Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 19 August 2025Main stream

Rama: Drejt përfundimit segmenti Qukës-Qafë Plloçë

19 August 2025 at 14:42

TIRANË, 19 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga segmenti Qukës-Qafë Plloçë, i cili është drejt përfundimit.

“Pamja e re në drejtim të juglindjes. Pjesë nga segmenti drejt përfundimit, Qukës-Qafë Plloçë”, shkroi Rama në një postim rrjetet sociale.

Ky aks rrugor përmirëson parametrat e rrugëtimit dhe bën të mundur aksesimin e trafikut, që kalon ndërmjet Korridorit 8 nga aksi rrugor Tiranë-Elbasan me pjesën e juglindjes, si dhe shkurtimin e distancave me pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, qytetin e Korçës dhe më tej.

Po ashtu, aksi ndikon në rritjen e turizmit të zonës së Pogradecit dhe Korçës, bën të mundur akomodimin e trafikut të rëndë, ndikon në zhvillimin e bujqësisë së zonës rurale të Mokrës dhe fshatrave përreth, duke ndihmuar në shkurtimin e distancës së fshatrave me rrugën e kryeqytetit dhe anasjelltas, rrit dhe nxit punësimin, shkurton kohën e rrugëtimit nga Tirana drejt Korçës dhe kohën e transportit të mallrave nga porti i Durrësit për në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës.

1 nga 2

/gj.m//a.f/

The post Rama: Drejt përfundimit segmenti Qukës-Qafë Plloçë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali pret Gonzaton: Në vjeshtë hapet zyra e Parlamentit Evropian në Tiranë

19 August 2025 at 14:40

TIRANË, 19 gusht /ATSH/ Kryeprioriteti i Legjislaturës së XI të Kuvendit do të jetë anëtarësimi në BE.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali priti sot në një takim ambasadorin e bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato.

Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali u shpreh se me ambasadorin Gonzato po koordinojnë veprimet për përmbushjen e detyrimeve të Kuvendit dhe institucioneve, ndërtimin e konsensusit politik, komunikimin me publikun, përafrimin e ligjeve, si dhe garantimin e gjithëpërfshirjes dhe transparencës.

“Në vjeshtë hapet zyra e Parlamentit Evropian në Tiranë, një mundësi më shumë për thellimin e bashkëpunimit, shkëmbimin e përvojave më të mira për reformimin e mëtejshëm të Kuvendit, si garant i procesit të integrimit dhe standardeve demokratike”, theksoi Spiropali.

1 nga 3

/gj.m//a.f/

 

The post Spiropali pret Gonzaton: Në vjeshtë hapet zyra e Parlamentit Evropian në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: INSTAT-i përllogarit si eksporte mallrat që kalojnë transit për në Kosovë

19 August 2025 at 14:38

TIRANË, 19 gusht /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, INSTAT përllogarit si eksporte mallrat që kalojnë transit për në Kosovë.

Berisha e cilësoi këtë si një mashtrim publik. “Mashtrimi publik përbën krim në ligjet e vendit dhe në ligjet e çdo shteti, është angazhuar me forcën më të madhe Instituti i Statistikave. INSTAT, dhe jo vetëm ai, i kanë lejuar vetes të mashtrojnë, të gënjejnë, t’u paraqesin shqiptarëve një realitet të kundërt nga ai që është në raport me një sektor jetik të ekonomisë siç janë eksportet”, tha Berisha në një konferencë për shtyp.

“Eksportet, për shkak të narkoeuros, shkaku madhor dhe më përcaktues është fluksi i miliarda, miliarda eurove me kontejnerë, me mikrobusa, me autobusa dhe mjete të tjera i karteleve të drogës që hyjnë në Shqipëri”, theksoi kreu i PD.

Sipas tij, “ky fluks ka rrëzuar përtokë euron në Shqipëri. Ky fluks ka zhvlerësuar euron në raportin me vitin 2014, 35 përqind. Ky fluks, ndërmarrjet që punojnë me euro dhe që janë që të gjitha ndërmarrjet e eksportit, i ka goditur në mënyrë fatale”.

Berisha shtoi se, “është shumë, shumë vështirë të ketë një ndërmarrje eksporti, për të mos thënë e pamundur, me një fitim 30 apo 35 përqind”.

Kjo, sipas tij, ka bërë që eksporti të ketë rënie të vazhdueshme.

“Ka pasur raste nga një vit në vitin tjetër të zbresë në 32 përqind. Kjo zbritje vazhdon”, tha ai.

Berisha theksoi se “Instituti i Statistikave ka fshehur këtë dramë të madhe të ekonomisë shqiptare, të shkaktuar nga narkoeuro”.

“Falimentimi i qindra dhe mijëra sipërmarrjeve të eksportit do të thotë humbja e dhjetëra mijëra vendeve të punës”, shtoi kreu i PD.

Kjo rënie dramatike, u shpreh ai, “ka sjellë shpunësimin dramatik të shqiptarëve dhe largimin nga Shqipëria”.

