Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Rusia dhe Ukraina përfshihen në një luftë dronësh

Një gjendje gatishmërie është shpallur në të gjithë Ukrainën pas ngritjes së një avioni luftarak, tip ”MiG-31K” në Rusi, raporton Ukrinform.

“E gjithë Ukraina është në rrezik nga raketat! Një MiG-31K është regjistruar duke u ngritur”, njoftoi Forca Ajrore e Kievit në Telegram.

Lufta me dronë midis Ukrainës dhe Rusisë vazhdon gjatë natës, ndërsa Zelensky bën thirrje për një takim të ri me Moskën në Stamboll. Trenat u ndaluan këtë mëngjes në stacionin rus në Volgograd, i cili u godit gjatë natës nga një sulm me dronë ukrainas.

“Mbrojtja ajrore zmbrapsi një sulm masiv me dronë në rajonin jugor rus të Volgogradit”, tha guvernatori Andrey Bocharov.

Disa dronë u rrëzuan në fusha, duke shkaktuar zjarre në shkurre, por një zjarr më i madh shpërtheu në stacionin e trenit ”Archeda” në qytetin Frolovo.

Aksioni për çlirimin e hapësirave publike, Rama: Vazhdojmë, papushim

Kryeministri Edi Rama ka ripërsëritur thirrjen për çlirimin e hapësirave publike. Në “Facebook” ka ndarë pamje nga momenti kur edhe po vijon aksioni i cili vijon tashmë prej javësh. Rama shprehet se aksioni do të vijojë pa pushim.

“Vazhdojmë, papushim. Dhe u lutemi komentatorëve që brenda mundësive të bëjnë ca durim, por edhe po s’mundën i përshëndesim me mirëkuptim”, shkruan Rama bashkëngjitur videos së publikuar.

Në vëzhgim prej dy muajsh, si ra Flodian Plaku në gjurmët e policisë, i akuzuar për ekzekutimin e Gentian Bejtjes

Detaje të reja janë mësuar nga arrestimi i Flodian Plakut i cili akuzohet për vrasjen e Gentian Bejtjas. Operacioni u finalizua një ditë më parë.

ABC News mëson se Flodian Plaku ka qenë në vëzhgim për rreth dy muaj nga policia. Ndërsa në ditën e ndërhyrjes dhe arrestimit, është ndjekur fillimisht Albano Lapshi, por edhe Armando Dano i cili është me origjinë nga Shkodra. Të dy këta shtetas, po shkonin drejt hotelit ku fshihej Plaku. Ndërsa në moment është bërë edhe ndërhyrja e policisë ku u arrestua 42-vjeçari  dhe gjithashtu është bërë edhe ndalimi i Julian Aliaj i  cili mbante me vete pistoletë.

Gjatë ndërhyrjes policore në hotelin ku fshihej, së bashku me shtetasin Flodian Plaku, u kap edhe shtetasi Julian Aliaj alias Julian Pashaj, 43 vjeç, i cili gjatë operacionit u kap me një armë zjarri pistoletë me një krehër me fishekë.

Gjatë hetimeve të thelluara mbi këtë rast, u evidentua se shtetasit Albano Lapshi , 36 vjeç, banues në Vlorë, Armando  Dano, 31 vjeç banues në Vlorë dhe Ligor Doko 57 vjeç, banues në Tiranë, kanë ndihmuar në strehimin, komunikimin dhe lëvizjen e shtetasit në kërkim Flodian Plaku.

Ata u arrestuan ne flagrancë për veprën  penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Ndërsa gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit Flodian Plaku, si dhe në ambientet ku qëndronte, u gjetën dhe u sekuestruan:

  • Një armë zjarri pistoletë, me një krehër dhe 17 fishekë;
  • 25 000 euro cash, për të cilat po hetohet burimi i dyshuar kriminal;
  • 7 celularë.

/abcnews.al/

FOTO/ Ishte në kërkim për vrasjen e Gentian Bejtjas, momenti i arrestimit të Flodian Plakut në Orikum

ABC News ka siguruar foton nga momenti i arrestimit të Flodian Plakut në Orikum. Plaku akuzohet si një nga tre personat e përfshirë në vrasjen e Gentjan Bejtjas. Ngjarje kjo e ndodhur në mars të vitit 2024.

Lidhur me këtë ngjarje policia shoqëroi edhe disa persona të tjerë.

Flodian Plaku nga Vlora ishte shpallur në kërkim si një nga autorët e vrasjes së Gentjan Bejtjas në Larushk të Fushë Krujës. Plaku përdorte edhe mbiemrat Serjani dhe Mamo.

