Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 12 July 2025Main stream

Tensionet në Theth/ Boçi dhe Spahia përplasen me policinë: Mos më kap me dorë se ta mbështjell mirë… (VIDEO)

By: V K
12 July 2025 at 15:52

Situata në Theth vijon të jetë e tensionuar, ndërsa operacioni për prishjen e ndërtimeve pa leje po shoqërohet me përplasje mes banorëve, autoriteteve dhe tashmë edhe përfaqësuesve të opozitës.

Këtë të shtunë, deputetët demokratë të qarkut Shkodër, Luçiano Boçi dhe Bardh Spahia, kanë mbërritur në fshatin malor për të mbështetur banorët që kundërshtojnë aksionin e IKMT-së.

Në terren ata janë përplasur me efektivët e policisë, përfshirë edhe drejtues të lartë të këtij institucioni.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Boçi shihet duke debatuar ashpër me një person që identifikohet si drejtori i Policisë së Shkodrës, Fatmir Lleshaj.

“Çfarë drejtori je ti? Ku e ke bexhin”? – dëgjohet t’i thotë ai.

Në një moment tjetër, Boçi iu drejtohet efektivëve me fjalët:Mos më kap me dorë, se ta mbështjell mirë, legen m…, e mendove mirë që më preke”?

Përplasja verbale përfshin dhe ofendime të tjera të drejtpërdrejta ndaj punonjësve të rendit.

Sipas raportimeve nga mediat, sherri ka nisur në momentin kur drejtori i ri i Policisë së Shkodrës, Gentian Berberi, iu është drejtuar deputetëve me fjalët: “Ju tërheq edhe ju zvarrë”, gjë që ka ndezur situatën në vend.

Banorët e Thethit, prej disa ditësh kundërshtojnë prishjen e ndërtimeve pa leje, duke deklaruar se nuk kanë mundur të marrin leje ndërtimi për shkak të mungesës së certifikatave të pronësisë.

Ata kërkojnë zgjidhje institucionale dhe shtyrje të operacionit, por IKMT dhe policia kanë vijuar me ndërhyrjet.

Një ditë më parë, tensionet u përshkallëzuan pasi disa persona hodhën kokteje molotovi ndaj fadromave të IKMT-së dhe dogjën një urë në fshat.

Policia ndërhyri me forca të shtuara dhe sipas pamjeve filmike, efektivët kanë nxjerrë armët për të garantuar vijimin e aksionit.

 

The post Tensionet në Theth/ Boçi dhe Spahia përplasen me policinë: Mos më kap me dorë se ta mbështjell mirë… (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Luizi feston ditëlindjen mes dashurisë më të madhe të jetës së tij: Gjithçka që kam ëndërruar (FOTO)

By: V K
12 July 2025 at 15:34

Këngëtari i njohur dhe shumë për publikun, Luiz Ejlli, ka ndarë me ndjekësit një nga momentet më të ndjeshme dhe të veçanta të jetës së tij: ditëlindjen pranë familjes që e ka quajtur gjithmonë “ëndrra e bërë realitet”.

Në një foto ku shihet krah partneres Kiara Tito dhe vajzës së tij, të tre të veshur në të bardha, këngëtari ka shprehur mirënjohjen për gjithçka që ka në këtë fazë të jetës.

“M`u deshën plot 40 vite që të kisha gjithçka që kam ëndërruar”, shkruan Luizi krahas imazhit plot ngrohtësi.

Postimi është pritur me një sërë urimesh, komente pozitive dhe dashuri nga ndjekësit, të cilët e kanë shoqëruar këtë ditë të veçantë me fjalë të ndjera.

The post Luizi feston ditëlindjen mes dashurisë më të madhe të jetës së tij: Gjithçka që kam ëndërruar (FOTO) appeared first on Albeu.com.

Rama: Stop qumështit, mishit dhe prodhimeve të bulmetit pa faturë, nga java e ardhshme do të sekuestrohen…

By: V K
12 July 2025 at 15:24

Kryeministri i vendit Edi Rama, shprehet se produktet e bulmetit apo mishit pa faturë, përbëjnë një kërcënim direkt të shëndetit, sidomos me temperaturat e larta dhe subjektet tregtuese do të gjobiten skajshëm.

Kreu i shtetit, u është drejtuar me një paralajmërim të gjithë tregtarët që shesin prodhime bulmeti, qumësht dhe mish pa faturë teksa ka deklaruar se duke nisur nga java e ardhshme do të sekuestrohen.

Rama thotë se produktet e bulmetit apo mishit pa faturë, përbëjnë një kërcënim direkt të shëndetit sidomos me temperaturat e larta dhe subjektet tregtuese do të gjobiten skajshëm.

Ai shton se siguria ushqimore dhe formalizimi i të gjithë zinxhirit tregtar nga ferma në tryezë është një domosdoshmëri, e cila nuk pret më për një vend që synon të ulet në tryezën e Bashkimit Europian deri në fund të kësaj dekade.

POSTIMI:

STOP qumështit, mishit dhe prodhimeve të bulmetit pa faturë

Nga java e ardhshme çdo prodhim i tillë do të sekuestrohet, sepse përbën një kërcënim direkt të shëndetit sidomos me temperaturat e larta dhe subjektet tregtuese do të gjobiten skajshëm.

Siguria ushqimore dhe formalizimi i të gjithë zinxhirit tregtar nga ferma në tryezë është një domosdoshmëri, e cila nuk pret më për një vend që synon të ulet në tryezën e Bashkimit Europian deri në fund të kësaj dekade.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj dhe Ministri i Financave Petrit Malaj në takime ndërgjegjësuese me biznesin, për të garantuar mbrojtjen e konsumatorit dhe gjurmimin e plotë të dokumentacionit fiskal, të produkteve blegtorale por jo vetëm.

