Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 July 2025Main stream

“Familja Meta ka fshehur provat”/ Avokati: Nëse akuzat provohen, dënimi për Metën mund të shkojë 10-15 vite

30 July 2025 at 23:51

Në një intervistë në “Edicioni i Fundit” në ABC News, avokati Romeo Kara foli çështjen Meta-Kryemadhi që kanë tre akuza të rënda korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Gjatë intervistës, avokati tha se nëse provohen saktë akuzat dënimi për Metën mund të jetë 10-15 vite, ndërsa për Kryemadhin u shpreh: “nuk mund të them diçka të qartë”.

“Po të ishte një gjyq jo kaq i rëndësishëm nga ana e opinionit mund të shkonte edhe një muaj. Por mund të zgjasë edhe më tepër. Kjo seancë nuk besoj se do t’i kalojë më tepër se gjashtë muaj. Maksimumi them. Shkalla e parë mendohet që duhet të mbyllet edhe brenda 1 viti e gjysmë. Hetimi ka qenë shumë i rëndësishëm, tani jemi përballë vijueshmërisë provave. Le të shpresojmë të jetë një proces i drejtë gjyqësor”, tha më tej ai.

/abcnews.al/

Pas Britanisë e Francës, edhe Kanadaja njofton se do të njohë shtetin palestinez

30 July 2025 at 23:50

Kanadaja po planifikon të njohë shtetin palestinez. Kështu ka deklaruar kryeministri Mark Carney. Kanadaja bëhet kështu vendi i tretë i G7 që merr një vendim të tillë. Megjithatë Carney tha se një veprim i tillë do të varet nga kushte të caktuara, duke përfshirë edhe angazhimet e Autoritetit Palestinez për të reformuar rrënjësisht qeverisjen e tij.

Ky qëndrim vjen një ditë pasi Britania deklaroi se do ta njihte shtetin palestinez në shtator nëse Izraeli nuk pranonte një armëpushim. Ndërsa javën e kaluar ishte Franca ajo që deklaroi se do ta njohë zyrtarisht shtetin palestinez.

/abcnews.al/

“Kodi i ri, natyrë represive”/ Procedurat gjyqësore, avokati: Do krijohet një çoroditje, kolapsi është i sigurt

30 July 2025 at 23:41

Kodi i ri penal ka shkaktuar shumë debate e diskutime me qëndrime edhe kundër. Avokati Romeo Kara, në “Edicioni i Fundit” në ABC News tha se mënyra se si janë parashikuar dispozitat do të krijojë shumë më tepër konfuzion.

Po ashtu nënvizoi se ka mundësi që të prekin disa parime kryesore të sigurisë juridike.

“Është bërë një hap shumë i nxituar, shpresoj të kthehet mbrapsht dhe të diskutohet nga të gjithë palët. Aktorë të rëndësishëm kanë thënë që ky Kod Penal parashikon pothuaj dyfishimin e veprave penale”, u shpreh ai.

Gjithashtu gjatë intervistës, avokati i qëndroi mendimit se këtij Kodi të Ri duhet të t’i jepet një tjetër formë diskutimi dhe të jetë më profesional.

“Ka një tendencë represive…Si mund të vijë një qytetar i huaj në Shqipëri dhe të ketë të bëjë me një kornizë ligjore që nuk ka edhe sens. Do të krijohet patjetër një çoroditje. Me këtë kod, kolapsi është i sigurt”, tha ai, duke shtuar: “Fakti që tani kanë dalë të gjithë aktorët të thonë që është punuar fshehurazi kjo nuk fshihet më. Nuk ka efektivitet në seanca gjyqësore. Mund të krijojë edhe pasoja nëse nuk trajtohet si duhet. Janë kujdesur për ata që kanë bërë vepra të rënda, edhe popullit i shton presionin. Taksat po shtohen, presioni ligjor po shtohet dhe ne nuk po marrim vesh se çfarë kemi lënë pa paguar”.

