Në luginën e Thethit në veriun e Shqipërisë, e rrethuar nga maja të larta, turistët fotografojnë një kishë fshati të ndërtuar në fund të shekullit XIX, një strukturë e bukur prej guri që shpesh shfaqet në broshurat që tërheqin turistët në rajon. Vetëm pak metra më tej, grumbuj druri dhe bazamente prej betoni janë gjithçka […]
Në luginën e Thethit në veriun e Shqipërisë, e rrethuar nga maja të larta, turistët fotografojnë një kishë fshati të ndërtuar në fund të shekullit XIX, një strukturë e bukur prej guri që shpesh shfaqet në broshurat që tërheqin turistët në rajon. Vetëm pak metra më tej, grumbuj druri dhe bazamente prej betoni janë gjithçka […]
TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Pas aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje, Thethi vijon të mbetet destinacioni turistik që përmbush pritshmëritë e turistëve dhe vizitorëve me panoramat e rralla që ofron.
Së fundmi, po kthehet në trend zgjedhja për shumë çifte që duan një ceremoni martesore të veçantë, mes ajrit të pastër të Alpeve Shqiptare.
Kryeministri Edi Rama, e konsideron Thethin, si kurorën e artë të Shqipërisë, ndërsa ndau sot pamje të një ceremonie martesore të zhvilluar në qendër të Thethit, në kishën ikonike të fshatit turistik.
Zona përpara kishës së famshme në Theth, i është rikthyer tashmë komunitetit dhe banorëve, ndërsa po kthehet edhe në një gjetje për organizimin e eventeve të ndryshme.
IKMT prishi mbi 100 struktura pa leje të ndërtuara nga 40 subjekte në Theth.
I ndodhur 70 km larg Shkodrës, Thethi është një nga destinacionet më të preferuar të turistëve në të gjitha stinët, por veçanërisht gjatë sezonit të verës.
Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.
TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se qeveria po përgatit një rregullore të re për kantieret e ndërtimit.
Në një komunikim të drejtpërdrejtë në rrjetin sociale Facebook, kreu i qeverisë tha se kantieret e ndërtimit nuk mund të bëhen problem për komunitetin dhe se duhet të merren masa që qytetarët mos ta ndjejnë. Rama tha se në rast se rregullorja nuk zbatohet, masat për ndërtuesit do të jenë drastike.
“Rregullorja e re kantiereve të ndërtimit. Kush ndërton pallat nuk mund të bëhet problem i zonës, por duhet të marrë të gjitha masat që zona aty ku bëhet fjalë për një zonë të banuar të mos e ndjeje fare mundësisht. Duhen marrë masat për të bërë rrethimet e duhura të kantiereve për të bërë pastrimet e duhura për të mos nxjerrë asgjë në rrugë nga ato që po punon brenda jo duke u hapur dhe duke marrë dhe trotuarin se po ndërton ti pallat, por duke bërë kalimet në trotuar me strehën mbrojtëse. Është një rregullore që do t’u jepet ndërtuesve dhe masat për to do të jenë drastike në rast se do të cenojnë komunitetin”, tha Rama.
Rama theksoi se përveç tendave dhe strukturave të përkohshme po kryhen kontrolle edhe në kantieret e ndërtimit.
“Ne nuk po bëjmë në këtë përpjekje një punë vetëm për t’i hequr tendat, apo struktura të përkohshme por edhe një kontroll të kantiereve. Mirëpo kantieret nuk dalin në televizor, sepse sikundër edhe kur beteja shkon në gjykatë, ata kanë në forcë të caktuar për të kontrolluar mediat dhe gjykatat. Kemi bërë konfiskime përsëri dhe do të vazhdojmë të bëjmë, pavarësisht së rrugës na del edhe ndonjë si një gjykatës i pacipë, krejtësisht i pacipë, që merr masë sigurie për një pallat të tërë të ndërtuar pa leje që tashmë është kthyer në një godinë për ASHK e cila duhet të largohej nga godina ekzistuese pasi është godinë me rrezik qysh pas rënies së tërmetit dhe tani del ky tipi dhe vë masë sigurie për ato që kanë ndërtuar komplet pa leje”, tha Rama.
Rama shtoi se qeveria është e vendosur në mbrojtjen e natyrës dhe hapësirës publike për qytetarët.
“Gjithsesi këto janë sfida, por Shqipëria e bukur, që jeton në harmoni me të drejtat e njerëzve, për të qenë zotër të hapësirës publike, për të qenë në harmoi me natyrën, është një ambicie që është një detyrim i gjeneratës sonë dhe në këto kohë kur forcat e zhvillimit janë bërë shumë të mëdha, duhet të vendosmi shumë më fort në mbrojtje të natyrës dhe ekuilibrave. Ekuilibrave të humbur siç e vumë re në Tiranë”, tha Rama.
Sa u përket komenteve për aksionin në kryeqytet për lirimin e hapësirave publike, kreu i qeverisë theksoi se ai është deputet i qarkut të Tiranës dhe se do të bëj edhe detyrën si deputet i kryeqytetit.
Rama ftoi qytetarët që mos të kursejnë dërgimin e denoncimeve në të gjitha rastet kur shikojnë se ka nevojë për ndërhyrje.
Policia e Shtetit njoftoi sot me bujë të madhe goditjen e një veprimtarie, sipas saj, kriminale në vendburimin e gazit në Divjakë. Përmes një njoftimi zyrtar policia tha se kishte arrestuar në flagrancë dy inxhinierë të kompanisë Delvina Gas Company si dhe kishte shpallur në kërkim pronarin e saj Sokol Meqemeja, për akuzën e ndërtimit […]
TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Në kuadër të masave të ndërmarra për ndërtimet e paligjshme që cenojnë territorin dhe mjedisin Policia e Vlorës në bashkëpunim me IKMT-në ushtruan kontroll në një subjekt privat (kompani gazi), në Delvinë.