 

The post Rama: Stop qumështit, mishit dhe prodhimeve të bulmetit pa faturë, nga java e ardhshme do të sekuestrohen… appeared first on Albeu.com.

Gjarpri pickon 26-vjeçaren në Përmet, spitalet e të gjithë qarkut nuk kanë kundërhelm

By: V K
12 July 2025 at 15:00

Dy ditë më parë, një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Përmet, ku një e re ka shpëtuar për mrekulli nga amputimi i këmbës, pas një pickimi helmues nga gjarpri. L. A., 26-vjeçe, ishte duke qëndruar në një zonë periferike të qytetit kur u pickua nga gjarpri, një ngjarje që e dërgoi menjëherë në Spitalin e Përmetit për ndihmë të shpejtë.

Por ajo që ka shqetësuar shumë është mungesa totale e antidotit të nevojshëm, për të trajtuar helmimin nga gjarpri.

Mjekët në Spitalin e Përmetit nuk mundën të ofronin një zgjidhje për vajzën, duke e detyruar atë të transferohej urgjentisht në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës.

Edhe atje, nuk u gjet antidoti i kërkuar për të shpëtuar këmbën e të resë.

Një mundësi e tretë iu dha pas një udhëtimi të shpejtë në Tiranë, në Spitalin e Traumës, ku për fat të mirë, 26-vjeçares iu injektua antidoti që shpëtoi jo vetëm jetën, por edhe këmbën e saj.

Sipas familjarëve, mjekët në Tiranë, i kanë shpjeguar se helmi kishte depërtuar deri në rrezen e kofshës dhe çdo minutë vonese mund të kishte çuar në amputimin e këmbës.

“Nëse do të kishte vonuar edhe pak, këmba do të ishte prerë”, kanë pohuar ata.

Ky incident, ka nxjerrë në pah një problem serioz në sistemin shëndetësor të qarkut të Gjirokastrës, ku mungojnë antidotet jetike për trajtimin e helmimeve të tilla.

Qarku me një popullsi prej 134 mijë banorësh, po përballet me një krizë shëndetësore të pashembullt, sidomos gjatë sezonit turistik, kur rreziku i pickimeve të gjarpërinjve është më i madh për shkak të temperaturave të larta.

Mungesa e kundërhelmit në spitalet e rajonit është një skandal që rrezikon jetët e qytetarëve, ku ka shkaktuar shqetësim të madh mes banorëve dhe specialistëve të shëndetësisë.

The post Gjarpri pickon 26-vjeçaren në Përmet, spitalet e të gjithë qarkut nuk kanë kundërhelm appeared first on Albeu.com.

U dënuan me 18 vite burg, dy vëllezërit nga Puka marrin pas 24 vitesh pafajësinë në Strasburg

By: V K
12 July 2025 at 14:53

Në mars të vitit 2001, Artur Lika nga Puka, kur ishte vetëm 19-vjec, u arrestua gabimisht bashkë me vëllanë e tij të mitur, Beharin si i dyshuar për grabitje me armë të pasagjerëve të autobusit të linjës Kukës-Tiranë, ngjarje e ndodhur në fshatin Lajthizë të Pukës.

Për këtë ngjarje, ai u dënua me 13 vite burgim nga gjykata e Pukës, ndërsa vëllai me 5 vite, për shkak se ishte i mitur. Vendimi u la në fuqi nga të gjitha shkallët e gjyqësorit.

Por, e drejta për vëllezërit triumfoi në 2010 kur gjykata e europiane për të drejtat e njeriut në Strasburg konstatoi se në procesin ndaj vëllezërve ishin shkelur liritë dhe të drejtat e tyre.

3 vite pas këtij vendimi, Artur e Behar Lika, fitojnë pafajësinë. Gjykata e Apelit Shkodër vendos pushimin e çështjes penale, pasi nuk provohej fajësia e tyre.

“Jam akuzuar për vjedhje me armë në Pukë. Kam bërë 9 vjet e 3 muaj burg. E kam fituar pafajësinë në gjykatën e Strasburgut, gjykatën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, ka deklaruar për News24, Artur Lika.

I pyetur për gjendjen e vëllait më të vogël, Arturi thotë se pas burgut ai ka shfaqur probleme me shëndetin mendor.

Pasi vuajti më shumë se 9 vite burgim për një krim që nuk e kishte kryer kurrë, Arturi nisi betejën e radhës për të fituar dëmshpëblimin për cdo ditë të burgimit të padrejtë.

Por edhe këtë herë u përball me zhgënjim. Gjykatat e dëmshpërblyen Artur Likën me 3 milionë e 600 mije lekë lekë, që llogaritet 1 mijë lekë për cdo ditë të burgut të drejtë.

Ndërsa vëllai i tij, i cili pas daljes nga burgu është i paaftë për punë, për shkak tëtraumës që pësoi u dëmshpërblye me 1 milionë e 380 mijë lekë.

Arturi thotë se shteti për të dytën herë po ju bën padrejtësi, pasi gjykatat nuk kanë vlerësuar dëmin moral e psikologjik që iu shkaktua të gjithë familjes,

“Vëllai im është marrë nga bankat e shkollës, është akuzuar e dëuar dhe është kompensuar me 10 mijë lekë pas pafajësisë. Për shkatërrim jete personale, të vëllait, të familjes, opinion e të gjitha me radhë”, thotë ai.

Avokati i vëllezërve thotë se familja Lika, u shkatërrua dhe djemtë humbën mundësinë të shkolloheshin dhe të bënin një jetë normale, për shkak të dënimit të padrejtë.

“Kjo familje ka dhe një nga djemtë, i cili nuk e përballoj dot qëndrimin në paraburgimin dhe burg dhe sot është me kartelë mjekësore dhe vuan e gjithë familja, si rezultat i një padrejtësie”, thotë avokati.

