Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Plagosja në Durrës/ Policia: Dy persona në kërkim. Në konflikt i përfshirë edhe një efektiv, ishte jashtë shërbimit

Policia e Durrësit ka dhënë informacion zyrtar lidhur me plagosjen e një personi në një lokal në në fshatin Shkallnur.

Mësohet se 36-vjeçari i plagosur, është goditur me sende të forta (qytë pistolete) nga një 41-vjeçar dhe 27-vjeçar, të dy banues në Shkallnur, të cilët pas ngjarjes janë larguar me automjet.

Gjithashtu, dyshohet se në konflikt ka qenë i përfshirë edhe një punonjës policie, jashtë shërbimit, Inspektor L. Xh., i cili është shoqëruar dhe ndaj tij po kryhen veprimet procedurale nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Në vendngjarje, grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një gëzhojë pistolete. Dyshohet se gjatë konfliktit është qëlluar një herë në ajër me armë zjarri pistoletë.

Ndërkohë, forca të shumta të Policisë kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorëve.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj./abcnews.al

Portugali, e mitura humb jetën pasi u harrua për tetë orë në autobusin e shkollës

Një ngjarje tragjike ka tronditur Portugalinë, ku një vajzë 18-muajshe ka humbur jetën pasi dyshohet se ka qëndruar për rreth tetë orë brenda një autobusi shkolle në zonën Almada të Setubalit.

Sipas agjencisë portugeze të lajmeve Lusa, cituar nga Protothema, vogëlushja Sofia hipi në autobusin e shkollës rreth orës 08:00 të mëngjesit të së enjtes, me qëllim që të dërgohej në një qendër kujdesi për fëmijët. Megjithatë, për arsye që janë ende nën hetim, ajo nuk zbriti nga autobusi dhe mbeti brenda automjetit të parkuar pranë institucionit.

Mungesa e fëmijës nuk u konstatua gjatë gjithë ditës. Sipas raportimeve, qendra e kujdesit për fëmijët e kuptoi se vajza mungonte vetëm kur nëna e saj mbërriti pak para orës 16:00 për ta marrë.

Pas njoftimit se fëmija nuk ndodhej në qendër, punonjësit shkuan menjëherë drejt autobusit, ku e gjetën vajzën pa ndjenja.

Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë, zjarrfikësit vullnetarë, një njësi e ndihmës së shpejtë dhe ekipet e ndërhyrjes psikologjike. Pavarësisht përpjekjeve të ekipeve mjekësore për ta rikthyer në jetë, vajza u shpall e vdekur në vendngjarje.

Policia Gjyqësore Portugeze ka marrë përsipër hetimin për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse ka pasur përgjegjësi nga persona të përfshirë në transportin dhe kujdesin ndaj fëmijës.

IA sqaron “paketën e maleve”/ Rama publikon përgjigjen e ChatGpt: Nuk ndihmon oligarkët, por pronarët

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur kritikave lidhur me paketën e maleve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shprehet se ligji nuk është bërë për oligarkët apo të huajt. Sipas kreut të qeverisë, ligji për këtë paktë nuk thotë se kush aplikon bëhet automatikisht pronar.

Ndër të tjera, Rama nënvizoi se paketa e maleve nuk është një ligj për ata që kanë shumë kapital. Është një ligj për ata që kanë pasur tokë, kujtime, punë dhe rrënjë, por nuk kanë titull juridik pronësie.

Postimi i kryeministrit Edi Rama

LIGJI I “PAKETËS SË MALEVE” SIPAS CHATGBT, THJESHT E QARTË FARE

Shumica e kritikave për “Paketën e Maleve” nisen nga ideja se ligji u krijua për investitorë të mëdhenj, të huaj ose “oligarkë”. Nëse lexohet ligji, këto teza nuk qëndrojnë.

  1. “Është bërë për oligarkët.”

Kjo është ndoshta kritika më e përhapur, por edhe më e vështira për t’u mbështetur juridikisht.

