TIRANË, 19 gusht /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, INSTAT përllogarit si eksporte mallrat që kalojnë transit për në Kosovë.
Berisha e cilësoi këtë si një mashtrim publik. “Mashtrimi publik përbën krim në ligjet e vendit dhe në ligjet e çdo shteti, është angazhuar me forcën më të madhe Instituti i Statistikave. INSTAT, dhe jo vetëm ai, i kanë lejuar vetes të mashtrojnë, të gënjejnë, t’u paraqesin shqiptarëve një realitet të kundërt nga ai që është në raport me një sektor jetik të ekonomisë siç janë eksportet”, tha Berisha në një konferencë për shtyp.
“Eksportet, për shkak të narkoeuros, shkaku madhor dhe më përcaktues është fluksi i miliarda, miliarda eurove me kontejnerë, me mikrobusa, me autobusa dhe mjete të tjera i karteleve të drogës që hyjnë në Shqipëri”, theksoi kreu i PD.
Sipas tij, “ky fluks ka rrëzuar përtokë euron në Shqipëri. Ky fluks ka zhvlerësuar euron në raportin me vitin 2014, 35 përqind. Ky fluks, ndërmarrjet që punojnë me euro dhe që janë që të gjitha ndërmarrjet e eksportit, i ka goditur në mënyrë fatale”.
Berisha shtoi se, “është shumë, shumë vështirë të ketë një ndërmarrje eksporti, për të mos thënë e pamundur, me një fitim 30 apo 35 përqind”.
Kjo, sipas tij, ka bërë që eksporti të ketë rënie të vazhdueshme.
“Ka pasur raste nga një vit në vitin tjetër të zbresë në 32 përqind. Kjo zbritje vazhdon”, tha ai.
Berisha theksoi se “Instituti i Statistikave ka fshehur këtë dramë të madhe të ekonomisë shqiptare, të shkaktuar nga narkoeuro”.
“Falimentimi i qindra dhe mijëra sipërmarrjeve të eksportit do të thotë humbja e dhjetëra mijëra vendeve të punës”, shtoi kreu i PD.
Kjo rënie dramatike, u shpreh ai, “ka sjellë shpunësimin dramatik të shqiptarëve dhe largimin nga Shqipëria”.
Berisha u shpreh se ekspertët quajnë eksporte mallrat transit që nga Durrësi kalojnë në Kosovë, që janë importe të mirëfillta të Kosovës.
Pra, shtoi ai, “importet e Kosovës, naftë në radhë të parë, por edhe importe të tjera, të cilat shkarkohen në Durrës për t’u transportuar me korridorin rrugor drejt Kosovës, Edi Rama dhe instituti i tij i turpshëm, i shpall ri-eksporte”.
“Në botë, kjo është e para herë që dëgjohet. Domethënë rritet importet në Kosovë, ato shndërrohen në eksporte për Shqipëri”, tha berisha.
Berisha u shpreh se “kjo është identike me skemën e turistëve të Rinasit. Vijnë nga rajoni për të marrë linjat e lira, Easyjet apo Ryanair, dhe këta Edi Rama i regjistron turistë, paçka se ata maksimumi mund të pinë një kafe diku në aeroport apo jashtë tij dhe as nuk flenë dhe as shpenzojnë asgjë, thjesht shkojnë në destinacionet që u garantojnë linjat e lira ajrore”.
Berisha shtoi se, “statistikat e INSTAT-it janë statistika që në mirëbesim citohen nga EUROSTAT-i”.
Berisha nënvizoi se, “me këtë akt, Edi Rama kërkon të mbulojë me çdo kusht instalimin e narkoekonomisë në narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë. Narkoekonomia në Shqipëri është zhvillimi më dramatik i narkoshtetit. Është pikërisht narkoekonomia, ajo që ka sjellë rënie progresive të pandalshme në 3 vitet e fundit të prodhimit të përgjithshëm industrial, të prodhimit të përgjithshëm bujqësor dhe në veçanti të eksporteve të vendit”.
“Ekonomia shqiptare bazohet kryekëput në narkondërtimin, i cili është tre herë më i lartë në tregues se sa mesatarja e ndërtimit në BE dhe është me distancë më i larti në Europë”, tha më tej Berisha.
Pra, shtoi ai, “të mashtrosh me eksportet, të cilat po t’u zbresësh importet e Kosovës, që Edi Rama me ministrin e tij të financave dhe institutin e tyre, i llogarisin si ri-eksporte të Shqipërisë…Ri-eksporti është kategori krejt tjetër. Ai është transit. Shkarkohet në Porto Romano nafta dhe nga cisternat e Porto Romanos kalon me autobote në Prishtinë. Ky është një akt i paprecedent”.
/gj.m//a.f/
The post Berisha: INSTAT-i përllogarit si eksporte mallrat që kalojnë transit për në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.