Mbrojtësi ligjor paralajmëron se nuk do të ndalet, por për të dytën herë do ta cojë dosjen e vëllezërve në gjykatën e Strasburgut.

“Edhe në gjykatën Kushtetuese do të kërkojmë një rivlerësim të ri për të gjithë dëmin, edhe me ekspertë po të jetë e nevojshme dhe do të vijojmë në gjykatën e Strasurgut, sepse vetëm gjykata e Strasburgut mund ti shkundë gjykatat tona”, thotë avokati i vëllezërve Lika./News24

The post U dënuan me 18 vite burg, dy vëllezërit nga Puka marrin pas 24 vitesh pafajësinë në Strasburg appeared first on Albeu.com.

Përplasi për vdekje dy persona, arrestohet pas një viti 40-vjeçari në Tiranë (EMRI)

By: V K
12 July 2025 at 14:40

Një 40-vjeçar, i dënuar me mbi 7 vite burg për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, është arrestuar nga policia e Tiranës.

Sipas informacioneve policore, në pranga ka rënë shtetasi Klajdi Ruçi, i cili u lokalizua dhe arrestua në Shkozë.

Në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasi të dënuar me burgim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Komisariatin e Qarkullimit Rrugor, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Unavoidable”.

 

 

 

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e ka dënuar këtë shtetas me 7 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi në vitin 2024 ka shkaktuar një aksident rrugor me pasojë humbjen e jetës së dy shtetasve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

The post Përplasi për vdekje dy persona, arrestohet pas një viti 40-vjeçari në Tiranë (EMRI) appeared first on Albeu.com.

Merkatoja e verës vazhdon të sjellë zhvillime të mëdha në klubet më të mëdha të Europës

By: V K
12 July 2025 at 14:34

Merkatoja e verës vazhdon të sjellë zhvillime të mëdha në klubet më të mëdha të Europës. Chelsea ka vendosur një çmim të majmë për sulmuesin senegalez Nicolas Jackson, duke kërkuar plot 100 milionë paund për 24-vjeçarin që ka tërhequr interes edhe nga Milan.

Barcelona, ndërkohë, ka kthyer vëmendjen nga Marcus Rashford si objektivi kryesor për krahun e majtë të sulmit, pasi tentativat për Luis Diaz të Liverpool dhe Nico Williams kanë dështuar. Sulmuesi i Anglisë dhe Manchester United, 27 vjeç, shihet si profili i duhur për katalanasit.

Juventus ka arritur marrëveshje me Manchester United për transferimin e Jadon Sancho në një operacion prej 20 milionë eurosh. Lojtari është në bisedime për të zgjidhur kontratën me klubin anglez para finalizimit të lëvizjes në Torino.

Tottenham vijon të mbajë në vëzhgim sulmuesin e Brentford, Yoane Wissa, edhe pse nuk ka bërë ende një ofertë zyrtare, pasi u njoftua për çmimin 50 milionë paund të lojtarit nga RD e Kongos.

PSV është gati të shesë anësorin belg Johan Bakayoko për të cilin interesohen Everton, Nottingham Forest, Bournemouth, RB Leipzig dhe Bayer Leverkusen.

Ndërkaq Atalanta i ka vendosur një çmim prej të paktën 50 milionë paund mbrojtësit të kombëtares italiane 21 vjeccarin Giorgio Scalvini, i ndjekur nga Neëcastle dhe Manchester United.

Arsenal vazhdon të mbajë interes për yllin brazilian të Real Madrid, Rodrygo pavarësisht se është shumë pranë nënshkrimit me sulmuesin anglez të Chelseat, Noni Madueke.

Së fundmi edhe Fenerbahçe është pranë nënshkrimit me mesfushorin ofensiv spanjoll Marco Asensio nga Paris Saint-Germain.

The post Merkatoja e verës vazhdon të sjellë zhvillime të mëdha në klubet më të mëdha të Europës appeared first on Albeu.com.

Aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje, ja si duket Thethi nga lart (VIDEO)

By: V K
12 July 2025 at 14:23

Aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje në Theth, hyn në ditën e gjashtë. Në pamje shihen fadromat e IKMT-së që punojnë për shembjen, si edhe objektet e rrënuara në tokë.

Ndërkohë, forcat e policisë janë në vendet ku po spastrohen ndërtimet pa leje.

Kujtojmë që efektivët dhe punonjësit e IKMT-së u përballën me kundërshtinë e banorëve, të cilët shpreheshin se po i rrënoheshin kursimet e jetës së tyre.

 

The post Aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje, ja si duket Thethi nga lart (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Gjermania i dorëzon Ukrainës armë për të goditur thellë brenda territorit rus

By: V K
12 July 2025 at 14:15

Gjermania ka konfirmuar se do të furnizojë Ukrainën me sisteme të reja armësh me rreze të gjatë veprimi, të cilat do t’i mundësojnë Kievit të godasë objektiva strategjike shumë larg vijës së frontit, brenda territorit të Rusisë.

Sipas Gjeneralit të Bundeswehrit, Christian Freuding, i cili udhëheq grupin mbështetës të Ministrisë Gjermane të Mbrojtjes për Ukrainën, dërgesat e para pritet të shkojnë deri në fund të këtij muaji.

“Ky është një hap i rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve ushtarake të Ukrainës. Këto sisteme do të përmirësojnë ndjeshëm mbrojtjen ajrore dhe aftësinë për të kryer goditje të synuara në thellësi të territoreve të kontrolluara nga Rusia”, tha Freuding për mediat gjermane.

Sistemet e reja përfshijnë teknologji të avancuara, që mund të përdoren për të synuar depot e municioneve, qendrat logjistike dhe komandat ruse që ndodhen larg vijës së parë të luftës.