Një oligark nuk ka nevojë për një ligj që kërkon të provosh posedimin faktik të tokës për të paktën 10 vjet siç thotë shprehimisht ky ligj. Paketa e Maleve nuk u krijon një rrugë të re investitorëve të mëdhenj; ajo krijon një rrugë për njerëzit që prej dekadash jetojnë mbi një truall të trashëguar pa mundur ta formalizojnë atë.

Nëse një familje në Theth, Vermosh, Zagori, Lunxhëri apo Mokër ka punuar tokën e trashëguar prej brezash, por nuk ka një titull pronësie për shkak të historisë së ndërlikuar të regjimit komunist, tranzicionit dhe legjislacionit ekzistues të tokës, atëherë ky ligj i jep një mekanizëm për ta zhvilluar atë pronë.

Ky është subjekti real i ligjit.

  1. “Është bërë për të huajt.”

As kjo nuk rezulton nga ligji. Ligji nuk krijon një kategori të privilegjuar për shtetasit e huaj.

Madje, kushti më i rëndësishëm i tij – posedimi faktik shumëvjeçar i tokës – është pikërisht ai që shumica dërrmuese e investitorëve të huaj nuk mund ta plotësojnë.

Një investitor i huaj që vjen sot në Shqipëri nuk mund të deklarojë se ka poseduar tokën për dhjetë vjet.

Pra ai nuk hyn fare në mekanizmin kryesor të Paketës së Maleve.

  1. “Është bërë për të pasurit.”

Edhe kjo tezë ka një problem logjik.

Nëse një person ka kapital të madh, ai mund të investojë edhe pa Paketën e Maleve.

Ligji nuk i krijon një privilegj të ri.

Ndërsa një familje që ka një kullë malesh, një stan, një fermë ose një truall të trashëguar, por nuk ka mundur kurrë ta formalizojë, pa këtë ligj nuk mund të marrë kredi, nuk mund të ndërtojë ligjërisht, nuk mund të zhvillojë agroturizëm dhe shpesh as nuk mund t’ua lërë fëmijëve të sigurt juridikisht.

Paketa synon pikërisht të zhbllokojë këtë situatë.

  1. “Po pse 1 euro?”

Sepse shteti nuk po shet tokë për të mbledhur para, por po ia jep me kontratë ligjore tokën shtetërore poseduesit. Pasi ai realizon ndërtimin hipotekon edhe pronën.

Ky është një instrument i përdorur edhe në vende të tjera për të zhvilluar zona të braktisura.

  1. “Po ua fal tokën.”

Jo.

Ligji nuk thotë se kush aplikon bëhet automatikisht pronar.

Duhet:

* të provohet posedimi;

* të verifikohet ligjshmëria;

* të miratohet projekti;

* të përmbushen kushtet kontraktore;

* të realizohet investimi.

Nëse këto nuk ndodhin, mekanizmat ligjorë parashikojnë pasoja sipas kontratës dhe legjislacionit përkatës dhe toka mbetet shtet.

  1. “Po favorizohen vetëm resortet.”

Kjo bie ndesh me vetë filozofinë e ligjit.

Projektet që synohen janë shumë më të gjera:

* agroturizëm;

* bujtina;

* ferma;

* punishte artizanale;

* përpunim produktesh vendase;

* aktivitete sportive e natyrore;

* turizëm familjar.

Pra modeli është ekonomia lokale, jo vetëm investimi i madh.

  1. “Po u merret prona pronarëve.”

Ligji nuk shpronëson pronën private të regjistruar.

Ai operon mbi prona shtetërore me posedues faktik ose mbi situata ku nuk ekziston një titull i formalizuar pronësie dhe ku legjislacioni i mëparshëm nuk ka dhënë zgjidhje për trashëgimtarët. Çdo konflikt pronësie vazhdon të trajtohet sipas mekanizmave ligjorë përkatës.

Në thelb, çfarë është Paketa e Maleve?

Nëse dikush thotë se është ligj për oligarkët, pyetja e thjeshtë është:

Cili oligark ka pritur dhjetëra vite duke jetuar në një stan, në një kullë mali apo në një pemëtore të trashëguar pa certifikatë pronësie?