Berisha u shpreh se ekspertët quajnë eksporte mallrat transit që nga Durrësi kalojnë në Kosovë, që janë importe të mirëfillta të Kosovës.

Pra, shtoi ai, “importet e Kosovës, naftë në radhë të parë, por edhe importe të tjera, të cilat shkarkohen në Durrës për t’u transportuar me korridorin rrugor drejt Kosovës, Edi Rama dhe instituti i tij i turpshëm, i shpall ri-eksporte”.

“Në botë, kjo është e para herë që dëgjohet. Domethënë rritet importet në Kosovë, ato shndërrohen në eksporte për Shqipëri”, tha berisha.

Berisha u shpreh se “kjo është identike me skemën e turistëve të Rinasit. Vijnë nga rajoni për të marrë linjat e lira, Easyjet apo Ryanair, dhe këta Edi Rama i regjistron turistë, paçka se ata maksimumi mund të pinë një kafe diku në aeroport apo jashtë tij dhe as nuk flenë dhe as shpenzojnë asgjë, thjesht shkojnë në destinacionet që u garantojnë linjat e lira ajrore”.

Berisha shtoi se, “statistikat e INSTAT-it janë statistika që në mirëbesim citohen nga EUROSTAT-i”.

Berisha nënvizoi se, “me këtë akt, Edi Rama kërkon të mbulojë me çdo kusht instalimin e narkoekonomisë në narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë. Narkoekonomia në Shqipëri është zhvillimi më dramatik i narkoshtetit. Është pikërisht narkoekonomia, ajo që ka sjellë rënie progresive të pandalshme në 3 vitet e fundit të prodhimit të përgjithshëm industrial, të prodhimit të përgjithshëm bujqësor dhe në veçanti të eksporteve të vendit”.

“Ekonomia shqiptare bazohet kryekëput në narkondërtimin, i cili është tre herë më i lartë në tregues se sa mesatarja e ndërtimit në BE dhe është me distancë më i larti në Europë”, tha më tej Berisha.

Pra, shtoi ai, “të mashtrosh me eksportet, të cilat po t’u zbresësh importet e Kosovës, që Edi Rama me ministrin e tij të financave dhe institutin e tyre, i llogarisin si ri-eksporte të Shqipërisë…Ri-eksporti është kategori krejt tjetër. Ai është transit. Shkarkohet në Porto Romano nafta dhe nga cisternat e Porto Romanos kalon me autobote në Prishtinë. Ky është një akt i paprecedent”.

/gj.m//a.f/

 

The post Berisha: INSTAT-i përllogarit si eksporte mallrat që kalojnë transit për në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MM: 5 vatra zjarri të raportuara, 3 aktive dhe 2 në monitorim

19 August 2025 at 11:32

TIRANË, 19 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informoi sot për situatën e zjarreve në vend.

Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile (QKOEC) në AKMC, raportoi sot 5 vatra zjarri nga të cilat 3 vatra janë aktive, dhe 2 vatra janë në monitorim.

Vatra e zjarrit në Ternovë, njësia administrative Zerqan në bashkinë Bulqizë po mbahet nën monitorim nga 7 efektiv te MZSH për të eliminuar çdo mundësi riaktivizimi nga djegia e trungjeve të thatë brenda vatrës.

Situata vijon të monitorohet në fshatrat Kulumri dhe Lumi i Trunit në bashkinë Fushë-Arrëz.

Gjatë orëve të mëngjesit është bërë rivlerësimi i situatës dhe aktualisht po punohet për të parë nëse ka vatra aktive, si dhe për izolimin e cungjeve që vijojnë të digjen.

Në terren janë angazhuar 50 forca të FA, të cilat janë shpërndarë në dy grupe me qëllim vendosjen nën kontroll dhe shuarjen përfundimtare të zjarrit. Momentalisht, situata është e qetë dhe flakët janë shuar, por puna po vijon për të garantuar izolimin e plotë të vatrës.

Vatra e zjarrit në Malin e Bërzhitës në fshatrat Ibë dhe Durisht të njësive administrative Bërzhitë dhe Petrelë ndodhet në një terren shumë të largët dhe të vështirë për ndërhyrje nga toka. Aktualisht, nuk përbën rrezik për banesat apo zonën pyjore.

Zjarri i nisur më datë 10.08.2025 në fshatrat Damjan dhe Isufaj të Tiranës dhe i përhapur prej datës 13.08.2025 edhe në zonën e Pezë – Helmës, vijon të jetë aktiv në disa vatra të minimizuara, por që po mbahen nën mbikëqyrje deri në fikjen përfundimtare.

Në Parkun Natyror Gërmenj, njësia administrative Leskovik të bashkisë Kolonjë situata paraqitet më e qetë si pasojë e punës se forcave operacionale por dhe për shkak të reshjeve të shiut të rëna pasditen e djeshme.

