TIRANË, 7 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha mori pjesë sot në një takim me grupin konservator në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg.
Berisha tha se grupi konservator i KiE duhet të sjellë në Shqipëri një mision vëzhgimi. Sipas tij, vetëm kështu mund ta ndihmojnë vendin.
“Po, ju mund të na ndihmoni shumë. Mund të na ndihmoni. Së pari, dërgoni një mision verifikimi, sepse do të dëgjoni gjëra të pabesueshme. Dhe kur të prekni realitetin atje, atëherë mund të gjeni një mënyrë për të ndihmuar kombin tim, për të ndihmuar vendin tim të çlirohet nga kjo narkodiktaturë. Ne do të luftojmë dhe do të vazhdojmë të luftojmë, por na duhet edhe ndihma e njerëzve të lirë, kudo që janë, dhe nga qeveritë europiane, dhe miqtë tanë kudo”, tha Berisha.
“Ne kemi zgjedhje. Vëzhgimi juaj është shumë i rëndësishëm”, shtoi Berisha.
“Tani, thashë diçka, por mediet janë 80%, më shumë se 80% të kontrolluara nga qeveria.
Në fund, njësoj si Habibullah-u i Kabulit, ai bllokoi TikTok-un. Dhe tani ka instaluar, ai kishte instaluar pajisje DPI për të kontrolluar gjithashtu internetin. Kjo është e vërtetë. Kjo është e vërtetë! Sapo të rinjtë filluan ta kritikojnë në TikTok, ai e ndaloi dhe e bllokoi TikTok-un dy javë më parë. Ai bën gjithçka për të kufizuar komunikimin tonë me njerëzit”, vijoi Berisha.
Kryedemokrati theksoi se janë tre liderë të opozitës të arrestuar. “Më arrestoi mua për 330 ditë pa asnjë fakt penal”, tha Berisha.
Berisha shtoi se “lideri tjetër, i partisë së dytë opozitare, ish-presidenti, ish-kryeministri i vendit, Ilir Meta, edhe pse është person nën hetim, gjendet në burg, edhe pse nuk ka akuzë ndaj tij”.
“Lideri i tretë, i partisë tjetër opozitare, është Fatmir Mediu, ish-ministri i Mbrojtjes gjatë kohës së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, dhe po gjykohet për një çështje që është mbyllur 15 vite më parë, pa asnjë fakt konkret”, tha Berisha.
Berisha tha ndër të tjera se “krimi i organizuar është shumë i famshëm dhe shumë i përfshirë në zgjedhje”.
“Autoritet franceze, belge dhe holandeze kanë dorëzuar mijëra e mijëra faqe të mesazheve të krimit të organizuar, të marra nga telefonat e enkriptuar”, tha Berisha.
Kryedemokrati e cilësoi bonusin për pensionistët nga qeveria si “dhuratë për të siguruar votën e tyre”.
“Janë mbi 700 mijë shqiptarë. Është një vendim i qeverisë për të siguruar bonus pensionesh për votë”, tha Berisha.
/r.e//a.f/
The post Berisha me grupin konservator në KiE: Kemi zgjedhje, vëzhgimi juaj është shumë i rëndësishëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.