Drilon-Tushemisht, infrastruktura e re zgjeron potencialin turistik
TIRANË, 17 gusht/ATSH/ Kush e viziton Pogradecin, nuk mund të largohet pa kaluar disa momente pranë freskisë që ofron parku natyror i Drilonit apo pa shëtitur në rrugicat me shtëpitë karakteristike dhe oborret e mbushura me lule në Tushemisht.
Të dyja këto pika turistike edhe në këto ditë të nxehta vere gjallërojnë nga turistët vendas e të huaj, që kanë zgjedhur Pogradecin për të kaluar pushimet ose fundjavat.
Driloni apo Voloreka siç e quajnë pogradecarët, ndodhet vetëm 6 km larg Pogradecit dhe është një ndër atraksionet më të bukura në vendin tonë.
Pas investimeve të realizuara në Drilon, ku janë ndërtuar rreth 4 000 m rrugica për këmbësorët është zgjeruar sipërfaqja e parkut duke nxjerrë më në pah potencialin turistik të kësaj zone.
Sapo hyn në Drilon është ngritur Qendra e Vizitorëve, ku po vijon puna me mobilimin e brendshëm për ta vënë në funksion të turistëve të shumtë.
Ndërsa brenda parkut vizitorët nuk largohen pa shëtitur me varkat e ndodhura buzë liqenit, si dhe për të konsumuar ushqimet tradicionale të zonës.
Drejtori i Qendrës Parku Ujor Drilon-Tushemisht, Erjon Vesho tha për ATSH-në se “Qendra e Vizitorëve do të shërbejë si pikë koordinimi për turizmin e zonës, informacion dhe do ketë salla ekspozimi të florës, faunës, vlerave, traditës dhe arkeologjisë për gjithë rajonin dhe jo vetëm për Drilon Tushemisht. Ekspozimi do jetë me pajisje teknologjike (ekrane, audio etj) si dhe me ekspozime reale të florës dhe faunës”.
“Zona për vetë statusin e veçantë natyror që ka, do jetë e aksesueshme kryesisht me mjete eco-friendly (biçikleta dhe mjete elektrike) duke mbajtur automjetet në parkime të veçanta në periferi të parkut”, tha Vesho.
Sa i përket vizitorëve, Vesho bën të ditur se “në Drilon janë rreth 1 200- 1400 vizitorë në ditë, ku fluksi më i lartë shënohet gjatë sezonit veror dhe në fundjavë”.
Por edhe Tushemishti, tërheq me bukurinë e tij mijëra turistë gjatë gjithë vitit.
“Edhe në Tushemisht ka rreth 1200 -1400 vizitorë në ditë duke konsideruar se aty ka edhe turistë, të cilët nuk janë ditorë, por kalojnë më shumë netëqëndrimi në njësitë akomoduese të cilat kanë afërsisht rreth 25.000 turistë në vit nga të cilët rreth 2.500 të huaj dhe pjesa tjetër vendas”, tha Vesho.
Parku Ujor Drilon-Tushemisht bën pjesë në rajonin e gjerë të liqeneve të Ohrit dhe Prespës, të cilët janë njohur nga UNESCO si Rezervë Ndërkufitare Biosferë në vitin 2014. Për më tepër, pjesa shqiptare e liqenit të Ohrit ka përfituar statusin e Trashëgimisë Botërore nga UNESCO në vitin 2019.
Prej vitit 2018 në Drilon dhe Tushemisht filloi puna me iniciativën e Fondacionit Shqiptaro- Amerikan për Zhvillim (AADF) ku u përfshinë Qeveria Shqiptare dhe bashkia Pogradec për rehabilitimin e gjithë zonës, e cila nuk kishte pasur investime prej kohësh.
“Ideja e qartë e projektit është që përveç investimeve të krijojë një model të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit i cili do të mund të zbatohet në mënyrë të efektshme edhe në zona të tjera të ngjashme anembanë Shqipërisë. Pra duke qenë se zona e Drilonit dhe Tushemisht është një e vetme për shkak të burimeve ujore dhe ka një status të mbrojtur duhet të ketë një menaxhim të përbashkët për ta kthyer në një zonë me turizëm të qëndrueshëm dhe mjedisor”, nënvizoi Vesho.
Vlerat e investuara janë të konsiderueshme, rreth 8.000.000 USD financuar nga AADF dhe po aq nga Qeveria Shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar për Zhvillim.
Punimet kryesore konsistuan në rehabilitimin e gjithë parkut të Drilonit, shtimin e sipërfaqes së vizitueshme të parkut deri në burimet, ngritjen e Qendrës së Vizitorëve, ndërtimin e shëtitores nga Driloni në Tushemisht, rehabilitimin e fasadave të shtëpive në Tushemisht, infrastrukturë (ndriçim, kanalizime etj) në Drilon dhe Tushemisht, mole ne liqen dhe ura në Drilon.
“Ndërkohë janë kryer dhe shumë punime mbështetëse për ta bërë zonën funksionale si zhvendosja totale e rrugës për në doganën e Tushemishtit, rrugë e re për parkimet etj”, shtoi Vesho.
Shtëpitë, rrugët e mjediset e Tushemishtit janë të përjetësuara nëpër skenat e dy filmave të njohur shqiptarë, që janë xhiruar atje: “Zonja nga qyteti” dhe “Një shoqe nga fshati”.
Për të përjetësuar këtë fakt dhe për ta nderuar aktoren e madhe, Violeta Manushi – Teta Ollgën, kryepersonazhin e këtyre filmave, në sheshin e fshatit, pranë një burimi, ruhet shtëpia dhe është ngritur shtatorja e aktores së njohur.
Ky shesh, me shtatoren e veçantë të aktores tashmë është një pikë referimi për turistët e shumtë.
Bregu i liqenit, burimet e ujit, klima e shëndetshme, kanë krijuar kushte shumë të mira për zhvillimin e turizmit në Tushemisht.
/k.s/j.p/
The post Drilon-Tushemisht, infrastruktura e re zgjeron potencialin turistik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.