talebanëve nuk është në axhendë

18 July 2025 at 16:29

BERLIN, 18 korrik /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Friedrich Merz ka hedhur poshtë zërat se qeveria e tij po përgatitet të njohë zyrtarisht talebanët në Afganistan.

“Njohja diplomatike e regjimit taleban nuk është fare në axhendë. Nuk mund të ketë diçka të tillë”, u tha Merz sot gazetarëve në Berlin – në konferencën e tij të parë për shtyp gjatë verës si udhëheqës.

Deklarata e Merz erdhi pas deportimit të afganëve – që kur qeveria e tij e koalicionit mori detyrën.

Ai tha se kishte pasur vetëm të ashtuquajturat “kontakte teknike” që përfshinin emiratin e Gjirit të Katarit për t’u përgatitur për deportimin.

“Negociatat rreth avionit, i cili u nis sot në mëngjes  nga Leipzig me 81 afganë në bord drejt Kabulit – ishin zhvilluar prej shumë javësh nga disa qeveritarë federale”, tha Merz.

Gjermania nuk e njeh qeverinë de facto në Afganistan, por nuk i ka ndërprerë kurrë marrëdhëniet diplomatike me vendin.

“Meqenëse ekzistojnë marrëdhënie diplomatike midis shteteve dhe jo midis qeverive, pati një mundësi për të zhvilluar bisedime dhe koordinimi teknik do të vazhdojë për momentin”, shtoi Merz.

Merz falënderoi shprehimisht Emirin e Katarit për ndihmën e tij në lehtësimin e fluturimit të parë si pjesë e deportimit të afganëve.

Avioni mbante njerëz të dënuar për vepra penale që nuk kanë më status qëndrimi në Gjermani.

“Të gjitha kërkesat për azil ishin refuzuar pa mundësi apelimi të mëtejshëm”, theksoi Merz.

Qeveria gjermane nuk ka marrëdhënie zyrtare me talebanët, të cilët janë të izoluar ndërkombëtarisht për shkak të shpërfilljes së të drejtave të njeriut, veçanërisht të drejtave të grave. //a.i/

The post BERLIN – Merz: Njohja diplomatike e talebanëve nuk është në axhendë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Komandanti i NATO-s për Transformim në Tiranë, në fokus siguria dhe teknologjia

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Komandanti i Komandës së Aleancës për Transformim (ACT), admirali Pierre Vandier, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, me ftesë të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), gjenerallejtnant Arben Kingji.

Gjatë takimit të zhvilluar në Tiranë, gjenerallejtnant Kingji shprehu mirënjohjen për rolin e Komandës së Aleancës për Transformim dhe lidershipin e admirali Vandier në nxitjen e inovacionit dhe përshtatjes së Aleancës me sfidat bashkëkohore të sigurisë. Ai vlerësoi përpjekjet e ACT në ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme për të përballuar fushëbetejat e së ardhmes.

Admiral Vandier informoi gjenerallejtnant Kingji mbi iniciativat aktuale të Komandës së Aleancës për Transformim, të cilat synojnë të adresojnë sfidat në rritje të sigurisë, përmes përdorimit të teknologjisë për zgjidhje efektive dhe operacionale me kosto të ulët.

Në këtë kuadër, ai theksoi rëndësinë e mësimeve të nxjerra nga lufta në Ukrainë, duke nënvizuar domosdoshmërinë e integrimit të tyre në stërvitje dhe në sistemin e arsimit ushtarak. Një rol kyç në këtë drejtim luan Qendra e Përbashkët NATO-Ukrainë për Analizë, Trajnim dhe Edukim (JATEC), me seli në Poloni.

Gjatë vizitës së tij në vendin tonë, admirali Pierre Vandier u prit gjithashtu nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dhe nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu.

Gjenerallejtnant Kingji siguroi se Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e ACT për zhvillimin e kapaciteteve moderne dhe efikase.

Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë kontribuojnë me personel në Komandën e Aleancës për Transformim, me seli në SHBA, dhe marrin pjesë në grupe pune që synojnë zhvillimin e kapaciteteve përmes teknologjisë dhe qasjeve novatore.

/r.e//a.f/

The post Komandanti i NATO-s për Transformim në Tiranë, në fokus siguria dhe teknologjia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“AI Albania 2030”, Rama: Hartojmë draftprogramin me përfaqësues të sektorit

TIRANË, 18 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ftoi sot përfaqësuesit e sektorit të teknologjisë dhe inovacionit që të hartojnë draftprogramin “AI Albania 2030”, se ku do të jetë Shqipëria me inteligjencën artificiale në vitin 2030.

Duke folur mbi konkluzionet pas takimit maratonë në Berat me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit dhe startup-eve, Rama tha se të gjithë ata që janë në  këtë sektor dhe duan të japin kontributin e tyre mund të ofrojnë draftprogramin e “AI Albania 2030”.

“Mund të na e prezantojnë, ta diskutojmë dhe miratojmë dhe ta çojmë në parlament, duke e shndërruar në program pune të qeverisë në bashkëpunim me ju”, tha Rama, ndërsa informoi edhe mbi mbajtjen e një Kuvendi të përbashkët të paktën një herë në katër muaj për të gjitha problematikat dhe risitë e sektorit.

