Rasti tragjik në Lipjan, flasin familjarët e viktimës
Një ngjarje tragjike ka ndodhur të hënën në fshatin Baicë të Lipjanit ku u gjet një trup i pajetë i një personi i cili ishte lajmëruar i zhdukur nga familja një ditë më parë. Policia konfirmoi të martën se viktima – rreth moshës gjashtëdhjetë vjeçare – ishte gjetur i groposur. Lidhur me këtë rast, deri më tash, Policia e Kosovës ka intervistuar katër dëshmitarë dhe rasti është duke u hetuar si “Vrasje e rëndë”.
Nga Prokuroria Themelore thanë për KosovaPress, se “në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë hetime në mënyrë intensive, me qëllim të zbardhjes së plotë rrethanave”.
Policia në raportin e saj ditor, tha se nuk dihet identiteti i viktimës veçse bëri të ditur se bëhet fjalë për një person të moshës 50-50 vjeçare.
“Në një arë është gjetur i varrosur një trup i pajetë, mashkull rreth moshës 50-60 vjeçare, trupi i cili sipas IML-së është i freskët. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe prokurori kujdestar bashku me njësinë e zhvarrimit e kanë nxjerr trupit e pajetë, momentalisht nuk dihet identiteti i tij”, njoftoi Policia e Kosovës në raportin 24-orësh.
Familja e të ndjerit ka hapur dyert për ngushëllime, ndërkaq, njëri nga të afërmit, Besnik Bajraktari, u tha gazetarëve se i ndjeri një ditë më parë kishte dalë për të kullosur lopën dhe nuk ishte kthyer më.
“Rreth orës 16:00, familjarët e kanë lëshuar lopën për të kullotur, ndërkaq rreth orës 17:30 – 18:00, lopa është kthyer te shtëpia, por pa çobanin. Kanë tentuar të kontaktojnë me të, por nuk kanë mundur të kenë kontakt. Kanë pyetur edhe te miqtë e afërt, por nuk është gjetur askund. Kur kanë parë që nuk është askund, ka filluar i gjithë fshati të kërkojë”, tha ai.
Ai tutje tregon se si kanë ndjekur gjurmët e tij.
“Lokacioni është vëzhguar përmes shtëpisë së vëllait të tij dhe është zbuluar se lëvizja e fundit e tij ka qenë te ajo shtëpia e vogël. Në bazë të kësaj, kanë filluar kërkimet në terren. Djemtë që kanë ardhur, e kanë kërkuar përmes shkopit që përdorej për të ruajtur lopën. Aty kanë parë që kishte zvarritje në kallamoq. Më pas, përmes atyre gjurmëve, kanë shkuar më tutje. Kur kanë parë dheun e sapo vendosur dhe misrin e mbjellë sipër tij, është kuptuar se bëhej fjalë për një varr të mundshëm. Kur është hapur varri, është gjetur dërrasa dhe është parë se brenda ishte kufoma e një njeriu. Nuk dihet ende saktësisht, pasi duhet të merret forenzika… Nuk dihet, pasi nuk supozohet që ka pasur ndonjë gjë”, tha ai.
The post Rasti tragjik në Lipjan, flasin familjarët e viktimës appeared first on Telegrafi.