Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 17 August 2025Main stream

Drilon-Tushemisht, infrastruktura e re zgjeron potencialin turistik

TIRANË, 17 gusht/ATSH/ Kush e viziton Pogradecin, nuk mund të largohet pa kaluar disa momente pranë freskisë që ofron parku natyror i Drilonit apo pa shëtitur në rrugicat me shtëpitë karakteristike dhe oborret e mbushura me lule në Tushemisht.

Të dyja këto pika turistike edhe në këto ditë të nxehta vere gjallërojnë nga turistët vendas e të huaj, që kanë zgjedhur Pogradecin për të kaluar pushimet ose fundjavat.

Driloni apo Voloreka siç e quajnë pogradecarët, ndodhet vetëm 6 km larg Pogradecit dhe është një ndër atraksionet më të bukura në vendin tonë.

Pas investimeve të realizuara në Drilon, ku janë ndërtuar rreth 4 000 m rrugica për këmbësorët është zgjeruar sipërfaqja e parkut duke nxjerrë më në pah potencialin turistik të kësaj zone.

Sapo hyn në Drilon është ngritur Qendra e Vizitorëve, ku po vijon puna me mobilimin e brendshëm për ta vënë në funksion të turistëve të shumtë.

Ndërsa brenda parkut vizitorët nuk largohen pa shëtitur me varkat e ndodhura buzë liqenit, si dhe për të konsumuar ushqimet tradicionale të zonës.

Drejtori i Qendrës Parku Ujor Drilon-Tushemisht, Erjon Vesho tha për ATSH-në se “Qendra e Vizitorëve do të shërbejë si pikë koordinimi për turizmin e zonës, informacion dhe do ketë salla ekspozimi të florës, faunës, vlerave, traditës dhe arkeologjisë për gjithë rajonin dhe jo vetëm për Drilon Tushemisht. Ekspozimi do jetë me pajisje teknologjike (ekrane, audio etj) si dhe me ekspozime reale të florës dhe faunës”.

“Zona për vetë statusin e veçantë natyror që ka, do jetë e aksesueshme kryesisht me mjete eco-friendly (biçikleta dhe mjete elektrike) duke mbajtur automjetet në parkime të veçanta në periferi të parkut”, tha Vesho.

Sa i përket vizitorëve, Vesho bën të ditur se “në Drilon janë rreth 1 200- 1400 vizitorë në ditë, ku fluksi më i lartë shënohet gjatë sezonit veror dhe në fundjavë”.

Por edhe Tushemishti, tërheq me bukurinë e tij mijëra turistë gjatë gjithë vitit.

“Edhe në Tushemisht ka rreth 1200 -1400 vizitorë në ditë duke konsideruar se aty ka edhe turistë, të cilët nuk janë ditorë, por kalojnë më shumë netëqëndrimi në njësitë akomoduese të cilat kanë afërsisht rreth 25.000 turistë në vit nga të cilët rreth 2.500 të huaj dhe pjesa tjetër vendas”, tha Vesho.

Parku Ujor Drilon-Tushemisht bën pjesë në rajonin e gjerë të liqeneve të Ohrit dhe Prespës, të cilët janë njohur nga UNESCO si Rezervë Ndërkufitare Biosferë në vitin 2014. Për më tepër, pjesa shqiptare e liqenit të Ohrit ka përfituar statusin e Trashëgimisë Botërore nga UNESCO në vitin 2019.

Prej vitit 2018 në Drilon dhe Tushemisht filloi puna me iniciativën e Fondacionit Shqiptaro- Amerikan për Zhvillim (AADF) ku u përfshinë Qeveria Shqiptare dhe bashkia Pogradec për rehabilitimin e gjithë zonës, e cila nuk kishte pasur investime prej kohësh.

“Ideja e qartë e projektit është që përveç investimeve të krijojë një model të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit i cili do të mund të zbatohet në mënyrë të efektshme edhe në zona të tjera të ngjashme anembanë Shqipërisë. Pra duke qenë se zona e Drilonit dhe Tushemisht është një e vetme për shkak të burimeve ujore dhe ka një status të mbrojtur duhet të ketë një menaxhim të përbashkët për ta kthyer në një zonë me turizëm të qëndrueshëm dhe mjedisor”, nënvizoi Vesho.

Vlerat e investuara janë të konsiderueshme, rreth 8.000.000 USD financuar nga AADF dhe po aq nga Qeveria Shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar për Zhvillim.

Punimet kryesore konsistuan në rehabilitimin e gjithë parkut të Drilonit, shtimin e sipërfaqes së vizitueshme të parkut deri në burimet, ngritjen e Qendrës së Vizitorëve, ndërtimin e shëtitores nga Driloni në Tushemisht, rehabilitimin e fasadave të shtëpive në Tushemisht, infrastrukturë (ndriçim, kanalizime etj) në Drilon dhe Tushemisht, mole ne liqen dhe ura në Drilon.

“Ndërkohë janë kryer dhe shumë punime mbështetëse për ta bërë zonën funksionale si zhvendosja totale e rrugës për në doganën e Tushemishtit, rrugë e re për parkimet etj”, shtoi Vesho.

Shtëpitë, rrugët e mjediset e Tushemishtit janë të përjetësuara nëpër skenat e dy filmave të njohur shqiptarë, që janë xhiruar atje: “Zonja nga qyteti” dhe “Një shoqe nga fshati”.

Për të përjetësuar këtë fakt dhe për ta nderuar aktoren e madhe, Violeta Manushi – Teta Ollgën, kryepersonazhin e këtyre filmave, në sheshin e fshatit, pranë një burimi, ruhet shtëpia dhe është ngritur shtatorja e aktores së njohur.

Ky shesh, me shtatoren e veçantë të aktores tashmë është një pikë referimi për turistët e shumtë.

Bregu i liqenit, burimet e ujit, klima e shëndetshme, kanë krijuar kushte shumë të mira për zhvillimin e turizmit në Tushemisht.

