Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 August 2025Main stream

Lezhë/ Vera shton urgjencat, mbi 1 mijë thirrje për ndihmë mjekësore

14 August 2025 at 14:26

Në Lezhë sezoni turistik ka sjellë një fluks të lartë të personave që kanë nevojë për ndihmë urgjente mjekësore.

Nga muaji qershor deri në fillim të gushtit vetëm urgjenca e spitalit ka marrë rreth 1 mijë thirrje për ndihmë.

Për t’u përballur me fluksin e thirrjeve, këtë vit shërbimit të urgjencës përveç autoambulancave ekzistuese i është shtuar edhe një motoambulancë.

Ky mjet është përdorur në rreth 60 raste duke reduktuar ndjeshëm kohën e mbërritjes te pacienti në kushtet e një trafiku të rënduar .

Ndërkohë në ndihmë të pushuesve  përgjatë vijës bregdetare  janë dhe mjekët e infermierët e qendrave shëndetësore verore që do të qëndrojnë hapur deri në fund të shtatorit.

/abcnews.al/

Ekonomia me ecuri të qëndrueshme/ Themeli: Në pjesën e parë të vitit 2025 ndikim pozitiv turizmi dhe eksportet

14 August 2025 at 14:24

Turizmi mbetet një shtyllë e rëndësishme për ecurinë e ekonomisë shqiptare.

Në pjesën e parë të vitit ky sektor ka mbajtur peshën kryesore të rritjes ekonomike ndërsa vendin e vizituan 4.7 milionë vizitorë deri në qershor.

Drejtori i politikave monetare në Bankën e Shqipërisë Erald Themeli thekson se risi për këtë vit  ishte edhe kontributi i dhënë nga eksportet që iu rikthyen rritjes duke lënë pas efektet e kursit.

Pritshmëritë për pjesën e mbetur të vitit  janë që rritja ekonomike të arrijë deri në 4%.

Bizneset kanë marrë më tepër kredi në muajt e parë të këtij viti për investime, po ashtu edhe individët janë mbështetur më shumë  për blerje banesash.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë konfirmojnë se në qershor huaja e re arriti vlerën 38.8 miliardë lekë.

Banka e Shqipërisë parashikon që  rikthimi i inflacionit në objektivin prej 3% të arrihet në fillim të vitit të ardhshëm.

/abcnews.al/

“Kemi pasur në dispozicion Forca Ajrore më shumë se çdo herë tjetër”, Rama: S’ka forcë magjike që ndal zjarret, të gjithë ishin në krye të detyrës

14 August 2025 at 14:19

Kryeministri Edi Rama ka folur për situatën e zjarreve që ka përfshirë vendin. Rama u shpreh se orët e fundit kanë qenë shumë të vështira ndërsa shprehur mirënjohje për ekipet zjarrfikëse, forcat e armatosura për angazhimin e tyre.

Rama i është përgjigjur edhe kritikeve për mosreagim lidhur me këtë situatë, duke thënë se nuk ka forcë magjike që ndal zjarret dhe se familjet e prekura do të kompensohen një e nga një për të gjitha dëmet.

“Duhet të shohim se Spanja është një nga shtetet më të fuqishme dhe është përballur me një situatë shumë të rëndë. Turqi ka 55 mijë e 500 njerëz të evakuuar dhe dihet se çfarë organizimi ka. Duhet një reflektim për të mos bërë nxjerrjen  e konkluzioneve…Duhet të kuptojmë që patjetër që ka gjëra që duhen përmirësuar, por nuk ka asnjë forcë magjike që të ndalojë zjarret,. Ky është një fenomen që po bëhet  gjithmonë e më shumë prezent. Këtë herë kemi pasur në dispozicion Forca Ajrore më shumë se çdo herë tjetër. Ligji është i fortë për ata që vënë zjarret. Gjykatësit dihet që nuk janë të gjithë në krye të detyrës, por ne do të shohim edhe në këtë drejtim se çfarë do bëjmë”, tha ai, duke shtuar se të gjithë strukturat kanë qenë në krye të detyrës.”

/abcnews.al/

Vlorë/ Turistë në Muzeun e Pavarësisë, këtë vit 6 mijë vizitorë më shumë se vitin e kaluar

14 August 2025 at 14:11

Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në Vlorë ka pritur këtë sezon turistik një numër të shtuar vizitorësh, duke konfirmuar rolin e tij si një prej destinacioneve kulturore më të rëndësishme të jugut të vendit.

Përveç të huajve që duan të njihen me historinë e Shqipërisë  vihet re dhe numër i lartë i vendasve që e vizitojnë.

Vizitat në këtë muze janë  shtuar falë kombinimit të turizmit bregdetar me atë kulturor nga guidat turistike në vend.

