Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 25 August 2025Main stream

Rama: Shembja e objekteve të paligjshme nuk ndalet, paketë masash për tkurrjen e fenomenit

25 August 2025 at 14:48

TIRANË, 25 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “shembja e objekteve të paligjshme, e cila ka nisur kudo, nuk është një aksion, po një proces që jo vetëm s’do të ndalet deri në eliminimin e këtij fenomeni, por edhe do të shoqërohet ditët në vijim me paketën e re të masave për tkurrjen e këtij fenomeni”.

Kryeministri siguroi se do të rritet forca goditëse e ligjit mbi fajtorët dhe personat përgjegjës të nivele të ndryshme, përfshirë edhe “symbyllurit” në inspektoriate, polici e me radhë.

Rama ndau pamje nga prishja e ndërtimeve pa leje në Kepin e Rodonit në Durrës, ku IKMT po ndërhyn sot për prishjen e 66 godinave.

“Këto pamje janë nga operacioni i nisur sot në Kepin e Rodonit, Bashkia Durrës, ku një tjetër mrekulli e natyrës është abuzuar për qëllime fitimi nga ndërtime të paligjshme”, u shpreh Rama.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) po vijon prishjen e ndërtimeve pa leje përgjatë zonave bregdetare dhe atyre të mbrojtura.

Aktualisht IKMT ka nisur shembjen e objekteve të paligjshme në Kepin e Rodonit, njësia Administrative Ishëm, Bashkia Durrës, ku janë evidentuar 66 ndërtime pa leje.

/m.m/j.p/

The post Rama: Shembja e objekteve të paligjshme nuk ndalet, paketë masash për tkurrjen e fenomenit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IKMT nis prishjen e 66 objekteve pa leje në Kepin e Rodonit

25 August 2025 at 12:08

TIRANË, 25 gusht/ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) vijon prishjen e ndërtimeve pa leje përgjatë zonave bregdetare dhe atyre të mbrojtura.

Aktualisht IKMT ka nisur shembjen e objekteve të paligjshme në Kepin e Rodonit, njësia Administrative Ishëm, Bashkia Durrës.

Përmes një njoftimi për shtyp, IKMT bëri të ditur se “deri më tani janë evidentuar 66 ndërtime pa leje, ndërkohë që puna në terren po vazhdon”.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) po vijon aksionin e prishjes së ndërtimeve pa leje përgjatë vijës bregdetare, me synim rikthimin e hapësirave publike dhe mbrojtjen e territorit.

IKMT shpreh angazhimin për të vepruar me transparencë, duke siguruar që hapësirat publike t’u rikthehen qytetarëve.

/m.m/j.p/

 

The post IKMT nis prishjen e 66 objekteve pa leje në Kepin e Rodonit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

“Hapësira ime publike”, mbi 3 mijë denoncime nga qytetarët

12 August 2025 at 12:42

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Vetëm pak ditë pas prezantimit nga Kryeministri Edi Rama të aplikacionit më të ri digjital për denoncimin e zënieve të paligjshme të hapësirave publike, qytetarët kanë reaguar në mënyrë të menjëhershme, duke raportuar mbi 3 mijë raste.

Sipas Agjencisë për Media dhe Informim, institucionet përkatëse do të verifikojnë çdo raportim individualisht, me qëllim lirimin e çdo hapësire publike të zaptuar në mënyrë të jashtëligjshme.

Përmes portalit “Hapësira ime publike” qytetarët do të kenë mundësi që të denoncojnë rastet e zënies së trotuareve, ndërtimet pa leje apo shkelje të lejes, zaptime anës rrugëve kombëtare, parkingje private të paligjshme apo shkelje të tjera në dëm të pronës publike.

Ky aplikacion vjen si pjesë e një nisme më të gjerë të qeverisë për mbrojtjen e interesit publik dhe rritjen e transparencës e pjesëmarrjes qytetare në administrimin e hapësirës urbane. /j.p/

The post “Hapësira ime publike”, mbi 3 mijë denoncime nga qytetarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ndërtimet e paligjshme do të shemben ose sekuestrohen për interes publik

10 August 2025 at 12:04

TIRAË, 10 gusht/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot ndërtuesit se çdo ndërtim i paligjshëm ose do të shembet, ose do të sekuestrohet nga shteti.

Në një komunikim në rrjetet sociale, Rama iu përgjigj një komentuesi i cili shprehet dyshues nëse do të prishen 8 kate pa leje në një objekt shumëkatësh të ndërtuar afër sheshit “Skënderbej” në Tiranë.

Rama siguroi se çdo metër katror tek ajo ndërtesa që u konstatua asokohe e paligjshme, nuk është më e ndërtuesit.

“Janë bërë të gjitha procedurat dhe, sikundër edhe në disa raste të tjera, ato metra katrorë do t’i marrë shteti. Do t’i marrë shteti për interes publik, pra për zyra, për aktivitete të natyra të ndryshme publike. Pra, do të jenë të një institucioni të caktuar të qeverisë, bashkisë, etj. Kjo nuk është vendosur, por ama janë ndërkohë kaluar me letra dhe në momentin kur do të kryhet ndërtimi, do të jenë të shtetit”, shtoi Rama.

Ashtu sikundër, Kryeministri theksoi se “të gjitha ato të cilat u publikuan si raste me shtesa kanë kaluar në procese të ndryshme”.

“Një pjesë janë parablerë nga ndërtuesit me çmimin e tregut. Një pjesë tjetër janë sekuestruar dhe konfiskuar, dhe kështu do të vazhdojmë në vijim. Kush do të ndërtojë një metër katror të paligjshëm, duhet ta dijë që nuk do ta gëzojë dot, ose do ta marrë shteti aty ku është e mundur të merret ose do të bjerë në tokë e gjithë godina. Kjo do të jetë e qartë dhe e prerë për të gjithë”, siguroi Kryeministri.

