Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 1 August 2025Main stream

Të dënuar për vjedhje në Belgjikë, sekuestrohen pasuritë e një grupi kriminal, ndër to edhe “Guard Security”

By: Ela
1 August 2025 at 09:50

SPAK ka sekuestruar 25 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme ndaj një grupi kriminal të dënuar në Belgjikë, konkretisht ndaj D.D dhe familjarët e tij, D.S., B. A., A. H, L.V., dhe D. H., në kuadër të një procedimi pasuror që po zhvillohet në Shqipëri. D.D dhe familjarët e tij, D.S., B. A., A. H, […]

The post Të dënuar për vjedhje në Belgjikë, sekuestrohen pasuritë e një grupi kriminal, ndër to edhe “Guard Security” appeared first on BoldNews.al.

Gushti nis me surpriza, njihuni me 4 shenjat më fatlume të horoskopit për muajin e fundit të verës

By: Ela
1 August 2025 at 09:42

Muaji gusht sjell zhvillime të rëndësishme astrologjike që ndikojnë fuqishëm në mirëqenien personale, marrëdhëniet dhe karrierën. Hëna e Plotë në shenjën e Ujorit më 9 gusht nxit reflektim dhe mbyllje ciklesh, ndërsa Hëna e Re më 23 gusht, e shoqëruar me hyrjen e Diellit në Virgjëreshë dhe Venusit në Luan, sjell energji të reja për […]

The post Gushti nis me surpriza, njihuni me 4 shenjat më fatlume të horoskopit për muajin e fundit të verës appeared first on BoldNews.al.

Paralajmëron themeluesi i YouTube: Videot e shkurtra po dëmtojnë fëmijët

By: Ela
1 August 2025 at 09:33

Steve Chen, një nga themeluesit e platformës më të madhe të videove në botë, YouTube, ka shprehur shqetësimin e tij për ndikimin që videot e shkurtra si TikTok, Reels apo Shorts mund të kenë te fëmijët. Ata mund të humbasin durimin për të ndjekur diçka më të gjatë se 15 minuta, u shpreh Chen gjatë […]

The post Paralajmëron themeluesi i YouTube: Videot e shkurtra po dëmtojnë fëmijët appeared first on BoldNews.al.

Policia e Kosovës aksion në Zubin Potok, zbulon laboratorin që prodhon kriptovaluta

By: Ela
1 August 2025 at 09:13

Gjatë një operacioni policor të zhvilluar në fshatin Qabër në Zubin Potok, policia e Kosovës kanë hasur në pajisje që shfrytëzohen për nxjerrjen e monedhave digjitale. “Në një objekt ndihmës pranë një shtëpie, janë zbuluar dhe konfiskuar 13 njësi kompjuterike (të njohura si ‘riga’) si dhe pajisje të tjera të nevojshme për prodhimin e kriptovalutave. […]

The post Policia e Kosovës aksion në Zubin Potok, zbulon laboratorin që prodhon kriptovaluta appeared first on BoldNews.al.

Rrëshqitje dherash dhe bllokim rruge në segmentin Gramsh–Korçë

By: Ela
1 August 2025 at 08:44

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë rajonin juglindor të vendit gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar probleme serioze në qarkullimin rrugor, veçanërisht në segmentin Gramsh–Korçë, ku një pjesë e rrugës është bërë përkohësisht e pakalueshme për automjetet për shkak të rrëshqitjeve të dherave dhe inerteve. Ndër zonat më të goditura nga kjo situatë […]

The post Rrëshqitje dherash dhe bllokim rruge në segmentin Gramsh–Korçë appeared first on BoldNews.al.

Tre vjet burg nëse tallesh dhe përbuz “udhëheqësit”

By: Ela
1 August 2025 at 08:27

Nëse tallesh me udhëheqësit politikë të vendit, apo nëse guxon t’i përçmosh apo t’i përbuzësh ata apo simbolet jofrymore të shtetit, nëse guxon të thuash një fjalë të keqe kundër personave  që kanë statusin ligjor “Dëshmor i atdheut”, rrezikon të dënohesh me deri katër vjet burg ndërsa nëse një sakrilegj i tillë kryhet nga “subjekti […]

The post Tre vjet burg nëse tallesh dhe përbuz “udhëheqësit” appeared first on BoldNews.al.

Trajtim financiar për punonjësit e policisë që punojnë në ambasadat jashtë vendit

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Punonjësit e policisë së shtetit të cilët caktohen me detyrë si oficerë ndërlidhës jashtë vendit, do të trajtohen financiarisht nga buxheti i shtetit i caktuar për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për trajtimin financiar që përfshin shpenzimet publicitare në interes të Policisë së Shtetit, udhëtimet dhe dietat jashtë vendit pritës, kur këto kryhen në interes të Policisë së Shtetit, udhëtimet dhe dieta, brenda vendit pritës.

Po ashtu, punonjësve të policisë do t’u paguhen shpenzimet për përmbushjen e detyrimeve protokollare për pritjen e partnerëve zyrtarë, ceremonitë zyrtare të karakterit policor dhe pritje të personelit policor të nivelit të lartë në vendin pritës, shpenzimet për mbështetjen e veprimtarive, veçanërisht të rëndësishme, të studentëve të policisë shqiptare në vendet përkatëse.

Gjithashtu, qeveria shqiptare do të mbulojë dhe shpenzimet për qiranë e apartamentit, mirëmbajtjen e tij dhe të ambienteve të përbashkëta për ngrohje, gaz, energji elektrike dhe ujë, pajisje shtëpiake, siguracionin, mirëmbajtje, riparim defekti dhe shërbimi karrotrec, karburant, parkim, regjistrim dhe kontrollet periodike në vendin pritës të automjetit, komisionet bankare, internetin dhe telefoninë fikse e të lëvizshme.