“Ministrin e Shtetit për Inteligjencën artificiale do ta zgjedhim me pjesëmarrjen tuaj nëse do të arrini të krijoni model të IA që të zgjedhë ministrin. Ky do jetë hapi i parë drejt momentit historik kur Shqipëria do jetë e para që të ketë qeverinë të tërën me ministra e kryeministër me inteligjencë artificiale. Aty do kalojmë në nivel tjetër, do punojë IA dhe gjithë ne të tjerët do bëjmë muhabet për politikën pa pasur mundësi të marrim asnjë vendim”, iu drejtua Rama të pranishmëve.

Ndërkohë, Kryeministri bëri të ditur se “ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin si dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit do të angazhohen për të hartuar marrëveshjen kuadër mes qeverisë dhe sektorit të teknologjisë dhe inovacionit”.

Kryeministri shtoi se “duhet të hapim një kapitull të ri duke siguruar akses në gjithë strukturat e qeverisë për të pasur të mundur që të keni bazën e nevojshme të të gjitha të dhënave”.

“Kjo për të ndërtuar proceset që pastaj do të sjellin modele të inteligjencës artificiale që do të na shërbejnë ne për t’i shërbyer publikut dhe ju për punën tuaj, si dhe për promovimin e produkteve tona”, shtoi ai.

Rama vlerësoi veçanërisht përpjekjet që po bën ky sektor për të përfituar nga afrimi dhe anëtarësimi në BE.

“Organizata e krijuar brenda sektorit me një numër të konsiderueshëm anëtarësh po bën një punë domethënëse për të marrë gjithë ekspertizën e duhur që të marrë përfitime nga fondet e BE-së, duke paraqitur projekte të besueshme”, tha Rama.

Sipas tij, “ky është një shembull fantastik për të gjithë sektorin privat”.

Po ashtu, kryeministri theksoi se në muajin shtator në Tiranë do arrijmë t’i japim botës së arkitekturës bashkëkohore një inovacion që vjen nga një start up shqiptarësh dhe që do të ndryshojë shumë mënyrën se si funksionon gjithë sektori dhe studiot e arkitekturës botërisht.

“Me shumë gëzim dhe shumë përgjegjësi do të angazhohem personalisht dhe me strukturat përkatëse për të parë nëse mund të ndërtojmë në Shqipëri me këtë teknologji të re të propozuar nga start up-i në fjalë muzeun e parë tërësisht me inteligjencë artificiale”, tha Rama.

/j.p/r.e/

The post “AI Albania 2030”, Rama: Hartojmë draftprogramin me përfaqësues të sektorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Policia arreston një libian të dyshuar për krime lufte

18 July 2025 at 15:55

POTSDAM, 18 korrik /ATSH-DPA/ – Policia federale në Gjermani ka arrestuar një shtetas libian, i cili kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë.

”I dyshuari u ndalua në aeroportin e Berlin Brandenburgut pas një kërkese nga Gjykata Ndërkombëtare Penale”, tha  sot një zëdhënës i zyrës së prokurorit Publik të Brandenburgut.

Gjykata në Hagë konfirmoi arrestimin.

Khaled Mohamed Ali El Hishri dyshohet për krime të rënda lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasje, tortura dhe përdhunim.

Gjykata tha se Ali dyshohet se ka qenë anëtar i administratës së burgut ”Mitiga”, ku, sipas aktakuzës, mbaheshin mijëra të burgosur.

Ai ka keqtrajtuar personalisht të burgosurit midis viteve 2015 dhe 2020 ose se ka dhënë urdhra për ta bërë këtë.

I dyshuari  aktualisht ndodhet  ende në Gjermani dhe do të transferohet në Gjykatën e Hagës./  /Ad.Ab./

The post GJERMANI – Policia arreston një libian të dyshuar për krime lufte appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Po finalizojmë ligjin bazë për inovacionin

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, mori pjesë në takimin që zhvilloi sot në Berat, Kryeministri Edi Rama me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit dhe start up-eve, ku u diskutua mbi rrugën e bërë dhe sfidat për “Shqipërinë 2030” në Bashkimin Europian.

Duke marrë fjalën Gonxhja tha se, “për MEKI-n mbetet prioritet zhvillimi i mëtejshëm i ekosistemit të inovacionit në vend, duke nxitur bashkëpunimin ndërmjet institucioneve publike, sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtarë, për një mjedis sa më të qëndrueshëm dhe konkurrues”.

Spas tij, forcimi i infrastrukturës ligjore dhe institucionale, mbështetja për sipërmarrjet inovative dhe përfshirja në rrjetet europiane janë shtyllat ku mbështetemi për ta çuar përpara këtë mision.

Ai theksoi se, “nevoja për një qasje gjithëpërfshirëse, me një strategji të qartë, një buxhet të dedikuar dhe një mekanizëm të vetëm monitorimi, mbetet thelbësore për të garantuar koherencë ndërinstitucionale dhe për t’i dhënë inovacionit vendin që i takon në zhvillimin e vendit”.