Sepse ky është personi që ligji ka në mendje.

Paketa e Maleve nuk është një ligj për ata që kanë shumë kapital. Është një ligj për ata që kanë pasur tokë, kujtime, punë dhe rrënjë, por nuk kanë titull juridik pronësie. Ajo përpiqet ta kthejë atë kapital të fjetur në ekonomi reale: në bujtina, ferma, punishte, shtigje turistike, vende pune dhe jetë të rikthyer në zonat malore.

Rivlerësimi me tatim të reduktuar 5 përqind/ Demirxhiu: Tirana dhe vendet bregdetare, më shumë interes

Mbi 17 mijë aplikime ka pasur nga qytetarët për të rivlerësuar pronën e tyre me tatim të reduktuar 5 përqind.

Në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, vlerësuesi i pasurive të paluajtshme, Ervin Demirxhiu tha se më shumë interes ka nga qytetarët në Tiranë dhe vendet bregdetare.

Sipas tij, periudha e verës ka pasur edhe një interes të shtuar për rivlerësimin e pronave.

“Interesi ka qenë goxha i lartë. Dy muajt e para ishin të ngarkuara, tani ka rënë ritmi. Shikojmë tani pjesën e verës, të qershorit dhe korrikut që rikthehen emigrantët dhe ka interes akoma më të shtuar. Pjesa më e madhe është kryeqyteti, Tirana, pastaj është pjesa e bregdetit. Durrësi, Vlora dhe Saranda. Interesi është nga ana e qytetarëve. Ata janë përfituesit kryesorë, kanë blerë një apartament me vlerë goxha të ulët dhe sot vlera e tyre është shumëfishuar. Prandaj ata kanë interes që të përfitojnë nga ky 5 përqind. Kushdo që ka një pronë për të shitur, do duhet ta bëjë, sepse po flasim për prona para shumë vitesh, që kanë qenë me vlera të regjistruara goxha minimale, në krahasim me tregun e sotëm”, theksoi ai./abcnews.al

Dronë iranianë godasin rajonin e kurdistanit irakian

Iranianët kanë zgjeruar perimetrin e sulmeve ndaj fqinjëve si kundërpërgjigje ndaj amerikanëve.

Disa dronë iranianë kanë goditur zona të ndryshme në rajonin e Kurdistanit irakian, në provincën e Erbilit, kanë bërë të ditur autoritetet lokale.

Sipas raportimeve të para, janë regjistruar disa shpërthime dhe pika goditjeje në zona të ndryshme të provincës, por deri më tani nuk raportohet për dëme të konsiderueshme materiale apo viktima.

Incidenti vjen në një periudhë të tensioneve të larta në Lindjen e Mesme, ku përplasjet mes Iranit dhe kundërshtarëve të tij kanë rritur rrezikun që konflikti të zgjerohet në territore të tjera të rajonit.

Autoritetet në Kurdistanin irakian kanë nisur verifikimin e pasojave të sulmeve, ndërsa nuk janë dhënë menjëherë detaje për objektivat e mundshme të goditura.

Rajoni autonom i Kurdistanit irakian, me qendër në Erbil, ka qenë edhe më parë objekt i sulmeve me raketa dhe dronë, veçanërisht në periudhat e rritjes së tensioneve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Thellohet tragjedia në Roskovec/ Humb jetën edhe e moshuara pasi u qëllua nga Refit Buzi

Thellohet tragjedia në Roskovec. Belera Plaka nuk i mbijetoi plagëve pasi u qëllua me armë nga 35-vjeçari Refit Buzi, ish i fejuari i vajzës së saj.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 05:00 të mengjesit në fshatin Vidhisht të Roskovecit, kuNertil Buzi qëlloi me armë gjahu ndaj familjes së ish-të dashurës së tij, duke lënë të vdekur babanë e saj.

Më pas ai mori peng ish-të dashurën, të cilën e mbajti nën kërcenimin e armës për rreth 5 orë.

35-vjeçari Refit Buzi, autori i ngjarjes së rëndë, vrau me armë zjarri pas disa orësh negociata me forcat e policisë.