/abcnews.al/

“Meta” prezanton super-inteligjencën/ Zuckerberg: Do transformojë mënyrën se si njerëzit jetojnë

30 July 2025 at 23:14

Bëhuni gati për superinteligjencën artificiale, që do të ndihmojë secilin prej jush në përditshmëri. Ky është projekti ambicioz i kompanisë Meta, i njoftuar nga Mark Zuckerberg.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, themeluesi i Facebook shprehu optimizmin e tij se superinteligjenca personale do të ndihmojë njerëzimin të përshpejtojë ritmin e progresit.

Por mbi të gjitha sipas tij, ndoshta është fakti se superinteligjenca ka potencialin të fillojë një epokë të re të fuqizimit personal, ku njerëzit do të kenë më shumë mundësi për të përmirësuar botën në drejtimet që zgjedhin.

Zuckerberg tha se kompania Meta, do që t’ua përcjellë superinteligjencën masave, në mënyre që ajo të përdoret nga të gjithë. Ai shprehu bindjen e tij se kjo fuqi duhet të jetë në duart e njerëzve për ta përdorur sipas asaj që vlerësojnë më shumë në jetën e tyre.

CEO i Meta tha se supeinteligjenca personale do I njohë thellë përdoruesit e saj, t’i kuptojë qëllimet dhe t’i ndihmojë të arrijnë ato më të rëndësishmet.

Një nga mënyrat e përdorimit të kësaj superinteligjence, duke se mund të jetë edhe përmes syzeve.

Meta ka modele të shumta të syzeve inteligjente të mundësuara dhe po punon për të zhvilluar një version më të përparuar me ekrane të integruara, duke shfaqur një prototip të teknologjisë, të quajtur “Orion”.

/abcnews.al/

Sateliti “parashikues”/ Vëzhgon ndryshimet në tokë, paraprin fatkeqësitë natyrore

30 July 2025 at 22:46

NASA dhe India u bënë bashkë për të lëshuar në hapësirë një satelit për hartëzimin e tokës, i aftë të gjurmojë edhe ndryshimet më të vogla në tokë dhe akull.

Sateliti i quajtur NISAR, me një vlerë prej 1.3 miliardë dollarësh do t’i ndihmojë parashikuesit e motit dhe ekipet e emergjencave të jenë një hap para në rast përmbytjesh, rëshqitjeve të dheut, shpërthimeve vullkanike dhe fatkeqësive të tjera.

I nisur në orbitë nga India, sateliti do të vëzhgojë pothuajse të gjithë terrenin e Tokës disa herë. Dy radarët e tij, njëri nga SHBA-ja dhe tjetri nga India, do të funksionojnë ditë e natë, duke parë përmes reve, shiut dhe pengesave për të mbledhur një sasi të madhe të dhënash me detaje të jashtëzakonshme.

Shkencëtarët do të krahasojnë sinjalet hyrëse dhe dalëse ndërsa sateliti kalon mbi të njëjtat vende dy herë çdo 12 ditë, duke zbuluar ndryshime aq të vogla deri në 1 cm.

Ndër vëzhgimet më urgjente të satelitit janë shkrirja e akullnajave dhe shtresave të akullit polar; zhvendosja e burimeve të ujërave nëntokësore; lëvizja dhe presioni i sipërfaqeve të tokës që shkaktojnë rrëshqitje dheu dhe tërmete; dhe prerjet e pyjeve dhe ligatinave që rrisin emetimet e dioksidit të karbonit dhe metanit.

NASA po kontribuon 1.2 miliardë dollarë në misionin tre-vjeçar. Pjesa prej 91 milionë dollarësh i takon Organizatës Indiane të Kërkimeve Hapësinore, duke e bërë këtë bashkëpunimin më të madh hapësinor mes dy vendeve.

Investimi i Kushner në Sazan/ Rama: Projekti po ecën mirë, ne ende po negociojmë kushtet e partneritetit

30 July 2025 at 22:35

Kryeministri Edi Rama në intervistën me gazetarin  ZEIT, Stefan Willeke foli edhe për projektin e Jared Kushner në Sazan, për të cilin është shprehur se projekti po ecën mirë dhe se përbëhet nga dy pjesë. Nga njëra anë siç shpjegon kryeministri brezi bregdetar dhe nga ana tjetër ishulli i Sazanit, i cili i përket shtetit.