/k.s/j.p/

The post Drilon-Tushemisht, infrastruktura e re zgjeron potencialin turistik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Sezoni turistik, Rama ndan pamje nga plazhi i Shëngjinit i mbushur me pushues

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ Bregdeti i Shëngjinit çdo vit frekuentohet nga mijëra pushues vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga plazhi i Shëngjinit, në këtë mesgushti të mbushur me pushues.

Plazhet e Shëngjinit janë të njohura për rërën dhe ujin e ngrohtë. Një nga plazhet që tërheq vëmendjen e pushuesve është ai i “Ranës së hedhun”, por edhe plazhet e Kunes dhe Tales.

Ndërthurja e turizmit bregdetar me atë historik e natyror dhe kulinaria e pasur e bëjnë Lezhën një destinacion për turizëm gjithëvjetor.

Rreth 38 kilometra vijë bregdetare, male, lumenj e laguna, histori, arkeologji dhe një trashëgimi e pasur kulturore, Lezha mund t’i ofrojë të gjitha në një paketë të plotë turistike.

Shëngjini dhe Lezha vitet e fundit janë shndërruar në destinacione turistike shumë të kërkuara ku gjen plazhin, natyrën, historinë, kulturën, gastronominë, traditën dhe shpirtin mikpritës të banorëve.

/k.s/r.e/

The post Sezoni turistik, Rama ndan pamje nga plazhi i Shëngjinit i mbushur me pushues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lezha festoi “Ditën e Shtegtarit”, këngë dhe valle në sheshin e qytetit

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ Në Lezhë u përmbyll mbrëmjen e djeshme rrugëtimi i Fest N’Shpi, që për 15 net me radhë mbushi qytetin me muzikë dhe energji pozitive.

Ky aktivitet u përmbyll me “Ditën e Shtegtarit”, një festë kushtuar emigrantëve që jetojnë në vende të ndryshme të botës, e kthyer tashmë në traditë të përvitshme.

Sheshi “Gjergj Kastrioti” u mbush me qytetarë të shumtë mbrëmjen e djeshme, ku pjesa më e madhe ishin emigrantë të ardhur për të kaluar pushimet verore pranë familjarëve të tyre.

Atmosfera festive u shoqërua me muzikë dhe aktivitete kulturore, ndërsa të pranishmit e konsideruan këtë festë si një nga mënyrat më të bukura për t’u bashkuar dhe për të ruajtur lidhjet me vendlindjen.

Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, u shpreh se “’Dita e Shtegtarit’ është një ndër festat më të rëndësishme për qytetin, e cila vjen pas 15 netëve me aktivitete artistike e kulturore në sheshin qendror”.

“Kjo është një ndër ditët më të rëndësishme të këtij qyteti, pasi kulmon dita e qytetarëve me atë të emigrantëve që kthehen me pushime. Kemi 15 ditë që e kemi mbushur këtë shesh me aktivitete të ndryshme. Pjesëmarrësit shtohen çdo vit”, theksoi Ndreu.

Festa zgjati deri në mesnatë, ndërsa për dy ditë me radhë emigrantë të shumtë u pritën edhe nga kryebashkiaku Ndreu, duke e kthyer këtë ngjarje në një urë të fortë komunikimi mes diasporës dhe vendlindjes.

Kryebashkiaku Ndreu falënderoi të gjithë pjesëmarrësit që iu bashkuan këtyre netëve duke e kthyer sheshin qendror të qytetit në një skenë të mbushur me emocione.

/k.s/r.e/

The post Lezha festoi “Ditën e Shtegtarit”, këngë dhe valle në sheshin e qytetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike, Rama ndan pamjet: Pa ndalim deri në çlirimin e çdo trotuari

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ Në të gjithë vendin vazhdon puna për lirimin e hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në kryeqytet, që kishin zaptuar pa leje hapësirën publike.

“Pa ndalim deri në çlirimin e çdo trotuari”, shkruan Rama, teksa ndan një video ku tregohet lirimi i hapësirave në Rrugën e Kosovarëve, në Tiranë.

Lirimi i hapësirave publike shihet si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.

Në këtë kuadër, Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Aksioni ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.

/k.s/r.e/

The post Lirimi i hapësirave publike, Rama ndan pamjet: Pa ndalim deri në çlirimin e çdo trotuari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skema Kombëtare e Investimeve 2025, Kristo: Mbështetje modernizimit të fermave dhe rritjes së prodhimit

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Roland Kristo dhe drejtoresha e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Ardita Kuçi zhvilluan një takim sot me fermerë të qarkut Vlorë, ku prezantuan mundësitë që sjell për ta Skema Kombëtare e Investimeve 2025.

Kjo skemë, përmes granteve dhe instrumenteve financiare, mbështet modernizimin e fermave dhe rritjen e prodhimit.

Gjatë takimit fermerët u informuan mbi procedurat e aplikimit dhe masat mbështetëse, ku përmes kombinimit të 50% grant nga skema me Kredinë e Butë me interes vetëm 2% dhe garanci sovrane për 70% të kolateralit, fermerët kanë mundësinë të sigurojnë financim të plotë për realizimin e investimeve të tyre.

Aplikimet për këtë mbështetje duhet të dorëzohen pranë zyrave qendrore të AZHBR deri më 30 shtator. Skema përfshin gjithsej nëntë masa mbështetëse për investime në sektorin bujqësor.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur disa ditë më parë se në kuadër të Skemës Kombëtare të Investimeve 2025, ofrohet një grant prej 50% të vlerës totale të faturave tatimore për çdo subjekt, me një kufi maksimal prej 7,5 milionë lekësh.

/k.s/r.e/

The post Skema Kombëtare e Investimeve 2025, Kristo: Mbështetje modernizimit të fermave dhe rritjes së prodhimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata nga zjarret në vend, MM: 13 vatra zjarri, 10 aktive dhe 3 në monitorim

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Situata nga zjarret në vend paraqitet e stabilizuar në shumë prej zonave që ishin më parë problematike, pas një angazhimi të gjerë të forcave të emergjencës.