Ish-polici i burgjeve, Gentjan Bejtja u vra më 15 mars në oborrin e shtëpisë përmes një atentati të mirëorganizuar në Larushkë të Fushë Krujës.

Bejtja u kishte shpëtuar tri atentateve, por i katërti ishte fatal për të. Teksa ndodhej në oborrin e banesës, persona të maskuar e qëlluan me breshëri plumbash.

/abcnews.al/

 

Analiza/ Skandali i korrupsionit në Ukrainë; 30 përqind ryshfet për dronë të rinj

Skandal i ri korrupsioni në Ukrainë: Pas protestave për përpjekjet për të zvogëluar kompetencat e agjencisë antikorrupsion, është zbuluar një skandal i ri ryshfeti në lidhje me prokurimin e armëve.

Në Ukrainë, hetuesit kanë zbuluar një skandal të ri korrupsioni që lidhet me prokurimin e armëve. Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU), së bashku me Zyrën e Prokurorit Kundër Korrupsionit (SAP), njoftuan se kishin zbuluar “përvetësim sistematik” të fondeve publike për ushtrinë, si dhe “marrjen dhe dhënien e përfitimeve të paligjshme në një shkallë veçanërisht të madhe”.

Këto janë kontrata me prodhuesit e dronëve të cilat, sipas autoriteteve në Kiev, u lidhën me çmime dukshëm të larta – në dëm të buxhetit shtetëror të Ukrainës.

Sipas informacioneve të deritanishme, janë arrestuar katër të dyshuar – midis tyre, sipas agjencisë gjermane të lajmeve dpa, është edhe deputeti Oleksiy Kuznetsov. Ai i përket partisë së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Akuzat i referohen edhe disa punonjësve të tjerë të shërbimeve publike në nivel qyteti, si dhe anëtarëve të Gardës Kombëtare. Këta të fundit u pezulluan nga detyrat e tyre, deklaroi ministri i Brendshëm Ihor Klimenko. Të dyshuarit, siç u tha, lidhën kontrata për blerjen e dronëve për luftën me çmime të tepruara, dhe më pas morën 30 përqind të shumës në formën e ryshfeteve.

Presidenti Zelenski deklaroi se është “mirënjohës” ndaj organeve antikorrupsion për punën e tyre.

“Nuk duhet të ketë tolerancë për korrupsionin, nevojitet bashkëpunim i qartë për të zbuluar ryshfetin – dhe në fund të fundit vendime të drejta për denimin e tij”, tha ai në kanalin e tij në “Telegram”.

“Është e rëndësishme që institucionet të punojnë në mënyrë të pavarur”. Ligji i sapomiratuar të enjten, ofron të gjitha mundësitë për luftimin e korrupsionit dhe ryshfetit.

Me këtë ligj parlamenti ukrainas rivendosi pavarësinë e Zyrës Kombëtare Kundër Korrupsionit dhe Zyrës së Prokurorit Kundër Korrupsionit. Përpara kësaj, me urdhër të Zelenskit, të dy institucionet u vendosën nën juridiksionin e Zyrës së Prokurorit të Shtetit. Kjo shkaktoi protesta në vend dhe kritika nga Bashkimi Evropian javën e kaluar.

Korrupsioni dhe shpërdorimi janë probleme të përhapura në Ukrainë. Që kur filloi pushtimi rus më shumë se tre vjet më parë, janë zbuluar disa raste korrupsioni në ushtri dhe Ministrinë e Mbrojtjes.

Prandaj, BE-ja ka kërkuar vazhdimisht që Ukraina të zbatojë reforma nëse dëshiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Në Indeksin aktual të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, Ukraina renditet e 105-ta nga 180 vende.

Ka dyshime edhe për zhdukjen në kanale të errëta të ndihmave perëndimore që i dërgohen Ukrainës për të luftuar Rusinë, por deri tani nuk është publikuar ndonjë rast konkret me përmasa të gjëra./DW/

Sinjal alarmi/ Përse po bie gjithnjë e më shumë nataliteti në Gjermani?

Mesatarisht gratë në Gjermani lindin 1,35 fëmijë, një rënie historike e natalitetit. Sinjal alarmi për mirëqenien apo një shenjë e së drejtës së gruas për vetëvendosje?