Policia njoftoi sot se gjatë kontrollit u konstatua se kjo kompani po ndërtonte një impiant gazi (TEC), në pronë publike, pa leje ndërtimi dhe zhvillimi nga organet kompetente.
Sipas Policisë, në përfundim të veprimeve të para procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë shtetasit: E. M., 31 vjeç, me detyrë përgjegjës i impiantit të gazit, dhe L. M., 53 vjeç, me detyrë përgjegjës i kantierit të ndërtimit, të dy të dyshuar për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me qëllim përfitimi, dhe “Pushtimi i tokës”.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit: S. M., 56 vjeç, pronari i kompanisë, dhe J. I., 36 vjeç, administratori i kompanisë, të dy gjithashtu të dyshuar për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me qëllim përfitimi, dhe “Pushtimi i tokës”.
Nga ana e IKMT-së është mbajtur procesverbali për konstatimin e kundërvajtjes dhe është bërë bllokimi i punimeve në këtë objekt.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Një qytetar ka denoncuar një rast shqetësues zaptimi të hapësirës publike në rrugën “Karl Gega”, në Bulevardin e Ri të Tiranës, në pallatin ku ndodhet portreti i shkrimtarit Ismail Kadare. Sipas denoncimit të dërguar për JOQ, një subjekt ka ndërtuar një lokal me konstruksion metalik, duke hapur dyer dhe dritare në murin kallkan të pallatit, […]
Teksa IKMT-ja ndërmori një aksion për prishjen e rreth 80 objekteve të ndërtuara pa lejë në zonën e Parkut Kombëtar të Thethit, në skajin tjetër të Shqipërisë në Ersekë, kryebashkiaku Erion Isai është angazhuar personalisht të prishë forcërisht stallën e një fermeri të zonës. Kryebashkiaku i Kolonjës, i njohur gjerësisht në zonë me nofkën “Çuçka”, […]
Policia e Tiranës ka goditur një rast të krimeve mjedisore në zonën e fshatit Mushqeta, pranë lumit Zhullima, ku një objekt po ndërtohej pa leje dhe ishin hedhur inerte që ndotnin mjedisin dhe pengonin rrjedhën natyrore të lumit. Në pranga u vu S. Ç., 52 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi […]
Vetëm disa ditë pas shembjes së banesave prej druri të ndërtuara pa leje në Theth, qytetarë të ndryshëm kanë ngritur zërin për zaptimin e vazhdueshëm të bregdetit në jug të vendit, ku sipas tyre nuk po merren masa nga autoritetet përkatëse. Një video e mbërritur në redaksinë e JOQ tregon një zonë në bregdetin e […]
Kryeministri Edi Rama, në takimin me deputetët socialistë të Tiranës dhe drejtues të pushtetit vendor të kryeqytetit, ka paralajmëruar se do të konfiskohen të gjitha ndërtesat që kanë kate pa leje.
Rama e cilësoi ndërtimin pa leje të kateve si një shkelje ligji me vetëdije, ndersa shtoi se nuk do ketë konfiskim të pjesshëm të këtyre godinave, por të plotë. Ai theksoi se këto ndërtesa do kalojnë në duart e shtetit dhe do përdoren për strehim, për njerëzit në nevojë.
Rama: Kur vjen puna te shkelja e lejeve të ndërtimi, mbi 2% të kufijve të lejeve. 2% është normale, por kur tejkalon dhe shkelet do të provokojë sekuestrimin e të gjithë ndërtesës jo të pjesshme. Ndërtimi i kateve shtesë për qëllim fitimin, nuk bëhet në një moment, por me muaj, janë një shkelje me vetëdije. Do sjellë kalimin e menjëherë të asaj prone në duart e shtetit. Do të mbrohen blerësit dhe do përdoret pjesa tjetër për strehim, për njerëzit në nevojë.
Banorët e gjashtë fshatrave të Kaçinarit në Mirditë u mblodhën sot në shenjë proteste para Gjykatës së Lezhës ku pritej të shqyrtohej vijimi ose jo i hetimeve për mënyrën se si iu dha e drejta për të ndërtuar katër hidrocentrale në këtë zonë kompanisë “Shpërdhaza-Energji”.
Pasi e shtyu fillimisht seancën për mungesë dokumentacioni të plotë, nga ora 11:30 në 15:30, gjykata vendosi që ta shtyjë përfundimisht shqyrtimin e kërkesës së prokurorisë për mbyllje të çështjes për më 15 shtator ora 9:00.
Banorët pretendojnë se kompania e ka përfituar koncesionin me shkelje, pa konsultim publik dhe madje duke falsifikuar firmat e banorëve. Për këtë, në vitin 2019 ngritën kallëzim kundër kompanisë.
Prej asokohe, ata janë endur dyerve të gjykatës duke kërkuar drejtësi. Prokuroria e Lezhës ka kërkuar dy herë pushimin e çështjes, teksa gjykata i ka kërkuar rihetimin. Por situata duket të ketë ngecur këtu.
“Jemi munduar me mbi 32 protesta paqësore në harkun kohor të gjashtë viteve si në Kaçinar dhe Tiranë, dhe sot jemi para gjykatës së Lezhës për të njëjtën gjë, të rihetohet çështja dhe të dalin personat përgjegjës për falsifikimet e të gjithë koncesionit,” u shpreh paraditen e së hënës para gjykatës Gjon Pjetri.
