Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Vajza vrau babain në Fier, arrestohet bashkëpunëtori i 26-vjeçares

Punë e pandërprerë hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së ndodhur në fshatin Frashër, ku shtetasja E. R. vrau për motive të dobëta, babanë e saj.

Vihet në pranga bashkëpuntori i 26-vjeçares.

Në vijim të hetimeve të kryera me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier bënë ndalimin e shtetasit Çlirim Dogani 55 vjeç, banues në fshatin Arapaj, Roskovec.

Nga kryerja e hetimeve dyshohet se ky shtetas ka bashkëpunuar me shtetasen E. R., në vrasjen e babait të saj nëpërmjet strangulimit (mbytje me tel), si edhe duke përdorur sende të forta dhe mjete prerëse.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Starmer nën presion për të ndjekur shembullin francez, mbi 200 deputetë letër për të njohur shtetin palestinez

Kryeministri britanik Keir Starmer është nën presion të vazhdueshëm për të njohur shtetin palestinez. Presioni është shtuar edhe më shumë pas deklaratës së presidentit francez Emmanuel Macron i cili theksoi se Franca do ta njohë.

Rreth 221 deputetë kanë nënshkruar një letër duke kërkuar që Starmer të njohë shtetin palestinez.

Siç raportojnë mediat britanike, letra është organizuar nga deputetja e Partisë Laburiste, Sarah Champion e cila është gjithashtu edhe kryetare e Komitetit të Zhvillimit Ndërkombëtar.

“Njohja britanike Palestinës do të ishte veçanërisht e fuqishme duke marrë parasysh rolin e saj si autore e Deklaratës së Balfourit dhe Ish –Fuqia Mandatore në Palestinë. Që nga viti 1980 ne kemi mbështetur një zgjidhje me dy shtete. Një njohje e tillë do t’i jepte këtij qëndrimi substancë, si dhe do të përmbushte një përgjegjësi historike që kemi ndaj popullit nën atë Mandat.”, thuhet në letër.

Ndërkohë Starmer një ditë më parë deklaroi se situata në Gaza ka kaluar kufijtë e normale duk i quajtur “skena të tmerrshme dhe të pamëshirshme” pamjet dhe krizën humanitare që ka përfshirë vendin atje.

/abcnews.al/

Zjarrfikësit të angazhuar për shuarjen e zjarreve në Gjirokastër, po punohet për izolimin e vatrave edhe mbi tunelin e Skarficës

Situata me zjarret në Gjirokastër vijon të mbetet shqetësuese . Forcat zjarrfikëse janë angazhuar që prej orëve të para të mëngjesit për shuarjen e zjarreve.

Në terren janë angazhuar 17 punonjës të MZSH, 32 punonjës të shërbimeve publike dhe 14 pjesëtarë te (FA), të ndarë në dy grupe në fshatin Fushë Bardhë, për ndërprerjen e vijës së zjarrit që po avancon drejt zonës së banuar nga Delvina.

Një tjetër grup ndodhet mbi tunelin e Skërficës, ku po punohet për izolimin e vatrave të zjarrit të ardhura një ditë më parë nga Delvina, me synim bllokimin e përhapjes së flakëve në drejtim të Gjirokastrës.

Autoritetet lokale gjithashtu po ndjekin nga afër situatën dhe vijojnë koordinimin e plotë të forcave në terren.

Ekspertët: Ekonomia e Gjermanisë nuk duhet të nënvlerësohet

Kriza është dëgjuar shpesh si fjalë për ekonominë gjermane, po Gjermania ka bazë të fuqishme që i bën ekspertët të besojnë në fuqinë e ekonomisë më të madhe të BE. Ajo ka shanse të rikthehet fuqishëm.

Çfarë e bën Gjermaninë kaq të veçantë? Jörg Krämer, Kryeekonomist në Commerzbank, pohon: “Gjermania është e larmishme”. Ai thotë se Gjermania ka korporata të mëdha globale që kanë selinë e tyre këtu. Pothuajse edhe më të rëndësishme për të janë ndërmarrjet e shumta të vogla dhe të mesme.

Krämer i quan ato shtylla kurrizore e ekonomisë gjermane. “Ato janë fleksibël, kanë krijuar shumë vende pune në të kaluarën dhe paguajnë paga të mira.” Këto janë shpesh kompani inovative që janë liderë të tregut global në sektorët e tyre të specializuar.

