Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 August 2025Main stream

Kredi të garantuara, por grante të pezulluara për diasporën

23 August 2025 at 15:36

Diaspora e Kosovës shihet si një burim i madh kapitali për zhvillimin ekonomik të vendit. Megjithatë, Dritarja e Investimeve, e krijuar për t’i mbështetur investimet e saj, po përballet njëkohësisht me histori suksesi dhe me sfida të dukshme.

Kompania ReachteQ LLC në Kosovë është një nga 19 bizneset e diasporës që kanë përfituar mbështetje nga Dritarja për Investimet e Diasporës, shkruan Evropa e Lirë.

Kjo nismë, e lansuar në korrik të vitit 2024, nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) dhe Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), ka për qëllim nxitjen e investimeve të diasporës në vend.

Erblin Lekaj, bashkëthemelues i kompanisë, i rritur në Gjermani, thotë se Dritarja për Investimet e Diasporës ka qenë vendimtare për zhvillimin dhe ngritjen e biznesit të tij prodhues, të nisur pak më shumë se një vit më parë.

Kompania e tij merret me dizajnimin, prodhimin dhe shitjen e veglave që garantojnë kushte më të sigurta pune në sektorin e ndërtimtarisë.

Falë garancisë së FKGK-së, Lekaj thotë se kompania e tij ka siguruar një kredi trevjeçare në një bankë komerciale në Kosovë, pa pasur nevojë të vendosë kapital privat si garanci.

“Ne kemi një zyrë në Prishtinë, por kemi një kompani partnere prodhuese në Kosovë dhe kemi rritur kapacitetet. Nga muaji tetor do të shtojmë edhe sasinë e prodhimit, ndërsa kompania planifikon ta zgjerojë fabrikën dhe ta rrisë numrin e punëtorëve, në mënyrë që veglat t’i eksportojmë në Gjermani”, thotë Lekaj për Radion Evropa e Lirë.

Pas rritjes së aktivitetit biznesor, Lekaj tregon se muajin e kaluar është kthyer bashkë me familjen e tij për të jetuar në Kosovë.

Përveç kompanisë së tij, edhe 18 biznese të tjera të themeluara nga mërgimtarët kosovarë janë mbështetur me 22 kredi të miratuara nga Dritarja për Investimet e Diasporës.

Deri më tash, sipas FKGK-së, kanë përfituar 19 kompani me vlerë totale të kredive prej 3.8 milionë eurosh, nga të cilat 2.8 milionë janë garantuar nga Fondi.

Investimet më të mëdha janë realizuar në sektorin e akomodimit dhe shërbimeve ushqimore – 1.5 milion euro – pasuar nga industria e prodhimit me 1.2 milion euro.

Në sektorët e tjerë – tregti me shumicë e pakicë, ndërtimtari, aktivitete administrative dhe shërbime të tjera – investimet kanë qenë nën 500 mijë euro secili.

“Kjo iniciativë tregon për potencialin e jashtëzakonshëm që diaspora ka në forcimin e zhvillimit ekonomik të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e FKGK-së për Radion Evropa e Lirë.

Fondi fillestar i zotuar ishte 10 milionë euro: tetë milionë nga Qeveria e Kosovës dhe dy milionë nga FKGK-ja.

Deri më tani, Qeveria ka transferuar tre milionë euro të kontributit të saj, ndërsa FKGK-ja, si zbatuese e projektit, ka ndarë dy milionë euro, duke krijuar një kapital prej pesë milionësh për të mbështetur aktivitetet garantuese.

Pjesa e dytë e fondeve të zotuara nga Qeveria, në vlerë prej pesë milionë eurosh, thonë nga FKGK-ja, do të disbursohet në varësi të nivelit të shfrytëzimit të pjesës së parë të kapitalit, pasi Fondi do të vazhdojë të garantojë kreditë për të gjithë ata që janë të interesuar dhe plotësojnë kriteret e kërkuara.

Dedushaj: Interesim i ulët i diasporës për investime në Kosovë

Naim Dedushaj, nga Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Diasporë, thotë se interesimi nga investitorët e diasporës është i ulët, fillimisht për shkak të situatës globale, por edhe mungesës së koordinimit mes institucioneve të Kosovës për të lehtësuar qasjen në projekt.

Sipas tij, kërkesat për shumë dokumente dhe mungesa e informacioneve të qarta për këtë proces kanë bërë që bizneset të hezitojnë.

Lidhja e Bizneseve Shqiptare të Diasporës operon në 25 shtete me mbi 10 mijë biznese anëtare, por Dedushaj thotë se nuk ka raport zyrtar që ndonjë kompani anëtare të ketë përfituar nga kjo dritare.

“Për shembull, shumë banka nuk kanë ditur t’ua shpjegojnë qartë investitorëve të diasporës procedurat e nevojshme, duke u dhënë kërkesa të përgjithshme e jo specifike. Unë vetë i kam telefonuar disa banka dhe nuk i kam kuptuar saktë kërkesat. Dhe, për këtë arsye, nuk kam mundur ta përcjell informacionin tek investitorët e diasporës”, thotë Dedushaj për Radion Evropa e Lirë.

