Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Nis rikonstruksioni i Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë, Koçiu: Do transformohet në një Qendër të Shërbimeve të Integruara për komunitetin


TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Shtëpia e Fëmijës “Vangjel Pulla” në Sarandë ku marrin shërbim fëmijët pa kujdes prindëror të grupmoshës nga 6-14 vjeç do të transformohet në një Qendër të Shërbimeve të Integruara për komuniteti.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Sarandë, Olti Caci dhe drejtuesi i FSHZH-së, Dritan Agolli inspektoi punimet për rikonstruksionin e godinës e cila përfshin rehabilitim dhe zgjerim të ambienteve.

Ministrja theksoi se kjo qendër “nuk do të shërbejë vetëm si një qendër rezidenciale, është një qendër e cila tashmë me vizionin dhe më objektivat që qeveria shqiptare i ka vënë vetes ka marr përsipër ta transformojë jo vetëm në një qendër rezidenciale por dhe në një qendër që ofron shërbime me bazë komunitare”.

Koçiu vuri në dukje se qendra, si pjesë e reformës së deinstitucionalizimit, do të shërbejë si pikë referimi për kujdesin rezidencial e ditor, përgatitjen për jetesë të pavarur dhe zhvillimin e aftësive të fëmijëve në një mjedis më gjithëpërfshirës.

“Objektivi kryesor i qeverisë shqiptare është deinstitucionalizimi i fëmijëve që marrin shërbime në qendra rezidenciale duke i zhvendosur ato nga qëndrimi permanent në të tilla qendra dhe kalimi në familje të cilat ofrojnë kujdes të përhershëm pranë ambientit familjar”, theksoi ajo.

Më tej, ministrja Koçiu nënvizoi se po punohet jo vetëm për të përmirësuar infrastrukturën e kësaj qendre, por edhe për ta kthyer në një model të ri që i shërben jo vetëm fëmijëve rezidentë, por edhe komunitetit përreth.

“E rëndësishme është që kryesisht familjet vulnerabël që kanë nevojë edhe për kualifikime të nevojshme për t’u integruar më pas edhe në jetë, edhe në mjediset sociale, është e nevojshme që të marrin dhe shërbime të tjera si edukative, sociale, shërbime edhe të aftësimit me njohuritë që tregu i punës kërkon me qëllim që të kenë mundësinë edhe të integrohen ashtu siç duhen”, shtoi ministrja.

“Këtu afër kemi edhe një kopësht i cili funksionin për fëmijët e zonës dhe lidhja e këtij kopshti së bashku me këtë qendër që jemi duke rikonstruktuar do të bëjë të mundur që edhe fëmijët të bashkohen me njëri-tjetrin, të socializohen, të jetojnë në komunitet edhe pse jo patjetër, edhe fëmijët e tjerë të vijnë të marrin shërbime sociale, të argëtohen pasi këtu do të ketë edhe ambiente argëtuese dhe edukative”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Investimi në Shtëpinë e Fëmijës “Vangjel Pulla” në Sarandë parashikon rehabilitimin dhe zgjerimin e godinës, ambiente për mësim, art dhe zhvillim aftësish, kopësht edukativ, kënde lojërash dhe terrene sportive si dhe hapësira komunitare për kurse, trajnime dhe shërbime sociale.

1 nga 5

/m.m/

The post Nis rikonstruksioni i Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë, Koçiu: Do transformohet në një Qendër të Shërbimeve të Integruara për komunitetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në konsultim publik ligji i ri “Për kontrollet zyrtare”, forcim i sigurisë ushqimore dhe gjoba për shkelësit

TIRANË, 19 gusht /ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur zyrtarisht konsultimin publik për projektligjin “Për kontrollet zyrtare”, një nismë e rëndësishme që synon forcimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik në Shqipëri.

Qëllimi i ligjit është të garantojë standarde të larta të sigurisë në të gjithë zinxhirin ushqimor,  nga prodhimi deri te konsumi, duke përfshirë produkte me origjinë shtazore, bimët, OMGJ-të dhe ushqimin për kafshë.

Ligji parashikon risi në protokollet e kontrollit: Kontroll i bazuar në vlerësimin e riskut, jo në supozime; Inspektime pa njoftim paraprak për të reflektuar realitetin në terren; Procedura të detajuara për therjen, inspektimin dhe mbikëqyrjen veterinare; Rregulla të veçanta për produktet OMGJ dhe etiketimin.

Projektligji parashikon tarifa për kontrollet zyrtare dhe gjoba nga 100,000 deri në 2,000,000 lekë për shkelje të rënda, si veprimtaria në njësi të paregjistruara apo të pambikëqyrura.

Konsultimi publik është i hapur deri më 16 shtator 2025, duke i dhënë mundësi qytetarëve, ekspertëve dhe grupeve të interesit të japin kontributin e tyre në përmirësimin e legjislacionit për një ushqim më të sigurt në tryezën e çdo familjeje shqiptare.

/e.xh//a.f/

The post Në konsultim publik ligji i ri “Për kontrollet zyrtare”, forcim i sigurisë ushqimore dhe gjoba për shkelësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërthurje e traditave dhe kulturës së Mesdheut, Shqipëria prezantohet në “Festival du Périgord Noir” në Francë

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Shqipëria u prezantua në Festival du Périgord Noir, një nga festivalet muzikore më të njohura në Francë, ku muzika ndërthuri traditat, kulturat dhe historitë e Mesdheut.