Prirja në rritje e numrit të vizitorëve pritet të vijojë dhe këtë muaj duke e kthyer  Muzeun Kombëtar të Pavarësisë ne një prej vendeve më të  vizitueshme në Vlorë.

/abcnews.al/

I nxehti pengon mbjelljet, fermerët: Perimet e serave do dalin më vonë në treg

14 August 2025 at 14:04

Perimet dhe frutat e serave  pritet te dalin më vonë në treg këtë vit. Shkak është bërë shtyrja e afatit te atyre qe quhen mbjellje te dyta ne sera, nga vete fermerët. Këta po kërkojnë të shmangin humbjet në këtë faze të mbjelljes së fidanëve ndikuar nga temperaturat e larta.

Megjithatë një kategori fermerësh po kryejnë mbjelljet pasi kane kontrata për të cilat duhet te respektohet afati i vjeljes se produktit.  Janë pikërisht këta fermerë që po pësojnë humbje, pasi fidanët thahen ende pa u mbjelle.

Në Qarkun e Fierit sezonin e parë të vitit u mbollën 1034 ha në sera diellore.

Rreth 70% e sipërfaqes u me perime, ndërsa pjesa tjetër  me luleshtrydhe dhe rrush.

/abcnews.al/

Ryanair hap bazë të re në Tiranë

14 August 2025 at 13:58

Ryanair, kompania ajrore me rritjen më të shpejtë në Shqipëri, njoftoi sot (e enjte, 14 gusht) se do të hapë një bazë të re me 3 aeroplanë në Aeroportin e Tiranës duke filluar nga prilli 2026. Kjo bazë do të përfshijë 3 aeroplanë të rinj B737-800 – një investim prej 300 milionë dollarësh – duke mbështetur mbi 3,000 vende pune, përfshirë 100 vende të reja pune me pagesë të lartë për pilotë dhe ekuipazh kabine.

Baza e re në Tiranë do të zgjerojë prezencën e Ryanair në tregun Shqiptar, me mbi 450 fluturime javore në 33 destinacione për sezonin veror 2026, duke përfshirë 10 destinacione të reja emocionuese drejt Birmingham, Dublin, Milano, Maltë, Napoli, Pescara, Poznan, Trieste, Torino dhe Verona, si dhe rritje të frekuencave në 9 destinacione ekzistuese si Bari, Londër, Pragë, Stokholm dhe Varshavë.

Baza e re e Ryanair në Tiranë për S26 do të ofrojë:

  • 3 aeroplanë të bazuar – investim prej 300 milionë dollarësh
  • 10 destinacione të reja drejt Birmingham, Dublin, Milano, Maltë, Napoli, Pescara, Poznan, Trieste, Torino dhe Verona
  • 33 destinacione gjithsej në 13 shtete
  • Rritje të trafikut në 4 milion pasagjerë në vit
  • Mbështetje për mbi 3,000 vende pune në Shqipëri

Gjatë 5 viteve të ardhshme, Ryanair do të vazhdojë të investojë në Shqipëri, duke përfshirë deri në 6 aeroplanë të bazuar (investim prej 600 milionë dollarësh), rritje në mbi 5 milion pasagjerë në vit, hapje të mbi 20 destinacioneve të reja dhe mbështetje për mbi 4,000 vende pune deri në vitin 2030, duke vazhduar bashkëpunimin me politikën e saj të kostove të ulëta të aksesit dhe taksave zero në aviacion për të nxitur rritjen e trafikut dhe turizmit, duke shtuar investime dhe vende pune.

Për të festuar hapjen e bazës së re në Tiranë për sezonin veror 2026 me 3 aeroplanë, Ryanair ka shpallur një ofertë 3-ditore, me çmime duke filluar nga vetëm 24,99 € për udhëtime në tetor/nëntor, të disponueshme ekskluzivisht në ryanair.com.

CEO i Ryanair, Michael O’Leary, tha:

“Si e vetmja kompani ajrore me tarifa realisht të ulëta në Shqipëri, Ryanair është i lumtur të njoftojë hapjen e bazës së re në Tiranë për S26 me 3 aeroplanë. Që nga nisja e fluturimeve tona të para drejt Shqipërisë në nëntor 2023, Ryanair ka bashkëpunuar ngushtë me partnerët tanë në Aeroportin e Tiranës për të realizuar një rritje ambicioze, që tani do ta çojë trafikun e Ryanair në mbi 4 milion pasagjerë në vitin 2026, me 3 aeroplanë të rinj B737-800 (investim prej 300 milionë dollarësh) të bazuar në Tiranë, duke mbështetur mbi 3,000 vende pune lokale dhe duke operuar 33 destinacione, përfshirë 10 të reja drejt Birmingham, Dublin, Milano, Maltë, Napoli, Pescara, Poznan, Trieste, Torino dhe Verona.

