Në periferi të qytetit të vogël të Librazhdit, mes maleve të qeta dhe rrugëve që ngjajnë më shumë me heshtjen se me aktivitetin industrial, funksionon një fabrikë e vogël cigaresh me emrin e përulur, por ngjallës dyshimi: “Albania Tabak – Fabrika e Re e Cigareve”.
Nga jashtë, duket si një ndërmarrje prodhuese e zakonshme, por dokumentet tregojnë një histori tjetër: atë të një skeme shumëvjeçare kontrabande të mirëorganizuar që përfshin emra shqiptarë, destinacione fantazëm në Qipro, Dubai dhe kamionë që “zhduken” në kufinjtë e Shqipërisë për të përfunduar në tregjet e zeza të Europës.
Dokumentet tregojnë se kompania është shënuar me flamur të kuq nga agjencitë ndërkombëtare, por në Shqipëri ka pasur mbrojtje të plotë nga një zinxhir komandues i autoriteteve doganore shqiptare.
Një hetim dyvjeçar i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) zbuloi skemën, e cila ka shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare në buxhetin e shtetit shqiptar, të dokumentuara në më shumë se 35 milionë euro.
Hetimi, që përfshin 36 persona të dyshuar, përfshin edhe 29 punonjës të strukturave doganore, të cilët sipas SPAK janë përfshirë në aktivitetin kriminal si bashkëpuntorë në këtë rrjet kontrabande.
Në këtë aktivitet kriminal është provuar përfshirja e drejtpërdrejtë e zyrtarëve të lartë të Doganës Shqiptare. Eldi Hoxha, që në kohën e ngjarjes mbante detyrën e zv/drejtor i Përgjithshëm dhe Drejtor i Departamentit të Akcizës, sipas prokurorisë ka luajtur rol kyç në lejimin dhe mos-kontrollimin e ngarkesave.
Hetimet kanë provuar se nuk bëhet fjalë për veprime të izoluara, por për një marrëveshje të qëllimshme mes individëve me role të ndryshme – drejtues biznesi, administratorë, transportues dhe zyrtarë shtetëror – për të shmangur kontrollin doganor, për të falsifikuar destinacionet dhe për të prodhuar cigare pa pullë fiskale.
Në bazë të provave të grumbulluara, Gjykata e Posaçme caktoi masa arresti ndaj pronarëve Ilir dhe Darjo Jashari, administratorit Servet Dauti, shtetasit kosovar Luan Qorolli dhe shtetasve serbë Mile Bijeliç dhe Zeljko Stafjer, të dyshuar për kontrabandë dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Por asnjë prej këtyre shtetasve nuk është arrestuar nga Policia e Shtetit, ndërsa për pjesën tjetër të grupit, kryesisht punonjës të administratës doganore, janë vendosur masa “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Ndërkohë që Prokuroria e Posaçme kishte nën hetim drejtuesit e fabrikës dhe punonjësit e administratës doganore, dokumentet tregojnë se në shkurt të vitit 2025 kompania iu shit për 1 lekë, me kusht shlyerjen e detyrimeve, kompanisë “EA TOBACCO”, një firmë në pronësi të Ergys Agasit, një biznesmen kontravers i përmendur nga ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj si një ndërmjetës mes politikës dhe grupeve kriminale. Agasi ka mohuar publikisht këto akuza, por deri në publikimin e këtij shkrimi ai nuk komentoi gjetjet e “shteg.org”.
Trarët e rënë të doganës

Credits: Dogana Shqiptare – Fotografi të publikuara nga dogana që tregojnë linjën e prodhimit të cigareve
Mëngjesin e 7 shkurtit të 2023 në zyrat e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) mbërriti një informacion i cili ngrinte dyshime për ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në kontrabandën e cigareve.
Informacioni jepte detaje për një fabrikë në qytetin e Librazhdit ku prodhoheshin “Marlboro e Kuqe” dhe “Rothmans” dhe se punohej pa ndërprerje, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë.
“Cigaret e prodhuara ngarkohen me kamionë transporti dhe përmes rrugëve tokësore dhe detare kalonin nëpërmjet Greqisë, Italisë, Francës dhe Zvicrës me destinacion final vendet e Bashkimit Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar” – thuhej në informacion.