Pyetja: Ju e njihni mirë dhëndrin e Trump, Jared Kushner, i cili synon të bëhet një investitor i madh në Shqipëri: kompania e Kushner dëshiron të ndërtojë akomodime luksoze për turistë të pasur në një pjesë bregdetare të paprekur më parë dhe në një ishull të pabanuar. Kjo po kundërshtohet nga ambientalistët. Si po ecën ky projekt?

Përgjigja e kryeministrit Rama: Po ecën. Projekti përbëhet nga dy pjesë: nga njëra anë, brezi bregdetar – ose gadishulli, siç e quajmë ne. Është në pronësi private. Nga ana tjetër, ishulli i Sazanit, i cili i përket shtetit. Gadishulli ka përfunduar fazën e planifikimit. Ne ende po negociojmë kushtet e partneritetit për ishullin e Sazanit. Konceptet paraprake duken shumë premtuese. Lista e kompanive që duan të bëhen pjesë e këtyre kufijve të rinj të turizmit mesdhetar është mbresëlënëse, veçanërisht Hotelet Aman”.

/abcnews.al/

Veliaj në burg/ Rama për revistën gjermane: Partia jonë s’është mburojë mbrojtëse për askënd

30 July 2025 at 21:57

Në intervistën e dhënë për revistën e njohur gjermane “ZEITmagazin”, pjesë e grupit mediatik të njohur “DIE ZEIT”, kryeministri Edi Rama është pyetur edhe në lidhje me arrestimin e ish-kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj i cili ndodhet prej 6 muaj në burg.

“Është e qartë se njerëzit në nivele të ndryshme të qeverisjes preken gjithashtu sapo përfshihet korrupsioni. Pra, pyetja nuk është nëse korrupsioni ekziston, por çfarë po bëjmë për ta luftuar atë dhe për të zvogëluar ndikimin e tij në qeveri. Dhe jam krenar që kemi bërë diçka të madhe – radikale: një reformë gjyqësore që, për herë të parë në historinë tonë që nga pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912, i solli zyrtarët e lartë para një gjyqësori të pavarur dhe çoi në akuza ose dënime”, shprehet Rama.

Më tej kryeministri nënvizon se është bërë një punë e madhe se është Partia Socialiste nuk është mburojë mbrojtëse për askënd ndërsa shton: “askënd; Shumica jonë në Parlament është vetëm mburoja mbrojtëse e gjyqësorit të pavarur”

Pyetja: Një politikan nga rrethi juaj, ish-kryetari i bashkisë së Tiranës, u arrestua në zyrën e tij disa muaj më parë – ndër të tjera, për ryshfet dhe pastrim parash. A ka arritur korrupsioni në qeverinë tuaj?

Përgjigja: Është e qartë se njerëzit në nivele të ndryshme të qeverisjes preken gjithashtu sapo përfshihet korrupsioni. Pra, pyetja nuk është nëse korrupsioni ekziston, por çfarë po bëjmë për ta luftuar atë dhe për të zvogëluar ndikimin e tij në qeveri. Dhe jam krenar që kemi bërë diçka të madhe – radikale: një reformë gjyqësore që, për herë të parë në historinë tonë që nga pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912, i solli zyrtarët e lartë para një gjyqësori të pavarur dhe çoi në akuza ose dënime.

Nga ana tjetër, unë besoj se një organizatë, një kompani ose një shumicë qeverisëse nuk gjykohet nga fakti nëse një ose disa nga anëtarët e saj dyshohen për korrupsion ose janë nën hetim për korrupsion, por nga mënyra se si reagojnë në raste të tilla. Për dekada, përgjigjja ishte të formohej një mburojë mbrojtëse dhe të ofrohej mbështetje politike në përputhje me rrethanat. Ne i kemi dhënë fund kësaj. Partia jonë nuk është një mburojë mbrojtëse për askënd; Shumica jonë në Parlament është vetëm mburoja mbrojtëse e gjyqësorit të pavarur.