Gjergj Deda, kryetar i fshatit Simon, i bëri thirrje gjykatës të mos të pranojë pushimin e çështjes, por të detyrojë prokurorinë për t’i çuar përgjegjësit para drejtësisë.
“I bëj thirrje prokurorisë e gjykatës së rrethit gjyqësor Lezhë mos ta lerë problemin ta zgjidhë komuniteti. Nëse do të bëhet puna ta zgjidhë komuniteti do të jetë fatale për zonën e Kaçinarit”, u shpreh Deda.
Për Tonin Beqirin, banor i fshatit Simon kjo është një çështje që prek interesat e një komuniteti prej 3 mijë banorësh, për të cilin nuk mund të vendosin firmat e disa personave.
“Preket interesi i shumëkujt, jo i dikujt. Nuk kërkojmë kurrgjë, kërkojmë vetëm drejtësi,” theksoi Beqiri.
Për banorët që jetojnë në fshatrat e njësisë administrative të Kaçinarit, uji është jetësor për përditshmërinë e tyre.
“Nëse do ta fusin ujin nëpër tuba nuk do të ketë më burime. Nuk do ketë ku të pinë ujë gjallesat e natyrës. Çdo gjë do të shkretohet do të bëhet Sahara”, u shpreh Gjok Beqiri për Citizens.
Avokati Marash Logu denoncoi mungesën e dokumenteve dhe shtyrjen e seancave prej katër vitesh. Sipas tij, hetimi nuk ka qenë i thelluar, por tentativë për ta mbyllur rastin teksa banorët protestojnë prej dhjetë vitesh.
Njësoj si një javë më parë, seanca u shty për mungesë dokumentacioni. Logu tregoi se prokuroria paraqiti një akt-ekspertizë të paplotë me mungesë të shumtë faqesh.
“Të gjitha faqet tek mungojnë. Pra kemi faqen 1-2, mungon faqja tre, kemi faqen katër, mungon pesa… si mund ta kuptojmë një akt ekspertimi, të cilit i mungojnë 27 faqe dhe kjo mbetet një pikëpyetje e madhe,” argumentoi avokat Logu.
Ndërkohë banorët janë të shqetësuar pasi kompania ka vazhduar punimet pavarësisht se, sipas avokatit Logu, asaj i kanë përfunduar leja e ndërtimit, leja mjedisore dhe leja për shfrytëzimin e burimeve ujore.
Banorët dhe bashkia Mirditë kanë kërkuar pezullim të punimeve deri në sqarimin e plotë të situatës ligjore, por makineritë në Kaçinar vazhdojnë të dëmtojnë terrenin.
Kundërshtitë ndaj projektit të katër hidrocentraleve të “Shpërdhaza-Energji” vijojnë prej vitesh.
Në fund të marsit të 2025 banorët e Kaçinarit protestuan në Qafën e Vorres, ndërsa makineritë ishin ngjitur në atë zonë. Ata kërkuan zmbrapsjen e tyre teksa kompania kishte nisur të ndërtonte fillimisht rrugën, për të vijuar më pas me ndërtimin e HEC-eve.
Me 15 prill banorët organizuan protestën tjetër në bjeshkë, ndërsa u panë forca të shumta policie që shoqëronin përkrah makineritë e rënda të kompanisë.
Në 2 maj, banorët protestuan para ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ku kërkuan ndërhyrje të institucioneve për të ndalur punimet. Por deri më sot duket se protestat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët.
TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se në Theth nuk do ndërtohen resorte apo hotele të mëdha.
Gjatë komunikimit në rubrikën “Sy m’sy”, Kryeministri iu përgjigj komentit të një qytetari që shprehet se “ndërtimet në Theth u shembën për t’i hapur rrugë planit të radhës së ndërtimeve për oligarkët”.
Rama tha se “këto janë përrallat me të cilat u kanë mbushur kokën, ose inati dhe mllefi ndaj qeverisë, ose zhytja e kokës në kanalet e infektuara të ujërave të zeza mediatike”.
“Nuk ndodh kjo kështu! Prona është e pacenueshme. Nëse prona është e dikujt, cilido që do të investojë në atë pronë duhet të merret vesh me dikë. Nuk ka shans të ndodhë ndryshe, ndërkohë që në Theth e kundërta është e vërtetë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi faktin se në Theth nuk do të ketë zhvillime pas pastrimit të madh, përveçse në raste specifike të lidhura me ata që jetojnë aty.
“Nuk është Thethi vendi për resorte turistike, vendi për hotele të mëdha, për histori të tilla që janë pjesë e fantazisë së njerëzve me kënd të ngushtë shikimi”, tha Rama.
Në momentin që fadromat prishën një nga katër shtëpizat e drurit të Zef Barit, në oborr kishte ende të stivuara materialet e ndërtimit. Gjithçka ndodhi shpejt dhe pa paralajmërim.
I revoltuar për “pabesinë e qeverisë” Zefi nisi të ndajë mendimin se banorët e Thethit u mashtruan nga Kryeministri një vit më parë, kur bashkë me premtimin për fshirjen e gjobave ai u pati bërë thirrje emigrantëve të kthehen dhe të investojnë në turizëm.
“Solla djemtë nga Gjermania dhe Franca ku kishin ndërtuar jetën e tyre dhe po investonim në shtëpizat e drurit. Na mashtroi dhe na preu në besë qeveria”, tha ai, teksa tregoi se shpenzimet shkonin deri në 30 mijë euro.
Sipas Zefit, të gjitha institucionet kanë qenë në dijeni për ndërtimet në Theth dhe “të gjithë thonin vazhdoni”.