Po ashtu do t’u paguhen shpenzimet për zyrë, mobilje e pajisje zyre dhe kancelari, transportin e oficerit ndërlidhës dhe familjarëve të tij nga Shqipëria në kohën e emërimit, si dhe shpenzimet e transportit nga vendi i emërimit për në Shqipëri, kur ata mbarojnë detyrën, transporti i sendeve personale në momentin e emërimit dhe kthimit në atdhe.

Transporti i sendeve dhe orendive personale bëhet me miratimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, deri në masën 7,4 m3 për anëtar familjeje, pa kaluar limitin e 30 m3 për çdo familje. Prokurimi i fondeve për mbulimin e këtyre shpenzimeve i nënshtrohet legjislacionit në fuqi.

Vendimi parashikon po ashtu sigurimin e shëndetit gjatë udhëtimit, si dhe sigurimin e jetës së oficerit ndërlidhës, që shërben në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë dhe në organizatat ndërkombëtare jashtë vendit dhe të familjarëve të tyre, në rastet kur vendi pritës konsiderohet vend me rrezikshmëri të lartë.

Sigurimi i jetës do të paguhet për sa kohë vazhdon situata e rrezikshmërisë së lartë.

Prokurimi i fondeve për mbulimin e këtyre shpenzimeve i nënshtrohet legjislacionit në fuqi.

Rrezikshmëri e lartë, për efekt sigurimi, sipas këtij vendimi, konsiderohen situatat, kur në shtetin pritës shpallet gjendja e luftës ose e jashtëzakonshme; në shtetin pritës mbizotërojnë situata të përkeqësuara të sigurisë dhe të rendit publik, të cilat vlerësohen të rrezikshme për jetën.

Oficeri ndërlidhës ka të drejtë të përfitojë shpenzime udhëtimi, akomodimi dhe dietë, në valutë të huaj, sipas legjislacionit në fuqi, kur emërohet në detyrë, thirret në atdhe ose dërgohet me shërbim në një shtet tjetër, si dhe kur kthehet në atdhe, në përfundim të detyrës./m.m/j.p/

The post Trajtim financiar për punonjësit e policisë që punojnë në ambasadat jashtë vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rindërtimi, Qeveria i dorëzon bashkisë së Krujës 150 apartamente të reja

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot dorëzimin e 150 apartamenteve të reja të banimit për të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për kalimin te Bashkia Krujë të 150 njësive individuale të banimit.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Krujë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. /m.m/j.p/

The post Rindërtimi, Qeveria i dorëzon bashkisë së Krujës 150 apartamente të reja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Korpusi i Inspektorateve”, transferohen pronat shtetërore tek Korporata e Investimeve Shqiptare

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi sot transferimin te Korporata e Investimeve Shqiptare të pronave shtetërore për realizimin e projektit “Korpusi i Inspektorateve” dhe projekteve të tjera të investimit.

Autorizimi i shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, vetë apo nëpërmjet entitetit të krijuar prej saj, për të vepruar si zhvillues i pronave, të përcaktuara në këtë vendim vjen në funksion të realizimit të projektit të investimit, që ka si qëllim, ndër të tjera, përmbushjen e interesit publik.

Korporata e Investimeve Shqiptare dhe institucionet publike përfituese brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi duhet të lidhin marrëveshje bashkëpunimi për përcaktimin e standardit, metodologjisë, termave dhe kushteve të bashkëpunimit për përmbushjen e interesit publik, përmbushjen e interesit të Korporatës, si dhe entiteteve në pronësi të të cilit regjistrohet prona e re shtetërore.

Korporata e Investimeve Shqiptare ngarkohet të kryejë procesin e konsolidimit të pronave, në rast se konstatohet mospërputhje midis gjendjes faktike dhe ligjore të pronës.

Po ashtu, Korporata e Investimeve Shqiptare autorizohet për hapjen e procedurës konkurruese për përzgjedhjen e partnerit privat, për zhvillimin e pronave nëpërmjet instrumentit të sipërmarrjes, me qëllim realizimin e projekteve të saj të investimit.

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit autorizohet që në të njëjtën procedurë, të asistojë Korporatën e Investimeve Shqiptare nëpërmjet hartimit të termave të referencës për projektidetë arkitekturore, hartimin e kritereve të kualifikimit për projektuesit dhe kritereve të vlerësimit paraprak e përfundimtar të projektideve arkitekturore.

Po ashtu autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për negociimin me subjekte private, me qëllim lidhjen e kontratës përkatëse për zhvillimin e pronave të transferuara në pronësi apo për të cilat ka autorizim zhvillimi, në funksion të realizimit të projekteve të saj të investimit.

Institucionet publike, të cilat zhvillojnë aktivitet në godinat e ngritura në pronat e përcaktuara në këtë vendim, do të vazhdojnë të përdorin pronën në funksion të aktivitetit të tyre deri në momentin e marrjes në dorëzim të ambienteve të reja, të ndërtuara në përputhje me termat dhe kushtet e përcaktuara në marrëveshje.