/abcnews.al/

Yesterday — 30 July 2025Main stream

Jordan Daci: Kodi Penal nuk është çështje politike, por ligji më i rëndësishëm pas Kushtetutës

30 July 2025 at 21:08

Avokati Jordan Daci në emisionin “Real Story” në ABC News tha se Kodi Penal është ligji më i rëndësishëm pas Kushtetutës dhe se për këtë arsye nuk mund të kalojë në një mënyrë të tillë, por duhet analizuar hapa pas hapi.

“Kodi Penal nuk është çështje politike. Prek këdo. Madje më shumë prek atë që është në pushtet. Por duhet kuptuar që është ligji më i rëndësishëm pas Kushtetutës. Dhe kërkon më shumë kohë. Norvegjia ka bërë kodin më të fundit, është punuar 20 vite. Janë ligje që përbën një kontratë që shoqëria të planifikojë të ecë mbi 50 vite pa u prekur dhe po ashtu nëse do ketë shtime çdo vepër të mos cënojë më Kodin. Por mbi të gjitha duhet të jenë pastër dhe thjeshtë…”, tha ai.

Avokati Sokol Hazizaj, u shpreh se Republika e Shqipërisë përveç Kodit Penal, ka ligje materiale që mbulojnë çdo fushë.

“Ju e mbani mend që kemi thënë për Reformën në Drejtësi, që një pjesë që solli anarkinë institucionale u kalua pa u lexuar. Sot ju thoni me të drejtë sot foli Prokurori i Përgjithshëm? Po sot foli. Mirë që foli dhe i erdhi mundësia për të folur. Duke ditur strukturën e sistemit të drejtësisë e kuptoj rolin e Prokurorit të Përgjithshëm. Flasim për pamundësinë e të bërit të një ligji, por duhet të dimë që Republika e Shqipërisë përveç Kodit Penal, nuk ka vetëm Kod Penal, ka ligje materiale sa të duash që mbulojnë çdo fushë. Ky Kod penal zëvendëson çdo lloj ligji në Shqipëri. Ky është një rrugë që ka fillim dhe mbarim. Në këtë mazhorancë prej 2013 janë bërë disa përpjekje për ligjin për shtypin, për fatin e mirë, keni reaguar që është e mjaftueshme e Kushtetutës…”, u shpreh ai.

“Kodi Da Vinçi” i Kodit Penal/ “Nëse ke ligj të fortë individi është i sigurt”, Çupi: Reforma në drejtësi s’mbrohet me dhunë

30 July 2025 at 20:52

Avokatët e quajnë Kodin e ri Penal, si inkuizicion dhe me nene diskriminuese si ne kohën e komunizmit.

Gjithashtu kreu i dhomës së avokatisë akuzon Ulsi Manjën se nuk ka marrë as miratimin e ndërkombëtarëve dhe paralajmëron dërgimin e tij, nëse miratohet, në Gjykatë Kushtetuese.

Analisti Frrok Çupi në emisionin “Real Story” në ABC News u shpreh se reforma në drejtësi nuk mbrohet me dhunë.

“Ka një parim themelor drejtësia që thotë, nocioni pafajësi vjen nga nocioni ligj. Pra nëse forcon ligjin, jemi në një shoqëri demokratike, por nëse nuk ke ligj të fortë dhe të qartë individi është i pasigurt. Reforma në drejtësi nuk mbrohet me dhunë, ka personalitet, akademi shkencash. Për të mbrojtur reformën në drejtësi është detyra jonë si individ dhe detyra e institucioneve. Por kush po reagon? E para është draft, sa kohë është draft nuk ka shkruar të legjislatori…Ka disa hapa dhe disa probleme të mëdha që të shkojnë ta bëjnë ligj…”, tha ai.

Më tej Çupi tha se deri më tani në lidhje me këtë Kod nuk ka parë reagime profesionale, duke thënë se i vetmi reagim i tillë, ishte ai i Prokurorit të Përgjithshëm.