Lekaj pranon se është përballur me probleme të këtij lloji, por, sipas tij, ato kanë qenë të dukshme vetëm në fazën fillestare të zbatimit të projektit.

Nga FKGK-ja thonë se, vetëm dy muaj pas lansimit, në shtator të 2024-ës, Fondi ka organizuar trajnime informuese për stafin e bankave, i cili do të merrej direkt me klientët e projektit.

“Ne vazhdimësi, Fondi mban trajnime/sesione informuese për stafin e bankave”, thuhet në përgjigje.

Por, Lirim Krasniqi, analist i politikave në organizatën Germin, që merret me çështje të diasporës, thotë se rezultatet e këtij projekti nuk janë të kënaqshme.

Sipas tij, programi madje nuk është as transparent.

“Për të vlerësuar ndikimin, duhet të publikohen statistika të qarta: numri i aplikimeve, fondet e garantuara, bizneset e themeluara dhe vendet e krijuara të punës. Në mungesë të transparencës, ekziston rreziku i shtimit të mosbesimit dhe pasigurisë”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Për të gjitha këto pyetje, Radio Evropa e Lirë iu drejtua Ministrinë në detyrë të Financave, por, as pas më shumë se një jave, nuk mori përgjigje.

Shuhet USAID-i, shuhen grantet

Krasniqi, madje, dyshon se mbyllja e aktiviteteve të USAID-it ka ndikuar që mërgimtarët të jenë më të rezervuar për të investuar në Kosovë, pasi fushata informuese është mbështetur prej kësaj agjencie.

USAID-i, po ashtu, synonte t’i mbështeste investitorët e diasporës përmes granteve dhe shërbimeve këshilluese.

Bizneset që përfituan kredi të garantuara nga FKGK-ja, ishin gjithashtu të kualifikuara për grante nga kjo agjenci.

Afati për aplikim ishte nga gushti i vitit të kaluar deri më 31 korrik, 2025.

Por, me vendim të presidentit amerikan, Donald Trump, shumica e aktiviteteve të USAID-it – që në Kosovë ka investuar mbi një miliard euro – janë pezulluar në fillim të këtij viti.

Lekaj thotë se nuk ka pasur mundësi të aplikojë për grante nga kjo agjenci.

“Kur morëm kredinë, agjencia ishte mbyllur. Ky ishte një problem, sepse pas miratimit të kredisë, llogarisnim në grantin e USAID-it, por nuk arritëm të aplikojmë”, thotë ai.

Kriteret për aplikantët kanë qenë që të sigurojnë financim nga një bankë dhe të dorëzojnë kontratën e kredisë së garantuar nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore.

Shuma e granteve, sipas njoftimit për mundësi financimi të USAID-it, ka qenë nga pesë mijë deri në 30 mijë euro.

Përdorimi i këtij fondi ishte paraparë për trajnim të stafit, shërbime marketingu, blerje të makinerive e të tjera.

Por, me mbylljen e USAID-it, pjesa e grantit nuk aplikohet më, thonë në FKGK.

Sipas të dhënave të regjistrimit të fundit të popullsisë, të realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në vitin 2024, në diasporë jetojnë rreth 550 mijë njerëz me prejardhje nga Kosova.

Diaspora e Kosovës, ndër vite, ka luajtur rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit përmes remitencave, investimeve në patundshmëri dhe shpenzimeve që bën gjatë pushimeve në Kosovë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se, vitin e kaluar, remitencat arritën në mbi 1.3 miliard euro, kurse në periudhën janar-qershor të këtij viti ishin mbi 651 mijë euro.

Investimet direkte në Kosovë në vitin 2024 ishin 850 mijë euro, ndërsa në pesë muajt e parë të këtij viti arritën në 365 mijë euro.

Vlera më e madhe e investimeve është në sektorin e patundshmërive, rreth 277 milionë euro, ku diaspora vlerësohet se ka primatin.

 

The post Kredi të garantuara, por grante të pezulluara për diasporën appeared first on Telegrafi.

Murati i kundërpërgjigjet Tahirit: Gjatë kohës sime si ministër pensionet për kategoritë e luftës i rritëm me 20%, kur udhëhoqi PAN janë rritur 0 euro

23 August 2025 at 13:55

Ministri në detyrë i Financave, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati i është kundërpërgjigjur deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri i cili deklaroi se  LVV ka propozuar kandidatë për kryetar të Kuvendit që mbajnë rekord të zi ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ku u përmend edhe emri i Muratit.

Tahiri ndër të tjera shkroi se i ka përjashtuar nga paga minimale tri kategoritë më të lavdishme të shoqërisë: veteranët e UÇK-së, familjet e dëshmorëve si dhe invalidët e UÇK-së.

E lidhur me këtë ka reaguar Murati.

Ministri Murati në një postim në Facebook shkruan se herën e fundit kur PDK ka qeverisur me vendin, me koalicionin PAN gjatë 2017–2020, pensionet për veteranët, familjet e dëshmorëve, dhe invalidët e luftës janë rritur 0 euro.