“Në këtë kuadër, po finalizojmë ligjin bazë për inovacionin, i cili vendos rregulla të qarta për funksionimin e ekosistemit, ndërsa ligjet për byrotë e kreditit dhe për crowdfunding synojnë të lehtësojnë aksesin në financim për individët dhe bizneset, duke nxitur sipërmarrjen dhe transformimin teknologjik”, u shpreh Gonxhja. /j.p/

The post Gonxhja: Po finalizojmë ligjin bazë për inovacionin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Shtohen hapësirat e plazheve publike në bregdetin e Durrësit


TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Dyfishimi i hapësirave publike në plazhet e Durrësit ka shtuar përgjegjësitë e institucioneve vendore për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga aksioni për lirimin e plazheve publike në zonën e Shkëmbit të Kavajës.

“Shtohen hapësirat e plazheve publike në bregdetin e Durrësit, duke u ofruar qytetarëve dhe turistëve më shumë akses përgjatë pushimeve verore”, u shpreh kryeministri krahas videos.

Prej datës 15 qershor ka nisur operacioni “Plazhe të Pastra”, përmes të cilit Agjencia Kombëtare e Bregdetit mbështet 8 bashki bregdetare në pastrimin e plazheve, përfshi edhe Durrësin.

Nisur nga fakti se Durrësi ka një vijë bregdetare mjaft të gjatë këtë vit plazhet publike janë konceptuar të ndërprera me ato private, me qëllim që pushuesit të kenë mundësi t’i aksesojnë në segmente të ndryshme.

Po ashtu Bashkia ka pajisur të gjitha këto hapësira me sinjalistikën e duhur në terren.

/m.m/j.p/

The post Rama: Shtohen hapësirat e plazheve publike në bregdetin e Durrësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Strehim dinjitoz për 29 familje në nevojë në Roskovec

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Enti Kombëtar i Banesave, në bashkëpunim me Bashkinë Roskovec, po finalizon ndërtimin e një objekti strehimi social që do t’u ofrojë strehim të sigurt dhe dinjitoz 29 familjeve në nevojë.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjete sociale pamje nga godina e re, që përfshin 2400 m² ndërtim, 6 kate banimi me 29 apartamente të tipit 1+1 dhe 2+1, të ndërtuara me standarde bashkëkohore.

Ky investim është realizuar me fondet e vetë Entit Kombëtar të Banesave.

Gonxhja tha se, punimet janë drejt përfundimit dhe objekti është pothuajse gati për t’u dorëzuar tek familjet përfituese.

Ai e cilësoi këtë një tjetër shembull konkret i bashkëpunimit me pushtetin vendor, në funksion të mbështetjes sociale dhe strehimit të familjeve në nevojë. /j.p/

The post Gonxhja: Strehim dinjitoz për 29 familje në nevojë në Roskovec appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga aleanca tek interesi – Kosova si destinacion i investimeve amerikane

PRISHTINË, 18 korrik/ATSH/ Energjia, mbrojtja dhe inovacioni digjital janë sektorë ku bashkëpunimi Kosovë-SHBA mund të sjellë përfitime të ndërsjella, por vetëm atëherë kur Kosova t’i mirorganizojë proceset e saj të brendshme.

Ekspertët e çështjeve ekonomike shpjegojnë se një mjedis ligjor dhe ekonomik i qëndrueshëm, larg burokracisë dhe papërgjegjshmërisë, është thelbësor për të tërhequr investitorët amerikanë dhe për të garantuar mbrojtjen e tyre.

Kjo qasje duket se përkon edhe me një orientim të ri të Kosovës – së paku sipas deklaratave të presidentes Vjosa Osmani.

Gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara javën e kaluar, ajo ka thënë se Kosova është shumë e interesuar për një lloj të ri marrëdhënieje me SHBA-në, që do të bazohet më shumë në interesat ekonomike, dhe ka veçuar energjinë, mbrojtjen dhe teknologjinë informative si fusha kyçe për zhvillim të përbashkët.

Pas kthimit, ajo ka thënë se ka marrë konfirmimin se Shtetet e Bashkuara e shohin Kosovën si një aleate strategjike.

Ambasada amerikane në Prishtinë nuk iu përgjigj interesimit të Radios Evropa e Lirë për të shpjeguar se ku e sheh SHBA-ja potencialin më të madh për rritjen e bashkëpunimit ekonomik me Kosovën.

Por, sipas Arian Zekës, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, mundësitë kryesore janë në mbrojtje dhe siguri, në ndërtimin e infrastrukturës së gazit për uljen e kostove të energjisë dhe në zhvillimin e ekonomisë digjitale, përfshirë sigurinë kibernetike dhe inteligjencën artificiale.

Midis potencialit dhe pengesave

Ai numëron disa arsye që, siç thotë, e bëjnë Kosovën partnere të rëndësishme strategjike për SHBA-në dhe destinacion tërheqës për investime – mes tyre: pozicioni gjeografik i Kosovës, fuqia e saj punëtore e re dhe e arsimuar dhe politikat fiskale konkurruese.

Por, përkundër këtij potenciali, ka edhe pengesa serioze që mund ta frenojnë interesimin e investitorëve amerikanë.

Zeka thekson se reformat duhet të vazhdojnë, pasi institucionet e vendit janë ende të reja dhe korniza ligjore mbetet e brishtë.

Kjo, sipas tij, shpesh shkakton vendimmarrje të pasaktë ose të ngadaltë, ndërkohë që mjedisi global ndryshon me shpejtësi.

