PL: Kodi i ri Penal, përpjekje për deformimin e sistemit të së drejtës
TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Partia e Lirisë reagoi sërish sot në lidhje me draftin e ri të Kodit Penal, duke e cilësuar si minues të shtetit të së drejtës, ndërsa kërkoi një proces të hapur diskutimi rreth tij.
Nëpërmjet një deklarate për mediet zëvendëssekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë Brunilda Haxhiu tha se projektligji i Kodit të ri Penal është një nga përpjekjet më të rrezikshme për deformimin e sistemit të së drejtës.
“Në formën e tij aktuale, ky kod nuk është as reformë e drejtësisë e as përmirësim i sigurisë publike, por synon të kthejë ligjin në mjet represioni politik, duke cenuar thelbin e demokracisë dhe të drejtave tona themelore”, tha ajo.
Sipas Haxhiut “ky projektligj fut nene të paqarta për “shpifje publike”, “nxitje urrejtjeje” dhe “cenim të autoritetit shtetëror”, formulime që hapin rrugë për interpretime arbitrare nga prokuroria dhe gjyqësori. Një kod i tillë minon funksionimin e sistemit te drejtësisë duke sjellë paqartësi në praktikën gjyqësore”.
Haxhiu tha se Partia e Lirisë kërkon që të nisë një proces i hapur diskutimi rreth Kodit te ri Penal, i cili duhet te jetë transparent dhe gjithëpërfshirës, me pjesëmarrjen e institucioneve të pavarura, akademikëve, opozitës dhe organizatave të shoqërisë civile.
“Të sigurohet që çdo ndryshim në Kodin Penal të mbrojë liritë dhe të drejtat themelore, të jetë i qartë, proporcional dhe i ndërtuar mbi standardet më të larta të drejtësisë demokratike”, tha Haxhiu. /m.q/j.p/
The post PL: Kodi i ri Penal, përpjekje për deformimin e sistemit të së drejtës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.