Mbledhja vendimtare e kabinetit të sigurisë së Izraelit, në të cilën pritet të hidhet në votim propozimi për një pushtim të plotë ushtarak të Rripit të Gazës ka filluar, siç raportohet nga rrjeti televiziv Channel 12.
Prokurorja e Përgjithshme, Gali Baharav-Miyara thuhet se është gjithashtu e pranishme, pavarësisht faktit se qeveria kishte votuar unanimisht më herët gjatë javës për ta shkarkuar atë nga pozicioni i saj.
Jashtë ndërtesës, dhjetëra protestues janë mbledhur, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj mundësisë së zgjerimit të operacionit ushtarak. Siç theksojnë ata, një veprim i tillë do të vinte në rrezik të menjëhershëm jetën e pengjeve që ende mbahen në Rripin e Gazës.
Protestuesit po i kërkojnë qeverisë të zgjedhë rrugën e negociatave, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës dhe për lirimin e të gjithë pengjeve.
TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Më 7 gusht të vitit 1946 lindi aktori i mirënjohur i humorit, Met Bega.
Në këtë përvjetor, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, kujtoi me mirënjohje, ikonën e humorit dhe mjeshtrin e batutës, Met Bega, një figurë mjaft e dashur për publikun shqiptar.
Met Bega lindi në Tiranë, më 1946-ën dhe pjesën më të madhe të karrierës së tij e kaloi në Estradën e Tiranës. Gjatë karrierës së tij të gjatë, Met Bega është nderuar me çmime të ndryshme. Përveç interpretimeve në Estradë, Met Bega do të mbahet mend për interpretimet e tij në kinematografi, në filmat komedi aq të dashur për publikun, si: “Dy herë mat”, “Edhe ashtu edhe kështu”, “Stolat në park” dhe “Telat për violinë”.
Aktori ndërroi jetë në vitin 2015. Prej shumë kohësh ai vuante nga sëmundja e Parkinsonit.
TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Muzeut Historik të Shkodrës iu shtuan 5 harta me vlerë historike.
Lajmin e bëri të ditur kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci i cili falenderoi publikisht Gjergj Marenën, një qytetar i pasionuar pas historisë dhe trashëgimisë kulturore, i cili e bëri këtë dhurim për muzeun e qytetit.
“Këto harta të rralla pasurojnë fondin e muzeut dhe përbëjnë një dëshmi të vyer të kujtesës sonë historike, si dhe një shprehje të qartë të dashurisë për Shkodrën dhe identitetin kombëtar”, u shpreh Benet Beci në një publikim në rrjetet sociale.
Ky gjest i vyer u përmblodh në aktivitetin simbolik “Një dhuratë me vlerë historike”, e organizuar pranë muzeut, ku vlerësimi dhe mirënjohja për këtë kontribut u ndanë me të gjithë.
Gjatë aktivitetit, dhuruesit të hartave historike, Gjergj Marenës, iu dha edhe një certifikatë vlerësimi për përkushtimin, vizionin dhe kontributin e tij në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.
TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër bëri të ditur se, gjatë muajit që lamë pas, në Kalanë e Gjirokastrës, u regjistrua një numër i lartë vizitorësh për periudhën 1 korrik -31 korrik 2025.
Vizitat turistike në Kalanë e Gjirokastrës kanë ardhë duke u rritur krahasuar me atë të një viti më parë.
48,273 vizitorë u regjistruan gjatë korrikut ose 34% vizitorë më shumë krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Kalaja e Gjirokastrës është e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 metra mbi nivelin e detit. Krahasuar me kalatë mjesjetare të tjera të vendit, kjo kala është më e vogël nga sipërfaqja dhe ruhet në gjendje më të mirë. Gjerësia e saj është 75 metra dhe gjatësia 500 metra. Për t’u shtuar rezistencën mureve të kalasë janë ngritur pesë kulla të fuqishme.
Për gjatë viteve ajo ka pësuar ndryshime dhe zgjerime. Rreth vitit 1490 u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II. Pastaj në vitin 1811, Ali Pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Po ashtu përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit, që sillte ujin në kala rreth 12 kilometra larg.
Me gjithë vlerat që posedon, ajo është tejet atraktive për turistë nga mbarë bota.
TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Parku Kombëtar i Butrintit publikoi në rrjetet sociale pamje nga Mozaiku i Pagëzimores.