“Herën e parafundit kur PDK ka qeverisur me vendin, në koalicion me LDK gjatë 2014-2017, e kishte fshirë nenin 18 të ligjit që e lidhte pensionin e veteranit me pagën minimale. Kjo kërkesë kishte ardhur nga FMN-ja, pasi listat e veteranëve kishin filluar të mbusheshin edhe me ata që nuk i plotësonin kriteret, dhe kjo rrezikonte eskalim të kostos deri aty sa mund ta rrezikonte stabilitetin financiar”, shkruan Murati.

Sipas tij, pensionet për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës asnjëherë s’kanë qenë të lidhura me pagën minimale, por kjo sipas tij e dëshmon se sa pak di Abelard Tahiri për këtë temë.

“Gjatë kohës time si ministër, pensionet për kategoritë e luftës janë rritur për së paku 20%. Gjithashtu, gjatë kohës time si ministër është 4-fishuar buxheti i FSK-së, duke arritur për herë të parë të përmbushim kriterin e NATO-s prej 2% të BPV-së. Këto janë faktet”, shkruan Murati. /Telegrafi/

The post Murati i kundërpërgjigjet Tahirit: Gjatë kohës sime si ministër pensionet për kategoritë e luftës i rritëm me 20%, kur udhëhoqi PAN janë rritur 0 euro appeared first on Telegrafi.

Vidhte gjësende dhe më pas ia shiti dy të dyshuarve, Policia jep detaje të rastit në Ferizaj  

23 August 2025 at 13:15

Policia e Kosovës bën të ditur se Njësia e hetimeve pas një pune intensive në terren ka arritur që ta identifikojë dhe të arrestojë të dyshuarin mashkull kosovar, nën dyshimin për kryerjen e disa veprave penale të ‘vjedhjeve’ në Ferizaj.

Në raportin policor bëhet e ditur se gjatë intervistimit i dyshuari ka deklaruar se senet e vjedhura ua kishte shitur dy të dyshuarve meshkuj kosovarë dhe të njëjtit janë intervistuar për kryerjen e veprës penale te lartcekur.

“Lidhur me rastin janë siguruar prova dhe janë sekuestruar sendet e vjedhura dhe janë deponuar në dhomën e dëshmive deri te dorëzimi i pronarëve të ligjshëm”, thuhet në raport.

Me aktvendim të prokurorit kujdestar i dyshuari për veprën penale “Vjedhje” është ndaluar në qendrën e mbajtjes, ndërsa dy të dyshuarit tjerë janë liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/

The post Vidhte gjësende dhe më pas ia shiti dy të dyshuarve, Policia jep detaje të rastit në Ferizaj   appeared first on Telegrafi.

Qëlluan me kallashnikov në mes të kryqëzimit në Kombinat, kush janë e arrestuarit?

23 August 2025 at 11:44

Policia e Tiranës ka arrestuar Oltjon Asllani (Vodollari), 28 vjeç, dhe Serxho Bajza, 30 vjeç, si autorët e dyshuar të ngjarjes së rëndë të ndodhur të premten në zonën e Kombinatit, ku u raportua për të shtëna mes dy automjeteve në lëvizje.

Nga hetimet dhe pamjet e siguruara, rezulton se Asllani është autori kryesor, i cili nxori një armë automatike kallashnikov nga xhami i makinës dhe qëlloi disa herë drejt një automjeti tjetër në një kryqëzim të zonës. Automjeti i shënjestruar u largua me shpejtësi, ndërsa në vendngjarje mbetën gëzhoja të shumta, raporton euronews.al

Bajza, bashkëpunëtori i Asllanit, ishte në timon të automjetit dhe shërbente si shofer gjatë ngjarjes.

Ngjarja ndodhi pas një konflikti për motive të dobëta mes dy grupeve, ku autori kërcënoi seriozisht jetën e dy personave të tjerë, R. K., 38 vjeç, dhe Zh. K., të cilët ndodheshin në mjetin e shënjestruar.

Mes dy grupeve më herët raportohet se ka ndodhur një konflikt për motive të dobëta që degjeneroi në përdorimin e armës.

Policia ka sekuestruar automjetin e përdorur nga autorët dhe vijon kërkimin për armën e zjarrit. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk pati të lënduar, vetëm dëme materiale.

Në vijim të hetimeve, janë proceduar penalisht edhe shtetasit R. K., Zh. K., F. K. dhe B. M., të cilët dyshohet se ishin të përfshirë në konfliktin paraprak me autorët.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore. /Telegrafi/

The post Qëlluan me kallashnikov në mes të kryqëzimit në Kombinat, kush janë e arrestuarit? appeared first on Telegrafi.

Dy të lënduar në Prishtinë nga një mjet i mprehtë, dërgohen për trajtim mjekësor

23 August 2025 at 11:38

Dy persona janë lënduar në Prishtinë nga një mjet i mprehtë dhe të njëjtit janë dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Lajmin për Telegrafin e konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.