Për dekada të tëra, këto kompani kanë qenë në gjendje të përfitojnë nga globalizimi. Motoja ishte prodhimi “pikërisht në kohë”. Shumë – qofshin korporata globale apo kompani të mesme – e kanë përsosur këtë model. Problemi është që tani më kjo nuk funksionon pa probleme.

Energjia është bërë më e shtrenjtë, zinxhirët globalë të furnizimit janë ndërprerë. Konkurrentë të rinj po hyjnë në treg, duke vendosur standarde të tjera.

“Ne shohim pothuajse çdo ditë se si po ndryshon roli i superfuqive”, thotë ekonomisti Martin Lück. “Kjo është natyrisht e rëndësishme për shumë vende që janë veçanërisht të përfshira në tregtinë globale”.

Gjermania është një prej tyre. Prandaj, nuk është për t’u habitur që kompanitë industriale gjermane tani po përballen me vështirësi. Shumë organizata dhe institute kërkimore janë bërë pesimiste vitet e fundit. OECD, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, parashikon se Gjermania do të rritet më ngadalë se çdo vend tjetër i industrializuar në vitin 2025.

Presidenti i Bundesbank, Joachim Nagel, beson se të paktën një rritje e vogël është e mundur këtë vit. “Për ekonominë gjermane, fundi i periudhës së gjatë të krizës është afër”, tha ai. Por situata mbetet sfiduese.

Megjithatë, ajo që po ndodh tani nuk është aq e pazakontë. “Gjithmonë ka pasur trazira dhe rivalitete ekonomike”, shkruan historiani ekonomik me bazë në Frankfurt, Werner Plumpe. Nuk keni pse të shikoni aq larg prapa: Në vitet 2008/2009, pati krizë financiare globale. Në vitin 2012, euro filloi të lëkundej.

Më vonë, efektet e pandemisë së koronavirusit rrënuan shumë kompani. Tani, konfliktet tregtare në rritje po bëhen problem. Krizat janë pjesë e ekonomisë dhe proceseve. Kompanitë reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj krizave, modelet ekonomike janë gjithmonë në sprovë. Ato tani po riorientohen dhe po rishikojnë proceset. E proceset e këtilla nuk janë të lehta dhe ndikojnë në prodhim por edhe në punësime./DW/

Britanikja emocionon duke kënduar shqip, Rama: Shqiptar bëhesh edhe me zemër, siç Sara ka zgjedhur Shqipërinë

Britanikja Sara Payman ka emocionuar me zërin e saj duke kënduar këngë shqiptare. Video është ndarë nga kryeministri Edi Rama në Facebook.

Bashkangjitur videos së publikuar Rama shprehet se Sara Payman na kujton se shqiptar bëhesh edhe me zemër përmes dashurisë për Shqipërinë.

“MIRËMËNGJES dhe me emocionet e muzikës shqipe që buron nga britanikja Sara Payman, e cila i këndon këngët si të ishin të gjakut të saj, duke na kujtuar se shqiptar bëhesh edhe me zemër përmes dashurisë për këtë vend siç Sara ka zgjedhur Shqipërinë, ju uroj një të shtunë të bukur”, shkruan Rama.

NASA njofton largimin e 20% të stafit të saj

Rreth 20% e fuqisë punëtore të agjencisë kombëtare të aeronautikës dhe hapësirës amerikane do të pushohet nga puna. Ky vendim është njoftuar nga një zëdhënës i NASA-s.

Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare rreth 3,870 punonjës pritet të largohen, por ky numër mund të ndryshojë në ditët dhe javët në vijim, sipas të njëjtit burim, i cili tha se numri i punonjësve në agjenci do të reduktohet në rreth 14,000.
/abcnews.al/

 

VIDEO/ Dëmtime të rënda dhe rrezik për sigurinë, mbyllet Ura e Milotit

Ura e Milotit është mbyllur plotësisht për qarkullimin rrugor, për shkak të dëmtimeve të rënda që rrezikonin sigurinë e përdoruesve të rrugës dhe qëndrueshmërinë e saj strukturore.

Vendimi u mor pas një vlerësimi paraprak të situatës nga një grup inxhinieresh të universitetit politeknik të Tiranës, të shoqëruar nga zëvendësministri i Infrastrukturës dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar. Ata kanë qenë në terren për të shqyrtuar mundësinë e një zgjidhjeje të përkohshme, si dhe për të përcaktuar hapat për ndërhyrjen afatgjatë.