Publikimi i i pamjes së mozaikut, i cili mbart një rëndësi të veçantë historike dhe kulturore vjen në kuadër të rubrikës “Të njohim Butrintin”.
Mozaiku i Pagëzimores së Butrintit është më i madhi dhe më i ruajturi nga mozaikët e çdo pagëzimoreje tjetër të botës romake. Ai ishte kompozuar në mënyrë që të jepte mesazhe të qarta të shpëtimit dhe jetës së amëshuar për ata që vendosnin të pagëzoheshin.
Përreth dy rrathëve koncentrikë prej tetë kolonash, shtatë unaza mozaiku rrethonin kryqin qendror, duke riformuar edhe një herë numrin tetë.
Ky numër në fillimet e krishtërimit simbolizonte pagëzimin, krijimin dhe shpëtimin.
Muajin e kaluar, specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore njoftuan për hapjen dhe ruajtjen e dy mozaikëve: mozaiku i termeve romake pranë teatrit dhe mozaiku i galerisë në oborrin verior të gjimnazit. Këta mozaikë të rrallë qëndrojnë të hapur për publikun nga 22 korriku deri më 15 gusht.
TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Më 7 gusht 1993 u nda nga jeta Athanas Banushi, aktori i njohur i humorit Shkodran, i njohur si Tano Banushi.
Arsimimin bazë e kreu në Shkodër ku gjatë luftës ra në kontakt edhe me idetë e majta si pjesë e formacioneve kulturore pranë trupave partizane. Pas çlirimit u përfshi në strukturat artistike të qytetit nga ku do të kthehej një nga artistët më të përzemërt të qytetit, jo vetëm të Shkodrës por edhe të gjithë Shqipërisë, kryesisht pas shfaqjes së tij në Radio Televizionin Shqipëtar.
Tano, siç do t’i thërrisnin të gjithë dashamirësit e tij, krahas artit të humorit ka ushtruar edhe profesionin e gazetarit dhe instrumentistit, por zëri i tij do të ishte burim i humorit për dëgjuesit në valët e Radio Shkodrës.
Me krijimin e estradës profesioniste në Shkodër, Tano do të ishte një nga kuadrot e parë profesionistë në kuadrin e teatrit Migjeni, institucion nga ku doli edhe në pension por që kurrë nuk rreshti së punuari për estradën dhe buzëqeshjen e qytetit të tij.
Presidiumi i Kuvendit Popullor i akordoi titullin “Artist i Popullit”, me motivacionin: “Për veprimtari krijuese dhe interpretim në nivel të lartë ideo-artistik, në fushën e artit skenik dhe për kontributin e dhënë në zhvillimin dhe lulëzimin e teatrit…”. Këtë titull e mori njëkohësisht me emra të tjerë të shquar të artit shqiptar si: Avni Mula, Marie Logoreci, Çesk Zadeja e Kristaq Antoniu.
Publiku e kujton me nostalgji Tano Banushin, për rolet e tij të shumta në skenë.
Në edicionin e tij të tretë, Gjon Mili International Video Art Festival vjen me një titull sa të thjeshtë, aq edhe provokues për artistët: “The Skin of Light”.
Kjo është një ftesë për të parë dritën jo vetëm si burim ndriçimi, por si një sipërfaqe ku bashkohen kujtesa, perceptimi dhe forma.
“Lëkura e Dritës” është një metaforë për mënyrën se si video arti sfidon kufijtë mes asaj që është reale dhe imagjinatës, mes transparencës dhe maskës. Çdo ekran bëhet një vend ku bashkohen kujtesa dhe ndjenja.
Nga 1230 aplikime nga artistë të ndryshëm në botë, janë zgjedhur 62 artistë që tregojnë po aq shumë mënyra të marrëdhënies së artistit me dritën, shpesh si një lëkurë që pulson midis botës virtuale dhe asaj reale, mes ndjeshmërisë dhe ndërveprimit.
Tre lokacionet e përzgjedhura këtë vit janë: Korçë, 27-29 Gusht 2025.
Festivali nis në Muzeun Gjon Mili në Korçë, aty ku filloi gjithçka. Për tre ditë, ky vend i rëndësishëm kthehet në një hapësirë ku video arti takon kujtesën dhe eksperimentin vizual.
Aty historia dhe arti bashkëjetojnë në lojën e dritës.
Më pas, festivali zhvendoset në Dhërmi, në datat 1-3 Shtator 2025, në një vend ku drita nuk është vetëm ndriçim, por një prekje që rrëshqet mbi forma dhe përthithet nga teksturat e ndërtesave tipike të zonës.