“Kosova duhet të angazhohet më tej në forcimin e sundimit të ligjit, në shmangien e veprimeve që mund të rrisin paparashikueshmërinë juridike, si dhe në rritjen e mbrojtjes së investitorëve, përmes përmirësimit të efikasitetit të gjykatave”, thotë Zeka për Radion Evropa e Lirë.

Në një linjë të ngjashme, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, shpreh shqetësim se pa reforma të thella – në sundimin e ligjit, arsim, shëndetësi dhe fusha të tjera – besimi i investitorëve amerikanë do të mbetet i vakët.

Ai thekson gjithashtu se diplomacia ekonomike – si promovim aktiv i interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare – është thelbësore për të tërhequr investime dhe për të fituar besimin e partnerëve të huaj.

“Politika duhet të bashkëpunojë me Departamentin amerikan të Shtetit dhe me Shtëpinë e Bardhë, duhet ta rregullojmë imazhin e vendit, të dëshmojmë se Kosova nuk është shtet problematik në Ballkan, por shtet i stabilitetit”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.

Përplasje narrativësh

Këtë muaj, dy institucione të rëndësishme financiare, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, e hoqën Kosovën nga Lista e Shteteve në Situatë të Brishtësisë dhe Konfliktit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi këtë si rezultat të “punës së vazhdueshme dhe të përkushtuar” të qeverisë së tij gjatë katër vjetëve të fundit.

Ekspertët nuk janë dakord me këtë narrativ.

Ata theksojnë se, në disa raste, vetë autoritetet kanë rritur pasigurinë dhe kanë tensionuar klimën e brendshme – “me deklarata të pamatura se do të sulmohemi nga Serbia”, siç shprehet Rafuna.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Lekë Musa, kujton se Qeveria e Kurtit – aktualisht në detyrë – ka refuzuar një projekt për infrastrukturën e gazit në vitin 2021, të financuar nga Qeveria amerikane, me arsyetimin se nuk ishte i favorshëm ekonomikisht.

Ai thotë se Kosova duhet të ketë një qeverisje më dinamike dhe një treg më të hapur, me më pak burokraci dhe më shumë pragmatizëm në qasjen ndaj investitorëve – “pa iluzione se ata do të vijnë vetë”.

“Kosova nuk mund t’i ofrojë shumë SHBA-së. Ajo çfarë mund të bëjë është që, sa herë të ketë një propozim të caktuar – siç ishte rasti me projektin e gazsjellësit – ai nuk duhet lëshuar, por duhet materializuar”, thotë Musa për Radion Evropa e Lirë.

Me heqjen e Kosovës nga Lista e Shteteve në Situatë të Brishtësisë dhe Konfliktit, Banka Qendrore e vendit (BQK) parashikon rritje të besimit të investitorëve dhe përmirësim të perceptimit për stabilitetin institucional dhe ekonomik të saj.

Investimet e huaja në Kosovë kanë shënuar rritje, duke arritur në mbi 856 milionë euro vitin e kaluar, nga 840 milionë euro në vitin paraprak, sipas Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve.

Brenda këtij totali, investimet nga Shtetet e Bashkuara kanë qenë rreth 87 milionë euro.

Por, sipas ekspertëve, pjesa dërrmuese e tyre është e përqendruar në sektorin e patundshmërisë, e jo në degë që krijojnë vende të reja pune apo nxisin zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat e Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve, sipas të cilave, vitin e kaluar, mbi 647 milionë euro janë investuar në patundshmëri, ndërsa vetëm 21 milionë në sektorin e prodhimit.

Mes angazhimit amerikan dhe detyrimeve politike

Me Shtetet e Bashkuara, Kosova ka një shkëmbim tregtar prej miliona eurosh në vit.

Sipas Doganës së Kosovës, gjatë vitit 2024, importet nga ky vend kapën vlerën mbi 106 milionë euro, ndërsa eksportet ishin dukshëm më të ulëta – rreth 39 milionë euro.

Pavarësisht këtij çekuilibri tregtar, SHBA-ja mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës që nga fundi i viteve ‘90 – e angazhuar në forcimin e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik, ndërtimin e institucioneve të sigurisë dhe integrimin euroatlantik.

Deri më sot, ndihma amerikane për Kosovën ka kaluar 2 miliardë dollarë.

Ekspertët theksojnë rëndësinë që Kosova të jetë në harmoni me strategjinë globale të SHBA-së, duke e konsideruar çdo hap drejt bashkëpunimit si një investim në sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.

Në këtë kontekst, Zeka thotë se mungesa e normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë vazhdon ta rëndojë imazhin e Kosovës dhe të pengojë tërheqjen e investimeve të huaja, ndaj thekson se trajtimi serioz i dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve duhet të jenë përparësi – ashtu siç kërkohet vazhdimisht edhe nga SHBA-ja.

“Oda Ekonomike Amerikane, në jo pak raste, ka bërë thirrje që negociatat me fqinjin verior të trajtohen me prioritet, ashtu që të mund të arrihet normalizimi i plotë – sa më shpejt që të jetë e mundur”, thotë ai.