Festivali u organizua në datat 3 deri më 17 gusht dhe artistë të shquar shqiptarë përcollën tinguj që bashkuan breza dhe hapësira.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja e konsideroi këtë një udhëtim i paharrueshëm përmes muzikës, ku Shqipëria jo vetëm u dëgjua, por edhe u ndje me emocion, nostalgji dhe gëzim

“Flaka Goranci dhe Togha Quartet sollën “Meloditë Shqiptare”, duke rikthyer në skenë thellësinë e zërit dhe fuqinë e këngëve popullore. Miksi, Yara Kasti dhe Tsanta ndezën atmosferën me një koncert të hapur nën qiellin e Terrasson-Lavilledieu, duke ndërthurur muzikë nga Shqipëria në Siri, Liban, Francë e Iran”, u shpreh Gonxhja.

Po ashtu, artistët e mirënjohur Tedi Papavrami dhe Maki Okada dhuruan një udhëtim virtuoz që kaloi përmes Shqipërisë, Italisë, Spanjës e Polonisë me pasion dhe mjeshtëri të rrallë.

Ndërsa pianistja Marie-Ange Nguci fali një recital plot ndjenja në piano në një nga netët më magjike të festivalit.

/m.m//a.f/

The post Ndërthurje e traditave dhe kulturës së Mesdheut, Shqipëria prezantohet në “Festival du Périgord Noir” në Francë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump i kërkon Orbanit heqjen e vetos ndaj anëtarësimit të Ukrainës në BE

UASHINGTON, 20 gusht /ATSH-ANSA/ – Pas telefonatës së tij me Putinin gjatë samitit me udhëheqësit evropianë, të hënën e kaluar, presidenti i SHBA-së, Donald Trump telefonoi gjithashtu kryeministrin hungarez, Viktor Orban për ta nxitur atë të heqë të gjitha pengesat për anëtarësimin e Ukrainës në BE, sipas Bloomberg, duke cituar burime të njohura me çështjen.

Gjatë telefonatës, Hungaria shprehu gatishmërinë e saj për të pritur negociatat e ardhshme midis presidentit rus, Vladimir Putin dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky në Budapest.

Trump tha se një takim midis Putinit dhe Zelensky do të zhvillohej, por se vendi nuk ishte përcaktuar ende.

Kërkesës së presidentit Trump, Orban iu përgjigj publikisht në Facebook.

“Anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Evropian nuk ofron garanci sigurie”, shkroi ai.

“Prandaj, lidhja e anëtarësimit me garancitë e sigurisë është e padobishme dhe e rrezikshme”, shtoi Orban./ /os/

The post SHBA – Trump i kërkon Orbanit heqjen e vetos ndaj anëtarësimit të Ukrainës në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kukës, ndërhyrje për përmirësimin e infrastrukturës arsimore

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Në bashkinë e Kukësit po vijojnë ndërhyrjet për përmirësimin e infrastrukturës arsimore para fillimit të vitit të ri shkollor.

Drejtoria e Shërbimeve Komunitare ka nisur zbatimin e një plani të detajuar pune për mirëmbajtjen e objekteve arsimore dhe institucioneve të edukimit parashkollor me synimin për të garantuar kushte optimale në prag të vitit të ri shkollor.

Në qytetin e Kukësit, ndërhyrjet për riparimin, lyerjen dhe sistemimin e klasave, kopshteve dhe çerdheve tashmë kanë përfunduar.

Aktualisht puna po vijon në shkollat e njësive administrative. Këto ndërhyrje përfshijnë lyerje, sistemim hapësirash të brendshme e të jashtme, si dhe punime mirëmbajtjeje të domosdoshme, në mënyrë që çdo institucion të ofrojë një mjedis të pastër, funksional dhe mikpritës.

“Synimi është që në shtator, çdo shkollë, kopsht dhe çerdhe të jetë gati për të pritur fëmijët, nxënësit dhe stafet pedagogjike në kushte dinjitoze, duke respektuar standardet e higjienës, sigurisë dhe cilësisë”, thuhet në njoftimin e bashkisë Kukës.

/m.m/

The post Kukës, ndërhyrje për përmirësimin e infrastrukturës arsimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Dy të tretat e gjermanëve mbështesin ndalimin e eksporteve të armëve drejt Izraelit

BERLIN, 20 gusht /ATSH-DPA/ – Pothuajse dy të tretat e gjermanëve mbështesin vendimin e kancelarit Friedrich Merz për të pezulluar pjesërisht eksportet e armëve drejt Izraelit, sipas një sondazhi të YouGov.

Sondazhi zbuloi se 65% e të anketuarve mbështetën masën e njoftuar nga qeveria në Berlin në fillim të këtij muaji, ndërsa 19% e kundërshtuan atë dhe 16% ishin të pavendosur.

Sondazhi me 2 175 persona u krye në mesin e gushtit.

Merz tha se eksportet e armëve drejt Izraelit, që mund të përdoren në Rripin e Gazës do të pezullohen, duke përmendur vendimin e qeverisë izraelite për të zgjeruar operacionet ushtarake në territorin palestinez.