/gj.m//a.f/

The post MM: 5 vatra zjarri të raportuara, 3 aktive dhe 2 në monitorim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Shkodra pasurohet me një sit të ri arkeologjik në Bushat

19 August 2025 at 12:18

TIRANË, 19 gusht /ATSH/ Qarku i Shkodrës pasurohet me një sit të ri arkeologjik në Bushat, ku gërmimet shqiptaro–polake kanë zbuluar gjurmë të qytetit antik ilir të shek. IV p.e.s”.

Lajmin e bëri të ditur sot kryeministri Edi Rama, i cili ndau foto nga gërmimet në këtë sit arkeologjik.

Rama theksoi në një postim në rrjetet sociale se, falë bashkëpunimit ndërinstitucional po hartohet edhe Zonifikimi Arkeologjik për administrimin e kësaj pasurie të çmuar kulturore.

Gërmimet arkeologjike kanë nisur që në vitin 2018, nga misioni kërkimor shqiptaro-polak drejtuar nga Piotr Dyczek dhe Saimir Shpuza. Ato po nxjerrin në dritë të tjera gjurmë dhe të dhëna për qytetin ilir në Bushat.

Gjatë këtyre fushatave kërkimore u zbuluan dy porta hyrëse të qytetit dhe u kuptua shtrirja e tij. Ndërsa gërmimet e fundit janë përqendruar në qytetin e sipërm dhe kanë për qëllim zbulimin e organizimit të brendshëm dhe urbanistikës së këtij qyteti.

Misioni kërkimor po nxjerr në dritë se kjo pjesë e qytetit të sipërm ka qenë e ndërtuar masivisht që në gjysmën e shek. IV para Krishtit, sipas datimeve paraprake.

Tashmë falë bashkëpunimit me IKTK, DRTK Shkodër dhe ndihmën e pakursyer të misionit arkeologjik me të dhënat shkencore dhe rezultatet e arritura u krye në terren rilevimi dhe përcaktimi qartë i zonifikimit të nevojshëm për ruajtjen dhe administrimin e këtij territori me potencial të lartë arkeologjik referuar dhe kuadrit ligjor për këtë qëllim.

1 nga 5

/gj.m//a.f/

 

The post Rama: Shkodra pasurohet me një sit të ri arkeologjik në Bushat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 18 August 2025Main stream

Rama: Super energjia e Solar Fest në Sarandë

18 August 2025 at 21:12

TIRANË, 18 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga festivali “Solar Fest” i zhvilluar në qytetin e Sarandës.

“Super energjia e Solar Fest në Sarandë”, shkroi kryeministri Rama në një postim në rrjetet sociale.

“Solar Music Festival”, i cili mbahet prej disa vitesh, sjell në qytetin e bukur të Sarandës DJ të nivelit botëror, artistë dhe muzikantë të njohur e jo vetëm.

Ky festival është kombinimi i muzikës së mirë, festave të jashtëzakonshme në anije, si edhe të pushuarit në plazh përgjatë ditës.

Festivali ka një program argëtues të jetës së natës ndryshe nga festivalet e tjerë.

/gj.m//a.f/

 

The post Rama: Super energjia e Solar Fest në Sarandë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Shqipëria e bukur”, Rama ndan pamje nga Gjinari

18 August 2025 at 19:49

TIRANË, 18 gusht /ATSH/ Fshati turistik i Gjinarit, 22 km larg Elbasanit, është shndërruar vitet e fundit në një destinacion për vizitorët vendas por edhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Gjinari, i cili ofron këtë sezon veror një peizazh fantastik dhe që ka mirëpritur turistë vendas e të huaj.

I njohur për bukurinë natyrore dhe freskinë e ajrit malor, Gjinari po shndërrohet në një nga pikat më të preferuara për turizmin në Elbasan.

Investimet e fundit dhe përkushtimi i komunitetit për të investuar në agroturizëm kanë bërë që numri i turistëve në Gjinar të rritet ndjeshëm nga viti në vit.

Kabinat alpine në Gjinar ofrojnë mikpritje të ngrohtë dhe komoditet për turistët, të cilët zgjedhin ta vizitojnë gjatë gjithë vitit.

Distanca e përshkruar nga Elbasani për të mbërritur në Gjinar është 24 km. Fshati Gjinar pozicionohet kryesisht në një peizazh malor.

Mali i Bukanikut, i cili gjendet 1831 metra mbi nivelin e detit, mbetet një destinacion i pëlqyer për sportet alpine. Pyjet dhe peizazhi malor janë pasuria e vërtetë e Gjinarit, i cili dallon për resurset e veta natyrore.

/gj.m//a.f/

The post “Shqipëria e bukur”, Rama ndan pamje nga Gjinari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mazniku: Rruga e re Fushë-Buall – Elbasan, investim strategjik që rrit potencialin turistik të zonës

18 August 2025 at 17:56

TIRANË, 18 gusht /ATSH/ Ndërtimi i rrugës së re Fushë-Buall – Elbasan është një investim strategjik që rrit potencialin turistik të kësaj zone.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku ndau sot pamje nga nisja e ndërtimit të kësaj rruge duke theksuar se është një tjetër premtim i mbajtur për të gjithë banorët e zonave përgjatë të cilave ajo kalon.