Midis shtëpive të vjetra dhe qiellit të hapur, drita shfaqet si një ndërfaqe mes trupit, kujtesës dhe natyrës.
Festivali përfundon në Manhattan, New York, 28 Shtator – 4 Tetor 2025, vendi ku Gjon Mili arriti famën e tij. Në zemër të New York-ut, programi përfshin një natë për artistët fitues dhe tre ditë me vepra të artistëve të zgjedhur, duke theksuar dritën si diçka të ndjeshme, në lëvizje dhe në ndryshim.
6 gusht 1994 – Vdekja e këngëtarit në moshën 66 vjeçare
Nga Leonard Veizi
Në horizontin e kaltër të viteve pesëdhjetë, kur Evropa ende mblidhte copat e shpirtit pas luftrave, një zë ngrihej si fluturim i papritur lirie. Ishte zëri i një njeriu që nuk këndonte thjesht, por fluturonte – “Volare!”, siç do të thoshte vetë, me krahë të pikturuar blu mbi një qiell ëndrrash.
Quhej Domeniko Modunjo, dhe përmes zërit të tij, Italia gjeti jo vetëm një poet muzikor, por edhe një simbol të ringjalljes emocionale. Lindur në Polignano a Mare, ai e solli me vete detin e jugut, diellin e Adriatikut dhe gjuhën e shpirtit të thjeshtë. Nuk ishte thjesht këngëtar, por një kantautor – ndoshta i pari i Italisë moderne – që nuk pranoi të këndonte fjalë të huaja nga të tjerët, por i ndërtonte vetë si arkitekt i emocioneve.
Me kitare në dorë dhe zërin që thyente kufijtë e kohës, Modunjo përçoi jo vetëm muzikë, por një mënyrë të re të të ndierit, të të qenurit. Në një kohë kur skena muzikore italiane ishte ende e ngurtë, e përmbajtur, ai erdhi si një stuhi ngjyrash dhe gjestesh, duke transformuar çdo skenë ku ngjitej në një shfaqje jetësore.
Kënga “Nel blu dipinto di blu”, që u pagëzua më vonë me emrin “Volare”, ishte shumë më tepër se një hit. Ajo fitoi dy çmime Grammy në vitin 1958 – për “Record of the Year” dhe “Song of the Year” – dhe u ngjit në krye të klasifikimeve muzikore në Shtetet e Bashkuara, diçka e rrallë për një këngë në gjuhën italiane. Por përtej statistikave, kënga u bë një himn i gëzimit dhe shpëtimit, një metaforë e atyre që, në një botë gri pas luftës, guxuan të ëndërronin sërish në ngjyrë.
“Volare” është ripërdorur me kalimin e kohës në mënyra që Modunjo ndoshta nuk do t’i kishte imagjinuar. Në vitet ’80, kur Etiopia po kalonte një krizë të madhe urie, kënga u rikëndua nga emra të mëdhenj të muzikës italiane në një version solidariteti, për të mbledhur fonde humanitare. Dhe shumë më vonë, gjatë pandemisë së Covid-19, “Volare” u dëgjua nga ballkonet e Italisë, si zëri i një populli të izoluar që refuzonte të nënshtrohej, që donte të besonte, të ngrihej mbi frikën dhe të kujtonte se shpresa është një krahë që nuk i preket gravitetit.
Më vonë, jeta e çoi Modunjon në kinema, teatër dhe më tej, edhe në politikë, ku shërbeu si deputet në Parlamentin Italian. Por ai nuk e la kurrë artin pas – ai mbeti gjithmonë një qenie e ndjeshme në shërbim të njerëzores, një artist që kuptonte se muzika nuk është vetëm melodi, por edhe ilaç për kohët e vështira.
Domeniko Modunjo ndërroi jetë më 6 gusht 1994, në moshën 66-vjeçare, por zëri i tij vijon të dëgjohet si zë i shpresës dhe lirive personale. Ai nuk ishte thjesht një artist. Ishte era që fryn kur njeriu vendos të fluturojë mbi veten.
Në një botë ku shpesh harrojmë të ngremë sytë nga toka, Modunjo na mëson ende të fluturojmë. Me sy të mbyllur, por me zemrën hapur, nel blu, dipinto di blu…
TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Sheshi kryesor i qytetit të Elbasanit u shndërrua mbrëmë në një festë të traditës shqiptare, teksa Ansambli Popullor ndezi atmosferën me tingujt dhe vallet më të bukura nga të gjitha trevat.