Julia Brandner ishte 28 vjeç, kur iu nënshtrua sterilizimit. Për ndërhyrjen gjinekologia i kërkoi një raport psikiatrik për aftësinë e saj mendore, edhe pse ligji kërkon për gratë mbi 25 vjeç vetëm pëlqimin e tyre. Brandner është e habitur nga intensiteti i debatit lidhur me librin e saj.

Ajo vëren një zhvendosje djathtas drejt vlerave më tradicionale, ku gratë duhet të kthehen në kuzhinë dhe të kujdesen për fëmijët. AfD, që është pjesërisht e ekstremit të djathtë, ka zbuluar temën e rënies së nivelit të lindjeve dhe bën thirrje për më shumë fëmijë si një mjet kundër mungesës së punëtorëve të kualifikuar në vend të emigracionit.

Kritika e Brandner: Edhe në vitin 2025, çështja e fëmijëve do të bjerë pothuajse tërësisht mbi gratë. “Pikërisht nënat e shumta beqare lihen vetëm, ndërsa baballarëve u kërkohet pak llogari. Të kesh fëmijë është një rrezik i madh varfërie për gratë. Nuk bën, që edhe sot një grua të duhet të sakrifikojë mirëqënien e saj për të siguruar mirëqenien e shoqërisë.”

Gjermania nuk është e vetmja në rënien e shkallës së lindshmërisë. Në mbarë botën, shifrat po bien në mënyrë dramatike, në Korenë e Jugut rënia është në 0.75 – përjashtimi i vetëm është rajoni i Sahelit, ku gratë ende lindin mesatarisht më shumë se pesë fëmijë.

Michaela Kreyenfeld është sociologe dhe bashkautore e raportit të qeverisë gjermane për familjen. Ajo konstaton një lidhje gjithnjë e më të fortë midis krizave ekonomike dhe pasigurive dhe qëndrimit ndaj fertilitetit. Në një intervistë me DW, ajo thotë: “A është egoizëm apo thjesht vetëvendosje, ajo që i bën gratë të mos duan të kenë fëmijë? Ne kemi folur për këtë që nga vitet 1970, kështu që nuk është asgjë e re.” Megjithatë krizat e shumëfishta janë të reja. “Pandemia e koronavirusit, ndryshimi i shpejtë i klimës dhe inflacioni i lartë. Kjo është një tjetër situatë e re, sidomos për brezin e ri”.

Në SHBA po shfaqet aktualisht një lëvizje e kundërt, me njeriun më të pasur në botë si përfaqësuesin e saj më të shquar në krye: Pronatalistët dhe Elon Musk duan të sjellin sa më shumë fëmijë në botë.

Edhe presidenti rus Vladimir Putin porosit gratë ruse të kenë më shumë fëmijë – kush mbështet mungesën e fëmijëve, përballet me një gjobë deri në 4,000 euro, thotë Kreyenfeld. As mirëqenia e fëmijëve dhe as e prindërve, dhe sigurisht jo e gruas, nuk është në qendër të interesit – fjala kyçe: shtatzënitë e adoleshenteve. Kushtet, në të cilat lindin fëmijët, janë pra dytësore.

Një shembull paralajmërues nga e kaluara e Evropës Lindore, thotë sociologja, është Rumania: “Presidenti Çaushesku mori masa masive në atë kohë dhe rriti shkallën e lindjeve nga 1.8 në 4 brenda një viti, duke kufizuar aksesin te kontraceptivët dhe duke vendosur dënime drakoniane për abortin. Rezultati ishte i ashtuquajturi ‘brezi i humbur’ në Rumani: brezi prindërit e të cilëve nuk kujdeseshin për fëmijët, sepse nuk i donin aspak”.

Pra, çfarë mund të bëhet për të rritur përsëri shkallën e lindjeve pa presion politik? Martin Bujard, i cili është më shumë se kushdo tjetër ekspert për shkallën e lindjeve në Gjermani dhe i njeh shifrat e dy dekadave të fundit deri në presjen dhjetore, e di përgjigjen. Zëvendësdrejtori i Institutit gjerman për Studime të Popullsisë thotë se debati për gratë, që mbeten vullnetarisht pa fëmijë si Julia Brandner, anashkalon thelbin.