Mazniku theksoi se ndërtimi i kësaj rruge përmirëson jetën e banorëve, aktivitetin e fermerëve, tregtarëve, por edhe viztorëve e kalimtarëve.

“Nisja e ndërtimit të rrugës së re Fushë-Buall – Elbasan është një tjetër premtim i mbajtur për të gjithë banorët e zonave përgjatë të cilave ajo kalon duke përmirësuar jetën e tyre, aktivitetin e fermerëve, tregtarëve por edhe viztorëve e kalimtarëve si një investim strategjik që rrit potencialin turistik të kësaj zone të mrekullueshme ku dikur shtrihej Via Egnatia”, shkroi Mazniku në një postim në rrjetet sociale.

/gj.m//a.f/

The post Mazniku: Rruga e re Fushë-Buall – Elbasan, investim strategjik që rrit potencialin turistik të zonës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Një tjetër “mur kinez” ra sot për t’i hapur rrugë Rilindjes Urbane 2.0

18 August 2025 at 16:40


TIRANË, 18 gusht /ATSH/ Në të gjithë vendin vazhdon puna për lirimin e hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave urbane në Tiranë. Kreu i qeverisë theksoi se lirimi i këtyre hapësirave i hap rrugën Rilindjes Urbane 2.0.

“Ja dhe një mur i madh “kinez” që ra sot, për t’i hapur rrugë Rilindjes Urbane 2.0 edhe për këtë komunitet të bllokuar pas “murit” – madje për të çliruar edhe pemët e mbyllura brenda në lokal”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Lirimi i hapësirave publike shihet si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.

Në këtë kuadër, Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Lirimi i hapësirave publike ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.

/gj.m//a.f/

The post Rama: Një tjetër “mur kinez” ra sot për t’i hapur rrugë Rilindjes Urbane 2.0 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Zjarret, PL: Të shpallet gjendja e emergjencës kombëtare

17 August 2025 at 13:27

TIRANË, 17 gusht/ATSH/ Anëtarja e Kryesisë në Partinë e Lirisë, Anisa Ibraj deklaroi sot se, viti 2025 do të mbahet mend si viti kur Shqipëria u dogj dhe shteti dështoi ta mbrojë.

“Nga veriu në jug, flakët kanë përpirë pyje, toka bujqësore, pasuri natyrore dhe kanë rrezikuar drejtpërdrejt banesa e jetë njerëzish”, tha ajo në një deklaratë për shtyp.

“Në Delvinë, një vatër e madhe zjarri ka shkrumbuar zona të tëra, ndërsa situata është po aq alarmante në dhjetëra pika të tjera në vend”, u shpreh Ibraj.

“Kjo nuk është thjesht një fatkeqësi natyrore , është prova e dështimit të një qeverie që nuk ka as plan parandalimi, as infrastrukturë për reagim të shpejtë dhe efektiv”, shtoi ajo.

“Zjarrfikësit tanë, njerëzit në vijën e parë të përballjes, janë lënë të luftojnë me duar bosh. Pajisjet janë të vjetra, mjetet janë të pamjaftueshme, mbështetja ajrore mungon dhe koordinimi mes institucioneve është minimal. Zona të tëra me rrezik të lartë mbeten pa mbulim, ndërsa çdo ndërhyrje është e vonuar dhe e fragmentuar”, theksoi Ibraj.

“Partia e Lirisë u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër zjarri. Por mbi të gjitha, i bëjmë thirrje qeverisë të shpallë pa asnjë vonesë gjendjen e emergjencës kombëtare. Kjo është e vetmja mënyrë për të mobilizuar burime shtesë, për të kërkuar ndihmë ndërkombëtare dhe për të koordinuar një plan të centralizuar ndërhyrjeje në të gjithë territorin. Çdo orë vonesë është një orë humbje. Shqipëria nuk mund të jetojë me skenarin e përvitshëm ku zjarret shkatërrojnë gjithçka dhe më pas harrohen deri vitin tjetër. Një shtet serioz matet nga aftësia për të mbrojtur jetën, pronën dhe natyrën e tij. Në këtë provë, qeveria e sotme ka dështuar, deklaroi Ibraj.

/gj.m//a.f/

 

 

 

The post Zjarret, PL: Të shpallet gjendja e emergjencës kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Grupkapitujt e fundit drejt BE-së, konferenca ndërqeveritare gati në shtator

17 August 2025 at 13:25

TIRANË, 17 gusht/ATSH/Vjeshta pritet të sjellë konferencën ndërqeveritare Shqipëri- BE për hapjen e dy grupkapitujve të mbetur të bisedimeve të anëtarësimit në BE.

Zëvendësministri i Ekonomisë, Enkelejd Musabelliu tha për RTSH se gjithë procedura tjetër është kryer.