/r.e/

The post Rama: Ndërtimet e paligjshme do të shemben ose sekuestrohen për interes publik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Pako e re masash ndaj zyrtarëve që lejojnë ndërtime pa leje, autorët nuk amnistohen

10 August 2025 at 10:36

TIRANË, 10 gusht/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se për t’iu përgjigjur problematikës së ndërtimeve pa leje po përgatitet edhe një paketë masash ligjore ndaj zyrtarëve të shtetit që janë përgjegjës për shkeljet në këtë drejtim.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, kryeministri iu përgjigj të gjithë atyre komentuesve që duke marrë shkas nga shembja e një godine pa leje të ndërtuar buzë detit në Vlorë, ngrenë pyetjen se përse u lejua një gjë e tillë.

“Lajtmotivi është: pse u lanë të bëhen? Kjo është një pyetje legjitime, por pastaj vjen pjesa tjetër, që fajin për çfarë ka ndodhur për ndërtimin e një ngrehine buzë detit me gjithë atë volum betoni e ka ekskluzivisht shteti dhe kush e ka bërë këtë trajtohet si një subjekt totalisht i pafajshëm”, shtoi Rama.

Madje, Rama theksoi se “kalohet edhe në ekstrem duke folur për familje të ndershme që mezi mbajnë frymën gjallë dhe kriminalizohet tërësisht shteti, ndërkohë që amnistohen tërësisht autorët e këtyre shkeljeve”.

“Në njëfarë mënyre është si të thuash: Çfarë faji ka hajduti pse shteti nuk e kapi dhe pse duhet kapur e dënuar hajduti në rast se shteti e lejoi që ai të vidhte?! Çfarë faji ka vrasësi nëse shteti nuk e ndaloi të vriste dhe pse e kap më mbrapa?! Çfarë faji ka çdo shkelës i ligjit nëse shteti nuk është aty në sekondë për ta ndalur ta bëjë atë shkelje?! Kush bën shkeljen është i pafajshëm, ndërkohë fajin e ka shteti dhe të gjithë ata që punojnë në emër të shtetit që nuk i shohin këto gjëra'”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se pa diskutim që në rastin e ndërtimeve të tilla ka një përgjegjësi të madhe të strukturave përkatëse, por pyetja tjetër që vjen është: A është kjo përgjegjësi përkatëse e mjaftueshme për të mos ndërhyrë dhe për të mos rivënë në vend ligjin aty ku është shkelur?

“Nga ana tjetër, me shumë të drejtë kërkohet kjo përgjegjësi përkatëse të mbahet. Pikërisht për këtë arsye ne kemi përcaktuar në pakon e re të masave që së shpejti do të aprovojmë, që të gjithë ata inspektorë, punonjës policie dhe me radhë që kanë përgjegjësi të kenë sytë hapur, do të mbajnë përgjegjësi në rast se do të konstatohen shkelje të kësaj natyre që nuk bëhen në një ditë, por duhen muaj dhe vite për t’u materializuar, siç është rasti i kësaj godine skandaloze të ngritur totalisht pa leje në buzë të detit në bashkinë e  Vlorës”, theksoi Rama.

(vijon…)

/r.e/

The post Rama: Pako e re masash ndaj zyrtarëve që lejojnë ndërtime pa leje, autorët nuk amnistohen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shembja e kabinave për turistët lë pas zemërimin në Theth

5 August 2025 at 10:20

Në luginën e Thethit në veriun e Shqipërisë, e rrethuar nga maja të larta, turistët fotografojnë një kishë fshati të ndërtuar në fund të shekullit XIX, një strukturë e bukur prej guri që shpesh shfaqet në broshurat që tërheqin turistët në rajon. Vetëm pak metra më tej, grumbuj druri dhe bazamente prej betoni janë gjithçka […]

The post Shembja e kabinave për turistët lë pas zemërimin në Theth appeared first on Reporter.al.

Rregullore e re për kantieret e ndërtimit, Rama: Masa drastike nëse cenohet komuniteti

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se qeveria po përgatit një rregullore të re për kantieret e ndërtimit.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë në rrjetin sociale Facebook, kreu i qeverisë tha se kantieret e ndërtimit nuk mund të bëhen problem për komunitetin dhe se duhet të merren masa që qytetarët mos ta ndjejnë. Rama tha se në rast se rregullorja nuk zbatohet, masat për ndërtuesit do të jenë drastike.

“Rregullorja e re kantiereve të ndërtimit. Kush ndërton pallat nuk mund të bëhet problem i zonës, por duhet të marrë të gjitha masat që zona aty ku bëhet fjalë për një zonë të banuar të mos e ndjeje fare mundësisht. Duhen marrë masat për të bërë rrethimet e duhura të kantiereve për të bërë pastrimet e duhura për të mos nxjerrë asgjë në rrugë nga ato që po punon brenda jo duke u hapur dhe duke marrë dhe trotuarin se po ndërton ti pallat, por duke bërë kalimet në trotuar me strehën mbrojtëse. Është një rregullore që do t’u jepet ndërtuesve dhe masat për to do të jenë drastike në rast se do të cenojnë komunitetin”, tha Rama.

Rama theksoi se përveç tendave dhe strukturave të përkohshme po kryhen kontrolle edhe në kantieret e ndërtimit.

“Ne nuk po bëjmë në këtë përpjekje një punë vetëm për t’i hequr tendat, apo struktura të përkohshme por edhe një kontroll të kantiereve. Mirëpo kantieret nuk dalin në televizor, sepse sikundër edhe kur beteja shkon në gjykatë, ata kanë në forcë të caktuar për të kontrolluar mediat dhe gjykatat. Kemi bërë konfiskime përsëri dhe do të vazhdojmë të bëjmë, pavarësisht së rrugës na del edhe ndonjë si një gjykatës i pacipë, krejtësisht i pacipë, që merr masë sigurie për një pallat të tërë të ndërtuar pa leje që tashmë është kthyer në një godinë për ASHK e cila duhet të largohej nga godina ekzistuese pasi është godinë me rrezik qysh pas rënies së tërmetit dhe tani del ky tipi dhe vë masë sigurie për ato që kanë ndërtuar komplet pa leje”, tha Rama.