Edhe familja e Bekim Koçekut nxitoi të largojë shtëpizat e drurit nga aksioni i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT). Ata thanë se bashkë me investimin, po shuhej edhe përpjekja disa vjeçare për të ndërtuar të ardhmen në këtë vend.
“Kemi qenë plot me turistë dhe jemi detyruar t’i nxjerrim në orën 5 të mëngjesit nga shtëpia. Fëmija i tyre 10 vjeç qante se nuk po e kuptonte çfarë po ndodhte, ishte i trembur. Ky është krim!” tha mes lotësh, Edmira, motra e Bekimit, e cila shpjegoi për Citizens.al se u kishin kërkuar më kot autoriteteve t’i lejonin të punonin deri në shtator.
“Bekim Koçeku ka lënë garanci në bankë pensionin e invaliditetit për të ndërtuar këto shtëpi, tani ka 200 milionë lekë borxh”, tha e dëshpëruar Edmira, duke treguar tokat ku ata kanë jetuar ndër shekuj.
Qetësia e fshatit të fshehur mes maleve u trondit nga zhurma e fadromave javën e dytë të muajit korrik. Lugina u kthye në një skenë lufte, ku policë me kallashnikovë u përballën më banorë të zëmëruar që sulmuan me molotovë mjetet e IKMT-së.
Në mes të kësaj përplasjeje, qindra turistë që kishin rezervuar në Theth, anuluan rezervimet dhe ia mbathën. Bashkë me ta, duket se u largua edhe shpresa se fshati mund të ketë një të ardhme në turizëm.
A po prishen ndërtimet në Theth për “Paketën e maleve”?
Ekspertët fajësojnë një zinxhir të gjatë institucionesh për neglizhencë dhe degradim të situatës. Ndërkohë, banorët e Thethit pretendojnë se pas aksionit fshihet “Paketa e Maleve”.
“Për çfarë vijnë ato helikopterët me investitorë strategjikë?! Për të na marrë atë që është e jona. Këtu nuk ka tokë të xanun,” tha një banor i Thethit për Citizens.al.
Për t’i fryrë edhe më shumë këtij dyshimi, shërbeu edhe një postim gjatë ditës së shtunë, i kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, ku ftonte të gjithë të interesuarit të aplikojnë për “Paketën e Maleve”.
Aranita Brahaj, drejtuese e Open Data Albania, e lidh këtë qasje me trysninë që kryeministri Rama ka bërë së fundmi në kërkesat për dorëheqjen e drejtuesve të drejtorive në autoritetet lokale.
“Nuk përjashtohet mundësia që edhe ‘reprezaljet’ që po ndërmerren nga Kryeministri në bashki të ndryshme, të jenë pjesë e një strategjie për të keqpërdorur stafet bashkiake në vendimmarrje klienteliste në transferim të paligjshëm të pronës publike,” tha Brahaj.
“Paketa e Maleve”, e miratuar në janar të këtij viti, synon “të nxisë zhvillimin dhe rigjallërimin ekonomik të zonave malore kundrejt lehtësirave fiskale dhe dhënies së tokave shtetërore në posedim”.
Ilustrim nga aksioni i IKMT-së në tokën e familjes Koçeku, Theth/Citizens.al
Aktualisht procesi është në fazën e shprehjes së interesit, e cila bëhet pa pagesë përmes e-albanias, si për bizneset, ashtu edhe për qytetarët.
Pa qenë pronarë trojesh, me një përzgjedhje pike në hartë, gjithsekush mund të interesohet për sado sipërfaqe të dëshirojë (e shprehur në hektarë).
Nevojitet vetëm një përshkrim me maksimumi 500 fjalë, të caktohet tipologjia e investimit: turizëm, energjetikë, blegtori, projekte sociale etj; dhe kohëzgjatja e posedimit të tokës: më pak ose më shumë se 10 vite. (link ilustrues)
Shprehja e interesit i dërgohet bashkive përkatëse, të cilat do t’i trajtojnë për evidentime për zonat zhvillimore. Ligji i “Paketës së Maleve” i lejon bashkitë që pas procesit të evidentimeve t’i propozojnë qeverisë të ndryshojë cilësimin e tokave duke shpallur “zona zhvillimore” zonat e interesuara.
Nga kjo paketë ligjore pritet të përfitojnë “500 aplikuesit e parë”.
Zef Preçi, drejtues i Qendrës për Kërkime Ekonomike (ACER) që ka kryer një vlerësim të rrezikut për korrupsion të këtij ligji thotë se ka mungesë transparence dhe se “përmbajtja krijon premisa për qëllime të fshehura ose të padeklaruara”.
“Ligji prek në mënyrë të rëndësishme interesa publike ndërsa bëhet fjalë për shitje të pasurisë shtetërore, për vlera të parëndësishme fare, tek subjekte private,” tha Preçi.
Sipas drejtuesit të ACER, ligji prek në mënyrë problematike ekuilibrin mes interesit publik dhe atij privat, veçanërisht në lidhje me mekanizmin e kalimit të pronës shtetërore te poseduesit jopronarë ose thënë ndryshe “faktikë” pa titull pronësie.
“Toka jonë iu duhet për tua dhënë investitorëve strategjikë, jemi të bindur që pas kësaj qëndron Paketa e Maleve”, tha një banor i Thethit për Citizens.al
Urbanisti Imeldi Sokoli, njëherësh anëtar i Këshillit Bashkiak Shkodër, nuk është i sigurt, por e cilëson jo të rastësishme hapjen e aplikimeve për “Paketën e Maleve” me ndërhyrjen në Theth.