“Nëse dikush nuk dëshiron të ketë fëmijë, është vendimi i tij i lirë. Kjo nuk duhet të stigmatizohet; megjithatë po bëhet gjithnjë e më e pranueshme të jetosh një jetë pa fëmijë.” Por çështja është diku tjetër: “Ne pyesim në mënyrë empirike për dëshirën për fëmijë – dhe kjo tregon se së fundi në 2024 dëshira për fëmijë ishte mesatarisht rreth 1.8 fëmijë për grua dhe për burrë, që është dukshëm më e lartë se shkalla e lindjeve prej 1.35. Nëse këto dëshira për të pasur fëmijë, që ekzistojnë, do të realizoheshin, do të kishim më pak probleme demografike dhe shumë më tepër mirëqenie në plan afatgjatë”.

“Fertility gap” quhet hendeku midis numrit të dëshiruar të fëmijëve dhe shkallës së lindjeve, që do të thotë se shumë gra në fund mund të lindin vetëm një fëmijë në vend të dy fëmijëve të dëshiruar. Kjo ndodh, sepse ato mund të gjejnë një marrëdhënie të qëndrueshme vonë në jetë, sepse fëmijët në debatin shoqëror shihen gjithnjë e më shpesh si problem dhe jo si pasurim dhe sepse politika mund të bënte më shumë se sa bën aktualisht.

Martin Bujard vlerëson përpjekjet e shkuara të Gjermanisë për politikat familjare, si zgjerimi i kopshteve dhe shkollat gjithëditore, si dhe futjen e ndihmës financiare për prindërit në fillim të viteve 2000. Ky ndryshim paradigme ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare, pasi Gjermania ka qenë ndër vendet me normat më të këqija të lindjeve në botë për dekada me radhë.

Megjithatë: “Që nga viti 2013 ne kemi të drejtë ligjore për mbajtjen e fëmijëve, por që nuk është më aq e besueshme, sepse kujdesi ndaj fëmijëve shpesh mungon. Ka mungesë të punonjësve të kualifikuar dhe shumë pak para rrjedhin në sistem. Nëse do të kishte para të mjaftueshme, do të flisnim edhe për paga më të larta për edukatorët.”

Gjermanisë i kërkohet të bëjë më shumë në politikën familjare, pasi kjo tendencë është shqetësuese: 22 përqind e grave dhe 36 përqind e burrave midis 30 dhe 50 vjeç aktualisht nuk kanë fëmijë, sipas Ministrisë gjermane për Çështjet e Familjes, të Moshuarve, Grave dhe të Rinjve. Sidomos akademiket e reja femra mbeten gjithnjë e më shumë pa fëmijë. E vetmja mënyrë është përmirësimi i ekuilibrit mes punës dhe jetës familjare, thotë zëvendësdrejtori i Institutit gjerman për Studimet për Popullsinë.

“Skenari më i keq është, që me një rënie të mëtejshme të shkallës së lindjeve në vitin 2030 sigurimi shoqëror do të përballet me probleme edhe më serioze në plan afatgjatë. Kjo do t`i kushtonte shumë mirëqenies: kontributet e sigurimeve shoqërore do të duhej të rriteshin, pensionet do të binin dhe shkurtime do të duhej të bëheshin edhe në kujdesin shëndetësor. Mungesa e punëtorëve të kualifikuar do të thellohej, ajo do të mund të korrigjohej vetëm në masë të kufizuar përmes imigracionit të mëtejshëm”./DW/

Shira të rrëmbyeshëm në Korenë e Jugut, mbi 2500 të evakuuar

Mbi 2,500 persona u detyruan të evakuoheshin nga shtëpitë e tyre për shkak të shirave të rrëmbyeshëm që goditën Korenë e Jugut gjatë natës.

Sipas Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Emergjencave, deri në orët e para të mëngjesit, 2,523 persona ishin evakuuar në gjashtë qytete dhe provinca kryesore jugore; Busan, Gwangju, Chungcheong Jugor, Jeolla Jugor, Gyeongsang Verior dhe Gyeongsang Jugor.

Reshjet më të dendura të shiut goditën veçanërisht pjesën jugperëndimore të vendit. Autoritetet u bëjnë apel qytetarët të tregohen të kujdesshëm dhe të shmangin zonat e rrezikut.

/abcnews.al/

Gaza/ Të paktën 10 viktima pas sulmeve pranë qendrave të shpërndarjes së ndihmave

Forcat izraelite hapën zjarr pranë dy vendeve të shpërndarjes së ndihmave të drejtuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës i mbështetur nga Izraeli, ndërsa turma palestinezësh të uritur kërkonin ushqim, duke vrarë të paktën 10 persona, thanë dje në mbrëmje punonjësit shëndetësorë – një ditë pasi zyrtarët amerikanë vizituan Fondacionin Humanitar të Gazës, sipas AP.

