Abdixhiku mirëpret vendimin e Kushtetueses: LVV kishte uzurpuar foltoren, Kosova humbi kohë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetues për daljen nga ngërçi të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Abdixhiku përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se kjo është një fitore e demokracisë dhe Republikës.
Ai po ashtu tha se Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë të plotë kërkesave të tyre dhe lëndës së hartuar nga LDK.
“Siç e kishim thënë, sa e sa herë, partia e parë kishte uzurpuar foltoren, me imponim kishte ndryshuar rendin e ditës dhe me kokëfortësi për plot 48 herë kishte shkelur Kushtetutën e Kosovës duke insistuar në votimin e fshehtë – para dhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Votimi i fshehtë nuk pranohet.
Jo kushtetues i konstatuar! Urdhëroheni të mundësoni demokracinë në Republikën e lirë të Kosovës. Ky është verdikti sot. Ky ishte qëndrim i Lidhjes Demokratike të Kosovës nga dita e parë e deri më sot”, ka shkruar Abdixhiku.
Sipas tij, fatkeqësisht, Kosova humbi kohë.
“Sot bëhen plot 180 ditë që nga mbajtja e zgjedhjeve. Gjysmë viti i humbur nga ata që imponimin e kanë si vlerë e përçmimin si metodë – gjithsesi paditurinë për të lexuar Kushtetutën e vendimet e saja si mburrje. Dritë, megjithatë do të ketë.Sepse ky vend ka mjaft patriotë që e ruajnë atë; dhe atë në mënyrën e vet. Dhe sado i vështirë e i mundimshëm të duket ky mision, është jetike të mos bëhemi si ta. Ne, duhet të luftojmë për të vërtetën – duke qenë vetja! Sepse popullistët nuk fitojnë kur janë shumë, por kur ne të tjerët bëhemi si ata. Atëherë vdes rezistenca demokratike, përmbyset rendi kushtetues, dhe Republika e Kosovës kthehet në një projekt të dështuar – që duket se ka qenë gjithmonë misioni i tyre”, ka shkruar ndër të tjera Abdixhiku.
Edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka thënë se Albin Kurti e ka detyruar Avni Deharin të shkelë Kushtetutën.
Bajrami përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se pas vendimit të Kushtetueses se një kandidat nuk mund të votohet më shumë se 3 herë, Kurti më nuk mund ta bllokojë Kosovën për emrin e Albulena Haxhiut.
“Prej ditës së parë e kemi thënë këtë që e vërtetoi Gjykata Kushtetuese sot: Albin Kurti e ka detyru Avni Deharin me shkelë Kushtetutën. I njëjti kandidat nuk mund të votohet më shumë se 3 herë – Albin Kurti më nuk mund ta bllokojë Kosovën për emrin e Albulena Haxhiut sepse shteti i është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër”, ka shkruar Bajrami.
Ajo po ashtu tha se deputetët duhet të marrin pjesë në votim.
“Votimi duhet të jetë i hapur – Kushtetuesja mbështetë transparencën, sepse ne jemi përfaqësuese të qytetarëve dhe ata kanë të drejtë të shohin se kush për kë voton. S’ka demokraci aty ku s’ka respektim të Kushtetutës dhe të Ligjit”, ka shkruar Bajrami në Facebook. /Telegrafi/
The post Abdixhiku mirëpret vendimin e Kushtetueses: LVV kishte uzurpuar foltoren, Kosova humbi kohë appeared first on Telegrafi.