Shefi i Qarkullimit Rrugor në Policinë e Lezhës, Valmir Nikolli, bëri të ditur se për shkak të rëndësisë që ka kjo urë për qarkullimin, autoritetet janë në gatishmëri për të gjetur një zgjidhje të shpejtë dhe se momentalisht mund të përdoret segmenti dytësor Lezhë-Milot-Rubik- rruga e kombit për të gjithë ata që duan të udhëtojnë drejt verilindjes dhe veriut te vendit si dhe drejt Kosovës.

Si pasojë e mbylljes së urës dhe fluksit të lartë të pushuesve drejt bregdetit të Shëngjinit dhe Velipojës, është krijuar trafik i rënduar në aksin Lezhë–Milot, por Nikolli sqaron se mbyllja ishte për të rritur sigurinë e përdoruesve të rrugës qe kalonin mbi urën e Milotit.

Nga vlerësimi teknik i bërë mbi urën, e cila ka një gjatësi prej 788 metrash, është konstatuar se ajo paraqet një rrezik serioz për shkak të dëmtimeve të konsiderueshme në themelet mbështetëse. Këto dëmtime janë shkaktuar nga erozioni i theksuar dhe shfrytëzimi i pakontrolluar i zhavorrit në shtratin e lumit Mat.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë të ditur se qarkullimi do të qëndrojë i mbyllur deri në përfundimin e ndërhyrjes emergjente, e cila po realizohet në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës dhe do të nisë në ditët në vijim.

Ndërkohë, ndërtimi i urës së re është parashikuar nga ARRSH si pjesë e programit “100 Ura”, që realizohet me mbështetjen e Bankës Botërore.

“National Geographic”: Zbuloni thesaret bregdetare të Rivierës Shqiptare

Plazhet e Shqipërisë do të kthehen në “hit” këtë verë. Vendi ballkanik shkëlqen me një thesar plazhesh kilometra të gjata të fshehura midis mbetjeve arkeologjike, shkruan Ana María González Franco në një artikull të botuar në botimin spanjoll të “National Geographic”.

Dalëngadalë, ky vend i bukur ballkanik po shfaqet si parajsa e pazbuluar e Mesdheut.

Sidoqoftë, ajo që është e qartë është se Shqipëria ka gjithçka që i nevojitet për t’u bërë destinacioni më i lakmuar evropian, me plazhe spektakolare për çdo turist.

Riviera Shqiptare shtrihet përgjatë një bregdeti të mrekullueshëm, me vende arkeologjike, histori interesante, veçori kulturore dhe kuzhinë të pasur – të cilat mund të gjenden në plazhet më të mira në Shqipëri.

Plazhi i Ksamilit: Një sintezë e plazhit të Rivierës Shqiptare

Nëse Shqipëria do të përmblidhej në një plazh të vetëm, fituesi do të ishte Ksamili.

Plazhi me të njëjtin emër dallohet për me rërën e bardhë si borë në një vijë bregdetare të thyer të përshkuar nga katër ishuj (Ishulli Binjak, Ishulli Smerald, Ishulli i Vogël dhe Ishulli i Gurit).

Gjenden disa plazhe të bukura me rërë të bardhë në Ksamil, megjithëse shumica janë private dhe drejtohen nga restorantet.

Fakti që ndodhet në jug të Sarandës, përballë ishullit të Korfuzit, e bën atë një destinacion shumë tërheqës si për shqiptarët ashtu edhe për turistët e huaj – që kalojnë kufirin jugor të vendit ose kalojnë me traget nga Italia ose Greqia.

Sikur të mos kishte arsye të mjaftueshme për të qenë një nga plazhet më të mira në Shqipëri, Ksamili është  vendi ideal për të eksploruar atraksione të tjera shqiptare si Syri i Kaltër dhe Parku Natyror i Butrintit, i shpallur Vend i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO.

Plazhi i Borshit: Disa kilometra i gjatë dhe me ujëra ngjyrë bruz

Rreth një orë larg me makinë nga Saranda përgjatë bregdetit Jon ndodhet plazhi më i gjatë në të gjithë Rivierën Shqiptare, Borshi.

Ky plazh është mbi 6 kilometra i gjatë dhe, përveç madhësisë së tij, shquhet për ujërat e tij të kristalta dhe malet gjigante me bimësi të harlisur që rrethojnë detin blu.