Bëhej fjalë për fabrikën e zotëruar nga shoqëria “Albania Tabak” e regjistruar në emër të shtetasit Darjo Jashari. Por, sipas Prokurorisë pronari faktik është i ati i tij, Ilir Jashari, një emër që nuk është i panjohur për drejtësinë shqiptare dhe ndërkombëtare. Ilir Jashari ka qenë më herët i ndëshkuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike jashtë vendit dhe për kontrabandë cigaresh në Shqipëri.
Një informacion i ngjashëm duket se ishte shpërndarë në çdo pikë kufitare të territorit të Shqipërisë nga autoritetet ligj-zbatuese ndërkombëtare, por dokumentet tregojnë se prej vitesh ky informacion ishte injoruar nga autoritet shqiptare.
Vetëm pas 1 viti e 4 muaj nga marrja e të dhënave operative, Prokuroria e Posaçme regjistron procedimin penal, ngritur fillimisht akuza për korrupsion ndaj Nazmi Goçit, një punonjës ky i fabrikës që nga viti 2013.
Shumë shpejt hetimet e prokurorisë zbuluan se përmes një kombinimi të marrëveshjeve ndërkombëtare fiktive, përdorimit të regjimeve lehtësuese doganore dhe manipulimit të dokumentacionit eksportues, janë shmangur miliona euro taksa dhe dyshohet se janë furnizuar tregjet ilegale të cigareve në Evropë.
Një vit më vonë, në regjistrat e Prokurorisë së Posaçme, krahas emrit të shoferit të fabrikës në procedimin penal u shënuan edhe 35 emra të tjerë që sipas prokurorisë dyshohet se kanë vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, në të cilin përveç zotëruesve të fabrikës janë të përfshirë zyrtarë të lartë të Doganës së Shqipërisë dhe punonjës të Policisë Kufitare.
Sipas dokumenteve të siguruara nga hetimi, ky grup ka vepruar në bashkëpunim të ngushtë për të kontrabanduar cigare në sasi të mëdha, jashtë çdo kontrolli shtetëror, duke i shkaktuar dëm të rëndë buxhetit të shtetit që i kalon vlerën e 35 milion eurove, të paktën në 3 vite që është hetuar.
Skema kriminale nuk mund të kishte funksionuar pa mbështetjen e drejtpërdrejtë të një numri të madh zyrtarësh të doganave shqiptare, të cilët janë akuzuar për shpërdorim detyre, korrupsion dhe bashkëpunim me grup të strukturuar kriminal.
Hetimi tregoi se fabrika e cigareve në Librazhd ka përfituar ndër vite nga një mekanizëm ligjor që njihet si Regjimi i Përpunimit Aktiv (RPA), një lehtësi doganore që i lejonte të importojë duhan pa taksa, ta përpunojë në Shqipëri dhe më pas të eksportojë produktin final, cigaret, në një kompani porositëse në Dubai, e quajtur “GM Inter Tobaço Fze” dhe e zotëruar nga Luan Qarolli, një shtetas kosovar me nënshtetësi angleze.
Sipas prokurorisë, dokumentet janë nënshkruar nga Ylber Karanxha, me detyrë zv/drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, i cili ka dhënë autorizime pa kërkuar garancitë e nevojshme financiare, në kundërshtim me VKM-në në fuqi, duke lehtësuar veprimtarinë kontrabanduese të subjektit privat.
“Mos vendosja e garancisë nga Karanxha ka sjellë mos-vjeljen e të ardhurave, këtij subjekti ekonomik. Gjithashtu, mjaftonte një verifikim në burimet e hapura për të parë precedentët që ka pasur shtetasi Ilir Jashari në kontrabandimin e cigareve” – thuhet në dokumentet hetimore.
Autorizimi për Regjistrimin e Përpunimit aktiv nuk ishte dokumenti i vetëm që drejtuesit e fabrikës kishin siguruar si mbrojte nga autoritetet shtetërore.
Eldi Hoxha, ish zv/drejtor i Përgjithshëm i Doganave dhe drejtor i dy departamenteve kyçe (Hetimor-Operativ dhe Akcize), dyshohet se ka dhënë urdhra të drejtpërdrejtë për të mos shoqëruar kamionët me cigare, duke lejuar kontrabandimin e tyre. Gjithashtu, ai ka shmangur qëllimisht kontrollet në fabrikë dhe nuk ka marrë masa për monitorimin e regjimit të përpunimit aktiv.
