Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH), ka bërë të ditur se të gjithë qytetarët që aplikojnë për pension, edhe në rastet kur nuk disponojnë libreza pune, mund të përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore, për sa kohë deklarojnë saktë periudhat e punës dhe dokumentacionin shoqërues përkatës. Sipas njoftimit zyrtar të ISSH, aplikuesit duhet të plotësojnë me kujdes formularin online të aplikimit, konkretisht Seksionin III, B 1, ku kërkohet të deklarohen periudhat e punës dhe institucionet ose ndërmarrjet ku ka qenë i punësuar individi gjatë viteve të sigurimit.
Gjithashtu, dokumente të rëndësishme si certifikata familjare, certifikata e martesës (në rastet kur të dhënat janë të sakta nga kërkuesit), vërtetimi për periudhën e shërbimit ushtarak për meshkujt, si dhe vërtetimet për pagat kontributive, mund të sigurohen drejtpërdrejt nga ISSH, pa qenë nevoja që qytetari t’i sigurojë vetë.
Ky shërbim i digjitalizuar synon të ulë barrën administrative mbi qytetarët dhe të përshpejtojë procesin e verifikimit të të dhënave.
Për më shumë informacion mbi procedurat dhe dokumentacionin e nevojshëm, ISSH fton qytetarët të drejtohen në rrugë elektronike përmes ëëë.issh.gov.al, ose të komunikojnë në e-mailin zyrtar.
Një ndër risitë më pozitive të viteve të fundit është rritja e aksesit online në të dhënat e sigurimeve shoqërore.
Çdo qytetar mund të kontrollojë llogarinë e tij të kontributeve përmes e-Albania, duke parë vit pas viti të dhënat mbi pagat dhe kontributet e derdhura nga punëdhënësit.
Kjo transparencë ndihmon në përgatitjen më të mirë të aplikimeve për pension, por edhe në parandalimin e abuzimeve me të dhënat ose mungesën e kontributeve të deklaruara.
ISSH këshillon që qytetarët të nisin përgatitjen për aplikimin për pension të paktën 3 muaj para mbushjes së moshës ligjore, për të shmangur vonesat dhe për të siguruar që të gjitha periudhat e punës janë të dokumentuara saktë.
Qasja proaktive, digjitalizimi i proceseve dhe reforma e re e paralajmëruar pritet të përmirësojnë ndjeshëm përvojën e përfitimit të pensionit në Shqipëri.
REFORMA E PENSIONEVE
Reforma e pensioneve në Shqipëri është duke u rishikuar dhe përditësuar me asistencën teknike dhe financiare të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në kuadër të përpjekjeve për të garantuar qëndrueshmëri afatgjatë të skemës.
Qëllimi kryesor i reformës është të rishikojë kriteret e përfitimit, të zgjerojë mbulimin formal dhe të zvogëlojë hendekun midis kontributeve dhe përfitimeve.
Ndër risitë që po shqyrtohen janë: skemat suplementare të pensioneve me bazë individuale, rritja e transparencës në llogaritjen e përfitimeve, incentivat për formalizimin e tregut të punës dhe përfshirjen e vetëpunësuarve, si dhe skema të veçanta për sektorët informalë dhe emigrantët që rikthehen.
Reforma synon jo vetëm të mbrojë pensionistët aktualë, por edhe të krijojë një sistem të besueshëm dhe të qëndrueshëm për brezat e ardhshëm.
Ajo është pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian dhe të përafrimit me standardet sociale ndërkombëtare.
SI TË APLIKONI PËR PENSION PLEQËRIE NË E-ALBANIA?
Identifikohuni si “Qytetar” në portalin e-Albania
Shënoni NID (Numrin e Identifikimit) dhe Kodit të Përhershëm
Në telefonin tuaj do të vijë Kodi i Përkohshëm, që duhet të shënohet në kutinë përkatëse
Klikoni butonin “Hyr”
Zgjidhni shërbimin:
“Aplikim për pension pleqërie, suplementar pilot, suplementar lundrues i nëndetëseve apo suplementar për akademik”
Klikoni butonin “Përdor”
Plotësoni të dhënat personale në Seksionin I
Përzgjidhni llojin/llojet e pensionit në Seksionin II
Përzgjidhni pension pleqërie (neni 31)
Plotësoni formularin elektronik me të dhënat mbi periudhat e punësimit, marrëdhëniet financiare, etj.
Klikoni “Dërgo” në fund të formularit
Nëse dispononi dokumente origjinale, duhet t’i bashkëlidhni gjatë aplikimit, dhe/ ose t’i dërgoni nëpërmjet shërbimit postar pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore ku keni vendbanimin.
Zarfi i përcjelljes së këtyre dokumenteve, duhet të shoqërohet me numrin e aplikimit tuaj
Në formularin e aplikimit është edhe rubrika “Shënime”, në të cilën ju mund të jepni informacione që i konsideroni të vlefshme për përfitimin e pensionit. Për çdo pyetje apo paqartësi mbi përdorimin e shërbimit, ju mund të kontaktoni në e-mailin zyrtar të ISSH: kontakt@issh.gov.al ose në adresën: helpdesk@e-albania.al
DOKUMENTACIONI PËR PENSION PLEQËRIE:
Librezë pune apo vërtetime mbi periudhat e punës (nëse keni).
Diplomë e Shkollës së Lartë (nëse e keni kryer shkollën e lartë).
Vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë (nëse i jeni drejtuar Gjykatës për këtë çështje).
Kopje e librezës së energjisë elektrike (nëse kërkoni edhe kompensim energjie).
Çdo dokument tjetër që i shërben vërtetimit të periudhave të sigurimit.
The post Daljet e reja në pension/ ISSH: Mungesa e librezës nuk ju penalizon, si të përfitoni dhe dokumentacioni që ju nevojitet appeared first on Albeu.com.