Kancelari tha se Berlini do të vazhdojë të mbështesë të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, por nuk mund të ofrojë armë për një konflikt që mund të kushtojë qindra mijëra jetë civile./ /os/

The post BERLIN – Dy të tretat e gjermanëve mbështesin ndalimin e eksporteve të armëve drejt Izraelit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj: Familja Caco në Pogradec, nga tradita në sukses me prodhimin e verërave autoktone

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Në fshatin Grabovicë të Pogradecit, familja Caco ka kthyer pasionin për kultivimin dhe përpunimin e rrushit në një histori të vërtetë suksesi.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ndau në rrjete sociale historinë e Ersol Cacos, që duke ndjekur traditën familjare, ka ngritur një nga kantinat më të vlerësuara të verës në Shqipëri.

“Vera e prodhuar nga kjo kantinë sot përfaqëson me dinjitet vendin në tregjet ndërkombëtare”, u shpreh Denaj.

Me përkushtim ndaj cilësisë dhe inovacionit, Kantina “Caco” po sjell risi në prodhimin e verërave, si vera rose me bulëza nga rrushi Pamid, një varietet autokton i zonës së Pogradecit.

Ersoli tregon se aktualisht në këtë kantinë prodhohen 6 lloje verërash autoktone dhe po zhvillohen dy drejtime kryesore: zgjerimi i sipërfaqeve të mbjella me vreshta dhe shtimi i vreshtave farë autoktone.

“Në këtë linjë, ne po punojmë për prodhimin e një produkti të ri që përfaqëson territorrin, duke sjellë dhe një teknikë të re për zonën tonë, pasi është një rajon që ka potencial të madh për zhvillimin e verërave me gaz. Pra do të kemi një verë me gaz, e prodhuar me metodë klasike “Roze” që do të përfaqësoj shumë mirë dhe zonën tonë”, tha ai.

Rritja e kërkesës dhe standardet e larta po e kthejnë këtë kantinë në një shembull frymëzues për zhvillimin e agroturizmit dhe përkrahjen e prodhimit vendas.

1 nga 3

/e.xh//a.f/

The post Denaj: Familja Caco në Pogradec, nga tradita në sukses me prodhimin e verërave autoktone appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PL: Nevojitet plan kombëtar për rikthimin e të rinjve dhe frenimin e shpopullimit

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Partia e Lirisë deklaroi sot se duhet mbështetje e drejtpërdrejtë për familjet duke ulur koston e jetesës dhe duke mbështetur financiarisht dhe me strehim familjet e reja, si masë për ndaljen e shpopullimit.

Zv. Sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu në një deklaratë për mediet e cilësoi shpopullimin si sfidën më të madhe që qeveria dhe e gjithë politika do të ketë në vitet e ardhshme.

“Emigrimi masiv, rënia e lindshmërisë, plakja e popullsisë sjellin me vete probleme të mëdha ekonomike dhe sociale. Plakja e vrullshme e popullsisë sjell një raport shumë të ulët të forcës punëtore me pensionistët, duke falimentuar skemën e pensioneve. Nevojitet më shumë shërbim shëndetësor për moshat e treta, ndërkohë që shëndetësia është në ditët e saj më të zeza”, u shpreh Haxhiu.

Ndaj Haxhiu nënvizoi rëndësinë e realizimit të politikave të integrimit në tregun e punës për të rinjtë dhe profesionistët, mbi bazë meritokracie dhe jo lidhjesh nepotike.

Sipas saj, “nevojiten lehtësime fiskale për të rinjtë dhe gratë sipërmarrëse dhe mbrojtje reale të biznesit të vogël”.

Po ashtu, Haxhiu theksoi se duhen investime reale në arsimin dhe shëndetësinë publike, për të siguruar të ardhmen e fëmijëve dhe familjeve.

“Nevojitet një plan kombëtar për rikthimin e të rinjve dhe frenimin e shpopullimit, duke siguruar mundësi dhe shpresë reale”, shtoi ajo.

/m.m//a.f/

The post PL: Nevojitet plan kombëtar për rikthimin e të rinjve dhe frenimin e shpopullimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Rutte: 30 vende po punojnë për garantimin e sigurisë për Ukrainën

BRUKSEL, 20 gusht /ATSH-AA/ – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha se 30 vende po punojnë për një kornizë garancish sigurie për Ukrainën, duke theksuar se SHBA-ja tani është e përgatitur t’i bashkohet iniciativës.

Duke folur për FOX News pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy dhe disa udhëheqës evropianë, Rutte i përshkroi diskutimet si “shumë të suksesshme” dhe tha se vendet janë të përqendruara në garancitë e sigurisë që mund të hyjnë në fuqi pas një armëpushimi ose, mundësisht, një marrëveshjeje të plotë paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës.

“Pra, gjatë dy muajve të fundit, nën udhëheqjen e kryeministrit britanik, Keir Starmer dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, një grup prej tani 30 vendesh, përfshirë Japoninë dhe Australinë, po punojnë për këtë koncept të garancive të sigurisë”, tha ai.

“Ajo që SHBA-ja kanë thënë tani është se SHBA-ja dëshiron të përfshihet në këtë. Saktësisht se çfarë nënkuptohet me përfshirjen e SHBA-së do të diskutohet gjatë ditëve në vijim”, tha Rutte.

Trump zhvilloi një telefonatë me presidentin rus, Vladimir Putin, e cila rezultoi në një marrëveshje për të mbajtur një takim midis Putinit dhe Zelenskyyt përpara një samiti trepalësh.