Sipas dosjes hetimore, rol aktiv në këtë skemë kishin dhe oficerët doganorë në Kakavijë, përfshirë Ilir Hickën dhe Kreshnik Gumajn. Dokumentet tregojnë se ata kanë lejuar çlirimin fiktiv të ngarkesave me cigare, duke simuluar daljen e tyre nga territori shqiptar.
Kjo u mundësonte pronarëve të fabrikës që produktet e cigareve t’i tregtonin brenda territorit shqiptar apo të devijonin drejt Kosovës e vendeve të tjera, pa kaluar në mënyrë të rregullt nëpër pikat kufitare.
Hetimet kanë zbuluar se edhe punonjës të tjerë doganorë në Elbasan, përfshirë Gezim Sterkeshin, Matilda Duzhën, Mentor Nelin, Indrit Cenajn, Andri Tolën dhe Gentian Tabakun, kanë lejuar eksportin e cigareve pa kontrolle të thelluara, duke shmangur verifikimet mbi destinacionet dhe shoqëritë përfituese, shumë prej të cilave rezultojnë fantazmë.
Skema e kontrabandimit niste nga fabrika që prodhonte cigare pa pulla fiskale ose me shirita tatimor të parregullt vijonte me deklaratat doganore për eksport ku përdoreshin adresa fiktive dhe destinacione të rreme, ndërsa kamionët me cigare devijoheshin nga rrugët e ligjshme drejt kufirit me Kosovën.
Zyrtarët doganorë toleronin dhe mbyllnin sytë, në këmbim të pagesave nën dorë që kryheshin nga Nazmi Goçi.
“Bëhet flalë për vlera të vogla rreth 5000 lekë të reja. Këtë veprim e bënim sa herë kishim eksporte dhe nënshkrim procedurash” i tha Goçi prokurorëve.
Hetimet kanë zbuluar se pjesë e zinxhirit të kontrabandës ishin edhe shtetas të huaj që kishin për detyrë transportin ndërkombëtar të cigareve. Nga Serbia si shofer kontraktoheshin gjithmonë Zeljko Stajfer dhe Mile Bjelic ndërsa nga Maqedonia e Veriut Emin Sumbani dhe Ilber Kolçshi.
Këta transportues, ndonëse në dokumente kishin të deklaruar Qipron si destinacion përfundimtar, devijonin rrugën në mënyrë të qëllimshme dhe i dorëzonin ngarkesat në kufirin Shqipëri-Kosovë.
Cigaret që zhduken në kufi
Credits: Dogana Shqiptare – Cigare të sekuestruara
Pasditen e 19 tetorit 2023 Stajfer Zeljko dhe bashkëkombësi i tij Bjelic Mile kaluan pa asnjë shqetësim kamionin e ngarkuar me cigare në pikën shqiptare të Kakavijës.
Kamioni kishte të ngarkuara cigare të markës “Regina” 500 koli, “Couture Saphire” 180 koli, “Couture Amethyst” 256 koli, “Black Mount” 400 koli, “Veve” I00 koli. Në total 1436 koli.
Sipas dokumentacionit të paraqitur, mallrat kishin si destinacion një kompani në Limassol, Qipro ndërsa kompania pritëse rezultonte me degë në Dubai.
Autoritet doganore shqiptare treguan kujdesin e duhur për të kopsitur si duhet çdo letër, ndërsa në traun e doganës askush nuk i trazoi.
Me të kaluar pikën shqiptare, kamioni me targa BP062-TO/AC-305BP, ngjalli dyshimet tek autoritetet doganore greke, dhe ishte i certifikuar nga i gjithë sistemi doganor shqiptar.
Fillimisht agjentët grekë konstatuan se vlera e faturës doganore ishte shumë më ulët se sa sasia e cigareve të ngarkuara në kamion.
“Kur mora dokumentet shoqëruese dyshova se si klient, paraqitej një kompani në Dubai dhe si marrëse vetëm një adresë në Qipro. Nga ana tjetër në fature dilte një vlerë shumë e vogël krahasuar me mallin e paraqitur. Menjëherë m’u kujtua fleta e informacionit që ishte dërguar nga shërbimi ardhur nga Ambasada Britanike dhe duke konstatuar se ndryshonte vetëm numri i targave të kamionit dhe drejtuesve, vendosa të bëj kërkime të mëtejshme” – tregon oficerja doganore greke.