“Rreth orës 03:30, kemi pranuar informatën për dy persona të lënduar, në rrugën Ahmet Krasniqi në Prishtinë. Viktimat dyshohet që janë lënduar nga një mjet i mprehtë dhe të njëjtit janë dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, tha ai.

Pllana tutje njoftoi se aktualisht po vijon puna hetimore, për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. /Telegrafi/

 

The post Dy të lënduar në Prishtinë nga një mjet i mprehtë, dërgohen për trajtim mjekësor appeared first on Telegrafi.

Ngërçi politik, Krasniqi: Mandatet duhet t’i kthehen popullit, para se vendi të shkojë në zgjedhje partitë duhet të bien dakord për disa çështje

23 August 2025 at 09:56

Edhe gjashtë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare vendi është pa institucione të reja, të dala nga zgjedhjet e 8 shkurtit.

Procesi i konstitutimit të Kuvendit të Kosovës ka mbetur në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Derisa Lëvizja Vetëvendosje për disa javë radhazi ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, dhe më pas edhe Donika Gërvallën dhe së fundi edhe Hekuran Murati, nga PDK, LDK dhe AAK thonë se janë emra të papranueshëm dhe nuk janë unifikues.

Së fundit nga PDK theksuan se janë mbi 35 emra nga LVV që do t’i votonin për kryetar të Kuvendit, por jo ata që kanë qenë pjesë e kabinetit qeveritar të Kurtit si dhe Mimoza Kusarin.

Edhe nga AAK kanë deklaruar se disa emra të LVV do t’i votonin për kryetar të Kuvendit, gjersa nga LDK kanë deklaruar se nuk do të votojnë asnjë emër nga LVV për kryetar të Kuvendit pa një marrëveshje politike.

E lidhur me ngërçin politik që ka zgjatuar që disa muaj ka shkruar Albert Krasniqi nga Demokracia Plus.

Krasniqi në një postim në Facebook shkruan se pasi askush nuk ka arritur të krijojë një shumicë parlamentare edhe gjashtë muaj pas zgjedhjeve, mandatet duhet t’i kthehen popullit.

Por, sipas tij, para se vendi të shkojë në zgjedhje të reja, partitë politike duhet të bien dakord mbi disa çështje themelore që do të shmangin bllokadat e së ardhmes dhe do të garantojnë funksionalitetin institucional.

Këto janë disa nga çështjet që sipas Krasniqit duhet të bien dakord parakusht partitë politike:

Konstituimi i Kuvendit – të zgjidhet një kandidat konsensual për Kryetar të Kuvendit, i cili nuk vjen nga partitë kryesore politike;

Ndryshime kushtetuese për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit – të mundësohet një garë me më shumë kandidatë dhe sistem dy raundesh, duke ndjekur modelet e Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut, për të shmangur bllokadat e ngjashme në të ardhmen;

Zgjedhja e Presidentit nga populli – megjithëse shpesh shihet si një ushtrim i panevojshëm demokratik, votimi i drejtpërdrejtë rrit stabilitetin institucional dhe e lehtëson procesin e formimit të koalicioneve paszgjedhore;

Ndryshime në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme – të reduktohet numri i votave preferenciale nga 10 në 3, të rikthehet numërimi i votave në vendvotime dhe të adresohen problemet e krijuara nga ndryshimet e fundit;

Opsionalisht, reformim i zgjedhjeve lokale – të shqyrtohet mundësia që zgjedhjet për kryetarë komunash të zhvillohen në vetëm një raund (fiton kandidati i renditur i pari) dhe të ulet numri i nënshkrimeve të nevojshme për shkarkimin e tyre. /Telegrafi/

The post Ngërçi politik, Krasniqi: Mandatet duhet t’i kthehen popullit, para se vendi të shkojë në zgjedhje partitë duhet të bien dakord për disa çështje appeared first on Telegrafi.

Goditet për vdekje një këmbësor në Kllokot

23 August 2025 at 09:33

Policia e Kosovës ka njoftuar për një aksident me fatalitet në Kllokot.

Në raportin policor bëhet e ditur se aksidenti ka ndodhur të premten në ora 16:15.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi i njëjti derisa ishte duke drejtuar veturën, dyshohet nga pakujdesia ka shkaktuar aksidentin duke goditur viktimën mashkull kosovar-këmbësor, i cili ishte duke kaluar rrugën. Si pasojë viktima ka pësuar lëndime dhe është dërguar në QE-Gjilan, por për shkak të lëndimeve ka ndërruar jetë.”, thuhet në raport.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

The post Goditet për vdekje një këmbësor në Kllokot appeared first on Telegrafi.

Yesterday — 22 August 2025Main stream

Gërvalla: Të maten mirë, historia mund të tregojë se kur kam kontribuar unë për luftën, disa të tjerë kanë qenë duke pirë qumësht

22 August 2025 at 14:56

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla nga radhët e Listës Guxo është deklaruar sot lidhur me raportimet e mëhershme në media se është dëshmitare në Hagë.

Ajo theksoi se është fushatë që bëhet për denigrimin dhe baltosjen e personalitetit të saj.