“Ai arriti, në një bisedë me presidentin Putin, që Putini të binte dakord për një takim Putin-Zelenskyy. Pra, tani ata do të diskutojnë se ku do të zhvillohet ky takim,” tha ai.

I pyetur nëse u trajtuan lëshimet territoriale nga Ukraina, Rutte tha se kjo çështje nuk u diskutua në Washington.

Ai gjithashtu theksoi se anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk ishte pjesë e bisedimeve aktuale.

“Qëndrimi zyrtar i NATO-s që nga samiti i vitit 2024 është se ekziston një rrugë e pakthyeshme për Ukrainën në NATO. Por ajo që po diskutojmë këtu nuk është anëtarësimi në NATO. Ajo që po diskutojmë këtu janë garancitë e sigurisë të tipit Neni 5 për Ukrainën”, tha Rutte./   /os/

The post BRUKSEL – Rutte: 30 vende po punojnë për garantimin e sigurisë për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rritet numri i tatimpaguesve për tatimin në burim, 2,138 më shumë në gjashtëmujorin e parë 2025

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 janë regjistruar 2,138 tatimpagues më shumë për tatimin në burim, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Sipas DPT-së, ky rezultat reflekton: Përmirësimin e procesit të formalizimit të ekonomisë dhe forcimin e bashkëpunimit midis administratës tatimore dhe sipërmarrjes; Rritjen e ndërgjegjësimit të bizneseve për përmbushjen e detyrimeve tatimore.

Tatimi në Burim është një element i rëndësishëm i sistemit tatimor që garanton mbledhjen e të ardhurave në mënyrë të drejtë dhe transparente, duke kontribuar në një ekonomi më të rregullt dhe të qëndrueshme.

Kategoritë e të Ardhurave për të cilat mbahet Tatimi në Burim  janë: dividenti; honoraret, jorezidentet  lojarat e fatit e per qiratë.

/a.f/

The post Rritet numri i tatimpaguesve për tatimin në burim, 2,138 më shumë në gjashtëmujorin e parë 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dështon sërish seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, rrëzohet edhe kandidatura e Gërvallës

PRISHTINË, 20 gusht/ATSH/- Deputetët e legjislaturës së nëntë kanë dështuar sërish sot për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje propozoi për kryeparlamentare sërish emrin e Albulena Haxhiut.

Deputetët e partive të tjera nuk dhanë mbështetje për kandidaturën e saj ku Haxhiu Haxhiu mori 57 vota pro, 56 kundër dhe 3 deputetë abstenuan.

Pas kandidaturës së Haxhiut, kandidatura tjetër e LVV-së ishte Donika Gërvalla.

Edhe kandidatura e Gërvallës nuk gjeti mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. 57 vota pro, 56 kundër dhe 3 abstenime nuk mjaftuan që Gërvalla të zgjidhet kryeparlamentare.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, përfundoi seancën e sotme duke caktuar 22 gushtin si datë të mbledhjes tjetër të deputetëve.

Seanca e radhës mbahet të premten në ora 11:00.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se deputetët duhet të zgjedhin me votim të hapur kryeparlamentarin, si dhe një kandidat për kryeparlamentar mund të votohet vetëm deri në tre herë.

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës po konsiderohet si urgjencë shtetërore edhe nga presidenca e cila përmes një përgjigjje për KosovaPress tha se Kosova duhet të ketë sa më parë institucionet në periudhën sfiduese globale dhe rajonale.

Presidenca e konsideron urgjencë shtetërore konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të dala nga vullneti i popullit. Në këtë periudhë të zhvillimeve dinamike në kontinent dhe sfidave globale që e prekin edhe rajonin tonë, krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja në përputhje me procedurat e parapara në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është jetik për stabilitetin, përfaqësimin demokratik dhe për adresimin e interesave të qytetarëve”, kanë thënë nga Presidenca për KosovaPress.

Kujtojmë që deri para aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës dështoi konstituimin në 54 tentativa.

Gjykata Kushtetuese e publikoi vendimin me 8 gusht, ndërsa si të plotë e publikoi të hënën e 18 gushtit. /KosovaPress/

The post Dështon sërish seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, rrëzohet edhe kandidatura e Gërvallës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Lagarde: Ekonomia e eurozonës po ngadalësohet nga tarifat

GJENEVË, 20 gusht /ATSH-ANSA/ – Ekonomia e eurozonës, pas një rritjeje të fuqishme në tremujorin e parë të vitit 2025, tashmë po tregonte shenja të një ngadalësimi në tremujorin e dytë, i cili pritet të konsolidohet më tej, pasi normat e tarifave të dakordësuara me SHBA-në janë më të larta se vlerësimet e qershorit të BQE-së dhe do të përfshihen në parashikimet e reja të shtatorit, deklaroi sot presidentja e BQE-së, Christine Lagarde.

Ajo shpjegoi se në pritje të tarifave të Trump, të shpallura në pranverë, eksportet drejt SHBA-së ishin përshpejtuar dhe tani po lehtësohen.

Lagarde shpjegoi se rritja në eurozonë “provoi se ishte e qëndrueshme në fillim të vitit, pavarësisht një konteksti sfidues global”.

“Sigurisht, me rritjen e tarifave që po afrohen tani, ky efekt po përmbyset”, shpjegoi Lagarde.

