“Fjalët magjike nisin në shtëpi”, Visar Sadiku flet për edukimin e fëmijëve dhe rolin e prindit
Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital, psikologu klinik Visar Sadiku ka ndarë mendimet dhe përvojën e tij rreth sjelljeve të fëmijëve dhe rëndësisë së përdorimit të fjalëve magjike në edukimin e tyre.
Gjatë bisedës, ai ka trajtuar një prej problemeve më të shpeshta që hasen në sjelljet sociale të fëmijëve: mungesa e përshëndetjes, komunikimit dhe përdorimit të shprehjeve bazike si “të lutem”, “faleminderit” dhe “më fal”.
“Tani ne shohim që në takime me njerëz shpeshherë ka ankesa që fëmija nuk të përshëndet, nuk të përfill fare”, theksoi Sadiku.
Ai shtoi se, ndonëse kjo mund të duket si sjellje e paedukatë apo mungesë respekti, problemi nuk qëndron te fëmija, por te mënyra e prindërimit: “Ky është problemi i prindit”.
Sadiku argumenton se shumë prindër krijojnë një hapësirë personale për fëmijët e tyre, duke i izoluar nga mjedisi social dhe duke i vendosur rregulla të rrepta vetëm sipas këndvështrimit të tyre.
Kjo sjellje, sipas tij, ndikon në formimin e një qëndrimi të keq-përshtatur social, që nuk është çrregullim, por rezultat i mungesës së punës së vazhdueshme edukative me fëmijën.
“Në gjuhën tonë popullore ka një shprehje shumë të bukur që thotë: ‘Shtëpia nuk ndërtohet nga çatia’. Edukimi i një fëmije fillon hap pas hapi”, u shpreh ai, duke theksuar se edukimi nuk mund të fillojë kur fëmija është tashmë 12 vjeç dhe nuk di si të sillet në një mjedis social.
Një tjetër pikë që Sadiku e thekson me shqetësim është mungesa e përdorimit të fjalës “më fal” në kulturën tonë familjare dhe sociale.
Ai thekson se, edhe pse shpesh jemi të vetëdijshëm për gabimet tona dhe e kuptojmë se mund të kemi lënduar dikë, shumë rrallë e themi me zë këtë fjalë.
“E nënkuptojmë që po na vjen keq, por nuk e themi më fal. Dhe kjo ka të bëjë me stilin e prindërimit që e ka rritur fëmijën”, u shpreh ai.
“Prindi është modeli primar. Fëmijët do të aplikojnë sjelljet e prindit sepse ndaj tyre janë të ekspozuar më së shumti”, ka thënë ndër të tjera Sadiku. /Telegrafi/
Për më shumë shikoni podcastin e plotë në Youtube:
The post “Fjalët magjike nisin në shtëpi”, Visar Sadiku flet për edukimin e fëmijëve dhe rolin e prindit appeared first on Telegrafi.