Kjo enklavë njihet për qetësinë dhe karakterin e saj të egër, duke e bërë atë plazhin e preferuar për turistët që kërkojnë të shpëtojnë nga turizmi masiv dhe “i civilizuar” i plazheve fqinje.

Megjithatë, ekzistojnë disa bare dhe restorante aty pranë, si dhe një parking i madh.

Plazhi i Gjipesë: Thesari i egër i Shqipërisë

Një nga thesaret më të çmuara në Rivierën Shqiptare është Plazhi i Gjipesë, një vend panoramik që magjeps me mjedisin e tij të egër natyror dhe perëndimet e diellit dhe lindjet ëndërrimtare, si dhe ujërat e tij të kaltra.

Pavarësisht se është një nga plazhet më të lakmuara, për të arritur atje, vizitorët duhet të ecin për rreth gjysmë ore, duke kaluar midis bunkerëve, duke kapërcyer shpatin e pjerrët dhe duke shmangur shkëmbinjtë e mëdhenj.

I vendosur në fund të kanionit me të njëjtin emër, gjiri i vogël është i rrethuar nga shkëmbinj gjigantë, duke e bërë atë një nga plazhet më piktoreske të Shqipërisë.

Plazhi i Dhërmiut: Urban, natyral dhe lokal

Si një nga plazhet më të mëdha urbane të Shqipërisë, Dhërmiu mirëpret vendasit dhe turistët e huaj që kërkojnë të gjitha lehtësitë që u nevojiten për të kaluar një ditë në plazh.

Qendra e qytetit është e ngritur dhe pranë detit, plazhi dhe shëtitorja janë qendra e aktivitetit veror, me bare dhe restorante, të cilat ofrojnë gjithashtu shezlongje dhe çadra me qira, pasi ka zona publike dhe private.

Drejt veriut, plazhi bëhet më shkëmbor dhe në periferi, mund të vizitoni gjire dhe shpella, duke përfshirë Drimadhes, një gji i bukur me rërë të bardhë me shkëmbinj, i arritshëm duke ndjekur një shteg midis pemëve të ullirit.

Plazhi i Jalës: Dita dhe nata

Në një vendndodhje strategjike midis Himarës dhe Dhërmiut, përtej fshatit Vuno, shtrihet plazhi i Jalës, një nga parajsat e bregdetit Jon, i fshehur midis kodrave të mbushura me ullishte dhe shtëpi.

Shkëmbinjtë e lartë rrethojnë gjiret e vogla të këtij cepi të Mesdheut, ku uji merr ngjyra të papërshkrueshme.

Bukuria e Jalës perceptohet për herë të parë nga kodra e lartë.
Përtej të qenit një vend ideal për t’u çlodhur apo për të praktikuar zhytje dhe sporte ujore, Jala është një destinacion i preferuar për turistët që kërkojnë jetën e natës.

Gjithashtu ka një numër të madh restorantesh dhe baresh aty pranë ku mund të provoni gatimet lokale.

Plazhi i Lukovës: Relaks në Rivierën Shqiptare

Lukovea është ideale për të shijuar qetësinë e Rivierës Shqiptare, pasi ndodhet në një mjedis natyror të pabesueshëm larg vendeve më të lakmuara bregdetare.

Kjo nuk do të thotë që plazhi i saj, Plazhi i Shpellës nuk ofron të gjitha lehtësitë, duke përfshirë qiranë e shezlongjeve dhe çadrave dhe një gamë restorantesh që ndërthurin kuzhinën mesdhetare me peizazhin marramendës.

Kushdo që kërkon një përvojë natyrore duhet vetëm të ngrejë sytë dhe të humbasë në ujërat kristalore dhe kontrastin e tyre me kodrat e gjelbra që ngrihen përreth.

Plazhi i Kakomesë: Gjysmëhëna shqiptare

Plazhi i Kakomesë është një mrekulli natyrore në formën e një gjysmëhëne të rrethuar nga bimësi e harlisur.

Peizazhi dominohet nga ujërat e tij mahnitëse. Përveç kësaj pamjeje idilike, Plazhi i Kakomesë – praktikisht i shkretë – ofron qetësi dhe mundësi për të shijuar panoramën madhështore.

Turistët mund të vizitojnë edhe Manastirin e Shën Marisë së Kakomës, një kompleks bizantin i shekullit XVI.