Kjo do të ndihmojë në uljen e presionit mbi trupat ukrainase dhe në ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit të forcave ruse.

Vendimi i Berlinit për të lejuar përdorimin e armëve të saj për goditje në territorin rus vjen pas kërkesave të përsëritura të autoriteteve ukrainase, të cilat kanë argumentuar se pa mundësinë për të goditur thellë brenda Rusisë, është e vështirë të ndalohet përparimi i ushtrisë ruse dhe të mbrohen qytetet ukrainase nga sulmet me raketa dhe dronë.

Ky zhvillim përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm në politikën e Gjermanisë, e cila deri më tani ka qenë më e kujdesshme në lidhje me dërgesat e armëve që mund të përshkallëzojnë konfliktin.

Megjithatë, në kushtet e ofensivave të vazhdueshme ruse dhe pas dështimit të disa iniciativave diplomatike, Berlini ka vendosur të rrisë nivelin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën.

Zyrtarët gjermanë theksojnë se përdorimi i këtyre armëve do të jetë i koordinuar me aleatët ndërkombëtarë dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Gjenerali Freuding ka shtuar se objektivi kryesor mbetet ndihma për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Me dërgesat e reja, Ukraina do të ketë në dispozicion mjete më të fuqishme për të kundërshtuar agresionin rus dhe për të forcuar pozitat e saj në fushën e betejës në muajt e ardhshëm.

The post Gjermania i dorëzon Ukrainës armë për të goditur thellë brenda territorit rus appeared first on Albeu.com.

Ndahet nga jeta ish-ambasadori gjerman në Shqipëri, Werner Daum

By: V K
12 July 2025 at 13:58

Është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare ish-ambasadori gjerman në Shqipëri, Werner Daum.

Ai dërroi jetë në një hotel në Kavajë.

Daum kishte mbërritur në vendin tonë para pak ditësh, ku mori pjesë së bashku me Sali Berishën në inaugurimin e shtatores së dëshmorit të demokracisë, Josif Budo në Kavajë

Werner Daum, ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 82-vjeçare, teksa burime diplomati bëjnë me dije për mediat se ai ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale.

Daum ishte ambasador në Shqipëri nga 1987 deri në vitin 1990, pikërisht në kohën kur nisi lëvizja kundër regjimit komunist. Ai hapi dyert e ambasadës gjermane për shqiptarët, duke dalë kundër udhëzimeve të qeverisë së tij.

Gjatë një interviste të dhënë së fundmi, ai deklaroi se e adhuronte Shqipërinë, por edhe më shumë popullin shqiptar.

“E adhurova këtë vend, sepse është i mrekullueshëm. Por, ndoshta edhe më shumë, adhurova popullin e tij. Dhe e ndjeja, e perceptoja prej gati një viti, që nga fillimi i 1989-tës, se po piqeshin kushtet për një revolucion. Njerëzit kishin ndryshuar. Nuk kishin më frikë totale nga reagimi i regjimit. Gati çdo muaj e ndjeja gjithnjë e më shumë atë frymë rebelimi, atë dëshirë për të dalë nga shtypja. Dëshira për të jetuar të lirë, për të qenë të lirë të takoheshin me të tjerët, për të udhëtuar jashtë vendit, për të përmirësuar kushtet ekonomike – e gjitha kjo po rritej jo gradualisht, por me hapa gjigantë”, u shpreh Werner Daum.

 

The post Ndahet nga jeta ish-ambasadori gjerman në Shqipëri, Werner Daum appeared first on Albeu.com.

Cristiano Ronaldo vendos të mbulojë shpenzimet për fëmijët e Diogo Jotës, deri në moshën madhore

By: V K
12 July 2025 at 13:42

Ylli i futbollit portugez Cristiano Ronaldo, ka vendosur t’i marrë përsipër të gjitha shpenzimet e fëmijëve të bashkëshortes së Diogo Jota-s deri në moshën madhore, duke përfshirë plotësisht kostot për Kujdesin Shëndetësor dhe Arsimimin.

Sipas burimeve të afërta me familjet, ky vndim vjen si rezultat i një marrëdhënieje të gjatë miqësore, mes Ronaldo-s dhe sulmuesit të Liverpool-it.

Detajet e marrëveshjes

Kontrata që Ronaldo i ka komunikuar zonjës Jota, përfshin mbulimin e shpenzimeve mjekësore-prej kontrolleve periodike te specializimet e nevojshme, si dhe të gjithë tarifat shkollore, kursimet për Universitete, librat dhe materialet mësimore.

Sipas një dokumenti të përgatitur me kujdes, çdo nevojë shëndetësore apo arsimore e fëmijëve do të dërgohet për faturim në adresën e agjencisë së menaxhimit të Ronaldo-s, që do të bëjë pagesat pa vonesë.

Konteksti i miqësisë dhe solidaritetit

 

 

Në vitet e fundit, Ronaldo dhe Jota, kanë ndarë dhomat e zhveshjes në stërvitje, si pas përvojës së përbashkët te Manchester United dhe më pas në Ligën Premier.

Bashkëpunimi i tyre në ekip ka frymëzuar jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj, duke mbledhur fonde për bamirësi dhe duke organizuar evente humanitare.

Ky gjest konsiderohet nga shokët e skuadrës dhe familjarët, si kulmi i një miqësie të sinqertë.

Reagimet nga mjedisi i futbollit

 

 

Lajmi është pritur me entuziazëm nga komuniteti i futbollit: menaxherë, shokë loje dhe tifozë kanë përgëzuar Ronaldo-n për gjestin bujar. Diogo Jota, sipas një burimi pranë familjes, është “i emocionuar dhe mirënjohës deri në lot” për mbështetjen e vazhdueshme që po ofrohet për fëmijët e tij.