“…Nuk jam dëshmitare e Hagës…Pyetni avokatët e të akuzuarve në Hagë se ku figuron emri im, në cilën dëshmi figuron emri im… Është keq kur fushatën kundër një ministri e bazon në gënjeshtra… Sot e tutje do të marr hapa ligjor kundër secilit që pretendon publikisht se unë kam dërguar dëshmi në Hagë ose jam dëshmitare…Ndoshta nuk e kanë ditur në fillim të procesit, por sot gjithkush e dinë sepse trajtimi i dëshmive nga ana e akuzës ka përfunduar”, tha Gërvalla.

Ajo po ashtu foli edhe për kontributin e saj në luftën çlirimtare.

“Edhe diçka të gjithë ata që më sulmojnë në publik si anti-UÇK duhet të maten fort mirë, sepse mund t’ju dalë që historia të tregojë se kur unë kam kontribuar në luftën çlirimtare si person dhe strukturë disa të tjerë ende kanë qenë duke pirë qumësht”, shtoi Gërvalla. /Telegrafi/

The post Gërvalla: Të maten mirë, historia mund të tregojë se kur kam kontribuar unë për luftën, disa të tjerë kanë qenë duke pirë qumësht appeared first on Telegrafi.

Krasniqi: PDK nuk i voton për kryetar të Kuvendit anëtarët e kabinetit qeveritar dhe Mimoza Kusarin

22 August 2025 at 11:43

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se Lëvizja Vetëvendosje propozoi një kandidat për kryetar të Kuvendit, për të cilin e kanë ditur se nuk i kanë votat.

Krasniqi tha PDK sërish e bën të qartë se nuk voton asnjë nga anëtarët e kabinetit Kurtit 2 si dhe shefen e Grupit parlamentar, Mimoza Kusari, raporton Telegrafi.

“Janë edhe 35 kandidatë tjerë që i ka LVV e që po të hidheshin në votim ndoshta sot do ta kishim të zgjedhur edhe kryetarin, kryesinë e konstituimin e Kuvendit”, tha ai. /Telegrafi/

The post Krasniqi: PDK nuk i voton për kryetar të Kuvendit anëtarët e kabinetit qeveritar dhe Mimoza Kusarin appeared first on Telegrafi.

I kërkuar me gjashtë urdhëresa gjykate, arrestohet 30-vjeçari në Prishtinë

22 August 2025 at 09:52

Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit bën të ditur se është arrestuar R.G 30 vjeçar, i kërkuar me gjashtë urdhërarreste nga Gjykata.

Në njoftimin për media thuhet se Policia po vazhdon ndërmarrjen e  veprimeve policore me qëllim kapjen e personave të dyshuar dhe atyre të dënuar si autor të veprave penale.

“Në kontekstin e kësaj në një operacion të befasishëm që ndërmorën njësitë e stacionit policor Qendra dhe Njësia e Reagimit të Shpejt është arritur arrestimi i personit  R.G, mashkull, 30 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i kërkuar me gjashtë urdhërarreste nga Gjykata dhe tri kërkime policore për veprat penale ‘Tentim vrasje e rëndë’, ‘Grabitje’, ‘Kanosje’, ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, ‘Lëndim i rëndë trupor’”, thuhet në njoftim.

I njëjti pas arrestimit nga ana e policisë është dërguar në vuajtje të dënimit. /Telegrafi/

 

The post I kërkuar me gjashtë urdhëresa gjykate, arrestohet 30-vjeçari në Prishtinë appeared first on Telegrafi.

Lista Serbe e cilëson “të paligjshëm” vendimin e KQZ-së për moscertifikim

22 August 2025 at 09:39

Lista Serbe tha se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e saj për zgjedhjet lokale të tetorit, është “i paligjshëm dhe diskriminues” i kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, në një konferencë për media më 22 gusht tha se megjithëse Zyra për partitë politike rekomandoi certifikimin, KQZ-ja vendosi që ta refuzonte këtë rekomandim, shkruan Evropa e Lirë.

“Është e qartë se Kurti dhe anëtari i tij në KQZ, para së gjithash mendoj për Alban Krasniqin, bashkëshortin e [ministres në detyrë të Drejtësisë] Albulena Haxhiut, nuk mund t’ia falin Listës Serbe faktin që ajo nuk u zgjodh në pozitën e kryetares së Kuvendit të Kosovës”, tha ai.

“Ky reagim i Albin Kurtit është, para së gjithash, për të fituar pikë të lira politike. Ne do të ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore që janë të nevojshme, me qëllim që para së gjithash të sigurojmë certifikimin e të gjithë kandidatëve, si për kryetarë komunash, ashtu edhe për asamblistë”, shtoi Ellek.

Sipas Ellekut, sa i përket përfaqësimit politik të serbëve në Kosovë, në njërën anë është partia e tij, ndërkaq në anën tjetër janë “disa parti kuazi-serbe që i mban Albin Kurti”, duke shtuar se me moscertifimin e Listës Serbe, Kurti “dëshiron ta ndajë trupin politik serb”.