Ministria e Mbrojtjes informoi sot se aktualisht kemi 13 vatra zjarri, nga të cilat 10 janë aktive dhe 3 në monitorim.

Në fshatin Tërnovë, njësia administrative Zerqan, zjarri vazhdon të zhvillohet në kurorë me pyje të dendura nga qafa e malit në drejtim të qytetit të Vjetër Bulqizë. Në operacion sot janë angazhuar 8 efektivë të MZSH Bulqizë, 7 forca bashkiake, 8 forca të pyjores dhe 30 forca ushtarake të FA. Zjarri zhvillohet në pyje të larta dhe bimësi të dendur duke marrë drejtim nga fshati Valikardhë.

Prezenca e tymit është e lartë dhe intensiteti i flakëve mbetet i fortë. Banesat nuk rrezikohen, ndërsa në vendngjarje ka operuar edhe një helikopter i Forcës Ajrore.

Vatra e zjarrit në Bulqizë ka rënë më 14 gusht në Malin me Gropa, në afërsi të fshatit Val, vijon të jetë aktive. Sot janë angazhuar për monitorim 5 forca bashkiake dhe 8 forca vullnetare. Digjen shkurre dhe barishte të thata në një zonë të vështirë dhe të rrezikshme për ndërhyrje tokësore.

Në bashkinë Fushë-Arrëz në fshatin Xeth, njësia administrative Blerim, vijon puna për shuarjen e zjarrit. Në operacion janë angazhuar: 12 zjarrfikës me 2 mjete zjarrfikëse, 6 efektivë policie me 2 automjete, 40 forca bashkiake, 13 forca të shërbimit pyjor dhe 80 forca ushtarake. Zjarri është i aktivizuar në 3 vatra të ndara, ndërsa në zonën e Kunorë Dardhës drejt lumit Truen flakët kanë hyrë në një sipërfaqe me pisha të dendura. Ka operuar edhe një helikopter i Forcës Ajrore.

Në bashkinë Mirditë në fshatin Velë, njësia administrative Rubik, vijon zjarri në një masiv me pisha. Janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse me 7 efektivë të MZSH, 17 forca bashkiake, 10 vullnetarë, 7 forca pyjore dhe 4 forca policore. Terreni është i thepisur dhe ndërhyrja nga toka mbetet shumë e vështirë.

Në bashkinë Tiranë, në Malin e Bërzhitës, fshati Ibë, zjarri i rënë më 10.08.2025 ka kaluar në fshatin Durisht. Në terren janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë të MZSH Tiranë, 5 forca të APR dhe forca policore. Vatra është vendosur nën kontroll, por terreni mbetet sfidues.

Në bashkinë Tiranë në fshatin Damjan-Fortuzaj dhe Isufaj, njësia administrative Vaqarr, zjarri është vendosur nën kontroll. Janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse me 16 efektivë të MZSH, 5 forca të APR dhe forca policore.

Në bashkinë Tiranë në fshatin Ferraj dhe Zall-Herr, zjarri vijon me intensitet të ulët dhe ka kaluar në fshatin Priskë e Vogël. Situata është në kontroll dhe nuk ka rrezik për banesat. Monitorohet nga MZSH Tiranë dhe forcat bashkiake.

Në bashkinë Tiranë, në zonën Zgure, njësia administrative Zall-Bastar, zjarri vijon me intensitet të ulët dhe nuk rrezikon banesat. Monitorohet nga MZSH Tiranë dhe forcat bashkiake.

Në bashkinë Tiranë në fshatin Pezë-Helmës, zjarri i rënë më 13.08.2025 ka marrë përmasa të mëdha dhe rrezikon pyllin me pisha të dendura të Pezës. Në terren ndodhen 42 forca të MZSH Tiranë, të mbështetura nga forca bashkiake, vullnetarë dhe Policia e Shtetit. Ka operuar edhe një helikopter i EBA.

Në bashkinë Kolonjë, në Parkun Natyror Gërmenj, njësia administrative Leskovik, zjarri është neutralizuar, por për shkak të erës dhe temperaturës ka pasur riaktivizime të vogla të cilat janë eliminuar. Sot janë angazhuar 3 mjete zjarrfikëse me 13 efektivë të MZSH Kolonjë, 20 forca bashkiake, 6 forca policore dhe 4 vullnetarë.

Ndërsa në bashkinë Gramsh, në fshatrat Kullollas, Kodovjat dhe Ermenj, njësia administrative Skënderbegas, janë riaktivizuar vatra zjarri. Në Kullollas, në vendin e quajtur Mulliri, po ndërhyjnë punonjës bashkiakë dhe vullnetarë, ndërsa në fshatin Bletëz po operon 1 mjet zjarrfikës i MZSH Gramsh me 3 efektivë.

Në bashkinë Gramsh, në njësinë administrative Kukur, në Teqen e Dushkut, herë pas here aktivizohen vatra të vogla. Sot kanë operuar deri në orën 12:00 një mjet zjarrfikës me 5 efektivë të MZSH Gramsh, 2 forca pyjore dhe 10 banorë. Vështirësitë janë për shkak të trashësisë së humusit.

Në bashkinë Elbasan, në njësinë administrative Zavalinë, në Malin e Shirokës, vijon aktive vatra e zjarrit. Në terren janë angazhuar 6 efektivë të MZSH Elbasan, 9 punonjës të ndërmarrjes pyjore dhe 6 forca bashkiake.

/k.s/r.e/

The post Situata nga zjarret në vend, MM: 13 vatra zjarri, 10 aktive dhe 3 në monitorim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drejtori i QSUNT-së: Njësia e Radioterapisë e Onkologjikut brenda vitit pajiset me akseleratorin e tretë

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Njësia e Radioterapisë në Shërbimin Onkologjik pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, do të pajiset brenda këtij viti me akseleratorin e tretë.

Ky investim do të ulë ndjeshëm kohën e pritjes, do të rrisë kapacitetin e trajtimit dhe do të mundësojë përdorimin e teknologjive më moderne të radioterapisë.