Ka kaluar gati një javë që kur Izraeli, nën presionin ndërkombëtar mes krizës së urisë në Gazë, njoftoi pauza të kufizuara humanitare dhe dërgesa nga ajri që synonin të sillnin më shumë ushqim për mbi 2 milionë banorët, pas rreth 22 muajsh lufte.

Por Kombet e Bashkuara, partnerët dhe palestinezët thanë se po dërgohen shumë pak ndihma – ndersa furnizime të grumbulluara jashtë Gazës presin miratimin e Izraelit.

Banorë të dëshpëruar dhe grupe kriminale nxjerrin me forcë furnizimet nga kamionët që hyjnë në zonën e ndihmës – përpara se të mbërrijnë në depo për shpërndarje.

Mot i paqëndrueshëm gjatë ditës, si do të ndryshojnë temperaturat

Vendi ynë do të jetë në ndikimin e kushteve atmosferike të paqëndrueshme.

Moti parashikohet fillimisht me kthjellime dhe gradualisht shtim vranësirash mesatare deri të dendura (në male), të cilat do të pasohen me reshje lokale shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit.

Temperaturat maksimale në zonat malore, do të zbresin në 25 gradë, ndërsa në vendet e ulëta dhe në bregdet, temperaturat do të jenë 35 gradë celsius.

Në intervale të shkurtra kohore në mënyrë të izoluar, kryesisht në veri nuk do të mungojnë shtrëngata me shkarkesa elektrike e breshër.

Tre të vdekur pas sulmeve ruse në Ukrainë

Tre persona humbën jetën pas sulmeve ajrore ruse në rajonin Zaporizhia në Ukrainë.

Oficeri ushtarak Ivan Federov, tha se gjithashtu shumë banesa u shkatërruar pas sulmeve ruse.

Operacionet ruse janë përqendruar në pjesët lindore dhe jugore të territorit ukrainas, ndërsa lufta mes vendeve ka vazhduar që nga shkurti i vitit 2022.

Kremlini njoftoi në vitin 2022 aneksimin, përveç gadishullit të Krimesë, të katër rajoneve ukrainase – Kherson, Zaporizhia, Donetsk, Luhansk – dhe që atëherë është përpjekur t’i marrë ato tërësisht.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së njofton takim urgjent të martën për pengjet në Gaza

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një takim urgjent të martën mbi çështjen e pengjeve izraelite në Rripin e Gazës.

Përfaqësuesi i Izraelit në OKB, Danny Danon, u shpreh i shqetësuar për fatin e pengjeve.

Ai njoftoi takimin nëpërmjet mediave sociale, disa ditë pasi u shfaqën video që tregonin dy pengje izraelite që dukeshin tmerrësisht të dobësuar.

Danon sqaroi se Këhilli i Sigurimit do të mblidhet të martën në një takim urgjent mbi situatën katastrofike të pengjeve në Gaza.

/abcnews.al/

Moti i keq, pezullohet lëvizja e trenave në Britani, paralajmërime për stuhi dhe reshje të dendura

Moti i keq ka përfshirë Britaninë e Madhe. Autoritetet lokale bëjnë thirrje që qytetarët të tregohen të kujdesshëm dhe të mos lëvizin gjatë ditës së sotme, për shkak se mund të jetë në rrezik. Vendi do të përfshihet nga erëra të forta, ndërsa mund të mbyllen rrugët kryesore.

Gjithashtu meteorologët janë shprehur se pasagjerët nuk duhet të udhëtojnë në veri të Newcastle, ndërsa Avanti West Coast i ka këshilluar pasagjerët e saj të mos udhëtojnë në veri të Preston pasi do të “ndikohet rëndë” nga moti.

Disa trena janë anuluar tashmë në Skoci, me Network Rail. Linjat e tjera do të funksionojnë me një orar të reduktuar dhe kohëzgjatje më të gjata udhëtim.

/abcnews.al/

Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

Dashi

Hëna në shenjën e Luanit rrit guximin dhe të jep energji për veprim. Kjo ditë sjell zgjedhje të shpejta, por me intuitë të mirë. Nëse je beqar, mund të njohësh dikë në një vend të papritur; në çift, një gjest i vogël ndihmon për të rikthyer afërsinë. Në punë, Marsi në shenjë të bën të vendosur, por ke tendencën të bësh gjithçka vetë; shmang konfliktet me kolegët ose eprorët. Shëndeti është i mirë, por ki kujdes me presionin e gjakut dhe përpiqu të flesh mjaftueshëm.