Aktiviteti u zhvillua nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja.
Ky spektakël i kulturës kombëtare çeli zyrtarisht kalendarin e pasur të aktiviteteve verore që do të vijojnë gjatë gjithë muajit gusht, duke e kthyer Elbasanin në një destinacion tërheqës për artdashësit, turistët dhe çdo qytetar që kërkon argëtim dhe promovim të identitetit kulturor.
Qindra qytetarë dhe vizitorë u mblodhën në shesh për të shijuar më shumë se dy orë këngë, valle dhe emocion, në një mbrëmje që solli gjallëri, dhe energji pozitive në zemër të Elbasanit.
TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Shëtitjet në Himarën e vjetër, rreth e rrotull kalasë, ofrojnë pamje mahnitëse.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë publikoi në rrjetet sociale intervista të turistëve të shumtë të cilët kanë zgjedhur të vizitojnë këtë zonë të Shqipërisë. Ata shprehen të mahnitur nga panorama që ofron Kalaja e Himarës.
Një vajzë e lindur në Nju Jork por me origjinë shqiptare, tha se kishte ardhur me bashkëshortin dhe miqtë e saj për të parë Kalanë e Himarës.
“Sapo vizituam Kalanë e Himarës. Është absolutisht e bukur. Dhe pamja panoramike e Himarës, mahnitëse. Na pëlqeu shumë. Pothuaj humbëm atje, duke parë kishat dhe shtigjet e lezetshme me lule. Na pëlqeu shumë”.
Një tjetër çift vizitorësh të huaj u shpreh se kalaja është e bukur dhe pamjet gjithashtu shumë të bukura dhe se ua rekomandonin dhe të tjerëve ta vizitonin.
“Ky vend është shumë interesant, i bukur dhe i lashtë”, thotë një tjetër turiste ndërsa shëtit në Himarën e vjetër.
Kalaja e Himarës është një thesar i trashëgimisë kulturore. Në majën e kodrës, mbi të cilën ajo ngrihet, takohet deti me historinë dhe shpirtin e banorëve të kësaj zone.
“Kur ec përreth kalasë, kur ec mes ledheve mund të admirosh peizazhin”, thotë një turiste nga Franca.
Panorama është mahnitëse dhe vizitorët që mbërrijnë deri aty, për ta shijuar, janë të shumtë. Kalaja e Himarës i pret çdo ditë me dyert hapur dhe shpirtin e saj të lashtë. Vizitorët, vendas e të huaj, enden rrugicave me gurë, duke zbuluar kisha e shtëpi të vjetra të cilat dikur gjallonin. Kalaja e Himarës është ndërtuar nga kaonët e lashtë. Ajo ishte një fortesë e fuqishme nëpër shekuj, që ka parë pushtime romake, bizantine dhe osmane, por gjithmonë ka qëndruar kryelartë.
TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Biblioteka Kombëtare, përmes një publikimi në rrjetet sociale ftoi të shfrytëzohet Qendra “Sotir Kolea” e cila është një mjedis i qetë dhe estetikisht frymëzues, ideal për lexim, studim apo edhe punë kreative.
Në këtë qendër ka wi-fi falas dhe hapësira ku mund të punosh në qetësi, pa zhurmë e shpërqendrim. Stafi i kësaj qendre është i përkushtuar dhe mikpritës, gjithmonë gati për të ndihmuar në gjetjen e librit të duhur, apo në perfeksionimin e një ideje të re.
Në Qendrën “Sotir Kolea” gjendet salla me literaturë të ndarë sipas gjuhëve, nga gjermanishtja tek italishtja, nga gjuhët orientale të greqishtja e lashtë dhe latinishtja.
Biblioteka Kombëtare theksoi se kjo qendër nuk është vetëm për lexuesit, por për këdo që kërkon një vend ku të ndihet i mirëpritur, i lirë për të eksploruar dhe për të ndërtuar një komunikim të ri kulturor, sepse kultura nuk është luks, por është nevojë.
TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Sopranoja shqiptare me famë botërore, Inva Mula dhe instrumentistët e njohur Ekland Hasa në piano dhe Redi Hasa në violonçel, si edhe kori i fëmijëve “Okarina”, sollën sot një atmosferë magjike në skenën antike të Amfiteatrit të Durrësit përmes koncertit “Meloditë e Mesdheut”.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako e cilësoi këtë aktivitet, si një koncert mbresëlënës dhe një udhëtim me meloditë më të bukura të Mesdheut, që përcolli emocione të forta dhe përjetime të rralla për qytetarët dhe turistët e shumtë.