Kur, për nevoja të realizimit të projekteve të investimit, institucioni publik duhet të largohet nga prona ku kryen aktivitet, institucioni publik, me njoftimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare liron ambientet ku kryen veprimtarinë e tij, vetëm pasi Korporata e Investimeve Shqiptare, në bashkëpunim me institucione të tjera, publike apo subjekte private, i ka siguruar ambiente të përkohshme për vazhdimin e aktiviteteve të punës deri në marrjen në dorëzim të ambienteve të reja të ndërtuara.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Inspektorati i Përgjithshëm, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSSHSH), Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), Agjencia Kombëtare e Bregdetit (AKB), Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar (AKAP), Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI), Inspektorati Shtetëror Shëndetësor (ISHSH), Zyra e Mbrojtjes nga Rrezatimet (ZMR), Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat Minerare (AKSEM), Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKPMB), Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës (DSHPA), Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA), Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Agjencia Kombëtare e Pyjeve (AKP), Universiteti Politeknik i Tiranës, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Korporata e Investimeve Shqiptare.

/m.m/j.p/

The post “Korpusi i Inspektorateve”, transferohen pronat shtetërore tek Korporata e Investimeve Shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 31 July 2025Main stream

Projekt për rivitalizimin e Pallatit të Kongreseve, kalon në pronësi të MEKI

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Pallati i Kongreseve në Tiranë ka kaluar në pronësi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ndërsa pritet zbatimi i projektit të investimit për rivitalizimin e godinës.

Këshilli i Ministrave miratoi sot ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Bashkia Tiranë te Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të pasurisë me numër 7/74, në zonën kadastrale 8160, Tiranë, sipas planit të rilevimit, në funksion të realizimit të projektit të investimit “Rivitalizimi i Pallatit të Kongreseve”.

Pas këtij vendimi, kjo pronë do t’i hiqet listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore të Bashkisë Tiranë.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Vendimi për kalimin e pronësisë së Pallatit të Kongreseve u miratua në 24 korrik edhe nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.

Kryetarja në detyrë e Bashkisë, Anuela Ristani, shpjegoi se me kalimin e viteve dhe pavarësisht mirëmbajtjes e kujdesit të vazhdueshëm, Pallati i Kongreseve ka paraqitur shenja amortizimi e degradimi.

“Vendimi synon të shndërrojë Pallatin e Kongreseve në një qendër multifunksionale për konferenca, evente kulturore”, shtoi ajo. /m.m/ j.p/

The post Projekt për rivitalizimin e Pallatit të Kongreseve, kalon në pronësi të MEKI appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kredi me interes zero për disa kategori sociale, miratohen procedurat

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave përcaktoi sot institucionet përgjegjëse, si dhe procedurat e miratimit dhe të dokumentacionit që duhet të plotësojnë familjet që përfitojnë kredi me interes të barabartë me 0%, të subvencionuar nga buxheti i shtetit nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave.

Vendimi përfshin familjet që banojnë si qiramarrës në ish-pronë private, familjet e punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë, si dhe fëmijët në përkujdesje të Republikës.

Masa e subvencionit të interesave të kredisë për këto familje, për banesa me kosto të ulët, është me 0 % interes.

Aplikimi për përfitimin e kredisë me interes 0% kryhet nga kryefamiljari ose kujdestari ligjor në portalin qeveritar “e-Albania”, në sistemin e Entit Kombëtar të Banesave, duke ngarkuar vërtetimin negativ nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që në emër të kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes nuk figuron, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, pronë e regjistruar ose në proces regjistrimi ose vërtetimin për një pronë që është nën normat e banimit.

Me kërkesë të Entit Kombëtar të Banesave, Ministria e Brendshme i përcjell EKB-së dokumentacionin që vërteton statusin e familjes aplikuese si familje e punonjësit të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë.

Individët ose familjet e miratuara për të përfituar kredi me interes 0% qëndrojnë në listë pritjeje pa afat kohor të caktuar.

Lista e familjeve, që plotësojnë kushtet për të përfituar kredi me interes 0 %, miratohet me vendim të komisionit ad hoc të kredisë, të ngritur pranë EKB-së. Komisioni ad-hoc ngrihet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Entit Kombëtar të Banesave, brenda 5  ditëve nga paraqitja e kërkesave. Komisioni shqyrton kërkesën brenda 10 ditëve nga ngritja e tij. Ndaj vendimit të refuzimit të komisionit, kërkuesit paraqesin ankim administrativ pranë EKB-së brenda 5 ditëve nga njoftimi i vendimit, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative.

Listat e përfituesve përfshijnë të dhëna për përbërjen e familjes, sipas certifikatës familjare, strukturën e apartamentit që përfiton, si edhe të dhëna mbi gjendjen: e strehimit; familjare; sociale.

Procedura e dhënies së subvencionimit të interesave të kredisë zbatohet nga institucionet financiare me të cilat ministria përgjegjëse për strehimin ka lidhur marrëveshje. Në rastet kur kryefamiljari, emri i të cilit i është përcjellë institucionit financiar, në rastin e familjeve qiramarrëse në ish-pronë private, ka ndërruar jetë, institucioni financiar vijon me procedurat e përfitimit të kredisë, duke pasur parasysh certifikatën familjare të datës 1 dhjetor 1992, të vënë në dispozicion nga EKB-ja.

Listat e familjeve përfituese të programit të subvencionimit të interesave të kredisë me 0% interes i dërgohen institucionit financiar me të cilin është nënshkruar marrëveshja, si dhe çdo institucioni që do të monitorojë subvencionimin.