Drejtori i përgjithshëm i QSUNT, Florenc Spaho, i shoqëruar nga drejtoresha e Shërbimit Onkologjik Silvana Çeliku, vizitoi sot ambientet e Shërbimit Onkologjik ku u takua edhe me qytetarët duke u njohur më nga afër me problematikat e tyre.

Ai kërkoi nga stafi mjekësor që të kenë prioritet pacientët nga rrethet dhe të mos presin në radhë.

“Unë kam 6 vjet që kurohem në këtë spital. Gatishmëria e mjekëve ka qenë në mënyrë superiore që nga Drejtoresha. Jam shumë i kënaqur. 6 vjet unë kam rrojtur me këtë shërbim që më kanë bërë. Ilaçet janë të fundit që nuk e imagjinoja të merrja ilaçe që kushtojnë 3 milionë lekë në muaj”, u shpreh një pacient gjatë bashkëbisedimit me drejtorin e Përgjithshëm të QSUNT-së.

Një tjetër pacient në bashkëbisedim me Spahon u shpreh se “jam shumë i kënaqur, në të gjitha drejtimet”.

Drejtori i QSUNT-së tha se kur pacientët na falënderojnë na motivojnë të punojmë akoma edhe më fort pasi fokusi dhe prioriteti i punës së tyre është trajtimi me dinjitet i pacientëve. “Na intereson shërbimi për pacientët pastaj edhe për të mbështetur stafin dhe për të mos ndenjur peng i fjalëve nëpër banaqe të paqena”, deklaroi ai.

“Përmirësimi i shërbimit nuk qëndron vetëm tek pajisjet – ai vjen edhe nga zëri i pacientëve dhe familjarëve të tyre. Duke i dëgjuar nga afër, bëjmë të mundur që mbështetja të jetë e drejtuar dhe e plotë. Besimi dhe mirënjohja që ata tregojnë çdo ditë ndaj stafit mjekësor, është përgjegjësi për ne që zëri i tyre të dëgjohet gjithmonë”, ka theksuar Spaho.

Gjatë vizitës në Shërbimin Onkologjik, drejtori i QSUNT-së pa nga afër edhe ambientin ku do të instalohet akseleratori i tretë. “Është një nga akseleratorët që është fjala e fundit e teknologjisë”, theksoi ai.

Përgjegjësi i njësisë së Radioterapisë në Shërbimin Onkologjik pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, mjeku Orges Spahiu, tha se “me dy akeleratorët marrin shërbim 140 pacientë në ditë”.

Akseleratori i tretë do të rrisë kapacitetet dhe trajtimin e pacientëve që kanë gjithashtu teknika më të avancuara.

Drejtori i ri i QSUNT-së, Spaho që prej marrjes së detyrës ka theksuar se fokusi i shërbimit është pacienti dhe trajtimi dinjitoz i tij.

Vitet e fundit janë bërë investime në aparatura me teknologji moderne për kurimin dhe ndërhyrjet kirurgjikale në Spitalin Onkologjik.

Spitali Onkologjik disponon dy akseleratorë linearë, nëpërmjet të cilëve trajtohen me radioterapi pjesa më e madhe e tumoreve solide që kanë nevojë për këtë lloj trajtimi me teknika precize të avancuara, gjerësisht të përdorura në vendet e zhvilluara: 3DcRT, IMRT, IGRT dhe VMAT.

/k.s/r.e/

The post Drejtori i QSUNT-së: Njësia e Radioterapisë e Onkologjikut brenda vitit pajiset me akseleratorin e tretë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vendbanimi palafit më i vjetër në Evropë, shtohen turistët në fshatin piktoresk të Linit

TIRANË, 16 gusht/ATSH-Klotilda Saraçini/ Lini, fshati piktoresk buzë liqenit të Ohrit, rreth 22 km larg Pogradecit është ndër më të preferuarit sidomos nga turistët e huaj.

Pas zbulimeve të fundit më të jashtëzakonshme arkeologjike, ku Lini konsiderohet si vendbanimi palafit më i hershëm i zbuluar ndonjëherë në Europë, ai po tërheq edhe më shumë turistë të huaj.

Ekipi i ATSH-së vizitoi Linin ndërsa gushti me temperaturat e larta ndihet më pak se kudo pranë liqenit, duke tërhequr vizitorë të shumtë, të cilët interesohen edhe për zbulimet e fundit rreth vendbanimeve palafite në zonë.

Kryetari i bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli konfirmoi për ATSH-në se “zbulimi i palafiteve rreth 8000-vjeçare në Lin ka ndikuar në rritjen e numrit të turistëve, veçanërisht atyre të huaj”.

Peizazhi i gushtit me barin e përzhitur nga nxehtësia që krijon mirazhe në ajër bashkohet me nuancat e kaltra e të gjelbra të ujërave të liqenit poshtë fshatit.

Teksa hyn në fshatin turistik të Linit, ajo që çdo turist dëshiron të vizitojë është Bazilika e Linit.

“Gjatë këtij sezoni e kanë vizituar Bazilikën e Linit 4735 turistë, prej të cilëve 3298 janë të huaj dhe 1437 vendas. Vendndodhja në majë të kodrës e bën edhe më interesante pasi turistët që shohin këtë monument kulture përballen edhe me pamjen piktoreske që ofrohet nga aty”, tha Xhakolli.

Kryebashkiaku Xhakolli bëri të ditur se “në Lin ka një projekt që është në zbatim për kanalizimin e ujërave të ndotura dhe ndërtimin e muzeut për zbulimet e bëra kohët e fundit në lidhje me vendbanimet palafite rreth 8000-vjeçare”.

Gjithashtu, Xhakolli tha se “fshati i Linit hyn tek projekti i 100 fshatrave dhe është gati një projekt për ndërhyrjen në infrastrukturë në këtë fshat nga qeveria”.

Në Lin vitet e fundit janë ndërtuar një sërë bujtinash, që mirëpresin me qindra turistë nga mbarë bota.