Ai ishte i rrethuar nga forcat speciale RENEA në fshatin Kurjan, ku qëndroi i ngujuar në automjetin e tij, ndërsa negociatorët tentuan disa herë ta bindnin të dorëzohej./abcnews.al

Plagosje në Durrës/ Një person goditet me thikë pas një konflikti në lokal

Një person ka mbetur i plagosur këtë pasdite në zonën e Shkallnurit, në Durrës.

Burime nga policia thanë për ABC News se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një lokali në këtë zonë, Lagjja 13.

Të njëjtat burime saktësojnë se i plagosuri është qëlluar nga një person tjetër me mjet prerës (thikë).

Në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila ka nisur hetimet.

Ndërkohë, i plagosuri është dërguar në Urgjencën e Spitalit të Durrësit, ku po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Ende nuk dihen identitetet e personave të përfshirë në këtë konflikt, ndërsa policia po punon për kapjen e autorit, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes./abcnews.al

Irani hedh poshtë raportimet se nuk pranoi propozimin e SHBA-së për armëpushim

Irani kundërshtoi një raport të së enjtes të The New York Times se Teherani kishte hedhur poshtë një marrëveshje armëpushimi të SHBA-së të paraqitur nga Iraku, duke e quajtur raportin “plotësisht shpërqendrues dhe mashtrues”.

Gazeta “Times” kishte raportuar se Teherani nuk ishte i interesuar për një marrëveshje të përkohshme, e cila e linte të pazgjidhur çështjen e kontrollit të Ngushticës së Hormuzit, duke cituar zyrtarë iranianë.

“Irani gjithmonë e ka konsideruar diplomacinë si diçka që ka vlerë të brendshme”, tha një zyrtar iranian i paidentifikuar.

“Problemi i përshkallëzimit të konfliktit në rajon rrjedh ekskluzivisht nga shkelja e premtimeve të Shteteve të Bashkuara dhe shkelja e angazhimeve të përfshira në memorandumin e mirëkuptimit të 18 qershorit.”

Kryeministri irakian Ali al-Zaidi vizitoi Teheranin të enjten, pas takimit me presidentin e SHBA-së Donald Trump në fillim të javës së kaluar në Shtëpinë e Bardhë.

Përpara vizitës, Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi këmbënguli se Teherani nuk po kërkonte ndërmjetësim të mëtejshëm me SHBA-në.

Trump sinjalizoi të enjten se nuk ishte ende gati të negocionte një armëpushim të ri me Iranin, duke thënë se “ata kanë nevojë për më shumë nga e njëjta gjë” pas ditëve të njëpasnjëshme të sulmeve ajrore.

Mile: “Besa”, një mënyrë e re e të komunikuarit dhe qeverisurit. Të jemi të gjithë në shërbim të njerëzve

Deputeti socialist, Erion Mile thotë se “Besa” është një mënyrë e re të komunikuarit dhe të qeverisurit.

Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Mile u shpreh se të gjithë duhet të jenë në shërbim të njerëzve.

Lidhur me protestën, Mile deklaroi se aty ka huliganë që kanë shkaktuar dhunë dhe sipas tij, Policia e Shtetit është treguar tolerante me ta.

“Është një vetëndërgjegjësim nga PS. Se sa njerëzit realisht i prek ky ndryshim, sesi ata kanë ndjeshmërinë gjatë qeverisjes. Besa është mënyrë e re e të komunikuarit, të qeverisurit. Filozofia është e njëjtë. Ne na ka bërë të kuptojmë protesta e flamingove. Njerëzit nuk jetojnë që ka edhe më keq, por ka edhe më mirë. Kjo nuk duhet parë si një sfidë që PS nuk mund ta përballojë. Duhet të dimë dhe të shkojmë tek qytetarët për t’u kuptuar.

Ndryshimi i empatisë është aspekt që prek edhe administratën, duhet të ndryshojë nga e gjithë mazhoranca jonë parlamentare. Ne duhet të jemi të gjithë më empatikë. Shërbimi në adminsitratë nuk është vetëm një punë, por është një mision. Ky reflektim filloni nga vetja, edhe nga mua. Edhe në mbledhjen kemi folur me kolegë. Edhe unë duhet të ndryshoj disa gjëra nga përfaqësimi im politik. Ne jemi deputetë, takojmë njerëz, mundohemi të jemi sa më afër atyre.