“Për dy grupkapitujt e mbetur Shqipëria ka marrë një ftesë për të paraqitur pozicion e saj dhe në vjeshtë parashikohet edhe organizimi i konferencës së përbashkët ndërqeveritare mes Komisionit Evropian dhe Shqipërisë për të hapur zyrtarisht negociatat edhe këta këto dy grupkapituj”, u shpreh Musabelliu.

Me një integrim kaq të përshpejtuar në BE, përfaqësuesi i ekzekutivit mendon megjithatë se procedura është e drejtuar të përgatisë për përfitimet.

“Të bëhemi gati që aksesi në këtë treg prej 450 milionë konsumatorësh ta shfrytëzojmë në mënyrë maksimale për të marrë më të mirën. Edhe ndryshimi që do ndodhi me përafrimin e plotë të legjislacionit nuk do të jetë aq drastik sa të kthehet në pengesë për biznese të caktuara”, u shpreh ai.

Praktikisht anëtarësimi i njohur si një proces ku negociohet vetëm koha, ligjet e BE-së që transpozohen, nuk duhet ta trembë Shqipërinë, mendon Musabelliu.

“Edhe transpozimi i këtij legjislacioni nuk është i pamundur, aq më tepër me vullnetin e madh politik që kanë të dyja palët, të gjithë bashkë duhet të përgatitemi si shoqëri që të marrim më të mirën e mundshme me anëtarësimin në BE”, tha Musabelliu. /RTSH/

The post Grupkapitujt e fundit drejt BE-së, konferenca ndërqeveritare gati në shtator appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbeti e bllokuar në Gjirin e Filikurit, policia ndihmon turisten çeke

17 August 2025 at 12:14

TIRANË, 17 gusht /ATSH/ Komisariati i Policisë Himarë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Himarë, i kanë ardhur në ndihmë një turisteje çeke, e cila kishte mbetur e bllokuar në një zonë të thepisur, në vendin e quajtur “Filikurë”.

Sot, pas marrjes së njoftimit se një turiste çeke, gjatë zbritjes me litar në terren shkëmbor, ishte rrëzuar dhe kërkonte ndihmë, shërbimet e patrullës së Rendit dhe ato të Policisë Kufitare organizuan punën dhe kaluan menjëherë në vendin e raportuar, njoftoi Policia.

Pas lokalizimit të turistes, u bë e mundur zbritja e saj në mënyrë të sigurt nga shkëmbinjtë dhe transportimi me mjetin lundrues të Policisë Kufitare drejt portit të Himarës, e më pas drejt qendrës shëndetësore, për kontroll mjekësor ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia apelon që vizitorët dhe pushuesit, gjatë eksplorimeve në terrene të vështira, të tregojnë kujdes maksimal dhe të marrin masat e nevojshme për sigurinë e tyre.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe të Policisë Kufitare janë të angazhuara maksimalisht për të garantuar rendin, sigurinë dhe për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe pushuesve, në çdo rast nevoje.

/gj.m//a.f/

The post Mbeti e bllokuar në Gjirin e Filikurit, policia ndihmon turisten çeke appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kultivuan 1 299 bimë narkotike dhe 1 000 fidanë, dy në pranga, procedohen tre kryetarë fshatrash

17 August 2025 at 11:16

TIRANË, 17 gusht /ATSH/ Dy shtetas janë vënë në pranga pasi u kapën në flagrancë, në parcelën ku kishin kultivuar 1 299 bimë narkotike dhe 1 000 fidanë, në fshatin Rogam.

Gjithashtu, u proceduan penalisht, për shpërdorim të detyrës, tre kryetarë fshatrash.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi vijojnë me intensitet kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, me qëllim goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.

Në territorin e njësisë administrative Kelmend, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën dhe asgjësuan 1 726 bimë dhe 1000 fidanë të dyshuar narkotikë, të llojit Cannabis Sativa. Gjithashtu, nga ana e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër, u kapën në flagrancë në parcelë shtetasit A. R., 35 vjeç, dhe K. R., 42 vjeç, banues në Njësinë Administrative Kastrat, të afërm me njëri-tjetrin. Ata u kapën në flagrancë pasi, në afërsi të banesave të tyre, kishin kultivuar 7 parcela me 1 299 bimë dhe 1 000 fidanë. Këta shtetas u arrestuan për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Gjithashtu, në afërsi të banesës së shtetasit K. R., u gjet një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

Në territorin e njësive administrative Gur i Zi dhe Postribë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 2713 bimë të dyshuara narkotike, të llojit Cannabis Sativa.

Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Vilz, shtetasin F. L.; për kryetarin e fshatit Ura e Shtrenjtë, shtetasin R. M.; dhe për kryetarin e fshatit Domen, shtetasin R. B.

Në territorin e njësisë administrative Shllak, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën dhe asgjësuan 2592 bimë të dyshuara narkotike, të llojit Cannabis Sativa.

Policia thekson se, vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.

Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata” vijon në të gjithë territorin e qarkut Shkodër.