“E njëjta gjë ka ndodhur me disa tentativa për të marrë investitorë strategjikë për resorte skish dhe kjo ka ndodhur diku nga marsi, kur Benet Beci shkoi me investitorët për të parë se ku mund të bëhet një resort dimëror,” thotë Sokoli.
Ilustrim nga aksioni i IKMT-së në Theth/Citizens.al
Edhe për Preçin, ndërhyrja në Theth nuk duket e rastësishme. Ai e konsideron atë vijim të tjetërsimit të territorit që ka nisur prej vitesh.
“Me sa duket përvoja e ndërhyrjes brutale të qeverisë në bregdetin e Jugut dhe në Tiranë (5 Maji), Portit të panevojshëm të Durrësit dhe etja e pashuar e lobistëve, oligarkëve dhe segmenteve të krimit që kane akumuluar pasuri kolosale po e shtyjnë agresivisht përpara edhe këtë proces fatal dhe të pakthyeshëm për fatin e pjesës më të bukur të natyrës sonë,” thotë ai.
Për Brahajn “Paketa e Maleve” është një ligj problematik “që rrezikon rendin juridik të pronësisë”.
“Krijon kompetenca arbitrare dhe anashkalon institucionet që kanë mandat ligjor për regjimin e pronësisë. Në mënyrë të pajustifikuar, ai i kalon kompetenca të ndjeshme stafeve bashkiake, duke shmangur rolin e sistemit gjyqësor dhe institucioneve të regjistrimit. Mund të quhet me plot kuptimin e fjalës ligj për keqqeverisje,” shpjegon Brahaj.
Analizuar sipas metodologjisë së vlerësimit të rrezikut për korrupsion, ky ligj, rezulton me nivel të lartë risku.
Ekziston mundësia që “klientë të pushtetit” të përfitojnë prona pa asnjë kosto privatizimi përmes procedurave arbitrare dhe të pakontrolluara.
“Krijojnë mundësinë që shumë nga klientët e bashkive, të cilët deri më tani kanë përfituar prona publike me qira apo përmes ankandeve për periudha 10-vjeçare, tani të përfitojnë në mënyrë arbitrare, pa garë të ndershme,” thotë Brahaj.
Duke u referuar hapjes së aplikimeve për këtë paketë, Zef Preçi, thotë se “do të ishte mirë që qeveria dhe Bashkia e Shkodrës të heqin dorë nga brutaliteti policor dhe të mos ngutet në kënaqjen e interesave okulte në dëm të komuniteteve lokale”.
Kullat shekullore të paregjistruara
Urbanisti Imeldi Sokoli, ishte i pari që denoncoi kompleksin e shtëpizave të drurit pas oborrit të kishës. Ai e sheh këtë situatë të lidhur me paaftësinë për të menaxhuar territorin.
“Shteti justifikon mos-menaxhimin e situatës me këtë ndërhyrje brutale, në mes të sezonit,” thotë ai “Është totalisht problem i paaftësisë për të funksionuar instrumentet ligjore në territor”.
Urbanisti ka pikëpyetje edhe për mënyrën se si po zhvillohet aksioni i IKMT-së, duke e konsideruar “ndërhyrje të jashtëligjshme”.
“Minimalisht duhet të ishin njoftuar banorët, pra t’u ishte dhënë një paralajmërim, t’u ishte lënë kohë t’i hiqnin vetë dhe më pas të niste aksioni i prishjes,” thotë Sokoli.
Ai e sheh zanafillën e situatës së ndërtimeve pa leje, tek mungesa thuajse totale e regjistrimit të pronave në hipotekë, një gangrenë që nuk po gjen zgjidhje prej vitesh në Theth dhe fshatra të tjerë malorë.
“Ligjërisht të gjitha ndërtimet rezultojnë pa leje, edhe kullat e vjetra shekullore, jo vetëm ndërtimet e reja. Dhe ky është problemi,” sqaron më tej Sokoli.
Të njëjtin opinion ndan edhe Aranita Brahaj, kur shprehet se censi i pronave në zonat rurale nuk është bërë kurrë në mënyrë të plotë dhe asnjë qeveri nuk e ka ushtruar ketë detyrë.
Ilustrim nga aksioni policor i prishjeve të ndërtimeve në Theth/Citizens.al
“Pas 40 vitesh regjimi bolshevik, edhe qeverisja aktuale vazhdon të mohojë të drejtën e qytetarëve për të gëzuar plotësisht pronën, qoftë: truall themel i familjes, tokë bujqësore, kullota apo pyje. Si në formën e pronësisë, ashtu edhe në posedim të ligjshëm,” shpjegon ajo.
Amullinë me këtë e aksion e tregon edhe mungesa e të dhënave për numrin e objekteve pa leje që do të prisheshin.
Fillimisht u tha se ishin 10 ndërtime pa leje, më pas 40, më pas drejtuesit e IKMT-së folën për rreth 80 ndërtime, teksa në fund të javës së dytë të korrikut numri shkoi në rreth 120.
Situata me mbi 100 ndërtime pa leje duket se u ka shpëtuar institucioneve që kanë për detyrë kontrollin e territorit, përfshirë edhe administratën rajonale të Zonave të Mbrojtura.
Vitin e fundit, 2024-2025 në Parkun Kombëtar Alpet e Shqipërisë, ku përfshihet Thethi, nga rojet mjedisore janë mbajtur mbi 36 konstatime për gërmime, zënie fondi pyjor, prerje drurësh dhe hapje rrugësh në pyll.
“Këto konstatime, sipas klasifikimit te kundërvajtjes i janë dërguar institucioneve përkatëse dhe kur ka ndërtime vihen në dijeni, pasi institucioni ynë, në aktet ligjore nuk parashikon ndërtimet pa leje,” thanë për Citizens përfaqësues të administratës rajonale të zonave të mbrojtura Shkodër.