Rritja e vazhdueshme e Ryanair në Tiranë i ofron Shqipërisë një mundësi të jashtëzakonshme për të zhvilluar trafikun ajror, turizmin dhe vendet e punës, pasi Ryanair synon të arrijë mbi 5 milion pasagjerë në vit dhe të bazohet me deri në 6 aeroplanë në Tiranë me një investim prej 600 milionë dollarësh, duke shtuar mbi 20 destinacione të reja deri në vitin 2030 – duke vazhduar bashkëpunimin me politikën e saj të kostove të ulëta të aksesit dhe taksat zero në aviacion që nxisin rritje të shpejtë të trafikut, turizmit, investimeve dhe vendeve të punës.”

Drejtori Operacional i Aeroportit të Tiranës, z. Piervittorio Farabbi, tha:

“Që në fillimin e operimeve në Shqipëri në nëntor 2023, ekipi i Ryanair erdhi me sloganin ‘Revolucioni i Tarifa të Ulëta’ në Shqipëri. Sot, shënojmë një moment kyç në këtë revolucion duke shpallur hapjen e një baze në Tiranë. Duke filluar nga sezoni i ardhshëm veror, do të ketë shumë më tepër mundësi për të eksploruar botën nga Tirana dhe për të prezantuar sa më mirë Shqipërinë në më shumë vende.

Një vendim i tillë nga një kompani ajrore partnere mund të vijë vetëm si rezultat i angazhimit tonë të guximshëm për të ofruar ekselencë operacionale. Kemi investuar ndjeshëm për të zgjeruar kapacitetet operacionale si në pjesën tokësore ashtu edhe në atë ajrore, me pistë të rinovuar dhe të zgjatur, pozicione shtesë parkimi, si dhe një terminal të zgjeruar trefish në madhësi. Përpunimi i pasagjerëve duhet të jetë i shpejtë dhe i besueshëm; prandaj kemi investuar në dixhitalizim të avancuar në check-in, imbarkim dhe kontroll pasaporte. Jemi krenarë që jemi ndër aeroportet më të shpejtë që kemi kaluar nga thjesht operime në krijimin e një baze brenda vetëm 30 muajve.”

“Dëmshpërblim për krerët e humbur”/ Rama: 207 banesa të prekura nga zjarri, qytetarët do kthehen në një shtëpi më të mirë

14 August 2025 at 13:54

Kryeministri Edi Rama në një komunikim të zhvilluar ‘online’ në Facebook foli për situatën e zjarreve duke i cilësuar si më të vështira.

Rama u shpreh se se 207 shtëpi janë dëmtuar nga zjarret që prekën vendin në orët e fundit dhe se 40 prej tyre janë djegur totalisht.

Ai tha se shteti do të jetë pranë qytetarëve dhe se do të kompensohen një për një.

“Dua t’u shpreh ngushëllim kujt humbi të afërmin e vet dhe t’u shpreh solidaritet familjeve që kanë humbur shtëpi nga zjarri. Tani që flasim janë 207 shtëpi të dëmtuara të prekura nga zjarri, por në këtë numër hyjnë 40 familje që e kanë humbur shtëpinë plotësisht. I siguroj të gjithë ata që kanë pësuar dëmtime që ne po bëjmë inventarizimin dhe nuk do t’u lëmë vetëm. Ju them se do rikthehen në shtëpi më të mirë dhe më të fortë dhe do të marrin dëmshpërblime për krerët e humbur do kompensohen një për një”, tha ai.

/abcnews.al/

Zjarret në vend, Rama: Mbështetje për të gjitha familjet e prekura, askush nuk do jetë vetëm

14 August 2025 at 13:48

Kryeministri Edi Rama në një komunikim të zhvilluar ‘online’ në Facebook foli për situatën e zjarreve duke i cilësuar si më të vështira

“207 shtëpi të prekura nga zjarri rezultojnë deri më tani. Në këtë numër hyjnë 40 familje që e kanë humbur shtëpinë plotësisht. I siguroj të gjithë se në po bëjmë sipas protokollit të situatës dhe me autoritetet inventarizimin e plotë të dëmeve dhe askush nuk do të jetë vetëm dhe askush nuk do mbetet pa e parë në krah qeverinë dhe shtetin për t’u rikthyer në një shtëpi më të mirë dhe më të fortë dhe sikundër për të marrë dëmshpërblimet përkatëse, edhe për krerët e humbur do kompensohen një për një”, tha ai.

VIDEO/ Shpëtohen dy shtetas në Vlorë, mjeti lundrues pësoi defekt gjatë natës

14 August 2025 at 13:43

Dy shtetas që ishin të bllokuar gjatë natës në det janë ndihmuar nga policia Kufitare e Vlorës. Skafi i bllokuar në det u lokalizua në zonën e “Plazhit të Vjetër”. Pas ndërhyrjes u bë i mundur edhe riparimi i defektit të skafit.