Enti Kombëtar i Banesave, në rolin e institucionit që zbaton programin, njofton institucionin financiar për ndërprerjen e subvencionimit të interesave të kredisë kur, nga verifikimet konstatohen: se qytetari nuk ka liruar banesën e pronarit brenda afatit të përcaktuar; falsifikime të dokumenteve apo deklarata të rreme; mangësi apo të meta në dokumentacionin e dosjes së familjes përfituese.
/m.m/j.p/

The post Kredi me interes zero për disa kategori sociale, miratohen procedurat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shoqëri aksionare për prodhimin dhe tregtimin e armëve, Qeveria miraton kushtet e negociimit të “KAYO”

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot kushtet e negociimit të shoqërisë “KAYO”, sh.a, me shoqëri private, me qëllim krijimin e një shoqërie aksionare të përbashkët për prodhimin dhe tregtimin e armëve të kalibrave të vegjël, të mesëm dhe dronëve.

Sipas këtij vendimi, shoqëria “KAYO”, sh.a., negocion dhe pranon një pjesëmarrje jo më të ulët se 20 % të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqëri private.

Shoqëria “KAYO”, sh.a., kontribuon në entitetin e ri tregtar me pasuri të paluajtshme, në masën jo më pak se 5000 m2, që do t’i jepen në përdorim shoqërisë së përbashkët, në një nga format e parashikuara nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, pa të drejtë tjetërsimi dhe pa të drejtë transferimi të pronës, e cila do të mbetet në çdo rrethanë pronë e shoqërisë shtetërore “KAYO”, sh.a.

Po ashtu, shoqëria shtetërore “KAYO”, sh.a., gjatë procesit të negociimit, në çdo rast, siguron nga subjekti më të cilin negocion, minimalisht një vlerë investimi jo më të ulët se 50 milionë euro.

Të tjera kushte janë ofrimi i linjave teknologjike të prodhimit ose montimit të armëve të kalibrave të vegjël, të mesëm dhe dronëve sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe strukturave të tjera të sigurisë, si dhe sigurimi i rrjetit të shpërndarjes së produkteve në rast eksporti.

Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se, përpos parashikimeve të tjera, objekti i aktivitetit të shoqërisë tregtare, që do të krijohet, do të përmbajë prodhimin, montimin dhe tregtimin e armëve të kalibrave të vegjël dhe dronëve për Forcat e Armatosura dhe për përdorim nga strukturat e tjera të sigurisë.

Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër gjatë negociatave se administratori/ët e shoqërisë, që do të krijohet nga dy shoqëritë e sipërpërmendura, zgjidhet me dakordësinë e shoqërisë “KAYO”, sh.a.

Po ashtu, shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër gjatë negociatave se, minimalisht 40 % e Këshillit Drejtues ose Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë, që do të krijohet, në rast se forma e shoqërisë parashikon këto organe drejtuese/mbikëqyrëse, do të emërohen nga shoqëria “KAYO”, sh.a.

Statuti i shoqërisë, që do të krijohet, përmban dispozitat mbi të drejtën e vetos, që gëzon shoqëria “KAYO”, sh.a., në bazë të ligjit“Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.

Siguria fizike e personelit dhe infrastrukturës sigurohet nga Forcat e Armatosura, sipas akteve nënligjore, të nxjerra nga autoritetet kompetente, sipas ligjit “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

/m.m/j.p/

The post Shoqëri aksionare për prodhimin dhe tregtimin e armëve, Qeveria miraton kushtet e negociimit të “KAYO” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kërkuan shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura, Kushtetuesja rrëzon deputetët e opozitës

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot kërkesën e një të pestës së deputetëve të Kuvendit për shfuqizimin e ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për Zonat e Mbrojtura’”, si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

Gjatë shqyrtimit të kritereve paraprake, Gjykata vlerësoi njëzëri, se pretendimet për lirinë e kërkimit shkencor dhe të sigurisë juridike në lidhje me komunitetin, janë pretendime të reja, të paraqitura pas çeljes së shqyrtimit gjyqësor, për rrjedhojë ato nuk mund të merren në shqyrtim.

Kurse për sa u përket pretendimeve për cenimin e parimit të barazisë përpara ligjit, parimeve të shtetit të së drejtës dhe të hierarkisë së akteve normative, Gjykata vlerësoi njëzëri se kërkuesi nuk ka sjellë argumente kushtetuese në mbështetje të tyre.

Për sa i përket pretendimit për papajtueshmërinë e ligjit me MSA-në dhe cenimin e acquies communitarire, qëndrimet e gjyqtarëve u ndanë. Për rrjedhojë, për sa kohë nuk u arrit numri i kërkuar prej 5 gjyqtarësh për vendimmarrje, ky pretendim konsiderohet i rrëzuar.

Konkretisht, sipas njërit qëndrim, MSA-ja është një marrëveshje ndërkombëtare që synon një proces për t’u ndërmarrë nga shteti shqiptar, që i përcakton direktivat si bazë dhe referencë për përafrim të legjislacionit, por pa i bërë ato instrumente me forcë detyruese dhe pjesë të së drejtës së brendshme në kuptimin kushtetues dhe për këtë shkak kontrolli kushtetues, sipas nenit 122 të Kushtetutës, shtrihet vetëm për pajtueshmërinë e ligjit objekt shqyrtimi me nenin 108 të MSA-së.

Sipas qëndrimit tjetër, neni 108 i MSA-së nuk mund të shihet i shkëputur nga acquis communautaire pasi ndryshe do të mbetej pa substancë. Ndaj, në rastet kur kërkohet kontrolli i pajtueshmërisë së ligjit me MSA-në, neni 108 përfshin në përmbajtjen e tij edhe acquies communautarire, për rrjedhojë kontrolli duhet bërë duke konsideruar edhe përmbajtjen e direktivave në fjalë.