“Një event i veçantë ku u takuan muzika, arti dhe historia e që do të mbetet gjatë në kujtesën e publikut”, tha Sako.
Koncerti kishte në program këngët e meloditë më të bukura të pellgut të Mesdheut.
Sopranoja Inva Mula erdhi me këtë koncert pas MIK Fest në Korçë, ku u zhvillua edicioni i tij i tetë.
Horoskopi, e mërkurë, 6 Gusht 2025 Dashi Keni energjinë e duhur për të “çarë botën”, por ndaluni për pak dhe bëni rregull në mendimet tuaja. Jo çdo gjë zgjidhet me pasion apo vrull, ndonjëherë është e nevojshme të mendoni me gjakftohtësi. Në punë do të merrni shpejt një konfirmim që do t’ju japë shtysën e […]
TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Festivali i muzikës elektronike “Lumina Electronic” solli ritëm dhe atmosferë për të gjithë adhuruesit e muzikës elektronike.
Aktiviteti dëshmoi edhe një herë se Korça është jo vetëm një qytet i kulturës dhe historisë, por edhe i rinisë dhe energjisë së jashtëzakonshme.
Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo e konsideroi këtë edicion të dytë të festivalit “Lumina”, si të jashtëzakonshëm.
Filo u shpreh se për dy net me radhë, parku “Rinia” u mbush me ritme elektrizuese, energji pafund dhe qindra të rinj që festuan muzikën moderne në një atmosferë që vetëm “Lumina” di ta krijojë.
“Ky edicion e forcoi më tej identitetin e festivalit si një nga eventet më të rëndësishme verore në Korçë, duke tërhequr vizitorë dhe adhurues të muzikës elektronike nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni”, tha Filo, në një postim në rrjetet sociale.
Të rinj vendas dhe turistë të huaj u entuziazmuan, në një atmosferë që vështirë të përshkruhet me fjalë.
Lumina Electronic Festival është tashmë një traditë që do të vazhdojë çdo vit, me synimin për të rritur edhe më shumë ndikimin kulturor dhe turistik të Korçës, si një destinacion festash bashkëkohore dhe përjetimesh unike.
TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Mokra po bëhet gati të presë edicionin e gjashtë të festivalit “Mokra n’Fest”, një festë që prej vitesh mbledh bashkë mokrarët nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë, duke kthyer këtë zonë të bukur malore në një qendër të traditës, kulturës dhe mikpritjes.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale videomesazhin e promovimit të festivalit “Mokra n’Fest’ që fton qytetarët më 16 gusht që të bëhen pjesë e aktiviteteve e të shijojnë një ditë ndryshe.
“Nga veriu në jug, muaji gusht është një kolazh festash në çdo qytet!
“Edhe këtë vit, më 16 gusht, rikthehet “Mokra n’Fest” në Pogradec – më shumë se një festë, një përjetim i rrënjëve me muzikë, gatime tradicionale, kanoe, kamping, aktivitete në natyrë, bashkë me koloni piktorësh dhe argëtim për të gjithë”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.
Festa do të nisë nga orën 14:00 deri në mbrëmje vonë tek ura monument kulture në Golik. Gjatë festës do të zhvillohen aktivitete kulturore si koncerte e muzikë live dhe panair me gatime tradicionale.
Në skenën kryesore do të performojnë këngëtarët Mariola e Jurgen Kaçani, vëllezërit Lushka, Avni Lushka dhe Luli Qose, Vëllezërit Kapa, Ansambli “Mokra”, Julian Elezi, Juli Tollozhina etj, si dhe këngëtarë të tjerë lokalë, që do të sjellin muzikën dhe shpirtin e kësaj treve të lashtë ilire.
Vizitorët do të kenë mundësinë të shijojnë gatimet karakteristike të zonës, përgatitur nga duart e nënave mokrare si lakror në saç, kulaç tradicional, mish në hell, të gjitha me shije shtëpie dhe shumë dashuri.
Ndër aktivitetet që pritet të mbahen janë edhe kanoe në lumin Shkumbin, kamping në natyrë, koloni piktorësh, ekspozitë fotografike, argëtim për fëmijë dhe të rinj.