Ndërkohë nga verifikimet rezultoi se drejtuesi i mjetit nuk dispononte në bord dokumentacionin përkatës për lundrim, ndaj tij u vendos masa administrative prej 10 000 lekësh, në zbatim të ligjit në fuqi.

/abcnews.al/

“Ndihmat popullsisë së Gazës”/ Organizatat humanitare, letër Izraelit: Të mos na pengohet puna!

14 August 2025 at 11:59

Më shumë se 100 organizata humanitare ndërkombëtare, mes tyre Oxfam dhe Mjekët pa Kufij, kanë nënshkruar një letër të përbashkët ku i bëjnë thirrje Izraelit të ndalojë përdorimin e ndihmave humanitare si armë lufte kundër civilëve palestinezë, ndërsa shkalla e urisë në enklavën palestineze përshkallëzohet.

Sipas këtyre organizatave, atyre po iu ndalohet të bëjnë punën e tyre nëse nuk zbatojnë rregullat e ashpra nga Izraeli. Këto rregulla përfshijnë shpërndarjen e informacioneve për punonjësit palestinezë që ata kanë në strukturat e tyre.

Nëse organizatat nuk ndajnë këto informacione, atëherë ata rrezikojnë të bllokohen të kryejnë punën e tyre nga ushtria Izraelite.

Tel Avivi Zyrtar mohon se ka kufizime dhe thotë se rregullat, të vendosura në mars, garantojnë që ndihmat “të arrijnë drejtpërdrejt te popullata dhe jo tek Hamasi”.

Megjithatë, sipas letrës së përbashkët, shumica e organizatave ndërkombëtare nuk kanë arritur të dorëzojnë asnjë kamion me ndihma jetike që nga 2 marsi. Vetëm në korrik, mbi 60 kërkesa për futjen e ndihmave janë refuzuar.

Pasojat janë të rënda – spitale pa furnizime bazë, fëmijë, persona me aftësi të kufizuara dhe të moshuar që vdesin nga uria dhe sëmundje të parandalueshme. Drejtori i Anera-s, Sean Carroll, tha se kanë mbi 7 milionë dollarë ndihma të bllokuara në Ashdod, vetëm disa kilometra larg Gazës, përfshirë 744 ton oriz, I cili mjafton për të  shpërndarë  6 milionë  vakte.

Izraeli këmbëngul se vonesat ndodhin vetëm kur organizatat “nuk pranojnë të plotësojnë kërkesat bazë të sigurisë” për të parandaluar përfshirjen e Hamasit. Autoritetet ushtarake thonë se rreth 20 organizata të regjistruara po sjellin ndihma dhe rreth 300 kamionë hyjnë çdo ditë në Gaza, ndërkohë që OKB-ja vlerëson se nevoja është për 600 kamionë në ditë.

Rregulloret e reja parashikojnë që regjistrimi i një organizate mund të refuzohet nëse konsiderohet se mohon karakterin demokratik të Izraelit ose “promovon fushata delegjitimimi” kundër tij. Ministri i Diasporës, Amichai Chikli, tha se shumë organizata “shërbejnë si mbulesë për aktivitete armiqësore” dhe se ato që nuk kanë lidhje me aktivitete të tilla do të lejohen të operojnë.

Oxfam raporton se më shumë se 2.5 milionë dollarë ndihma të tyre janë refuzuar nga Izraeli. Bushra Khalidi nga Oxfam tha se procesi i regjistrimit i vendos OJQ-të përballë zgjedhjes mes operimit dhe ruajtjes së pavarësisë së tyre.

Letra vjen në një kohë kur Izraeli ka intensifikuar bombardimet mbi qytetin e Gazës, me planin për të marrë kontrollin e tij. Izraeli thotë se do të shpërndajë ndihma në zonat civile “jashtë zonave të luftës”, por nuk ka sqaruar nëse këtë do ta bëjë përmes Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), të mbështetur nga SHBA dhe Izraeli.

/abcnews.al/

Serbi, përplasje në protesta/ Vazhdojnë tubimet antiqeveritare në Beograd dhe qytete

14 August 2025 at 11:55

“Serbi, zgjohu!” ka qenë thirrja kryesore e protestave që kanë përfshirë mbrëmjen e së mërkurës Beogradin dhe dhjetëra qytete të tjera të vendit.

Në kryeqytetin serb dhe në Novi Sad ka pasur përplasje dhe incidente mes policisë dhe demonstruesve, ku janë plagosur si policë, ashtu edhe protestues.

Një kordon i xhandarmërisë është vendosur për të parandaluar përplasjet mes protestuesve dhe mbështetësve të Partisë Përparimtare Serbe.
Dy grupet kanë shkëmbyer ofendime dhe kanë hedhur sende ndaj njëri-tjetrit, ndërsa policia është vendosur mes tyre.
Pranë ndërtesës së Qeverisë është hedhur gaz lotsjellës madje ka patur edhe të shtëna me armë.