Ndoshta dhe kjo nuk mjafton. Ata nuk janë protestues që kërkojnë diçka, janë disa huliganë, ajo është dhunë. Indin jata është kur unë nuk jam dakord me ty. Të vijë, të godasë, të shkaktojë dhunë, nuk e di për çfarë janë. Nuk ka qasje me këta, Policia e Shtetit është treguar mjaft tolerante. Ministri i Brendshëm është djalë që është përpjekur ta trajtojë në mënyrë qytetare protestën”, theksoi ai./abcnews.al

Tentohet të vidhet një bankë në Gjermani, vritet një punonjës gjatë pengmarrjes

Një burrë ka vdekur në një incident pengmarrjeje në një degë banke në Regensburg, Bavari, në Gjermaninë jugore. Policia ka arrestuar autorin e dyshuar pas një operacioni që zgjati rreth tre orë.

Incidenti filloi pak pas orës 3:00 pasdite sipas orës lokale, kur autoritetet morën telefonatat e para për një burrë të armatosur brenda bankës. Forca të shumta policie, forca speciale, një helikopter dhe ambulanca u dërguan në vendngjarje, ndërsa zona u rrethua si masë paraprake dhe qytetarëve iu kërkua të evakuoheshin.

Sipas informacioneve të policisë, autori i krimit po i mbante punonjësit dhe klientët nën kërcënimin e thikës. Pas orësh negociatash, ai u arrestua pa asnjë raport për pengje të tjera që ishin në rrezik. Siç raporton Deutsche Welle, ai është një 20-vjeçar gjerman, i cili dyshohet se veproi i vetëm.

“Grupi i zjarrit” te protesta/ Frrok Çupi: Sali Berisha, armik i Shqipërisë

Analisti Frrok Çupi thotë se ish kryeministri dhe kreu i PD, Sali Berisha është armik i Shqipërisë.

Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Çupi u shpreh se Berisha është eksponent i madh i shkatërrimit të vendit.

“Edhe Saliun e ka lindur një gjë, për të qenë konflikti i Shqipërisë. Ka shumë arsye, por arsyet e fundit janë për shkak të humbjeve të tij. Për shkak se grupi i Sali Berishës dhe vetë Sali Berisha nuk mund të dialogojnë. Shkojnë te konflikti. Sali Berisha është një nga armiqtë e Shqipërisë. Shqipëria, nën kujdesin e Berishës, është duke u goditur nga islamizmi politik. Berisha është eksponent i madh i shkatërrimit të vendit. 21 janari është monumenti më i zi i shtetit shqiptar të periudhës së Sali Berishës. Ka vrarë demonstrues, ata demonstrues duan shpagim, duan patjetër drejtësi.”, theksoi ai./abcnews.al

Një “lule” për pranverën/ FSHF detyron klubet e Superligës të aktivizojnë një adoleshent

Disa specialistë kanë vite që e kërkojnë.

Sipas shembullit të Maqedonisë së Veriut, është këmbëngulur për një kohë të gjatë që edhe në futbollin shqiptar të kishte aktivizim me detyrim të lojtarëve të rinj, dhe të paktën pjesërisht kjo do të bëhet realitet.

Pak kohë pasi miratoi afrimin pa kufizim të lojtarëve të huaj, Komiteti Ekzekutiv I Federatës Shqiptare të Futbollit vendosi të miratojë një rregull që detyron klubet që të hedhin në fushë një futbollist të vitit të lindjes 2007 me pasaportë shqiptare.

Detyrimi nis që nga sezoni i ardhshëm.

Kjo vlen në Superligë dhe në Kupën e Shqipërisë, adoleshenti me pasaportë shqiptare duhet të jetë titullar dhe të luajë të paktën 45 minuta.