Rozeta Bicja, e ka kthyer shtëpinë e saj në qendër të Linit prej 14 vitesh në një bujtinë që e ka quajtur “Shtëpia e Luleve”.

“Turistët që vijnë në Lin, janë nga të gjitha vendet e botës, por këtë vit më shumë kanë qenë nga Gjermania, Franca, Holanda, Zvicra, Austria, Anglia, SHBA-ja etj. Ata pëlqejnë më shumë bujtinën për faktin se kemi ruajtur shtëpinë tradicionale me gurë”, tha Bicja për ATSH-në.

Bicaj theksoi se “mes shumë detajesh në bujtinën tonë, spikasin kostumet etnografike, qilimat e punuar në vegël, që familja jonë i ka ruajtur brez pas brezi”.

Sipas saj, turistët pëlqejnë shumë edhe gastronominë e zonës.

“Ndër ushqimet më të pëlqyera nga turistët janë sigurisht lakrori dhe tava e Koranit, që përgatiten nga amvisat pogradecare”, tha Bicaj.

Lini, fshati i vogël buzë liqenit të Ohrit, që të shfaqet menjëherë sapo zbret Qafëthanën në Pogradec ka një bukuri të rrallë dhe peizazh mahnitës.

Gojëdhënat tregojnë që dikur gadishulli i Linit ka qenë një ishull i bukur me bimësi të dendur. Jeta në këtë gadishull ka filluar në periudhën e parë të Epokës së Hekurit (kohë së cilës i përkasin edhe mozaikët e famshëm të Linit, të cilët gjenden mbi kodër) dhe ka vazhduar deri në kohën e Mesjetës së Hershme. Ndërsa për origjinën e emrit ka shumë histori.

Njëra prej tyre thotë se, kur ushtarët e Jul Çezarit mbërritën në këtë kodër u mahnitën aq shumë, sa bërtitën “Lyhnidas”, që do të thotë “Liqeni i Dritës”.

Ndërsa vetë banorët shprehen se dikur fshati shtrihej deri në mesin e Liqenit dhe më pas u krijua fshati i ri. Të gjithë thoshin: “Lindi fshati” dhe që atëherë u quajt Lin, si shkurtim i fjalës “Lindi”.

 

/k.s/j.p/

The post Vendbanimi palafit më i vjetër në Evropë, shtohen turistët në fshatin piktoresk të Linit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata me Focus Media Group, Zhupa: Po cenohet e drejta e informimit

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa shprehu sot shqetësimin lidhur me situatën e Focus Media Group dhe mediet e saj.
Në një postim në rrjetet sociale, Zhupa tha se “është shqetësues fakti se edhe pas vendimit të Gjykatës së Tiranës Nr Rre. 806, date 11.08.2025, hyrja në ambientet e Panorama Group vijon të jetë e bllokuar me forca policore”.
“Në cilësinë e kryetares së Komisionit të Medias në Kuvendin e Shqipërisë, thellësisht e shqetësuar për cënimin e një të drejte kushtetuese dhe për lirinë dhe mbrojtjen e gazetarëve kam kërkuar informacion zyrtar në lidhje me situatën e paprecedent me Focus Media Group. Prej disa ditësh është bllokuar hyrja e gazetarëve të Focus Group Media në godinat e këtij grupi mediatik, janë rrëmbyer pajisjet e gazetarëve dhe materialet e punës së tyre investigative, është cenuar liria e shprehjes dhe cilësia e transmetimit të medias në mënyrë flagrante dhe të paprecedentë”, theksoi Zhupa.
Zhupa tha se “raportimet tregojnë se gazetarët dhe stafi teknik nuk kanë ende mundësi të hyjnë as nga hyrje alternative, duke mbetur pa qasje në pajisjet e tyre dhe në materialet e punës që përmbajnë informacione me rëndësi publike”.
“Ky mosveprim po pengon ushtrimin e detyrës dhe po dëmton drejtpërdrejt të drejtën e informimit të qytetarëve. Pse po shkelet vendimi i Gjykatës së Tiranës? Mbi cilën urdhër po veprohet në shkelje të vendimit? Kush pengon gazetarët dhe median në misionin e informimit të publikut? Interesi publik është që gazetarët të ushtrojnë detyrën e tyre dhe të zbatohet vendimi i Gjykatës së Tiranës duke mundësuar transmetimet e grupit mediatik Focus Media Group”, tha Zhupa.
/k.s/r.e//a.f/

The post Situata me Focus Media Group, Zhupa: Po cenohet e drejta e informimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Nis çelja e vezëve të breshkës së detit në plazhin e Hidrovorit, Vlorë

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Plazhi i Hidrovorit (Dunat e Nartës) në Vlorë është bërë habitat i breshkës detare Caretta Caretta.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale momente nga çelja e vezëve të breshkës detare Caretta Caretta.

“Me hapa të vegjël drejt detit ka nisur çelja e vezëve të breshkës së detit – ose siç njihet ndryshe Caretta Caretta – në një nga foletë në plazhin e Hidrovorit në Vlorë”, shkruan Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “ky është një proces që për 57 ditë është monitoruar nga stafi i Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura të Vlorës për të mbërritur në këtë moment kaq të bukur”.

Breshkat e detit Caretta Caretta janë krijesa kaq të veçanta dhe të jashtëzakonshme, prania e të cilave përgjatë brigjeve shqiptare shton bukurinë natyrore të plazheve tona magjepsëse, duke i bërë ato edhe më tërheqëse.

Sipas specialistëve të mjedisit është thelbësore të promovojmë kujdesin dhe bashkëjetesën me këto krijesa të buta, duke siguruar mbijetesën e tyre dhe një marrëdhënie harmonike me njerëzit.

1 nga 2

/k.s//r.e//a.f/

The post Kumbaro: Nis çelja e vezëve të breshkës së detit në plazhin e Hidrovorit, Vlorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Studime master në Turqi për pesë punonjës policie me gradën “Inspektor”

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Pesë punonjës të Policisë së Shtetit me gradën “Inspektor” mund të kryejnë studimet master në Akademinë e Policisë Turke.

