Tavo-qytetarëve: Çadrat janë publike, jo pronë private
TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo bëri të ditur se po përballen me një problem në rritje, për zaptimin e çadrave publike nga qytetarët.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale Tavo thekson se pushuesit nuk mund të privatizojnë çadrën, teksa e cilësoi situatën si ta paprecdentë.
“Zgjeruam plazhet publike këtë vit. Për të rritur cilësinë e shërbimit, vendosëm edhe shumë çadra me logon e bashkisë, për të qenë të qartë, se ato mund të përdoren nga kushdo. Shërbim më i mirë, por edhe një mjedis më estetik.
“Por përballemi me një problem në rritje! Pushuesit kërkojnë të kenë çadrat e tyre të sigurta. Kërkojnë të kenë të njëjtën çadër për të gjitha ditët e qëndrimit në plazh. Dhe për këtë gjejnë çdo mënyrë për ta “privatizuar” çadrën”, shkruan Tavo.
Tavo nënvizoi se pasi pushuesit “mbarojnë plazhin, lënë të lidhur në çadra peshqirë, rroba, çanta, qese e sende të tjera. Por jo vetëm kaq. Ata që nuk kanë shumë besim te rrobat, i lidhin shezllongët me çadrën me zinxhirë dhe i kyçin Njësoj siç lidhin biçikletat nëpër pemë”.
“Veprime të paprecedenta këto, të pahasura më parë”, thekson Tavo.
Tavo iu bën thirrje qytetarëve se “çadrat e vendosura nga bashkia janë publike, janë për t’u përdorur nga gjithkush që ka nevojë!”.
“Hapësira publike është e lirë – gjithkush mund të vendosë karrigen apo edhe çadrën e tij”, tha Tavo.
Tavo nënvizoi se po punojmë “për të liruar: plazhet e zëna pa leje, trotuaret dhe hapësirat e tjera publike të zëna pa leje, por nuk do të tolerojmë as “çadrat e zëna””.






/m.q//a.f/
The post Tavo-qytetarëve: Çadrat janë publike, jo pronë private appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.