Demi

Hëna në pozicion të pafavorshëm mund të sjellë pak pasiguri, por edhe zbulesa të brendshme. Në dashuri ke nevojë për siguri: në çift, një bisedë e sinqertë pas një darke intime mund të afrojë më shumë. Nëse je beqar, dikush nga e kaluara mund të rikthehet në mendime. Në punë ke energji, por disa vendime duhen marrë me kujdes; mos kërko të imponohesh, edhe kur mendon se ke të drejtë. Shëndeti është në rregull, por të nevojitet më shumë pushim.

Binjakët

Merkuri në pozicion të favorshëm të jep aftësi për të komunikuar mirë dhe për të menduar qartë. Në dashuri priten zhvillime pozitive: një mesazh mund të të emocionojë nëse je vetëm, ndërsa çiftet ndajnë entuziazëm, ndoshta për një udhëtim apo një projekt të përbashkët. Në punë vijnë lajme të mira: kontaktet e reja dhe idetë krijuese hapin rrugë të reja. Kujdes mos shpërqendrohesh nga shumë angazhime; përqendrohu te gjërat që kanë rëndësi.

Gaforrja

Hëna në pozicion miqësor të forcon dëshirën për lidhje emocionale dhe dashuri. Dita është e mirë për çështjet e zemrës: në çift, je më i përkushtuar dhe i gatshëm për të kapërcyer problemet; nëse je beqar, mund të njohësh dikë me të cilin ndan ndjesi të thella. Në punë, kërkon siguri: projektet e reja kanë nevojë për konfirmime, por mos u zhgënje nëse nuk vijnë menjëherë. Saturni ndihmon për qëndrueshmëri në afatgjatë. Shëndeti përmirësohet nëse ndjek një rutinë të qetë dhe ushqehesh mirë. Merr kohë për të reflektuar mbi dëshirat e tua të vërteta.

Luani

Hëna në shenjën tënde ndez forcën tënde të brendshme. Kjo është një ditë që duhet jetuar me intensitet. Në dashuri, je magnetik: nëse je vetëm, dikush mund të joshet nga karizma jote; në çift, rikthehet pasioni, por duhet më shumë mirëkuptim dhe bujari. Në punë, ke ndikim tek të tjerët, por je edhe i paduruar: shmang përplasjet me ata që nuk ndajnë të njëjtat ide. Shëndeti është i mirë, por mund të ndjesh lodhje emocionale. Gjej kohë për të dëgjuar veten.

Virgjëresha

Merkuri në pozicion të favorshëm të ndihmon të mendosh me kthjelltësi dhe të bësh plane të qarta. Kjo ditë të fton të vësh rregull në jetën tënde, qoftë në ndjenja apo në ambiente. Në dashuri, ka nevojë për qartësi: nëse ka pasiguri në një raport, është koha për një bisedë të hapur. Beqarët mund të takojnë dikë në ambientin e punës ose përditshmëri. Në punë je i saktë dhe kërkues, por mos e tepro me vetëkritikën. Shëndeti përmirësohet nëse lejon vetes pak më shumë pushim.

Peshorja

Kjo ditë të dhuron një ndjenjë ekuilibri, por vetëm nëse vendos veten në qendër. Në dashuri, yjet flasin për harmoni të rikthyer: në çift, dialogu dhe ëmbëlsia janë çelësat për një marrëdhënie të qetë. Beqarët janë më tërheqës se zakonisht dhe mund të tërheqin vëmendje të papritura. Në punë, gjithçka lëviz ngadalë por me drejtim të qartë: nuk duhet të nxitohesh. Një propozim mund të vijë së shpejti. Shëndeti është në përmirësim, por shmang mendimet negative.

Akrepi

Kjo është një ditë me ngarkesë emocionale dhe thellësi, ashtu siç je ti. Në dashuri je intensiv, ndoshta pak i tepërt: ruaj ekuilibrin, që të mos lindin tensione nga dëshira për kontroll. Beqarët mund të përjetojnë tërheqje shumë të forta. Në punë është momenti për të zbatuar një strategji: një ide mund të kthehet në projekt konkret. Shëndeti është i mirë, por duhet të lirosh tensionet e mbledhura. Hëna është në një pozicion që të shtyn të përballesh me të vërtetat që ke shmangur.