Gjykata vendosi të shqyrtojë në themel pretendimet që lidhen me procedurën parlamentare (që kanë të bëjnë me raportin shoqërues të projektligjit dhe konsultimin publik) dhe pretendimet që lidhen me përmbajtjen e ligjit në drejtim të pajtueshmërisë me marrëveshjet ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim dhe respektimit të identitetit kombëtar e trashëgimisë natyrore.

Për pretendimin për cenimin e nenit 82 të Kushtetutës në lidhje me raportin shoqërues të projektligjit që përligj shpenzimet financiare për zbatimin e tij, qëndrimet e gjyqtarëve u ndanë në dy drejtime, për rrjedhojë nuk u arrit numri i kërkuar prej 5 gjyqtarësh për vendimmarrje. Në këto kushte ky pretendim u rrëzua.

Konkretisht, sipas njërit qëndrim, u vlerësua se, në mënyrën sesi është formuluar ligji i kundërshtuar në lidhje me krijimin e Zyrave të Administrimit të Parqeve Kombëtare, duket se ai nuk sjell shpenzime financiare dhe për këtë qëllim llogaritja e tyre ishte pamundur të bëhej. Në verifikim të normës kushtetuese duket se qëllimi i kushtetutëbërësit nuk është verifikimi i masës së shpenzimeve, pra llogaritja e tyre, por përligjja e tyre.

Në këtë kuptim, për sa kohë që shpenzimet në këtë ligj janë të përligjura, për shkak të angazhimeve që ka marrë shteti shqiptar në kuadrin konventor të pasqyruar edhe në ligjin ekzistues, si edhe në konsideratë që edhe funksionet, në thelb, mbeten të njëjta, nuk duket se ka pasur nevojë për një përligjje të mëtejshme të këtyre shpenzimeve.

Sipas qëndrimit tjetër, u vlerësua se Zyra e Administrimit të Parqeve Kombëtare është një strukturë e re dhe në shtesë të funksioneve shtetërore aktuale i shtohen edhe funksionet e reja që kanë të bëjnë me planet e menaxhimit në përputhje me ndryshimet e reja ligjore që lejojnë veprimtarinë ekonomike, turistike dhe infrastrukturë mbështetëse për to.

Efektet financiare rezultojnë jo vetëm nga përmbajtja e ligjit që parashikon krijimin e këtyre zyrave, por konfirmohen edhe nga raporti i Komisionit të Ligjeve që ka pohuar se projektligji sjell efekte financiare.

“Neni 82, pika 1, i Kushtetutës vendos detyrimin që projektligji të shoqërohet kurdoherë kur është rasti me raportin që përligj shpenzimet financiare për zbatimin e tij, pasi kjo është një çështje që ka të bëjë jo vetëm me financat publike, që merren në mbrojtje shprehimisht nga Kushtetuta, por edhe me faktin se procedura e hartimit, miratimit dhe zbatimit të buxhetit i nënshtrohet procedurave specifike kushtetuese, të cilat karakterizohen edhe nga parimi i transparencës dhe llogaridhënies. Ky detyrim nuk është përmbushur në këtë rast ndaj neni 17 i ligjit nr. 21/2024 dhe dispozitat e tjera që lidhen me të duhen shfuqizuar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në lidhje me pretendimin për konsultimin publik, Gjykata, me shumicë votash, vendosi rrëzimin e tij me arsyetimin si më poshtë.

Sipas nenit 56 të Kushtetutës e drejta e konsultimit publik përfshin jo vetëm informimin për gjendjen e mjedisit, por edhe informimin për mbrojtjen e tij. Ky nen, së bashku me nenin 8 të Konventës së Aarhus-it, përcakton detyrimin pozitiv për konsultim publik, i cili shtrihet si për aktet individuale dhe projektet konkrete, ashtu edhe për aktet rregullatore normative me natyrë të përgjithshme në fushën e mjedisit.

Gjykata vëren se ligji i kundërshtuar, i cili sjell ndryshime në zonat e mbrojtura, është qartësisht një ligj që ka të bëjë me mjedisin dhe për këtë arsye ai u analizua në këndvështrim të nenit 56 të Kushtetutës dhe nenit 8 të Konventës së Aarhus-it si më sipër.

“Edhe pse Konventa e Aarhus-it e ka kufizuar detyrimin për konsultim vetëm për aktet qeveritare dhe procedurat e ndërmarrë nga autoritetet publike ekzekutive dhe jo ndaj atyre legjislative, duke qenë se e drejta për t’u informuar për gjendjen e mjedisit dhe mbrojtjen e tij është një e drejtë kushtetuese, sipas nenit 56 të Kushtetutës, ajo shtrihet ndaj të gjitha organeve, përfshirë Kuvendin. Në këtë kuptim, në rastin në shqyrtim, nisma për ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura është një nismë e deputetëve dhe pavarësisht faktit se ajo nismë ka pësuar ndryshime, ndër të tjera, bazuar në sugjerimet e Këshillit të Ministrave, ajo mbetet një nismë origjinale e deputetëve”, thuhet në njoftimi n e Gjykatës Kushtetuese.

Për këtë shkak, Gjykata vlerëson se konsultimi publik i bërë nga Kuvendi në lidhje me draftin e paraqitur nga deputetët përmbush detyrimin e përcaktuar nga neni 56 i Kushtetutës dhe nuk cenon nenin 8 të Konventës së Aarhus-it, e cila, për sa më sipër, nuk gjen zbatim për Këshillin e Ministrave në përgatitjen e sugjerimeve të tij për ligjin, për sa kohë kjo nuk ishte një nismë ligjore qeveritare.

