TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, akuzoi qeverinë në lidhje me mbështetjen për bujqësinë, duke theksuar se politika aktuale e TVSH-së po i penalizon fermerët shqiptarë. Sipas saj importuesit e mëdhenj po blejnë jashtë vendit, duke lënë pas dore produktet vendase.
“Duke pasur një diferencë të TVSH në hyrje dhe në dalje pra të fermerit të vogël dhe të importuesit të madh e gjithë kjo diferencë TVSH-je kthehet në një supertaksë për fermerin. Pra diferenca 0%, 10%, 20% konsiderohet si një taksë dhe të gjithë importuesit e mëdhenj preferojnë më mirë që të marrin jashtë, sesa të blejnë nga fermeri shqiptar”, tha Tabaku.
Deputetja demokrate theksoi nëpermjet një video të publikuar në rrjetet sociale se opozita ka propozuar që TVSH-ja në bujqësi të unifikohet në 6%, si në hyrje ashtu edhe në dalje, për të ndihmuar formalizimin e sektorit.
“Për këtë arsye kemi propozuar me ligje që taksa në bujqësi, TVSH-ja në bujqësi të jetë e njëjtë në hyrje dhe në dalje dhe të jetë në vlerën 6% në mënyrë që të formalizohet i gjithë sektori”, u shpreh Tabaku.
Tabaku tha më tej se “dëgjon ministrat e qeverisë që kanë dalë dhe po nxisin fermerët që të marrin kredi për investime në bujqësi. Pse duhet të marrë fermeri kredi në bujqësi kur kishte fondet e IPARD dhe u dogjën!! Çfarë vlere ka kredia në bujqësi, kur sot ka rënë prodhimi në bujqësi, kur pjesa më e madhe e produkteve janë duke u importuar nga jashtë, për çfarë i duhet një fermeri në mes të sezonit të verës, kur janë duke i përfunduar të gjithë të vjelurat e stinës të marrë një kredi”.
Sipas saj, bujqësia ndodhet në krizë të thellë për shkak të politikave të qeverisë.
“Bujqësia sot ndodhet në një situatë të vështirë edhe për shkak të këtyre politikave, politikës së taksës, politikës së mbështetjes së bujqësisë dhe politikës së shpërndarjes së fondeve”, tha Tabaku.
/m.q//a.f/
The post Tabaku: TVSH-ja në bujqësi të jetë e njëjtë në hyrje dhe në dalje në nivelin 6% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.