Për përdorimin e armeve te zjarrit ne proteste Drejtori i Agjencisë së Sigurisë Ushtarake, gjenerali Duro Jovaniv mori përsipër përgjegjësinë, ndërsa raportoj se ne radhët e policeve ka patur të plagosur.

“Gjatë ngjarjeve të fundit ne vend, shtatë pjesëtarë të Forcave të Armatosura Serbe u plagosën, katër prej tyre rëndë. Ne vlerësuam se jeta e tyre ishte në rrezik. Unë qëllova në ajër në një drejtim të sigurt. E bëra këtë sepse përndryshe pasojat për kolegët do të ishin të rënda. Sulmi ishte i dhunshëm. Që nga ai moment, sulmuesit ikën”, është shprehur drejtori i agjencisë së sigurisë ushtarake në Serbi, Duro Jovaniç.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq i quajtur protestat një sulm ndaj shtetit, ndërsa paralajmëroi se të gjithë ata që kanë sulmuar policinë do të ndëshkohen dhe arrestohen brenda 48 orëve.

Ndërsa presidenti serb Alekasandër Vuçiç deklaroj nga Vjena se nuk do të kandidojë për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Serbi, pasi sipas tij ai nuk është një diktator.

Protestat dhe bllokadat e udhëhequra nga studentët në Serbi po zgjasin për më shumë se tetë muaj pas ngjarjes se Novi Sad me kërkesën kryesore për zgjedhje të reja dhe rrëzimin e qeverisjes se korruptuar.

/abcnews.al/

“Apokalips” në Greqi/ Mbi 5 mijë zjarrfikës në luftë me flakët

14 August 2025 at 11:43

Mbi 5 mije forca zjarrfikëse po vijojnë betejën e tyre me flakët edhe në Greqi, ku aktualisht ka mbi 6 zjarre të mëdha të cilët janë aktive në Kios, Akaia, Zakynthos, Patras, Ilias dhe ne peleponez.

Situata në shtetin fqinj paraqitet më e stabilizuar këtë të enjte.  Autoritetet kanë njoftuar se kanë arrestuar 6 persona për zjarrvënie të qëllimshme në 24 orët e fundit. 3 persona u arrestuan në Akaia, dy të tjerë në Patras dhe një 59 vjecar në Zakynthos I cili ishte arrestuar edhe dy vite më parë nën akuzat për të njëjtën vepër penale. Autoritetet ne Greqi  kanë njoftuar se 15 zjarrfikës dhe dy vullnetarë për shuarjen e flakëve janë shtruar në spital si pasojë e goditjes nga i nxehti, asfiksia dhe djegie të lehta.

Zjarret në Europë kanë djegur këtë vit më shumë se 400 mijë hektare tokë, një sipërfaqe kjo 87% më e lartë se mesatarja e dy dekadave të fundit. Shkencëtarët parashikojnë se temperaturat ekstreme do të vrasin nga 8 mijë deri në 80 mijë qytetarë deri në fund të këtij shekulli.

Po ashtu Spanja vijon edhe këtë të enjte betejën me flaket që kanë shkrumbuar me mijëra hektarë pyje dhe zona të banuara.  Autoritetet njoftuan viktimën e tretë nga zjarret në vendin europian. Bëhet fjalë për një burrë 36-vjecar i cili ishte vetëofruar si vullnetar për shuarjen e flakëve në Zamora.

Autoritetet Spanjolle deklaruan se 6 persona të plagosur nga djegiet përgjatë orëve të fundit, po marrin kujdes të specializuar në spital. Ministri e Brendshme në Spanjë njoftoi këtë të enjte se vendi po përballet me 14 zjarre të mëdha në 7 rajone të ndryshme , për të cilat është lëshuar alarmi I nivelit të rrezikut në shkallën dy, që nënkupton se këto flake mund të dëmtojnë banesat dhe njerëzit.

Madridi Zyrtar mori këtë të enjte dhe dy avionë të tjerë shtesë për shuarjen e flakëve nga Mekanizmi Europian për mbrojtjen civile.

Si pasojë e situatës apokaliptike me zjarret qarkullimi në të paktën 11 autostrada është bllokuar në Spanjë.

Shkon në 3 numri i viktimave nga zjarret në Spanjë

14 August 2025 at 11:39

Autoritetet spanjolle kanë raportuar të enjten rastin e tretë të vdekjes si pasojë e zjarreve në vend që janë përhapur këtë javë.

Njoftimi vjen pak ditë pas raportimit për vdekjen e një burri 36 vjeç i cili kishte pësuar djegie të shumta teksa po luftonte me një zjarr në Castile dhe Leon.

Një pjesë e shteteve të Evropës janë përfshirë nga zjarret si pasojë e temperaturave të larta që janë rikthyer në kontinent.

