Rama: Jo më parashitje dhe klering në ndërtim, akses në financime për të garantuar investimin
TIRANË, 28 korrik /ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se sektori i ndërtimi nuk duhet të bazohet më te parashitja dhe kleringu, pasi mundësitë janë për të pasur akses në forma të tjera financimi.
Rama ishte sot në Qendrën për Inovacion dhe Teknologji “NEST”, një strukturë e Fondit Shqiptar të Zhvillimit që u shërben edhe universiteteve dhe sipërmarrjes ku u prezantua një start up-i të rinjsh shqiptarë për financimin e sektorit të ndërtimit.
Duke folur për zhvillimet në sektorin e ndërtimit, Rama theksoi se e rëndësishme është të fitohet me kohën e realizimit të projekteve.
“Kjo nuk është çështje thjesht masash ligjore, por çështje vetëdijeje nga ana e investitorëve dhe ndërtuesve për të aksesuar këtë treg komplet të ri financiar që mund të bëhet një burim shumë i shpejtë, i thjesht dhe i konsiderueshëm të ardhurash në mënyrë që ndërtimi të mos bazohet te parashitja dhe kleringu. Këto janë dy forma që ishin të kuptueshme dhe pranueshme për një periudhë të caktuar kohe por nuk mund të jenë më as të kuptueshme as të pranueshme sot, kur mundësitë janë për të pasur akses në forma të tjera financimi”, shtoi Kryeministri.
Rama theksoi se bëhet fjalë për një formulë investimesh që është një parashitje e bazuar te garancia e investimit.
“Këtë garanci ta jep fakti se ke menjëherë në dispozicion likuiditete për të ecur pa u angazhuar dhe pa angazhuar njerëz që në gropë, por për të angazhuar financim duke pasur krahët të mbuluar me financim dhe duke arritur që të shtosh vlerën e produktit tënd final që tjetër është kur e shet në gropë dhe kur e shet në fund. Ne kemi parë se si ka ndodhur që apartamente të blera në gropë rishiten nga ata që i kanë blerë në gropë kur ka mbaruar puna dhe rishiten me një çmim shumë më të lartë që e fiton ai që ka blerë në gropë, jo ai që ka ndërtuar”, shtoi Rama.
Në aspektin e interesit publik, Rama tha se kjo ka të bëjë me cilësinë dhe kohën me të cilën realizohen projektet.
“Investitorët duan kohën. Nuk mund t’i japësh një projekt për një godinë në Tiranë dhe pastaj projekti të marri 10 vjet për t’u realizuar. Ata duan të dinë kur fillon, kur mbaron dhe çfarë kapacitetesh ka për ta filluar e mbaruar në kohë”, tha Rama.
Këtu, sipas Kryeministrit, përfshihen faktorë të tjerë që kanë të bëjnë me kapacitete ndërtimore të kompanive me krahun e kualifikuar të punës që është bërë shumë i çmuar.
“Për këtë duhen parë mundësitë e kthimit të sinergjive me kompani ndërkombëtare edhe ndërtimi për të fituar përmes kohës atë që faktikisht nuk e humbet në dukje, por e humbet nga kohëzgjatja e paarsyeshme e një projekti”, nënvizoi ai.
/r.e/
The post Rama: Jo më parashitje dhe klering në ndërtim, akses në financime për të garantuar investimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.