Rama shtoi se qeveria është e vendosur në mbrojtjen e natyrës dhe hapësirës publike për qytetarët.

“Gjithsesi këto janë sfida, por Shqipëria e bukur, që jeton në harmoni me të drejtat e njerëzve, për të qenë zotër të hapësirës publike, për të qenë në harmoi me natyrën, është një ambicie që është një detyrim i gjeneratës sonë dhe në këto kohë kur forcat e zhvillimit janë bërë shumë të mëdha, duhet të vendosmi shumë më fort në mbrojtje të natyrës dhe ekuilibrave. Ekuilibrave të humbur siç e vumë re në Tiranë”, tha Rama.

Sa u përket komenteve për aksionin në kryeqytet për lirimin e hapësirave publike, kreu i qeverisë theksoi se ai është deputet i qarkut të Tiranës dhe se do të bëj edhe detyrën si deputet i kryeqytetit.

Rama ftoi qytetarët që mos të kursejnë dërgimin e denoncimeve në të gjitha rastet kur shikojnë se ka nevojë për ndërhyrje.

/m.q//a.f//r.e/

The post Rregullore e re për kantieret e ndërtimit, Rama: Masa drastike nëse cenohet komuniteti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Prona në Theth e pacenueshme, historitë me resorte këndvështrim i ngushtë

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se në Theth nuk do ndërtohen resorte apo hotele të mëdha.

Gjatë komunikimit në rubrikën “Sy m’sy”, Kryeministri iu përgjigj komentit të një qytetari që shprehet se “ndërtimet në Theth u shembën për t’i hapur rrugë planit të radhës së ndërtimeve për oligarkët”.

Rama tha se “këto janë përrallat me të cilat u kanë mbushur kokën, ose inati dhe mllefi ndaj qeverisë, ose zhytja e kokës në kanalet e infektuara të ujërave të zeza mediatike”.

“Nuk ndodh kjo kështu! Prona është e pacenueshme. Nëse prona është e dikujt, cilido që do të investojë në atë pronë duhet të merret vesh me dikë. Nuk ka shans të ndodhë ndryshe, ndërkohë që në Theth e kundërta është e vërtetë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi faktin se në Theth nuk do të ketë zhvillime pas pastrimit të madh, përveçse në raste specifike të lidhura me ata që jetojnë aty.

“Nuk është Thethi vendi për resorte turistike, vendi për hotele të mëdha, për histori të tilla që janë pjesë e fantazisë së njerëzve me kënd të ngushtë shikimi”, tha Rama.

/e.i/j.p/

The post Rama: Prona në Theth e pacenueshme, historitë me resorte këndvështrim i ngushtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Citizens shpjegon pse Thethi nuk është “tokë e xanun”

11 July 2025 at 17:01

“Thethi një kartolinë e mrekullisë shqiptare katandisur në një praktikisht territor toke të xanun”, u shpreh kryeministri Rama në një komunikim në Facebook në fillim të javës, ndërsa në terren, në fshatin turistik nisi shembja e dhjetëra godinave prej druri.

“Boll ma, tokë e xanun!” ishte edhe thirrja e kreut të bashkisë Shkodër, Benet Beci. Por, pikërisht kjo shprehje evokon një etiketim përçmues të vuajtur prej vitesh nga qytetarët e Shqipërisë së veriut si “të ardhurit” me veprime “kundër shtetit”. Dhe në këtë rast jo të gjitha janë të vërteta.

Citizens, ishte në terren dhe për këtë ju parashtron disa të vërteta:

Familjet në Theth janë autoktone pasi në këtë zonë banorët jetojnë prej qindra vitesh dhe askush nuk ka zenë tokën e askujt.

Problemi qëndron se jo të gjithë kanë mundur të pajisen me certifikata pronësie. Kjo, për shkak të lëmshit që krijoi qasja me ligjin 7501 dhe se në vitin 1966 zona u shpall Park Kombëtar, status i cili nuk i ndihmoi aspak banorët e Thethit të gëzonin certifikata pronësie.

Madje, edhe ata që mundën të siguronin certifikata hasën në vështirësi për të rregulluar qoftë edhe shtëpitë e vjetra të tyre, pasi në Parqet Kombëtare, zhvillimi urban është i kufizuar.

Pas vitit 2017, Thethi u shpall Qendër Historike e Mbrojtur, duke ua ndërlikuar më tej çështjen. Zona, me këtë cilësim vlerësohet për historinë e saj dhe arkitekturën unike të kullave.

Por, edhe pse rregullorja parashikonte mundësinë e restaurimeve dhe rijetëzimit urban në zonë, banorët u përballën me zvarritje dhe sorollatje në procesin e marrjes së lejeve.

Në disa raste, një projekt restaurimi që miratohej nga Ministria e Kulturës, refuzohej për leje pikërisht nga bashkia Shkodër.

Në tërë këtë histori, familjet e Thethit me dëshirën për të punuar në fshatin dhe tokat e tyre investuan në turizëm duke kthyer shtëpitë dhe bujtinat dhe duke zgjeruar më pas aktivietetin në kabina druri.

Paligjshmëria e tyre u nxit nga mungesa e vullnetit shtetëror për të zgjidhur çështjen e certifikatave të pronësisë dhe mënyrës së ndërtimit, pa plan apo vizion real.

Në këtë këndvështrim, nuk ka kuptim që një vit më parë ata të jenë “kartolina e turizmit të veriut”, dhe një vit më pas “uzurpues të tokave të tyre”.

