Rikonstruktohet Konsullata e Greqisë në Korçë, pikë referimi ekonomiko-kulturore mes dy vendeve
TIRANË, 7 korrik /ATSH/ Në Korçë u zhvillua sot ceremonia e përurimit të ndërtesës së restauruar të Konsullatës së Përgjithshme të Greqisë.
Të pranishëm në këtë përurim ishin ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Giorgos Gerapetritis si dhe të ftuar të tjerë të fushës.
Ministri Hasani në përshëndetjen e mbajtur me këtë rast, e cilësoi këtë moment një hap domethënës në forcimin e pranisë konsullore të Greqisë në Shqipëri dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Duke iu uruar të ftuarve mirëseardhjen në Korçë, Hasani tha se, Korça është qyteti që mishëron qytetarinë, historinë, kulturën e popullit shqiptar.
“Është kënaqësi e veçantë sot që në këtë qytet me rrënjë të thella europiane përurojmë së bashku rinovimin e Konsullatës së Përgjithshme të Greqisë. Ky përurim shënon një hap domethënës në forcimin e pranisë konsullore të Greqisë në Shqipëri dhe përcjell gatishmërinë tonë të përbashkët, për të avancuar drejt një marrëdhënie më të ngushtë e konstruktive bazuar në respekt të ndërsjellë, dialog të hapur, vlera europiane dhe vëllazëri shekullore”, tha ai.
Hasani vuri në dukje se, ngjarja vjen në një moment të rëndësishëm për partneritetin strategjik mes dy vendeve, si fqinjë e aleatë në NATO, kur rajoni ka nevojë më shumë se kurrë për stabilitet, bashkëpunim dhe orientim europian.
“Vizita ime në Athinë, – vijoi ministri, – pak javë më parë ishte një hap i rëndësishëm në këtë drejtim dhe konfirmoi vullnetin për të hapur një kapitull të ri bashkëpunimi të sinqertë dhe të qëndrueshëm.”
Hasani theksoi se, “Greqia ka qenë dhe vijon të mbetet një partner i rëndësishëm për Shqipërinë jo vetëm për shkak të historisë dhe lidhjeve që na bashkojnë, por për mundësinë reale që kemi për të ndërtuar së bashku një të ardhme të sigurtë dhe të begatë për të gjithë qytetarët tanë. Kjo frymë e re do të materializohet me dialog të rregullt politik dhe projekte konkrete dhe respekt për komunitetet tona, si për komunitetin grek në Shqipëri, dhe për komunitetin shqiptar në Greqi, që janë ura të gjalla të marrëdhënieve tona. Mbështetja e Greqinë për integrimin europian të Shqipërisë ka qenë dhe është thelbësore. Ne presim një vlerësim të drejtë dhe objektiv të progresit që kemi bërë për reformat dhe standardet europiane”.
Ai nënvizoi se mbështetja e Greqisë është e kudogjendur dhe është edhe sot në Korçë me prezencën e ministrit të Jashtëm të Greqisë.
“Rinovimi i kësaj konsullate nuk është vetëm një zyrë e re diplomatike, por një pikë referimi për dialog, shkëmbime ekonomiko-kulturore mes qytetarëve të dy vendeve”, u shpreh Hasani.
Ai i uroi suksese konsullit të përgjithshëm, teksa shprehu bindjen se përkushtimi i tij do ta kthejë Konsullatën në një urë të gjallë miqësie dhe bashkëpunimi.
“Sot kemi mundësinë të ndërtojmë një partneritet të ri të mbështetur mbi potencialin e përbashkët të së ardhmes. Nga Korça le të përcjellim mesazhin e mirë se miqësia e mirë, respekti dhe vizioni europian, janë themelet për një të ardhme më të drejtë më të begatë dhe më të qëndrueshme për popujt tanë”, tha në mbyllje të fjalës së tij, ministri i Jashtëm, Igli Hasani.
Gerapetritis: Shqipëria dhe Greqia, prioritet stabilitetit të marrëdhënieve në rajon
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Giorgios Gerapetritis tha se kjo ndërtesë, ku ushtroi detyrën e tij nga viti 1936-1937 konsulli Jorgos Seferis, diplomat dhe fitues i çmimit Nobel për Letërsi, ishte pronë e një familjeje greke dhe u ble në 1998 nga shteti grek.
“Në restaurimin e godinës kontribuan me donacione qytetarë grekë nga Korça dhe nga Greqia, por edhe kompani të ndryshme nga të dyja vendet. Përfundimi i punimeve u bë i mundur nga financimi i shtetit grek. Korça ka qenë një qytet në pararojë të dijes dhe arsimit si në gjuhën greke, dhe në atë shqipe”, tha ai.
Sipas ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, imazhi i ambasadave dhe konsullatave janë imazhi i Greqisë nëpër botë, ndërsa godina e re e Konsullatës Greke në Korçë është konfirmim i angazhimit të Ministrisë së Jashtme të Greqisë që po bëhet për të përmirësuar infrastrukturën e selive diplomatike dhe për të modernizuar shërbimet konsullore.
“Është një përpjekje për të forcuar lidhjet tona mes diasporës greke dhe shtetit amë. Në botën e sotme sfidat me të cilat përballet bota si liria dhe siguria janë të shumta. Nga ana jonë kujdesemi që të forcojmë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, ndërsa si vende fqinje Shqipëria dhe Greqia i japin prioritet stabilitetit të marrëdhënieve në rajonin tonë jo vetëm nëpërmjet marrëdhënieve bilaterale, por edhe partneritetit rajonal”, tha ministri Gerapetritis.
“Politikat e ndryshimit të kufirit i takojnë tashmë të kaluarës. Prezenca e ministrit Hasani përçon një mesazh të rëndësishëm, për rëndësinë që i jep Greqia mbrojtjes së të drejtave të minoritetit grek, në të cilat nuk do të bëjmë asnjë hap mbrapa”, pohoi ai.






















/e.i//r.e//a.f/
The post Rikonstruktohet Konsullata e Greqisë në Korçë, pikë referimi ekonomiko-kulturore mes dy vendeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.