Marrëveshja me Uashingtonin vendos një normë mesatare efektive tarifore midis 12 dhe 16% mbi importet amerikane të produkteve evropiane, disi më e lartë, por ende afër asaj të supozuar në skenarin bazë të parashikimeve të qershorit.

Rezultati i marrëveshjes tregtare është megjithatë shumë më poshtë se skenarin e rëndë të tarifave mbi 20%” që parashikimet e qershorit e kishin marrë në konsideratë, por në të njëjtën kohë ka pasiguri të vazhdueshme sepse tarifat sektoriale për produktet farmaceutike dhe gjysmëpërçuesit nuk janë sqaruar.

Së fundmi, presidentja e BQE-së, në fjalimin e saj para Këshillit Ndërkombëtar të Biznesit të Forumit Ekonomik Botëror, tha se “edhe pse SHBA-ja është dhe do të mbetet një partnere e rëndësishme tregtare, Evropa duhet të forcojë gjithashtu lidhjet e saj tregtare me juridiksione të tjera duke shfrytëzuar forcën e ekonomisë së saj të fortë të orientuar drejt eksportit”./ /os/

The post FOKUS – Lagarde: Ekonomia e eurozonës po ngadalësohet nga tarifat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Superliga, ndeshja Teuta – Dinamo City shtyhet për më 5 shtator

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Departamenti i Garave në FSHF bën me dije se ndeshja Teuta – Dinamo City, e vlefshme për javën e parë të kampionatit “Abissnet Superiore”, nuk do të zhvillohet ditën e diel, më 24 gusht, por më 5 shtator, në orën 17:00, në stadiumin “Niko Dovana”.

Kjo shtyrje vjen pas kërkesës së klubit Dinamo City, për shkak të angazhimit në fazën play-off të UEFA Conference League, ndërsa dakordësimi është arritur edhe me klubin e Teutës, i cili ka shprehur mirëkuptim për situatën dhe ka pranuar që ndeshja të luhet në një datë tjetër.

Dinamo City do të zhvillojë ndeshjen e parë në play-off të Conference League ndaj Jagiellonia më 21 gusht, ndërsa sfida e kthimit do të luhet më 28 gusht.

/a.f/

The post Superliga, ndeshja Teuta – Dinamo City shtyhet për më 5 shtator appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tiranë – Policia Rrugore: 77 të proceduar, 108 automjete të bllokuara për dy javë

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Policia Rrugore ka intensifikuar monitorimet e akseve rrugore 24 orë në 7 ditë, duke përdorur dronë, radarë, kamera, makina inteligjente dhe patrulla me mjete të pauniformuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve, garantimin e sigurisë rrugore dhe uljen e ndotjes akustike nga automjetet me modifikime të paligjshme.

Nga monitorimi gjatë dy javëve të fundit: 77 shtetas janë proceduar penalisht për pengim të lëvizjes me automjetet e parkuara gabimisht; automjetet e tyre janë tërhequr me mjet ngritës. 66 persona janë arrestuar ose proceduar penalisht për drejtim mjeti në gjendje të dehur, pa leje drejtimi ose për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.  5 persona janë proceduar penalisht për tentativë korrupsioni ndaj punonjësve të Policisë Rrugore.  Janë kapur 3 persona të shpallur në kërkim.  108 automjete janë bllokuar për shkelje të ndryshme rrugore.  53 leje drejtimi janë pezulluar.  33 raste të automjeteve që kryenin transport publik në mënyrë të kundraligjshme janë evidentuar, përfshirë taxi pa dëshmi përkatëse, taksi me targa të bardha dhe autobusë me destinacion të ndryshuar nga leja e transportit.

Policia Rrugore apelon për respekt rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e automjeteve, motomjeteve, këmbësorët dhe përdoruesit e biçikletave ose monopatinave, për të garantuar sigurinë e të gjithë përdoruesve të rrugës.

Qytetarët ftohen të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit në numrin pa pagesë 112.

/a.f/

The post Tiranë – Policia Rrugore: 77 të proceduar, 108 automjete të bllokuara për dy javë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu: Drejt rikonstruksionit shkolla “Ismail Qemali” në Shkodër

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Shkolla 9-vjeçare “Ismail Qemali” në Shkodër do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë me një projekt modern që do të transformojë rrënjësisht infrastrukturën arsimore.

Lajmin e bëri të ditur sot ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, në një takim me mësuesit e kësaj shkolle.

“Në prag të çeljes së vitit të ri shkollor, me mësuesit e shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali” në Shkodër ndamë lajmin e mirë se kjo shkollë shumë shpejt do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë, me një projekt modern, që do të transformojë rrënjësisht infrastrukturën arsimore të kësaj shkolle me traditë në kryeqendrën e veriut”, u shpreh ministrja Manastirliu.

Shkolla “Ismali Qemali” është një nga shkollat 9-vjeçare më të mëdha të bashkisë Shkodër me një numër të lartë nxënësish, rreth 850, ndërsa në ambientet e saj është edhe kopshti me mbi 20 fëmijë.

Ndërtesa aktualisht është e amortizuar dhe jashtë standardeve për efikasitet e siguri, me ndriçim te papërshtatshëm e kushte jo të mira të infrastrukturës në katër katet e saj.

Rikonstruksioni i shkollës “Ismail Qemali” synon krijimin e mjediseve të përshtatshme për edukim, arsimim dhe zhvillim të aktiviteteve të ndryshme në shërbim të nxënësve dhe komunitetit.