Shtetet e përfshira janë: Franca, Spanja, Portugalia, Italia dhe vendet e Ballkanit, Kroacia, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova.

Territoret – çfarë thotë e drejta ndërkombëtare?

14 August 2025 at 10:31

E drejta ndërkombëtare ka udhëzime të qarta për njohjen e cedimit të territorit, thotë eksperti Pierre Tilberger.

Në prill të këtij viti, Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi se kishte rënë dakord në parim për një traktat paqeje me Rusinë. Asokohe presidenti i SHBA-së tha se marrëveshja me Putinin përcakton që gadishulli i Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi, duhet t’i përkasë Rusisë.

“Një vendim nga Rusia dhe SHBA-ja mbi Ukrainën është ligjërisht i paimagjinueshëm, edhe nëse politikisht po bëhet gjithnjë e më i mundshëm”, thotë Pierre Tilberger, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Ruhr në Bochum. Pa pëlqimin e Ukrainës, nuk mund të ketë një traktat të tillë paqeje. E drejta ndërkombëtare moderne bazohet në “barazinë sovrane të të gjitha shteteve”. Dy shtete nuk mund të lidhin thjesht marrëveshje në dëm të një të treti.

Një marrëveshje për t’i dhënë territor Rusisë pa pëlqimin e Ukrainës shkel qartë sovranitetin territorial të vendit, thekson Tilberger. Përveç kësaj, një marrëveshje e tillë midis Rusisë dhe SHBA-së “ndoshta do të shkelte ndalimin e përdorimit të forcës dhe për këtë arsye do të ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”, thotë një ekspert i së drejtës ndërkombëtare.

Territoret e pushtuara i përkasin Ukrainës

Gadishulli i Krimesë dhe katër distriktet administrative të Luhanskut, Donetskut, Zaporizhias dhe Khersonit i përkasin Ukrainës sipas së drejtës ndërkombëtare. Fakti që Rusia kontrollon de facto këto territore – ose të paktën pjesë të tyre – dhe i ka aneksuar ato nuk e ndryshon këtë.

Në vitin 2014, u mbajtën referendume në Krime, e në vitin 2022 në Ukrainën lindore dhe jugore për bashkimin e territoreve të pushtuara me Rusinë.

Megjithatë, ekspertët e së drejtës ndërkombëtare i konsiderojnë ato si refendume të reme. Ekzistojnë udhëzime të qarta mbi kushtet në të cilat referendume të tilla mund të njihen sipas së drejtës ndërkombëtare.

“Për shembull, duhet të garantohet që votuesit të mund të shprehin mendimin e tyre lirisht, pa detyrim dhe pa frikë”, thotë Tilberger. Ky sigurisht nuk ishte rasti në vitin 2014 gjatë pushtimit rus të Krimesë. Votimet në Ukrainën lindore dhe jugore në shtator 2022 u zhvilluan gjithashtu në kushtet e një lufte agresioni dhe pushtimit rus të këtyre territoreve.

Votimet ishin kundër ligjit ndërkombëtar

Vetëm në korrik 2025, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg zbuloi se Rusia kishte krijuar tashmë një “sistem shkeljesh” të të drejtave të njeriut në territoret e pushtuara midis viteve 2014 dhe 2022.

Sipas vendimit të Gjykatës, kjo përfshinte sulme ushtarake pa dallim, ekzekutime të civilëve dhe ushtarëve ukrainas, tortura dhe dëbime, por edhe “shtypje të gjuhës ukrainase në shkolla”. Duke pasur parasysh këtë situatë në rajonet e pushtuara nga Rusia, nuk mund të supozohet se referendumet atje ishin në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka konfirmuar vazhdimisht se referendumet në Krime dhe në Ukrainën lindore dhe jugore ishin të paligjshme. Ato nuk do të kishin ndryshuar asgjë në lidhje me përkatësinë e këtyre territoreve ndaj Ukrainës. Profesori i drejtësisë Tilberger thekson se në vitin 2003, u arrit një marrëveshje midis Ukrainës dhe Rusisë – në përputhje me ligjin ndërkombëtar – në të cilën Rusia e njohu Krimenë si pjesë të Ukrainës. Përveç kësaj, në vitin 1997, të dy shtetet i premtuan njëri-tjetrit të respektojnë kufijtë e njëri-tjetrit.

Rusia i referohet së drejtës për vetëvendosje

Shpesh dëgjohet nga Rusia: njerëzit në Krime dhe në rajonet lindore dhe jugore duan të largohen nga Ukraina, dhe kjo mbulohet nga një parim i rëndësishëm i së drejtës ndërkombëtare, përkatësisht e drejta e popujve për vetëvendosje.

Megjithatë, e drejta ndërkombëtare është shumë e rezervuar nëse e drejta e një populli për vetëvendosje i jep atij të drejtën për t’u shkëputur nga shteti amë përmes një referendumi, shpjegon Tilberger.