Familja e Diogo Jota, e ka cilësuar këtë veprim si “një shembull të vërtetë solidariteti, që forcon edhe më shumë lidhjet mes dy familjeve”.

Konteksti humanitar i Ronaldo-s

 

 

Ky është një tjetër hap në serinë e veprimeve humanitare të Cristiano Ronaldo-s, i njohur për kontributet e tij në fushën e shëndetësisë dhe arsimit, nga donacionet për spitalet pediatrike deri te ndihmat në rastet e fatkeqësive natyrore.

Ndërkohë, Jota po vazhdon sezonin me Liverpool-in, ku pritet të luajë një rol kyç në garën për titullin e Ligës Premier.

Me këtë vendim, Ronaldo jo vetëm që demonstron angazhimin e tij personal për familjet e miqve, por edhe shtrin një model solidariteti në botën e sportit, ku fuqia financiare përdoret për të mbështetur sigurinë dhe të ardhmen e brezave të rinj.

The post Cristiano Ronaldo vendos të mbulojë shpenzimet për fëmijët e Diogo Jotës, deri në moshën madhore appeared first on Albeu.com.

Moment historik/ Për herë të parë roboti kryen një ndërhyrje kirurgjikale pa ndihmën e njeriut

By: V K
12 July 2025 at 13:33

Një arritje e jashtëzakonshme në kirurgjinë robotike, është arritur me një robot që jo vetëm dëgjon udhëzime verbale, por gjithashtu kryen një procedurë komplekse tërësisht vetë.

Për herë të parë, një robot kreu operacionin e heqjes së fshikëzës së tëmthit në mënyrë autonome, ndërsa iu përgjigj komandave me zë.

Ky moment historik, i arritur nga studiuesit në Universitetin Johns Hopkins, na afron me një të ardhme ku robotët mund të marrin përsipër më shumë përgjegjësi mjekësore me pak ndërhyrje njerëzore.

Roboti, i quajtur Hierarkia Transformuese e Robotit Kirurgjikal (SRT-H), u trajnua përmes një qasje inovative të njohur si të mësuarit me imitim.

Në vend që ta programonte robotin me udhëzime specifike për çdo hap kirurgjikal, ekipi i dha atij video të kirurgëve njerëzorë që kryenin heqjen e fshikëzës së tëmthit në kufomat e derrave.

Kjo qasje i lejoi robotit të “mësonte” duke parë veprimet njerëzore, ashtu siç do të bënte një praktikant mjekësor.

Rezultati ishte një robot i aftë të kryente 17 hapat e ndërlikuar, të përfshirë në procedurë me saktësi të jashtëzakonshme.

Suksesi i këtij roboti, qëndron në aftësinë e tij për t’u përshtatur me situata në kohë reale. Edhe pa ndërhyrjen e njeriut, ai ishte në gjendje të bënte prerje të sakta, të identifikonte indet dhe të vendoste kapëse gjatë operacionit. Ndërsa i duhej më shumë kohë se një kirurg njerëzor, roboti arriti të njëjtin nivel suksesi në tetë prova.

Ajo që e dallon këtë sistem robotik, është aftësia e tij për t’iu përgjigjur udhëzimeve verbale gjatë procedurës. I mundësuar nga modele të përparuara të inteligjencës artificiale të ngjashme me ato të përdorura në sistemet bisedore si ChatGPT, roboti mund të dëgjojë komanda të tilla si “lëviz krahun e majtë pak majtas” dhe të rregullojë lëvizjet e tij në përputhje me rrethanat.

Kjo aftësi e gjuhës natyrore shton një shtresë fleksibiliteti, duke i lejuar robotit të marrë dhe përpunojë udhëzime, ashtu siç do të bënte një praktikant njerëzor nga një kirurg i lartë.

Edhe kur u paraqitën sfida të papritura- të tilla si; ndryshimi i pozicionit të robotit ose ndryshimi i ngjyrave të indeve me ngjyra- roboti ishte në gjendje të përshtatej pa gabime.

Ky reagim në kohë reale, është jetik për kryerjen e operacioneve të suksesshme në mjedise të paparashikueshme, ku kirurgët njerëzorë duhet të jenë të shpejtë në veprimet e tyre.

Ekipi kërkimor, i udhëhequr nga Ji Woong “Brian” Kim dhe Profesor Axel Krieger në Johns Hopkins, beson se ky zbulim i madh mund të hapë rrugën për përdorim më të gjerë të robotëve autonomë në kirurgji.

Siç shpjegoi Krieger, kjo risi është shumë larg sistemeve robotike të së kaluarës që ndiqnin udhëzime të paraprogramuara. Sistemi SRT-H shkon përtej kësaj, duke u përshtatur në mënyrë inteligjente me kushtet dinamike.

Kim theksoi se kjo punë vërteton se modelet e inteligjencës artificiale mund të jenë mjaft të besueshme për të trajtuar operacione komplekse në mënyrë autonome, duke demonstruar se procedurat kirurgjikale plotësisht të automatizuara jo vetëm që janë të mundshme në të ardhmen, por janë tashmë të arritshme sot.

The post Moment historik/ Për herë të parë roboti kryen një ndërhyrje kirurgjikale pa ndihmën e njeriut appeared first on Albeu.com.

Kristjan Asllani refuzon Betis, mesfushori kuqezi nuk dëshiron të kalojë në Spanjë, por Inter do ta shesë

By: V K
12 July 2025 at 13:17

Mesfushori shqiptar Kristjan Asllani, nuk dëshiron të transferohet në Spanjë tek Real Betis. Ai nuk ka pranuar opsionin për të kaluar në La Liga tek skuadra e Betis, e cila kishte prezantuar një ofertë konkrete për shërbimet e lojtarit të kombëtares shqiptare.

