Modriç ‘zbarkon’ në Milano/ Milan merr përforcimin e madh për sezonin e ardhshëm
Mbërriti thjesht, por pritet të bëjë mrekulli.
Luka Modriç zbriti në aeroportin Malpensa të Milanos, dhe mori rrugën për në qendrën e Milanelos, ndërsa nisi aventura e tij si lojtar i ri i Milanit.
Ylli më i madh i futbollit të Kroacisë për të gjitha kohët përshëndeti tifozët dhe gazetarët duke deklaruar se ishte i lumtur, dhe është një nga përforcimet e para të arritur nga drejtori i ri sportiv, Igli Tare, dhe u kërkuar e pëlqyer nga trajneri Masimiliano Alegri.
Më pas, veterani 39-vjeçar iu nënshtrua vizitave mjekësore në klinikën Madonina, të cilat i përfundoi me sukses, e më pas erdhi firmosja e kontratës.
Klubi kuqezi njofton se akordi është njëvjeçar, deri në 30 qershor 2026, me mundësi për t’u zgjatur edhe për një sezon tjetër.
Ai do të mbajë fanelën me numrin 14, ashtu si tek Totenhemi, ndërsa për 8 sezone tek Reali pati numrin 10.
Modriç vërtet është pranë fundit të karrierës, por pritet ta ndihmojë Milanin me përvojën e tij të jashtëzakonshme, dhe me mentalitetin tepër fitues.
Jo më kot ai u bë lojtari me më shumë trofe në historinë e Realit të Madridit, me 27 tituj, ndër të cilat 6 Champions, 4 La Liga, 5 Superkupa të Europës e gjashtë Kupa të Botës për Klubet.
Milani ka nisur fazën përgatitore nën drejtimin e trajnerit Alegri, dhe Modriç pritet të bashkohet pasi të kalojë disa ditë pushim për shkak të pjesëmarrjes në Kupën e Botës për Klubet.
Synimi është kualifikimi të paktën për në Champions, ndërsa dëshira tjetër e madhe është shqiptari nga Kosova, ylli i ri i Zvicrës, Ardon Jashari./abcnews.al