Shigjetari

Hëna në pozicion të favorshëm të rikthen buzëqeshjen dhe dëshirën për aventura. Në dashuri ndihesh i gjallë: çiftet mund të organizojnë një aktivitet të veçantë, ndërsa beqarët mund të krijojnë lidhje me dikë ndryshe ose nga një vend tjetër. Në punë, ka ide fituese: një çështje që ishte pezull mund të zgjidhet më në fund. Natyra jote e lirë ndihet më e pranuar. Shëndeti është në rritje, por mos harro të mbash ekuilibër mes trupit dhe mendjes.

Bricjapi

Saturni të udhëheq me qartësi dhe disiplinë. Kjo ditë kërkon durim dhe vizion. Në dashuri, dëshira për siguri mund të të bëjë të tërhiqesh, por tani është koha për të treguar ndjeshmërinë. Në çift ka nevojë për afërsi të vërtetë, ndërsa beqarëve u duhet kohë për të kuptuar ndjenjat. Në punë je i përqendruar dhe me këmbë në tokë, por disa situata kërkojnë më shumë fleksibilitet. Një mundësi mund të vijë në mënyrë të papritur. Shëndeti është i mirë, por duhet të dëgjosh më shumë sinjalet e trupit. Çdo veprim i vogël që bën sot ka ndikim në të ardhmen.

Ujori

Mendja jote është shumë aktive sot. Kjo është një ditë e mbushur me ide dhe intuitë. Në dashuri, ndihesh i lidhur me lirinë: ki kujdes të mos largosh ata që të duan vërtet. Beqarët mund të përjetojnë njohje interesante, por që mund të jenë kalimtare. Në punë je plot krijimtari dhe energji, por duhet të jesh i vëmendshëm ndaj detajeve. Shëndeti është i qëndrueshëm, por mendimi i tepërt mund të lodhë edhe trupin. Sot është dita e duhur për të nisur diçka të re, por duhet disiplinë.

Peshqit

Emocionet janë të thella dhe ndjeshmëria jote është e fuqishme. Në dashuri kërkon ndershmëri dhe lidhje të sinqerta: nëse je në një marrëdhënie, gjej momente për lidhje të vërtetë; nëse je vetëm, ndjesitë e reja do të vijnë pa paralajmërim. Në punë ka pasiguri, por edhe frymëzime që vijnë nga ëndrrat ose intuita. Sot është dita për të ndjekur ndjeshmërinë tënde, pa e fshehur. Universi të flet në mënyra të vogla dhe simbolike.

Kriza humanitare/ Dhjetëra mijëra njerëz marshojnë duke kërkuar paqe dhe ndihmë në Gazë

Dhjetëra mijëra njerëz marshuan në Urën e Portit në shi, në Sidnej -duke kërkuar paqe dhe që ndihma humanitare të lejohet në Gaza, ndërsa kriza e urisë në enklavë thellohet, sipas CNN.

Protesta, e mbështetur nga figura të shquara si Julian Assange, përkon me rritjen e presionit diplomatik ndërkombëtar mbi Izraelin.

Policia tha se në protestë morën pjesë 90 000 persona, shumë më tepër se vlerësimi fillestar prej 10 000 nga organizatori para demonstratës.

Australia ka qenë nën presion në rritje për të njohur shtetësinë palestineze, pasi Franca, Kanadaja dhe Britania e Madhe njoftuan se do ta shqyrtonin atë me disa kushte – në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara – që do të mbahet në shtator.

Shtëpia e Bardhë akuzon Indinë për financimin e luftës së Rusisë

Presidenti amerikan Donald Trump shtoi presionin ndaj New Delhit për të ndaluar blerjen e naftës ruse. Por duket se nuk është mjaftuar me kaq. Pasi nga Shtëpia e Bardhë ka akuza të bërë ndaj Indisë për financim të luftës së Rusisë.

Stephen Miller, zëvendës shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë dhe këshilltar i Donald Trump tha se është e papranueshme që India të vazhdojë të financojë këtë luftë duke blerë naftë nga Rusia.

Tarifat prej 25% për mallrat indiane u njoftuan të premten në përgjigje të blerjes së pajisjeve ushtarake dhe naftës nga Rusia.

Trump kërcënoi të vendosë tarifa 100% për importet amerikane nga vendet që blejnë naftë ruse, nëse Moska nuk arrin një marrëveshje paqeje me Ukrainën.

/abcnews.al/

Perëndim “magjik”, Rama ndan pamjet mahnitëse nga Leskoviku

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga Leskoviku. Pamje mahnitëse me një perëndim magjeps që nuk ka nevojë për shumë fjalë.