Në Kategorinë e Parë, të Dytë dhe të Tretë, lojtari I lindur në 2007, jo vetëm që duhet të jetë në fushë që nga minuta e parë, por duhet ta luajë të gjithë ndeshjen, përveçse kur është I pezulluar, apo kur dëmtohet ose përjashtohet me të kuq.

Edhe zëvendësimi I tij duhet të bëhet me një lojtar që plotëson po këto kushte.

Kjo mund të quhet “lulja e parë e Pranverës”, ndonëse shprehja popullore është që duhet më shumë se një lule që të vijë Pranvera.

Nga ana tjetër, mbetet në fuqi vendimi për lojtarë të huaj pa kufizim në Superligë./abcnews.al

Masat për motin e keq/ Mjetet e vogla lundruese nuk do të lejohen të lëvizin

Të premten kryesisht jugu i vendit  parashikohet të përfshihet   nga  reshje intensive shiu, stuhi lokale dhe erë e fortë.  Autoritetet iu bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal në plazhe.  Ndërkohë për këtë arsye është pezulluar dhe lundrimi i mjeteve të vogla,  anijeve të peshkimit dhe atyre turistike në Vlorë, Sarandë, Ksamil dhe Borsh.

Në  veri dhe veriperëndim të gjirit të Vlorës nga mesdita e të premtes deri mëngjesin e të shtunës  parashikohet që era   të fryjë me  forcë  15 deri më  25 metër për sekondë duke gjeneruar dallgë lartësia e të cilave shkon nga  një metër e gjysmë deri në tre metër e gjysmë.

Për këtë arsye është ndaluar gjithashtu pajisja me leje nisje e mjeteve të vogla që synojnë të operojnë në det të hapur në zonën Dhërmi-Himarë. Ndërkohë anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse./abcnews.al

Rama, thirrje bizneseve/ Kryeministri i fton të aplikojnë në programin “Dyfisho sipërmarrjen tënde”

Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje bizneseve shqiptare të përfitojnë nga Programi Kombëtar “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, një skemë e re financimi që synon të mbështesë zgjerimin dhe modernizimin e sipërmarrjeve në vend.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Rama njoftoi se bizneset do të kenë mundësi të aplikojnë për kredi deri në 200 milionë lekë, me norma interesi preferenciale prej 2-3% dhe afat shlyerjeje deri në 10 vite.

Sipas kryeministrit, fondet mund të përdoren për blerjen e pajisjeve të reja, zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe investimeve në teknologji. Programi u drejtohet fermerëve, prodhuesve, bizneseve të turizmit, transportit, teknologjisë, si edhe ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme që synojnë të rrisin aktivitetin e tyre.

Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” është një instrument i ri financiar i Qeverisë Shqiptare, i krijuar për të lehtësuar aksesin në kredi për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme. Skema mbështetet edhe nga Garancia Sovrane, duke synuar të nxisë investimet në sektorët prioritarë të ekonomisë dhe të forcojë konkurrueshmërinë e biznesit./abcnews.al

Rritet çmimi i naftës pas sulmeve në Lindjen e Mesme

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent u rrit mbi 100 dollarë për fuçi më 23 korrik, për herë të parë në dy muaj, pasi rifillimi i luftimeve midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara rriti frikën për ndërprerje të zgjatura të furnizimit.

Çmimi i naftës Brent arriti në 100.36 dollarë për fuçi, me një rritje prej gati 7 për qind krahasuar me periudhën paraprake, pasi armëpushimi i arritur në mesin e qershorit mes SHBA-së dhe Iranit u zhbë.

Pas zhbërjes së armëpushimit rifilluan sulmet përreth Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyç për transportin global të naftës, që tani është praktikisht e mbyllur.

SHBA-ja ka thënë se Irani po e përdor Ngushticën e Hormuzit – nga ku kalon një e pesta e furnizimeve globale me naftë dhe gaz – si mjet presioni, duke argumentuar se ajo është një korridor ndërkombëtar që mbrohet nga e drejta ndërkombëtare.

SHBA-ja ka kryer sulme për natën e 12-të radhazi, duke goditur caqe ushtarake iraniane, teksa Teherani ka vazhduar sulmet ndaj aleatëve dhe aseteve amerikane në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme.