Pas një kontrolli të thelluar autoritetet greke zbuluan se adresa e deklaruar “31 Amathuntos Ave, Flat 314532, Limassol” rezultoi fiktive.
Nuk kishte një dyqan cigaresh, nuk kishte kompani porositëse, vetëm një apartament në një kompleks turistik ku askush nuk kishte dijeni për ndonjë aktivitet tregtar.
Kamioni u sekuestrua, drejtuesit u arrestuan dhe ngarkesa prej 1436 kolish me cigare, të gjitha pa pulla fiskale dhe me mbishkrimin “For Duty Free Sale Only”, u konfiskua.
Zeljko Stajfer pranoi para hetueseve grekë se kontakti për këtë ngarkesë i ishte ofruar nga pala shqiptare, përmes një platforme online. Ai shtoi se nuk kishte dijeni për kompaninë porositëse, duke përforcuar dyshimet se skema nuk kishte asnjë hallkë reale tregtare, por ishte vetëm një maskim për kontrabandë.
“Ne i ngarkuan kutitë në Shqipëri, morëm dokumentet nga dogana në Shqipëri dhe erdhëm në doganën greke. Kur të hynim në Greqi do të kontaktonim agjentin që ka porositur transportin dhe do të çonim kamionin në Selanik, ku do të na thuhej se ku të linin ngarkesën” – dëshmoi Zeljko Stajfer.
Hetimet e mëtejshme zbuluan se cigaret ishin prodhuar në Shqipëri, në një fabrikë me emrin “Albania Tabak – Fabrika e Re e Cigareve”, e cila kishte lidhur një marrëveshje prodhimi me kompaninë shumë të diskutueshme “GM Inter Tobaço Fze”, me qendër në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas përgjimeve telefonike të datës 25 maj 2023, rezulton se vetë administratori i fabrikës shqiptare, Servet Dauti, ka qenë personi që ka zgjedhur destinacionin fiktiv në Qipro. Në një bisedë mes një punonjësi të doganës shqiptare dhe përfaqësueses doganore Rajmonda Sina, përmendet qartë:
“Nuk kam informacion. Serveti duhet ta dijë destinacionin. Ai e cakton.”
Kjo manovër, sipas autoriteteve doganore greke, kishte për qëllim shmangien e detyrimeve doganore, tatimeve dhe tarifave të tjera që i takonin Bashkimit Europian. Në fakt, nëse cigaret do të futeshin në Greqi pa u zbuluar, dëmi ekonomik do të kapte shifrën e mbi 2.8 milionë eurove, siç evidentohet në raportin zyrtar të doganës greke të datës 20.10.2023.
Në hetimet e kryera nga autoritetet shqiptare, rezulton gjithashtu se punonjës të doganës dhe të sektorit të anti-kontrabandës janë përfshirë drejtpërdrejt në lehtësimin e traut të doganës shqiptare, duke kryer kontrolle fiktive dhe duke marrë ryshfet për të lënë të lirë transportet.
Nga bisedat e përgjuara të datës 18 tetor 2023 mes shtetasve Sefer Venari dhe Servet Dauti, rezulton se oficerët e anti-kontrabandës ishin ftuar “për kafe”, në shenjë marrëveshjeje për të mos ndërhyrë në kontrollet e ngarkesës.
Albania Tabak, në një memo drejtuar Prokurorisë së Posaçme në Shqipëri më 22 korrik 2024, ka pretenduar se transporti dhe destinacioni janë përzgjedhur nga kompania porositëse “GM Inter Tobaço Fze” dhe se marrëveshja ka qenë në kushte EXë (Ex-works), që e përjashton nga përgjegjësia pas daljes së mallit nga fabrika.
Por provat e grumbulluara, përfshirë përgjimet dhe deklaratat, tregojnë të kundërtën: destinacioni fiktiv është zgjedhur nga vetë drejtuesit e fabrikës, dhe për më tepër, kamionët janë shoqëruar shpesh nga përfaqësues të saj.
Ky nuk ishte rasti i parë që kompania “Albania Tabak” kryente eksporte më këtë destinacion të rremë.
Praktikat doganore të vitit 2021 deri në 2023 tregojnë se janë rreth 35 raste, me destinacion të deklaruar një adresë në Limassol të Qipros: “31 Amathuntos Ave, Amathousia Beach APTS, Flat 314532”.