Ky festival folklorik është më shumë se një festë, është një kthim në rrënjë, një kujtesë e vlerave dhe identitetit tonë kulturor, dhe një ftesë për të jetuar nga afër shpirtin mokrar.
TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët përkujtoi sot artistin dhe piktorin e njohur, Nikolet Vasia.
Vasia lindi më 5 gusht të vitit 1947, në qytetin e Durrësit. Studimet e para i kreu në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Në vitet 1966-1970 ndoqi Akademinë e Arteve në Tiranë, ku u diplomua për pikturë. Nga viti 1970-1984 punoi si piktor dhe skicograf pranë Muzeut Arkeologjik, Durrës, në riprodhimin e vazove antike me pikturim dhe relieveve arkeologjike. Në vitin 1986 nis punën si mësues i pikturës, tekstilit në shkollën artistike “Jan Kukuzeli” Durrës.
Vasia kryesisht ka trajtuar temën historike, ku shquhen veprat në vaj: “Tek arbëreshët” “Rreth flamurit të bashkuar”, “Posta shqiptare 1912”, “Kuvendi i burrave”, “Familja fshatare”, etj.
Të njohura janë edhe kompozimet dimensionale në mozaik dhe vitrazh në Muzeun e Skënderbeut në Krujë me temë “Kushtrimi” dhe “Tradita”. Pikturat murale në ambiente të ndryshme të qytetit si “Pena shqiptare”, “Lojërat e fëmijëve” dhe “Pranvera”. Shquhet gjithashtu edhe në realizmin e portreteve si ato historike, “Shote Galica”, që ruhen me shumicë si në galerinë e qytetit të Durrësit dhe tek koleksionistët privatë. Legjendat shqiptare për Doruntinën, Rozafën, Mujin dhe zanat, u bënë tema të preferuara të tij, një pjesë e të cilave më pas u kthyen edhe në koleksione filatelike të pullave të Postës Shqiptare.
Në vitet 2000 atyre iu shtuan edhe seritë e tjera filatelike “Përvjetori i OKB”, “200-vjetori i Revolucionit francez”, “Van Gog”, “Lojërat olimpike”, etj. Vasia ka marrë pjesë në shumë ekspozita kombëtare, ku ka fituar dhe çmime. Veprat e piktorit ndodhen nëpër koleksionet private në shumë qytete të Shqipërisë si dhe në Itali, Greqi, Gjermani, Francë, Belgjikë, Spanjë dhe SHBA.
Pas një jave pune krijuese përgjatë bregdetit të jugut, ekspozita “7 Ditë Art – Himara 2025” do të hapet më 9 gusht, nga ora 09:00 deri në 20:00, në ambientet e Green Coast MGallery Hotel. Ceremonia zyrtare e hapjes do të zhvillohet në orën 11:00.
Ekspozita sjell për publikun veprat e krijuara nga 14 artistë nga Shqipëria dhe Kosova, të frymëzuar nga peizazhi mesdhetar dhe trashëgimia kulturore e zonës.
Çdo artist përfaqësohet me disa vepra unike, të cilat janë të disponueshme edhe për blerje.
Eventi është rezultat i një kolonie artistike të zhvilluar në pranverë në Himarë, që shërbeu si platformë bashkëpunimi ndërmjet artistëve të njohur si Agron Mulliqi, Merita Maloku, Eshref Qahili, Azem Kuçana dhe të tjerë.
Nisma është kuruar nga Kosta Zhonga.
Përtej dimensionit artistik, ekspozita konsiderohet një formë investimi kulturor dhe promovimi turistik për Himarën dhe rivierën shqiptare, duke përforcuar lidhjen mes krijimtarisë dhe zhvillimit lokal.
Ekspozita është e hapur për publikun gjatë gjithë ditës dhe pritet të tërheqë vizitorë vendas dhe të huaj, të pranishëm në zonë gjatë kulmit të sezonit turistik.
Nga Gazeta “Si”– Pas çlirimit të Kosovës, arti dhe kultura janë shndërruar në ura lidhëse mes së kaluarës dhe së tashmes, si përpjekje e vazhdueshme për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë e pasur kulturore shqiptare. Ndër fushat ku shoqëria kosovare është rilidhur më së shumti me vetveten si në aspektin tradicional, ashtu edhe atë modern është arti cilësor i cili ka zënë një vend të rëndësishëm, i mbështetur vazhdimisht nga artistë të pavarur dhe institucione kulturore.