Qendrime të ndryshme për ndërtimet pa leje në Theth

“Mirë se ke ardhur e mirë se të ka prurë Zoti!”, iu drejtua një vit më parë një nga vajzat e Thethit kryeministrit Rama duke i shërbyer bukë.

Vetë kryeministri iu drejtua banorëve se nuk janë “thjesht banorë të një fshati, sot Thethi është destinacion evropian turistik”.

Rama shpërndau atë kohë 200 tituj pronësie, ndërsa përmendi edhe 50 tituj të tjerë, të cilat sipas tij janë ndërtuar në pronën e tyre, por përtej afatit të lejuar nga ligji ekzistues për legalizimet. Ndërsa përmendi dhe faktin se janë vendosur shumë gjoba për ndërtimet pa leje.

“Janë vendosur si rezultat i ndërhyrjeve apo ndërtimeve aty ku keni pasur shtëpinë e vjetër apo aty ku keni truallin tuaj që janë bërë për shkak të nevojës për të krijuar ekonomi përmes turizmit”, u shpreh Rama, ndërsa premtoi se qeveria do t’i falë të gjitha këto gjoba.

Ai legjitimoi faktin se banesat nuk janë ndërtuar sipas ligjit “jo se banorët nuk kanë dashur”, por se shtrëngimi i legjislaciont në këtë zonë e bën të pamundur.

Një vit më pas, qëndrimi ka ndryshuar: 80 banesa shemben në Theth në kulmin e sezonit turistik.

Lexoni gjithashtu:

The post Citizens shpjegon pse Thethi nuk është “tokë e xanun” appeared first on Citizens.al.

Berisha: Asnjë ndërtesë e prishur në Theth nuk ishte në zonën e mbrojtur

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, asnjë ndërtesë e prishur në Theth nuk është në zonën e mbrojtur, të gjitha janë në zonën urbane.

Në një konferencë për shtyp, Berisha theksoi se, “Thethi përbën në historinë e Shqipërisë një nga krimet shtetërore më të rënda, më të shëmtuara”.

Sipas tij, “Edi Rama e ka shndërruar Thethin në një shesh shkatërrimi, në të cilin ky fshat, kjo zonë nuk është shndërruar kurrë nga asnjë pushtues, qoftë edhe më barbarët”.

Berisha theksoi se, “asnjë ndërtesë nuk ishte në zonën e mbrojtur, të gjitha ndërtimet janë në zonat urbane”.

“Po, Thethi është park kombëtar, por Thethi ka një zonë urbane ku ndërtohet”, theksoi Berisha.

“Asnjë ndërtim në tokë publike, as edhe në tokën e tjetrit, të gjitha në tokën e vet. Ndërtime druri, siç përcakton rregullorja për Thethin, druri ose guri”, tha Berisha më tej.

Berisha shtoi se, në Theth nuk kanë votuar PS-në, por kanë votuar PD-në.

Kreu i PD-së publikoi rezultatin e qendrës së votimit për zonën ku u prishën ndërtimet në Theth.

“PD në këtë qendër ka marrë 95 vota dhe PS 82 vota. Pra, nuk kanë votuar PS-në, kanë votuar PD-në dhe kjo është hakmarrja primitive, kriminale e Edi Ramës ndaj tyre”, tha Berisha.

Ai u bëri thirrje banorëve të Thethit, Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë “të ngrihemi për t’u ndarë në mënyrë përfundimtare nga kjo e keqe e madhe që po rrënon çdo ditë shqiptarët dhe qenien e tyre”. /gj.m/j.p/

 

The post Berisha: Asnjë ndërtesë e prishur në Theth nuk ishte në zonën e mbrojtur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Thethi, albanologu dhe albanofobi

By: Ela
14 July 2025 at 13:46

Nga Ilir Meta Cilido që ka vizituar Thethin largohet vetëm me një dëshirë, për t’u rikthyer sa më parë. Por një albanolog i njohur, i habiti të gjithë kur vendosi të zgjidhte Thethin si vendprehjen e tij të përhershme. Dhe tashmë prej vitit 2017, albanologu Robert Elsie prehet në Theth. Ndërkohë që Kryealbanofobi i kohëve […]

The post Thethi, albanologu dhe albanofobi appeared first on BoldNews.al.

Kuvendi i Burrava mblidhet para kishës: Asnjë investitor nuk do gëzojë tokë në Theth

By: Ela
13 July 2025 at 14:34

Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e Thethit ka vijuar edhe gjatë kësaj të diele. Fadromat e IKMT kanë vazhduar prishjen e objekteve pavarësisht rezistencës së disa banorëve. Kuvendi i Burrave të Shalës janë mbledhur për të shqyrtuar gjendjen alarmante që po kalon Thethi, në prani edhe të meshtarit të zonës, Dom […]

The post Kuvendi i Burrava mblidhet para kishës: Asnjë investitor nuk do gëzojë tokë në Theth appeared first on BoldNews.al.

OSHEE: Nuk do të ketë lidhje të reja me rrjetin për ndërtimet pa leje

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka deklaruar sot përmes një njoftimi për shtyp angazhimin e tij në kuadër të aksionit të ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare për goditjen e paligjshmërisë në fushën e ndërtimit.

OSHEE shprehet i vendosur për të forcuar kontrollin dhe për të mos lejuar asnjë lidhje të re me rrjetin elektrik për ndërtesat që nuk përmbushin kriteret ligjore.

Sipas OSHEE, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet kërkesave për lidhje të reja, me qëllim që të shmangen çdo përpjekje për të anashkaluar ligjin.

“Nuk do të pranojmë kërkesat për lidhje me energji elektrike të ndërtesave pa leje ndërtimi ose që nuk kanë zbatuar kushtet e lejes së ndërtimit”, thuhet në deklaratë.

