Në çdo vend normal të botës, kur 2.6 ton mish pule me salmonelë futen në treg, qeveria bie në alarm. Në Shqipëri, qeveria bie në grimin e studiove televizive për ta relativizuar problemin dhe për të menaxhuar jehonën e skandalit. Sepse kur qytetarët rrezikojnë të helmohen, prioriteti nuk është siguria ushqimore. Është historia që duhet ritreguar. Është narrativa që duhet rikrijuar. Është stili i vjetër “gjej një armik dhe shpëto veten”.
Sipas të dhënave zyrtare, më 11 mars hyn në portin e Durrësit 27 ton mish pule nga Brazili. 10 ditë më pas, analizat konfirmojnë se një lot i kësaj sasie mishi, prej 7.9 ton është i infektuar me salmonelë. Deri këtu – një rast që mund të ndodhë kudo. Por tani, kthehemi në Shqipëri.
Në këto 10 ditë, deri kur dolën analizat kompania AMG kishte shitur 2.6 ton mish pule me salmonelë që nuk gjenden më. Nga faturat, që kompania u vuri në dispozicion AKU-së dihet që kjo sasi mishi e infektuar është shpërndarë në 154 subjekte, dyqane, restorante, fast-food etj.
Qytetarët, që deri vonë nuk kishin asnjë informacion i kanë konsumuar deri në ditët që flasim. Po kush është përgjegjës? Ku ndodhi shpërndarja? Sa janë infektuar? A ka fëmijë të sëmurë, të moshuar në rrezik, qytetarë që kanë përfunduar në spitale?
Askush nuk e di. Sepse institucionet ishin më të zëna me planin e shpëtimit të vetes, jo të qytetarëve.
Në dy dalje televizive, në “Opinion” dhe tek “Të Paekspozuarit”, ministrja Anila Denaj nuk jep përgjigje, por justifikime. Ajo ka folur për… Greqinë që ka pasur një rast të murtajës tek kafshët, për Bashkimin Europian, për sëmundje zoonotike, për reformimin e AKU-së dhe për riorganizim inspektoratesh. Mishi me salmonelë? Nuk ishte ky thelbi i daljes së saj në publik. Thelbi ishte që qytetarët të mos kuptojnë se çfarë nuk funksionoi dhe çështja të mbyllet sa më parë.
Të njëjtat “talking points” ka përsëritur edhe drejtori i AKU-së, Manush Kullolli. Në vend që të shpjegojë se si u shit mishi, kush e bleu dhe sa veta mund të jenë helmuar, ai tha: “Urojmë të mos kemi raste” në spitale, si kulmin e përgjegjësisë shtetërore të shfaqur për një skandal të tillë.
Lapsi.al ka dëgjuar me vëmëndje deklaratat e ministres së bujqësisë, Anila Denaj dhe të drejtorit të AKU, Kullolli që iu shmangën përgjegjësive për këtë skandal dhe në vend të transparencës, bënë propagandë. Në vend të përgjegjësisë, u përpoqën të bëjnë një relativizim të ngjarjes. Në vend që të tregojnë ku shkoi mishi, kush e bleu dhe si e lejuan të dilte në treg, qeveria e kthen gjithçka në një fushatë PR për të shpëtuar lëkurën. Jo të qytetarëve, por të vetes.
Sepse në Shqipërinë e Rilindjes, shëndeti publik është një detaj i bezdisshëm përballë nevojës për të “mos prishur imazhin”. Dhe çdo krizë, edhe kur ka mish me salmonelë në pjata, menaxhohet jo me ndëshkime, por me regji.
Deklaratat zyrtare – Anila Denaj:
• “Ne duhet të presim sa të flasin të gjitha institucionet, deri sa të bëjnë një vlerësim se çfarë ka ndodhur”
• “Të gjithë stabilimentet nga Brazili që kanë një marrëdhënie tregtare me kompanitë shqiptare janë të listuara në Bashkimin Europian”
• “Çdo biznes ka për detyrë që në momentin që vjen analiza të japë gjurmueshmërinë. Por biznesi nuk ka lejuar kontrollin e plotë të gjurmueshmëris”
• “Sëmundjet zoonoze janë shtuar në vitet e fundit. Autoriteti Europian i Sigurisë Ushqimore ka raportuar një rritje, 77 mijë raste me salmonelë nga 65 mijë që ka qenë në vitin 2022. Ka një rritje. Greqia u prek nga murtaja. Nëse keni parë lajmet, ata vendosën që të therin të gjithë zonat e dëmtuara. Por ne siguruam një perimetër në kufi me Greqinë dhe shpëtuam nga murtaja ruminente”
• “Inspektoriatet do të riorganizohen. AKU do shkrihet dhe do të bashkohet me të gjitha inspektoriatet e ushqimit, një institucion kombëtar për peshkimin, për bimët, nuk do ta varet nga drejtori ose ministri”
• “Ministria e Bujqësisë është në një situatë në të gjitha rastet ku mund të ekspozohet Shqipëria. Nuk është një problem vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin dhe për të gjithë botën, rritja e sëmundjeve të kaluara nga kafshët dhe ndoshta rrezikshmëria për njeriun, është në një situatë alerti”
Manush Kullolli, Drejtor i AKU:
• “Siguria ushqimore është një çështje globale, nuk është një çështje lokale”
• “Nga ISHP nuk kemi asnjë njoftim pranë spitaleve për konsumatorë apo indivitë që të jenë paraqitur pranë spitaleve me intoksikacion ushqimor. Nuk e kemi dhe urojmë të mos ta kemi”
• “AKU mori menjëherë masën për kontrolle të subjektit. Nga ana e subjektit nuk është vënë në dispozicion asnjë dokument gjurmueshmërie dhe operatori i biznesit e ka detyrim deri në 3 vjet të mbajë gjurmueshmërinë, ku shkon produkti, e gjithë shpërndarja”
The post Deklaratat/ Skandali i mishit me salmonelë si operacion propagandistik appeared first on Lapsi.al.