Policia e Shtetit në një postim në rrjetet sociale tha se “nga Qendra Arsimore për Drejtues të Nivelit të Parë në Akademinë e Policisë, pranë Akademisë së Policisë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Turke, gjatë vitit akademik 2025-2026 ofrohet ndjekja e studimeve për arsimin e lartë pasuniversitar (master pa tezë) në Akademinë e Policisë në Ankara – Turqi”.

Mësohet se kohëzgjatja e studimeve është dy vjet, një vit arsimim përgatitor në gjuhën turke dhe një vit arsimim për Drejtues të Nivelit të Parë (roli i parë drejtues).

Kriteret e pranimit janë: të jetë punonjës policie me gradën Inspektor; të jetë i diplomuar në Bachelor; të mos jetë më shumë se 27 vjeç.

Gjithashtu kandidatët duhet të jenë të aftë fizikisht dhe të gëzojnë shëndet të plotë, sipas “Rregullores për Kushtet Shëndetësore të Organizatës së Policisë” të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Republikës së Turqisë.

Dokumentet që duhet të paraqesë kandidati janë: Fotokopje e pasaportës (me vlefshmëri të paktën 2 vjet); 8 (tetë) fotografi biometrike të përshtatshme për identifikim; Origjinali i diplomës ose certifikatës së diplomimit, ose kopje e noterizuar në të dyja anët. Të gjitha dokumentet duhet të jenë të noterizuara.

Aplikimi bëhet pranë strukturave të Burimeve Njerëzore të Drejtorive Vendore ku aplikantët kanë vendbanimin në juridiksionin e tyre, si dhe në Sektorin e Burimeve Njerëzore në Akademinë e Sigurisë.

/k.s//r.e//a.f/

The post Studime master në Turqi për pesë punonjës policie me gradën “Inspektor” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dëmet nga zjarret, Rama: Rindërtojmë falas shtëpitë, rifinancim për bagëtitë e humbura

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se do të rindërtohen falas shtëpitë e dëmtuara nga zjarret si dhe do të kompensohen bagëtitë e humbura.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama tha se “kujt humbi shtëpinë do t’ia rindërtojmë falas dhe kujt humbi krerët do t’ia rifinancojmë një më një”.

“Vlerësimi dhe kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga zjarret do të realizohet në çdo bashki të prekur, sipas një procedure të veçantë, e cila nis me evidentimin e tyre nga Grupi i Konstatimit për inventarizimin e dëmeve. Ky grup realizon inventarizimin e dëmeve në banesa infrastrukturë, biznese, kultura bujqësore, mjete mekanike, objekte social-kulturore dhe plotëson formularët me kostot financiare”, tha Rama.

Më pas, theksoi Rama, bashkitë përgatisin listat për subjektet e dëmtuara dhe dokumentacionin përkatës.
“Pas vlerësimit financiar çdo bashki përcaktohen koston e kompensimit, i cili kryhet nga fondet e bashkisë së prekur, përmes fondit për mbrojtjen civile”, informoi Rama.
Një ditë më parë kryeministri Edi Rama bëri të ditur se 207 shtëpi janë dëmtuar nga zjarret që përfshinë disa zona të vendit, nga të cilat 40 familje deri tani kanë humbur shtëpinë plotësisht.
Rama premtoi kompensim të dëmeve. “Dua t’i siguroj të gjithë, qoftë familjet që kanë humbur shtëpinë plotësisht apo kanë pësuar dëmtime në shtëpinë e tyre nga zjarri, po bëjmë sipas protokollit të situatës edhe me autoritetet përkatëse inventarizimin e plotë të këtyre dëmeve dhe pa diskutim, siç ka ndodhur në të shkuarën, do të ndodhë përsëri”, tha Rama.
1 nga 4
/k.s//r.e//a.f/

The post Dëmet nga zjarret, Rama: Rindërtojmë falas shtëpitë, rifinancim për bagëtitë e humbura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lëkundje tërmeti me magnitudë 3.5 të shkallës Rihter, epiqendra në Fushë-Krujë

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Lëkundje tërmeti janë regjistruar pasditen e sotme në vendin tonë, njofton Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit.

Sipas të dhënave paraprake të Institutit të Gjeoshkencave, në orën 18:24 janë ndjerë lëkundje tërmeti me magnitudë 3.5 të shkallës Rihter me epiqendër në Fushë-Krujë me një thellësi prej 5 km. Lëkundjet janë ndjerë edhe në zonat përreth epiqendrës.

Lëkundjet zgjatën pak sekonda, ndërsa nuk raportohen dëme materiale

/k.s//a.f//r.e/

The post Lëkundje tërmeti me magnitudë 3.5 të shkallës Rihter, epiqendra në Fushë-Krujë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drejtori i QSUT takon nga afër pacientët në Shërbimin Onkologjik

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, Florenc Spaho ka vizituar sot ambientet e Shërbimit Onkologjik për të komunikuar drejtpërdrejt me pacientët.

Spaho ka vizituar shërbimin onkologjik për t’u njohur nga afër me problematikat e qytetarëve.

Po ashtu, vetë pacientët në shërbime të tjera kanë konfirmuar me herët se drejtori i përgjithshëm Spaho ka vizituar thuajse çdo shërbim të QSUT për të prekur nga afër çdo problematikë në shërbime.

Spaho që prej marrjes së detyrës ka theksuar se fokusi i shërbimit është pacienti dhe trajtimi dinjitoz i tyre.

1 nga 2

/k.s//a.f//r.e/

The post Drejtori i QSUT takon nga afër pacientët në Shërbimin Onkologjik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali uron besimtarët e krishterë për Ditën e Shën Marisë

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali uroi sot besimtarët e krishterë për Ditën e Shën Marisë, një nga festat më të rëndësishme të besimtarëve ortodoksë dhe katolikë.

“15 gushti shënon kremtimin e Fjetjes së Hyjlindëses, Festën e të Ngjiturit të Zojës në Qiell, ditën më të rëndësishme kushtuar Shenjtes Mari. Në Shqipëri ka një devotshmëri të veçantë lutjeje për Shën Marinë, pavarësisht besimit fetar”, tha Spiropali në një postim në rrjetet sociale.

