Dita e Shën Marisë, një nga festat më të rëndësishme të besimtarëve të krishterë
TIRANË, 15 gusht/ATSH/ 15 gushti është Dita e Shën Marisë, një nga festat më të kremtuara për besimtarët e krishterë.
I njohur si “Fjetja e Hyjlindëses”, 15 gushti është dita kur shenjtorja ju bashkua birit të saj, në botën e përjetshme.
Festa e Fjetjes së Hyjlindëses kremtohet në 15 gusht, e paraprirë nga dy javë agjërimi (kreshme). Kjo festë, e cila quhet edhe “Marrja”, është për të përkujtuar vdekjen, ngjalljen dhe lavdërimin e Nënës së Krishtit. Ajo shpall që Maria “u mor” nga Perëndia, në mbretërinë qiellore të Krishtit, në të përmbushurit e ekzistencës së saj trupore dhe shpirtërore.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka ndarë kalendarin e festimeve në të gjitha kishat dhe manastiret e Fjetjes së Hyjlindëses Mari.
“Fjetja e Hyjlindëses” është paraqitur në afresket e kishave të ndryshme orthodhokse, anembanë vendit, ashtu sikurse edhe “Lindja e Virgjëreshës” apo “Hyrja e saj në Tempull”.
15 gushti kremtohet edhe nga besimtarët katolikë në të gjithë botën. Besimtarët katolikë në të gjithë botën kremtojnë të Ngjiturit e Zojës në Qiell, apo Zojën e Madhe, siç njihet ndër shqiptarë. Simbolikisht i vendosur në qendrën e periudhës së verës, ky solemnitet mund të konsiderohet si kohë për çlodhje e ripërtëritje.
Zojës së Madhe i janë kushtuar shumë kisha si ajo e Barbullushit në kryedioqezën metropolite të Shkodër-Pultit, ajo e Mamurrasit, në kryedioqezën metropolite të Tiranë-Durrësit, ajo e Kaçë-Naraçit në dioqezën e Sapës, ajo e Grudës dhe ajo në fshatin Kollomzë afër Ulqinit, në kryedioqezën e Tivarit, ajo e Letnicës në Karadak dhe ajo e Zymit të Hasit, në administraturën apostolike të Prizrenit në Kosovë.
Në trevat shqiptare Kishat kushtuar Virgjërës Mari janë dëshmi identiteti shpirtëror e kombëtar, thesar feje e arti.
/m.m//a.f/
The post Dita e Shën Marisë, një nga festat më të rëndësishme të besimtarëve të krishterë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.