Ky qëndrim i Asllanit, ka shkuar në linjë të drejtë në këtë rast edhe me vendimin e klubit i cili gjithashtu ishte i pakënaqur me ofertën e skuadrës spanjolle.

Zikaltrit duan 18-20 milionë euro për kartonin e tij dhe kushti tjetër, është që të shitet përfundimisht dhe jo me formulë huazimi.

Dy opsionet aktuale për Asllanin, janë Bolonja dhe Fiorentina që kanë shprehur interes për mesfushorin.

Ndryshimi i stafit teknik ka ndryshuar edhe situatën e Asllanit, i cili me ardhjen e kroatit Petar Suçiç ka humbur hierarkine e formacionit tek Inter.

The post Kristjan Asllani refuzon Betis, mesfushori kuqezi nuk dëshiron të kalojë në Spanjë, por Inter do ta shesë appeared first on Albeu.com.

Rizgjohen kujtimet e errëta të vitit ’86/ Një dron kamikaz rus ra në Çernobil, analiza: A mund të shpëtohet mbuloja e centralit bërthamor?

By: V K
12 July 2025 at 13:08

Gjatë dimrit, një dron rus dëmtoi mbulesën mbrojtëse të centralit bërthamor të mbyllur Çernobil.

Ekspertët tani kanë zhvilluar një koncept për të paktën restaurim të pjesshëm të sistemit shumë kompleks.

Rusia i ka shtuar sulmet kundër Ukrainës në mënyrë masive, po në shkurt lajmi nga vendi i shkatërruar nga lufta tronditi të gjithë Evropën.

Një dron kamikaz rus, prodhim iranian kishte rënë në Çernobil.

Më saktësisht në bllokun 4 të reaktorit të centralit bërthamor të çaktivizuar. Kjo rizgjoi kujtimet e errëta të vitit 1986, kur në atë reaktor ndodhi aksidenti më i rëndë bërthamor në historinë e njerëzimit.

Dëmtime të rënda

Droni dëmtoi guaskën mbrojtëse që kishte mbrojtur reaktorin që nga viti 2019 dhe kishte për qëllim të parandalonte daljen e radioaktivitetit. Ky lajm u harrua shpejt sepse ekspertët nuk mundën të matnin ndonjë rritje të radioaktivitetit në reaktor. Megjithatë, ndikimi i dronit pati pasoja të rënda. Droni depërtoi murin e jashtëm prej çeliku të rrethimit mbrojtës, i njohur në zhargonin teknik si “Mbyllja e Re e Sigurt”-“New Safe Confinement”. Rreth nëntë metra më poshtë është edhe një mur i brendshëm – pjesë të dronit gjithashtu e depërtuan atë. Megjithatë, hapësira midis dy mureve luajti një rol vendimtar në konceptin e sigurisë.

Ekspertët vendas mendojnë se mbulesa mbrojtëse, ndërtimi i së cilës kushtoi mbi dy miliardë euro, ndoshta nuk do të funksionojë dot më siç ishte planifikuar.

Riparimi i plotë ka gjasa të kryhet, tha për portalin gjerman, tagesschau.de Artem Siryj, menaxher i operacioneve në mbulesën mbrojtëse, por sigurimi i burimeve financiare ndoshta nuk do të jetë i mundur.

Ndërkohë specialistë nga Ukraina dhe ndërkombëtarë, kanë zhvilluar një koncept për mbylljen e vrimave dhe të paktën mbylljen hermetike të murit të brendshëm, tha Siryj.

Kjo do të sigurojë mbrojtje të mirë. Siryj shpreson që punimet të fillojnë këtë vit. Mbulesa aktuale mbrojtëse, u financua nga një fond i kontribuar nga vendet donatore dhe nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Zyrtarët në Ukrainë shpresojnë për mbështetje të mëtejshme nga BERZH./ DW

The post Rizgjohen kujtimet e errëta të vitit ’86/ Një dron kamikaz rus ra në Çernobil, analiza: A mund të shpëtohet mbuloja e centralit bërthamor? appeared first on Albeu.com.

Operacioni i SPAK/ Gjykata cakton masën e arrestit me burg, identifikohen 8 të arrestuarit, pjesë e grupit kriminal (EMRAT)

By: V K
12 July 2025 at 13:00

Identifikohen emrat e 8 personave të arrestuar pjesë e grupit kriminal për trafikun e lëndëve narkotike nga Amerika Latine në vendet e BE, gjatë operacionit të SPAK bërë publike ditën e djeshme.

Gazetarja Klodiana Lala, raporton se, të arrestuarit janë: Arjan Gjata, Vilson Roçi, Musa Gjikola, Akil Alushi, Jani Meçja, Selami Lushkaj dhe Erjon Dani.

Ky i fundit, me detyrë ish-shefi i krimeve në komisariatin nr.3 në Tiranë, u vetëdorëzua në policinë e Himarës pasi u informua se ishte shpallur në kërkim nga SPAK.

Gjykata e Posaçme, ka vendosur sot masën e arrestit me burg për 8 të arrestuarit.

SPAK njoftoi dje se Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zhvilloi një operacion të gjerë në qarqet, Shkodër, Elbasan, Vlorë dhe Tiranë ndaj personave nën hetim për trafikun e lëndëve narkotike nga Amerika Latine në vendet e BE.

Ky operacion, u krye në kuadër të procedimit penal nr. 177 të vitit 2023* dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nr 70, datë 10.07.2025.

Nga 13 personat e identifikuar deri tani të përfshirë në këtë grup të strukturuar kriminal, janë arrestuar 8 persona, ndërsa 6 të tjerë janë në kërkim.

