Veteranët e UÇK-së protestojnë më 7 gusht për krizën institucionale dhe padrejtësitë ndaj tyre
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) do të organizojë protestë duke shprehur pakënaqësinë për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe mosrespektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në një komunikatë për media, OVL e UÇK-së ka bërë me dije kërkesat e tyre kryesore.
“Sot, përfaqësues të kategorive të lirisë u mblodhën në një takim të përbashkët, përballë situatës alarmante politike dhe institucionale në vend. Duke pasur parasysh mosreflektimin e partive politike për konstituimin e institucioneve, dhe mosrespektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në takim u vendos që të mbahet protestë gjithëpopullore, me kërkesat e mëposhtme: Kundërshtimi i padrejtësive ndaj ish-bashkëluftëtarëve në Gjykatën Speciale. Formimi urgjent i institucioneve legjitime dhe respektimi i rendit kushtetues. Ndërprerja e përbuzjes ndaj kategorive të luftës, përfshirë mosmbështetjen financiare, përjashtimin e veteranëve nga paga minimale dhe mungesën e ligjit për vlerat e UÇK-së”, thuhet në njoftim.
Protesta do të mbahet më 7 gusht, në orën 17:00, në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë. /Telegrafi/
The post Veteranët e UÇK-së protestojnë më 7 gusht për krizën institucionale dhe padrejtësitë ndaj tyre appeared first on Telegrafi.