Një ndër ngjarjet më të veçanta që tashmë është kthyer në traditë është festivali kulturor “Ditët e Shqiptarit”, i cili organizohet çdo verë në qytetin e Gjakovës, nga korriku deri në gusht. Ky festival ka tejkaluar përmasat lokale, duke u shndërruar në një ngjarje mbarëkombëtare që mbledh artistë, intelektualë dhe vizitorë nga të gjitha trevat shqiptare dhe më gjerë.
Me pjesëmarrjen e emrave të njohur si Ermonela Jaho, Elina Duni, Vlashent Sata, Jericho, Lorik Cana apo shkrimtarit Kim Mehmeti, “Ditët e Shqiptarit” kthejnë Gjakovën për disa fundjava me radhë në epiqendrën e artit, kulturës dhe dialogut ndërshqiptar. Por festivali nuk kufizohet vetëm në artin skenik. Aktivitetet përfshijnë kolonitë e piktorëve, teatrin e rrugës, kulinarinë tradicionale, ekspozita, sporte dhe kërcime ikonike nga Ura e Fshajt mbi kanionin e Drinit , gjithçka në funksion të një përvoje të thellë kulturore, të rrënjosur në autenticitetin shqiptar.
Organizatori dhe një nga themeluesit e këtij festivali, Ermal Hasimja, rrëfen për Gazetasi.al se Gjakova është një nga qytetet më artdashëse, dhe si i tillë e mbështet dhe e ndjek artin me interes. Sipas Hasimes, aktivitetet kulturore në Gjakovë synojnë të shtrihen përgjatë gjithë vitit.
“Ditët e Shqiptarit” janë pjesë e aktiviteteve të organizuara nga Fondacioni për Gjakovën. Tingëllon emër i madh, por në fakt fondacioni është thjesht një grup vullnetarësh gjakovarë që po përpiqen të nxjerrin në pah vlerat kulturore të qytetit. Aktivitete të ngjashme organizohen edhe në nëntor, pranë festës së flamurit, ose në kohë të tjera gjatë vitit. Synimi afatgjatë është që aktivitetet të shtrihen përgjatë gjithë vitit.
“Ditët e Shqiptarit” janë pritur shumë mirë. Është një qytet që e vlerëson artin e kulturën. Për më tepër, gjatë festivalit Gjakova është plot me vizitorë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut e vende të tjera. Festivali fokusohet te autentikja shqiptare. Nuk ka tallava apo zhanre të tjera të hiperkomercializuara. Muzika e vjetër qytetare është thelbësore, sepse qyteti jeton me muzikën, por festivali përfshin edhe kuzhinën tradicionale, koloni piktorësh, teatër rruge, kërcimet e famshme nga Ura e Fshajt mbi kanionin e Drinit, panele diskutimi me intelektualë, etj.
Që nga Ermonela Jaho, grupi muzikor Jericho dhe deri te Kim Mehmeti, “Ditët e Shqiptarit” duket sikur duan dhe kërkojnë të përfshijnë të gjithë. Por përtej pasionit dhe punës për të realizuar këto evente, ka edhe një kriter përzgjedhjeje për të ftuarit në “Ditët e Shqiptarit”.
“Për këto aktivitete punohet gjithë vitin. Secili nga grupi është i angazhuar maksimalisht sipas profilit të vet. Disa nga anëtarët e Fondacionit kontribuojnë edhe financiarisht për financimin e aktiviteteve. Kriteri i vetëm i përzgjedhjes është i thjeshtë: ne afrojmë kulturën autentike shqiptare. Prandaj të gjithë koncertet janë shqip, kuzhina është gjakovare, të ftuarit artistë ose intelektualë janë shqiptarë dhe diskutojnë tema shqiptare e kështu me radhë.
Ne synojmë ta kthejmë Gjakovën në qendrën e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe natyrisht edhe në qendër të turizmit të përvojës shqiptare.”
Ermal Hasimja, i njohur si politolog, pedagog dhe së fundmi edhe si shkrimtar në Shqipëri, na tregon edhe lidhjen e tij të ngushtë me Gjakovën.
Ermal Hasimja
“Origjina ime është nga Gjakova. Jam rritur që i vogël me dashurinë për këtë qytet. Dikujt nga jashtë mund t’i duket e çuditshme, por kjo ka qenë element thelbësor i identitetit tim vetjak e familjar. Nuk jam rast i veçantë. Çdo gjakovar, kudo ku është, ka një lidhje të fortë me qytetin dhe me këtë ushqehet që i vogël prej familjes. Në fakt, i gjithë qyteti është një familje e madhe.”