Pretendimet për cenimin e identitetit kombëtar dhe trashëgimisë natyrore, të parashikuar në Preambulën e Kushtetutës dhe për respektimin e detyrimeve ndërkombëtare, Gjykata vendosi t`i shqyrtojë ato së bashku në kuptim të nenit 122 të Kushtetutës. Në lidhje me thelbin e këtyre pretendimeve, Gjykata, me shumicë votash, vendosi rrëzimin e tyre, me arsyetimin si më poshtë.

Gjykata vëren se MSA-ja synon bashkëpunimin në luftën kundër degradimit të mjedisit, duke përcaktuar një proces përafrimi legjislativ pa vendosur detyrime konkrete të zbatueshme. Pavarësisht se në dukje ligji objekt kërkese liberalizon politikat shtetërore në administrimin e zonave të mbrojtura, ai, në thelb, përbën një ligj kuadër, i cili nuk është i vetëzbatueshëm dhe në vetvete nuk sjell pasoja dhe, për rrjedhojë, nuk cenon detyrimet ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit sipas MSA-së.

Gjykata u ndal në mënyrë të posaçme në përputhshmërinë e ligjit objekt shqyrtimi me nenin 108 të MSA-së, i cili parashikon se “Palët do të zhvillojnë dhe forcojnë bashkëpunimin në detyrën shumë të rëndësishme të luftës kundër degradimit mjedisor, me synim promovimin e qëndrueshmërisë mjedisore”.

Gjykata vlerësoi se ky nen synon bashkëpunimin në luftën kundër degradimit mjedisor dhe arriti në përfundimin se ligji i kundërshtuar, duke qenë ligj kuadër, edhe pse shton disa elemente të reja të administrimit të zonave të mbrojtura në raport me ligjin ekzistues, nuk duket të sjellë pasoja konkrete të drejtpërdrejta në këtë drejtim.

Duke pasur parasysh se për zbatimin e ligjit do të nxirren VKM-të specifike për shpalljen e zonave të mbrojtura, të cilat do të bëjnë përcaktimet e detajuara përkatëse për secilën zonë, vetëm në atë moment mund të verifikohet mospërputhja me detyrimet ndërkombëtare sipas nenit 108 të MSA-së, pra nëse përmbushet detyrimi për mosdegradim mjedisor.

E njëjta analizë vlen edhe për përputhshmërinë e këtij ligji me konventat ndërkombëtare të Rio-së, Bernë-s, Ramsar-it dhe Paris-it, për shkak të mungesës së efekteve dhe pasojave konkrete të ligjit kuadër objekt shqyrtimi.

/m.m/

The post Kërkuan shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura, Kushtetuesja rrëzon deputetët e opozitës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Shërbimi i Kardiologjisë në QSUT, kujdes të specializuar për çdo pacient

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Shërbimi i Kardiologjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë ofron kushte dinjitoze dhe trajtim me teknologji moderne për çdo pacient.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot opinionin e disa prej tyre të cilët vlerësojnë shërbimin e ofruar si dhe kushtet sipas standardeve më të mira europiane.

“Me zërin e qytetarëve që trajtohen çdo ditë në Shërbimin e Kardiologjisë pranë QSUT, aty ku profesionalizmi, përkushtimi dhe teknologjia moderne bashkohen për të ofruar kujdes të specializuar për çdo pacient”, u shpreh Koçiu.

Pacientët shprehen të kënaqur nga shërbimi i ofruar në këtë spital.

“Mua më kanë pritur, më kanë përcjellë dhe më kanë shpëtuar jetën në kohë rekord. Kam përshtypjet më të mira. Rregull special, nuk më kanë lënë gjë, si jashtë shtetit”, u shpreh një pacient.

“Kam qenë edhe në Greqi, por këtu kam ngelur shumë e kënaqur”, tha një tjetër.

“Po vij në një spital të ri. Gjendja këtu është jashtëzakonisht e përmirësuar, njësoj si në spitalet shumë të mira që ka Europa”, shtoi një tjetër.

/j.p/

The post Koçiu: Shërbimi i Kardiologjisë në QSUT, kujdes të specializuar për çdo pacient appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Eksperienca unike e rafting në Vjosë tërheq turistë të shumtë

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Lumi Vjosa, i njohur si “lumi i fundit i egër në Evropë”, po kthehet në një destinacion gjithnjë e më të preferuar për adhuruesit e natyrës dhe sporteve ekstreme.

Të apasionuar pas sporteve ekstreme, turistë të shumtë rendin në rrjedhën e Vjosës për të përjetuar eksperiencën unike të rafting.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të një grupi turistësh duke bërë rafting në Vjosë.

Me rrjedhje të lirë dhe natyrë të paprekur, Vjosa përshkon një territor të mbrojtur me kanione, shpella dhe një biodiversitet të pasur, duke ofruar një përvojë të rrallë për ata që zgjedhin ta eksplorojnë përmes raftingut.

Turistët e aventurës përshkojnë me gomone lumin nga Përmeti deri në Këlcyrë me një gjatësi gati 20 km.

Rrjedha është e qetë në disa vende dhe e tërthortë e me dallgë në vende të tjera me thellësi më të madhe.

Turizmi i aventurës gërshetohet shumë mirë në Përmet me traditën, kulinarinë e mikëpritjen.