Përmes zbatimit të këtij projekti do të ketë ndërhyrje në të gjitha ambientet e brendshme e të jashtme të shkollës, përmirësim të kushteve infrastrukturore, që do të ndikojnë pozitivisht në procesin mësimor dhe krijimin e një ambienti të sigurt dhe të këndshëm për të gjithë.

Projekti i rikonstruksionit të shkollës ka për qëllim krijimin e një hapësire funksionale dhe tërheqëse që jo vetëm përmirëson mjedisin arsimor, por edhe kontribuon në forcimin e lidhjeve sociale dhe komunitare përmes krijimit të hapësirave të përshtatshme për edukim dhe aktivitete arsimore, krijimin e klasave moderne ku mund të përshtaten për metoda mësimdhënieje të ndryshme, hapësira për takime komunitare dhe integrim social, etj.

Në kuadër të thirrjes së hapur të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për vitin 2025 bashkia Shkodër ka aplikuar me tetë projekte, prej të cilave është shpallur fituese e katër propozimeve në vlerën rreth 4 milionë euro.

/m.m/

The post Manastirliu: Drejt rikonstruksionit shkolla “Ismail Qemali” në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Fotografët shqiptarë po lënë gjurmë në skenën ndërkombëtare

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Fotografët shqiptarë po lënë gjurmë në galeritë, ekspozitat, shfaqjet dhe festivalet më të rëndësishme.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot shembujt e suksesit në skenën ndërkombëtare të disa prej tyre.

“Fotografët shqiptarë në skenën ndërkombëtare! Nga Roland Tasho me karrierë të gjatë e çmime prestigjioze, te Ilir Tsouko me tregime vizuale bashkëkohore; nga Burim Myftiu me festivalin ndërkombëtar FOTOIST, te Jetmir Idrizi me vepra të publikuara e vlerësuara në mbarë botën”, tha Gonxhja.

Ndërsa ndau informacion mbi eksperiencën profesionale të këtyre fotografëve, ministri Gonxhja vlerësoi se “artistët shqiptarë na nderojnë ndërkombëtarisht”.

“Ndiqni CulturAlb për të njohur më nga afër fotografët shqiptarë që po lënë gjurmë në galeritë, ekspozitat, shfaqjet dhe festivalet më të rëndësishme”, u shpreh ministri Gonxhja.

“Culturalb” është projekti më i ri për promovimin e kulturës shqiptare në botë. Trashëgimia dhe krijimtaria bashkëkohore shqiptare përmes këtij projekti bëhen pjesë e dialogut kulturor ndërkombëtar.

“Culturalb” është nisma zyrtare e qeverisë shqiptare që synon ta bëjë këtë realitet, përmes një kalendari të pasur me ekspozita, shfaqje, diskutime dhe ngjarje kulturore në qytete të ndryshme të botës. Me Culturalb, kultura shqiptare udhëton, bashkëbisedon dhe ndërvepron pa kufij.

/m.m//a.f/

The post Gonxhja: Fotografët shqiptarë po lënë gjurmë në skenën ndërkombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Rutte: Samiti i radhës i NATO-s në Ankara

BRUKSEL, 20 gusht /ATSH-MIA/ – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute njoftoi se samiti i radhës i Aleancës së Atlantikut të Veriut do të zhvillohet më 7 dhe 8 korrik 2026 në Ankara.

“Dua të falënderoj Turqinë për organizimin e këtij takimi të rëndësishëm. Turqia ka qenë një aleate e fortë e NATO-s për më shumë se 70 vjet, duke dhënë një kontribut të paçmuar në sigurinë tonë të përbashkët”, tha Rutte me këtë rast.

”Në takimin e tyre të ardhshëm, udhëheqësit do të vazhdojnë ta bëjnë NATO-n një aleancë më të fortë, më të drejtë dhe më të aftë, të gatshme të përballet me sfidat që janë thelbësore për sigurinë tonë”, theksoi ai.

Do të jetë hera e dytë që Turqia do të organizojë një samit të NATO-s, pas atij në Stamboll në vitin 2004.

Samitet bashkojnë udhëheqësit e vendeve aleate për të marrë vendime mbi çështje të rëndësishme me të cilat përballet aleanca./ a.jor.

The post BRUKSEL – Rutte: Samiti i radhës i NATO-s në Ankara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rikthehet superliga e futbollit, arbitrat zhvillojnë seminar teorik dhe teste fizike

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Sektori i Arbitrimit në FSHF po zhvillon një seminar 3-ditor për zyrtarët e kampionatit “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë, në kuadër të fillimit të sezonit të ri futbollistik 2025/26, cili fillon të premten.

Më herët, arbitrat kanë mbyllur me sukses testet fizike, ndërsa seminari u fokusua në trajtimin e situatave të ndryshme të lojës dhe interpretimet e sakta të rregulloreve.

Në këtë seminar ishin të ftuar dy instruktorë të UEFA-s Costa Kapitanis dhe Bekim Zogaj.

Costas Kapitanis dha një prononcim për fshf.org, ku theksoi progresin e bërë në kuadër të infrastrukturës së qendrës VAR dhe shpjegoi rëndësinë e seminarit 3-ditor.