/gj.m//a.f/

 

The post Kultivuan 1 299 bimë narkotike dhe 1 000 fidanë, dy në pranga, procedohen tre kryetarë fshatrash appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MM: 27 vatra zjarri të shuara, pesë aktive dhe dy nën monitorim

17 August 2025 at 11:08

TIRANË, 17 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informoi sot lidhur me situatën e zjarreve në vend.

Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 34 vatra zjarri, nga të cilat 27 janë shuar, pesë janë aktive, dy mbahen në monitorim.

Sipas MM, në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 54 automjete zjarrfikëse dhe 690 forca operacionale, të mbështetura nga 110 trupa të Forcave të Armatosura me dy mjete zjarrfikëse. Gjithashtu u angazhuan dy helikopterë të Forcës Ajrore shqiptare dhe një helikopter nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sa i përket vatrave aktive, në fshatin Tërnovë, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në kurorë me pyje të dendura. Nga puna e forcave operacionale dhe mbështetja me ndërhyrje nga ajri, janë vënë nën kontroll disa vatra. Problematike ngelet një vatër në vendin e quajtur “Maja e Shkëmbit” dhe tjetra në drejtim të fshatit Valikardhë dhe Peladhi. Në operacion gjatë ditës u angazhuan tetë efektivë të MZSH të bashkisë Bulqizë, tetë forca bashkiake dhe tetë forca të Shërbimi Pyjor. Në mbështetje për përballimin e situatës u angazhuan edhe 30 trupa nga Forcat e Armatosura dhe helikopteri i Forcës Ajrore. Zjarri zhvillohet me intensitet mesatar dhe më së shumti brenda perimetrit të përshkuar ditë më parë.

Ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në fshatin Xeth, njësia administrative Blerim, bashkia Fushë Arrëz. Zjarri është zhvilluar me intensitet duke u përshkallëzuar në fshatrat Kulumri, Trun dhe Kunorë-Dardhë. Në operacion gjatë ditës u angazhuan 42 forca bashkiake, dy automjete zjarrfikëse dhe 80 trupa nga FA si dhe 20 vullnetarë të cilët punuan deri në mbrëmje vonë. Në mbështetje të forcave në terren u krye ndërhyrje nga ajri nga dy helikopterë të Forcës Ajrore. Gjatë natës raportohet se situata, e ndikuar edhe nga reshje e shiut që kanë përfshirë zonën, është vënë nën kontroll. Vatra e zjarrit gjatë natës u mbajt në monitorim.

Ka vijuar të jetë aktiv zjarri në fshatin Pezë Helmës, njësia administrative Pezë, bashkia Tiranë. Vatra e zjarrit është vazhdim i zjarrit të rënë në fshatin Damjan-Fortuzaj njësia administrative Vaqarr. Zjarri në mesditë ka marrë përmasa dhe ka dalë jashtë kontrollit. Për vënien nën kontroll  kreu ndërhyrje nga ajri helikopteri i Emirateve të Bashkuara Arabe. Situata po mbahet në monitorim. Ditën e sotme raportohet se vatra e zjarrit ka intensitet të ulët.

Në fshatrat Kullollas, Kodovjat, Ermenj, njësia administrative Skënderbegas, bashkia Gramsh, ka vazhduar puna për shuarjen e zjarrit të rënë më datë 12.08.2025. Forcat operacionale, vijuan punën me vatrat e vogla, për të mos i lejuar përhapjen, ku mbetet aktive një vatër në Malin e Koshnicës, e cila po mbahet në monitorim nga punonjës të Shërbimit Pyjor dhe banorë të zonës. Gjatë ditës pati riaktivizim në fshatin Bletëz, e cila u normalizua nga ndërhyrja me një mjet zjarrfikës dhe katër efektivë të MZSH. Gjithashtu në mesditë pati riaktivizim në fshatin Kullollas, ku rrezikohej një masiv me pisha. Në këtë vatër u angazhuan dy automjete zjarrfikëse me gjashtë efektivë, të cilët arritën ta shuajnë atë. Situata në fshatrat e përshkuar nga zjarri po mbahet në monitorim.

Në vendin e quajtur “Teqeja e Dushkut”, njësia administrative Kukur, bashkia Gramsh, vatra e zjarrit vijon të jetë aktive. Gjatë ditës në zonë u angazhuan dy automjete zjarrfikëse me 10 efektivë nga MZSH Gramsh, dy fadroma të bashkisë me katër forca bashkiake dhe katër vullnetarë. Ka patur vështirësi për shuarjen e zjarrit për shkak të shtresave të humusit. Ditën e sotme raportohet se vatra e zjarrit është drejt izolimit.

Ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë më datë 14.08.2025, në fshatin Rreja e Zezë (Velë), njësia administrative Rubik, bashkia Mirditë. Gjatë ditës në operacion u angazhuan tre automjete zjarrfikëse me shtatë efektivë nga MZSH Mirditë, katër forca policore, 17 forca bashkiake, shtatë forca Shërbimi Pyjor dhe 10 vullnetarë, të cilët kanë punuar për shuarjen e tij deri në mbrëmje. Nga puna e forcave, u arrit që vatra e zjarrit të izolohet totalisht dhe nga vlerësimi i bërë nuk paraqet rrezik për përhapje. Vatra po mbahet në monitorim nga forca të Shërbimit Pyjor.

Ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në Parkun Natyror Gërmenj, njësia administrative Leskovik, bashkia Kolonjë. Zjarri zhvillohej me intensitet midis piramidës 13 dhe 15, në kufi me Greqinë. Shpërthimet herë pas herë të municioneve luftarake të pranishme në zonë që nga lufta italo-greke, bënë që të ndërpritej operacioni. Në zonë u angazhuan tre mjete zjarrfikëse me 13 efektivë nga MZSH Kolonjë, gjashtë forca policore, 17 forca bashkiake, shtatë AdZM, katër Shërbimi Pyjor dhe katër forca vullnetare. Zjarri vazhdon aktiv në disa vatra. Sipas raportimeve ditën e sotme konstatohet se zjarri nuk ka përhapje dhe nuk vihen re riaktivizime.

Vatrat e shuara janë në  Val (Martanesh, Bulqizë), Kodër Qerre (Mat), Xeth (Blerim, Fushë Arrëz), Durishtë (Petrelë), Ferraj–Zall Herr–Brarë–Priskë e Vogël (Dajt), Gjipal (Zall Bastar), Vilë-Ballaj (Rrogozhinë), Kalanjas (Skrapar)

MM thekson se, forca nga të gjitha strukturat e emergjencave mbeten në terren për të monitoruar dhe përballuar çdo riaktivizim të mundshëm të zjarreve.

/gj.m//a.f/

The post MM: 27 vatra zjarri të shuara, pesë aktive dhe dy nën monitorim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jole: Në qarkun e Korçës ka vetëm 1 vatër zjarri aktive

17 August 2025 at 10:59

TIRANË, 17 gusht/ATSH/ Në qarkun e Korçës ka vetëm 1 vatër zjarri aktive.

Prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole u shpreh sot se nga informacioni më i përditësuar, situata e zjarrit të rënë në afërsi të Parkut Natyror të Gërmenjës prej datës 11 gusht, paraqitet relativisht më e qetë sot, por ende ka prezencë aktive të zjarrit (pikat e kuqe në hartë).

“Në terren sot janë organizuar rreth 65 forca nga MZSH, AdZM, policia kufitare, punonjës shërbimi të bashkisë e vullnetarë të zonës, të mbështetur nga 35 forca të ushtrisë. Terreni ka vështirësi pasi kërkon afro 3 orë për të mbërritur në sipërfaqen e prekur dhe duhet shumë kujdes sepse zona ka edhe municione”, theksoi ai.

Jole shtoi se, po punohet prej gjashtë ditësh për të penguar sa është e mundur depërtimin brenda kurorës zonë të mbrojtur.

“Strukturat vendore janë në komunikim edhe me palën greke, për të koordinuar veprimet, duke shpresuar se ditën e sotme situata do të përmirësohet akoma më shumë”, theksoi ai.

Jole ripërsëritu apelin për kujdes të shtuar nga të gjithë, për të shmangur situata të tilla që kërkojnë shumë energji njerëzore e shpenzime buxhetore për t’u neutralizuar.

/gj.m/a.f/

The post Jole: Në qarkun e Korçës ka vetëm 1 vatër zjarri aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Gjimnazi “Jani Nushi” në Lushnjë rihap dyert në shtator me kushte moderne

17 August 2025 at 10:12

TIRANË, 17 gusht/ATSH/ Gjimnazi “Jani Nushi” në Lushnjë do të hapë dyert në fillim të vitit të ri shkollor me një pamje krejtësisht të transformuar.

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se falë investimit të përbashkët mes Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Lushnjës, shkolla është rikonstruktuar tërësisht.

“Investimet në Arsim dhe Sport. Gjimnazi “Jani Nushi” në Lushnjë do të hapë dyert në shtator me klasa të reja, bibliotekë, laboratorë dhe terrene sportive moderne, për të garantuar kushte dinjitoze për nxënësit dhe mësuesit, falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë së Lushnjës”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Ndërhyrja ka përfshirë jo vetëm përmirësimin e godinës ekzistuese, por edhe ndërtimin e ambienteve të reja mësimore dhe ndihmëse.

Tashmë, shkolla do të ofrojë klasa të reja dhe të pajisura, një bibliotekë bashkëkohore, laboratorë funksionalë për lëndët shkencore, si dhe terrene sportive moderne që do të shërbejnë për edukimin fizik dhe aktivitete të tjera shkollore.

Ky investim është pjesë e vizionit për të garantuar një arsim cilësor në të gjitha nivelet dhe për të siguruar kushte të denja në mjediset ku formohen brezat e rinj.