Në fakt, këto dokumente ishin të fabrikuara për të krijuar përshtypjen e një eksporti të ligjshëm, ndërsa mallrat e ngarkuara në kamionë nuk dilnin kurrë nga Shqipëria.
Kamionët që supozohej të kalonin nga dogana e Kakavijës për në Greqi, në shumë raste nuk kanë figuruar fare në sistemin TIMS.
Rrugëtimi i tyre i vërtetë nuk ishte drejt jugut, por në drejtim të veriut, ku përmes “Rrugës së Kombit” kalonin në Kosovë. Aty, ngarkesat e cigareve shkarkoheshin dhe rifillonin rrugën drejt vendeve të BE-së, të pashoqëruar dhe jashtë kontrollit të autoriteteve.
Pas sekuestrimit të cigareve në doganën e Kakavijës, dokumentet tregojnë se kamionët e fabrikës së cigareve në Librazhd nuk tentuan më të kalonin nga territori grek.
Agjentët doganorë “kujdeseshin” që në sistemit elektronik doganor “Asycuda World”, të deklaronin se sasitë e cigareve ishin eksportuar, por hetimet zbuluan se ato mbeteshin në territorin shqiptarë.
Dhe pse në dokumente përshkruhej i njëjti destinacion, ai në Qipro, është e provuar se në mbi 30 raste, grupi kriminal ndryshonte destinacionin e mallrave në dokumentacion dhe më pas shkarkonte ngarkesat brenda territorit shqiptar apo sipas hetimeve për t’i kontrabanduar ilegalisht në vendet fqinje.
Në çdo rast, skema është e njëjtë: cigaret ngarkohen në Librazhd, peshohen dhe plumbosen nga dogana Elbasan, dhe më pas kalonin përmes Doganës së Kakavijës drejt Greqisë. Por nga hetimet rezulton shumica e këtyre kamionëve nuk kanë hyrë kurrë në territorin grek.
Kamionët, siç zbulohet më vonë, kanë ndjekur një rrugë tjetër, atë të Kombit, ku në një pikë të caktuar dyshohet se rishpërndaheshin për të përfunduar në Kosovë e më tej në tregjet ilegale të Evropës.
Në 8 raste të veçanta janë dokumentuar ndalime të kamionëve me cigare kontrabandë në Kosovë, të cilat lidhen drejtpërdrejt me prodhimin e “Albania Tabak”.
Ky aktivitet kriminal ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ndaj buxhetit të shtetit, me humbje të vlerës 3.6 miliardë lekë (rreth 35 milionë euro) vetëm për tre vjet, që është dhe koha e hetuar deri më tani.
Në kulmin e hetimeve, fabrika ndryshon pronar
Credits: BIRN – Fabrika në Librazhd
Pas dy vitesh hetime, në shkurt të 2025 hetuesit e Prokurorisë së Posaçme thuajse kishin dokumentuar një pjesë të madhe të përfshirjes në aktivitet kriminal, jo vetëm të drejtuesve të kompanisë por dhe të strukturave doganore që implikoheshin në kontrabandën e cigareve të prodhuara nga fabrika në Librazhd.
Dokumentet e ardhura nga strukturat homologe, vëzhgimi në terren por dhe dokumentimi i ndryshimit të destinacionit të kamionëve të ngarkuara me cigare nuk linin asnjë dyshim për aktivitetin e grupit kriminal. Por ndërsa hetuesit rrekeshin të dokumentonin ngjarjet kriminale pikërisht në këto kohë, fabrika e cigareve ndryshon pronar.
Dokumentet tregojnë se nëpërmjet një marrëveshje me kusht, ajo i shitet për 1 lek tek biznesmeni Egys Agasi. Kontrata është nënshkruar më 5 shkurt të 2025, por me detyrimin që kompani “Albania Tabak” të shlyente të gjitha detyrimet që shkonin në vlerën e 5 milion eurove, detyrime këto që deklarohen si kredi në bankë apo mospagime të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Sipas ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) ndryshimet janë regjistruar më 29 maj, pasi kompania kishte deklaruar likuidimin e borxheve, dy ditë pasi Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar masën e arrestit me burg të pronarëve të fabrikës dhe një degë të zinxhirit komandues së doganave shqiptare.