Spiropali u shpreh se “në këtë ditë feste e reflektimi për marrëdhënien mes hyjnores dhe njerëzores, lutje nga ne për të gjithë Ju, nën bekimin e Zojës”.

I njohur si “Fjetja e Hyjlindëses”, 15 gushti është dita kur shenjtorja iu bashkua birit të saj, në botën e përjetshme.

Festa e Fjetjes së Hyjlindëses kremtohet në 15 gusht, e paraprirë nga dy javë agjërimi (kreshme). Kjo festë, e cila quhet edhe “Marrja”, është për të përkujtuar vdekjen, ngjalljen dhe lavdërimin e Nënës së Krishtit. Ajo shpall që Maria “u mor” nga Perëndia, në mbretërinë qiellore të Krishtit, në të përmbushurit e ekzistencës së saj trupore dhe shpirtërore.

/k.s//a.f//r.e/

The post Spiropali uron besimtarët e krishterë për Ditën e Shën Marisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: 13 400 vizita ambulatore në Poliklinikën e Specialiteteve Shkodër nga 1 qershori deri më 5 gusht

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Në Poliklinikën e Specialiteteve në Shkodër nga 1 qershori deri më 15 gusht janë kryer 13 400 vizita ambulatore.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Koçiu informoi gjithashtu se “në Urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër janë kryer 11,471 vizita, mes tyre 323 shtetas të huaj”.

Dr. Egir Lezha, shef shërbimi në Poliklinikën e Specialiteteve në Shkodër, në videon e publikuar nga Koçiu, tha se “poliklinika pas rikonstruksionit është në funksion të plotë, kemi rritur cilësinë e kujdesit shëndetësor me kompletimin e stafit mjekësor,  me specialistë. Kemi dubluar disa specialitete që janë shumë të nevojshme. Gjithashtu kemi krijuar një sistem referimi të brendshëm për konsulta të ndërlidhura, kemi kompletuar poliklinikën me staf të mesëm mjekësor për çdo specialitet”.

“Është rritur fluksi i pacientëve, sidomos mosha pediatrike dhe moshat e treta. jemi të përgatitur për çdo fluks të pacientëve”, tha Lezha.

Poliklinika e Specialiteteve në Shkodër ofron tashmë shërbime shëndetësore në kushte bashkëkohore, me ambiente të rikonstruktuara dhe pajisje diagnostikuese të gjeneratës së fundit, duke iu shërbyer mbi 200,000 banorëve të Shkodrës dhe zonave përreth.

Në poliklinikë janë 22 specialitete mjekësore të mbështetura nga kabinete moderne për imazheri, radiografi, ekografi dhe mamografi, që sigurojnë diagnozë të saktë dhe kujdes cilësor për të gjithë.

/k.s//a.f/

The post Koçiu: 13 400 vizita ambulatore në Poliklinikën e Specialiteteve Shkodër nga 1 qershori deri më 5 gusht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Udhëtim magjik mes thesareve të trashëgimisë kulturore shqiptare shumë pranë kryeqytetit

 

View this post on Instagram

 

A post shared by DRTK Tiranë (@drtktirane)

 

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Vizitorët e shumtë që arrijnë në kryeqytet kanë alternativa të tjera për të eksploruar trashëgimin e pasur kulturore dhe historike të vendit, pa shkuar shumë larg.

Kështu afër Tiranës, Kepi i Rodonit është destinacion që ndërthur turizmin bregdetar dhe atë historik. Aty vizitori mund të ndjejë historinë, të njihet me kulturën dhe t’i gëzohet natyrës së mrekullueshme.

Duke e cilësuar një udhëtim magjik në kohë mes thesareve të trashëgimisë kulturore shqiptare DRTK Tiranë prezantoi në video promovuese muret legjendare të Kalasë së Skënderbeut në Kepin e Rodonit.

Në Kepin e Rodonit gjelbërimi, freskia dhe deti, ndërthuren me lashtësinë. Aty ndodhen Kalaja e Skënderbeut, e ndërtuar në mesin e shekullit të XV dhe kisha e Shën Ndout, e fundit të shekullit XIII.

Kjo pikë e bregdetit shqiptar ofron plazhe mahnitëse, natyrën e mrekullueshme por edhe monumente të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.

Një tjetër destinacion është Muzeu Etnografik i Krujës dhe Teqeja e Dollmës, një oaz shpirtëror në zemër të qytetit.

Me restaurimin e plotë të Muzeut Etnografik të Krujës, ky objekt ka regjistruar rritje të vizitueshmërisë, duke u bërë një vend i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.

Muzeu i rigjallëruar përmban rreth 1000 artefakte dhe u ofron vizitorëve një përvojë unike mësimore të fokusuar në etnografinë dhe kulturën shqiptare. Kjo arrihet përmes tregimeve inovative dhe ekraneve multimediale, përvojave të realitetit virtual dhe të shtuar, projeksioneve dhe udhëzuesve audio dhe një muri ndërveprues.

DRTK Tiranë fton qytetarët të shëtisin Pazarin e Vjetër të Krujës, ku aroma e traditës përzihet me ngjyrat e punimeve artizanale.

Gjithashtu një monument i rëndësishëm janë edhe rrënojat e Bazilikës së Gjuricajt, që ruajnë gjurmët e hershme të besimit, për të kaluar më pas përmes Urës së Bukaqit dëshmitare e historisë dhe mjeshtërisë së ndërtimit të dikurshëm.

Një tjetër destinacion i prezantuar në video është edhe Kalaja e Bashtovës, dëshmitare e shekujve të historisë.

Kalaja e Bashtovës është gati të mirëpresë vizitorët, pas përfundimit të punimeve për konservimin dhe restaurimin e saj. Ky monument i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kulturore, i ndërtuar në shekullin XV nga venedikasit për të kontrolluar bregdetin dhe tregtinë e drithit, është restauruar përmes një sërë ndërhyrjesh të kujdesshme që synojnë ruajtjen e strukturës, zbulimin e historive të saj të fshehura dhe përshtatjen për një përdorim të qëndrueshëm në të ardhmen.