/gj.m/

The post Rama: Gjimnazi “Jani Nushi” në Lushnjë rihap dyert në shtator me kushte moderne appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj: Zbuloni fermat agroturistike përmes aplikacionit “Agritourism Al”

17 August 2025 at 11:23

TIRANË, 17 gusht /ATSH/ Nga veriu në jug, Shqipëria mund të zbulohet përmes fermave agroturistike me anë të aplikacionit “AGRITOURISM.AL”

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ka ftuar sot turistët vendas dhe të huaj që të shijojnë gatime tradicionale të përgatitura me produkte të freskëta vendase , dhe të përjetojnë nga afër jetën e fermerëve dhe të bëhen pjesë e përditshmërisë së tyre.

“Shkarkoni aplikacionin AGRITOURISM AL dhe eksploroni të gjitha fermat agroturistike në mbarë vendin, aty ku tradita bashkohet me natyrën dhe mikpritja shqiptare kthehet në përvojë unike”, shkruan Denaj.

/gj.m//a.f/

The post Denaj: Zbuloni fermat agroturistike përmes aplikacionit “Agritourism Al” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vihet në pranga autori i dyshuar i zjarrit në fshatin Ballaj, Rrogozhinë

17 August 2025 at 09:29

TIRANË, 17 gusht/ATSH/ Autori i dyshuar i zjarrit që përfshiu një sipërfaqe të madhe toke me pemë frutore, në fshatin Ballaj, Rrogozhinë është identifikuar dhe vënë në pranga.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Rrogozhinë, sapo morën njoftimin se mbrëmjen e djeshme, në territorin e fshatit Ballaj, kishte rënë zjarr i cili përfshiu një sipërfaqe të madhe toke me pemë frutore, shkuan menjëherë në vendin ku kishte nisur zjarri.

Falë veprimeve të shpejta hetimore, shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit I. A., 31 vjeç, banues në Vilëbashtovë, Rrogozhinë.

Arrestimi i tij u bë pasi, duke djegur mbeturina në tokën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit duke përfshirë një sipërfaqe të madhe toke dhe pemë frutore, në fshatin Ballaj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët të mos ndezin zjarre për djegien e mbeturinave apo të mbetjeve të prodhimeve bujqësore, si dhe për qytetarët të shmangin hedhjen e cigareve të ndezura pranë sipërfaqeve të pyllëzuara.

/gj.m//a.f/

The post Vihet në pranga autori i dyshuar i zjarrit në fshatin Ballaj, Rrogozhinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Pamje magjike e lumit të Shalës

17 August 2025 at 08:49

TIRANË, 17 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm pamje magjike nga Lumi i Shalës.

Lumi i Shalës, që derdhet në liqenin e Komanit, po tërheq çdo vit një numër të lartë turistësh vendas e të huaj, për shkak të bukurisë që natyra i ka falur kësaj zone.

Në këtë atraksion të jashtëzakonshëm të turizmit, në veri të Shqipërisë, turistët zgjedhin të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare, zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës dhe ushqimet tradicionale që ofrohen në bujtinat e ngritura pranë tij.

Lumi i Shalës buron rrëzë Alpeve dhe ka një gjatësi prej 37 km prej burimit në majën e Radohinës e deri në Drin. Lumi i Shalës dallohet për ujin e tij të veçantë ngjyrë blu të thellë.

Ai është i pasur me një shumëllojshmëri peshqish, por më e përhapura është trofta, që rritet vetëm në ujërat e ëmbla. Ngjyra e kaltër dhe e ftohtë e ujit është karakteristike e këtij lumi, shkëmbinjtë e thepisur që e rrethojnë, duken sikur prekin qiellin.

/gj.m//a.f/

The post Rama: Pamje magjike e lumit të Shalës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MIA: Numër rekord, 44 555 turistë vizituan Butrintin në muajin korrik

17 August 2025 at 11:25

TIRANË, 17 gusht /ATSH/ Agjencia për Media dhe Informim bëri të ditur sot se, 44,555 turistë kanë vizituar, vetëm në muajin korrik, Parkun Kombëtar të Butrintit.

“Me një numër rekord prej 44,555 turistësh vetëm në muajin korrik, Parku Kombëtar i Butrintit konfirmon se vizitorët, veçanërisht të huajt që vijnë në Shqipëri tërhiqen nga trashëgimia historike dhe arkeologjike e parkut. Sipas të dhënave zyrtare, në 7 mujorin e parë të vitit 2025 Parku Kombëtar i Butrintit tejkalon 150,000 vizitorë”, thekson MIA.

Sipas MIA, kjo shënon një rritje prej gati 82% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Turistët e huaj vlerësojnë veçanërisht peizazhet natyrore të ruajtura mirë, mundësinë për të eksploruar trashëgiminë kulturore duke e kombinuar këtë aventurë edhe me pushimin në bregdetin e jugut”, shton MIA.

/a.f/

The post MIA: Numër rekord, 44 555 turistë vizituan Butrintin në muajin korrik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