Rama: Pacienti 59-vjeçar rifitoi shikimin pas një ndërhyrjeje delikate në Spitalin Rajonal të Vlorës
TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Në Spitalin Rajonal të Vlorës u realizua me sukses një ndërhyrje delikate tek një pacient 59-vjeçar, i cili kishte humbur shikimin nga komplikacionet e diabetit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot rastin e ndërhyrjes së suksesshme, teksa e konsideroi Spitalin Rajonal të Vlorës një qendër ekselence rajonale për shërbimet e okulistikës.
Pas trajtimit, pacienti 59-vjeçar rifitoi ndjeshëm pamjen dhe shpresën për një jetë më të pavarur.
“Në Spitalin Rajonal të Vlorës, një qendër ekselence rajonale për shërbimet e okulistikës, së fundmi u realizua me sukses një ndërhyrje delikate tek një pacient 59-vjeçar, i cili kishte humbur shikimin nga komplikacionet e diabetit e pas trajtimit, rifitoi ndjeshëm pamjen”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.
Rama theksoi se, ky rezultat bëhet më domethënës falë investimeve në kabinetin e ri të okulistikës, të pajisur me teknologji moderne dhe paketat e rimbursuara të vitrektomisë, që garantojnë trajtime falas, pa nevojë për referim në spitale të tjera.
Kreu i qeverisë shprehu mirënjohje për ekipin mjekësor: Dr. Kemal Ylsek, Dr. Edmond Isufaj, Dr. Dilaver Haskaj, Dr. Engjëll Lazaj, Dr. Odela Risilia dhe infermierja Kleoniqi Mustafaraj.
Spitali Rajonal i Vlorës, me një ekip të përkushtuar mjekësh dhe infermierësh, ofron shërbim dhe kujdes mjekësor jo vetëm për qytetarët vlonjatë, por edhe për pushuesit vendas dhe turistët e huaj që zgjedhin këtë qytet për të kaluar pushimet verore.
/gj.m//a.f/
The post Rama: Pacienti 59-vjeçar rifitoi shikimin pas një ndërhyrjeje delikate në Spitalin Rajonal të Vlorës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.