Mos-regjistrimit të pronës, i mbivendosen edhe shtresëzime të tjera ligjore që janë shtrënguese për banorët.
I shpallur Park Kombëtar që në vitin 1966, cilësimi i zonës kryesore si Qendër Historike në vitin 2017, i jep vlerë monumentale fshatit të Thethit, por nuk u jep banorëve mundësi zhvillimi të pronës.
Po ashtu edhe ligji për Zonat e Mbrojtura, sipas të cilit kjo zonë u përfshi në Parkun Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, në vitin 2022, kufizon ndërtimin.
Për ekspertët pikërisht këtu duhet të kishte lindur formalizimi.
“Ky është rasti tipik që shteti ishte i paaftë për t’i dhënë një instrument ligjor të aplikueshëm që këto banorë të kenë një pronë të ligjshme,” thotë Sokoli.
“Thethi një kartolinë e mrekullisë shqiptare katandisur në një praktikisht territor toke të xanun”, u shpreh kryeministri Rama në një komunikim në Facebook në fillim të javës, ndërsa në terren, në fshatin turistik nisi shembja e dhjetëra godinave prej druri.
“Boll ma, tokë e xanun!” ishte edhe thirrja e kreut të bashkisë Shkodër, Benet Beci. Por, pikërisht kjo shprehje evokon një etiketim përçmues të vuajtur prej vitesh nga qytetarët e Shqipërisë së veriut si “të ardhurit” me veprime “kundër shtetit”. Dhe në këtë rast jo të gjitha janë të vërteta.
Citizens, ishte në terren dhe për këtë ju parashtron disa të vërteta:
Familjet në Theth janë autoktone pasi në këtë zonë banorët jetojnë prej qindra vitesh dhe askush nuk ka zenë tokën e askujt.
Problemi qëndron se jo të gjithë kanë mundur të pajisen me certifikata pronësie. Kjo, për shkak të lëmshit që krijoi qasja me ligjin 7501 dhe se në vitin 1966 zona u shpall Park Kombëtar, status i cili nuk i ndihmoi aspak banorët e Thethit të gëzonin certifikata pronësie.
Madje, edhe ata që mundën të siguronin certifikata hasën në vështirësi për të rregulluar qoftë edhe shtëpitë e vjetra të tyre, pasi në Parqet Kombëtare, zhvillimi urban është i kufizuar.
Pas vitit 2017, Thethi u shpall Qendër Historike e Mbrojtur, duke ua ndërlikuar më tej çështjen. Zona, me këtë cilësim vlerësohet për historinë e saj dhe arkitekturën unike të kullave.
Por, edhe pse rregullorja parashikonte mundësinë e restaurimeve dhe rijetëzimit urban në zonë, banorët u përballën me zvarritje dhe sorollatje në procesin e marrjes së lejeve.
Në disa raste, një projekt restaurimi që miratohej nga Ministria e Kulturës, refuzohej për leje pikërisht nga bashkia Shkodër.
Në tërë këtë histori, familjet e Thethit me dëshirën për të punuar në fshatin dhe tokat e tyre investuan në turizëm duke kthyer shtëpitë dhe bujtinat dhe duke zgjeruar më pas aktivietetin në kabina druri.
Paligjshmëria e tyre u nxit nga mungesa e vullnetit shtetëror për të zgjidhur çështjen e certifikatave të pronësisë dhe mënyrës së ndërtimit, pa plan apo vizion real.
Në këtë këndvështrim, nuk ka kuptim që një vit më parë ata të jenë “kartolina e turizmit të veriut”, dhe një vit më pas “uzurpues të tokave të tyre”.
Qendrime të ndryshme për ndërtimet pa leje në Theth
“Mirë se ke ardhur e mirë se të ka prurë Zoti!”, iu drejtua një vit më parë një nga vajzat e Thethit kryeministrit Rama duke i shërbyer bukë.
Vetë kryeministri iu drejtua banorëve se nuk janë “thjesht banorë të një fshati, sot Thethi është destinacion evropian turistik”.
Rama shpërndau atë kohë 200 tituj pronësie, ndërsa përmendi edhe 50 tituj të tjerë, të cilat sipas tij janë ndërtuar në pronën e tyre, por përtej afatit të lejuar nga ligji ekzistues për legalizimet. Ndërsa përmendi dhe faktin se janë vendosur shumë gjoba për ndërtimet pa leje.
“Janë vendosur si rezultat i ndërhyrjeve apo ndërtimeve aty ku keni pasur shtëpinë e vjetër apo aty ku keni truallin tuaj që janë bërë për shkak të nevojës për të krijuar ekonomi përmes turizmit”, u shpreh Rama, ndërsa premtoi se qeveria do t’i falë të gjitha këto gjoba.
Ai legjitimoi faktin se banesat nuk janë ndërtuar sipas ligjit “jo se banorët nuk kanë dashur”, por se shtrëngimi i legjislaciont në këtë zonë e bën të pamundur.
Një vit më pas, qëndrimi ka ndryshuar: 80 banesa shemben në Theth në kulmin e sezonit turistik.
“Ky është Thethi pas një masakre nga një individ i paarritshëm nga ligji”, u shpreh kryeministri Rama në një komunikim në rrjetet sociale të hënën, teksa tregonte kishën e Thethit me disa fjétë për turistët ngritur pas.
Dalja e Ramës “Live!” në Facebook njoftoi aksionin kundër ndërtimeve pa leje që nisi në fshatin turistik. Siç ka ndodhur më parë, ndërhyrjet e tilla vishen me bujë propagandistike.