Ai thekson se “Ditët e Shqiptarit” janë konceptuar si sofër gjakovare që pret mysafirë nga e gjithë Shqiptaria, me synimin për t’i njohur me mikpritjen dhe shpirtin artistik të gjakovarëve.
“‘Ditët e Shqiptarit’ nuk është festë vendore. Përkundrazi, është konceptuar si një sofër gjakovare që pret mysafirë nga gjithë trojet shqiptare si dhe të huaj. Mirëpo, kush erdhi në Gjakovë e u ndje i huaj?! Gjakovarët janë mikpritës me nam, të dashur, me një sens humori që e konkuron vetëm Shkodra, dhe e duan shqiptarësinë siç duan familjen e tyre.
Ne duam që këto vlera t’i rikthejmë në vëmendje. Nuk jemi të vetmit, sepse komuna po bën një punë të mirë dhe na mbështet edhe neve, bizneset po rigjallërohen dhe i gjithë qyteti po rizgjohet për të dalë natyrshëm në rolin e tij karakteristik kulturor.”
Hasimja në fund thotë se skena kulturore në Kosovë po gjallërohet dhe kjo falë edhe festivaleve të tilla si ky.
“Vështirë të bëhet krahasimi, sepse kjo varet edhe nga natyra e cilësia e festivaleve. Është e sigurt që skena kulturore po gjallërohet. Por festivale si ‘Ditët e Shqiptarit’, me karakter kulturor e identitar, janë të një rëndësie të veçantë në epokën globaliste ku jetojmë.”
Në një kohë kur komercializimi dhe arti sipërfaqësor shpesh mbizotërojnë në hapësirat kulturore, “Ditët e Shqiptarit” në Gjakovë vijnë si një rikthim te thelbi, te rrënjët, te dija dhe ndjeshmëria shqiptare.
Ky festival nuk është thjesht një ngjarje kulturore por një ftesë për të festuar identitetin dhe vlerat e përbashkëta. Dhe Gjakova, me mikpritjen e saj të rrallë duket se ka gjetur formulën për të qenë jo vetëm qyteti i artit, por edhe zemra e kulturës shqiptare.
TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Më 5 gusht 1943, nisi Lufta e Konispolit, e hyrë në histori si përballja më e gjatë ndaj ushtrisë naziste në Ballkan.
Nga datat 5 gusht deri më 28 shtator 1943 u zhvillua Lufta e Konispolit, një betejë e cila zgjati për 55 ditë dhe ishte luftimi i parë në vendin tonë në kufirin shtetëror me Greqinë kundër batalioneve gjermane. Këto luftime kanë hyrë në histori si luftimet më të gjata në kohë të rezistencës shqiptare.
Komanda gjermane kishte si qëllim të vinte nën kontroll bregdetin Jonian nga Gjiri i Artës deri në Konispol. Rezistenca u udhëhoq nga Batalioni “Çamëria” i ndihmuar edhe nga forca vullnetare të zonës.
Luftime të gjata pati gjatë rrugës automobilistike Skalomë – Konispol dhe në drejtimin Lopës – Qafa e Likojanit.
Në fund të këtyre luftimeve gjermanët arritën të pushtonin Konispolin dhe të lironin rrugët për lëvizjen e lirshme të ushtrisë gjermane në territorin e Ballkanit dhe konkretisht drejt Greqisë.
TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot në rrjetet sociale pamje mahnitëse nga natyra shqiptare, duke sjellë në vëmendje bukuritë e rralla të parqeve kombëtare të vendit.
Në postimin e tij, Rama ndau një kolazh me pamje të kaprojve në habitatin e tyre natyror, të cilat i cilësoi si një “kartolinë pamjesh” nga thesaret natyrore të Shqipërisë.
“Kartolinë pamjesh të kaprojve nga parqet tona kombëtare”, shkruan Rama, duke evidentuar rëndësinë e ruajtjes së biodiversitetit dhe pasurive natyrore që ofrojnë parqet e mbrojtura.
Shqipëria zotëron një rrjet të gjerë parqesh kombëtare, 12 të tilla, tt cilat janë kthyer në destinacione tërheqëse për turistët vendas dhe të huaj, falë natyrës së paprekur dhe faunës së pasur që ato ofrojnë.