Paqartësi për investimet nga diaspora në Kosovë

Diplomati amerikan, Daniel Fried, e sheh njësoj sfidën e normalizimit, por thotë se Kosova nuk duhet të presë përmbylljen e këtij procesi për të forcuar bashkëpunimin ekonomik me SHBA-në – progresi mund dhe duhet të bëhet paralelisht në fusha të tjera, sipas tij.

“Nuk e di se çfarë marrëveshjesh biznesi mund të ketë, por mendoj se një qasje agresive nga ana e Kosovës për zhvillimin e mundësive të biznesit, mund të funksionojë. Dhe, pastaj, kur ke disa rezultate, i promovon ato dhe tregon se Kosova është një vend i mirë për të bërë biznes”, thotë Fried për Radion Evropa e Lirë.

Me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, Kosova dhe Serbia kanë arritur në vitin 2020 një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit.

Shumë pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë zbatuar ende dhe Zeka thekson se injorimi i dispozitave për financimin e projekteve strategjike nga institucionet financiare amerikane, është një mundësi e humbur.

Ai shton se do të dëshironte të shihte një qasje më dinamike nga Qeveria e Kosovës, që fillon me heqjen e detyrimeve doganore për produktet amerikane dhe vazhdon me një ofertë më kreative dhe tërheqëse për investitorët nga SHBA-ja.

Po ashtu, përkushtimi i palëkundur ndaj sundimit të ligjit duhet të jetë prioriteti më i lartë i çdo qeverie.

“Ky do të ishte mesazhi më i mirë që vendi do të mund t’ua dërgonte investitorëve”, përfundon Zeka. /rel/

The post Nga aleanca tek interesi – Kosova si destinacion i investimeve amerikane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rritja e sigurisë në sezonin turistik, patrullime shqiptaro-italiane në zonën bregdetare të Durrësit

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda dhe ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti zhvilluan sot një vizitë në Durrës, ku takuan patrullat e përbashkëta shqiptaro-italiane që operojnë në zonën bregdetare.

Patrullimet e përbashkëta, tashmë një traditë partneriteti dhe miqësie, si dhe model bashkëpunimi, kanë si qëllim rritjen e sigurisë publike në pikat me fluks turistësh.

Po ashtu synohet forcimi i bashkëpunimit policor ndërkombëtar në shërbim të qytetarëve, krijimi i një klime të sigurt për pushuesit italianë që zgjedhin Shqipërinë si destinacion dhe lehtësimi i komunikimit me vizitorët dhe turistët e huaj.

Nisja e patrullimeve u përshëndet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, dhe nga Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, të cilët u shoqëruan gjatë vizitës në Durrës nga Eksperti i Sigurisë pranë Ambasadës Italiane në Tiranë, Salvatore Gava, dhe nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës Vilson Bala.

Gjatë fjalës përshëndetëse, Proda u shpreh se “siguria është pasaporta e imazhit të vendit tonë dhe, në këtë drejtim, prania juaj në terren është një mesazh i qartë: Shqipëria është e sigurt, mikpritëse dhe e hapur”.

“Patrullimi i përbashkët është një model i suksesshëm i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe një garanci konkrete për sigurinë e qytetarëve dhe turistëve”, shtoi ai.

Ndërkaq, ambasadori italian falënderoi Policinë e Shtetit për punën e përbashkët. “Ky bashkëpunim nuk është i njëanshëm. Gra dhe burra të Policisë shqiptare do të jenë së shpejti të pranishëm në Itali, pasi qëllimi ynë është të intensifikojmë shkëmbimin e aftësive dhe eksperiencave profesionale mes dy policive”, shtoi ai.

Në përfundim të vizitës, Proda garantoi ambasadorin se Policia e Shtetit do të vijojë të forcojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, jo vetëm gjatë sezonit turistik, por edhe përballë sfidave të përbashkëta në fushën e rendit dhe sigurisë.

/m.m/j.p/

The post Rritja e sigurisë në sezonin turistik, patrullime shqiptaro-italiane në zonën bregdetare të Durrësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Pazari i Humbur i Shkodrës: Ringjallja e një Kujtese”, vizita e parë për bashkëpunëtorët

18 July 2025 at 14:16

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ndau me publikun imazhe nga “vernissage” i ekspozitës “Pazari i Humbur i Shkodrës: Ringjallja e një Kujtese”.

Vernissage janë vizitat private në një galeri përpara hapjes së një ekspozite ndaj publikut të gjerë.

Kuratorja Kim Knoppers shoqëroi përfaqësues të institucioneve bashkëpunëtore në ekspozitë: Néprajzi Múzeum, Ambasada e Hungarisë në Tiranë, Ambasada e Holandës në Shqipëri, Bashkia Shkodër etj.

Mbas fjalëve përshëndetësë të drejtorit të Muzeut të Etnografisë së Budapestit, dr. Lajos Kemecsi, Ambasadores së Hungarisë në Tiranë, Martina Kasnyik, Ambasadorit të Holandës në Tiranë, Reinout Vos, dizajnerit të tekstileve, Jozef Martini, kuratorja Kim Knoppers i shoqëroi të pranishmit në një shëtitje vizuale në Pazarin e Vjetër të Shkodrës.