Zyra e Qendrës Kombëtare të biznesit pranoi tjetërsimin e pronësisë së fabrikës dhe pse kishte një masë sigurie për moslejimin e tjetërsimit të pronësisë nga autoritet tatimore.
“shteg.org” e pati të pamundur për të mësuar nëse kompania “Albania Tabak” ka shlyer detyrimet, por tashmë pronari i fabrikës është Egys Agasi i akuzuar nga ish-zv.kryeministri në arrati, Arben Ahmetaj, si “koordinatori mes kryeministrit dhe grupeve kriminale”, por Agasi i ka quajtur këto akuza si thashetheme.
SPAK nuk ka konfirmuar nëse Agasi është pjesë e hetimit, po ashtu rezulton se asnjë prej kompanive të zotëruara nga familja Jashari nuk është prekur deri më tani nga masat ndëshkimore të Prokurorisë së Posaçme, dhe pse akuzohen për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Sipas, Open Corparates, Darjo Jashari rezulton pronar i disa kompanive objekti i të cilave është nga shtrimi i autostradave, agjencive doganore e deri tek shitblerjet e pasurive të paluajtshme dhe deri eksporti dhe importi i fruta perimeve, kompani këto që 29 vjeçari rezulton ti ketë hapur gjatë vitit 2023, kur kamionët me cigare të fabrikës së tij “shpërthenin” doganat shqiptare.
Ekspertët e kontaktuar nga “shteg.org” ngritën dyshime mbi kontratën e shitjes së kompanisë së cigareve pikërisht në kohën kur ajo ishte nën hetim nga një person që sipas Ahmetajt është eminenca gri e kryeministrit Edi Rama,bizneset e të cilit rezultojnë të kenë përfituar fonde publike.
Kompania e tij, EA Solutions, ka pasur një rritje të pashpjegueshme financiare brenda një viti nga krijimi i saj dhe çuditërisht në fushën e shërbimeve të IT.
Dokumentet tregojnë se EA Solutions, e themeluar në mars të vitit 2023, ka deklaruar fitime prej 2.2 milionë euro në vetëm një vit. Kjo shifër bëhet edhe më e dyshimtë kur merret parasysh fakti se shpenzimet e saj totale vjetore janë vetëm 100 mijë euro.
Agasi nuk iu përgjigj pyetjeve të ngritura nga “shteg.org”, por kjo nuk është hera e parë që kompania “Albania Tabak” ka qenë nën hetim nga organet ligj-zbatuese shqiptare.
Një investigim i një rrjeti të gjerë gazetarësh, të cilët punuan për BIRN, zbuluan në 2018 se kompania prodhonte rreth 22 milionë paketa cigare në vit nën markën “Cleopatra”, me një pjesë të konsiderueshme të tyre që shiteshin kontrabandë në tregjet e Afrikës së Veriut.
Rasti u vu në pah nga autoritetet britanike në vitin 2015, të cilat sinjalizuan aktivitetet e dyshimta të fabrikës.
Megjithatë, hetimi penal në Shqipëri u pezullua në vitin 2016 për shkak të mungesës së bashkëpunimit ndërkombëtar. Në vitin 2017, çështja u rifillua, por pa arritur rezultate të prekshme deri në vitin 2023, kur SPAK i rihapi hetimet.
Në vijim të hetimeve, Gjykata e Posaçme caktoi masa të rrepta sigurie, duke vënë në arrest me burg ish-pronarin Ilir Jashari, djalin e tij Darjo Jashari, administratorin e kompanisë Servet Dauti, si dhe shtetas nga Kosova dhe Serbia, të dyshuar për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kontrabandë të mallrave akcizore.
Asnjëri prej tyre nuk është arrestuar nga policia.
“Pas veprimeve policore u arrit të ekzekutoheshin 25 masa sigurie. Lidhur me shtetasit e tjerë, janë kryer procedurat përkatëse ligjore për të mundësuar gjetjen e tyre. Policia e Shtetit nuk është penguar nga asnjë forcë madhore për ekzekutimin e masave të sigurisë” – thuhet në një përgjigje zyrtare që “shteg.org” mori nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda. /Marrë nga shteg.org
The post Investigimi/ Si u shndërrua Librazhdi në nyje të kontrabandës europiane të cigareve appeared first on Lapsi.al.