Në thelb, e drejta për vetëvendosje u lejon popujve të përcaktojnë lirisht zhvillimin e tyre politik, ekonomik dhe kulturor. Ajo lindi kryesisht kur ish-shtetet e kolonizuara fituan pavarësinë e tyre.

Por ky parim duhet të jetë gjithmonë në përputhje me një parim tjetër themelor të së drejtës ndërkombëtare, sovranitetin shtetëror mbi territorin. Të dy parimet mund të bien ndesh kur një grup popullsie dëshiron të shkëputet dhe shteti e kundërshton këtë.

Pengesat e mëdha ligjore për ndarjen e territoreve

Nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, duhet të bëhet një dallim midis vetëvendosjes “të brendshme” dhe “të jashtme”, thotë Tilberger. Vetëvendosje “e brendshme” do të thotë: pakicat kombëtare marrin mbrojtje të veçantë brenda shtetit të tyre të origjinës, për shembull vetëqeverisje ose mbrojtje të kulturës dhe traditave të tyre.

Nga ana tjetër, vetëvendosja “e jashtme”, ose ndarja nga shteti i tyre i origjinës, është e mundur vetëm në rrethana ekstreme. Një popull që shtypet sistematikisht dhe nënshtrohet me shkelje të rënda të të drejtave të njeriut mund të ketë të drejtën e shkëputjes. Në rastin e Krimesë dhe Ukrainës lindore dhe jugore, nuk pati shkelje të tilla të rënda nga qeveria ukrainase.

A mund të heqë dorë Ukraina nga territoret e pushtuara?

Po sikur Trump dhe Putin të bënin një marrëveshje që përcaktonte që Ukraina të hiqte dorë nga territoret e pushtuara dhe qeveria ukrainase ta pranonte? A do të ishte i lejueshëm ky çmim për paqen sipas ligjit ndërkombëtar?

“Në thelb po”, thotë Tilberger. Megjithatë, të biesh dakord për një marrëveshje të tillë paqeje do të duhej të ishte “një akt i ligjshëm dhe mbi të gjitha vullnetar i qeverisë ukrainase”. Në veçanti, kjo nuk duhet të ndodhë nën presion ose kërcënim me forcë.

Nga perspektiva e ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare, “është shumë e diskutueshme se si do të dukej një vendim nga qeveria ukrainase që do të merrej pa detyrim ose vullnetarisht në situatën aktuale”.

Se si do të duhej të zhvillohej saktësisht situata në Ukrainë që të mund të flitet për një transferim vullnetar të territorit sipas së drejtës ndërkombëtare është aktualisht e vështirë të thuhet. Sulmet e ashpra ajrore ruse ndaj objektivave civile në muajt e fundit dhe kërcënimet e qeverisë amerikane me pezullimin e plotë të ndihmave ushtarake sigurisht që nuk flasin në favor të një situate vendimarrjeje në të cilën qeveria ukrainase mund të veprojë lirisht./DW

Yesterday — 13 August 2025Main stream

Dy viktima nga zjarret në Spanjë, situatë kritike në Greqi, mijëra zjarrfikës në luftë me flakët

13 August 2025 at 22:50

Pamjet apokaliptike që po shikoni vijnë nga Greqia, ku flakët kanë shkrumbuar mijëra hektarë tokë dhe kanë rrezikuar edhe banesa.

Në zonën e Patras, në parkingun e Doganës flakët kanë shkrumbuar një parking, duke djegur 550 makina. Ndërkohë policia në Patra ka arrestuar një 25 vjeçar që dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme.

Beteja me flakët vijon edhe në Akai, Kios, Prevezë, Zakynthos dhe Kefaloni. Thuasje 5 mijë zjarrfikës janë në terren, teksa Athina zyrtare ka kërkuar edhe ndihmën e Mekanizmit Europian për Mbrojtjen Civile duke kërkuar 4 avionë për shuarjen e flakëve. Në gjithë vendin pothuajse 100 mijë hektarë tokë janë prekur nga zjarret, duke shkaktuar dëm që shkon në miliona euro.

Ndërkohë në Podgoricë dy zjarrfikës mbetën të plagosur të mërkurën në luftë me flakët në fshatrat kodrinore rreth kryeqytetit malazez, Podgoricës.

Zjarret që u përhapën në disa vende në Mal të Zi e kanë detyruar qeverinë të kërkojë ndihmë nga BE dhe NATO.

Kroacia dërgoi aeroplanët e saj të specializuar dhe Serbia dërgoi helikopterë. Shtëpitë në disa fshatra përreth Podgoricës u dogjën dhe banorët u evakuuan. Gjashtë persona u arrestuan, të akuzuar për fillimin e disa prej zjarreve.

