Rama: Universiteti Bujqësor i Tiranës do të bëhet pikë referimi në rajon për studimet e ekselencës
TIRANË, 21 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se falë bashkëpunimit me Universitetin “BOKU” të Vjenës, Universiteti Bujqësor i Tiranës do të bëhet pikë referimi në gjithë rajonin për studimet e ekselencës.
Rama ishte i pranishëm sot në prezantimin e raportit të Bordit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, ku u ndal te domosdoshmëria e transformimit të arsimit të lartë për t’iu përgjigjur sfidave të epokës digjitale.
Kryeministri vlerësoi bashkëpunimin e vendosur mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Universitetit “BOKU” në Vjenë.
“Rektori i universitetit së bashku me ekipin e tij, patjetër edhe me mbështetjen tonë ka angazhuar trupën në një proces transformimi rrënjësor. Faktikisht universiteti nga pikëpamja e reformës ka hapur një proces reformimi të panjohur më parë në botën akademike shqiptare”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se ky proces reformimi vjen si rezultat i ndërveprimit intensiv me universitetin “BOKU” të Vjenës dhe i përafrimit të plotë të programeve me atë universitet.
“Kjo për t’i dhënë mundësi sinergjisë mes dy universiteteve që të shkojë përtej ushtrimit të bashkëpunimeve të cilat ne i kemi njohur deri më sot, që janë bashkëpunime pozitive, por që mbeten bashkëpunime si midis shtetesh të ndryshme”, tha Rama.
Ndërkohë, kryeministri shtoi se bashkëpunimi mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe universitetit “BOKU” të Vjenës bënë të mundur që në Shqipërinë 2030 diplomat e Universitetit Bujqësor të Tiranës të jenë të barazvlefshme me diplomat e universitetit “BOKU” të Vjenës.
Rama theksoi se me këtë Universiteti Bujqësor i Tiranës bëhet një pikë referimi në gjithë rajonin tonë për studimet e ekselencës në fusha të ndryshme.
“Nga sa mund të mendohej deri një dekadë më parë, këto fusha janë bërë e po bëhen gjithmonë e më prioritare në jetën e përditshme të njerëzve dhe lidhen me sfida të jashtëzakonshme që kanë të bëjnë me zhvillimin e qëndrueshëm dhe me mbrojtjen e mjedisit. Lidhen me të gjitha qasjet e reja për shfrytëzimin e burimeve natyrore me ushqimin e sigurt e kështu me radhë”, tha Rama.
Rama shprehu besimin se ky transformim i universitetit do të rrisë edhe kërkesën e vajzave dhe djemve që mbarojnë shkollën e mesme për të ndjekur studimet në këtë universitet.
“Pajisja me diplomat e këtij universiteti do të jetë një garanci për t’u vënë në shërbim të institucioneve apo sipërmarrjes me një kohë kur sfidat e produkteve me të cilat lidhet jeta e Universitetit Bujqësor të Tiranës bëhen gjithmonë e më shumë strategjike”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se kjo tregon se procesi i integrimit në një universitet ndër më të kërkuarit e botës kërkon një ndryshim dhe të sistemit tonë të organizimit, një ndryshim përmbajtësor në ligjin e arsimit të lartë dhe kërkon një ndryshim edhe në qasjen menaxheriale të universitetit. /j.p/
The post Rama: Universiteti Bujqësor i Tiranës do të bëhet pikë referimi në rajon për studimet e ekselencës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.