“Hartuesit, probleme Kushtetuese”/ Daci: Kodi penal duhet shkruar qartë. Kufizimi i lirisë i rrezikshëm. Ministri Drejtësisë mos bëjë akrobaci të tilla

30 July 2025 at 20:31

Edhe avokatët kanë dalë kundër projekt Kodit të ri Penal. Ata akuzojnë ministrin e Drejtësisë se ka punuar fshehurazi dhe pa u konsultuar me askënd.

Në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News, avokati Jordan Daci u shpreh se është treguar një papërgjegjshmëri, ndërsa shtoi se nuk u rishikua kodi aktual.

Daci u shpreh se Kodi Penal duhet shkruar qartë dhe të jetë i kuptueshëm.

“Ka përgjegjësinë edhe politike të mos bëjë eksperimente të kësaj natyre. Duhet bërë një analizë e këtij që ke. Çfarë problemesh ka? Ku duhet të riparohet? Këta kanë harruar që në këto 30 vite gjykatat tona i kanë dhënë kuptimin. Këta hartuesit akoma nuk janë ndarë nga komunizmi. Kodi Penal duhet të perceptohet duke patur individin përballë. Liria është e para që cënohet në parim gjithandej. Tjetër cënohet liria e shprehjes dhe e ndërgjegjësimit”, tha ai.

Më tej gjatë intervistës, theksoi se në një shoqëri demokratike liria e shprehjes është më e rëndësishme dhe kufizimi i saj është më i rrezikshëm.

“Ky kod cënon nenin 11, futet te tarifa të papërshtatshme. Kjo vlen për të gjitha profesionet…Procesi i rregullt është elementi numër 1, kodi aktual humbi hierarkinë e dënimeve, nuk ndjekin një kurbë nga më e rëndësishmja te më e dobëta, por kodi i ri e bëri më keq. Aty ka elementë deri në gjuhësore që janë të papranueshme. Kemi cënimin për të drejtat familjare, preken të gjitha. Deklaratat që ka bërë kryeministri që ka thënë “po nuk votuat për mua mos shkoni fare në votoni”, është për burg me këto të rejat që kanë bërë. Dispozitat që kanë shkruar janë me çarçaf. Kodi aktual në origjinën e vet ka pasur nene shumë të mira, por ndërhyrjet janë bërë të këqija. Teknicienët deri në vitin  2000 kanë qenë shumë profesionistë, më pas u shkatërrua. Mund të sjell një shembull që në Itali ka dy vite që bëhet luftë për një nen, duhet të jetë apo jo dhe më pas do diskutohet nëse do futet apo jo…Kodi penal duhet të jetë i thjeshtë i qartë dhe i shkurtër. Por Kodi i këtyre po ta marrim, secili nga ne do e shohë ndryshe. Ne na cënon drejtpërdrejt…”, tha ai.

/abcnews.al/

Trump, tarifa dhe gjobë për Indinë/ Shkak blerja e armëve dhe energjisë nga Rusia

30 July 2025 at 19:11

Shtetet e Bashkuara do të vendosin një tarifë prej 25% për mallrat indiane dhe veç kësaj edhe një gjobë, që nuk dihet ende sa do të jetë, për blerjen e energjisë dhe armëve ruse.

Presidenti Donald Trump tha në “Truth Social” se masat do të hyjnë në fuqi nga 1 gushti, afati i fundit që ai ka vendosur për një marrëveshje tregtare. Edhe pse e cilësoi Indinë një vend mik, Trump tha se tarifat e saj janë ndër më të lartat në botë.

“Gjithashtu, ata gjithmonë kanë blerë shumicën dërrmuese të pajisjeve të tyre ushtarake nga Rusia dhe janë blerësi më i madh i energjisë së Rusisë, së bashku me Kinën, në një kohë kur të gjithë duan që Rusia të ndalojë vrasjet në Ukrainë”, shkroi Trump.

Vitin e kaluar, SHBA kishin një deficit tregtar prej 45.8 miliardë dollarësh me Indinë. Deri vonë, SHBA ishin partneri më i madh tregtar i Indisë, me tregtinë dypalëshe që arriti në 190 miliardë dollarë në vitin 2024.