Ekspozita “Pazari i Humbur i Shkodrës: Ringjallja e një Kujtese” u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ajo sjell për herë të parë në Shkodër koleksionin e Palokë Lacës, një tregtar i hershëm i Shkodrës, artefaktet e të cilit gjenden të ruajtura në arkivën e Muzeut të Etnografisë së Budapestit. Një hapësirë e veçantë i dedikohet edhe dizajnerit të tekstileve Jozef Martini, me punimet e tij në jacquard, që sjellin një qasje bashkëkohore ndaj motiveve tradicionale shkodrane.

The post “Pazari i Humbur i Shkodrës: Ringjallja e një Kujtese”, vizita e parë për bashkëpunëtorët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ritëm i paprecedent në negociatat e pranimit në BE


TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë në negociatat për anëtarësim në BE, ku arritjet e muajve të fundit kanë ecur me një ritëm të paprecedent, me objektivin për të arritur përmbylljen e kapitujve deri në vitin 2027.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale fjalën e mbajtur javën e kaluar në Parlamentin Evropian nga komisionerja Kos e cila konfirmon se “negociatat e pranimit midis Shqipërisë dhe BE-së po përparojnë me një ritëm të paprecedent”.

“Negociatat e pranimit midis Shqipërisë dhe BE-së po përparojnë me një ritëm të paprecedent, siç dëgjuam, me disa momente kyçe të përmbushura tashmë në muajt e fundit si dhe me të tjera që priten”, vlerësoi komisionerja Kos.

Komisionerja evropiane për Zgjerimin u shpreh se “Shqipëria është angazhuar seriozisht në procesin e zgjerimit, ndërsa BE-ja po i përmbush premtimet duke respektuar qasjen e bazuar në meritë”.

“Ne vazhdojmë të mbajmë një fokus shumë të fortë në reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit. Pritet që  Shqipëria të konsolidojë më tej progresin shumë të mirë në këtë fushë”, shtoi ajo.

Progresi i shpejtë në negociatat e pranimit, sipas komisioneres Kos, “është një sinjal i qartë se ne qëndrojmë pranë Shqipërisë dhe jemi vërtet të përkushtuar për të shënuar një rrugë të qartë për anëtarësimin në BE”.

“Zgjerimi është projekt i gjithë shoqërisë dhe do të nevojitet një pjesëmarrje e plotë e gjithë shoqërisë shqiptare për të arritur qëllimin ambicioz, por realist të Shqipërisë për të mbyllur të gjithë kapitujt negociues deri në fund të vitit 2027”, shtoi ajo.

/m.m/j.p/

 

 

The post Rama: Ritëm i paprecedent në negociatat e pranimit në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Traktati i Komunitetit të Energjisë, Balluku: Shqipëria po zhvillohet drejt energjisë së rinovueshme

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Zëvendëskryeministrja njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku po merr pjesë në takimin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë që mbahet në Athinë.

Përmes një videomesazhi në rrjete sociale, Balluku tha se “Traktati i Komunitetit të Energjisë, u krijua 20 vite më parë duke u kthyer në një platformë vitale për të gjitha vendet partnere”, teksa vuri në dukje se në këto 5 vitet e fundit, TKE për Shqipërinë u kthyer në një udhërrëfyes.

“Traktati i Komunitetit të Energjisë, u kthye në një tryezë ku ne arritëm të adresonim të gjithë problematikat, sidomos ato të bashkëpunimit rajonal, aty ku ne arritëm që të vinim më afër kërkesave të Bashkimit Europian, të kishim një zë për t’i diskutuar dhe përmes Sekretariatit të Energjisë t’i çonim këto problematika pikërisht në Bruksel”, u shpreh Balluku.

Ajo vuri në dukje se, “në takimin që po mbahet në Athinë, do të bisedojmë për të ardhmen e këtij Traktati, por nga ana tjetër edhe për të ardhmen e të gjithë sektorit energjetik në Ballkanin Perëndimor”, teksa shprehu besimin se detyra që ka kryer deri më tash Sekretariati i Energjisë do të jetë po aq e rëndësishme edhe në të ardhmen.

Balluku theksoi se, “sot kur flitet për energjinë si një nga çështjet më të rëndësishme gjeopolitike, sot kur Europa është duke luftuar për të ruajtur kapacitetet e saj, sidomos për të krijuar kapacitete të tjera të energjisë së rinovueshme, padyshim Shqipëria ka shumë për të thënë, ka shumë për të bërë dhe për të ndihmuar edhe shtetet e tjera të cilat janë pjesë e Ballkanit Perëndimor”.

Por mbi të gjitha, nënvizoi ajo, ne sot ndodhemi në tryezën e negociatave dhe në atë tryezë negociatash roli i Sekretariatit të Energjisë është jetësor.

Ajo tha se Shqipëria synon të zhvillohet drejt energjisë së rinovueshme.

“Është një rol i cili nuk mund të zëvendësohet dhe mbi të gjitha ne sot jemi duke bashkëpunuar për të ndryshuar edhe ato kuadre rregullatore të cilat do të na përafrojnë me ligjet e sektorit europian, por nga ana tjetër do të na ndihmojnë edhe për të përmbushur të gjitha ato kërkesa që ka agjenda e gjelbër”, tha Balluku.