Për 6 personat e tjerë, shumica e të cilëve ndodhen jashtë vendit, nuk është bërë ende i mundur arrestimi, janë lëshuar urdhër-arreste kombëtare dhe ndërkombëtare. Policia e Shtetit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar dhe Europol, po punon për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Nga hetimet e deritanishme ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se personat e dyshuar, në funksion të aktivitetit të paligjshëm në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike nga vendet e Amerikës së Jugut drejt vendeve të BE-së, me qëllim përfitimi monetar si dhe të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, kanë komunikuar mes tyre edhe me anë të aplikacionit të platformës së enkriptuar, “Sky ECC”¸ komunikime të cilat janë administruar nga autoritetet franceze të drejtësisë, në kuadër të ndihmës së ndërsjellët juridike në fushën penale.

The post Operacioni i SPAK/ Gjykata cakton masën e arrestit me burg, identifikohen 8 të arrestuarit, pjesë e grupit kriminal (EMRAT) appeared first on Albeu.com.

Ishte i ankoruar në Saint-Tropez, superjahti luksoz shpërthen në flakë (VIDEO)

By: V K
12 July 2025 at 12:55

Anija 45 metra e gjatë ‘Sea Lady II’, u përfshi nga flakët ndërsa ishte ankoruar në portin e Saint-Tropez më 10 korrik.

Një superjaht luksoz, u përfshi nga flakët në Rivierën Franceze të enjten. Anija 45 metra e gjatë ‘Sea Lady II’, u përfshi nga flakët ndërsa ishte ankoruar në portin e Saint-Tropez më 10 korrik.

Zjarrfikësit vendas u thirrën në vendngjarje, por ata patën vështirësi të hipnin në anije, sipas agjencisë lokale të medias Agence France-Presse.

“Jahtet përreth u zhvendosën shpejt dhe ne kemi vendosur barriera kundër ndotjes”, tha një zëdhënës i shërbimit zjarrfikës për AFP-në.

 

 

The Sun, shkruan se zjarri u raportua pak pas orës 8 të mbrëmjes sipas orës lokale. Bëhet me dije se dy persona, të moshës 24 dhe 35-vjeç, u shpëtuan nga anija dhe të dy vuanin nga efektet e thithjes së tymit.

Sipas një liste online të çarterit, ‘Sea Lady II’ kushton afërsisht 93,500 dollarë për t’u marrë me qira për një javë gjatë sezonit të ngarkuar.

Varka mund të akomodojë 10 persona në pesë kabina dhe vjen me tetë anëtarë të ekuipazhit që punojnë.

Disa lehtësira përfshijnë një kuvertë dielli, platformë noti, mbrojtëse dielli dhe një bar të jashtëm. E ndërtuar fillimisht në vitin 1986, varka u riparua për herë të fundit në vitin 2024.

Zjarri vjen gjatë sezonit të ngjeshur të festave të Rivierës Franceze, kur anije me vlerë qindra miliona dollarë mbushin bregdetin e Mesdheut.

Turistët dhe personazhet e famshëm dynden në rajon për të shijuar plazhet dhe peizazhet mahnitëse.

 

The post Ishte i ankoruar në Saint-Tropez, superjahti luksoz shpërthen në flakë (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

E rëndë në Prishtinë/ Ndërron jetë në qendrën spitalore foshnja 9 muajshe

By: V K
12 July 2025 at 12:43

Një rast i rëndë është raportuar nga Policia e Kosovës, që përfshin vdekjen e një foshnje 9 muajshe nga fshati Gjinoc i Suharekës.

Foshnja fillimisht ishte dërguar në Spitalin e Prizrenit, e më pas në QKUK në Prishtinë.

“Me datë 29.06.2025 në Emergjencën e Spitalit Rajonal Prizren, ishte sjell një fëmijë 9 muajsh. Me datë 11.07.2025 viktima (fëmijë) kishte ndërruar jetë në QKUK-Prishtinë. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion”, thuhet në raportin e policisë.

Policia nuk ka dhënë më shumë detaje lidhur me rastin.

The post E rëndë në Prishtinë/ Ndërron jetë në qendrën spitalore foshnja 9 muajshe appeared first on Albeu.com.

Partia Demokratike: Pse qeveria fsheh shpenzimet e fluturimeve të Ramës drejt Hagës?

By: V K
12 July 2025 at 12:33

Përmes një deklarate, zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka ngritur shqetësime mbi mungesën e transparencës për shpenzimet e kryeministrit Edi Rama gjatë udhëtimeve të tij zyrtare.

Sipas Vangjelit, fluturimi i fundit i Ramës drejt Hagës, ku mori pjesë në samitin e NATO-s, u realizua me një avion charter VIP të markës Gulfstream G IVSP, i cili nuk është pronë e shtetit shqiptar dhe dyshohet të jetë marrë me qira me kosto të larta, mes 6,500 dhe 7,500 dollarë për orë fluturimi.

Sipas marrëveshjes së vitit 2020 mes Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare dhe Air Albania, fluturimet e kryeministrit duhet të kryhen me avionin Airbus A319 të regjistruar në emër të shtetit, por për fluturimin në Hagë është përdorur një avion tjetër, çka ngre pyetje mbi zbatimin e marrëveshjes dhe transparencën në shpenzimet.

PD kërkon nga qeveria të publikojë faturën tatimore të këtij udhëtimi, vlerën totale të shpenzuar për charterat e kryeministrit dhe mënyrën e pagesave ndaj ofruesit të shërbimit Air Albania, pasi në databazën e thesarit rezulton vetëm një pagesë simbolike prej 200 mijë lekësh që nga viti 2019.

Deklarata:

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka udhëtuar disa ditë më parë drejt Holandës për të marrë pjesë në samitin e NATO-s, duke zbritur në aeroportin Schiphol në Hagë me një avion charter të markës Gulfstream G IVSP VIP, me numër regjistrimi TC-EMR (sipas pamjeve të publikuara nga mediat).