Igor Simiq nga Lista Serbe tha se ankesa ndaj vendimit të KQZ-së është shkruar dhe pas konferencës për media do t’i dërgohet Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

“Bashkë me ankesën do t’i bashkëngjisim të gjitha dëshmitë që flasin në favor të faktit se kandidatët e Listës Serbe për kryetarë komunash dhe asamblistë i kanë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për t’u vendosur në fletëvotimet në të cilat qytetarët do të votojnë në tetor të këtij viti”, tha Simiq.

Simiq ka thënë gjithashtu se “deklaratat anemike” të bashkësisë ndërkombëtare nuk po japin rezultat, sikurse edhe reagimi i të ngarkuarës me punë të Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Çfarë ndodhi gjatë mbledhjes së KQZ-së?

Gjatë mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve më 21 gusht, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës abstenuan.

Për certifikimin e Listës Serbe votuan vetëm anëtarja e kësaj partie, Gordana Llaban dhe kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Lista Serbe mund të ankohet ndaj këtij vendimi në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili, sipas disa ekspertëve ligjorë, do ta rrëzojë vendimin e KQZ-së.

PZAP-i e kishte rrëzuar një vendim të ngjashëm të KQZ-së për zgjedhjet parlamentare, duke ia mundësuar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Zyra e Partive Politike në KQZ – që ka për obligim shqyrtimin e aplikimeve të partive politike dhe kandidatëve të tyre për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje – rekomandoi certifikimin e Listës Serbe.

Anëtarët e LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi ishin të zëshëm kundër certifikimit të Listës Serbe, duke argumentuar se ka eksponentë që janë pjesë edhe e strukturave paralele serbe, por e cilësuan këtë parti edhe si “dorë e zgjatur” e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Kosovë.

Kurteshi tha se “90 për qind të personave që janë në listat e kandidatëve të Listës Serbe janë të anëtarësuar në institucione paralele serbe në Kosovë”.

Ai e kundërshtoi kandidaturën e Sasha Millosheviqit për kryetar të Novobërdës duke thënë se ai ishte emëruar nga Qeveria serbe për kryetar të komunës së Gjilanit, komunë kjo paralele serbe.

Millosheviq ishte emëruar për kryetar të Gjilanit nga Qeveria serbe më 27 shkurt 2020, si “kryetar i Organit të Përkohshëm të Komunës së Gjilanit”.

Por, Qeveria e Serbisë, më 7 gusht, mori mbi 20 vendime kadrovike për emërimin dhe shkarkimin e zyrtarëve të institucioneve, mes tyre edhe disa që kanë qenë në krye të organeve të përkohshme për komunat në Kosovë.

Ajo nuk dha arsye për këto shkarkime, në mesin e të cilëve ishin edhe Sasha Millosheiq, Zoran Todiq nga Leposaviqi, Novak Zhiviq i ngarkuar për komunën e Prishtinës, Goran Dançetoviq, kryetar i komunës së Obiliqit, Bozhidar Dejanoviq nga Vitia, etj.

Vendimi i KQZ-së u kundërshtua nga Serbia. Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq tha se ky vendim ishte “shembull flagrant i inxhinierisë politike që synon përjashtimin e popullit serb nga jeta demokratike”.

Disa orë para mbajtjes së mbledhjes së KQZ-së të enjten, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, ia shprehu kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, shqetësimin e Shteteve të Bashkuara nga çdo përpjekje për t’ua kufizuar partive serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të tetorit.

Zyrtarja amerikane tha se është shumë e rëndësishme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje, duke shtuar se “jemi të shqetësuar për çdo përpjekje që ua kufizon këtë mundësi”.

Më vonë, zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk është hera e parë që Kurti diskuton me Prattipatin për këtë çështje, duke shtuar se qëndrimi i Kurtit dhe partisë së tij, LVV-së, për Listën Serbe dihet.

“Strukturat paralele dhe ilegale të Serbisë e përdorin Listën Serbe si platformë në Kosovë. Serbët e Kosovës nuk duhet ta kenë dhe nuk mund ta kenë vetëm një parti politike”, theksoi ai.

Në listën e subjekteve politike të certifikuara, e publikuar në ueb-sajtin e KQZ-së, nuk është as partia Demokracia Serbe (Srpska Demokratija) e Aleksandar Arsenijeviqit.

Arsenijeviq kërkohet nga autoritetet kosovare, pasi policia gjeti armë në një pronë të tij në veri të vendit gjatë një bastisjeje në qershor.

Ministri në detyrë Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në qershor se organet e rendit dhe drejtësisë janë në kërkim Arsenijeviqit, i cili nuk ndodhet në Kosovë.

LVV-ja e kishte kundërshtuar pjesëmarrjen e Listës Serbe edhe në zgjedhjet e shkurtit dhe KQZ-ja kishte marrë vendim për moscertifikim.

Megjithatë, pas ankesave në instancat më të larta, Lista Serbe mori pjesë në zgjedhje dhe fitoi nënë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Lista Serbe vendosi të garojë në zgjedhjet e sivjetshme lokale, pasi kishte bojkotuar zgjedhjet e kaluara lokale, duke bërë që kryetarët shqiptarë ta merrnin dhe mbanin pushtetin në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit nga maji i vitit 2023.