Trump dhe kryeministri indian Narendra Modi kanë vendosur një objektiv për ta dyfishuar këtë shifër në 500 miliardë dollarë.

Për vite me radhë, Uashingtoni ka kërkuar akses më të madh në sektorin bujqësor të Indisë, duke e parë atë si një treg të madh të pashfrytëzuar. Por India e ka mbrojtur atë me forcë, duke përmendur sigurinë ushqimore, jetesën dhe interesat e miliona fermerëve të vegjël.

Në prill, Trump kishte njoftuar tarifa deri në 27% për mallrat indiane, të cilat më vonë u pezulluan. Kjo e premte është afati i fundit për Indinë dhe vendet e tjera që ose të arrijnë një marrëveshje tregtare ose të përballen me tarifa në rritje.

Deri tani Trump ka arritur marrëveshje me Bashkimin Europian, duke i vendosur tarifat në 15 % dhe me Japoninë, për të cilën tarifat janë po njëlloj.

/abcnews.al/

Përvëlohet Gadishulli Iberik, zjarre në Portugali dhe Spanjë, temperatura mbi 40 gradë

30 July 2025 at 19:06

Gadishulli Iberik është goditur nga zjarret dhe valë të nxehti që i kanë çuar temperaturat deri në 40 gradë Celsius.

Portugalia vijon betejën me flakët për disa ditë me radhë, teksa në terren janë angazhuar mbi 3 mijë forca zjarrfikëse, 1 mijë automjete dhe 26 helikopterë e dronë.

Zjarri në pjesën veriore të vendit, afër kufirit me Spanjën vijon që prej mbrëmjes së të shtunës dhe kërcënon fshatrat dhe zonën e mbrojtur natyrore te Geres.

Ndërkohë një zjarr tjetër në rajonin qendror u përhap shumë shpejt për shkak të erërave të forta dhe temperaturave të larta.

Ndërkohë që një pjesë e vendit përballet me zjarret, në kryeqytetin Lisbonë temperaturat arritën thuajse 40 gradë Celsius. Kjo bëri që banorët të drejtoheshin në plazhet apo pishinat më të afërta.  Megjithatë ata shprehën shqetësimin për temperaturat e larta, që janë bërë gjithnjë e më të zakonshme.

Në Spanjën fqinje spanjolle të emergjencës po përballen me disa zjarre, ndërsa temperaturat u rritën ndjeshëm në disa rajone të vendit.

Zjarret më shqetësuese janë në rajonin e Avilës, afërsisht një orë larg Madridit.

Pavarësisht se në vitin 2025 ka pasur më shumë zjarre aktive sesa në vitet e kaluara, sipërfaqja e djegur është në krahasim deri më tani dukshëm më e vogël.

/abcnews.al/

Funerali i Ozzy Osbourne, mijëra fansa i bëjnë homazhe këngëtarit të ndjerë

30 July 2025 at 18:56

“Princi i errësirës”, Ozzy Osbourn u nderua nga mijëra fansa teksa makina që mbante arkëmortin e tij eci nëpër rrugët e Birmingham.

Shtëpia e Heavy Metal u mbush nga turmat që brohorisnin emrin e Osbourne dhe mbanin në duar pankarta lamtumire.

Makina e varrimit që mbante Osbourne, i cili vdiq të martën e kaluar në moshën 76 vjeç, eci Broad Street, rrugën kryesore të qytetit, drejt stolit të Black Sabbath, i cili u përurua në urën e kanalit Broad Street në vitin 2019.

Anëtarët e familjes ndoqën kortezhin, i cili shoqërohej nga një bandë frymore live. Fëmijët e yllit të muzikës heavy metal dhe bashkëshortja e tij Sharon Osbourne përshëndetën turmën mes lotëve për humbjen e të dshurit të tyre.