Ky avion nuk është në pronësi të shtetit shqiptar dhe, dyshohet të jetë marrë me qira me një kosto që varion nga 6,500 deri në 7,500 dollarë për orë fluturimi, duke përfshirë karburantin, ekuipazhin, shërbimin VIP dhe udhëtimin privat. Avioni “TC EMR” është i njohur ndërkombëtarisht për fluturimet luksoze dhe përdoret nga klientë të nivelit të lartë.

Në 30 Janar 2020 Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me Air Albania me objekt ofrimin e shërbimit të fluturimeve të posacme charter për KM e RSH.

Sipas pikës 3.1.6 të kësaj akt-marrëveshjeje Air Albania do të vendosë në dispozicion të DSHQ mjetin

Avion Air craft Airbus A319

Kapacitet mbartës 32 persona

Kodi i rregjistrimit TC -ANA

Vitet e përdorimit 20

Pagesat variojnë sipas destinacionit dhe sipas pikës pikës 3.2.4 , DSHQ merr përsipër pagimin e faturës tatimore lëshuar nga Air Albania.

Sipas mediave, e pyetur nga BIRN, Agjencia për Media dhe Informim deklaroi se: “Kryeministria nuk ka paguar ndonjëherë dhe nuk paguan për chartera, por ka një marrëveshje kuadër me kompaninë Air Albania, në një shumë vjetore mesatare të shpenzimeve vjetore të kryeministrit në vitet paraardhëse”.

Qytetarët shqiptarë në fakt meritojnë përgjigje të qarta lidhur me:

A është zbatuar pika 3.2.6 e akt marrëveshjes së lidhur ndërmjet Air Albania dhe DSHQ, duke qenë se avioni me të cilin KM fluturoi në Hagë është i ndryshëm nga ai i përcaktuar në aktmarrëveshje, dhe nëse po, kërkojmë të publikohet dakortësimi me shkrim i Air Albania

Sa është vlera e fluturimit të udhëtimit të KM në Hagë sipas faturës tatimore respektive lëshuar nga ofruesi i shërbimit?

Sa është çmimi i paguar deri tani nga DSHQ për udhëtimet charter të KM?

Duke qenë se në thesar nuk gjejmë fatura të ekzekutuara sipas nominimit akt marrëveshjes dt 30 Janar 2020, si është procedurar me pagesat në favor të ofruesit të shërbimit Air Albania, i cili sipas data bazës së spending data nga thesari që prej v.2019 deri tani, rezulton të ketë përfituar vetëm 200 mijë lek për udhëtime.

The post Partia Demokratike: Pse qeveria fsheh shpenzimet e fluturimeve të Ramës drejt Hagës? appeared first on Albeu.com.

Rama publikon pamjet nga aksioni në Lungomare: Një tjetër sipërfaqe publike u është rikthyer turistëve dhe qytetarëve

By: V K
12 July 2025 at 12:21

Kryeministri Edi Rama, ka publikuar pamjet nga aksioni për lirimin e hapësirave publike në Lungomare të Vlorës.

Kreu i qeverisë shprehet se një tjetër sipërfaqe plazhi publik, u është rikthyer turistëve dhe qytetarëve.

Ndërkohë bëri thirrje që të gjithë profesionistët e Vlorës të aplikojnë për t’u bërë pjesë e kësaj përpjekjeje, duke u përfshirë në intervistat e punës.

“Në Lungomaren e Vlorës një tjetër sipërfaqe plazhi publik i është rikthyer turistëve dhe qytetarëve, ndërkohë që i inkurajoj të gjithë profesionistët e Vlorës të aplikojnë për t’u bërë pjesë e kësaj përpjekjeje, duke u përfshirë në intervistat e punës”, shkroi Rama.

 

The post Rama publikon pamjet nga aksioni në Lungomare: Një tjetër sipërfaqe publike u është rikthyer turistëve dhe qytetarëve appeared first on Albeu.com.

Aksioni i shembjeve të ndërtimeve pa leje në Theth/ Policia në rresht, fadromat vijojnë punën (VIDEO)

By: V K
12 July 2025 at 11:48

Pavarësisht rezistencës së banorëve për të mos lejuar prishjen e shtëpive, edhe këtë të shtunë, ka vijuar  aksioni në zonën e Thethit, operacion ky i ndërmarrë nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), me mbështetjen e Policisë së Shtetit, për prishjen e ndërtimeve pa leje.

Sipas raportimeve të gazetarit Senad Nikshiqi, janë shtuar forcat e policisë, të cilat janë vendosur në formacion sigurie përgjatë zonës ku po zhvillohet ndërhyrja.

Po ashtu, në vendngjarje ndodhen mjete të rënda (fadroma), të cilat po vijojnë me shembjen e objekteve të evidentuara si të ndërtuara në kundërshtim me ligjin.

Kjo është dita e gjashtë e aksionit që ka nisur në bazë të një urdhri të lëshuar nga Kryeministri, në funksion të mbrojtjes së territorit dhe ligjshmërisë në zonat e mbrojtura.

Gjatë ditës së djeshme, aksioni u shoqërua me tensione mes banorëve dhe forcave të rendit, ndërsa janë regjistruar përplasje verbale dhe momente përshkallëzimi.

Ndërhyrja në zonën e Thethit, ka nxitur edhe reagime nga subjekte politike dhe përfaqësues të komunitetit fetar.

Kisha Katolike në Shkodër, ka bërë thirrje për ruajtje të qetësisë, dialog dhe komunikim mes banorëve dhe institucioneve përgjegjëse, në mënyrë që situata të menaxhohet pa përplasje.

 

The post Aksioni i shembjeve të ndërtimeve pa leje në Theth/ Policia në rresht, fadromat vijojnë punën (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

❌
❌