Nga Gary O’Donoghue, BBC
Donald Trump e ka zakon të telefonojë gazetarët pa paralajmërim. Presidenti amerikan duket se preferon një bisedë të improvizuar në telefon sesa një intervistë të ulur përpara kamerave.
Të hënën në mbrëmje, më erdhi radha mua. Dhe për t’ju thënë të drejtën, isha në gjumë kur më telefonoi Shtëpia e Bardhë.
Kisha kaluar pjesën më të madhe të pesë ditëve duke besuar se ekzistonte një mundësi e vogël që të realizoja një intervistë me të, për të shënuar një vit nga atentati ndaj tij në Butler, Pennsylvania.
Raportimi im për atë ngjarje kishte bërë bujë në mbarë botën dhe ndoshta kishte tërhequr vëmendjen e presidentit. Kështu që gjykova se ndoshta ajo lidhje mund të ishte çelësi për të siguruar një intervistë presidenciale, gjëra mjaft të rralla për mediat e huaja të lajmeve në SHBA.
Të dielën në mbrëmje më thanë se isha vetëm minuta larg nga telefonata, kështu që unë dhe ekipi im ishim gati për të regjistruar, por ajo nuk erdhi. Të hënën në mbrëmje, kisha hequr dorë nga ideja se intervista do të ndodhte. Pas disa javësh rraskapitëse në terren pa pushim, po flija. Dhe pikërisht atëherë ra telefoni.
Iu përgjigja gjysmë në gjumë, dhe dëgjova zërin e Sekretares për Shtyp, Karoline Leavitt:
“Përshëndetje Gary, jam këtu me presidentin, po ta kaloj.”
U hodha në dhomën e ndenjjes, duke kërkuar me ngut regjistruesin digjital; linja ra dhe mendova se e humba. Por ata u kthyen dhe kaluam pothuajse 20 minuta duke folur për gjithçka – nga ajo natë e kobshme në Butler, tek frustrimet e tij me Vladimir Putin, ndryshimi i qëndrimit ndaj NATO-s dhe mendimet për Mbretërinë e Bashkuar.
Ja pesë pikat kryesore nga ajo bisedë e papritur:
1. Trump shfaq një anë ndryshe
Ishte reflektues në disa raste dhe tregoi ndjeshmëri kur foli për tentativën për vrasje – është e dukshme që nuk ndihet rehat duke diskutuar për atë ngjarje.
Për një president që shpesh njihet për mënyrën spontane të të folurit dhe që adhurohet për këtë nga mbështetësit e tij, pati disa pauza të gjata dhe reflektime që rrallë i sheh prej tij.
Kur e pyeta nëse ajo ngjarje e kishte ndryshuar, u shpreh me një ndjeshmëri të rrallë:
“Nuk më pëlqen të qëndroj i zhytur në mendime për atë ngjarje, sepse nëse e bëj, do të ishte, e di, mund të ndryshojë jetën… dhe unë nuk dua që të jetë kështu.”
Pastaj shtoi se beson te “fuqia e të menduarit pozitiv, apo fuqia e mosmendimit pozitiv”.
Kur e pyeta nëse i beson presidentit rus Vladimir Putin, pasoi një pauzë shumë e gjatë. Më në fund tha:
“Nuk i besoj pothuajse askujt, të them të drejtën.”
2. Pa angazhim për shifra konkrete të deportimeve
Kalova në politikën e brendshme amerikane dhe e pyeta nëse plani i tij për deportime masive po funksionon – si në shpejtësi, ashtu edhe për faktin që ndonjëherë përfshihen edhe persona që ai ndoshta nuk do të donte të deportoheshin.
Presidenti këmbënguli se ekipi i tij po bën një “punë të shkëlqyer” në realizimin e premtimeve elektorale, duke përmendur një ulje drastike të numrit të emigrantëve që kalojnë nga Meksika.
Disa anëtarë të stafit të tij janë shprehur të zhgënjyer nga ritmi i ngadaltë i deportimeve. Kur e shtyva të tregonte një shifër që do ta konsideronte sukses gjatë këtij mandati të dytë, Trump nuk pranoi të jepte numra.