Ndaj rafting në Vjosë nuk është vetëm një sport, por konsiderohet edhe një përvojë gjithëpërfshirëse që ndërthur emocionin me bukuritë natyrore, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin ekonomik të komuniteteve lokale dhe në rritjen e profilit ndërkombëtar të Shqipërisë si një destinacion turistik alternativ.

/m.m/j.p/

The post Eksperienca unike e rafting në Vjosë tërheq turistë të shumtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Plagosja me armë në Borsh, arrestohet autori i dyshuar, shpallet në kërkim një tjetër

31 July 2025 at 18:32

Nga Gazeta ‘SI’- Policia ka arrestuar një nga autorët e dyshuar të plagosjes në Borxh, ndërsa një tjetër i përfshirë është shpallur në kërkim.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, rreth orës 02:20, pas një sherri për motive të dobëta, shtetasi H. Ç., 42 vjeç, banues në Borsh, është goditur me grushte nga shtetasi E. V, 55 vjeç, banues në Tiranë. Më pas, H. Ç. është larguar nga lokali dhe është rikthyer me armë zjarri, duke qëlluar në drejtim të një automjeti tip “Volkswagen”, i drejtuar nga shtetasi E. Sh, 33 vjeç, të cilin e ka plagosur në shpatull dhe në këmbë. I plagosuri ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Po ashtu, H. Ç. ka goditur me qytën e armës shtetasin A. D., 43 vjeç.

Pas ndërhyrjes së policisë dhe hetimeve të shpejta, H. Ç. u arrestua në flagrancë, ndërsa E. V. është shpallur në kërkim. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.

Në vendngjarje u sekuestruan 4 gëzhoja dhe një krehër me fishekë. Vijon puna për gjetjen e armës së përdorur dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt.

The post Plagosja me armë në Borsh, arrestohet autori i dyshuar, shpallet në kërkim një tjetër appeared first on Gazeta Si.

Qeveria miraton Strategjinë e Turizmit: Objektiv, vizitorët elitarë!

31 July 2025 at 18:19

Nga Gazeta ‘SI’- Në mbledhjen e sotme, Qeveria Shqiptare ka miratuar Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2030. Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, përmes një video-mesazhi ku shprehet se është finalizim i një pune dyvjeçare.

“Qeveria Shqiptare sot miratoi Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2030, pas një procesi gati 2-vjeçar hulumtimesh, studimesh dhe konsultimesh, ndërsa kjo strategji vendos objektiva të qartë dhe të matshëm për rritjen e të ardhurave nga turizmit deri në vitin 2030, shoqëruar me rritje të kapaciteteve akomoduese dhe përmirësim të standardeve, ndarjen e Shqipërisë në gjashtë rajone turistike dhe detyra të reja për agjencitë shtetërore që lidhen me industrinë e turizmit”, njofton Kumbaro.

Strategjia e Turizmit 2030 mbështetet në gjashtë shtylla kryesore: Investimet, Politika fiskale dhe rregullatore në turizëm, Menaxhimi i destinacioneve, Zhvillimi i produktit turistik, Marketingu i destinacioneve dhe Ngritja e kapaciteteve mbështetur në tre parimet bazë që janë aspekti social, mjedisor dhe ekonomik, ndërsa dokumenti ka kaluar edhe fazën e konsultimit publik me grupet e interesit.

Strategjia Kombëtare e Turizmit 2024-2030 projekton gjithashtu krijimin, përmirësimin dhe konsolidimin e produkteve turistike duke e ndarë vendin në 6 rajone turistike: Rajoni turistik i bregdetit të Adriatikut, rajoni turistik verior i brendshëm, rajoni turistik i Tiranës, rajoni qendror, rajoni turistik i bregdetit të Jonit si dhe rajoni turistik jugor i brendshëm.

Oferta turistike e Shqipërisë 2030, do të orientohet drejt vizitorëve elitarë. Strategjia e turizmit 2024-2030, përfshin masa stimuluese për më shumë investime, lehtësi në taksa, përmirësim të ofertës turistike, marketing dhe disiplinim të ndërtimeve në turizëm.

Përtej ofertës turistike të detit dhe diellit, Shqipëria do të synojë të kthehet në një atraksion të ‘pazbuluar’ ku do të ndërthurur pasuritë natyrore, me ato të aventurës dhe më tej drejt kampingjeve të luksit.

Për të arritur në këtë stad vendit i duhen më shumë investime për të shtuar kapacitetet akomoduese, që me strategjinë e re nuk do të jenë më në fokus ‘fshatrat turistikë’ me vila 2-3 katëshe që po shtrihen në të katër anët e vendit, por resortet me hotele dhe struktura multifuksionale. (Pishina, restorante, shërbimet SPA, aktivitete argëtuese etj)

Kjo masë frenuese e resorteve aktuale që në qendër kanë vilat, dhe jo hotelet, sipas Ministrisë nuk i ka shërbyer turizmit, por vetëm tregut të pronave për shitje.

Vendi do të kalojë në fazën e resorteve me hotele, që ofrojnë edhe më shumë shtretër e kapacitete akomoduese, përmes një skeme të re investimi, që përfshin subvencione për mbulimin e normës së interesit të kredisë që marrin bizneset për këto investime, lehtësirat tatimore, proceset e thjeshtuara të dhënies së lejeve, e deri tek mekanizmat financiarë të tillë si PPP-të.

Po ashtu në strategji theksohet se duhet të punohet më shumë për të rritur cilësinë e shërbimit, ku ndihmë për këtë fazë do të jetë sistemi arsimor, që duhet të përshtatet me nevojat e tregut të shërbimeve thotë Ministria e Turizmit.