Sipas OSHEE-së, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet të gjitha kërkesave për lidhje të reja me qëllim që të shmangen çdo përpjekje për të anashkaluar ligjin.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike thekson se mbetet i angazhuar të veprojë në përputhje me legjislacionin dhe të kontribuojë për një mjedis të ndërtuar të sigurt, të ligjshëm dhe në shërbim të qytetarëve.

/a.f/

The post OSHEE: Nuk do të ketë lidhje të reja me rrjetin për ndërtimet pa leje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkarkimi i drejtorit të Policisë Shkodër, Rama: Asnjë justifikim për ndërtimet pa leje

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Durrës një takim me kryetarët e bashkive për performancën e pushtetit vendor.

Në fjalën e tij kreu i qeverisë u ndal edhe tek shkarkimi i drejtorit të Policisë së qarkut Shkodër, ku theksoi se shpreson që të jetë një mesazh për të gjithë drejtuesit e qarqeve, se nuk mund të ketë justifikime për ndërtimet pa leje.

“Asnjë drejtor qarku nuk mund të justifikohet se nuk dinte gjë, kur nuk bëhet fjalë për një tavolinë me katër karrige që kanë dalë nga vija, por për 40 ndërtime pa leje apo qoftë edhe për një ndërtim pa leje. Policia e ka treguar se edhe kur do, di të shkojë edhe në majën e një mali kur një fshatar po bën një avlli dhe t’i thotë po bën një avlli. Poshtë në bregdet, ku ndërtohen rezorte dhe ku merret dheu nga kantieri dhe bëhet deti i kaltër i Jonit si Lumi i Lanës, nuk e shohin.

Të gjithë drejtorët e qarqeve, shefat e komisariateve duhet të dinë që përgjegjësia e tyre, nuk është vepër për një mur apo avlli, por për çdo ndërtim që ka formën edhe të një pallati, kur aty ka paligjshmëri”, tha Rama.

Rama shtoi se “nuk kemi ne 4 mijë km bregdet, që të na dëmtohet akoma më shumë seç na është dëmtuar në të shkuarën. Nëse ne angazhojmë ajkën e arkitektëve ndërkombëtarë në Shqipëri, dhe treçerekun e qeverisë për të miratuar lejet e ndërtimit me projektet e këtyre arkitektëve dhe merret Agjencia e Zhvillimit të Territorit me të gjitha detajet, ne nuk mund të lejojmë pastaj që projektet në territor të bëhen sipas qejfit”.

“Si mundet njëri të marrë fadromën dhe të hapë 500 metra në kodër, rrugë në shkëmb, e hap njëri pa leje mbi kokën e Ermal Dredhës dhe Policia nuk di gjë, kjo nuk është e mundur. Kontrolli mbi territorin, pastërtia, respekti për lejet e ndërtimit, pamundësia për të ndërtuar pa leje, duhet të jenë pjesë e jetës së përditshme të Policisë së Shtetit të bashkive dhe kryetarëve të bashkive”, u shpreh Rama.

/m.q//r.e//a.f/

The post Shkarkimi i drejtorit të Policisë Shkodër, Rama: Asnjë justifikim për ndërtimet pa leje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërtimet pa leje – Shkarkohet kreu i Policisë së Shkodrës, pezullohet shefi i Stacionit të Policisë në Theth

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda njoftoi sot se nisur nga situata e ndërtimeve pa leje në qendër të Thethit janë shkarkuar nga detyra drejtori i Drejtorisë Vendore Shkodër, Fatmir Lleshi, shefi i Komisariatit, Nik Nikolla si dhe është pezulluar nga detyra shefi i stacionit të policisë Theth.

Proda tha se, “kam urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit për të kryer një hetim të thelluar disiplinor, ku paraprakisht ju informoj se shefi i Stacionit të Policisë Theth është pezulluar menjëherë nga detyra dhe ndaj tij ka nisur procedura disiplinore për shkelje të rëndë”.

Sipas Prodës, “ky funksionar me mosveprimin e tij të pajustifikueshëm e ka zgjedhur rrugën e vet për të mos qenë më pjesë e Policisë së Shtetit, nuk gjej dot asnjë arsye që ai ta veshë me uniformën blu – pavarësisht denoncimit të bërë nga Policia në Prokurorinë e Shkodrës, konkretisht referimi për ndërtimet pa leje në një zonë të mbrojtur, fatkeqësisht për këtë rast në mënyrë të çuditshme prokurorja e çështjes u mjaftua me mosfillim procedimi”.

“Gjithashtu, ecuria disiplinore ka filluar edhe ndaj inspektorit të zonës dhe specialistit të krimeve, të cilët po njësoj, nuk e meritojnë të jenë më pjesë e trupës së Policisë së Shtetit”, njoftoi Proda.

Proda bëri me dije po ashtu se “ka vendosur të shkarkojë nga detyra Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe bashkë me të edhe Shefin e Komisariatit të Policisë Shkodër”.

“Dua të jem shumë i qartë: Pavarësisht se Policia e Shkodrës ka bërë detyrën e vet duke referuar në Prokurori çështjen e atij kompleksi të tërë ndërtimi pa leje, mu në mes të një zone të mbrojtur, kjo as nuk ia heq përgjegjësinë Drejtorisë së Qarkut të Shkodrës për ndërtimet pa leje në Theth, që fatkeqësisht doli se nuk ishin një e dy, dhe as nuk mund të mbetet përgjegjësi e përveçme e një shefi stacioni, e një inspektori zone apo e një specialisti krimesh. Jo, kjo nuk do të ndodhë as në këtë rast dhe në asnjë rast të ngjashëm nëse do të ketë.

Nëse shefi i komisariatit nuk do të dijë jo se sa veprime pa leje mbi territorin janë bërë gjatë 24 orëve të fundit, por deri edhe se sa karrige lokalesh jashtë apo çadra plazhi të lejuara ka në territorin e mbuluar prej strukturës së tij, atëherë ai nuk do të rrijë më në atë detyrë”, tha Proda.