Që kur u njoftua vdekja e Osbourne, fansat kanë bërë pelegrinazhe në vende përreth Birminghamit, i cili gjatë dekadave ka fituar reputacionin e tij si vendlindja e heavy metali. Ndër bashkëmoshatarët e tij, Ozzy Osbourne ishte kumbari I kësaj rryme muzikore.

Politika e jashtme dhe integrimi/ Rexhepi: RMV, në bllokadë nga institucionet e BE, zgjedhjet e parakohshme mund të sjellin ndryshim

30 July 2025 at 17:37

Në një intervistë në emisionin “Balkan Update” në ABC News, Bajram Rexhepi foli edhe për politikën e jashtme në Maqedoninë e Veriut duke u ndalur edhe tek integrimi në BE.

Gjatë kësaj interviste, Rexhepi, u shpreh se aktualisht vendi ka një bllokadë totale sa i përket anëtarësimit dhe kjo për shkak të shumë faktorëve. Esenca sipas tij nuk është vetëm tek “debati për çështjen e emrit”, por edhe për faktin se qeveria aktuale ka një bllokadë nga të gjitha institucionet e BE, duke theksuar se ka indikacione shumë shqetësuese siç janë edhe komunikimet direkt me Kremlinin.

“Aktualisht kemi një bllokadë totale në procesin e anëtarësimit kjo për shkak të një ndryshimi kushtetues. Por esenca nuk është aty. Kjo qeveri ka një bllokadë nga të gjitha institucionet e BE , nuk kemi asnjë vizitë të një zyrtari të rëndësishëm. Më e rrezikshmja është fakti se kemi një zv. kryeministër që ka një linjë komunikimi direkt me Kremlini. Një zëvendëskryeministër që nuk e pranon Kosovës. Kemi thithje të fondeve nga Hungaria dhe shumë indikacione që janë shqetësuese, por gjykoj që zgjedhjet e parakohshme parlamentare do e ndalin këtë proces retrogradë”, tha më tej ai.

/abcnews.al/

“Partitë shqiptare, të margjinalizuara”, Rexhepi: Aktorë të papërfillshëm në vendimmarrje. Largimi i Taravarit, veprim i duhur

30 July 2025 at 17:30

Kandidati për komunën e Tetovë nga BDI, Bajram Rexhepi në një intervistë në emisionin “Balkan Update” në ABC News, foli për situatën politike në Maqedoninë e Veriut, rolin e partive shqiptare, ndërsa komentoi edhe largimin e Taravarit.

Arben Taravari, i larguar nga koalicioni VLEN dhe nga qeveria e Hristian Mickoskit, ka shpallur kandidatët e partisë së tij për zgjedhjet lokale.

Rexhepi, largimin e Taravarit e sheh si një veprim të duhur në momentin e duhur dhe një sinjal për skenën politike në Maqedoninë e Veriut dhe që sipas tij tregon që diçka në RMV nuk shkon.

Ai shtoi se do të ketë koalicione, ndërsa nënvizoi se shqiptarët “sulmohen” çdo ditë dhe se ballafaqohen me një politikë agresive ndaj shqiptarëve.

“Ajo që ndodh sot është një propagandë, pjesë nacionaliste maqedonase e kupton shtetin e Maqedonisë si një pronë etnike dhe partitë politike shqiptare fatkeqësisht janë vetëm aktorë të papërfillshëm”, tha ai.

Më tej nënvizoi se beson se zgjedhjet parlamentare mund të jetë në pranverën e ardhshme, duke lënë të nënkuptohet në këtë mënyrë për zgjedhje të parakohshme.

Po ashtu u ndal edhe te rrjeti i ri i gazit në Maqedoninë e Veriut, për të cilin tha se kanë punuar për të pasur një rrjet të gazit, megjithatë shtoi se nuk ka ende një operator që të mund të bëjë shpërndarjen.

“Ne kemi punuar shumë të ofrojmë gazin për çdo qytetar dhe pres që kjo qeveri të nisë sa më shpejt rrjetin e shpërndarjes që kjo të jetë e qasshme. Kjo ka qenë shumë e vështirë të sigurohet”, tha Rexhepi.

/abcnews.al/

❌
❌