“Nuk i vendos një shifër, por dua që kriminelët të dalin jashtë shpejt, dhe po e bëjmë këtë, siç e di,”- tha ai. “Po i çojmë në El Salvador, e shumë vende të tjera.”
3. Më shumë frustrim ndaj Putinit
Trump shprehu hapur zhgënjimin e tij ndaj presidentit rus Vladimir Putin, duke e përmbyllur një ditë ku kishte kërcënuar me sanksione të dyta ekonomike ndaj Moskës nëse nuk arrihej një marrëveshje për Ukrainën brenda 50 ditëve.
Pasi kishte premtuar gjatë fushatës se do t’i jepte fund shpejt luftës, Trump dukej i habitur që ende nuk kishte arritur një marrëveshje me Putinin.
“Mendova se kishim bërë marrëveshje katër herë dhe pastaj kthehesh në shtëpi, dhe sheh që sapo kanë sulmuar një azil pleqsh apo diçka në Kiev. Thashë: ‘Çfarë dreqin ishte kjo?’”
Presidenti ukrainas Zelensky dhe liderë të tjerë europianë e kanë akuzuar prej kohësh Putinin se nuk është serioz për përfundimin e luftës – kështu që këto ndjenja dyshimi nuk janë të reja për ta.
Kur e pyeta Trump-in nëse e kishte mbyllur kapitullin me liderin rus, ai la ende një derë hapur:
“Nuk kam përfunduar me të, por jam i zhgënjyer nga ai.”
4. Ton i ri ndaj NATO-s
Kur ia përmenda që dikur e kishte quajtur NATO-n “të vjetëruar”, ai më tha se tani mendon të kundërtën – se aleanca është në një fazë të re dhe po forcohet.
Së fundmi kishte pritur në Shtëpinë e Bardhë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte – me të cilin duket se ka një marrëdhënie të mirë. Ata njoftuan për një marrëveshje për shitjen e armëve amerikane për NATO-n, që më pas do t’i dërgohen Ukrainës.
Trump dha shenja se po hiqte dorë nga pakënaqësia e tij e hershme për barrën financiare që SHBA mbante ndaj aleatëve të tjerë.
“Ishte shumë e padrejtë sepse Shtetet e Bashkuara paguanin pothuajse 100% të kostove, por tani ata po paguajnë vetë faturat dhe mendoj se kjo është shumë më mirë,” tha ai – duke iu referuar zotimit të fundit nga vendet anëtare për të rritur shpenzimet në mbrojtje në 5% të PBB-së.
“E kemi ndryshuar NATO-n shumë,” përfundoi ai.
5. Respekt për Starmer-in dhe Mbretërinë e Bashkuar
Trump theksoi respektin e tij për Mbretërinë e Bashkuar dhe për kryeministrin e saj të ri, Sir Keir Starmer – me të cilin kohët e fundit kishte nënshkruar një marrëveshje për heqjen e disa barrierave tregtare.
“Më pëlqen shumë kryeministri, edhe pse është liberal,” tha ai.
Ai vlerësoi marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Britanisë si po aq “të veçanta” saç i mendojnë shumë britanikë, dhe shtoi se beson që Britania do të qëndrojë krah SHBA-së nëse shpërthen një luftë.
Nuk u duk i shqetësuar për mungesën e një ftese zyrtare për të mbajtur fjalim në Parlament gjatë vizitës së tij shtetërore më vonë këtë vit:
“Le t’i lëmë të shijojnë pushimet,” tha ai me të qeshur.
Për mikpritësin e tij të ardhshëm, Mbretin Charles, u shpreh me fjalë të mira:
“Është një zotëri i madh.”
Dhe e mori me sportivitet një fjalim të fundit që Mbreti kishte mbajtur në Parlamentin kanadez, që disa e interpretuan si një kritikë të nënkuptuar ndaj Trump-it. Ai e hodhi poshtë me një buzëqeshje.