“Unë uroj shumë në këtë 20-vjetor që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të gjejnë rrugën e tyre sa më të lehtë drejt sigurimit të energjisë, nga ana tjetër sidomos përsa i përket pjesës së interkonjektivitetit që është një çështje e rëndësishme që diskutohet në tavolinat tona, por që nga ana tjetër duhet të bëjmë më shumë, ashtu siç Shqipëria tashmë është e lidhur me Maqedoninë e Veriut, me Greqinë dhe jemi duke punuar intensivisht për një lidhje nën ujore me Italinë”, deklaroi Balluku, teksa falënderoi Komisionin Europian, Komisionerin Europian për Energjinë dhe Sekretariatin e Energjisë për të gjithë punën e bërë në gjithë këto vite dhe të gjithë mbështetjen që na kanë dhënë. e.xh/j.p/

 

The post Traktati i Komunitetit të Energjisë, Balluku: Shqipëria po zhvillohet drejt energjisë së rinovueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Malaj me tregtarë të pakicës: Siguroni faturë tatimore për çdo produkt

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë vizitës që zhvilloi në dy biznese të shitjes me pakicë të mallrave të bulmetit dhe mishit në qytetin e Lushnjës, theksoi rëndësinë që çdo produkt që shesin duhet ta shoqërojnë me faturë tatimore.

Gjatë bisedës me përfaqësuesit e këtyre bizneseve, Malaj tha se tregtimi i këtyre produkteve përmes shoqërimit me faturë fiskale, shërben jo vetëm për formalizimin e tregut, por edhe për garantimin e sigurisë ushqimore për konsumatorët.

“Është shumë e rëndësishme që të kuptohet nga të gjithë tregtarët e pakicës që çdo produkt që ata tregtojnë, qofshin këto produkte të bulmetit, qofshin këto produkte apo nënprodukte të mishit, do të duhet të jenë të shoqëruara me një faturë fiskale. Kjo jo vetëm në kuadër të formalizimit të tregut, por edhe në kuadër të sigurisë ushqimore”, u shpreh ministri.

Ai theksoi se, “duhet të kuptohet që nëpërmjet faturës ne jemi në gjendje të bëjmë një gjurmueshmëri të produktit nga ferma, te tregtari e deri te tryeza e konsumatorëve”.

“Ju bëj thirrje të gjithë tregtarëve me pakicë që të fillojnë dhe të sigurojnë faturat e tyre të blerjeve për çdo mall që ata blejnë, në mënyrë që jo vetëm të formalizojnë aktivitetin e tyre, por nga ana tjetër edhe të sigurojnë dhe të garantojnë sigurinë ushqimore për konsumatorët shqiptarë”, u shpreh Malaj.

Ministri i Financave theksoi se “të gjitha subjektet e tregtimit me pakicë duhet të ndërgjegjësohen mbi detyrimet ligjore, të cilat duhet të zbatohen në mënyrë të drejtë”. /j.p/

The post Malaj me tregtarë të pakicës: Siguroni faturë tatimore për çdo produkt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – DASH u kërkon ambasadave amerikane të frenojnë komentet ndaj zgjedhjeve në vendet e huaja

18 July 2025 at 14:00

UASHINGTON, 18 korrik /ATSH/ – Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) po tërhiqet nga komentet apo kritikat për zgjedhje të ndryshme jashtë SHBA-së, përveç se kur ka një interes të qartë dhe bindës të politikës së jashtme amerikane për ta bërë këtë, sipas AP.

Në udhëzimet e reja të lëshuara dje në mbrëmje për të gjitha ambasadat dhe konsullatat e SHBA-së jashtë vendit, DASH-i tha se këto zyra duhet të përmbahen nga lëshimi i deklaratave që përmendin ndonjë ideologji të veçantë dhe se ajo që mund të thonë duhet të jetë në përputhje me qëndrimin e deklaruar të presidentit Donald Trump se ”SHBA-ja do të respektojë sovranitetin e të gjitha kombeve të huaja”.

“Në përputhje me theksin e administratës mbi sovranitetin kombëtar, departamenti do të komentojë publikisht mbi zgjedhjet vetëm kur ka një interes të qartë dhe bindës të politikës së jashtme të SHBA-së për ta bërë këtë”, sipas kabllogramit, një kopje e të cilit u pa nga Associated Press.

Për shume dekada, Departamenti i Shtetit ka lëshuar deklarata shumë kritike ose ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e zgjedhjeve të caktuara, veçanërisht në vendet autoritare.

Kjo po ndryshon, pasi administrata Trump ka theksuar një qasje të politikës së jashtme “Amerika e para” të përqendruar në interesat e SHBA-së.

”Kur është e përshtatshme të komentojmë për zgjedhjet e huaja, mesazhi ynë duhet të jetë i shkurtër, i përqendruar në përgëzimin e kandidatit fitues dhe, kur është e përshtatshme, në shënimin e interesave të përbashkëta të politikës së jashtme”, thuhej në kabllogram.

Në dokument, i cili u nënshkrua nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio dhe u raportua për herë të parë nga ”Wall Street Journal”, theksohej se ”mesazhet duhet të shmangin shprehjen e mendimeve mbi drejtësinë ose integritetin e një procesi zgjedhor, legjitimitetin e tij ose vlerat demokratike të vendit në fjalë”.