Në fakt, prej vitit 2013, çdo mandat i kryeministrit Rama ka nisur dhe vijon me fushata të ngjashme. Aksionet shoqërohen me retorikë ndëshkuese, propagandë vizuale dhe identifikimin e një fajtori të tretë si “armik publik”.
Faji nuk është asnjëherë i qeverisë. Pavarësisht se për pak javë nis mandatin e katërt, ajo vijon të matet me qeverinë e një dekade më parë.
Mandat i ri, aksione të vjetra
Maratona qeverisëse e Ramës nisi me moton “Ne [socialistët] bëjmë shtet!”. Por një dekadë më pas, leksionet e saj kanë nevojë për përsëritje.
Në vitin 2013 qeveria Rama nisi “luftën” kundër ndërtimeve pa leje. Fushata e shembjeve u shtri në qytetet kryesore dhe në bregdet. Kryeministri i quajti “kancer agresiv në veprim”.
Në 2014 nisi fushata kundër “hajdutëve të energjisë elektrike”. Rama tha se të gjithë “do të dërgohen prapa hekurave” dhe se “asnjë nuk do të tolerohet”.
Në 2015 vijoi fushata për “kasat fiskale” kundër informalitetit, e cila u përsërit në vitin 2016. Asokohe qeveria nisi dhe aksionin kundër kanabisit, të cilin Rama e quajti “njolla jeshile e turpit”.
Në 2017 u denoncua situata me ujin e pijshëm dhe nisi fushata kundër “vjedhjes së ujit”. Rama tha se nga situata dilej vetëm me një “reformë si ajo e energjisë”.
Në fund të vitit 2018 u mbyllën zyrtarisht bastet sportive duke vijuar aksionin e ashtuquajtur “fund marrëzisë”. Rama i konsideroi bastet si “ves” dhe “gangrenë për shoqërinë”.
Por koha tregoi se asnjë nga këto aksione nuk pati rezultat të qëndrueshëm.
Vesi i basteve vijoi në të zezë. Njësoj dhe kultivimi i kanabisti: jo më në Lazarat, por në plot zona të malësisë.
Entet e energjisë dhe ujësjellësve vijojnë të jenë me bilance negative. Ekonomia vijon në gjysmë-informalitet: rasti i Bankers Petroleum, që dyshohet se nuk ka paguar taksa për 20 vjet.
Qeveria e shpall luftën ndaj çdo problemi. Por betejat e saj janë të përkohshme. Shuhen pas kalimit të “sezonit mediatik” dhe rikthehen pas çdo mandati të ri.
Për shembull, në vitin 2021 qeveria iu rikthye ndërtimeve pa leje në bregdet. Me moton “Bregdeti ynë!” Rama u thoshte sipërmarrësve “prishini dhe pastrojini vetë” pasi “kur të përballeni me forcën e operacionit tonë, do të jetë shumë vonë”.
Ngjashëm, në nisje të mandatit të katërt, Rama ka rikthyer “luftën për hapësirat publike”. Nën moton “Boll ma tokë e xanun!” ai ka bërë thirrje për lirimin edhe të “parkimevetë zaptuara”.
Nisi në Vlorë, vijoi në Durrës, Tiranë e më tej në Theth.
Qeverisje me valë dhe asnjëherë fajtore
Këtë javë, qeveria shpërndau në rrjetet sociale foto të Kishës së Thethit me mbishkrimin “si ishte dhe si u bë”. Pas saj dukeshin 12 kabina turistike, të cilat u tha se ishin ngritur pa leje.
Për këtë “zhvillim”, Rama akuzoi prokurorinë e Shkodrës që “hodhi në kosh denoncimet e policisë”.
Mirëpo prokuroria tha se rasti ishte kundravajtje administrative, jo penale dhe se për të vepruar i takonte bashkisë, jo prokurorisë.
Forca të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit mësynë të martën Thethin duke thyer zhurmshëm betonin e shtruar poshtë kabinave. Aksioni, në mes të sezonit turistik, u shoqërua me kamera, dronë dhe plot batuta dhe komente në rrjetet sociale.
Daljet “Live!” të Ramës në rrjet, apo “kontrollet e befta” në bashkinë Vlorë, nxisin idenë se “shteti po punon”.
Por askush nuk tha se pse ngritja e 12 kabinave nuk u ndal në kohë. Pse iu lidh energjia elektrike pavarësisht se paskan qenë pa leje? Por institucionet heshtën, veçanërisht bashkia Shkodër.
Dy standarde për të njëjtën shkelje
Në vitin 2022, në Tiranë, katet pa leje të disa kullave “u legalizuan” me një të rënë të lapsit. Vepra penale e ndërtimit pa leje u amnistua me një VKM të Ramës.
VKM-ja parashikonte konfiskim të objektit. Më pas mundësi për marrëveshje me ndërtuesin, e cila i hapte rrugë ndryshimit të lejes në Këshillin Kombëtar të Territorit (KKT).
Pra, Rama u mundësoi ndërtuesve në Tiranë legalizim pa ndëshkim.
Por ky “standard i ri” nuk aplikohet për ndërtime të vogla apo familjare. Ligji duket të jetë “fleksibël” për të mëdhenjtë dhe “i rreptë” për të vegjlit. “Rreptësia” hidhet më pas “online” si një shfaqje përmes së cilës qeveria propagandon “të bërit shtet!”.
Foto: Doriana Musai/Arkitekte
Pikërisht kryeqyteti është simboli i normalizimit të zaptimeve të publikes. Edhe trotuaret në Tiranë, nëse i sheh nga afër, e dëshmojnë këtë normalitet. Kulla, kantieret e të cilave rrethojnë trotuaret dhe lokale që shtyjnë këmbësorët në rrugë janë bërë “pjesë të zhvillimit”.