/k.s/j.p/

The post Udhëtim magjik mes thesareve të trashëgimisë kulturore shqiptare shumë pranë kryeqytetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ligji i fortë që tani për zjarrvënësit, jo të gjithë gjykatësit janë në krye të detyrës

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama në bashkëbisedimin live në rrjetet sociale me qytetarët lidhur me situatën e zjarreve në vend, foli edhe për dënimet ndaj personave që ndezin ato qëllimisht.

Rama tha se ligji aktual është i fortë që tani për zjarrvënësit, teksa shtoi se jo të gjithë gjykatësit janë në krye të detyrës.

“Ligji është i fortë që tani për ata që vënë zjarret. Gjykatësit dihet që nuk janë të gjithë në krye të detyrës por do të shohim edhe në këtë drejtim se çfarë do të bëjmë. Ama një gjë është pak por e sigurt, tamam Gegë Gega e ka thënë shumë mirë: Qentë le të lehin, karvani të shkojë përpara”, tha Rama.

/k.s/j.p/

The post Rama: Ligji i fortë që tani për zjarrvënësit, jo të gjithë gjykatësit janë në krye të detyrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Avioni për udhëtimet zyrtare nuk i shton asgjë shpenzimeve mesatare vjetore të zyrës së Kryeministrit

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama informoi sot gjatë një bashkëbisedimi live në rrjetet sociale se për udhëtimet me avion nuk është paguar asgjë më shumë se ç’është paguar mesatarisht çdo vit nga zyra e Kryeministrit për udhëtime zyrtare, për asnjë lloj avioni.

Rama iu përgjigj një komentuesi që i lidhi udhëtimet zyrtare, me mungesën e avionëve për shuarjen e zjarreve.

“Mirë është që ti verifikoni zjarret mediatike ku nganjëherë disa prej jush hidhen me kokë dhe fatkeqësisht iu digjet qarku i arsyetimit”, komentoi Rama.

Më tej, Kryeministri shtoi se “po të kishim vetë avionët tanë do ishte më mirë, por kush i bën llogaritë duhet t’i rikthehet pak llogarive për të kuptuar se avionët nuk janë një fjalë goje. Ka edhe diçka tjetër disa pa mendje apo nga dëshira për ta besuar kanë ngrënë edhe broçkullën e madhe që unë, qeveria paskemi blerë avionë për vete”.

“Nuk ka asnjë avion të blerë për vete. Avioni i shumëpërfolur i përdorur nga unë vetëm për udhëtimet zyrtare sepse në çdo udhëtim tjetër privat unë marr avionët e linjës dhe jam rregullisht bashkë me familjen në ekonomik, gjithmonë. Këtë e dëshmojnë të gjitha biletat e deklaruara dhe janë të verifikueshme. Avioni i përdorur për udhëtimet zyrtare nuk i ka kushtuar dhe nuk i kushton shtetit shqiptar më shumë se sa shumatorja e shpenzimeve mesatare të kryera çdo vit nga Kryeministri i Shqipërisë, përfshirë edhe paraardhësin tim”, tha Rama.

/k.s/j.p/

The post Rama: Avioni për udhëtimet zyrtare nuk i shton asgjë shpenzimeve mesatare vjetore të zyrës së Kryeministrit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Inventarizim i plotë i dëmeve nga zjarret, do kompensohen një për një

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndërsa informoi sot se 207 shtëpi janë të dëmtuara nga zjarret që kanë përfshirë disa zona të vendit, nga të cilat 40 familje deri tani kanë humbur shtëpinë plotësisht, premtoi kompensim të dëmeve.

Në një komunikim live në rrjetet sociale, Rama tha se 72 orët e fundit ishin tejet të vështira për shkak të zjarreve që patën një zhvillim më të madh sesa çdo herë tjetër më parë këtë moment.

“Në radhë të parë dua t’i shpreh ngushëllimet kujt humbi të afërmin e vet dhe t’u shpreh gjithë solidaritetin atyre familjeve që kanë humbur shtëpinë nga zjarri. Tani që flasim janë 207 shtëpi të dëmtuara, të prekura nga zjarri, por në këtë numër hyjnë 40 familje deri tani të cilat faktikisht e kanë humbur shtëpinë plotësisht”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se “dua t’i sigurojë të gjithë qoftë familjet që kanë humbur shtëpinë plotësisht apo kanë pësuar dëmtime në shtëpinë e tyre nga zjarri po bëjmë sipas protokollit të situatës edhe me autoritetet përkatëse inventarizimin e plotë të këtyre dëmeve dhe pa diskutim dhe siç ka ndodhur në të shkuarën do të ndodhë përsëri”.

“Askush nuk do të jetë vetëm dhe askush nuk do të mbetet pa e parë në krah qeverinë, pa e pasur në krahë shtetin për t’u rikthyer në një shtëpi më  të mirë dhe më të fortë ashtu sikundër për të marrë dëmshpërblimin përkatës edhe për krerët e humbur”, bëri të ditur Rama duke shtuar se deri tani numërohen 3 619 krerë bagëti të humbur.

Kryeministri Rama premtoi se do të kompensohen një për një pa asnjë diskutim, ndërkohë që shtoi se “inventarizimi i dëmeve vazhdon”.

Nga ana tjetër, Rama shprehu mirënjohjen dhe respektin ndaj të gjitha forcave të angazhuara në terren.

“Kanë qenë në total 10 249 forca të të gjitha llojeve që kanë pasur sipas protokollit të situatës pjesën e vet të frontit por në radhë të parë dua të shpreh mirënjohje, respekt, falënderim për trupat zjarrfikëse, të cilat meritojnë të gjithë admirimin”, tha Rama.

/k.s/j.p/

The post Rama: Inventarizim i plotë i dëmeve nga zjarret, do kompensohen një për një appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