Nëse certifikohet, Lista Serbe pritet t’i rimarrë të gjitha katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Lista Serbe ishte në pushtet në të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë deri në nëntor të vitit 2022, kur mori vendim për t’u larguar nga institucionet në veri, për shkak të një kërkese të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me ato të Kosovës.

 

The post Lista Serbe e cilëson “të paligjshëm” vendimin e KQZ-së për moscertifikim appeared first on Telegrafi.

Sot vazhdimi i seancës konstituive, a do të jetë skenari i njëjtë?

22 August 2025 at 07:41

Sot do të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Vazhdimi i 56-të i seancës është paraparë të nisë në ora 11:00.

Në seancën e kaluar Lëvizja Vetëvendosje vendosi dy emra për pozitën e kryetarit të Kuvendit, por që nuk morën numrin e mjaftueshëm të votave. Fillimisht u propozua Albulena Haxhiu, e cila ishte kandidate që nga fillimi, ndërkaq më pas Donika Gërvalla.

Ndryshe, një ditë më parë, ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu në një analizë për ngërçin politik në vend vlerësoi se raporti i forcave politike në Kuvend është 60 me 60 dhe sipas tij asnjëra palë nuk ka vullnet që të formojë qeverinë.

Kryeziu në një postim në Facebook shkruan se për bllokadën në procesin e konstituimit të Kuvendit po njësoj fajtor janë si Vetëvendosje në njërën anë dhe PDK, LDK dhe AAK në anën tjetër.

“E para, është shumë e qartë që, në variantin më optimist, raporti i forcave në Kuvend është 60 me 60. Dhe e dyta, më e rëndësishmja, asnjëra palë nuk ka vullnet dhe as dëshirë që të provojë të formojë qeverinë. Të dyja palët e dinë që zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme, sepse nuk ekziston vullnet për bashkëpunim në zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës. Dështimi për ta zgjedhur Presidentin, vendin e çon automatikisht në zgjedhje. Pra, askush nuk do që të qeverisë për vetëm disa muaj”, shkruan ai. /Telegrafi/

The post Sot vazhdimi i seancës konstituive, a do të jetë skenari i njëjtë? appeared first on Telegrafi.

Mot me shi dhe shtrëngata në Shqipëri

22 August 2025 at 07:23

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se Shqipëria të premten do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura, në orët e pasdites mot me vranësira të pakta kryesisht në veri të vendit.

Reshjet e shiut parashikohen të jenë prezentë që në orët e para të 24-orëshit, fillimisht në veriperëndim e gradualisht do të shtrihen në pjesën tjetër të vendit.

Reshjet do të jenë me intensitet të ulët deri mesatar, lokalisht shtrëngata afatshkurtra.

Në veriperëndim – perëndim dhe pjesërisht në qendër (qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës dhe Tiranë) reshjet parashikohen të jenë me intensitet mesatar deri të lartë, hera-herës reshje në formën e shtrëngatave dhe stuhive shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe lokalisht breshër deri në orët e mëngjesit.

“Gjatë ditës reshjet e shiut do të mbeten prezentë të herëpashershme në pjesën më të madhe të vendit por me intensitet të ulët deri mesatar. Gradualisht pas orëve të mesditës reshjet e shiut humbasin intensitet, duke mbetur prezentë të herëpashershme por me intensitet të ulët. Në mbrëmje ndërprerje të reshjeve”, thuhet në njoftim.

Era do të fryjë me drejtim juglindje – jugperëndim me shpejtësi mesatare 8 m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare hera-herës do të fitojë shpejtësi deri në 20 m/s.

Deti – Valëzimi forcës 4-5 ballë. /Telegrafi/

 

The post Mot me shi dhe shtrëngata në Shqipëri appeared first on Telegrafi.

Sot mot me shi dhe erëra lokalisht të forta nga veriperëndimi

22 August 2025 at 07:09

Instituti Hidrometërlogjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot me vranësira të shpërndara.

IHK njofton se vranësirat në pjesën e dytë parashihen të dendësohen duke krijuar kushte që vende-vende të shoqërohen me reshje shiu dhe shkarkime rrufesh.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13-17°C, ndërkaq maksimalet e ditës nga 29-33 gradë Celsius.

Era do të fryjë e lehtë dhe lokalisht e forte nga veriperëndimi. /Telegrafi/

The post Sot mot me shi dhe erëra lokalisht të forta nga veriperëndimi appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

U kap me 500 mijë euro drogë, lihet në burg 61-vjeçari – çfarë deklaroi në gjykatë?

21 August 2025 at 13:16

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 61-vjeçarin Shkëlqim Krrashi, i cili u kap gjatë operacionit policor të koduar “Shape” me një sasi të konsiderueshme droge dhe armë.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, ku Krrashi deklaroi se lënda narkotike i kishte mbetur në një automjet në pronësi të tij prej disa vitesh, ndërsa shtoi se arma e gjahut që iu gjet ishte me leje.

