GJERMANI – Merz dhe Macron theksojnë partneritetin franko-gjerman në takimin mes tyre
BERLIN, 23 korrik /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron theksuan rëndësinë e partneritetit franko-gjerman në kohë sfidash politike globale.
“Ne mbështetemi në themelet e një miqësie të ngushtë franko-gjermane që është zhvilluar gjatë dekadave. Dhe të dy ndiejmë një detyrim të madh për të vazhduar punën në këtë drejtim në vitet që vijnë,” tha Merz në fillim të vizitës së punës së Macron në Berlin sot në mbrëmje.
Merz theksoi se marrëdhëniet franko-gjermane kanë rëndësi të veçantë edhe për të personalisht, duke përshëndetur mysafirin e tij në gjuhën frënge.
Ai shtoi se më shumë se gjysma e kabinetit të tij tashmë ka bërë vizita inauguruese në Francë që nga marrja e detyrës nga qeveria në fillim të majit.
Merz tha se ata do të diskutonin për politikën aktuale tregtare, përfshirë edhe mosmarrëveshjet mbi tarifat me Shtetet e Bashkuara, të Amerikës si dhe çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë.
Duke folur për çështjen e tarifave, Macron theksoi se ata kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm gjatë ditëve të fundit për të koordinuar një përgjigje ndaj ofensivës së tarifave të presidentit amerikan Donald Trump.
“Italia dhe Komisioni Evropian janë përfshirë në këtë çëshjtje. Ata ndajnë dëshirën për të ofruar stabilitet dhe për të pasur tarifa sa më të ulëta”, tha Macron, duke shtuar se në të njëjtën kohë duan të respektohen si partnerë.
Macron vuri në dukje gjithashtu miqësinë personale mes tij dhe Merzit, si dhe mes dy vendeve.
“Marrëdhëniet franko-gjermane dhe vullneti i përbashkët për të avancuar agjendat dypalëshe dhe evropiane janë thelbësore” ,tha presidenti francez. “Vielen Dank, Friedrich,” përfundoi ai deklaratën e tij, që në gjermanisht do të thotë “Faleminderit shumë, Friedrich”.
Kjo ishte vizita e parë e presidentit Macron në Gjermani që kur qeveria e Merzit mori detyrën më 6 maj. /Ad.Ab./
The post GJERMANI – Merz dhe Macron theksojnë partneritetin franko-gjerman në takimin mes tyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.