TIRANE, 29 qershor /ATSH/ – Pasojat ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor nga konflikti në Lindjen e Mesme janë indirekte dhe të kufizuara, sipas të dhënave për tregtinë e jashtme dhe analizave të ekspertëve ekonomikë.
Ata thonë se ndikimi është më i dukshëm përmes qëndrimeve ideologjike ose përplasjeve gjeopolitike.
Mal i Zi
Turizmi në këtë vend tashmë po përjeton pasoja negative, për shkak të anulimit të dhjetëra fluturimeve dhe rezervimeve hoteliere nga Izraeli.
“Tri linja ajrore izraelite i kanë pezulluar përkohësisht fluturimet e pasagjerëve për në Mal të Zi. Ato kanë anuluar më shumë se 70 fluturime për në Tivat, të planifikuara deri në fund të qershorit”, thanë nga Aeroporti i Malit të Zi për Radion Evropa e Lirë.
Sulmet e Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara kundër objekteve bërthamore dhe ushtarake në Iran, si dhe kërcënimet për mbylljen e rrugëve kryesore ujore shkaktuan një tronditje të lehtë në tregun e naftës dhe rritën çmimet e naftës bruto dhe të derivateve të saj.
Zhvillimet e mëtejshme të mundshme, pas arritjes së një armëpushimi, janë kryesisht hipotetike dhe varen nga ajo nëse dhe sa do të përshkallëzohet konflikti dhe nëse do të shkaktojë trazira më të mëdha në tregun global të energjisë.
Fluturime të anuluara për në Mal të Zi
Trafiku ajror nga Izraeli në Mal të Zi, sipas informacioneve të fundit, është pezulluar deri më 30 qershor.
Deri tani është konfirmuar se turistët izraelitë i kanë anuluar rezervimet e tyre në hotelet e Kollashinit, në pjesën veriore të Malit të Zi.
Këtë e ka bërë të ditur Zorica Millashinoviq, drejtoreshë e Organizatës Turistike të Kollashinit, në një deklaratë për televizionin shtetëror malazez.
Verën e kaluar, mbi 130.000 udhëtarë nga Izraeli kanë mbërritur në Mal të Zi me avion.
“Nga prilli deri në tetor, rreth 112.000 pasagjerë kanë përdorur linjën Tel Aviv – Tivat, ndërsa më shumë se 18.500 kanë përdorur atë Tel Aviv – Podgoricë”, bënë të ditur nga Aeroporti i Malit të Zi për Radion Evropa e Lirë.
Ministrja e Turizmit e Malit të Zi, Simonida Kordiq, ka thënë më herët se viti 2024 ka qenë një vit rekord për numrin e turistëve izraelitë.
Të dhënat nga Zyra Shtetërore e Statistikave – Monstat tregojnë se, vitin e kaluar, në Mal të Zi kanë qenë 74.000 turistë nga Izraeli, të cilët kanë kaluar 249.000 net.
Sipas këtyre të dhënave, ata kanë qenë turistët joevropianë më të shumtë në atë vend dhe numri i tyre është rritur vazhdimisht që nga viti 2021.
Për këtë vit ishte paralajmëruar mbërritja e 200.000 turistëve nga Izraeli në Mal të Zi. Kjo, sipas deklaratës së Nimrod Rinotit, konsull nderi i Malit të Zi në Izrael, dhënë në muajin maj.
Ministria e Energjisë në këtë vend paralajmëroi se, “për shkak të përshkallëzimit aktual të konfliktit në Lindjen e Mesme”, çmimet e naftës mund të rriten, por shtoi se furnizimi me produkte nafte nuk është i kërcënuar për momentin.
“Kujtoj se në vitin 2022 [kur filloi pushtimi rus i Ukrainës], çmimet e produkteve dhe shërbimeve të shumta u rritën pa ndonjë bazë realiste, dhe ato çmime nuk u kthyen më, edhe pse çmimet e karburanteve tani janë pothuajse 25 për qind më të ulëta. Një praktikë e tillë është e papërgjegjshme”, tha ministri i Energjisë në Mal të Zi, Admir Shahmanoviq.
Ai shtoi se krizat globale nuk duhet të lejohen të përdoren si justifikim për rritje të çmimeve.
Kriza energjetike, rrezik kryesor për Serbinë
“Në rast të një shpërthimi të krizës në Lindjen e Mesme, rreziku kryesor ekonomik për Serbinë lidhet me burimet e energjisë, kryesisht naftën dhe gazin”, thotë për Radion Evropa e Lirë Branimir Jovanoviq, nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare.
Ai paralajmëron se nëse përsëritet skenari i vitit 2022 – kur pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, çmimet e energjisë mbetën në një nivel më të lartë për disa muaj – ai do të çojë në rritje të çmimeve dhe përkeqësim të standardeve të jetesës.
Kosova veçanërisht e ekspozuar
Adrian Shtuni, nga Qendra Ndërkombëtare kundër Terrorizmit, thekson se Kosova është veçanërisht e ndjeshme ndaj pasojave ekonomike që mund të shkaktojë konflikti në Lindjen e Mesme.
Ai shpjegon se situata do të përkeqësohej ndjeshëm në rast se Irani vendos të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, nga kalon rreth 20 për qind e konsumit global të naftës dhe gazit natyror.
Varësia energjetike e Maqedonisë së Veriut
Derisa sulmet midis Iranit dhe Izraelit vazhdonin, çmimet e energjisë luhateshin. Për pasojë, në tregun e Maqedonisë së Veriut kishte disa rritje të çmimeve të naftës.
Pritjet e udhëheqësve të Komisionit Rregullator të Energjisë në këtë vend janë që trendi i stabilizimit të çmimeve të naftës të vazhdojë, duke pasur parasysh armëpushimin e shpallur disa ditë më parë mes Izraelit dhe Iranit.
“Besoj se do të kemi stabilizim të çmimeve të produkteve të naftës dhe çmimeve të gazit natyror, e rrjedhimisht edhe të çmimeve të energjisë elektrike”, thotë për Radion Evropa e Lirë kryetari i Komisionit Rregullator të Energjisë, Marko Bislimoski.
Udhëheqësi i Unionit të Dhomave të Tregtisë, Trajan Angelovski, thotë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të mos ketë veprime ushtarake, sepse çmimet e energjisë mund të prishin shumë gjëra, shkruan REL. /os/
The post KOMENT – Cilat janë dy pikat më të cenueshme të Ballkanit nga kriza në LM appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.