Me gjithë këto investime, Ministria e Turizmit thotë se do të bëhet i mundur shtimi i numrit të shtretërve nga 270 mijë në vit, në 477 mijë në vitin 2030.

The post Qeveria miraton Strategjinë e Turizmit: Objektiv, vizitorët elitarë! appeared first on Gazeta Si.

Ishte larguar nga familja, gjendet fëmija 7-vjeçar në plazhin e Shëngjinit

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë dhe të vrojtuesve bregdetarë u mundësua gjetja e një fëmije që ishte larguar nga prindërit, në plazhin e Shëngjinit.

Punonjësit e Policisë në Shëngjin i dorëzuan familjes, në gjendje të mirë shëndetësore, fëmijën 7-vjeçar nga Kosova.

Salla Operative e DVP Lezhë u njoftua nga një pushuese nga Kosova, se djali i saj ishte larguar dhe nuk po e gjente dot.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Rendit të planifikuara me shërbim në zonën e plazhit në Shëngjin, së bashku me patrullat me biçikleta dhe vrojtuesit bregdetarë, u angazhuan dhe koordinuan veprimet për gjetjen e fëmijës.

Pas rreth një ore kërkimesh intensive në terren, punonjësit e Policisë e lokalizuan të miturin. Fëmija ndodhej në gjendje të mirë shëndetësore dhe iu rikthye menjëherë nënës së tij.

Nëna e fëmijës ka falënderuar shërbimet e Policisë dhe vrojtuesit bregdetarë për reagimin e shpejtë dhe profesional që kontribuoi në gjetjen e të miturit.

/m.m/j.p/

The post Ishte larguar nga familja, gjendet fëmija 7-vjeçar në plazhin e Shëngjinit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Miratohet Strategjia Kombëtare e Turizmit 2030, Kumbaro: Objektiva të qartë për rritjen e të ardhurave nga turizmi

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2030.

Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, përmes një videomesazhi ku shprehet se strategjia është finalizim i një pune dyvjeçare.

“Qeveria Shqiptare sot miratoi Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2030, pas një procesi gati 2-vjeçar hulumtimesh, studimesh dhe konsultimesh, ndërsa kjo strategji vendos objektiva të qartë dhe të matshëm për rritjen e të ardhurave nga turizmit deri në vitin 2030, shoqëruar me rritje të kapaciteteve akomoduese dhe përmirësim të standardeve, ndarjen e Shqipërisë në gjashtë rajone turistike dhe detyra të reja për agjencitë shtetërore që lidhen me industrinë e turizmit”, njoftoi Kumbaro.

Strategjia e Turizmit 2030 mbështetet në gjashtë shtylla kryesore: investimet, politika fiskale dhe rregullatore në turizëm, menaxhimi i destinacioneve, zhvillimi i produktit turistik, marketingu i destinacioneve dhe ngritja e kapaciteteve mbështetur në tre parimet bazë që janë aspekti social, mjedisor dhe ekonomik, ndërsa dokumenti ka kaluar edhe fazën e konsultimit publik me grupet e interesit.

Strategjia Kombëtare e Turizmit 2024-2030 projekton gjithashtu krijimin, përmirësimin dhe konsolidimin e produkteve turistike duke e ndarë vendin në 6 rajone turistike: rajoni turistik i bregdetit të Adriatikut, rajoni turistik verior i brendshëm, rajoni turistik i Tiranës, rajoni qendror, rajoni turistik i bregdetit të Jonit si dhe rajoni turistik jugor i brendshëm.

“Sot mirënjohje për të gjithë stafin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, për ata dhjetëra specialistë që u përfshinë në hartimin e kësaj strategjie dhe sigurisht për partnerët tanë të GIZ që japin një kontribut të çmuar në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm”, shprehet Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.

/m.m/j.p/

The post Miratohet Strategjia Kombëtare e Turizmit 2030, Kumbaro: Objektiva të qartë për rritjen e të ardhurave nga turizmi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

25 vjet nga rënia në krye të detyrës, përkujtohet Dëshmori i Atdheut Arben Zylyftari

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Në ambientet e Akademisë së Sigurisë u zhvillua sot ceremonia përkujtimore për ish-drejtuesin e lartë të Policisë së Shtetit, Arben Zylyftari, i cili humbi jetën 25 vjet më parë, në krye të detyrës.

Në ceremoni morën pjesë zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, drejtori i Akademisë së Sigurisë Ilirjan Mandro, familjarë dhe të afërm të Dëshmorit të Atdheut.

Gjatë fjalëve të tyre, drejtuesit Bizhga dhe Mandro vlerësuan veprën e ish-drejtuesit të lartë të Policisë së Shtetit Arben Zylyftari, i cili humbi jetën gjatë përballjes me elementin kriminal.

Ata u shprehën se kujtimi i tij do të vlerësohet ndër breza dhe se emri i tij do të jetë gjithmonë pjesë e Policisë së Shtetit.

Bashkëshortja dhe djali i Dëshmorit të Atdheut, gjatë fjalëve të tyre, kujtuan me mall familjarin e tyre dhe shprehën mirënjohje për drejtuesit e Policisë së Shtetit, që kujtojnë ndër vite punonjësit që sakrifikuan jetën e tyre, për të mirën e të gjithëve.

Në fund të ceremonisë, të panishmit vendosën kurora me lule në bustin e Dëshmorit të Atdheut Arben Zylyftari.

/m.m/j.p/

The post 25 vjet nga rënia në krye të detyrës, përkujtohet Dëshmori i Atdheut Arben Zylyftari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