FRANCË – Kandilët e detit ”mbyllin” centralin më të madh bërthamor të Evropës Perëndimore
PARIS, 11 gusht /ATSH-AFP/ – Centrali bërthamor ”Gravelines”, më i madhi në Evropën Perëndimore, është mbyllur plotësisht sot për shkak të një pranie masive të kandilëve të detit në stacionet e pompimit për ujin e përdorur për të ftohur reaktorët e tij, një incident shumë i rrallë ky.
”Njësitë e prodhimit II, III, IV dhe VI u mbyllën automatikisht midis natës së të dielës dhe mëngjesit të së hënës për shkak të kësaj pranie masive dhe të paparashikueshme të kandilëve të detit në fuçitë e filtrit të stacioneve të pompimit”, njoftoi EDF në faqen e saj të internetit.
Sipas Elvire Antajan, një studiuese në Institutin Francez të Kërkimeve për Shfrytëzimin e Detit (IFREMER), disa mijëra kandilë deti hynë në portin e Dunkirkut, ku centrali pompon ujin e tij ftohës.
”Kjo nuk pati ndikim në sigurinë e objekteve, sigurinë e personelit ose mjedisin”, siguroi operatori, duke theksuar se stacionet e pompimit ndodhen në pjesën jobërthamore të centralit.
Prandaj, centrali është mbyllur përkohësisht plotësisht, pasi dy njësitë e tjera të prodhimit, njësitë I dhe V aktualisht janë duke u mirëmbajtur.
”Incidenti ndërpreu prodhimin e energjisë elektrike, por nuk ndikoi në ftohjen e pajisjeve që sigurojnë sigurinë e reaktorit”, theksoi Autoriteti Francez i Sigurisë Bërthamore dhe Mbrojtjes nga Rrezatimi (ASNR).
“Ky rrezik është i njohur dhe centrali ‘Gravelines’ ka procedura në vend për t’u marrë me një fluks të organizmave detarë (kandil deti, alga) që mund të bllokojnë sistemet e tij të filtrimit”, shtoi ASNR.
I vendosur në brigjet e Detit të Veriut, ”Gravelines” është centrali bërthamor më i madh në Evropën Perëndimore, për sa i përket numrit të reaktorëve dhe kapacitetit të tij të prodhimit (gjashtë reaktorë me ujë të presionuar, secili me një kapacitet prej 900 megavatësh).
Vendi është gjithashtu planifikuar të strehojë dy reaktorë të gjeneratës së re (EPR2), secili me një kapacitet prej 1 600 MW, deri në vitin 2040./ a.jor.
The post FRANCË – Kandilët e detit ”mbyllin” centralin më të madh bërthamor të Evropës Perëndimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.