“Pikë së pari, dua të falënderoj Federatën Shqiptare të Futbollit për ftesën, për të qenë pjesë e këtij seminari elitar të gjyqtarëve dhe vëzhguesve këtu në Shqipëri. Është kënaqësi e madhe të jem këtu. Unë punoj afër me Shqipërinë, pasi jam anëtar i Konventës së Arbitrave dhe Shqipëria është një nga vendet që ndjek. Është shumë interesante të jem këtu, 3 vitet e fundit kam qenë 3 herë dhe shoh progres shumë të madh në arbitrimin e djemve dhe vajzave, gjë që reflektohet në takimet dhe përfaqësimet e Shqipërisë jashtë.

U impresionova nga videoja promocionale “Bëhu arbitër” në shqip, një motivim i madh për të frymëzuar të rinjtë për t’u përfshirë në botën e arbitrimit, pasi momentalisht na mungojnë 40 mijë arbitra në Europë.

Gjithashtu, vizitova qendrën VAR këtu në federatë, që është po ashtu një hap i madh dhe duket që ju po bëni shumë hapa të mirë përpara.

Seminari fokusohet te përgatitja e arbitrave në fillim të sezonit, duke rifreskuar rregullat e futbollit dhe ndryshimet e reja të tyre. Në këtë mënyrë ne shkëmbejmë këndvështrime, diskutojmë dhe i inkurajojmë të bëjnë pyetje, në mënyrë që të kenë çdo gjë të qartë në mendjen e tyre kur hyjnë në fushë” – u shpreh instruktori i UEFA-s Kapitanis.

Ndërkaq, instruktori i UEFA-s Bekim Zogaj vlerësoi organizimin dhe infrastrukturën e krijuar në Shqipëri dhe u shpreh shumë optimist për performancën e arbitrave në sezonin e ri futbollistik.

“Punimet e seminarit po ecin shumë mirë. Tema ku unë kam ligjeruar ka qenë në lidhje me “offside”. Shikova një ekip shumë të mirë që ishin të motivuar dhe kriteret i njihnin shumë mirë, si asistentët dhe arbitrat e shqipërisë. Është hera e parë për mua që ligjeroj në Shqipëri. Falënderoj Sokol Jarecin dhe Federatën e Futbollit që më ka ftuar për të qenë prezent në këtë seminar të madh dhe elitar në Shqipëri.

Organizimi me këtë infrastrukturë është tepër profesional. Djemtë dhe vajzat janë shumë të përgatitur dhe besoj se do të ketë performancë të mirë në kampionatin “Abissnet Superiore” në Shqipëri” – theksoi Bekim Zogaj.

The post Rikthehet superliga e futbollit, arbitrat zhvillojnë seminar teorik dhe teste fizike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në konsultim publik projektligj i ri për Administratën Publike, synon forcimin e llogaridhënies

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin ka hapur procesin e konsultimit publik për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, si pjesë e Reformës në Administratën Publike.

Qëllimi i këtij projektligji është përmirësimi i organizimit, funksionimit dhe llogaridhënies në administratën publike shqiptare.

Në relacionin shoqërues të këtij projektligji bëhet e ditur se objektiv është krijimi i një kuadri efektiv dhe modern të llogaridhënies për institucionet e varësisë.

Po ashtu synohet mirëpërcaktimi i tipologjisë së institucioneve të varësisë bazuar në tipologjinë e funksioneve që ato kryejnë, si dhe kufizimi i shkëputjes së strukturave të brendshme ministrore të vogla (drejtori/drejtori të përgjithshme) dhe organizimit të tyre si institucione varësie me vete.

Kjo nismë ligjore synon lehtësimin e Qendrës së qeverisjes nga institucionet në varësi të drejtpërdrejtë të Kryeministrit që duhet ose mund të kalojnë në varësi të ministrive përgjegjëse.

Po ashtu synohet transferimi i vendimmarrjes në nivelin menaxherial të mesëm të institucionit, shoqëruar me rritjen e përgjegjësisë menaxherie dhe lehtësimin e barrës së shtuar mbi pozicionet e ministrit apo sekretarit të përgjithshëm.

Sipas projektligjit, numri i tipologjive të institucioneve joministrore do të reduktohet nga 3 në 2, në funksion të qartësimit të rolit dhe përgjegjësive të tyre.

Në këtë drejtim, propozohet bashkimi i Institucioneve të Varësisë dhe Agjencitë Autonome në një kategori të vetme, ndërsa Autoritetet Rregullatore do të rikonceptohen si një lloj i veçantë me autonomi funksionale të garantuar sipas standardeve evropiane.

Legjislacioni në fuqi parashikon tre lloje të trupave joministrore: Institucionet e Varësisë (IV), Agjencitë Autonome (AA), të dyja në varësi të ministrive dhe që kryejnë të njëjtat funksione të zbatimit të politikave, por me regjime të ndryshme juridike të organizimit dhe funksionimit, dhe Autoritetet apo Entet Rregullatore (ARr) që janë krijuar me ligje të veçanta, dhe që i raportojnë Kuvendit dhe kryejnë gjithashtu funksione të zbatimit të politikave, por specifikisht të natyrës rregullatore (tregjeve dhe industrive).

“Dallimi aktual midis institucioneve të varësisë dhe agjencive autonome nuk bazohet në kritere të dallimit funksional. Gjithashtu, mbajtja e autoriteteve rregullatore jashtë mbikëqyrjes së qeverisë, sjell problematika në zbatimin e parimit të ndarjes së pushteteve, fragmentarizmin e aftësisë/përgjegjësisë së qeverisë për hartimin dhe zbatimin e politikave shtetërore dhe vakum në sistemin e përgjegjësisë e llogaridhënies qeveritare”, citohet në relacion.