Porto Palermo: Gjeografikisht unik

Porto Palermo është padyshim një nga vendet më unike në Shqipëri.
I vendosur midis fshatrave të Himarës dhe Qeparosë, ai rrethohet nga një ishull i lidhur me bregdetin.

Pranë tij ndodhet Kalaja e Ali Pashës, nga ku mund të shijoni pamjet më spektakolare të zonës përreth.

Edhe pse bregdeti i Porto Palermos është shumë shkëmbor, ka plazhe të vogla me guralecë ku mund të hyni në ujë pa pasur nevojë të kaloni shkëmbinjtë.

Pavarësisht se është një nga vendet më të njohura në Rivierën Shqiptare, Porto Palermo nuk është prekur ende nga turizmi masiv, duke ruajtur karakterin e egër që e bën të gjithë këtë bregdet një sekret të madh… për momentin.

Plazhi i Qeparosë, shëtitja ideale

Plazhi i Qeparosë ofron disa nga perëndimet e diellit më të bukura në vend.

Është një vend ideal për t’u çlodhur, për të bërë zhytje ose për të notuar, si dhe për të bërë një udhëtim me varkë në shpellat dhe shkëmbinjtë përreth, apo për të ecur  deri në Majën e Çikës – nga ku mund të shijoni pamjet spektakolare.

Plazhi është i rrethuar nga një shëtitore, ku do të gjeni restorante dhe të gjitha lehtësitë për një ditë në plazh.

“Ngërçi politik”, afati i fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do t’iu drejtohen sërish sot ulëseve të tyre në përpjekjen e radhës, e pesëdhjetë e treta, për të konstituuar Legjislaturën e nëntë, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Vazhdimi i radhës mbahet nga ora katërmbëdhjetë, për herë të parë në më pak se 48 orë pasi Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj seancave të Kuvendit, që nga e diela e 27 korrikut, deri më 8 gusht.

Kuvendi sipas kësaj mase të përkohshme do t’i konsumojë ditët e mbetura të afatit 30 -ditor, por nuk do të mund të marrin asnjë vendim tjetër deri më 8 gusht. Kjo masë ndërlidhet me kërkesat e parashtruara nga PDK dhe LDK.

Lëvizjes Vetëvendosje, si fituese e shumicës së votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, i takon pozita e kryeparlamentarit, mirëpo partitë tjera politike, ose nuk pajtohen për emrin e propozuar për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, ose për mënyrën e ndryshimit të votimit për të, nga të hapur në të fshehtë.

Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa në seancat e deritanishme kanë dështuar të sigurojnë votat për kryetar të Kuvendit.

Pas dështimit të tentativës së 52-të të premten, diplomatët perëndimorë, të pranishëm në seancë, shprehën shqetësim për krizën institucionale.

Kriza humanitare/ Një e katërta e fëmijëve dhe nënave në Gaza janë të kequshqyer

Njëzet e pesë përqind e fëmijëve të moshës gjashtë muaj deri në pesë vjeç, si dhe gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë me gji, janë të kequshqyer, deklaroi organizata ”Mjekët pa Kufij (MSF).

Në klinikën e MSF-së në qytetin e Gazës, numri i njerëzve që vuajnë nga kequshqyerja është katërfishuar që nga maji, me 25 pacientë të rinj të pranuar çdo ditë.

Shkalla e kequshqyerjes së rëndë tek fëmijët nën pesë vjeç është trefishuar në dy javët e fundit.

MSF raporton se jo vetëm pacientët, por edhe stafi i kujdesit shëndetësor, “po fillojnë të vuajnë nga mungesa e ushqimit. Kjo nuk është vetëm uri, por uri e qëllimshme, e shkaktuar nga autoritetet izraelite”.

E shtunë e nxehtë, temperatura mbi 40 gradë celsius gjatë ditës

Vendi ynë do të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të qëndrueshme me temperatura që do të shkojnë mbi 40 gradë Celsius në disa qytete.

Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin, por pa përjashtuar kalime të pakta të vranësirave në relievet malore në verilindje.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim – verilindje me shpejtësi mesatare 7 m/s, në bregdet dhe lugina hera-herës do të arrijë 7-12 m/s.

 

Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

DASHI

Një fundjavë veçanërisht dinamike dhe energjike për shumë prej jush. Yjet favorizojnë takime interesante për beqarët, ndërsa ata në një lidhje do mund të zgjidhin një keqkuptim të fundit.

