ANALIZË – Hungaria mund të goditet rëndë nga tarifat e SHBA-së pavarësisht marrëdhënieve të ngrohta Trump-Orban
BUDAPEST, 24 korrik /ATSH/- Kryeministrit populist të Hungarisë, Viktor Orban i janë dashur vite për të ndërtuar një marrëdhënie të ngushtë politike me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, sipas AP.
Por, pavarësisht marrëdhënieve të ngrohta të Viktor Orbán me administratën Trump, vendi i tij mund të goditet rëndë nga tarifat e SHBA-së ndaj Bashkimit Evropian.
Këtë muaj, Trump njoftoi se do të vendoste tarifa prej 30% ndaj Meksikës dhe BE-së duke filluar nga 1 gushti – një veprim që mund të shkaktojë trazira masive midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE-së me 27 anëtarë, anëtare e së cilës është edhe Hungaria.
Si një ekonomi e vogël, e orientuar drejt eksportit me industri të mëdha automobilistike, farmaceutike dhe të verës – disa nga kategoritë kryesore të produkteve që Evropa eksporton në SHBA – Hungaria do të preket më shumë nga tarifat e Trump.
“Tarifat do ta vendosnin ekonominë hungareze në një situatë shumë të vështirë – pasi e gjithë mundësia që Hungaria të eksportojë në Amerikë do të eliminohej”, tha Peter Virovacz, analist kryesor në “ING Hungary”.
Partnerët më të mëdhenj tregtarë të Hungarisë janë vendet e tjera të BE-së si Gjermania, Italia dhe Rumania, dhe Kina, por shumë kompani hungareze eksportojnë mallrat e tyre përtej Atlantikut.
Tregtia drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës përfaqëson rreth 15% të të gjitha eksporteve hungareze në vendet jashtë BE-së.
Lidhjet politike mund ta zbusin goditjen
Qeveria e Hungarisë, një mbështetëse e zëshme e politikës së jashtme “patriotike” të Trump – që i jep përparësi interesave kombëtare – ka pranuar se tarifat do të paraqisnin një sfidë per vendin.
Hungaria ka fajësuar BE-në, për dështimin në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse tregtare me Uashingtonin.
Në një intervistë në prill, Orban tha se ndërsa tarifat do të ishin një disavantazh, qeveria e tij po negocionte marrëveshje dhe çështje të tjera ekonomike që do t’i kompensonin ato.
Por Peter Kreko, drejtor i “Political Capital” me seli në Budapest, shprehu dyshime se lidhjet politike mund të luanin një rol domethënës në zbutjen e dëmit në ekonominë e Hungarisë – të shkaktuar nga politika tregtare e Trump.
“Marrëdhëniet padyshim të mira dypalëshe thjesht nuk mund të kompensojnë konfliktet tregtare midis BE-së dhe SHBA-së, dhe si pasojë, Hungaria do t’i vuajë tarifat në të njëjtën mënyrë si BE-ja”, tha Kreko. //a.i./
The post ANALIZË – Hungaria mund të goditet rëndë nga tarifat e SHBA-së pavarësisht marrëdhënieve të ngrohta Trump-Orban appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.