Projektligji propozon ekzistencën e vetëm dy llojeve të trupave joministrore/ekzekutive, pra mbajtjen e institucioneve klasike të varësisë (IV) ku sipas këtij propozimi do të përfshihen edhe agjencitë aktuale autonome, dhe ri-konceptimi tërësor i Agjencive Autonome për të akomoduar tipologjinë aktuale të Autoriteteve Rregullatore, duke rregulluar regjimin e tyre juridik të organizimit dhe funksionimit të aftë për të garantuar një autonomi funksionale të plotë në kryerjen e funksioneve rregullatore, siç kërkohet nga legjislacioni evropian për secilin nga rregullatorët.

Në projektligj gjithashtu sillet në vëmendje edhe situata problematike me institucionet e vogla në varësi të ministrive, duke nënvizuar nevojën për rregullimin e funksionimit të tyre.

“Nga një analizë e situatës, rezulton se për shkak të mungesave në ligjin 90, ka një tendence të shkëputjes së njësive të brendshme administrative të ministrive (drejtorive/drejtorive të përgjithshme) nga aparati i ministrive duke u krijuar si institucione vartësie më vete. Kjo mungesë ka pas sjellë në disa raste krijimin e trupave/institucioneve të varësisë shumë të vogla, që nuk kanë realisht kapacitete për funksionimin e tyre ndarazi jashtë ministrisë mëmë. Projektligji propozon vendosjen e një pragu minimal të punonjësve që justifikojnë krijimin e një institucioni varësie, dhe njohjen e një lloji të ri drejtorie me status të posaçëm brenda aparatit të ministrisë, pa personalitet juridik por me autonomi të rritur në bazë të delegimit të ministrit”, thuhet në relacion.

Po ashtu edhe sistemi i mbikëqyrjes apo llogaridhënies së institucioneve për trupat jo ministrore rezulton se nuk është i uniformizuar. Projektligji, propozon gjithashtu krijimin e një sistemi të detyrueshëm, të uniformizuar të mbikëqyrjes/llogaridhënies së trupave joministrore bazuar në rezultatet e institucionit.

Ndërsa për institucionet në varësi të Kryeministrit legjislacioni aktual nuk ka dispozita apo kufizime për to, duke i trajtuar ato njësoj si institucionet në varësi të ministrive. Në relacion theksohet se me kalimin e viteve kjo ka krijuar një mbingarkesë në funksionimin normal të qendrës së qeverisjes si pasojë e një numri të konsiderueshëm institucionesh në varësi të kryeministrit.

Projektligji propozon shtimin e disa dispozitave për krijimin e institucioneve në varësi të Kryeministrit. Dispozitat parashikojnë kritere pozitive dhe negative.

Projektligji propozon edhe dy ndërhyrje specifike sipas të cilave: i) “Drejtoria” bëhet niveli thelbësor i vendimmarrjes ekskluzive në një ministri dhe titullari i drejtorisë (drejtori) është ekskluzivisht përgjegjës për të gjithë vendimmarrjen brenda fushës së kompetencave të drejtorisë përkatëse, me përjashtim, sigurisht, të asaj vendimmarrjeje që i ngarkohet në mënyrë eksplicite me legjislacion menaxherëve të tjerë më të lartë (nëpunësve civilë të kategorisë të lartë drejtuese) ose vetë ministrit, dhe ii) përcaktohen një set rregullash të thjeshta që lejojnë delegimin brenda varësisë së një tipologjie vendimmarrjeje apo një vendimmarrjeje konkrete.

Ndër të tjera në draft propozohen rregulla të reja për kontroll më të fortë të ndryshimeve institucionale, duke kërkuar analiza të detajuara nga ministritë para krijimit të institucioneve të reja dhe duke i besuar Departamentit të Administratës Publike rolin kryesor në këtë proces.

/m.m//a.f/

The post Në konsultim publik projektligj i ri për Administratën Publike, synon forcimin e llogaridhënies appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Strehimi social, Gonxhja: 1,253 familje përfituese në vitin 2025

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka intensifikuar mbështetjen për familjet në nevojë përmes programeve të strehimit social, duke dyfishuar numrin e përfituesve krahasuar me një vit më parë.

Ministri Blendi Gonxhja bëri të ditur se në vitin 2025, synohet përmirësimi i kushteve të banimit për 1,253 familje, në krahasim me 650 familje të mbështetura gjatë vitit 2023.

Sipas tij, Programi Kombëtar i Mbështetjes Sociale përfshin: Subvencionimin e qirave; Kreditë e buta për strehim; Rikonstruksionin e banesave ekzistuese; Projekte bashkiake për banesa sociale të reja

“Qëllimi ynë është strehim i përballueshëm, i përshtatshëm dhe i qëndrueshëm për çdo qytetar, duke rritur standardin e jetesës në të gjithë vendin” tha ministri Gonxhja.

Kjo nismë përbën një hap konkret në drejtim të fuqizimit të politikave sociale dhe përfshirjes më të madhe të grupeve në nevojë në zhvillimin e qëndrueshëm urban.

/e.xh//a.f/

The post Strehimi social, Gonxhja: 1,253 familje përfituese në vitin 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