Ndërkohë në Spanjë mbi 8000 qytetarë u detyruan të evakuoheshin nga shtëpitë e tyre për shkak të zjarreve në rajone të ndryshme të vendit.
Flaken kane lënë pas dy viktima ne shtetin Europian, pas djegies se një burri të moshuar viktima e dyte ishte një vullnetar qe po ndihmonte ne shuarjen e flakëve.

Janë 5 vatra zjarri të cilat janë jashtë kontrollit sipas asaj që thonë autoritetet Spanjolle. Situata më e vështirë paraqitet në Leon dhe Zamora. Që nga Janari i këtij viti deri më 3 gusht flakët kanë shkrumbuar rreth 40 mijë hektarë tokë në Spanjë, një sipërfaqe 9% më e madhe e djegur krahasuar me të njëjtën periudhë në një viti më parë.

Edhe në Portugalinë fqinje, më shumë se 700 zjarrfikës janë në betejë me flakët në komunën e Trancoso, rreth 350 kilometra në verilindje të Lisbonës.

Zjarri, I nxitur nga temperaturat e larta dhe erërat e forta, kërcënoi banorët e fshatrave përreth, ndërsa Portugalia përpiqet të mbajë një kontroll një sezon zjarresh që është përkeqësuar.

Vatra Sporadike zjarri janë regjistruar edhe në Francë dhe Itali, vatra këto që fatmirësisht janë vënë nën kontroll. Në Itali, 16 qytete të mëdha të vendit janë vënë nën alarmin e kuq të të nxehtit ndërkohë në jugperëndim të Francës në 40 stacione meteorologjike u shënuan temperatura mbi 40 gradë celsius. Zjarret në Europë kanë djegur këtë vit më shumë se 400 mijë hektarë tokë, një sipërfaqe kjo 87% më e lartë se mesatarja e dy dekadave të fundit. Shkencëtarët parashikojnë se temperaturat ekstreme do të vrasin nga 8 mijë deri në 80 mijë qytetarë deri në fund të këtij shekulli.

/abcnews.al/

“Drejtësia është pranë”/ Memli Krasniqi viziton Thaçin dhe Veselin në Hagë

13 August 2025 at 22:47

“Dielli do të lindë përsëri!” Këto ishin fjalët që ish presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i tha kreut të PDK Memli Krasniqi, teksa ky i fundit e vizitoi në Hagë.

Krasniqi njoftoi se takoi Thaçin dhe ish kryetarin e kuvendit Kadri Veseli, të cilët prej disa vitesh po mbahen në dhomat e paraburgimit në Hagë, në pritje të vendimit të Gjykatës Speciale.

Në një postim në rrjetet sociale Krasniqi tha se edhe këtë herë, në fjalët e ish krerëve të UÇK, gjeti bindjen se drejtësia po afrohet.

“Edhe këtë herë, në çdo fjalë të tyre, e ndjeva të gjallë bindjen e palëkundur se drejtësia për çlirimtarët tanë po afrohet. Nuk mund të jetë ndryshe për ta dhe shokët e tyre, që mbi supet e veta bartën vetëm atë që populli kërkoi: luftën për liri. Liria, askund e asnjëherë, nuk është as mëkat e as faj. Ata janë mirë, optimistë dhe, si gjithmonë, dërgojnë përshëndetjet më të ngrohta për secilin prej jush”, është shprehur Memli Krasniqi.

Kreu i PDK shtoi se ish krerët e UCCK besojnë në një të ardhme të ndritur për Kosovën, një të ardhme që ndërtohet me punë dhe vizion të pathyeshëm.

Në fund ai shprehu bindjen se koha do ta nxjerrë në dritë të vërtetën dhe drejtësia, sado e vonuar, do të triumfojë.

Katër ish-krerët e UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi  ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Qëndrimi për pesë vjet në paraburgim shpesh është cilësuar si shkelje e të drejtave të njeriut nga veteranët në Kosovë.

/abcnews.al/

Pas zjarreve, Greqia goditet nga tërmeti

13 August 2025 at 22:31

Greqi- Një tërmet me magnitudë 4.7 ballë goditi brigjet e Nisyros, të mërkurën.

Epiqendra e tërmetit ndodhej 38 kilometra në jugperëndim të ishullit.

Thellësia e tërmetit ishte 122 kilometra. Sipas mediave greke nuk raportohet për të lënduar apo objekte të dëmtuara.

VIDEO/ Aksident në aksin Fier-Levan, përplasen dy automjete

13 August 2025 at 22:19

Një aksident ka ndodhur në aksin Fier Levan në kthesën e Azotikut. Mësohet se dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën. Si pasojë e përplasjes një prej automjeteve ka përfunduar në kanalin anësor të rrugës. Nuk raportohet për të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Në vendngjarje ndodhet policia dhe po punon për zbardhjet e shkaqeve të aksidentit.

/abcnews.al/

❌
❌