Berisha: Integrimi me meritë, jo për gjeopolitikë, është në interesin jetësor të qytetarëve
TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se Shqipëria është boshatisur nga shqiptarët, të cilët, sipas tij, janë detyruar të largohen nga vendi.
Berisha iu adresua sot me një fjalë konferencës “The Western Balkan Paradigm” që zhvillohet në Tiranë nga Fondacioni i Partive Popullore Europiane – Martens Centre dhe Fondacioni për Liri dhe Demokraci (FLD) i PD-së.
Sipas tij, “Shqipëria është kthyer në një vend që prodhon refugjatë dhe emigrantë”.
Duke folur për procesin e integrimit europian, Berisha tha se “nëse i jepet përparësi stabilokracisë në krahasim me standardet, kjo i hap rrugën autokracisë”.
“Shqipëria është një kazus tipik. I ka dhënë prioritet stabilokracisë krahasuar me standardet dhe kjo u transformua në një shtet autokratik. Por edhe për BE-në në vetvete nuk është vetëm një problem i rëndë moral me vendet kandidate, por gjithashtu do të thotë të vendosësh një virus në themelet e veta pa ditur se cilat do jenë pasojat për të ardhmen”, shtoi ai.
Për Berishën “një proces i bazuar në meritë është në interesin jetësor të qytetarëve të vendeve kandidate”.
Kjo sipas tij, “është mënyra më e mirë për të ndihmuar këto vende që të shkëputin lidhjet me të kaluarën”.
Berisha theksoi se “Shqipëria nisi negociatat e aderimit në një kohë kur nuk plotësonte asnjë kriter përveçse gjeopolitikës”.
“Kur ne nisëm negociatat, ekonomia shqiptare u zëvendësua nga narko-ekonomia. Shqiptarët po ikin nga territori. Nga viti 2014 deri në vitin 2024, përsëri sipas Eurostat, 1 milion e 99 mijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria vetëm në zonën Shengen, pa llogaritur këtu ata të cilët janë larguar për në SHBA, Britani, Zvicër, Kanada, Australi apo Lindjen e Mesme. Vendi është bërë një prodhues emigrantësh dhe refugjatësh”, shtoi ai.
Edhe pse pranoi se ka një lodhje nga zgjerimi i BE-së, Berisha theksoi se “nuk është ky shkaku i vonesave të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
“Është e vështirë që ka qenë një çast kur lindi ideja për t’i ofruar një partneritet Ballkanit Perëndimor, por zgjati shumë pak, dhe Procesi i Berlinit synonte që t’i afronte sa më pranë BE-së. Problemi është se autokratët e rajonit, filluan me projekte të reja. Shpeshherë ne mendonim se as Rama dhe as Vuçiç nuk ishin të interesuar për integrimin. Ata shanin dhe hidhnin fajin lodhjes dhe shpikën ‘Ballkanin e Hapur’. Kërcënuan opsione të tjera, dhe nuk respektuan parimin thelbësor të integrimit në BE, që nuk është lodhja e BE-së e cila kishte ngadalësuar procesin e integrimit të Ballkanit”, shtoi ai.
/m.m/j.p/
The post Berisha: Integrimi me meritë, jo për gjeopolitikë, është në interesin jetësor të qytetarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.