DEMI

Marrëdhëniet do të jenë në qendër të vëmendjes gjatë orëve në vijim: mund t’ju duhet të sqaroni disa çështje me partnerin tuaj. Për sa i përket punës, është më mirë të shmangni zgjedhjet impulsive. Thjesht nuk është koha e duhur.

BINJAKËT

Momente qetësie dhe argëtimi do të karakterizohen këtë fundjavë. Kini kujdes, megjithatë, të mos bëni angazhime që absolutisht nuk mund t’i mbani.

GAFORRJA

Yjet ju sugjerojnë t’i kushtoni më shumë kohë jetës tuaj të dashurisë. Ata që janë vetëm mund të kenë një takim të veçantë. Sa i përket punës, do të duhet durim gjatë orëve në vijim. Shumë durim.

LUANI

Një fundjavë me mundësi të mëdha, veçanërisht për ata që kërkojnë stimuj të rinj pune. Në dashuri është më mirë të shmangni debatet e kota me partnerin. Kafshoni gjuhën para se të bëni dëm.

VIRGJËRESHA

Yjet favorizojnë relaksimin dhe reflektimin në këtë kohë të vitit. Është një kohë e mirë për të rimbushur bateritë dhe për të bërë atë që doni pa shumë shqetësime.

PESHORJA

Harmonia do të jetë protagonisti i këtyre ditëve në fund; një lajm i shkëlqyer për ata që kërkojnë stabilitet në dashuri. Për sa i përket punës, një vendim i rëndësishëm mund të sjellë përfitime në disa fusha.

AKREPI

Ditë me emocione të mëdha intensive. Mund të shfaqen disa tensione në familje apo me partnerin, por me qëndrimin e duhur gjithçka do të zgjidhet për mirë.

SHIGJETARI

Yjet favorizojnë udhëtimet dhe përvojat e reja gjatë orëve të ardhshme. Një kohë e shkëlqyer për t’u përfshirë, si në dashuri ashtu edhe në punë.

BRICJAPI

Parashikimi tregon nevojën për të gjetur një ekuilibër midis detyrave dhe relaksimit. Dëgjoni instinktet tuaja për të marrë vendimet më të mira. Bëje tani. Guxim!

UJORI

Ditë që do ja kushtoni kreativitetit dhe socialitetit. Njohuritë e reja mund të jenë interesante për të ardhmen.

PESHQIT

Dashuria do të jetë protagonistja e këtyre ditëve. Ata që kanë përjetuar pasiguri të fundit do të jenë në gjendje të sqarojnë çdo dyshim dhe të gjejnë qetësinë e humbur. Bëhu i zënë. Asgjë nuk vjen pa “punë”.

Ndërkombëtarët të zhgënjyer nga Kosova: Erdhëm me shpresë, por politika po zhgënjen popullin

Ambasadorët e shteteve perëndimore në Kosovë shprehën shqetësimin e tyre pasi dëshmuan dështimin për të konstituuar Kuvendin për herën e 52-të.

Ambasadori i BE në Kosovë, Aivo Orav, tha pas përfundimit të seancës se Kosovës i duhet një Kuvend menjëherë dhe theksoi nevojën për një qeveri të re që do t’i forconte marrëdhëniet me Brukselin.

“Një qeveri e re që do ta ndërtojë një urë të re dhe të fortë mes Kosovës dhe BE”, tha Orav.

Një qëndrim të ngjashëm pati edhe ambasadori gjerman Jorn Rohde, i cili tha se klasa politike po dështon përballë qytetarëve.

“Qytetarët dolën për të votuar më 9 shkurt dhe tani janë bërë gati gjashtë muaj. Është fatkeqësi që Kuvendi nuk po konstituohet”, tha ai.

Ambasadori britanik në Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves përmes një postimi në Facebook bëri thirrje që deri ditën e shtunë liderët politikë të gjejnë konsensusin për të kaluar këtë situatë.

“I lutem politikanëve të Kosovës të bëhen bashkë dhe të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund bllokimit para se të përfundojë afati i Gjykatës Kushtetuese. Ndryshe Kosova po hyn në territor të pashkelur dhe qytetarët e saj vazhdojnë të humbasin përfaqësimin domethënës politik dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme, të cilat ndikojnë në jetën e qytetarëve”, ka thënë ambasadori britanik në Kosovë Jonathan Hargreaves.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë nga Shtetet e Bashkuara, BE, Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca ishin të pranishëm në seancën e së premtes, e cila dështoi.

