Specialja pranon prova nga Serbia, por a do të merren ato si të besueshme? – flasin juristët
Gjykata Speciale ka marrë vendim për pranimin e disa dokumenteve në prova, me kërkesë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të cilat kanë ardhur nga Serbia, këtë të papranueshme e ka konsideruar ministrja në detyrë e Drejtësisë Albulena Haxhiu, kurse njëjtë nuk thonë edhe njohësit e kësaj gjykate që thonë se pranimi i këtyre provave është diçka tjetër, e besueshmëria diçka tjetër.
Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Gjykata Speciale ka marrë vendim për pranimin e disa dokumenteve si prova, me kërkesë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Këto dokumente kanë qenë të ndara në tri anekse, e që në njërin prej tyre, janë kryesisht dokumente që kanë ardhur hiç më pak se nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, Ministria e Brendshme e Serbisë dhe struktura të tjera të këtij shteti.
Një ditë pas raportimit për vendimit, janë ka ngjallur reagime të ashpra në Kosovë.
Madje e tillë ishte edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që reagoi me anë të një postimi në Facebook.
“Ky zhvillim është thellësisht i papranueshëm. Institucionet në fjalë janë struktura të një regjimi që ka qenë përgjegjës për dhunë sistematike, krime lufte, zhdukje me forcë, gjenocid, spastrime etnike dhe represion brutal ndaj popullit të Kosovës.”
Ajo vendimin e ka vlerësuar të papranueshëm, duke thënë se pranimi i këtyre materialeve përbën deformim të rëndë të drejtësisë dhe një fyerje të hapur ndaj viktimave të luftës dhe sakrificës për liri.
“Tentimi i Gjykatës, me një fjali sikur “Për më tepër, fakti që disa Prova të Propozuara vijnë nga autoritetet serbe nuk përbën, në vetvete, një ndalesë për pranimin e tyre.” (par. 17), përveç tjerash është edhe juridikisht i gabuar dhe i padrejtë. Ky pretendim tronditës bie ndesh me praktika të etabluara të drejtësisë penale ndërkombëtare, sipas të cilave një ndër kriteret më të rëndësishme për vlerësimin e pranueshmërisë së provave është nëse burimi i tyre ka një interes në rezultatin e procesit apo ka indikatorë të tjerë të anshmërisë. Refuzimi i Gjykatës për ta marrë parasysh këtë kriter, ngre dyshime serioze mbi paanshmërinë e vetë gjyqtarëve të rastit”, ka shtuar Haxhiu.
Por, reagimin e Haxhiut dhe të tjerëve, Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare e konsideron më shumë emocional ose politik sesa racional.
Ai thotë se provat mund të pranohen, por që të njëjtat pastaj verifikohen nga Gjykata.
“Në rastin konkret nuk domethënë që provat janë të besueshme, pra pranueshmëria e provave është diçka tjetër, dhe në fund, kur bëhet vlerësimi i provave personale dhe materiale, bëhet edhe vlerësimi i besueshmërisë dhe kredibilitetit të secilës provë, veç e veç. Në rastin konkret, provat mund të pranohen nga shteti i Serbisë, por besueshmëria dhe kredibiliteti do të vlerësohen”, ka thënë Alija.
Alija thotë që edhe mbrojtja mund të përdorë prova që burimin e kanë nga Serbia.
“Edhe mbrojtja mundet me i përdorë provat që vijnë nga Serbia, që i kanë shkarkuar nga databaza e Hagës, që janë administruar nga proceset që janë administruar ndaj Millosheviqit ose Gjorgjeviqit”, ka shtuar Alija.
Vendimi për pranimin e provave të reja është marrë më 29 maj 2025, por ai është bërë publik më 25 korrik.
The post Specialja pranon prova nga Serbia, por a do të merren ato si të besueshme? – flasin juristët appeared first on Telegrafi.