Nga Peja në Limburg – Rruga drejt majave e Amira dhe Imran Zekajt
Motër e vëlla në vendin e parë në provincën e Limburgut, ndërsa të dy në vendin e shtatë në nivel shteti të Holandës në sportin e ngjitjes në kategorinë Lead.
Amira Zekaj garon në kategorinë U17 ndërsa Imran Zekaj në kategorinë U15 në nivelin nacional në shtetin e Holandës. Të dy ngjitjen kanë filluar ta zhvillojnë jo më shumë se dy vite më parë, por aftësitë dhe rezultatet e tyre sportive i kanë dëshmuar shumë shpejt në këtë sport që tani është edhe Olimpik.
Të dy në muajin shkurt ishin në Pejë dhe vizituan klubin Marimangat ku bënë ngjitje në sallë së bashku me anëtarët tjerë ndërsa edhe shprehën dëshirën që të jenë pjesë e klubin.
Vullneti i të dyve (motër dhe vëlla) është i madh për të zhvilluar aftësitë profesionale në sportin e ngjitjes ndërsa ëndrra e tyre është që një ditë të garojnë edhe në garat Olimpike.
Por kush janë Amira dhe Imrani?
Babai i tyre Skënderi nga Novosella e Pejës kishte migruar në shtetin e Holandës në vitin 1999. Atje ishte martuar me Ellen Vromans dhe sollën në jetë Amirën, Imranin dhe dy djem tjerë.
Të dy janë duke u shkolluar në qytetin e Venlo ndërsa siç tregon babai i tyre, Amira në moshën 15-vjeçare dhe Imrani në moshën 13-vjeçare filluan të bëjnë ngjitje së pari në një kishë të adaptuar ndërsa më vonë në salla profesionale të Holandës.
Tani të dy përveç që ndjekin shkollën, ata pothuajse çdo ditë janë pjesë të ushtrimeve profesionale në sportin e ngjitjes. Janë të motivuar nga familja për të vazhduar tutje ndërsa vullneti i tyre është të tregojnë aftësitë e tyre në nivelet më të larta garuese por edhe të bëjnë krenar kombin e tyre me paraqitjet e tyre sportive.
Si pjesë e klubit Marimanga tani gëzojnë përfaqësim edhe në nivel Kosovës përmes Federatës së Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive të Kosovës, ndërsa sot zyrtarisht u priten edhe nga kryetari i federatës ku biseduam për bashkëpunimet e mëtutjeshme në drejtim të sportit të ngjitjes. /Telegrafi/
The post Nga Peja në Limburg – Rruga drejt majave e Amira dhe Imran Zekajt appeared first on Telegrafi.