/abcnews.al/

Del në ankand kitara e Jimmy Page të ”Led Zeppelin”

Një kitarë e dhuruar nga Jimmy Page i ”Led Zeppelin” si çmim konkursi më shumë se 50 vjet më parë mund të shitet për 50 000 stërlina (67 460 dollarë) në ankand.

Kitara elektrike ”Gretsch Chet Atkins 6120” e vitit 1957 ishte çmimi i një konkursi të mbajtur nga revista ”New Musical Express”.

Në një intervistë Page deklaroi se e bleu kitarën në Nashville, SHBA, për 200 stërlina në vitin 1972.

Kitara pritet të shitet midis 30 000 dhe 50 000 paund në ankandin ”Gardiner Houlgate” në Corsham, Angli.

Dyshohet se qëlloi me armë zjarri në ajër, shpallet në kërkim 21-vjeçari në Lezhë

Lezhë- Një 21-vjeçar është shpallur në kërkim policia.

Sipas policisë, dyshohet se i riu banues në Lezhë, para dy ditësh ka qëlluar me armë zjarri në ajër në zonën e Kunës.

Materialet procedurale për të gjitha rastet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme procedurale.

/abcnews.al/

VIDEO/ Merr flakë automjeti në aksin rrugor Sarandë-Gjirokastër

Një automjet ka marrë flakë në afërsi të daljes së Tunelit të Skërficës në aksin rrugor Sarandë – Gjirokastër.

Ekipet zjarrfikëse kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërhyrë për të bërë të mundur shuarjen e zjarrit.

Si pasojë e zjarrit janë shkaktuar dëme në pjesën e përparme të mjetit.

/abcnews.al/

Më shumë turistë në qershor/ INSTAT: Mbi 1.3 milionë vizitorë, rritje me 7 për qind

Mbi 1.3 milionë vizitorë të huaj kanë hyrë në vend vetëm gjatë qershorit, duke u rritur me mbi 7% në raport më të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, për pjesën e parë të vitit sipas të dhënave të INSTAT, Shqipëria ka pritur mbi 4.7 milionë turistë të huaj, një rritje me gati 4.8% se kundrejt periudhës janar-qershor të vitit të shkuar.

Vizitorët nga Europa mbajnë edhe peshën kryesore me numrin më të lartë të hyrjeve në vend, teksa vërehet edhe një rritje e turistëve nga Amerika, Azia Lindore e Jugore si dhe turistëve nga Lindja e Mesme.

Paralelisht, statistikat e INSTAT tregojnë edhe një rritje të shqiptarëve që kanë dalë jashtë vendit gjatë qershorit. Muajin e kaluar, daljet e Shqiptarëve jashtë kryesisht për pushime arritën në mbi 710 mijë, mbi 10% më shumë se qershori i vitit të kaluar.

Parashikimet janë që Shqipëria të presë mbi 12 milionë vizitorë të huaj përgjatë këtij viti. Vendi vijon të promovohet edhe nga mediat ndërkombëtare si një nga destinacionet më të mira për pushime, jo vetëm për bregdetin por edhe bukuritë e tjera natyrore. Kjo ka bërë që turizmi gradualisht të shtrihet përtej sezonit veror.

/abcnews.al/

Maliq, zjarri përfshin sipërfaqe pyjore e kullota

Një zjarr ka përfshirë një pyll dhe kullota në fshatin Strelcë të Njësisë Administrative Gorë në bashkinë e Maliqit.

Kanë qenë banorët të cilët kanë njoftuar zjarrfikësen, e cila është nisur me forca të shtuara drejt vendit ku ka rënë zjarri.

Drejt vatrës janë nisur edhe forca të tjera për ndihmë përfshirë këtu bashkinë dhe policinë.

/abcnews.al/

Shfrytëzonin fëmijët e mitur për të lypur/ Dy të proceduar në Durrës

Durrës- Dy persona janë proceduar penalisht pasi dyshohet se shfrytëzonin fëmijët e tyre të mitur për të lypur në zonën e plazhit.

Gjithashtu në Prokurori janë referuar për vlerësim pesë raste të lypjes nga shtetas të tjerë, moshave 21 – 40 vjeç.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

/abcnews.al/

❌