TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Lojtarët e Kombëtares u shfaqën të zhgënjyer pas barazimit 1-1 me Letoninë.
Mbrojtësi Mario Mitaj u shpreh se përballë ishte një kundërshtar shumë i fortë, ndërsa theksoi se pësimi i golit ishte për shkak shpërqendrimi.
“Nuk kam shumë për të thënë. Ishte një kundërshtar shumë i fortë. Në pjesën e dytë bëmë shumë mirë. Krijuam shumë raste, por nuk po erdhi goli.
Kur shohim që nuk bëjmë golin kollaj, duhet të fokusohemi që të mos pësojmë. Në ndeshjet e tjera, shpresojmë të shënojmë më shumë dhe të fitojmë ndeshjet. Trajnerin e falënderoj për besimin”, tha Mitaj.
Për pësimin e golit, ai tha se, “ne e dinim që goditjet standarde i dërgojnë te shtylla e dytë, ishte çështje shpërqendrimi. Ne luajmë në zonë, nuk luajmë një kundër një”.
Portieri Thomas Strakosha, u bë protagonist në sfidën ndaj Letonisë pasi priti një penallti. Kjo ishte penalltia e parë që ai pret në një ndeshje të kombëtares shqiptare.
Sipas portierit kuqezi, Shqipëria u zgjua shumë vonë për të kërkuar fitoren në këtë ndeshje.
“U zgjuam vonë në pjesën e dytë. Duhet të jesh i përqendruar. Nuk e përgatitëm mirë nga ana mendore ne si lojtarë”, tha Strakosha.
Ndërsa mesfushori Kristjan Asllani u shpreh se pjesa parë ishte dobët dhe theksoi se nuk duhet bërë më një pjesë e parë e tillë.
Sipas tij, në shtator, ekipi duhet të ketë qasje tjetër dhe do të kërkohet vetëm fitorja.
“Nuk e di, por nuk ka qenë një pjesë e parë pozitive. Nuk e di çfarë ka ndodhur. Kishim edhe fat, sepse ata gabuan edhe penalltinë. Nuk mund të bëhet një pjesë e parë e tillë, sepse e dimë ëndrrën që kemi. Kur ka një pjesë të parë të tillë, bëhet e vështirë pastaj.
Ishte një ndeshje e vështirë. Në pjesën e dytë u mbrojtën mirë. Kur të kthehemi në Kombëtare në shtator, duhet një Kombëtare tjetër.
Në pjesën e dytë, trajneri na kërkoi mua dhe Shehut të ndihmonim më shumë mbrojtjen. Provova me krosime për të gjetur ndonjë nga shokët, por nuk ndodhi.
Kur të kthehemi do të punojmë akoma më fort. Kur të kthehemi duhet të luajmë vetëm për të fituar ndeshjet”, tha ai.
Për të ardhmen tek Interi, Asllani tha se, “nuk e di. Do shkoj në Botërorin e Klubeve dhe për merkaton do flasim sërish”.
Sulmuesi i Kombëtares Armando Broja, nuk e fshehu zhgënjimin, duke treguar mangësitë e ekipit në këtë ndeshje.
“Sot na ka munguar gjithçka. Në pjesën e parë nuk e luajtëm shpejt topin, nuk futëm shumë topa në zonë, nuk bëmë goditje në portë. Strakosha bëri pritje të bukur te penalltia, goli i Letonisë, na i prishi moralin. Këto ndeshje janë të vështira. Në qoftë se nuk shënon, ka për të qenë ndeshje e vështirë. Ata donin të luanin vetëm me topa të gjata, të vononin lojën.
Trajneri merr vendimet e ekipit. Çdo lojtar ka kapacitet për të luajtur 90 minuta. Ndoshta ishin njëçik të lodhur. Ajo ishte një ndeshje e vështirë, na ka konsumuar fizikisht. Edhe kjo ishte e vështirë. Jemi mërzitur shumë, nuk kemi luajtur mirë sot. Shanse për vendin e dytë ka. Ky grup nuk është i lehtë. Kemi shanse për t’u kualifikuar nëpërmjet vendit të dytë.
Ekipet e vogla mbyllen, rrijnë shumë në mbrojtje, është e vështirë të krijosh shanse, siç bëjmë ne kundër Anglisë dhe Serbisë. Duhet më shumë të qarkullojmë topin dhe duhet të fusim më shumë topa në zonë dhe të krijojmë shanse.
Kemi bërë disa skema në stërvitje për të krijuar shanse. Kur futesh në lojë është më ndryshë. Duhet të krijonim më shumë shanse”, u shpreh Broja.
/gj.m/
The post Barazimi me Letoninë, lojtarët të zhgënjyer pas ndeshjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.