Në të kaluarën, komentet amerikane që vinin në pikëpyetje ose kritikonin zgjedhjet brenda vendit shpesh kanë mbështetur gjetjet nga grupe të ndryshme të monitorimit të zgjedhjeve, të tilla si Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ose institucione me bazë në SHBA si qendra ”Carter”, Instituti Kombëtar Demokrat dhe Instituti Ndërkombëtar Republikan.

Kabllogrami i Departamentit të Shtetit tha se amplifikimi i gjetjeve të grupeve të jashtme ose denoncimi i parregullsive zgjedhore mund të bëhet vetëm me lejen e zyrtarëve të lartë në Uashington./   /Ad.Ab./

The post SHBA – DASH u kërkon ambasadave amerikane të frenojnë komentet ndaj zgjedhjeve në vendet e huaja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Merz: Duhet ta pranojmë Brexit-in, pavarësisht dëshirave

18 July 2025 at 13:44

LONDËR, 18 korrik /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz deklaroi se do të kishte votuar ”jo” në referendumin e Brexit-it nëse do të ishte britanik, por, sipas tij, duhet ta pranojmë që Britania e Madhe nuk është më pjesë e Bashkimit Evropian.

Merz nënshkroi dje një marrëveshje me BM-në e cila premton të ”forcojë sigurinë euroatlantike” dhe gjithashtu mund të lirojë vizitat e shkëmbimit të shkollave dhe portat elektronike të pasaportave.

Marrëveshja, që do të njihet si Traktati i Kensington-it, u nënshkrua me kryeministrin britanik Keir Starmer në muzeun V&A në Londër, dhe u nënshkrua gjithashtu nga sekretari i Jashtëm David Lammy dhe homologu i tij gjerman, Johann Wadephul.

Berlini ra dakord vitin e kaluar ta bënte lehtësimin e kontrabandës së emigrantëve në BM një vepër penale në një veprim që do t’u japë zbatuesve të ligjit më shumë kompetenca për të hetuar furnizimin dhe ruajtjen e anijeve të vogla që do të përdoren për kalimet e kanalit te La Manshit.

”Propozimet që do të nënkuptojnë sekuestrimin e anijeve të vogla janë një shenjë e qartë se ne jemi seriozë”, tha Starmer.

I pyetur nëse i mungon Britania e Madhe në zemër të BE-së, Merz i tha programit “Today” të BBC Radio 4 se “po. Ne kishim të njëjtat mendime në kaq shumë çështje politike, dhe nëse do të isha një britanik, një qytetar britanik, do të kisha votuar për të qëndruar”.

“Por kjo ka ndodhur tani dhe ne duhet ta pranojmë këtë. Ne duhet të punojmë për këtë, dhe kjo është një nga arsyet pse jam këtu sot për të nënshkruar këtë traktat me BM-në dhe Gjermaninë mbi miqësinë dhe bashkëpunimin e ngushtë”, shtoi Merz./  /Ad.Ab./

The post BM – Merz: Duhet ta pranojmë Brexit-in, pavarësisht dëshirave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj: 35% më shumë eksporte bujqësore në sasi, në qershor

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur sot se, eksportet bujqësore gjatë muajit qershor 2025 arritën në 81,778 tonë, duke shënuar një rritje prej 35% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024.

Sipas Denajt, ky rezultat konfirmon ecurinë pozitive të sektorit bujqësor.

“Rritja e prezencës së produkteve shqiptare Made in Albania në tregjet elitare ndërkombëtare na afron gjithnjë e më shumë me objektivin ambicioz prej 1 miliard euro eksporte bujqësore brenda kësaj dekade”, tha ministrja.

Ndër produktet më të kërkuara mbeten produktet e stinës si domate, qepë, karota, rrepa, zarzavate të tjera, si dhe një pjesë e konsiderueshme e frutave. /j.p/

 

The post Denaj: 35% më shumë eksporte bujqësore në sasi, në qershor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pensionet me Italinë, firmoset marrëveshja mbi shkëmbimin elektronik të formularëve

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, Astrit Hado dhe Valeria Vittimberga, drejtoreshë e Përgjithshme e INPS, firmosën sot në Tiranë marrëveshjen teknike për shkëmbimin elektronik të formularëve zbatues, në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Italiane, që ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2025.

Për herë të parë, në marrëveshjen me Italinë, formularët do të shkëmbehen në rrugë elektronike, duke shkurtuar kohën e transmetimit të dokumentacionit për dhënien e përfitimeve.

Kjo marrëveshje synon të lehtësojë dhe përshpejtojë procedurat administrative ndërmjet institucioneve kompetente të sigurimeve shoqërore të të dy vendeve, duke mundësuar shkëmbimin e sigurt dhe efikas të kërkesave për përfitime në të dy vendet, në mënyrë elektronike.

Firmosja e këtij dokumenti përbën një hap tjetër konkret në zbatimin e plotë të marrëveshjes dypalëshe, me qëllim garantimin e të drejtave të qytetarëve që kanë punuar dhe kontribuar si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali. /j.p/

1 nga 4

The post Pensionet me Italinë, firmoset marrëveshja mbi shkëmbimin elektronik të formularëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