Proda shtoi se “ky është një mesazh i qartë edhe për të gjithë Drejtorët Vendorë të Policisë në qarqe që do të mbajnë përgjegjësi direkte nëse symbylljen apo padijen mbi territorin të vartësve të tyre, nuk e konstatojnë ata vetë përpara se ta konstatoj unë apo përpara se sa ta ketë konstatuar i gjithë komuniteti”.

Proda ftoi po ashtu qytetarët që çdo rast abuzimi, neglizhence apo sjelljeje të papërshtatshme nga punonjësit e Policisë ta denoncojnë menjëherë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

“Lirimi nga zaptimet arbitrare i hapësirave të përbashkëta publike në të gjitha qytetet e mëdha, është një detyrë e pandashme për çdo strukturë të policisë. Hapësirat publike u takojnë qytetarëve dhe komunitetit, e askush nuk ka të drejtë t’i përvetësojë”, tha Proda.

Proda shtoi se “bashkitë, komunitetet dhe qytetarët i ftoj të bashkëpunojnë ngushtë me Policinë e Shtetit dhe të denoncojnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë çdo rast indiference apo abuzimi nga ana e punonjësve të policisë apo çdo strukture tjetër inspektimi që ka për detyrë kontrollin e territorit”.

“Parkimi i dyfishtë në rrugë nuk do të konsiderohet më si një “shkelje e lehtë” thjesht administrative, por si një bllokim i kalimit të mjeteve që cenon sigurinë e qytetarëve dhe kufizon dhunshëm të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht. Strukturat policore do të kryejnë veprimet hetimore duke e trajtuar parkimin e dyfishtë si vepër penale bazuar në nenin 293 të Kodit Penal. Ky fenomen i shëmtuar dhe i rrezikshëm do të zhbëhet, me çdo kusht. Me të gjithë respektin për drejtuesit e automjeteve, qyteti është në radhë të parë i këmbësorëve dhe megjithë mirëkuptimin për vështirësitë e parkimit, rruga është për të qarkulluar, jo për të parkuar në mes të saj”, tha Proda.

Proda nënvizoi se “shefat e komisariateve dhe drejtuesit e strukturave që kanë përgjegjësi për territorin do të jenë personalisht përgjegjës për rastet kur evidentohen ndërtime pa leje, zaptime të pronave, bllokime rrugësh, kthim i hapësirave komunitare në parkingje private, apo çdo abuzim me mjedisin, veçanërisht në zonat e mbrojtura”.

/m.q/a.f/r.e/

The post Ndërtimet pa leje – Shkarkohet kreu i Policisë së Shkodrës, pezullohet shefi i Stacionit të Policisë në Theth appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“IMT dhe policia bashkiake pjesë e problemit”/ Kontrolli i territorit, Rama paralajmëron “furtunë”

9 July 2025 at 11:50

Në mes të sezonit turistik, Edi Rama ka ndërmarrë një aksion për shembjen e ndërtimeve pa leje, ku më shumë se sa një aksion serioz, duke një “show” për tërheqjen e vëmendjes pas zgjedhjeve të `11 Majit. Ndërkohë, ditën e sotme, përmes një postimi në rrjetin social “X”, Rama paralajmëron një reformë të re për […]

The post “IMT dhe policia bashkiake pjesë e problemit”/ Kontrolli i territorit, Rama paralajmëron “furtunë” appeared first on BoldNews.al.

Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth, banorët përplasen me policinë

By: gaze tare
9 July 2025 at 10:05

Ashtu siç kishin paralajmëruar, banorët e Thethit kanë dalë këtë të mërkurë në protestë kundër aksionit të IKMT për prishjen e objekteve pa leje të nisur prej së hënës. Ata kanë bllokuar urën në hyrje të fshatit, ndërsa prezente janë edhe forca të shumta policie.

Njëri prej banorëve, që ka investuar në tokën e tij, thotë me lot në sy se ka hedhur në investime të gjithë shpenzimet e jetës. Banori deklaron se ka ndërtuar 5 shtëpia prej druri në tokën e tij të trashëguar prej shumë vitesh dhe siç shton ai, s’ka asnjë pëllëmbë beton.

“Të gjithë shpenzimet e jetës. Kam ndërtuar 5 shtëpia druri pa beton dhe asgjë në tokën time. Kemi kërkuar por thonë nuk ka leje, toka është e imja, është trashëgimtare brez pas brezi. Kërkojmë prej shtetit që të mos i prishë sepse dalim në rrugë të madhe. Veç me vdekur, nuk e di me çfarë ka me jetuar familja ime. Synojmë me na lënë shteti me jetuar. Vetë kanë thënë me investuar, unë nuk jam i ardhur por jam këtu. Toka është e jona 200 vjeçare. Ashtu siç kanë thënë kemi investuar, nuk ka asnjë pëllëmbë beton.“, thotë banori.

Banorët e Tethit janë përplasur me policinë, duke bllokuar urën hyrëse për në fshat. Ata kërkojnë ndalimin e aksionit dhe të flasin me qeverinë.

The post Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth, banorët përplasen me policinë appeared first on iconstyle.al.

Prishja e ndërtimeve pa leje në Theth, banorët kërkojnë ndalimin e aksionit

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Në ditën e tretë të aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth, banorët kanë bllokuar urën hyrëse për në fshat.

Ata kanë kërkuar ndalimin e aksionit dhe uljen në tryezë me përfaqësues të qeverisë.

Pjesë e protestës ishte dhe deputetja e Partisë Demokratike, Gerta Bardeli. Ajo kërkoi nga policia që të respektohet e drejta kushtetuese e banorëve për të protestuar.  “Asnjë shtyrje! Me banorët s’keni punë, kanë të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar. Ata janë në truallin e tyre”, tha Bardeli.

Përplasjet mes policisë dhe banorëve kanë vijuar rreth 1 orë, teksa më tej banorët kanë hapur rrugën për në fshat.