Çmimet e naftës, të cilat kishin rënë në rreth 70 dollarë për fuçi pas bisedimeve për armëpushim në qershor, u rritën pasi rebelët Huthi, që mbështeten nga Irani, thanë se kishin sulmuar dy cisterna saudite të naftës në Detin e Kuq, duke rritur shqetësimet për sigurinë detare dhe furnizimin me energji.

Situatë alarmi në Bregun Perëndimor, forcat izraelite u vënë zjarrin tokave palestineze dhe qëllojnë me armë mbi banorët

Një valë e re dhune dhe operacionesh ushtarake është regjistruar sot në territoret e okupuara të Bregut Perëndimor, duke rritur më tej tensionet në rajon. Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve, Wafa, situata ka degjeneruar si pasojë e sulmeve të drejtpërdrejta nga kolonët izraelitë dhe ndërhyrjeve të ashpra të ushtrisë.

Në fshatin Jalud, në jug të Nablusit, kolonët izraelitë i kanë vënë zjarrin tokave bujqësore në pronësi të palestinezëve. Aktivistët lokalë bëjnë me dije se zjarrvënia ka prekur një sipërfaqe të të mbjellave në zonën e njohur si al-Bayyada, pranë disa fermave të shpendëve. Kur banorët e zonës janë afruar me shpejtësi për të shuar flakët dhe për të shpëtuar prodhimin, ata janë pritur me breshëri plumbash nga kolonët e armatosur, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre.

Paralelisht me incidentet në Nablus, situata ka qenë e tensionuar edhe në qytetin e Hebronit. Forcat ushtarake izraelite kanë ndërmarrë një operacion masiv, duke mbyllur plotësisht zonën e njohur si Bab az-Zawiya, e cila shërben si qendra kryesore tregtare e qytetit. Sipas raportimeve, një numër i madh ushtarësh ka rrethuar zonën dhe ka bllokuar hyrjet, përfshirë mbylljen e rrugës Bir as-Sabi që të çon drejt tregut kryesor, duke paralizuar aktivitetin tregtar dhe jetën e përditshme të banorëve vendas.

“Rama jepe dorëheqjen”/ Kryeministri për thirrjen e protestuesve: Më ekzalton. Shihemi nesër, do ndaj reflektimin tim

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku shfaqet duke përgatitur fjalimin që do të mbajë të premten në mbledhjen e grupit parlamentar dhe të qeverisë.

Në sfond të videos dëgjohen protestuesit që thërrasin “Rama, jepe dorëheqjen”, ndërsa kreu i qeverisë shprehet se kjo është kënga e tij e preferuar.

“Përshëndetje. Nuk e di a e di a e dëgjoni, kjo është kënga ime e preferuar. Jam duke shkruar fjalën për nesër në mbledhjen e Grupit Parlamentar dhe të qeverisë. Desha të ndaj me ju këtë moment sepse ky kor më ekzalton. Shihemi nesër paradite, mbledhja fillon në 09:30. Do ishte kënaqësi të ndaja me ju të gjithë reflektimin tim mbi pasqyrën e bulevardit të flaimgove. Ai që ishte, se ky që ka mbetur është i sorrave dhe korbave”, theksoi Rama.

Në fjalimin e tij, Rama thotë se ata që mbushën bulevardin dhe rrjetet sociale nuk protestuan kundër Shqipërisë që Partia Socialiste ndërtoi gjatë tre mandateve të shkuara, ndërsa pjesë vijuese të tij, kryeministri duket që e ka lënë “surprizë” për të premten.

“Ju që mbushët bulevardin dhe rrjetet sociale me protestën tuaj, nuk protestuat kundër Shqipërisë që ne ndërtuam gjatë tre mandateve tona. Dhe kështu po flas posaçërisht , për ata jo të paktë që ishin votues, mbështetës apo dhe anëtarë të Partisë Socialiste”, thuhet mes tjerash në fjalimin, që vetë Rama tha se do thotë në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS./abcnews.al

❌