Shqipëria ofron bukuri nga më të ndryshmet jo vetëm plazhe, por edhe male dhe histori të veçanta.

Numri i turistëve që zgjedhin të kalojnë pushimet në Shqipëri ka qenë gjithmonë në rritje. Edhe këtë verë është vënë re një fluks i lartë turistë të huaj të cilët kanë vlerësuar bukuritë shqiptarë dhe shpesh kanë treguar se janë magjepsur nga plazhet, historitë , tradita që kanë zbuluar gjatë eksplorimit të tyre në zona të ndryshme në vend.

Hamasi pranon që Kryqi i Kuq të sigurojë ushqim për pengje, por me kusht  

Grupi terrorist i Hamasit i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Kryqi të Kuq për të siguruar ushqim dhe ilaçe për pengjet e burgosura.

Megjithatë ka theksuar se kjo do të varet edhe nga qëndrimi i Izraelit lidhur me aksesin humanitar në Gaza.

Më herët kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu iu drejtuar më një kërkesë Komunitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për të siguruar që pengjet e mbajtura nga Hamasi të marrin kujdes dhe trajtime mjekësore.

/abcnews.al/

Vullkan pas 600 vjetësh / Rusi, shpërthimi në Kamchatka. Ekspertët: Ndikoi tërmeti

Vullkani Krasheninnikov në Rusi shpërtheu për herë të parë pas më shumë se 600 vjetësh, pasi një tërmet i fuqishëm goditi lindjen e vendit në fillim të javës.

Shpërthimi i vullkanit Krasheninnikov filloi të shtunën në mbrëmje. Për herë të fundit nga vullkani kishte dalë llavë mbi 6 shekuj më parë, teksa lartësia e reve vullkanike shoi deri në 6 mijë metra.

Përgjatë rrugës ku kalon reja e hirit nuk ka qendra banimi dhe evakuimet nuk kanë qenë të nevojshme, sipas shërbimeve lokale të emergjencave.

Shkencëtarët e kanë lidhur shpërthimin e vullkanit që ndodhet në gadishullin e Kamchatkës me tërmetin me magnitudë 8.8 dhe goditjet pasuese në rajon.

Tërmeti me magnitudë 8.8 i shkallës rihter goditi në orën 11:24 të mëngjesit sipas kohës në një thellësi prej rreth 21 kilometrash. Pas tërmetit të madh pasuan edhe disa lëkundje me magnitudë që shkoi deri në 6.9.

Tërmeti ishte më i forti i regjistruar që nga tërmeti me magnitudë 9.1 ballë pranë Japonisë verilindore në mars 2011 që shkaktoi një cunami masiv dhe i gjashti nga 10 tërmetet më të fuqishëm në histori.

 

 

View this post on Instagram

 

A post shared by CNN (@cnn)

Asani shkon në Iran/ Ylli i kombëtares arrin akordin me klubin e elitës, Esteglal

Besohet ka zgjedhur paratë. Jasir Asani dëshiron ta vazhdojë karrierën në Iran, dhe mediat nga Teherani njoftojnë se ka arritur akordin me klubin ku pritet të kalojë tepër shpejt.

E përditshmja “Teheran Tajms”, shkruan se klubi Esteglal ka marrëveshje me futbollistin e kombëtares së Shqipërisë, që prej gati dy vjetësh luan në Korenë e Jugut.

Nuk jepen hollësi financiare për parakontratën, ndonëse besohet se Asani do të fitojë në Iran më shumë sesa në skuadrën e tanishme, Kuangju, ndërsa firma do të vlejë për 18 muaj.

Ai do të shkojë në klubin më të vjetër iranian, me bazë në Teheran, dhe me emrin që përkthehet Pavarësia.

Do të luajë për skuadrën që ka dalë 9 herë kampione e vendit, dhe që ka fituar dy herë Championsin e Azisë.

Gjithsesi, Esteglal duhet të merret vesh me Kuangjunë.

Koreanojugorët kanë kontratë me shqiptarin nga Shkupi deri në dhjetor të këtij viti, dhe kërkojnë të paktën 1 milionë euro për ta lënë të lirë.

Më herët, klubi japonez Jokohama u përpoq ta merrte Asanin, i cili këtë sezon ka 8 gola e 2 asistë në 21 ndeshje të kampionatit të Koresë së Jugut, si dhe pati 9 gola e një asist në vetëm 10 ndeshje në Championsin e Azisë, ku arriti çerekfinalen në sezonin që Kuangju e pati debutues.

/abcnews.al/

❌