Prej tre ditësh ka nisur aksioni për lirimin e hapësirave publike në disa qytete të vendit, përfshirë edhe Thethin.

Kryeministri Edi Rama u ka dhënë ultimatum bashkive që të lirojnë hapësirat publike të zaptuara pa leje nga bizneset.

Ky aksion po zhvillohet edhe në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë si dhe në qytete të tjera të vendit.

/gj.m//a.f/

 

The post Prishja e ndërtimeve pa leje në Theth, banorët kërkojnë ndalimin e aksionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Fshat turistik pa leje në Theth”, Rama: Vendim skandaloz i prokurores Gjeli, shqetësimi do t’i përcillet KLP-së

TIRANË, 7 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri sot publik vendimin e prokurores Elsa Gjeli në lidhje me zënien e hapësirës publike në fshatin turistik të Thethit, ku është ngritur një “fshat i vogël pa leje”. Kreu i qeverisë tha se vendimi e “ka lënë pa fjalë”, pasi sipas gjyqtares ndërtimi në këtë fshat “nuk përbën vepër penale”.

Rama tha se është e pabesueshme që një prokurore përpara trajtimit të një krimi mjedisor ndaj pronës publike të mos nisë hetimet penale në lidhje me këtë çështje.

“Zonja Gjeli, prokurore nga trupa e shumëmirëpaguar e prokurorëve me taksat e shqiptarëve e cila presupozohet se duhet t’i mbrojë pasuritë e përbashkëta të këtij populli thesaret e këtij vendi nga individë, si ai që ka plagosur Thethin në cenim total të çdo lloj norme të bashkëjetesës në këtë vend dhe në shkelje të një sërë ligjesh, pasi aty është zonë e mbrojtur. Është e pabesueshëm deri në kufijtë e të llahtarshme që një prokurore e Republikës së Shqipërisë përpara trajtimit të një krimi mjedisor ndaj pronës publike, ndaj një zone ligjërisht të mbrojtur nga ligji specifik i Republikës së Shqipërisë, të përsiatet në një jerm si ai që ju lexova dhe që është vetëm një pjesëz i një përroi psikik të pashtershëm, të mosfillimit të çështjes penale, ndërkohë që gjithë ai komunitet njerëzish, banorësh, sipërmarrësish të vegjël ndihet i përdhunuar nga një individ që në mes të Thethit ka ngritur fshatin e tij të vogël turistik, pa leje, ndërkohë që për zonjën Gjeli kjo nuk përmban vepër penale. Ky është kulminacioni i një zinxhiri jo të shkurtër hallkash të përbëra nga vendime skandaloze të prokurorëve”, tha Rama.

Rama përmendi gjithashtu edhe rastin e një prokurori në Vlorë në lidhje me vendimin për sekuestro të një prone shtetërore në Pyllin e Sodës.

“Nga ana tjetër, duke qenë se kthehem nga Vlora, po ju jap një tjetër fakt sesi na është bërë e pamundur të zhvillojmë projektin Vlora Sport tek Pylli i Sodës, një truall shtetëror, sepse një prokuror tjetër ka vënë në sekuestro, dhe mirë ka bërë, për falsifikim prone pronat shtetërore përkatëse, por sekuestroja po zgjat prej vitesh të tëra”, tha Rama.

Rama bëri me dije se i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë që të veprojë ndaj prokurores Gjeli, pasi sipas tij, ka lënë shtetin në baltë dhe theksoi se çështja duhet t’i përcillet edhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

“I kam kërkuar Ministrisë së Drejtësisë të veprojë ndaj Gjelit, se ka lënë në baltë shtetin, qytetarët e Republikës së Shqipërisë, të gjitha ato struktura që përpiqen të ruajnë kufijtë e ligjit dhe është e padenjë të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë si prokurore. Ti përcillet çështja e saj KLP-së dhe të shohë dëmin e madh që i ka sjellë mosfillimi i çështjes penale Republikës së Shqipërisë dhe interesit publik dhe të gjykojë nëse është apo jo e denjë për t’u paguar nga taksat e shqiptarëve si prokurore. Ky është rasti i parë që do të pasohet nga të tjerë, sa herë që ne do të ndeshemi me prokurorë territoresh, që tradhtojnë me paaftësinë e tyre, me paturpësi interesat e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Rama.

Videomesazhi i plotë i kryeministrit Edi Rama:

Ky është Thethi, pas një masakre të mirëfilltë të realizuar nga një individ, i cili rezulton i paarritshëm nga krahu i ligjit.

Thethi që është një kartolinë e mrekullisë shqiptare dhe që është katandisur mu në zemër tij në një praktikisht territor “toke t’xanum”, si ka mundësi? Si është e mundur që pasi Inspektorati  përkatës dhe Policia e Shtetit konstatojnë një ndërhyrje të tillë brutale mu në zemër të asaj mrekullie të maleve shqiptare dhe e përcjellin rastin në Prokurori, Prokuroria nuk shpall në kërkim të menjëhershëm personin, por shpall mos fillimin e çështjes?

Duke qenë se kërkova të kuptoj më shumë, u ndesha me një vendim të një prokuroreje, zonja Gjeli, që më la pa fjalë. E ndava vendimin me disa të tjerë për të kuptuar se çfarë nuk arrija dot të kuptoja unë, por edhe reagimi i të tjerëve ishte pa fjalë dhe po ju lexoj se si arsyeton zonja Gjeli, prokurore në Republikën e Shqipërisë, nga trupa e shumë mirë paguar me taksat e shqiptarëve, e cila presupozohet se duhet t’i mbrojë pasuritë e përbashkëta të këtij populli, thesaret e këtij vendi nga individë si ai që ka plagosur Thethin.