Foto: Doriana Musai/Arkitekte
Kësisoj, qeveria duket se punon me fushata, jo me politika. Ajo shmang përgjegjësinë dhe drejton gishtin nga prokuroria, nga gjykatat, opozita apo qytetarët. Ndërkohë, mban pushtetin duke centralizuar çdo institucion që nga viti 2013.
Në këtë pikëpamje, të thuash “fajin e ka tjetri” nuk është më vetëm strategji propagande: është model qeverisës.
Ditën e sotme, dy persona janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Tiranës, pasi u kapën duke kryer punime ndërtimi pa leje në zonën e “Kodrës së Diellit”, në kryeqytet.
Bëhet fjalë për një inxhinier ndërtimi dhe një punonjës, përkatësisht Noel Vata, 37-vjeç dhe Arion Dyli 28-vjeç, të cilët po punonin për ndërtimin e një objekti të ri pas një banese ekzistuese, pa dokumentacionin përkatës ligjor.
Policia bën me dije se është shpallur në kërkim edhe pronari i objektit, shtetasi S. I., 37-vjeç, në emër të të cilit po kryheshin punimet.
Ndërkohë, ndaj babait të tij, B. I., ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë, pasi po mbikëqyrte punimet e paligjshme në terren.
Të arrestuarit janë identifikuar si:
Noel Vata, 37-vjeç, inxhinieri që drejtonte punimet;
Arion Dyli, 28-vjeç, një nga punonjësit që ndodhej në vendin e ndërtimit.
Policia e Komisariatit Nr. 1 ka nisur hetimet dhe po vijon punën për të lokalizuar dhe ndaluar shtetasin në kërkim, ndërkohë që kontrollet për evidentimin e ndërtimeve pa leje dhe zënies së hapësirave publike në Tiranë do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme.
TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, asnjë ndërtesë e prishur në Theth nuk është në zonën e mbrojtur, të gjitha janë në zonën urbane.
Në një konferencë për shtyp, Berisha theksoi se, “Thethi përbën në historinë e Shqipërisë një nga krimet shtetërore më të rënda, më të shëmtuara”.
Sipas tij, “Edi Rama e ka shndërruar Thethin në një shesh shkatërrimi, në të cilin ky fshat, kjo zonë nuk është shndërruar kurrë nga asnjë pushtues, qoftë edhe më barbarët”.
Berisha theksoi se, “asnjë ndërtesë nuk ishte në zonën e mbrojtur, të gjitha ndërtimet janë në zonat urbane”.
“Po, Thethi është park kombëtar, por Thethi ka një zonë urbane ku ndërtohet”, theksoi Berisha.
“Asnjë ndërtim në tokë publike, as edhe në tokën e tjetrit, të gjitha në tokën e vet. Ndërtime druri, siç përcakton rregullorja për Thethin, druri ose guri”, tha Berisha më tej.
Berisha shtoi se, në Theth nuk kanë votuar PS-në, por kanë votuar PD-në.
Kreu i PD-së publikoi rezultatin e qendrës së votimit për zonën ku u prishën ndërtimet në Theth.
“PD në këtë qendër ka marrë 95 vota dhe PS 82 vota. Pra, nuk kanë votuar PS-në, kanë votuar PD-në dhe kjo është hakmarrja primitive, kriminale e Edi Ramës ndaj tyre”, tha Berisha.
Ai u bëri thirrje banorëve të Thethit, Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë “të ngrihemi për t’u ndarë në mënyrë përfundimtare nga kjo e keqe e madhe që po rrënon çdo ditë shqiptarët dhe qenien e tyre”. /gj.m/j.p/
Nga Ilir Meta Cilido që ka vizituar Thethin largohet vetëm me një dëshirë, për t’u rikthyer sa më parë. Por një albanolog i njohur, i habiti të gjithë kur vendosi të zgjidhte Thethin si vendprehjen e tij të përhershme. Dhe tashmë prej vitit 2017, albanologu Robert Elsie prehet në Theth. Ndërkohë që Kryealbanofobi i kohëve […]
Ditën e sotme, kreu i qeverisë Edi Rama, ka paralajmëruar se çdo ngrehinë e ngritur në zona të mbrojtura apo hapësira publike do të rrafshohet.
“S’do të ketë asnjë tolerancë”, theksoi kreu i shtetit, duke shtuar se asnjë ndërtesë në shkelje të ligjit nuk do të legalizohet.
Gjithashtu, kreu i qeverisë paralajmëroi se:“Historia ndërto nesër që të legalizosh nesër, nuk do të ecë”.
Edi Rama: Sot do të bëhet një konfiskim i një kuazi pallati në Vlorë që është në shkelje të lejes së ndërtimit, ky proces synon të bashkojë dy gjëra, s’kemi asnjë minutë për të humbur.
Kemi marrë përsipër të mbyllim procesin e legalizimeve, por ta harrojë kushdo qoftë që do të legalizohet çfarëdo qoftë në shkelje të ligjit dhe pas afateve që ka ligji.
Historia ndërto nesër që të legalizosh nesër, nuk do të ecë.
E gjithë skuadra e deputetëve të jenë pranë komuniteteve dhe të janë në anën e shumicës dërrmuese të njerëzve që pengohen çdo ditë në jetën e tyre komunitare nga ata që me guxim të tepër kanë pushtuar hapësirat publike.
Tirana është zona më e nxehtë, edhe për shkak të atraksionit të madh që ka, dhe nuk ka lagje e bllok banimi që të mos ketë zaptuesin e vet.