Pavarësisht pretendimeve të tij, gjykata vendosi që i dyshuari të mbahet i izoluar, raporton euronews.al.

Gjatë operacionit, policia sekuestrua 17 kilogramë kanabis në formë çokollate, 22.5 litra vaj kanabisi, 65 gramë kokainë, një pistoletë dhe një armë gjahu.

Sipas vlerësimeve paraprake, sasia e drogës së gjetur kap vlerën e rreth 500 mijë eurove në treg.

Krrashi, i cili jetonte në zonën e Yzberishtit, pritet të hetohet për trafikim të lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje.

 

The post U kap me 500 mijë euro drogë, lihet në burg 61-vjeçari – çfarë deklaroi në gjykatë? appeared first on Telegrafi.

Fotografi të ushtarëve shqiptarë në Bullgari, Vengu: Në vijën e parë të bashkëpunimit me aleatët e NATO-s

21 August 2025 at 09:47

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu ka publikuar fotografi të ushtarëve të Batalionit të Parë të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut, pjesë e Kontigjentit të VI të cilët ndodhen në Novo Selo, Bullgari.

Vengu në një postim në Facebook shkruan se janë në vijën e parë të bashkëpunimit me aleatët e NATO-s.

“Ushtarakët e Batalionit të Parë të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut, pjesë e Kontigjentit të VI, janë sot në vijën e parë të bashkëpunimit me aleatët e NATO-s. Mbi 500 ushtarakë shqiptarë janë të angazhuar në misione të NATO-s, BE-së dhe Kombeve të Bashkuara në Evropë, Afrikë dhe Lindjen e Mesme”, shkruan Vengu. /Telegrafi/

 

The post Fotografi të ushtarëve shqiptarë në Bullgari, Vengu: Në vijën e parë të bashkëpunimit me aleatët e NATO-s appeared first on Telegrafi.

Një burri në Lipjan i merret me forcë telefoni, tjetrit në Prishtinë zinxhiri i arit

21 August 2025 at 09:37

Policia e Kosovës ka njoftuar për dy raste të grabitjes me forcë, ku njëri rast ka ndodhur në Lipjan dhe tjetri në Prishtinë.

Në raportin policor bëhet e ditur se një njërin rasti një personi i është marr telefoni, ndërkaq në rastin tjetër zinxhiri i arit.

Raporti i plotë policor:

Rr. Hamzë Jashari, Lipjan 20.08.2025-16:00. Viktima i mitur mashkull kosovar, ka njoftuar se i dyshuari mashkull kosovar, me forcë i ka marrë celularin dhe ka ik në drejtim të panjohur. Rasti duke u hetuar.

Rr. Xheladin Kurbaliu, Prishtinë 20.08.2025-23:10. Viktima i mitur mashkull kosovar, ka njoftuar se i dyshuari mashkull kosovar, nën kërcënimin e thikës i ka marr nga dora një zinxhir ari dhe ka ikur në drejtim të panjohur. Rasti duke u hetuar. /Telegrafi/

The post Një burri në Lipjan i merret me forcë telefoni, tjetrit në Prishtinë zinxhiri i arit appeared first on Telegrafi.

Aksident mes një veture dhe autobusi në Dollc të Klinës, disa persona të lënduar

21 August 2025 at 07:57

Sot në orët e mëngjesit ka ndodhur një aksident trafiku ndërmjet një veture dhe një autobusi në fshatin Dollc të Klinës, ndërkaq si pasojë disa persona janë lënduar.

Lajmin për Telegrafin e konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Sot rreth orës o6:10 policia është njoftuar për një aksident trafiku i cili ka ndodhur në Dollc të Klinës. Ka disa persona të lënduar, ndërkaq në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse të Policisë”, tha Gashi.

Lajmi në përditësim. /Telegrafi/

The post Aksident mes një veture dhe autobusi në Dollc të Klinës, disa persona të lënduar appeared first on Telegrafi.

Moti në Shqipëri, pasditja me shi

21 August 2025 at 07:05

Shqipëria të enjten do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se moti parashikohet me kthjellime dhe vranësira të cilat do të jenë të përqendruara kryesisht në veriperëndim.

Reshjet e shiut pritet të bëhen prezentë në orët e pasdites në veriperëndim të vendit me intensitet të ulët e lokalisht mesatar.

Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i jugut me shpejtësi mesatare 8 m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare hera-herës do të fitojë shpejtësi deri në 20 m/s.

Deti – Valëzimi forcës 3-5 ballë. /Telegrafi/

The post Moti në Shqipëri, pasditja me shi appeared first on Telegrafi.

Mot me diell, temperaturat deri në 33 gradë

21 August 2025 at 07:00

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se të enjten do të mbajë mot kryesisht me diell.

IHK njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11– 15°C, ndërkaq maksimalet e ditës do të jenë nga 29-33°C.

Era do të fryjë nga verilindja, 1–4 m/s. /Telegrafi/

The post Mot me diell, temperaturat deri në 33 gradë appeared first on Telegrafi.

❌
❌