Ka plagosur Thethin në cenim total të çdo lloj norme të bashkëjetesës në këtë vend dhe në shkelje flagrante të një sërë ligjesh, pasi aty nuk është një vend do kudo, po është dhe një zonë e mbrojtur dhe ja se si arsyeton apo “çarsyeton” zonja Gjeli citoj: “Në lidhje me subjektin aktiv të veprës penale vlerësohet se në rastin konkret plotësohet ky element. Patur parasysh neni 12 i Kodit Penal, ku parashikon se: Ka përgjegjësi penale personi që në kohën e kryerjes së një krimi ka mbushur moshën 14 vjeç, personi që kryen një kundërvajtje penale ka përgjegjësi kur ka mbushur moshën 16 vjeç”.

Absurdi sapo ka filluar dhe unë po shkëpus vetëm një pjesë, sepse bëhet fjalë për një sërë çarçafësh që janë njëri më absurd se tjetri.

Vazhdoj të citoj zonjën Gjeli: “Përsa i përket anës subjektive të kësaj figure krimi, fillimisht evidentohet se ky element i figurës së veprës penale lidhet me qëndrimin psikik që mban personi kundrejt veprës së kryer prej tij. Ana subjektive karakterizohet nga dy elementë përbërës, faji pa të cilin nuk mund të ketë përgjegjësi penale “Nullum crimen, nulla poena, sine culpa”,” – na e shpjegon edhe latinisht zonja Gjeli, “neni 4 i Kodit Penal thekson ajo në dy format e tij, dashjen dhe pakujdesinë, si dhe nga motivet dhe qëllimet. Figura e veprës penale, ndërtimi i paligjshëm”, –  gjithmonë shkruan zonja Gjeli, “parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal, kërkon si formë faji dashjen e drejtpërdrejtë. Gjithashtu, vlerësohet se me anën subjektive të figurës së veprës penale zbulohet dhe qartësohet nëpërmjet anës objektive, sepse proceset e brendshme psikike dhe psikologjike, jo vetëm që ngacmohen nga faktorë të jashtëm, por dhe materializohen në veprimtarinë kriminale gjatë dhe nëpërmjet procesit të zhvillimit të anës objektive. Në këto kushte, përderisa nuk provohet se ka fakt penal, atëherë nuk kemi as faj, pasi mungon si element intelektual, ashtu dhe ai volutiv, që të ekzistojë faji si element thelbësor i përgjegjësisë penale. Për të pasur një figurë konkrete të veprës penale, është e domosdoshme ekzistenca e të gjithë elementëve përbërës të saj të marrë së bashku, të cilët janë: objekti i veprës penale, ana objektive, subjekti dhe ana subjektive.”

Është e pabesueshme deri në kufijtë e të llahtarshmes që një Prokurore e Republikës së Shqipërisë përpara trajtimit të një krimi mjedisor, të një krimi ndaj pronës publike, të një krimi ndaj një zone ligjërisht të mbrojtur nga ligji specifik i Republikës së Shqipërisë të përsiatet në një jermë si ai që ju lexova dhe që është vetëm një pjesëz e një përroi psikik të pashtershëm në formën e një vendimi të mos fillimit të çështjes penale, ndërkohë që i gjithë ai komunitet njerëzish, banorësh, sipërmarrësish të vegjël dhe bashkë me ta, vizitorësh dhe turistësh, ndihet i përdhunuar nga një individ që mu në mes të Thethit ka ngritur fshatin e tij të vogël turistik pa leje.

Në ndërkohë, për Zonjën Gjeli, kjo nuk përbën vepër penale dhe Zonja Gjeli është vetëm një kulminacion i një zinxhiri jo të shkurtër hallkash të përbëra nga vendime skandaloze të prokurorëve.

Nga ana tjetër, duke qenë se kthehem nga Vlora, ku vazhdojmë punën që na obligon një mbështetje historike që kemi marrë në qytetin e Vlorës dhe në gjithë qarkun e Vlorës me 9 deputetë, po ju jap një tjetër fakt se si na është bërë e pamundur të zhvillojmë projektin “Vlora Sport” tek pylli i Sodës në truall tërësisht shtetëror, sepse një prokuror tjetër ka vënë në sekuestro dhe mirë ka bërë për falsifikim prone, pronat shtetërore përkatëse, por sekuestroja zgjat prej vitesh e vitesh të tëra dhe të tilla ka plot.

Tani unë i kam kërkuar Ministrisë së Drejtësisë të veprojë menjëherë ndaj zonjës Gjeli, e cila ka lënë në baltë shtetin, e cila ka lënë në baltë qytetarët e Republikës të Shqipërisë, e cila ka lënë në baltë të gjitha ato struktura që përpiqen të ruajnë kufijtë e ligjit dhe cila është e padenjë për të qenë e paguar nga taksapaguesit shqiptare si prokurore dhe kam kërkuar që çështja e saj t’i përcillet Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili duhet të shikojë dëmin e madh që i ka sjellë mos fillimi i çështjes penale Republikës së Shqipërisë dhe interesit publik dhe të gjykojë pastaj nëse zonja Gjeli është apo nuk është e denjë për t’u paguar ende nga taksat e shqiptarëve si prokurore e Republikës së Shqipërisë dhe ky është vetëm rasti i parë që do të pasohet nga të tjerë, sa herë që ne do të ndeshemi me prokurorë territoresh që nga një anë paguhen më shumë sesa mjekët, edhe sesa mësuesit, sesa punonjësit e Policisë po e po dhe nga ana tjetër, tradhtojnë me paditurinë e tyre, me paaftësinë e tyre apo me qëllim, këtë unë nuk e di, por tradhtojnë me paturpësi interesat e Republikës së Shqipërisë dhe të qytetarëve të këtij vendi.

/m.q//r.e//a.f/

The post “Fshat turistik pa leje në Theth”, Rama: Vendim skandaloz i prokurores Gjeli, shqetësimi do t’i përcillet KLP-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